Kaptina VII

Pas vdekjes së Skender Beut që ka ngjarë në gjysmën e shekullit XV, Turqit pushtuan dhe e shtruan krejt Shqiprinë, siç kishin shtruar dhe më parë Greqinë. Në Shqipri ngjau ajo që kishte ngjarë në Greqi: Një pjes’ e popullësis shtegtoj n’Itali, të tjerë pranuan Islamizmën dhe resti ndejti në Shqipri duke ruajtur fen Kristiane, Ortodokse ose Katoliqe.

Me gjith këtë pushtimi dhe bindja e Shqipnis si një provincë ottomane nuk rënoj as pak shpirtin luftëtar të popullsis. Banuës të malevet të repta dhe të pashkelura, duke mos pasur as toka të mjaftuëshme për t’u dhënë në bujqësi, as dhe miaft hollësi për t’u shtruar në një mënyrë rojtje të re dhe për t’u hedhur në tregëti ose në industri, populli shqiptar gjithmonë ruajti karakterin dhe kujtimet e vjetëra të tij; u mbajt si një popull ushtar, dhe ushtar si stërgjyshërit e tij.

Kshu u bë jo vetem për muslimanët të cilët u shtërnguan të ndjekin traditat luftëtare që kishin zënë rënjë në vend, por dhe të krishterët, katoliq ose orrtodoks qofshin, mundne të ruajnë armët e tyre dhe të bëjnë një karierë të lirë prej prierimeve luftëtare të tyre. Ushtërit që ngrinte qeveria në Shqipri kur do herë ishin të përziera; kristianë e muslimanë, qytetasit e një vëndi dhe degat e një fisi, gjith bashkë mernin armët dhe luftonin trimërisht për të mbrojtur interesat e perandoris Ottomane.

Në krahinat malësore, në Shqipninë e Veriut ose n’ate të Jugës, të krishterët gëzonin privilegje dhe imunitete të ndryshme të cilat të krishterët, me pak përjashtime, i vinin në një rafshë të plotë barasije me bashkatdhetarët e tyre muslimanë; pashallarët e Shqipris kur do herë ishin të rethuar prej krenëve ushtar musliman e të krishterë dhe mbështeteshin në trimërinë e tyre, pa ndonjë dallim.

Gjith racat e tjera që nuk ishin bashkëgjinës me fisin shqiptar qendruan larg, duke mos dashur kurrë të kenë çështje të përbashkta me muslimanët; racat e tjera heshtësisht kishin pranuar konditat e të mundurve dhe u treguan gadi për të jetuar në një gjendje të përulëshme.

Ndarja e tyre i bëri që të humbasin zakonet e perdorimit t’armëvet, dhe pastaj shkaktoj mos besimin dhe poshtënimin ng’an e muslimaneve të cilët mbetnë kasti luftëtarë. Ksi lloj gjith ata që nuk ishin shqiptarë kurrë s’kanë dashur të njohin e të pranojnë detyrën e mbrojtjes së Atdheut të përbashkët me armë në dorë, edhe gjith mbaruan duke u dhënë në tregëti, në industri dhe në bujqësi si harbutët e kohës së mesme.

Në fillim të shekullit t’onë gjejmë Mustafa pashën në Shkodrë dhe Ali pashë Tepelenën në Janinë, të cilët kishin arritur që të dy në një shkallë pushteti që çqetsonte Portën e Naltë. Njeri zotnonte Shqiprinë e sipërme edhe tjetëri Shqiprin’ e poshtme, me pak përjashtime, si feodalë të mbëdhenj të kohës së mesme. Që të dy ditnë të bashkojnë elementin musliman me elementin e krishter në një mendim patriotik dhe në një glorie ushtarake. Gjith ashtu të përkrahur prej bejlerëve muslimanë, prej kapetaneve të krishterë dhe prej krenëve të fiseve, që të dy guxuan të kenë për qëllim ndryshime me një rëndësi të jashtë rendëshme; por rivaliteti q’ishte çfaqur në mes mbaroi me humbjen e të dyve; këta të dy ishin berë tiranë, administronin vendin me një despotizmë të tepruar, prandaj populli i la kur Sulltani filloj t’i ndeshkonte.

Me gjith këte kleftët dhe kapedanët shqiptarë ortodoksë që ndodheshin në sherbim të Ali Pashë Tepelenës, qen’ ata q’i pergatitne Greqis së re trimat më të çquar të luftës së independencës s’aj. Boçari, Karajuskaqët, Xhavellat, Miaulet dhe Bullgaris si dhe kaq luftëtarë të tjerë gjith qenë shqiptarë që muar pjesë me mish e me shpirt në favorin e Greqis, duke qënë të udhëhequr pikës pari prej shpirtit luftëtar, lakmimtar ngjarjesh edhe luftërash, dhe pastaj prej ndjenjave fetare q’i kishin të përbashkta me Grekërit. Lufta e independancës Greke në fillim nuk mund të merej parasysh prej këtyre kapedaneve shqiptarë të reptë si një luftë kombtare, por më tepër konsiderohej një luft fjesht fetare; ishin kristiane lëftuan kontra muslimanëve. Ishte Kryqi që lëftonte kundra hënës dhe ngjau ajo që kishte ngjarë gadi në gjith popujt e Evropës, që qytetasit e një Atdheut u thernë në mes të tyre n’emrin e një feje që nuk bashkohej as pak me ate që besonin të tjerët. Heqim dorë të tregojmë se gjer në ç’pikë hutimi mendor mund të çohen njerzit prej fanatizmës fetare dhe prej smirit të klasit.

Ësht e drejt të themi se më vonë, kur independanca e Greqis u bë një pun’ e mbaruar, kapedanët shqiptarë, të dehur prej fitores edhe prej pozitës së shkelqyer q’u kish dhënë trimëria e tyre në mes të Grekërve, përfunduan duke i thënë vehtëhes «helen» edhe duke marë nasionalitetin e tyre. Por ky fakt pjesor nuk sjell përfundimin se gjith bashkgjinësit e këtyne kapedaneve të jenë helinë.

Të këtilla ndodhina kanë ngjarë kudo edhe do të përsëriten gjithnjë. Njerz që janë prej një kombësie mund të marin kombësinë e një tjetër vëndi; dhe shohim se në Francë ku shum njers të mbëdhenj prej origjinës Inglize, Irlandeze, Greke dhe Italiane të cilët, duke u vendos atje qysh prej kohe, kanë mbaruar duke u bërë fransezë. Po ky fenomen na paraqitet n’Ingliterë, në Rusi dhe gjetkë. Por këjo nuk provon veç se një gjâ: Njerzit e një kombësie individualisht mund të adoptojnë një kombësi tjetër, o me zgjedhjen e tyre të lirë, ose me fuqin’ e sendeve, pa rënuar këjo, pa ndryshuar kombsinë e bashkgjinesve të tyre.

Për veç kësaj, ësht gjë për të shenuar se gjith Grekrit që ndodhen në Greqi dhe që janë bërë nenshtetas helen kurrë nuk’ kanë pushuar të flasin gjuhën e tyre, dhe të formojnë një familje më vehtëhe: Feja dhe edukata të cilat janë të perbashkta me Grekërit nuk’ kanë mundur t’i bëjnë që të harojnë origjinen e tyne, as t’u ndryshojnë sjelljet e tyre. Pra mund të ketë Shqiptarë shtetas Elinë; por nuk mund të pranohet që Shqiptarët të jenë prej racës Eline, as që të dy popujtë të kenë një kombsi, dhe aspirata të njejta.

Akoma më pak do të pranojmë parimin që Kristjanët e Shqipris «Epirot ose Maqedonas» mund të konsiderohen si Grekër, për shkak të fesë Ortodokse që besojnë dhe që kanë së bashku me Elinët, ose për shkak të gjuhës Greke që mësojnë në shkollat, dhe që disave prej tyre u pëlqen të flasin. Po të jetë që të pranohet një gjê e këtillë, as gjê nuk do të ndalonte që Katoliqët Shqiptarë të cilët mësojnë dhe flasin gjuhën Italishte të konsiderohen si Italianë me të cilët kanë dhe bashkim feje; por këjo bashqelles — Coincidance» kurrë nuk u ka shpirtruar Italianeve mendimin t’i revandikojnë Katoliqët Shqiptarë si bashgjinesit e tyre, gjith ashtu dhe Katoliqët Shqiptarë kurrë s’kanë pasur dëshirën të besojnë në më të paktën kushërini race ose kombsie me popujt’ e Italis.

Mbas pikpamjes s’onë, Shqiptarët qofshin muslimanë, ortodoksë ose katoliqë, janë edhe mbeten siç kanë qenë tridhjet shekuj më parë, populli mâ i vjetër i Evropës raca më pak e përzier e gjith racave të njohura, racë e cila si një fenomen që më tepër mund të quhet mrekulli e që nuk mund t’a shpjegojmë, ka mundur të qëndrojë kundrejt kohës që rënon e ndryshon, ka mundur të ruajë gjuhën pa patur as një letrësi, as një qytetrim të përparuar edhe për veç kësaj ka arritur të ruaj një tip origjinal dhe karakteristik pa u treguar i pa shoqnueshëm edhe në çfaqjet e jashtëme, pa hedhur poshtë besimin dhe ritet e feve që ka përqafuar dal ka dalë duke u përhapur fituës nëpër evolusionet e shekujve.

Ka një send tjetër mendimesh dhe konsideratash mbi të cilin heqim vërejtjen e dijetarëve dhe të filollogëve për të na ndihmuar që të nxjerim argumenta të ra në mbështetje të tezës s’onë.

S’kemi nevojë të themi se Kostandini qe ajy imperator’ i Romaneve që barti selin e imperatoris në Bizans, as që më vonë, këjo perandri e madhe u nda më dysh, njëra prej të cilavet mori emrin perandori e Oksidentit dhe tjetëra perandori e Orientit, as që më vonë akoma me një shperdorim q’u bë me fjalë, këjo perandori e mbrame u quajt perandori Bizantine dhe perandori Greke. Këto janë sende fillestare të cilat i dinë gjithë. Pra ësht e vërteta se nuk qenë Grekërit ata që ngrehnë në fillim ose pushtuan më vonë perandorinë Bizantine: Këjo qe një veprë e Romanëve. Në qoftë se ma vonë, u quajt perandori Greke, nuk ësht nga shkaku i një krijimi Grek, por se pse perandorët që pasuan njeri tjetërin dhe shumica e popullësivet që lidhej me atë, u ndanë nga kisha Romane dhe ndoqnë ritin q’u quajt Grek për t’a dalluar nga tjetëra q’u quajt Roman ose Latin.

Në pranim të këtyre fakteve, njeriu ësht i shtërnguar të pranojë se emertimi perandori Greke nuk ju dha me një kuptim kombtar as për të treguar origjinën; por vetem me një kuptim krejt fetar, me ate mënyrë që më vonë, duke shpërdorur kuptimin dhe përdorimin e fjalës, mbaroj me të përzier nën emërtimin Grek jo vetëm ata q’ishin prej racës dhe prej kombsis Greke, por edhe ata që duke qënë prej racave të tjera ushtëronin ritin e kishës orientale Greke.

I lidhemi këti mendimi me aq këmbëngulje sa që deri në ndarjen e Fotius: edhe më vonë akoma, perandori e Orientit nuk quhej tjetër veç se perandori Romane; dhe në fakt këjo perandori nuk ish tjetër gjë, me gjith që kishte rënë copa copa si ajo e Oksidentit, nen pushtimin e barbarëve. Perandorët e Bizansit vetem me titullin perandor Roman ruajtën për shumë kohe ekzarhatin e Ravennës ashtu dhe të tjera vende që ndodhen në zëmrën e Italis.

Emri me të cilin tregoheshin në Gërqishte nenshtetasit e kësaj perandorie qe fjeshtësisht fjala, Roméi, d. m. th. Roman edhe sot Arabët njerzit e perandoris Ottomane që nuk janë prej racës Arabe i thresin me emrin Rum, d. m. th. Roman; gjith ashtu fjalët: Rouméi e Rumi sherbenin për të treguar pushtonjësit Romanë, themelonjësit e perandoris edhe as pak njerzit prej racës ose prej kombsis Greke. Arabët e kohës s’onë, duke bërë fjalë edhe për muslimanët nëpunës të qeveris Turke, i thresin me emrin (Rumi).

Dihet se Arabët armiqsonin dhe urejtnin Romanët; ishin armiqt’ e reptë të tyre. Këto ndjenja nuk janë këmbyer as ndryshuar për shkak të bashkimit të fesë; ashtu dhe bijët e shkretinës edhe sot akoma i thresin ata që kanë zëvëndsuar Romanët si zotnuës të vendit tyre me emrin Rumi.

Vetëm kur perandoria Ottomanë u ngreh mbi rënimet e perandoris Bizansit edhe që pushtuësit e rinj muar emrin Osmanlli, emertimi «Roméi» mbaroj duke u aplikuar për banorët e perandoris q’ushtronin fenë Ortodokse. Fjala Romeos në gjuhën e vullgut u bë sinonim me fjalen Grek.

Gjërësia që ju la kuptimit të këti emri «Grek» dhe shpërdorimi q’u bê më pastaj, mbaruan duke bërë ket emër gjenerik. Këjo fjalë pikës së pari u përdor për të treguar Romanët, themeluësit e perandoris, pastaj për të treguar të krishterët prej ritit Ortodoks dhe më vonë po me këtë emërtim u përfshinë dhe njerzit prej racës dhe prej nasionalitetit Grek dhe ata q’ushtëronin dhe kishin së bashku me ata besimet dhe dogmat fetare. Pikërisht ngjau ajo gjë që ndodhi dhe në Islamizmë.

Me emrin Turk nuk’ u tregua nasionaliteti; ky emër ju dha gjith njerzëve q’ishin prej fes muslimane, pa dallim. Për shkak të mungesës të një kombsie të vetme në përpjekje me racën dhe me origjinën, feja Muhamedane zuri vendin e kombsis edhe muslimanët prej gjith racave dhe prej gjith kombsive u bashkuan në një kuptim fetar dhe politik i cili kuptim nuk formoj një kombsi, por një pushtet të math, një perandori aq të madhe sa ajo e Romaneve të vjetër q’ishin parashkuesit e tyre.

Sot që lakmitë edhe pasionet po ziejnë, njerzit përpiqen t’i apin shkembimin, nuk them shkencës që mbetet e pa pësuëshme dhe e pa tundëshme ballë enteresave dhe aspiratave të kombsive të ndryshme, por opinionit publik që gabohet ndo-një herë edhe duket përkrahës për disa çështje që nisen nga një parim i gabuëshëm. Ka njerz që besojnë se gjith ata q’ushtërojnë fenë Greke edhe që për shkak të kësaj janë detyruar të mësojnë gjuhën Greke, janë grekër prej race dhe prej origjine.

Anëtarët e panhelenizmës për të revandikuar një pjes të popullësis së Epirit edhe të Maqedhonis, zakonisht vëhen në këtë pozitë. Por si mbas ç’kemi parashtruar edhe si mbas provave që kemi paraqitur për të u mbeshtetur argumentat t’ona, të këtilla pretendime janë të pa pranuëshme; edhe këto pretandime ballë historis dhe ballë fakteve që rjedhin prej asaj nuk mund të qëndrojnë më këmbë. Gjith ashtu kuptimi që duan t’u apin fjalëve dhe dredhia që përpiqen t’u apin sendeve, nuk janë veç se një punim imitimi që nuk ka as një themel për t’i u impozuar besimit të njerzëve as dhe sanksionimit të shkencës.

N’ësht se Islamizma ka përmbledhur njerzit në një unitet fetar, duke larguar çeshtjet e racës dhe të kombsisë për fitimin e fesë, e cila ka ushtëruar një veprim perzimtar dhe ka kthyer aspiratat e të gjithëve në triumfin e besimtarëve, ky fakt nuk mund të shërbejë si frazë fillestare për një krahasim «silogjismë» i cili jep si përfundim se gjith ata, që në Turqinë Evropiane, ushtërojnë fenë Greke, janë prej race dhe prej kombsie helenike.

Njësia e besimit fetar ka ushtëruar këtë pushtet edhe ka nxjerë këtë fenomen mbi muhamedanët, themeluesit e perandoris Ottomane, por që nuk mund të invikohet si një e drejtë as dhe si një provë kombsije helenike për ortodoksët e Epirit dhe të Maqedhonis.

Për ditë dëgjohet të thriten shqiptarë, muslimanët e Epirit dhe të Maqedhonis dhe për kundrazi, të emrohen Grek — helinë të krishterët po t’atyre vendeve. Broshurat dhe fletoret që janë shpallur në kohërat e fundit kanë përsëritur me gjith zërat këto emërtime pa dyshuar as kush mbi pasaktësin’ e tyre. Me gjith këtë, ata që rëmbehen prej dallimeve të këtilla çuditërisht gënjehen, se pse nuk bëjnë as një gjykim ma të fjeshtë, vjen me thanë se muslimanët e Epirit nuk janë veç se vëllezërit e të krishterëve; janë prej një race, në rëmbat e tyre qarkullon një gjak, kanë po ata stërgjysher që kanë dhe të krishterët.

Para zotnimit Ottoman, muslimanët nuk ishin tjetër gjë veç se Kristian ortodoksë të cilët, me dëshirë ose për interesë përqafuan Islamizmën, si gjith muslimanët e Shqipris epërme që nuk ishin tjetër gjë veç se Katolikë të kthyer muhamedanë, si muslimanët e Greqis nuk ishin tjetër gjë veç se helinë që ushtëronin Islamizmën.

Thiria Shqiptar, muslimanet e katoliket që nuk janë prej kishës Greke dhe pretendimi se ortodoksët po të një vendi janë Elinë se besojnë doktrinat e kishës Ortodokse, si mbas mendimit t’onë, don me thanë, me dasht ngreh besimin fetar në parim kombsie dhe me zëvëndësue racën me dogmë, ritin me atdhe, gjë e cila nuk ësht e pranuëshme.

N’ësht se popullsit e Epirit ato që takojnë më afër kufive të Greqis, pjesërisht flasin gjuhën Gërqishte, këjo nuk mund të luftojë në favorin e pretandimit të çuditëshmë që jemi duke shënuar. Gjeografikisht, ethnologjikisht dhe historikisht, ësht e provuar se Epiri dhe Maqedhonia kurrë nuk’ kanë bërë pjesë të Greqis: Rraca e banorëvet, gjuha e tyre, zakonet e tyre, ngrehinat qytetnore, politike dhe ushtarake të tyre, ishin krejt të ndryshme. Për sa i përket gjuhës, do të them që si Eolët që banonin pranë kufive të Epirit flisnin një gjuhë të përzier gjysma Greke dhe gjysma Pellazgjike ashtu dhe Epirotët kufitarë të Greqis natyrisht duhej të kishin mësuar shum fjalë Greke dhe t’i kenë përzier me gjuhën e tyre. Këjo s’ka nonjë gjë të jashtzakonëshme. Por ajo që duhet të vehet në pah, ësht që këjo gjë nuk ndolli vetem për ata Epirotë që hasnin plotsisht në kufitë Greke, se pse sa largohet njeriu ng’ajo kufi, aq më tepër kuptimet e gjuhës Greke bëhen të ralla. Ato kuptime humbin krejtësisht në krahinat e Filatit, Margëlleçit, Gjirokastrës, e tej, ku popullësitë muslimane dhe ortodokse nuk dinë veç se gjuhës shqipe. Për veç kësaj në ësht se gjuha Greke u kultivua dhe u adoptua në disa krahina të Epirit, që ndodhen fare afër vijë-shenimit të kufive Grekë, ky fakt, pikës së pari i detyrohet fqinjësis me grekërit, pastaj fes Ortodokse e cila ka mësuar lutjen e kishës në gjuhën Greke dhe më në fund, pa kujdesis së qeveris Ottomane që nuk’ ka menduar kurrë të përkrahij as të përhapij mësimin botnuer në një shkallë të gjërë dhe në një mënyrë të një formëshe për të gjithë.

Në munges të shkollave të ngrehura prej autoritetit politik të vendit, pikë së pari priftëria dhe dhaskajt Helinë pas atyre kanë filluar edukimin e popullit; edhe gjuha pellazgjike ose Shqipe duke mos pasur një letërsi të vetin për të përhapur arsimin, ësht përdorur gjuha Gërqishte për të mësuar shkencat ashtu dhe lutjet e dogmat e fesë.

Dhe këjo ësht aq e vërtetë sa po ajy fenomen duket dhe në Shqipninë e Epërme për sa u përket popullësive katolike. Dhe atje qeveria Ottomane s’ka bërë gjë sendi për Arsimin botnuer, edhe qenë priftëria dhe sidomos fetarët Fransiskan prej origjines Italiane, që predikuan fenë, sherbyen kishen edhe hapnë shkolla ku mësohej njikohësisht Italishtia dhe Shqipia. Mbasi fetarët Italian të Shqipris s’Epërme nuk kishin për qëllim të italianizonin popullin për dëm të kombsis Shqiptare, nga këjo përfundoj që gjuha Italisht u fut vetiu për shkak të fqinjësis me Italinë dhe maredhënjet tregtare si dhe për shkak të kujtimit të republikës së Venedikut në provincën e Shkodrës, por gjuha e vëndit, gjuha Shqiptare, nuk u dbua as nga lutjet, as nga predikimet fetare.

Bile klerit Katolik i jemi të detyruar për ato pak libra të shtypura në gjuhen shqipe q’ekzistojnë akoma në ditët t’ona dhe që mbase më vonë do të përmenden me titullin e ftillesave «esais» të para të një letrësije e cila sa do që nuk’ ka ekzistuar gjer tashti, më vonë mund të dalij në dritë dhe të kërkojë një vend në vatrën e qytetrimit.

Me gjith këte, fetë dhe studimi i gjuhëve q’u përkasin atyre «këjo ësht për Gerqishten, Italishten dhe Turqishten», nuk janë veç se ngjarje që mund të ndriçojnë inteligjensat dhe të zbutin shtytkat e popullësive, por që me as një mënyrë nuk mund të lëndojnë racën, as që t’i sjellin dëm parimit të kombsis që ësht dhe mbetet një dhe e pa ndashme për gjith shqiptarët — o të besojnë Krishtin, ose Muhamedin, të ndjekin ritin Latin ose ritin Grek.

Shënime mbi kaptinen VII.

Auktori në këtë kaptinë ka trajtuar disa çeshtje historike, politike dhe shoqnore të rëndësishme për kombsin Shqiptare.

Pikës së pari bën një paralel midis popullit Shqiptar dhe popujve Ballkanas të tjerë. Dhe me të drejtë thotë se vetëm në Shqipri elementi i Krishter nuk ishte bërë raja; por kanë ruajtur të drejtën të mbajnë armë dhe të lëftojnë për një atdhe të përbashkët.

Ky fenomen formon një ngjarje me shum interesë nga pikpamja politike dhe historike dhe me të vërtetë meriton një shpjegim t’arsyetueshmë.

Nga gjith popujt e Ballkanit vetem kombi Shqiptar ka treguar një qendrim të përgjaktë dhe të vazhdueshmë kundra pushtimit dhe zotnimit Ottoman. Ky qendrim i shkelqyerë me fitoret e mbëdha të herojt kombtar Skender Bej Kastriotit hoqi verejtjen dhe admirimin e gjith botës mbarë. Turqit Osmanllinj nga trimëri e pashembëlltë e shqiptarëve muar një mësim edhe vendosnë që këtë popull ta bëjnë për vehtëhe për t’u mbajtur me armë në sirethujzën e Ballkanit.

Me qënë se Turqis së vjetër i mungonte kultura dhe shpirti i organizimit q’ësht i lidhur me atë, i vetmi mjet vepruës për një gjê të këtillë ishte bashkim’ i fesë. Prandaj Turqi e vjetër gjith energjin’ e s’aj, në fushën e politikës brendëshme, për sa i përkiste Shqipris, e përqëndroj në propagandën fetare të Islamismës. Këjo pikë me randësi të madhe për fatin e Shqipris ka nevojë për një shpjegim. Turqia në periudhën e pushtimit të Ballkanit u mendua që të krijonte disa kolloni ushtarake për të qenë një pikmbështetje në mbrojtjen e vendit. Këto kolloni ushtarake formoheshin:

1. — Duke vendosur familje Turqësh të Anadollit në disa vende me rëndësi të Rumelis.

2. — Duke vendosur Jeniçerët që delnin në pension në për qytetet e Rumelis;

3. — Duke treguar disa dobina paris së vendit dhe si domos popullësive të njohur si luftëtare, i islamizonte dhe i shoqeron me dy elementet e tjera të sipërtreguarë. Kollonitë ushtarake të formuara kësi lloj, në disa vende ishin të shpeshta dhe në disa të tjera ishin të ralla dhe kshu elementi ushtarak dhe musliman, për veç Shqipris, as me një province të Rumelis nuk formonte shumicë. Me këtë mënyrë popullsia e Rumelis ndahej në dy kaste:

a) — Elementi Musliman, Tyrq ose i përzier me të vendit, formonte kastin ushtarak, zotnuës dhe pronar i tokës dhe i çifliqeve. Natyrisht një klas e këtillë e kishte për turp të merrej me tregëti dhe me zejtari; katundarët e kësaj kategorije, kur u linte kohe sherbimi ushtarak, merreshin vetem me bujqësi;

b) — Kasti i rajave ku mblidheshin gjith të krishterët të cilët gëzonin të drejtat civile dhe jo politike. Dhe pjesa e rajave që banonte nëpër fusha formonte klasën e bulkut gjysmatar ose tretar’ i kastit ushtarak, vjen prej vetiu se klasa e rajave s’kish as një interes lendore ose morale për të mbrojtur Zotnimin Ottoman q’e kishte lënë në klasin e dytë. Këjo klasë, përkundrazi, duhej të kishte për ideal çkatrimin e zotnimit Ottoman për t’u liruar nga zgjedha.

Shkaku i vërtet i dekadancës Ottomane ishte dobsia e qendrës së perandoris dhe ndodhja e një shumicë popullsije, armiku i zotnimit Ottoman. Tue qenë puna ksi soj pajtim’ i dy kasteve ish i pa mundur se nuk ndodhej as një pikë bashkimi.

Tash të vimë n’aplikimin e kësaj politike në Shqipri:

Pas vdekjes së Skenderbeut me 1467, veprimet luftëtare dhe pushtuese të Tyrqve Osmanllinj muar fund; por Shqipria në dy të tretat e s’aj ishte djegur e rënuar, gjith pasunit shkretuar, popullsitë nga luftërat, nga sëmundjet e nga mërgimi ishin dhjetuar. Tyrqia 80 vjet resht mbajti vetëm një okupasion ushtarak në Shqipri; por brenda kësaj kohe filloj propaganda e proselitizmës në favor t’Islamizmës. Në kohën e Skender Beut gjith Shqipria ndodhej nen sundimin e zotnive të krahinave; me tjetër fjalë nen sundimin e feodalizmës, si ç’ishte zakon’ i kohës së mesme n’Evropë, të përfaqësuara prej disa familjeve të mbëdha që kishin rënjë tradisionale në vend. Familjet e Zotnive të klasës së parë, asi kohet, ishin:

1. — Kastrijoti
2. — Dukagjini
3. — Topia
4. — Strazmiri
5. — Arianiti
6. — Urani
7. — Spanoj
8. — Spata
9. — Kurona
10. — Muzaka
11. — Dushmani

Pas këtyre vinin dhe familje Zotnish të dorës së dytë. Burat e disave nga këto familje të para e të dyta u vranë në luftërat e vazhdueshme, disa u mërguan duke shtegtuar n’Itali e gjetkë dhe disa mbetnë në vënd. Me qenë se Tyrqia armët dhe çifliqet ja linte vetëm muslimanit, po të krijonte koloni ushtarake në Shqipri të formuar prej ardhesëve prej Anadolli, ngrindja do të vazhdonte githmonë. Për këtë arsye Tyrqi e vjetër në Shqipri zbatoj një politikë tjetër e cila ishte këjo: kush të pranonte Islamizmën nga fëmijët e para dhe të dyta do t’u falte çifliqe, do t’i linte të lirë të mbanin armë, do t’u akordonte grada ushtarake të mbëdha brënda dhe jashtë Shqipris. Kombi Shqiptar në luftërat e repta dhe të vazhdueshme të Skender Beut, kishte lëftuar me fanatizmën fetare, duke shpresuar se më në fund do t’a fitonte luftën me ndihmën e Kryqit. Prandaj kur u mund definitivisht humbi dhe besimin që kishte te kryqi. Pas një aksioni të fortë, me doemos vjen një reaksion. Për veç kësaj kombi Shqiptar, përgjithsisht dallohet me ambicje të madhe, me energji dhe me inteligjencë. Gjithmonë kërkon fushata të gjëra që të xhvilloj këto vetia. Sidomos rivalitetet me njeri tjetrin, sa do që kishin pushuar deri me një shkallë, në kohën e luftërave kundra armikut të përgjithshëm, me pushimin e luftës filluan të veprojnë përsëri. Tyrqit përfitonin nga këto rivalitete. Kur një familje pranonte Islamizmën për të gëzuar avantazhet q’i akordonte Islamizma, rivali tjetër me dashur ose pa dashur, për të mos mbetur pas, pranonte dhe ajy Islamizmën. Duke parë avantazhet që gëzonin muslimanët e rinj dhe duke parë çkatërimin e organizatave kishëtare, gjith bota filluan të imitojnë njëri tjetërin me pranimin e Islamizmës. Në shum vende burat pranonin Islamizmën gratë mbeteshin kristiane. Në shum vende, vëllaj i math mbetej’ i krishter për të ruajtur fenë dhe vëllaj i dytë në marëveshje me të madhin pranonte Islamizmën për të ruajtur rangut e familjes; dhe me qënë se në gjuhën Shqipe, lalë, d. m. th. vëllaj i math, në disa vënde fjala — lalë —, duke u larguar nga kuptim i parë u destinua për të treguar të krishterët.

Pa u mbushur një shekull, që nga pushtim i plotë i Shqipris, shumic’ e madhe e popullit pranoj Islamizmën për cipe, por brez’ i dytë u bë tamam musliman. Në një popullësi (1.800.000) njerz, 1.500.000 u bënë muslimanë dhe 300.000 m b e t n ë të krishterë ortodoks e katoliqë. Këta të krishterë formonin disa grupe gadi independant dhe për të mbrojtur armët erdhë në marëveshje me qeverinë Tyrke, që të mos paguanin haraç, as të dhjetë, me konditë që të kishin të drejt të mbanin armë dhe në rast që perandoria hynte në luftë, detyroheshin të vinin e të luftonin bashkë me muslimanët për mbrojten e perandoris.

Këto grupe të krishterësh kishin një organizatë mbi vehtëhe: Ç’do fis kishte bajraktarin e vetë, disa bajraktarë kishin mbi krye një vojvodë, dhe disa vojvoda kishin për të parë kapetanin e Krahinës. N’ushtërimin e fes ishin të lirë, çeshtjet familiare i shikonte kisha e tyre dhe çeshtjet civile dhe penale i shikonin pleqt’ e vendit duke pasur në mes të tyre nga një gjyqtar tradisional që dinte mirë zakonet e vendit dhe kanunin e Lek Dukagjinit. Gjith katolikët e Shkodrës, ortodoksët e Himarës, të Sulit, të Lunxherisë. të Zagoris e të Rëzës formonin grupe kësodoret.

Ato fshatëra kristiane që ndodheshin midis fshatërave muslimanë në për male kishin ndonjë kapetan ose bajraktar të cilët në kohe lufte lidheshin me bejlerët e vendit. Pas kësaj organizate, të krishterët e Shqipris nuk u bënë raja si kombet e tjerë, se zakon’ i vëndit, historia e përhapjes së Islamizmës në Shqipri nuk i la të degradoheshin në shkallën e rajeve.

Vassa Pasha në këtë kaptinë tregon këtë ndryshim midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.

Ndermjet Grekërve, Bullgarëve dhe Serbëve, elementi musliman, vendës ose ardhës, ka qenë i paktë dhe shumica ish e Krishterë. Elementi musliman mbronte zotnimin Tyrk se pse bashkohej me te fetarisht, se pse qeveria i siguronte sipërmësinë e kastit e të rangut ashtu dhe të drejtat e pronësis mbi toka të mbëdha, kur se shumica e Krishterë lëftonte qeverinë Tyrke për të shpëtuar nga zgjedhja. Në Shqipri gjante e kundërta. Përveç që shumica ishte muslimane por dhe pakica kristiane ishte e mbrojtur dhe e privilezhuar, të paktën në grupet e mbëdha të s’aja, dhe një far sojë bashkohej me elementin musliman deri sa mund t’i bashkonte gjaku dhe gjuha që kishin të përbashkët. Ky ndryshim i Shqipris ësht që vonoj ndarjen e s’aj nga Tyrqia.

Qeveria Ottomane pas si konstatoj se shumic’ e madhe e Shqiptarëve pranoj fenë muslimane, nuk pa nevojë të formonte koloni ushtarake si në Serbi, Greqi e Bullgari. Me qenë se bashkim’ i fesë siguroj besimin reciprok midis qeveris Ottomane dhe popullit Shqiptar, qeveria preferonte valinjtë prej racës Shqiptare për të sunduar vendin. Deri sa qeveria qendrore e Stambollit ishte e fortë, qeveritarët i zgjidhte Stambolli lirisht, të huaj ose vendës. Por kur ngrehinat shtetnore të Stambollit filluan të dobësohen, Porta e Naltë humbi lirinë e emnimit të qeveritarëve në Shqipri; feodalë të fortë okuponin vendet me forcë e me dinakëri; shtërngonin popullin që t’i drejtonte lutje Sulltanit për të legjitimuar postin që kishin okupuar gadi me forcë.

Vassa Pasha në mes të këtyre feodaleve shenon dy më të fortë të cilët janë Bushatlitë në Shkodër dhe Ali Pashë Tepelenën në Janinë. Në ç’do sanxhak të Shqipris kishte nga një prefekt ose më mirë të thomi nga një Pasha vëndës, fisnik i vjetër ose cubë me forcë që sundonte vëndin. Suvraniteti Ottoman kish mbetur krejt për cipe: Respekt i Kalifatit, ferman i emnimit dhe marja pjesë në luftë kur e lypte nevoja.

Që nga mbarim’ i shekullit XVII, demoralizimi dhe dobsia e qeveris qendrore përparonte me hapa të mbëdha dhe si përfundim i kësaj dobsije fuqia e feodaleve qeveritar sa vinte po shtohej

Ësht e interesaçme të hedhim një sy mbi situatën e Gegëris në kohën e Mustafa Pashës në Shkodër dhe mbi atë të Toskëris në kohën e Ali Pashë Tepelenës në Janinë.

Bushatlinjtë gjith Shqiprinë e veriut e sundonin me kanunin e Lek Dukagjinit, populli pagesa nuk paguante dhe vilajet i Shkodrës administrohej me t’ardhurat e doganës e të krypës dhe me të dhjetën e rafshinave ku punonte qerrea. Qytet i Shkodrës ishte një qendrë e madhe e tregtis, se malli që vinte nga Triesta dhe nga Venediku, grumbullohej në Shkodrë dhe mbartej me aniet e Ylqinakëve. Malli që grumbullohej atje shpërndahej në gjith vilajetin e Kosovës, në sanxhakët e Nishit e të Sofjes dhe me udhën e detit vinte dhe në Greqi. Në gjith sqelat me rëndësi t’Adriatikut kishte shtëpia tregtare shqiptare që merreshin me importim e eksportim. Tregtarët e Shkodrës jepnin mall veresije në shum vënde të Rumelis dhe Veziri i Shkodrës dërgonte malsorët për tahsil duke mbajtur një përqindje për të paguar malsorët. Asi kohet tregtia për tokë bëhej me anën e karvanëve në një qetësi e siguri të plotë ndjet fuqis së armatosur të Vezirit të Shkodrës. Veziri me t’ardhurat që thamë më sipër, paguante një fuqi t’armatosur prej malsorësh të cilën e shtonte në kohe lufte. Nen sundimin e tij mbretronte një farë lumtëri ekonomike. Katolikët e Shkodrës, qytetas ose malsorë shkonin një jetë jo të keqe. Prandaj kishin interesë të mbronin me armë postin e Vezirit. Të huajt nuk gjenin rast të nderhynin e të intrigonin me anën e katolikëve.

Në Toskëri situata nga disa pikpamje ndryshonte. Pikë së pari popullsia nuk ishte fjesht shqiptar. Në rethet e Janinës e të Prevezës kishte një popullsi Grekofone e cila nuk gëzonte të drejtat e privilezhet që gëzonin grupet ortodoks prej racës Shqiptare, si Himara, Suli, Lunxhëria, Rëza e Zagoria. E dyta në Toskëri, ndër vënde të banuara prej muslimaneve, feodalizma qe e përhapur shumë dhe prandaj Ali Pashës ju desht që këtë feodalizmë ta suprimonte për të vendosur pushtetin e tij. Prandaj në rast që Ali Pasha do të hynte në një konflikt të hapët me Sultanë e me Portën e Naltë, nuk do të gjente përkrahje në popullsin e vendit, ashtu si ç’ngjau me 1820 kur Pashaj i Janinës u bë fermanlli! D. m. th., u shpall nga Stambolli, i rëzuar. Ali Pasha për të shtypur fisnikët e vjetër të Toskëris, u shtërngua të krijonte një klas të re. Prandaj nen titullin — «Armatoli» —, armatosi dhe një pjesë të grekofoneve të cilët gjer aherë konsideroheshin raje.

Katolikë e Veriut, duke qenë në kundërshtim race e feje me Sllavrit kufitar nuk mund t’i shërbenin çështjes Pan-Sllavisë; Kur se në Jugë, pikë së pari Rusia filloj të bënte propagandë midis të krishterëve si grekofon ashtu dhe në mes të shqiptarofoneve në emër të Ortodoksis. Grindja e përgjaktë që ndolli në mes të Ali Pashës e të Suljoteve ka filluar pas si u kthye prift Samoeli nga Rusia me mendime fanatike dhe armiqsore. Me rethimin e Ali Pashës në kështjellën e Janinës filloj dhe kryengritja Greke në 1821 ditën e Vngjelizmojt. Që nga këjo dit’ e pastaj ortodoksët e Toskëris, si Grekofon ashtu dhe Shqiptar përqafuan çështjen e Helenizmës. Sidomos ortodoksët Shqiptarë me trimërin e shkelqyer të tyne ringjallën Helenizmën që kish vdekur prej shekujsh.

Si ç’thotë dhe auktori vetë, zakoni që mbretronte gjer at-here midis muslimaneve dhe të krishterëve u kthye në një luftë feje të reptë; por këjo gjë nuk provonte se ortodoksët Shqiptarë ishin Helinë, gjë të cilën do t’a provojë auktori në këtë kaptinë.

Lindja e nasionalizmës shqiptare pas datës 1878, një pjesë të shqiptarëve ortodoks e hoqi me vehtëhe për të krijuar një Shqipri të lirë dhe independente. Si ç’e thotë dhe autori vetë luftat fetare midis vëllazërve të gjakut dhe të gjuhës ka ngjarë në shum vende t’Evropës; por mendimet liridashëse të përparimit modern kan çdukur fanatizmën dhe kan ringjallur vëllazërin e parë.

Ali Pashë Tepelena dhe Mustafa Pashë Bushati në Shkodrë kanë pasun kaq fuqi sa si kur të ish e mundur që të bashkohëshin, independenca shqiptare, qysh m’at here, do të ish një fakt i mbaruar; por që të dy kishin mentalitet satrapi, prej të cilëvet nuk mund të delte një gjë e re, me shpirt të ri.

Pjesa e radhës
Kaptina VIII

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB