Ç’kemi thënë për Epirotët, besojmë se mund t’a themi edhe për Maqidhonasit e vjetër. Historikisht ësht e provuar se dhe ky popull, si Epirotët ka pasur gjuhën e vetë, të ndryshme nga gjith dialektet e gjuhës Gërqishte; Maqedhonasit kanë pasur një formë qeverie e cila largohej plotësisht prej asaj së Greqis, ka pasur ligjet e veta, zakonet, doket dhe organizaten ushtarake të saj e cila nuk’ kish as gjë të përbashkët me atë të Eladhës.
Për të provuar ç’ka themi, nuk kemi veç se të kshillojmë historinë. Pikë së pari ësht Plutarku i cili duke treguar vrasjen e Klitus-it ng’an e Aleksandrit të math q’ishte miku i tij thotë se: «Aleksandri, duke qënë i dehur me verë dhe me duf (inad), u hodh jashtë çadëres dhe thiri rojen dhe seizët e tij në gjuhen Maqidhonishte.»
Pra, siç e pohojnë gjith historianët, gjuha Maqidhone ishte e ndryshme nga gjith dialektet që fliteshin në Greqi; nga këjo del se, Aleksandri për t’u folur njerzve të tij nuk mund të përdorte gjuhën Greqishte, se pse Maqedhonasit nuk mund t’a kuptonin duke mos ditur ate gjuhë. Prandaj gjuha që dinin e flisnin ushtarët e Filipit e t’Aleksandrit, nuk mund t’ish tjetër gjë veç se gjuha e Pellazgeve të vjetër, po ajo gjuhë që flitej n’Epir, ajo që shqiponjës i thotë Shqipe dhe që flitet edhe sot ku do në Shqipri.
Në shumë shkrime të vjetëra thuhet se Eolët që kufizojnë me Epirë flitnin një gjuhë të përzier, gjysma Gërqisht, gjysma Pellazgisht të cilën Grekërit e cilësonin si barbare.
Ësht nga shkaku i pozitës topografis së tyre që flisnin këtë gjuhë të përzier, se pse, me nj’anë hasnin me Greqinë dhe m’anë tjetër me Epirin.
Këto hollësina të kallëzuara prej kaqë historianeve, shtojnë një provë se gjuha e Epirotëve ishte gjuh’ e Pellazgëve edhe q’ishte, siç u tha ma sipër, krejt e ndryshme nga dialektet e Greqis.
Gjuha Greke ishte e njohur vetëm prej shoqëris së naltë e cila studjohesh siç studjohet edhe sot në disa vende të Shqipris dhe ësht e mundëshme që n’oborin e Filipit e të Pirosit, Kurtizanët, gjeneralët edhe burat e Shtetit fjaloseshin edhe shkruanin Gerqisht, kultivonin shkronjat dhe letresinë Greke. Për veç kësaj, letrat Greke mësoheshin vetem n’Epir e në Maqidhoni, gjuha e Elineve ishte përhapur n’Asi, n’Afrikë ashtu dhe në Romë e n’Itali, se pse ajo ishte gjuha më e përparuar edhe më e aftë, n’ato kohë, për t’i vënë në mardhënje popujt e ndryshmë që kanë pasur në mes të tyre maredhënje tregëtare ose politike. Aso kohet Gërqishtia studjohej qysh studjohet sot frëngjishtia e cila ësht bërë një gjuhë e përbotëshme.
As njeri nuk mund të mohojë që Elinët të mos kenë arritur me përparimin e qytetërimit të tyre shkallën më të lartë të glorjes dhe që o me gjuhen e tyre q’ish bërë gjuha letrare e gjith botës, ose me artet, me tregëtinë dhe me industrin e tyre të mos kenë fituar vendin e parë në mes të popujve të vjetër, por nuk besojmë se gjith ata që flisnin Gërqishten të kenë qënë Grekër edhe të kenë qënë nga familia Elenike.
Ç’ka u tha më parë provon miaftësisht se Epirotët dhe Maqidhonasit ishin dy popuj origjina e të cilevet mund të rithte fare mirë ng’ay burim që kanë rjedhur edhe Eolët dhe Jonët; por që nga fillimi i dukjes së tyne në stere kishin mbetur larg Grekërve dhe kishin formuar një shoqëri të veçantë, një nacionalitet të dalluar dhe as pak i një llojëshëm me atë të Elinevet; ata kanë pasur një qënje të veçantë edhe kurrë s’kanë pasur çështje të përbashkëta as kanë simpathizuar, me mendimet dhe me prierimet politike të Greqis.
E vetmja gjë që kishin të përbashkët me Elinët mbase kanë qënë Perënditë Pagane. Por dhe këto Perëndi, për një pjesë të madhe janë sjellë prej pellazgve të vjetër dhe që Grekërit më në fund kanë qënë të shtërnguar të marin fen’ e tyre.
Ky fakt që provon miaftësisht historia forcohet dhe me emrat e atyre Perendive që kanë një kuptim të qartë dhe t’arsyeshmë në gjuhen shqipe siç do t’a provojmë.
Pashko Vasa