Kaptina VIII

Në parashtresën t’onë, ësht e qartë dhe e provuar në mënyrë të pa dyshimtë që popull’ i parë i cili, që nga kohët prallore, i ësht avitur tokës Greke, ka qënë populli Pellazg. Ësht një e vërtetë të cilën sot kerkush nuk guxon t’a verë në dyshim, se pse, me një fjalë, ka hyrë në fushën e fakteve historike të cilat shkenca dhe filologjia e kanë vërtetuar me një mënyrë të pa dbuëshme.

Gjith ashtu ësht e provuar se më vonë u ndodhën popuj të tjerë të udhëhequr prej krenëve të ndryshme, u hodhë po n’atë tokë dhe i bënë vehtes një vend në dëm të Pellazgëvet të cilët u shtërnguan të hiqen në vënde të larta duke u lënë ardhësve të rinj pikë së pari brigjet e detit dhe më pastaj fushat që fqinjësonin detin.

Këjo tërheqja e racës Pellazgjike u detyrua të persëritet shum herë, se pse shohim që tej errësirave të kohërave prallore, çfaqen Eolët, Jonët dhe të tjerë të cilët shum herë përzihen nen emërtimin e Elinëve, emër i cili pikës pari mbahej vetëm prej një popullësie q’ish avitur Thesalisë dhe që, siç besohet, kishte përzënë Pellazgët duke i hedhur këta në brendësin e tokës.

Më vonë arrijnë Dorinjtë të cilët përzënë një pjesë të Eolëvet dhe të Jonevet q’ishin vendosur më parë dhe këta të mbramit shtegtojnë dhe venë e ngrehin qytetet Eolas dhe Joncas të Asis vogël duke shpënë atje një qytetrim të përparuar.

Nuk e shohim të nevojshme të ndalohemi mbi rivalitet dhe mbi luftrat që kishin ngjarë në mes të Joneve dhe të Eoleve që mbetnë në Greqi dhe të Dorinjve q’u vendosnë më pastaj, se pse Z. Paparigopullos, në historin e tij të shkelqyeshme, rëfen, në formën më terheqëse, ndryshimet e mendimeve, të vetiavet, të karakterevet dhe të aspiratavet të cilat për shum shekuj ushqyen përçarjen midis dy popujve, n’atë shkallë sa që dhe ata e konsideronin vehtëhen e tyre si dy raca të veçanta që s’kanë gjë të përbashkët në mes të tyre veç se armiqësis dhe smirit kundra njëri tjetërin.

Pellazgët me qenë se u siguruan duke u tërhequr në naltësinat e Epirit, të Maqedhonis dhe të Iliris, nuk patnë as një marëdhënje race as afrimi me Grekët; prandaj Pellazgët patnë një ekzistencë më vetëhe, ngrehina të ndryshme ng’ato të Greqis dhe me Eelinët q’i kishin përzënë nga toka e tyre kurrë nuk u përzien. Ësht e natyrtë që këta dy popuj duhej t’armiqsonin njëri tjetërin.

Ka njers që sot pretandojnë se edhe Grekët nuk ishin gjë tjetër veç se Pellazgët, dhe në fillim të dukjes së tyre flisnin gjuhën Pellazgjike, kur se gjuha dhe dialektet Greke kanë hire më vonë, ndjet influencës të këngëvet të Omirit. Ky vërtetim ësht i drejtë; por pjesërisht, d. m. th. ësht e vërtetë se popujt e parë q’iu avitnë tokës Greke nuk flitnin veç se gjuhën Pellazgjike. Por këjo u takon vetem Pellazgëve dhe jo popullësive q’erdhnë më vonë dhe që suall me vehtëhe një gjuhë të ndryshme. Supozisioni gjenerik që bëhet sot nuk justifikohet as me histori as me fakte.

Herodoti verteton se helinët kishin gjuhen e tyre dhe këjo gjuhë ësht e përbashkët për gjith bashkgjinësit e tyre. Pra, n’ësht se gjith grekërit në fillim nuk flisnin veç se gjuhën Pellazgjike, si bëhet që ata që erdhë për herën e parë, Pellazgët e vërtetë dhe u mbajtne të qendruëshem në Hidre, edhe në rethujëzat e tjera të Kryepellgut ashtu dhe në malet e Atikës edhe në disa vende të Samos, të kenë ruajtur gjuhën e etënve të tyre, kur se banorët e tjerë po t’atyre vëndeve nuk’ kanë as kujtimin?

N’ësht se, si ç’pretendohet, raca dhe gjuha ishin një dhe për grekët dhe për Pellazgët, ngjarja që shënojmë nuk duhet të ekzistonte. N’ësht se kanë qënë prej një race dhe formonin një komb të vetëm, përse disa prej tyre u transformuan, kur se të tjerët mbetnë si ç’ishin qysh në dukjen e parë të tyre në Kontinent duke ndejtur të dy në një qark? Ësht e vërtetë se një ngjarje e këtillë nuk mund të ndodhte veç se pas një kataklizmit «kijamet» të përgjithshëm; por në qoftë se ky kijamet do të kishte ngjarë, duhej të kishte po ato efekte për të gjithë e jo vetëm për disa duke kursyer të tjerët.

Më në fund s’kemi as më të vogëlën dijeni mbi një kijamet të këtillë. Kurgjë nuk provon se një pjesë e këtyre popullësive që tregohet si idantike qysh nga kohërat e çfaqjes së tyre, të ketë pësuar ndryshimin e gjuhës, të zakoneve, të mendimeve të tyre për ndonjë shkak — i huaj në çeshtjen e racës e të origjinës, — kur se pjesa tjetër, duke ndejtur po n’atë vënd edhe duke pasur maredhënje të vazhdueshme me bashkëgjinësit e tyre, të mos të jenë shtyrë prej asaj ryme. Një pohim i tillë ësht krejt badihava. Pra Pellazgët janë raca primitive q’i janë avitur për herën e parë kontinentit Grek dhe q’e kanë okupuar nga një kënd te tjetëri. Athere kuptohet se në gjith Greqinë nuk duhej të flitej veç se gjuha Pellazgjike, se pse Eolët, Jonët, Dorinjtë, Helinët, nuk ishin çfaqur akoma në Kontinent dhe prandaj gjuha Greke nuk mund të flitej atje. Por me t’u dukur Eolët, Jonët dhe Dorinjtë, Pellazgët u shprapsën, shpëtuan, u vunë në sigurim nga përpjekja e ardhësve të rinj, dhe, duke u tërhequr, muar me vehtëhe, gjuhën, zakonet, besimet dhe perëndit e tyre, dhe ku do q’u vendosen, larg Greqis. në lugjet e maleve ose mbi shkëmbinjt e detit, i ruajnë si një emanet të shenjtë q’u kanë lënë stergjyshërit e tyre; i ruajnë të pa prekëshme tej shekujvet me gjith ndryshimet politike dhe fetare që kanë pasuar njeri tjetërin deri në ditët t’ona.

Për kundrazi, Helinët, qofshin Eolë, Jonë ose Dorinj, kanë mbetur me gjuhën e tyre të veçantë; këtë gjuhë t’a kenë marë me vehtëhe siç ka qënë në fillim të çfaqjes së tyre, ose ta kenë ndryshuar dhe perfeksionuar më vonë, këjo as nuk i heq as nuk i shton gjëngjarjes. Ajo gjë q’ësht ekzaktë ësht se këjo gjuhë Greke, me pak përjashtime, ka qënë e njëjtë për të gjithë dhe s’ka pasur as më të paktën anallogji me gjuhën e Pellazgëve, për veç atyre që gjënden në renjën e fjalëvet të gjith gjuhëve që rjedhin nga një burim i përbashkët: D. m. th. gjuha Arjane dhe Sanskrite. Këtë gjuhë grekërit e kanë ruajtur, edhe nder vende ku ronin të përzier me kombet e racës Pellazgjike të cilët për llogarin e tyre kanë ruajtur gjuhën e vetë me gjith fjeshtësinë e origjinës vjetër të s’aj.

Janë kombet e racës Pellazgjike të cilët me gjith që kanë ruajtur gjuhën e tyre, më të shumat herë kanë mësuar dhe Gerqishten, por nuk dimë që Grekët të kenë mësuar gjuhën Pellazgjishte ose që të kenë ruajtur kujtimin më të vogël t’asaj gjuhe. Në veprat e vjetëra të Helinëvet nuk gjejmë as një përmëndje, as një shënjë që të mundij të na bëjë të supozojmë të kundërtën.

Për t’ardhur në një përfundim, gjith ashtu do të themi se njerzit e racës Pellazgjike q’ishin prej shoqnis lartë, me gjith që ruanin gjuhen e tyre të pa punuar, të cilën gjuhë grekët e cilësonin barbare, njihnin sipërmësinë e gjuhës greke si gjuhë e qytetruar, gjuhë dijëtare të cilën e mësonin dhe e kultivonin me dëshirë të zjart.

Por populli, shpirt’ i kombit, nuk e dinte dhe nuk e fliste; provat që kemi sjellë janë të pa rëzuëshme.

Shënime mbi kaptinen VIII.

Auktori në këtë kaptinë përsërit çeshtjen e origjinës Shqiptare duke insistuar mbi parimin e Pellazgëvet dhe duke thënë se gjuha shqipe ësht gjuhë Pellazgjike dhe gjuha e Grekëvet ësht krejt një gjuhë tjetër që s’ka të bëjë me gjuhën pelazgjike, për veç atyre fjalëve që kanë rënja të përbashkta si fjalët e gjuhëve Ariane ose Sanskrite.

Si ç’e thamë dhe më parë shkenc’ e sotme nuk pranon një theori të këtillë. Historishkronjësit Grekë përmendin një racë Pellazgjike e cila banonte reth Athinës, në një pjesë të Thesalis, në Maqedhonin orientale, në një vend që quhej Krestoni dhe në rethujzën Samothraqi; por as një shpjegim nuk japim mbi gjuhën dhe mbi origjinën e kësaj race.

Po t’analizohen gjith shkrimet e Grekëve mbi Pellazgët, rezulton se këta o kanë qënë Thrakas të cilët më pastaj u helenizuan ose grekrit me emrin gjenerik Pellazg, kuptonin gjith racat e vjetëra që ndodheshin në tokën Greke para se të vinin helinët. Disa nga këto raca parahelenike, si ç’meret vesh nga kërkimet arheologjike më të vonëshme, kanë pasur një qytetrim miaft të lartë dhe për këtë shkak në vjershat Omerike përmenden me fjalët: «Pellazgët e Hyjëshmë». Kur kanë ardhur Helinët në tokën klasike që quhet Greqi kanë qënë krejt të egrë dhe në këtë egrësirë kanë vazhduar gjasht shekuj, pastaj janë zbutur e qytetruar, ndjet pozitës së gjeografike të Greqis e cila me brigjet e detit të shumta, me rethujzat e s’aj të tepërta dhe të vargosura në drejtime të ndryshme midis detit Mesdhe, duke pranuar dhe duke asimiluar pjesërisht qytetrimin e racave parahelenike dhe të popujve të Orientit, si Egjyptas, Fenikas, Lidas, Hititas e të tjerë.

Shqiptarët, si ç’meret vesh nga krahasim i gjuhrave, nga zbulimet arheologjike, janë Thrako-Ilirianë dhe kanë ardhur nga veriu i Evropës. Nuk’ ka as një shënjë, as një provë që Thrako-Ilirianët të kenë qënë banuesit e parë të Greqis dhe të jenë përzënë prej grekëve t’ardhur nga deti. Për kundrazi historia e shtegtimit të popujve na tregon se kombet e veriut kanë qënë me të fortë dhe gjithmonë kan buçitur nga kto vënde me klimë të reptë dhe kan lakmuar të pushtojnë vendet e jugut me klimë të butë. Popujt që kanë ardhur me anën e detit kanë qënë krejt të paktë dhe s’kanë pasur fuqi të përzënë ose të çdukin popuj të fortë prej racës Nordike. Edhe fiset e ndryshmë si Ahainjtë, Dorinjtë, Eolët dhe Jonët që kanë formuar kombin klasik Helin, kanë ardhur nga veriu i Evropës, duke pasur një farë afrimi me Ilirinjtë. Këta kur kanë ardhur për herë e parë në Greqi kanë qënë t’egrë; por më të fortë nga kombet e më parëshme që kanë gjetur atje të cilët i kanë shtypur, pjesërisht i kanë çdukur dhe një pjesë e kanë asimiluar.

Gjuha shqipe ësht një gjuhë Hindo-Evropjane dhe Thrako-Iliriane. Kur se gjuha Gerqishte ësht e formuar nga përzjerja e katër dhialekteve. Maredhenja që ka shqipja me Gërqishten ësht fort e paktë; kurse me Latinishten e me gjuhën e Qelteve ësht m’e afërtë.

Pjesa e radhës
Kaptina IX

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB