Kaptina X

Jeta që shkohet në Shqipri ësht krejt primitive dhe patriarkale. Ç’do fis ka kryetarin dhe pleqsinë e vetë dhe që ushtërojnë gjyqsinë si mbas dokeve dhe zakoneve të vjetëra të tyre, të themeluara mbi ligjen e ahmarjes «të gjakut»: sy për sy, dhëmb për dhëmb. Kryetari dhe pleqt’ e fiseve trashegojnë nga etnit e tyre vendin q’okupojnë, por këjo pozit nuk u jep ndonjë të drejtë të jashtzakonëshme ose ndonjë avantazh mbi popullin: Kryetari dhe pleqtë i shtrohen gjyqit me një titull si dhe të tjerët në çeshtjet e së drejtës komune dhe ndeshkohen po me ato ndëshkime: Një kryetar që vret vritet dhe ajy, me këtë fjalë kuptohen të gjitha.

Pa hyrë në hollësinat të cilat vepra jonë nuk mund t’i përfshijë, do të vëmë para syve të lexuësit një pjesë të ligjeve tradisionale që regullojnë maredhënjet e banorëve në mes të tyre.

Ajy që vret vritet prej trashëgimtarëve të të vdekurit. Kur nuk mund të vritet dora vetë, vritet i ati, i biri, i vëllaj ose i kushuriri. Bile ndonjë herë vritet ç’do njeri prej atij fisi në qoftë se gjaksori edhe të afërtit e tij arrinë të shpëtojnë nga gjakmarja e palës lënduar.

Ajy që vjedh duhet t’i kthenjë të zotit dy fishin e sendit të vjedhur, dhe pas kësaj, të paguajë një gjobë për dobin e Kryetarit dhe të pleqve. Njeriu i vrarë për shkak vjedhjeje ësht i shnderuar: nuk mund të thuhet se ka vdekur si burë.

Rëmbim’ i një gruaje të martuar vlen sa një gjak: Rëmbyësi ose një nga të afërtit e tij duhet të vritet prej burit ose prej të afërve të gruas së rëmbyer.

Një vajzë e fejuar, duke u martuar me një tjetër, i jep të fejuarit të këtë të drejtën të vrasë atin ose të vëllanë, ungjin ose kushurin e parë të s’aj. Në qoftë se vajza ësht rëmbyer, t’afërtit dhe i fejuar’ i s’aj njëkohësisht kanë të drejtë dhe detyrë të vrasin rëmbyësin ose ndonjë prej t’afërvet.

Shkelia e Kurorës ndeshkohet me vdekje; buri ka të drejtë të vrasë kurvarin në ësht se e gjen së bashku me gruan ose shkelja e Kurorës konstatohet.

Një debitor duhet të paguajë huan e tij ashtu si e ka kontraktuar, në natyrë ose në të holla.

Pronësia ësht e shënjt; Kur kushi nuk’ ka të drejtë të vërë dorë mbi gjën e tjetrit. Çeshtjet e së drejtës toksore, pronësis dhe të kufivet gjykohen prej pleqvet të cilët në këto rethana, detyrohen të bëjnë be mbi gur. Sentencat nuk’ kanë apel; por me gjith këtë janë t’ekzekutuëshme.

Këto ligje janë baras për të gjithë; ndryshim i fes nuk ndryshon gjë. Kur një musliman vret një të krishten, një i krishter mer gjakun ng’ajy. Kur një musliman vret një të krishter, një musliman prej fisit të të vramit, si i afërt i të vdekurit shterngohet të vrasij muslimanë gjaksor, dhe për kundrazi një i kirshter kur vret një muhamedan. Barasia e të drejtave ësht e plotë për gjith pa dallim: Doket e zakonet sigurojnë — vazhdimin e zbatimin ma të imtë.

Miku «Musafiri» ësht i shenjtë: Të drejtat e mik pritjes nuk mund të dhunohen as me ndonjë preteks. Ajy që vret ose sillet keq kundrejt mikut, ësht i çnderuar, i përzënë prej fisit dhe kur kushi nuk mund të bëjë krushqi me ate familje; ky turp ësht i përjetëshmë, as gjaku nuk mund t’a lajë, Ajy që vret mikun e tjetërit mikpritësit i ka hua dyzet gjaqe të cilat fisi mikpritës ka të drejtë t’i kërkojë nga fis’ i atij që ka vra mikun e tij.

Buri që vret një grua ësht i çnderuar; turpi spërkatet mbi gjith anëtarët e familjes tij të cilët quhen vrasësit e grave.

Ç’do fis ka kryetarin e vetë, ashtu dhe ç’do familje ka kryetarin e s’aj q’ësht më i moçmi. Gruaja më e motshme e shtëpis konsiderohet Zonja e banesës. Dhe me qënë se jeta ësht krejt patriarkale, antarët e një familje janë tepër të shumtë. Ka familje gjer më 100-120 veta. Burat marin dhe zbatojnë urdhrat e të parit që drejton; disponon gjith ç’ka dhe gjithkënd, pa ju berë ndonjë kundreshtim. Bindja ësht e verbër, se pse nderim’ i pleqëris ësht i pa kufizuar. E Zonj’ e shtëpis ushtron po atë pushtet kundrejt grave dhe vajzave. Kur antarët e një familjeje kanë ndonjë ankim kundra njeri tjetërit, ësht i par’ i shtëpis që gjëkon, ndeshkon dhe paqson, si mbas rethanave. Të ngritur krye kundra vendimit të kryetarit ësht një veprë që shkakton qortimin e të gjithve dhe çnderon fajtorin.

Shqiptari ësht sobër dhe kënaqet me një hejë shumë të paktë. Bukë misri, diathët dhe qumështi formojnë ushqimin renduer të tij; pin ujë dhe nuk përdor ver’ e raki veç se me moderasion të math. Shqiptari vishet hollë, i reziston të ftohtit dhe të ngrohtit dhe duron lodhjen dhe privasionet me një pakujdesi steike. Dashuria dhe smir’ i tij janë të tepërta; nuk mbsheh as gëzimin as hidhrimin, qan dhe qesh pa prishur karakter’ e tij. Ballë miqsis tregon një fe njomësie edhe besnikrie të provuar. Lehtësisht ekzaltohet edhe shpirtsohet prej ides së bukuris, madhësis dhe prej punërave të shkelqyera. Ësht vjershtor. Kur kushi nuk e mohon që malsori shqiptar kur hecën drejt mundimit, ësht i shtërnguar t’improvizojë një këngë të cilën e këndon pa profkëla dhe pa dobësi, në një kohë kur e ëma dhe t’afertit i venë pas, duke pas në thëllësin e zemrës dhimsë dhe qeshje në buzë, vete deri te vendi ku do të ekzekutohet. Këngët e atyre që vdesin si trima mbten të pa haruara dhe këndohen e përsëriten prej dialëris.

Pushka dhe jatagani janë armët që parapëlqen Shqiptari; sidomos pushka ësht miku dhe shoku i pa ndashmë i tij; e ka në kujdes dhe i përkëdhel me një dashuri krejt të veçantë, bën be për armët e veta si ç’bën bé për Perëndinë dhe për fen e tij; armët e bukura formojnë pasurinë dhe krenarin e tij.

Shënime mbi kaptinen X.

Auktori në këtë kaptinë tregon zakonet që mbretërojnë në Shqipri dhe q’i përkasin personit, jetës familiare, shoqnore dhe politike. Pikat dalluëse të këtyre zakoneve janë:

1. — Jeta patriarkale;
2. — Bashkpërgjegjësia «solidaritet» e familjes dhe e fisit,
3. — Gjakmarja,
4. — Mik pritja,
5. — Nderim i grave,
6. — Respekt’ i armeve.

Pjes’ e madhe e këtyre zakoneve konstatohen në shum popuj qi nuk kanë përparuar në rrugën e qytetrimit dhe që nuk’ kanë mundur të formojnë një qeveri të regulltë dhe një gjyqesi të qëndruëshme për të siguruar jetën, nderin dhe pasunin’ e njeriut. Por gjith këto zakone dal-ka dalë çduken, me krijimin e rrugëve, me përhapjen e arsimit, me ardhjen në kontakt me të huajt, me organizimin e një fuqis së armatosur në sherbim të Shtetit dhe me ngrehjen e një qeveris dhe një gjyqsis së regulltë.

Populli Shqiptar sot për sot ndodhet në një periudhë transitore dhe ësht duke kaluar fazat e nevojshme që nga një jetë primitive deri në jetën qytetnore.

Krahinat e ndryshme të Shqipris për shum shkaqe ndodhen në shkalla të ndryshme të qytetrimit; shoqnia Shqiptare ësht duke kaluar nga një jetë feodale në një jetë burzhuazie. Duke u transformuar jeta disa nga zakonet e vjetëra çduken edhe disa mbeten duke u përmirësuar. Këto janë normat që na tregon historia e kombevet. Mbajtja e armëve individuale nevojitej, kur fuqia publike mungonte për të mbrojtur njerinë: gjakmarja rjedh nga një ndjenj’ e natyrtë e dinjitetit njerzor kur mungon një gjyqsi e pa anëshme për të meremetuar pa drejtësit. Jeta e fjeshtë vazhdon deri sa burimet e pasunis së vendit nuk janë pemëzuar. Populli Shqiptar këtej e tutje nuk mund të lavdërohet me zakonet primitive; por duhet ta konsiderojë si një pikë sedre përparimin e shpejtë në rrugën e qytetrimit Evropjan.

Pjesa e radhës
Kaptina XI

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB