Pas si kaluam, me ndihmën e historis edhe të traditave, rjeshtin e shekujvet dhe mbas si u larguam tej kohërave primitive të çfaqjes së Pellazgëve në kontinentin Grek, qendruam në bujtinat «étape» e ndryshme që kanë përshkuar dhe me prova në dorë provuam që Shqiptarët janë të paslindurit e vertetë të tyre.
Tash na mbetet të tregojmë gjëndjen ku ndodhet sot populli Shqiptar. Do të përpiqemi të plotsojmë studimin t’onë duke vizatuar ekzistencën e sotme, organizimin politik të tij, nevojat dhe aspiratat e veta dhe, me gjith që besojmë se lexuësit nuk mund t’i paraqesim një veprë të regullt e të plotë, të paktën lavdërohemi të jemi një nga të parët që kanë vizatuar mbi këtë lëndë, një skice me tipare mjaft të theksuara; burat politik dhe dijëtarët me këtë mënyrë do të mundin të gjejnë lëndat e nevojshme për të thelluar kërkimet e tyre dhe për t’i dhënë punimit t’onë xhvillimin që ësht i mundëshmë të marë.
Populli shqiptar, duke qënë i lënë në shtytkat e veta, i ngosur me traditat e vjetëra të tij që kanë zënë vëndin e historis dhe të ligjës, i xhveshur nga letrësi e tia dhe i rethuar me mijëra veshtyrësina të cilat kanë ndihmuar në pengimin e xhvillimit moral dhe lëndor të tij, fatkeqsisht ka mbetur prapa dhe stasioner si në kohrat primitive të shtetgitimit të tij. Populli shqiptar i pajosur me një krenari karakteri tepër të shqiptuar dhe me një dashuri që nuk i bëhet ballë për racën dhe për traditat e tij, nuk mundi as të tretet e të përzihet me raca të tjera, as të xhvillojë në një shkallë më të gjërë qënjen e tij; dhe kshu në pikpamjen e përparimit edhe të qytetrimit u ki prej fqinjëvet të tij pa u lënë që të shtypen aspiratat fisnike të tyre të cilat janë ruajtja e kombsis, e gjuhës, e dinjitetit dhe e të drejtave të tij. Pellazg prej origjinë dhe prej zëmre, gjith aspiratat e tyre janë përqëndruar kundrejt rujtjes të ekzistencës së tij dhe pa bërë merak për një qytetrim më të përparuar të cilit akoma nuk i dinte dobinat, ishte i kënaqur me ç’ka kishte si një trashëgim i stergjyshëve.
Trim deri në tmerëshmëni, inteligjent, i pa lodhëshmë, i kënaqur me pak, pa pasur ambicje të tepërta, as lakmi të pa drejta, ësht i lidhur në shkembënjt e tij me një dashuri që as gjë nuk mund t’a paksojë. I pajosur me ndjenja kalorësake, i drejtë, kembëngulës në dashurit e tij, duke nderuar të drejtat dhe ligjet e shenjta të mikpritjes dhe të fjalës, ka shkuar kaqë shekuj pa pësuar ndonjë ndryshim; si do qoftë, ka mbetur Pellazg, luftëtar, i ndershëm dhe i varfër.
Populli shqiptar ndahet në dy familje të mbëdha: Gegëri dhe Toskëri; e para quhet Shqipri e lartë dhe tjetëra Shqipri e poshtme. Shqipri e lartme fillon nga Tivari, perfshin gjith fiset katolike të Veriut, krahinat e Ipekut, të Prishtinës, të Vranjës, të Kaçanikut, t’Usqypit, të Perlepit, të Manastirit, t’Ohris dhe mbaron n’Elbasan. Shqipri e poshtme nis nga Elbasani dhe zgjatet deri në gjin’ e Prevezës.
Shqipni e poshtme ndahet në tre familje: Toskët, Çamërit dhe Labërit, q’u përgjigjen tre popujve të mbëdhenj të vjetër që banonin n’Epirë, këta popuj janë: Kaonët, Thesprotët dhe Mollosët. Këto tre familje ndahen për së dyti në fise e në farra të tjera, që kujtojnë të 14 fiset e vjetëra për të cilët bëjnë fjalë autorët klasik, sidomos, Theopempi i permendur prej Strabonit. Shqipri e lartme nuk ndahet në familje të mbëdha; për kundrazi ësht e banuar prej një sasi fisesh tribu, «clane» q’i përgjigjen, në mos plotsisht me emertimet e tyre të tashme, së paku me numrin e tyre, popullsive të përmenduna prej të vjetërvet numrim i të cilëvet ndodhet më i plotsuar në veprat e Plinit. Ksisoj fiset e tashmë të Hotit, Klementit, Kastratit, Shkrelit, Shalës, Shoshit, Mirditës, Merturit, Krasniqit, Temalit e të tjerë u përgjigjen Ballanjve, Nesteve, Manlinjve, Ankeleve, Tavllanteve, Autarjateve, Ardenjëve, siç u thoshin të vjetërit.
Emrit Toskëri që pergjithësisht tregon Shqiprin’ e poshtme nuk i gjejmë një kuptim ekzakt.
Për sa i përket fjalës Gegëri dhe gegëve, kuptimin ja gjejmë në vjershat e Homerit ku at’ i vjershes thotë: «Për tej maleve të akroqeravnit (malet e rufes me tjetër fjalë malet e Himarës) rinë gegët — Jigas». —
Fjala gjigas, ka kuptimin gjigant. Pra me qënë se banorët e maleve të Shqipris Epërme gjithë kanë një shtat për mbi mesataren, të vjetërit i besonin se ishin gjigandë dhe prandaj i thirë «Gjigas dhe gegë», po ajy emër ësht i cili në të dy gjuhët ka po atë kuptim.
Ësht parë se krenët e fiseve të Shqipris epërme lashtas mernin titullin Gegë, se pse na vjen ndër mend që kemi parë me sytë t’ona një dokument zyrtar dalë nga kadiu i parë, gjyqtar, i vendosur prej qeveris Ottomane në krahinën e Dukagjinit në shekullin XV, pandërmjetisht pas vdekjes së Skenderbeut, vdekja e cila u pasua prej okupimit të plotë të Shqipris ku thuhet: «Gega Llesh, Gega Dodë, Gega Tanush dhe një gegë tjetër emrin e të cilit s’e mbaj mend. lanë malet e Peshterikut, në Jakovë pa i jetersuar dhe ceduar, për të shkuar e për t’u vendosur në Mirditë». Ky dokument q’u përkitte stërgjysheve të kryetarit të Mirditës, ish në posedim të të ndierit Bib Doda Pasha, i cili para se të vdiste na i kishte treguar e kishim kënduar dhe jemi të sigurtë se i biri i tij, Preg Pasha duhet t’a ketë në dorë akoma.
Me qenë se në Shqipri kurrë nuk ësht bërë një regjistrim i popullësis me regull dhe i saktë, për ne ësht e pa mundur të dimë pikërisht sasin’ e popullsis s’aj.
Me gjith kët si nga dokumentat zyrtare, si nga informatat e veçanta që kemi për vendin, mund t’a caktojmë 1,800,000 deri më 2 milion frymë: 1,200,000 për Shqiprin e epërme dhe resti për Shqiprinë e poshtme.
Këjo popullësi që flet një gjuhë, që ka po ato zakone, ato doke dhe ato tradita, ësht e ndame në tre besime: Musliman, Ortodoks dhe Katoliq.
Gjysmët janë muslimanë, gjysma tjetër Hristiano-ortodoks dhe katoliq.
Muslimanët të bashkuar me katoliqët përfaqësojnë dy të tretat e popullësis përgjithshme; Ortodoksët ndodhen në një proporsion të 1/3.
Vendi përgjithësisht ësht malësi dhe shum’ i lehtë për t’u mbrojtur kundra shkeljes së huaj. Krahinat fqinj me bregun e detit janë shum pjellore. Lluginat e Bojanës, të Matjes, të Shkumbinit, t’Erzenit, të Vjosës, të Drinit, të Bistricës, të Vardarit e të tjera perfshijnë një sasi të madhe tokash produktuëse; por sistemi bujqësor ësht krej primitiv, vëndi nuk gëzon gjith dobinat që mund t’i siguronte një sistem i ndriçuar prej shkencës. Me pak përparim më tepër, produktet e tokës jo vetëm që do t’i miaftojnë për konsumimin e popullësis, por do të jepte dhe një tepricë tepër të konsiderueshme e cila do t’eksportohej në vende të huaja dhe do të shërbente si bazë për një tregëti ndërkombtare tepër fitimprurëse.
Më në fund, populli shqiptar ësht më shumë bari se bujk. Ritja e kafshëve bëhet në një shkallë shumë të gjërë dhe me një fjalë formon begatin e parë të vendit.
Në Shqipri ka pyje të mbëdhenj, rjedhina uji dhe madene të ç’do lloj që nuk janë përdorur as pak. Industri e vendit, që ndodhet akoma në shkallën e foshnjëris dhe pengimet që ka hasur gjithmonë xhvillim’ i begatis publike i bashkuar me plogështinë edhe me karakterin luftëtar të popullësis, kan kontribuar t’a lënë vendin në një gjendje vobektësie tepër të vajtuëshme, gjë e cila bën që në pikpamjen e qytetrimit modern, mund të konsiderohet si një vend tepër i prapambetur. Ku do natyra ësht kryenaltë, vendet janë madhështore, dhe veshtrim’ i syrit piktoresk. Malet janë të lart’ e të mbëdhenj edhe me arsye mithollogji e vjetër atje ka vendosur selin’ e Perëndive dhe të Muzavet. Fushat qeshin, lumenjtë të kulluar, pyjet të virgjër e të dëndur. Më në fund ësht një vënd që shpirtron ëndëra dhe këngë, që nxjer njers të fortë, të zgjuar dhe trima, gra të bukura, të ndershme edhe besnike.
Me pak qytetrim më tepër edhe me kondita më të mira, Shqipria jo vetëm që nuk do t’i kishte as pak lakmi Svicrës, por do ta kalonte nga pikpamja e bukuris, e poezis dhe e forcës.
Shënime mbi kaptinen IX.
Auktori në këtë kaptinë tregon se Shqiptarët janë ndarë në dy fise të mbëdha: Geg’ Toskë dhe se toskët ndahen në tre fise: Toskë, Laber dhe Çamer dhe se fjala «Gegë» vjen nga fjala gjigand si mbas të thënave t’Omirit, atit të vjershës.
Fjalët Gegë dhe Toskë me të vërtetë dhe në mënyrë të saktë nuk dihet se ku e kanë burimin. Mbas mendimit t’onë emrat Gegë dhe Toskë janë emra të përveçmë të cilët në kohra të vjetëra do të kenë qënë emrat e dy të parëve, princër ose mbretër, të vendeve përkatës. Në malet e Çermenikës ndodhet një shkëmb të cilit i thonë Gur gegë; si mbas zakonit të vendit ky gur ësht vendi ku mblidhen periodikisht paria e maleve të Gegëris, për me vendos ose me ndryshue doket e zakonet. Duhet të shtojmë se ky vend ndodhet në massifin ku piqen vargjet e malevet të Gegëris prej ku ndahen tri rjedhina «Versane»:
1. — Rjedhina e Matit; 2. — Rjedhina veriore e Shkumbinit; 3. — Rrjedhina lindore e Drinit.
Emëri Gegë duket të ket qënë emri i ndonjë ligjvuesi, si Dukagjini, por më i parë se ky, emri i të cilit duke qenë në zë ësht përgjithsuar për gjith Gegërinë.
Gjith ashtu dhe në rethin e Tepelenës, në veri lindje të Vjosës, ësht një vënd ku i thonë bregu i Toskës dhe kësaj krahine i thonë Toskëri. Prandaj Toska mund të ketë qënë ndonjë i parë që ka vendosur doke e zakone në krahinën e Toskëris dhe më vonë ky emër do të jetë përgjithsuar e zgjeruar për t’emërtuar vendin që zgjatet deri në bregun e shkumbinit.
Auktori, përmend një nga një vendet që formojnë Gegërinë duke përmend brigjet e detit që nga Tivari e deri në Prevezë, si ç’e thotë në vjershën e famëshme të tij:
Që pri Tivari deri në Prevezë;
Gjithkund lëshon dielli vapë dhe rezë;
Asht toka jonë, të parët na i kanë lan,
Për mbrojtjen e s’aj vdesim të tan.
. . . . . . . . . . . . . .
Fjala Lab, ësht emri një fisi të vjetër të cilën auktorët Greko-Latin të koheve të moçme e kanë përmendur me emrin Lapik dhe emri Çam rrjedh nga emr’ i vjetër i lumit Kallama të cilin Grekërit e vjetër e shkruajnë «Tthims». S’ka dyshim se këjo ortografi që bashkonte «T»-në dhe «th»-në Gërqisht do të zëvëndësonte shqiptimin e «ç»-së sotme. Kallamaja ose «Çiami» ësht një lumë që përçan një pjesën e madhe të Çameris.
Auktori në një broshur të destinuar për propagandë n’Evropë, tregon se Shqiptarët janë një popull më tepër bari se sa bujk, të lidhur fortsisht me gjuhen e me zakonet ashtu dhe me gojthanat kombtare; shton se Shqipria ësht një vend pjellor, me fusha të gjëra dhe me pyje të virgjër, e pajosur me ujra dhe me madene dhe e zbukuruar me liqene. Por për fat të keq një pjes’ e vendeve më të bukura të Shqipris ethnike kanë mbetur jashta kufinit politik edhe nen sundime të huaja barbare që përpiqen të çfarosin fisin Shqiptar që lëngon nen thundrat e tyre.
Auktor’ i këti libri sikur e parandiente një fatkeqsi të këtillë, me këngën e famëshme të Shqipris, ka vajtuar Zin’ e kohëve t’ardhme.
Pashko Vasa