Kaptina IV

Pellazgët të cilët kanë qënë të parët q’i janë avitur steres Greke, kishin sjell me vehte kuptimet dhe kultin e një besimi krejt primitif. Historianët e vjetër, i par’ i tyre Herodoti, thotë se Pellazgët, Perëndive të tyre u bënin fli nga gjith llojet, por që nuk’ kishin zakon t’u apin emra të posaçme; nuk kishin Perendira të lëndëta, vepr’ të dorës së njeriut; adhuronin natyrën në çfaqjet e saja mirëbërëse. Edhe theogoni e tyre qe më në fund u adoptua dhe mbase u prefeksinua prej Grekërve, nuk isht tjetër gjë veç se produkt’ i vërejtjeve mbi lëvizjet fizike të natyrës, mbi vijimin e kohës dhe mbi maredhënjet e elementave; me një fjalë, nuk ish gjë sendi tjetër veç se një varg përfundime të logjikshëme, ose ma mir me thanë, spjegimi krejt primitif i sistemit të botës, rezultatet e para të punimit të mendjes së njeriut në fushën e filozofis.

Haos q’ësht të zbrazëtit, i pa formi, Çqyësi, rjedh nga fjalët Pellazgjike: ha dhe has, kaos, ngrënës, çqyës, ose nga fjalët hap, haaapëri, haepsi, e hapët, e zbrazët. Këto fjalë edhe sot kanë po ato kuptime në gjuhen Shqipe.

Nga haos ka lindur Erèbe. Këjo fjalë ka për rënjë: érh, érhem, érheni ose érhesi, e errët. Në shqipe u err, errët, errëni, vend, i errët: érèbe ësht selia e errësirave të përjetëshme.

Gea, d. m. th. dheu. Dorinjtë shkronjën «p» e kthenin në «d» edhe e shqiptonin: dha. Në shqipe toka thuhet dhé.

Uranos, këjo fjalë me dy gama flitet Oranos. Pra, vran, vrant, i vranët në shqipe do të thotë, i vrenjtë Po ti shtojmë fjalës vranë prapështimin grek (os), do të kemi fjalën, vranos ose oranos. Ësht emri me të cilën Pellazgët dhe të paslindurit e tyre direkt, shqiptarët, shenojnë qiellin si seli e revet: me re. Bashkimi Géa me Uranos, d. m. th. bashkim’ i tokës me qiell, ka produktuar Rhéa me Chronos. Rea në shqipe do të thotë re.

Chronos, rjedh nga fjala shqipe, kohe. Në disa qarqe të Shqipnis (k)-a ndronet në «r» dhe në vend që të thuhet (kohë) flitet «roh». Kohn, e Rohn don me thënë koha, shtojni kësaj prapështimin grek «os» edhe kini pikërisht rohnos.

Nga Rhéa ka lindur Zevs, (Jupiter, Zaa, Zec, në shqipe d. m. th. Zë. Prandaj, Rhéa, d. m. th. rea, nuk mund të pillte veç se me një kërcëllimëe cila jepte një Zç: d. m. th. Rufea dhe bubullima, pikërisht Zaa, Zee e Pellazgëve. E dimë se Jupiteri oraklet e tij në Dodonë i çfaqte me një zë i cili ishte Perëndia e Pellazgëve. Në Shqipëri ka krahina ku edhe sot thonë: Zëe’ lirona sot nga e keqia. Këto fjalë Zaa, Zee, më vonë u ndruan në Zaan, Zaan e Zoot të cilat sot kanë kuptimin e Perëndis dhe populli ben be për Zonë, për Zotin.

Zevsi bashkohet me Métis, inteligjenca, mendimi. Siç dihet (ment) në shqipe ka kuptimin inteligjencë. Grekërit prej kësaj fjale kanë hequr (n)-në dhe duke i shtuar prapështimin «is» ka bërë fjalën, Metis. Pra me këtë bashkim Zevsi ose Jupiteri ka pjellë Athinanë, Minervën; por këjo pjellje bëhet në kokën e Jupiterit, në selin’ e inteligjencës dhe produkton Athinanë.

Grekërit që nuk’ kishin ruajtur as një kujtim të gjuhës Pellazgjike kurrë s’kanë mundur t’i japin një kuptim t’arsyeshëm fjalës Athina; janë kufizuar me ipoteza të fjeshta. Përkundrazi, gjuha shqipe na ep një shpjegim tepër të qartë e t’arsyeshëm. Thanë edhe thënë, në gjuhen Shqipe kanë kuptimin: E thana, dhe e thëna, këjo ka kuptimin e thenjës edhe të verbit, «Ftillk». Ksisoj Athinâ vjen me thënë fjal’ e Perendis, këjo fjalë të cilën e gjejmë në gjith fet e vjetëra e të ra, ësht e Perendis Pellazgevet që procedon me Zefsin, fuqinë, pushtetin edhe me inteligjencën.

Héra, Junoni i Grekëvet, ësht (era) në shqip… Némès, në shqipe ësht «nëmë» që ka kuptimin mallkim, një gjë që sjell të keqen, që sjell mundim dhe që shkakton fatkeqësira. Na besojmë se cilësit e Némès përfshihen në kuptimini e fjalës shqipe «Nëmë».

Erimes këjo fjalë rjedh nga fjala erh, erhni, t’errët, sterrë dhe rënim.

Muse. Në shqipe: Mësoj, mësonjës d. m. th. ajy që mëson, q’inspiron diturinë, shkencën. Këto janë cilësit e «Muse»-avet d. m. th. e mësonjavet, e shpirtësonjësavet.

Thetis, ësht e ditur se Thetis ësht një shpirtësim detar. Në shqipe «deti» ësht det.

Aphrodites, Vénus. Venusi Perëndesha e dashuris, e bukuris, ashtu dhe yll’ i mëngjesit. Aferditë në shqipe d. m. th. afër ditës ose yll’ i mëngjesit është perëndi i dashurisë.

Delos, një rethujëz e dedikuar diellit. Fjalës diell në shqipe, duke i shtuar prapështimin grek «os» bëhet fjala «diellos». Latoni pjell Dianën. Hân e Hana ësht ëmri shqip i hanës, edhe Diana ësht simbol i s’aj.

Sélène. Lene, me gjuhen shqipe d. m. th. të lindur, lindje. Thamë se Zaa, Zee ësht Perendia; Pra Zaa, ose Zee, Sélène ësht Perendia ose Perendesh e lindjes. E dimë se Selini kryesonte lindjet.

Qëndrojmë këtu për të mos lodhur vëmëndjen e këndonjësit, duke qënë të bindur se këto shëmbëlla janë më se të miaftuëshme për të forcuar të thënat t’ona dhe për të vendosur definitivisht të drejtën e vjetërsis, të kombsis dhe të gjuhës shqipe mbi gjith gjuhët dhe kombsit e tjera të njohura n’Evropë.

Si do qoftë lavdërohemi për se u kemi hapur një fushë të re dijetarëve dhe filollogëve për t’i vënë në gjëndje që të japin xhvillimet e duhura tezës që kemi filluar.

Komentime mbi kaptinën III. dhe IV.

Në kaptinën III auktori vazhdon të trajtojë çeshtjen e gjuhës që flisnin Maqidonasit dhe Epirotët; dhe si provë tregon vrasjen e Klitos i cili ka qënë nga besnikët më të fortë t’Aleksandrit të math edhe në disa rethana të rezikshëme i kishte shpëtuar dhe jetën. Aleksandri si shkoj n’Asi filloj të pinte dhe në dehje e sipër bënte sende të pa pëlqyera. Nji nga këto fajet më të mbëdha që ka bërë duke qënë i dehur ësht dhe vrasja e Klitos. Në këtë rast, në duf’ e sipër, ka folur jo Gërqisht por në gjuhën Maqedhone. Në gjith rastet që çfaqej nevoja t’u fliste ushtarëve të tij, u fliste me këtë gjuhë. Për veç kësaj e ëm’ e Filipit ka qënë Iliriane, e bijë e një princit që quhej Iras. Prandaj Filipi për veç dialektit Maqidhonas dinte dhe dialektin Ilirisht q’e kish mësuar nga e ëma. Gjith ashtu edhe e ëm’ e Aleksandrit, Olimpia, ishte prej malësis së Janinës që ndodhet afër Çamëris. Përveç kësaj profesor’ i universitetit të Berlinit Z. Ulrich Wilcken thotë se Filipi me qënë se donte një grua tjetër dhe Olimpia dyshonte se mos Filipi e linte krejt me nj’anë, dhe trashigimin e fronit të Maqidhonis mund t’ia linte nonjë mashkulli prej barkut tjetër, u zemërua keq me Filipin dhe prandaj shkoj në derën e atit të s’aj me Aleksandrin bashkë dhe me këtë pretekst Aleksandri kur ish i vogël ka ndejtur në Iliri, kshtu që me do-e-mos do të ketë mësuar dhe ajy, si i ati, dialektin Ilirian. Pra siç thamë në komentimin e kaptinës tjetër dialekti Maqidhonas që fliste vullgu ka qënë një dialekt Thrako-Ilirian si Gegënishtia me Toskënishten, një dialekt i tretë që me ardhjen e Sllavëve në Maqidhoni, ka humbur. Në kohën e Filipit e t’Aleksandrit të math gjuha Gërqishte ishte vetëm gjuhë kulture dhe gjuhë zyrtare; por ky fenomen nuk’ ka qënë vetëm në Maqedhoni, ka ndodhur dhe në vende ku Grekët s’kishin të bënin as pak. Bije fjala legjendat e monedhave të mbretërve Ilirianë të Shkodrës janë shkruar në gjuhën gërqishte. Në kohën e mesme, gjith Evropa mbarë përdorte, si gjuhë kulture, zyrtare dhe fetare, Latinishten.

Prandaj përdorim’ i gjuhës gërqishte në Maqidhoni, n’atë kohë, nuk formon një provë se Maqidhonasit kanë qënë grekër. Ësht e vërtetë se Filipi me Aleksandrin, për të qytetëruar kombin dhe Mbretërin e tyre, si mbretër përparimtarë të çquar, kanë bërë ç’ka qënë e mundur për të futur qytetrimin grek në Maqidhoni; por ky qytetrim, i huaj për Maqidhonasit, ishte për cipe, nuk kishte rënjë në ndjenjat dhe në zakonet e popullit, ishte një gjë si kultura frënge në kohën e Frederikut të math në Prusjë. Prandaj nuk mund të pretendohet se Prusjanët e Frederikut të math ishin frengjër.

Disa auktorë duke vërejtur emrat e Maqidhonasve Zyrtarë, që janë Grekë, këtë gjë e konsiderojnë si një provë për Eelenizmën e Maqidhonasve; por dhe ky pretendim nuk mund të qëndrojë në këmbë; se pse emrat e njerzëve të çquar, më të shumtat herë, janë emra që vinë nga gjuha kulturore ose fetare e adoptuar prej ati kombi: Bije fjala sot në Shqipri, për shkak të feve dhe të gjuhërave kulturore të më parëshme, emrat e njerëzve aktualisht janë emra Arabe, Latine dhe Greke; por këjo nuk provon se shqiptarët janë Latinë, Grekër ose Arabë.

Vasa Pasha, në kaptinën e tretë që po komentojmë perpiqet të tregojë se Maqedhonasit e vjetër si dhe Shqiptarët: Ilirinj dhe Epirotë, janë Pellazgët e vjetër dhe që s’janë Grekër edhe që gjuha e tyre nuk ësht gjësendi tjetër veç se Pellazgishtia; kur se si mbas kërkimeve archeologjike, studimeve gjuhësore dhe ethnografike më të vonëshme, merret vesh se Pellazgët kanë qënë vetëm në një pjesë të Maqedhonis që quhej Krestoni. Si ç’e shpjeguam dhe më parë, kombi Maqedhonas përbëhej prej shumë fisesh të ndryshme; por që parazotnonte pjesa Thrako-Iliriane. Kështu që si mbas mendimit t’onë argument’ i parë i auktorit me të cilin don të provojë se Maqedhonasit nuk’ kanë qënë Grekër, ësht i vërtetë edhe në këtë pikë jemi d’akord; por sa për pikën e dytë q’u takon Pellazgeve largohemi tepër.

Auktori në kaptinën e IV, theorin’ e Pellazgëve do t’a provojë me një krahasim të besimit vjetër Elenik, duke thënë se shum kuptime fetare të Elinëve janë kuptime Pellazgjike dhe që fjalët kanë rënjën e gjuhës Pellazgjike dhe këjo rënjë, me disa ndryshime, shpjegohet me fjalë shqipe të sotme. Mendimi kryesor i Pellazgëve që ka adoptuar auktori, vazhdon edhe në këtë fushë; mir po studimet e më vonëshme kanë hapur një horizont tjetër edhe në pikpamjen fetare; prandaj e shohim të nevojshme që të japim një mendim të përmbledhur edhe të kulluar mbi besimet e vjetra të Grekëvet duke treguar për sa ësht e mundur se këto besime ku e kanë burimin edhe ç’far lidhje kanë pasur në fillim me besimet e popujve të tjerë.

Si mbas përfundimeve të shkencës së re, Greqia e vjetër nuk fillon më, me grekërit. Që prej triddjet vjet e tëhu ësht konstatuar se përpara Grekërve, si ç’e thamë më sipër, ësht zbuluar një qytetrim m’i vjetër se ajy i Grekërve dhe me qënë se ky qytetrim kaq i vjetër ka pasur për fush veprimi brigjet e detit dhe rethujzat e Greqis u quajt qytetrimi Egjean, dhe me qënë se qendra e këti qytetrimi ka qënë në Gjirit, u quajt dhe qytetërimi Gjiritas. Për veç kësaj po ajy qytetrim i vjetër, me qënë se u zbulua edhe në qytetin që quhesh Miqenë, i cili ndodhet në Greqinë toksore, ka marë dhe emrin: «qytetrimi Gjirito-Miqenas». Ky qytetrim, si mbas të thënave të shkencëtarëve, fillon tre mijë vjet pas periudhës Neolithike edhe gjen fund, për në Gjirit 1400 vjet, edhe në tokën Greke 1200 vjet para Krishtit. Pas kësaj llogarie si filluan të vinë në Greqin’ e vjetër Ahainjtë, Dorinjtë, Jonët edhe Eolët të cilët duke u perzier me elemente para Elenike formuan kombin Grek; qytetrimi Egjean vazhdojti edhe 200 vjet të tjera. Me këtë mënyrë qytetrim’ i vjetër Grek, në kohë t’errëta lidhet me qytetrimin Egjean.

Nga këto shpjegime meret vesh se besimet e vjetëra të Greqis klasike dishka kanë marë nga besimet që përmbante qytetrimi Egjean. Besimet e Grekërve të vjetër, po të shoshiten dhe të krahasohen me besimet e popujve të vjetër, shihet se edhe popujt e vjetër t’Asis vogël si Lidasit, Karianët, Hititët, Finikasit dhe Egjyptasit kanë kontribuar në formimin e besimeve Greke.

Midis këtyre elementave shohim se besimet e Thrakasve kanë lojtur një rol miaft të rëndësieshmë në formimin e besimeve Greke. Thuqidhidhi thotë se Thrakasit janë dy pjesë: Njëra pjesë ësht Elenizuar dhe tjetëra ka mbetur barbar.

Këjo pjes’ e Elenizuar e Thrakasve duket çiltas në besimet e Elefsis dhe të Delfit. Duke u mbështetur mbi këto shpjegime shkencore, në vend që të pranojmë, si auktori, marëdhënje fetare Pelazgjike të njësuara me besime shqiptare të sotme, ësht më e arsyeshme që besimet e vjetëra shqiptare, pjesërisht, t’i kërkojmë në besimet e Thrakasve.

Me qënë se edhe kaptina «V» e veprës origjinale vazhdon të bëjë fjalë mbi besimet e shqiptarve në marëdhënje me besimet e vjetëra Greke, të marruna prej Pellazgëve, e shohim më t’arsyeshëm që të vazhdojmë në perkthimin e kësaj kaptine dhe pastaj të vimë në komentimet t’ona.

Pjesa e radhës
Kaptina V

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB