Kaptina I

Duke hypur në kohërat e vjetëra më të thella, gjejmë në për mes të prallave që popuj të ndryshmë, duke ardhur nga Asia, në shum raste, i janë afruar tokës Greke dhe se më i vjetëri dhe mbase më i shumti, midis këtyre popujve pushtuës, ishte ajy popull traditat dhe historia e të cilit na kanë lënë kujtime nen emrin Pellazg.

Pa qendruar në të thënat e prallës që përmend një pellazg të parë, të bir’ e dheut që nga shekulli XIX para Krishtit ishte vendosur n’Arkadie edhe q’u pasua prej një pellazgu të dytë që mbretëronte në Etolie dhe prej një Faetoni që mbretëronte mbi Mollosët, popull Epiri, në shekullin XVI para Krishtit gjejmë një Danaus Egjyptas i cili duke qënë i pranuar si bujtës «musafir» pranë Pellazgut ose Gjelanorit, me tradhëti vret këtë edhe i remben shkopin e Argosit.

Gjith ngjarjet që kanë ndodhur gjat kohës që né e quajmë prallore e gjer te shekulli (IX) para Krishtit, na provojnë se toka Greke ishte pushtuar pikë së pari prej pelazgëve edhe pastaj prej popujve të tjerë që vinin në përpjekje me ata që ndodheshin të vendosur me parë. Këjo duket t’ishte një vajtje e ardhje e popujvet q’i afroheshin kontinentit; lëftonin me njeri tjetërin edhe me qënë se nuk mund të përziheshin, ktheheshin pas ose dbonin ata që nuk mund të qëndronin. At-here, s’ka dyshim se Pellazgët të pas lindurit e Pellazgut që quhej i bir i dheut, ishin ata që kanë arritur më parë në Greqi dhe që ndaj atyre q’erdhne më vonë. kanë pasur karakterin e vendeve «autochthones».

Duke qënë të sulmuar prej popujve q’u çfaqnë pastaj nen emrat «Eolë», «Jonë», «Dorinj», edhe të tjerë, u shternguan të lënë buzët e detit dhe rafshinat për të kërkuar një struk «Asile» në brëndësin e vendit nder vise të repta.

Pellazgu i dytë që ka mbretruar në «Eolie» edhe Faetoni mbi Mollosët, popull’ i Epirit, nuk mund të ishin pa dyshim veç se kryetarët e këtyre Pellazgëve të cilët i shtërnguan sulmimet e Eolevet, e Jonevet dhe t’Elineve të lënë Argonë dhe vendet e tjera që kishin pushtuar që në fillim të çfaqjes tyre në tokë. Një provë që mund të tregohet në mbështetjen e këti gjykimi, ësht fakt’ i Danausit që ka ardhur në Argo në shekullin XVI dhe pas si vrau Gjelanorin, q’e kish pritur si mik bujtës, i grabiti Shtetin dhe shterngoj nenshtetasit e tij të çkulen e të shtetgtojnë grumbullisht në drejtim të maleve.

Në shekullin e IX kur kohrat prallore filluan t’i lënë vend historis, gjejmë një Karanus q’ishte ngritur prej Argose dhe kish vajtur të vendosej në «Emathie» dhe vuri themelet e mbretëris Maqedonas. Karani ishte nga të paslindurit e Pellazgëve origjina e të cileve humbet në pralla. Duke mos mundur që të qëndrojë n’Argos, e okupuar, siç thamë më sipër, pikë së pari prej Danausit edhe pastaj mbase prej të tjerave, shkoj të kërkonte një struk në brëndësin’ e vendit edhe u ngul n’Emathie.

Ësht provuar se para kësaj kohe emri i Maqedhonis nuk ekzistonte. Pra si mbas thënjes të të gjith historijanëve të vjetër, Emathia ishte emer’ i parë i Maqedhonis dhe ësht këjo Emathi që duhet të konsiderohet si berthama dhe si djep’ i asaj Mbretërie e cila ma vonë u bë kaq e fuqishme dhe kaq në zë.

Pra në origjinën, Emathia nuk mund t’ishte tjetër veç se aji vend që ndodhet në malet e Shqipris, ndermjet Dibrës, Krujës dhe Mirditës që sot akoma quhet Mat dhe Matia. Ky emër Matia ju dha atij qarku malësor nga emri i lumit që e përshkon dhe që nen emërimin Matia bije në detin Adriatik midis Durrsit dhe Shkodrës. Afër Matjes gjëndet një vend i mbushur me rrënime të vjetëra dhe duken të mbeturat e një kulës rumbullake e cila përgjithësisht ësht e njohur nen emrin «Pel-la».

Ç’vështirësi do të kishte në qoftë se pranojmë që Matia dhe Emathi të jetë po aji vend dhe që «Pel-la» ka qënë Kryeqytet i tij? E dimë se popujt e vjetër kur shtërngoheshin të linin vendin e parë të tyne për të kërkuar një tjatër, kishin zakon t’u jepnin vendeve të ra emrat e vjetëra dhe kur ngrihnin qytete të ra zakonisht u jepnin emrat e qyteteve që linin.

Gjith ashtu dimë se Karani, shokët dhe të paslindurit e tij nuk u kufizuan vetëm me okupimin e Emathisë: por dal nga dal zgjeruan zotrimin e tyre si me prudencë ashtu dhe me trimërin e tyre duke u treguar t’urtë në fitimet dhe duke i përdorur si vëllezër popujt që kishin pushtuar. Ahere nuk largohet provushmënia e një fakti që ësht përsëritur një mijë herë, d. m. th. se emertimi Emathi do të ketë përfunduar duke u zgjeruar mbi gjith zonën e pushtimit të tyre dhe që «Pel-la» të cilën gjeografët e tregojnë afër Selanikut nuk ësht tjetër gjë veç se një qytet i ngrehur ma vonë prej mbretërve maqedhonas dhe të thirur me emrin «Pel-lë» e cila u bë djep i parë i pushtetit të tyre. Emri Maqedhoni ju dha ma vonë vendit të cilin Aleksandri i Math e bëri të famëshme me gjenin e tij ushtarake.

Nuk pretendojmë të çfaqim një mejtim si një sentencë pa apel, na tregojmë faktet, bëjmë afrime dhe regjistrojmë vërejtjet që na shpirtëson bashkëqëllesa e emrit, e dokeve, e zakoneve edhe e karakterit të popullësive të tashme të qarkut të Matit të cilat janë një me emrin, me vetijat edhe me zakonet e maqihdonasve të vjetër. Ja lemë shkencës kujdesin që të shkoqitij të vërtetën dhe të nxjerë përfundimet që përmban rasti.

Në shekullin e VII para Krishtit, gjejmë Filipin I, Mbretin e Maqidhonis, provushmënisht një të paslindur direkt i Karanit edhe një «Eropus» që pason atë. Në fund të këtij shekulli hasim një «Alkon» Mbret’ i Epirit dhe në fillim të shekullit VI Aleksandrin të bir e Amintes, Mbret i Maqedhonis i cili vret ambasadorët e Persianeve për shkak se kishin dashur të turpëronin gratë.

Në shekullin e V, shekull’ i Perikliut, n’at shekull ku gloria e grekëve shkëlqeu me shkëlqimin ma të math, shofim një Perdika, Mbretin e Maqedhonis që ka bërë luft me Sitalcin, Mbret i Thraqjes.

Në këtë kohe, Maqedhonia ish një mbretëri mjaft e gjërë dhe mjaft e fuqishme.

Në kohen e pushtimit të Persianeve që ka ngjarë në këtë shekull, shohim popullin Elin të bashkohet në një mejtim kombtar fisnik dhe të kujdesohet për mbrojtjen e të drejtave, të nderit edhe të independencës së tij; por nuk shohim as Maqedhonasit as Epirotët që të marin pjesë me grekërit kundra ushtërive të Xerxesit (Kserksesit). Herodoti thotë se vetëm ata që rinin për këtej Thesprotëve, duke qenë të afër me kufit greke, dhanë përkrahjen e tyre; edhe nga këjo del se popullësit e Epirit jo vetëm që nuk bënin pjesë me Greqinë; por që nuk ishin as beslidhurit e tyre. Përkundrazi shumë Thrakas, Maqidhonas, Epirotë dhe Gale, vinin pas ushtëris Persiane si ndihmës dhe lëftonin kundra Greqis e cila u mbulue me glorie të pa vdekshme duke prishur ushtërinë më të madhe që regjistron historia në faqet e saj me fuqi të kufizuara.

Në shekullin IV u ndodh Perdika i tretë. Mbret’ i Maqidonis, që ra i vdekur në luftën që bëri me Ilirianët. Dhe Filipi, i ati i Aleksandrit të madh, që rahu Athinasit, shtroj Foqidhasit dhe që duke u pranuar në mbledhjen e Anfiksionit, hedh syt’ e tij mbi Greqin dhe së andejmi pregatit të birët për fushën e fitimeve të mbëdha që do ta bënin të pavdekur.

Grekërit që nuk pushonin t’i quanin si barbarë gjith popujt që ndodheshin jashta kufive të republikave të tyre dhe q’i thrisnin barbarë ata që flisnin dy gjuhë, Greqishten dhe Pelazgjishten, ata që ndodheshin më afër tyre, dhe që me maredhanje të vazhduara kishin mundur të mësonin greqishten, me një mend nuk mund të pranonin Filipnë në mbledhjen e Anfiksionevet se pse nuk ishin të shtytur prej një ndjenje vëllazërije as prej një kombësije të përbashkët.

Filipi i kishte rahur dhe ju kërcënohej që t’i vinte nën zgjedhë plotësisht. Gjith ashtu n’ësht se njëri pranonte të hynte në mbledhjen e përgjithme Anfiksionike, këtë e bënte vetëm me një qëllim të politikës së naltë, për të rafshuar rrugën për ralizimin e projekteve të tij ambicioze, kurse të tjerët duke i hapur aty portat e mbledhjes, nuk bënë gjë sendi tjetër veç se ju shtruan nevojës; u shtrënguan me sjelljen e tij armiqësorë të duken paqtuës; Filipit nuk i dhanë veç se atë që mund të merte. Ësht e mundëshme që Filipi i trajtuar gjer at-here si barbar t’a ndiente vehten e tij të lavderuar me kët akt’ i cili atij i jepte një vënd në gjirin e qytetërimit.

Shënime mbi këtë kaptinë

Libri qi jemi duke përkthyer, nga pikpamja kombtare, ka një rëndësi krejt të posaçme për shkak se ësht libr’ i parë, redaktuar dhe botuar në Frëngjishte prej një shqiptari patriot dhe nasionalist si Vassa-Pasha. në një kohë kur bota Evropjane edhe sidomos bota politike edhe dipllomatike nuk’ ka pasur një ide mbi origjinën dhe historinë ashtu dhe mbi çështjen e nasionalizmës shqiptare që po çfaqej për herën e parë në Kançelarit e dipllomasis edhe në shtypin e Evropës.

Vepra, me një fjalë, ësht shtypur në Paris me 1879, në një gjuhë frëngjishte të bukur të cilën e shpirtëson dhe e ndriçon nxehtësia e ndjenjave patriotike të auktorit. Që ng’ajo kohe e gjer tashti, për sa i përket origjinës shqiptare, prej shkrimtareve të ndryshmë janë bërë studime dhe kërkime, jo vetëm me rastin e ethnollogjis shqiptare; por edhe reth ethnollogjis së kombeve fqinj me shqiptarët.

Çështja e Pelazgeve, në kohërat e fundit, midis shkëncëtarëve dhe historishkronjësve, ësht rahur shumë dhe si përfundim i këtij studimi ësht marë vësh se nën Emërin Pellazg Grekërit e vjetër kanë kuptuar në mënyrë të përgjithëshme gjith ato raca që janë ndodhur më parë në tokën klasike Greke. Disa shënime që shënohen në veprat e Grekërve të vjetër mbi Pellazgët nuk japin një mejtim të qartë se ç’ka ishin Pellazgët. Kërkimet arheollogjike në Gjirit edhe në Greqi ashtu dhe në tragat e zbuluar prej këtyre kërkimeve, tregojnë në mënyrë kategorike, që në një kohë kur fiset e ndryshme që kanë formuar popullin Elin, para se të vinë e të vëndosen në tokën Greke, atje ndodheshin fise të tjerë, qytetënime të tjera, q’akoma nuk dihet origjina e tyre. Për këtë shkak shkencëtarët e sotmë, për sa i përket fiseve para Elenike, kanë rënë d’akor mbi disa pika të cilat janë këto:

1. — Që populli që ka krijuar qytetërimin para Elenik i cili është zbuluar në kërkimet arheologjike të Gjiritit dhe si do mos të qytetit vjetër që quhej «Gnosas» dhe të qytetit Miqenës në Greqinë kontinentale, provojnë se populli në fjalë ka qënë prej një race të cilën dijetarët e sotmë e kanë emruar raca e Egjëut ose raca Mediterane edhe këjo racë nga shtati ka qënë e shkurtër, nga ngjyra si ulliri edhe nga kryet në formë oval.

2. — Se populli Elin ësht formuar prej katër fisesh:

a) — Jonët
b) — Eolët
c) — Ahainjtë
ç) — Dorinjtë.

Ahainjtë dhe Dorinjtë kanë qënë fis me Ilirjanët dhe kanë ardhur nga an’ e Veriut të Greqis edhe të sirethujezës Ballkanike, si do-mos Dorinjtë në kohëra shumë të vjetra para Krishtit, janë çkulur nga malet e Toskëris dhe kanë vajtur në Greqin e vjetër, kurse Ahainjtë, shum shekuj para këtyne, kanë ardhur ng’ an’ e Veriut edhe janë vendosur atje.

Jonët nuk dihet mirë se nga kanë ardhur. Sa për Eolët thuhet se janë një deg’ e Ahainjve, të cilët kanë ardhur 1000 vjetë para këtyre në Ballkan. Me kalimin e kohës këta katër fise janë përzierë dhe së bashku kanë krijuar popullin Elin. Këto fise kur kanë vajtur në Greqi, kanë gjetur një qytetrim më të vjetër i cili karakterizohet nen emrin qytetrimi i Minosë. S’ka dyshim se në Greqin e vjetër kur kanë vajtur e janë vendosur të katër fiset të cilët formuan popullin Elin, atje ndodheshin elemente vëndas që me shumë provushmëni konsiderohet se kanë qënë prej racash të ndryshme para-Elenike. Grekërit e vjetër kanë shkuar një kohë mjaft të gjatë n’errësirë dhe pastaj kanë filluar të qytetërohen. Shkrimtarët grekë me ethnografi dhe me lengjistikë nuk janë marë aspak, prandaj kur bëjnë fjalë për elemente para-Elenike i përmëndin me emrin Pellazgë. Dijenitë që japin shkrimtarët grekë mbi Pellazgët janë shum të kufizuara dhe t’errta; prandaj theoria që zhvillon në këtë broshurë Vassa Pasha ka qënë theori e vjetër e Haanit e Emil Benleuvit, dhe e profesor De Rades të cilën e ka pranuar edhe Sami Bej Frashëri; por që diturija e sotme e refuzon kategorikisht dhe ksilloj, mbi ardhjen e grekëve në Greqi ikja e Pellazgëve dhe vendosja e tyre në Shqipni nuk ësht aspak e drejtë. Jo vetëm shqiptarët, por as edhe grekët nuk kanë ardhur nga Juga, përkundrazi kanë ardhur nga veriu si gjithë popujt e tjerë Hindo-evropjanë, bije fjala, si Gjermanët, Seltët, Latinët dhe Sllavët.

Gjith’ ashtu edhe shqiptarët nuk janë gjë tjetër veçse stërnipërit e Ilirjanëve të përzierë me Thrakas, me tjetër fjalë jemi një popull Thrako-Ilirian. Analiza e gjuhës shqipe provon këtë të vërtetë; Shkrimtarët grekë e Latinë kur bëjnë fjalë për shqiptarët, i përmendin me emrin Ilirian të cilët grekërit i quanin barbarë. Dhe këta Thrako-Ilirianë simbas fiseve kanë pasur emra të veçanta, bije fjala: Çamëria, në kohërat e vjetra quhej Thesprotie; Labëria, Kaoni; Muzeqea, Tavllantie, qarku i Korçës, Desaretie; Shqipnia e Mesme. Partheni e të tjera.

Analiza e emrave që kanë mbetur nga gjuha Thrakishte dhe krahasimi i saj me gjuhën shqipe, tregon se një pjes’ e madhe e gjuhës s’onë, përbëhet prej Thrakishtes dhe pjesa tjetër prej gjuhës Iliriane. Si Thrakasit ashtu edhe Ilirianët kanë ardhur nga ana e veriut, nga Evropa qendrore; Thrakasit, janë përhapur në gjithë kontinentin e sirethujzës ballkanike, janë hedhur dhe përtej Dardanelit në truallin e vjetër «Trova» nen emrin «Frikas». Kurse Ilirianët janë shkëputur nga Evropa qendrore, nga Alpet e Austris e të Çekosllovakis, të shtytur prej popujsh të tjerë dhe janë derdhur më të dy anët e Adriatikut, nga ana e Ballkanit gjer në golfin Ambrasik dhe nga ana e Italis gjer në Mesapi. Gjithë pjesa e Venecjës së vjetër ishte e banuar prej Venetëve që ishin fis Ilirian, ashtu edhe Lapikërit dhe Mesapërit e Kalabris nuk ishin gjë sendi tjetër veçse Labërit dhe Mesapët e përtejmë.

Mesapliku i Vlorës, po t’i heqim prapashtimin «llëk» q’ësht turqisht, mbetet fjala Mesapi dhe fjalës latine «lapik» po t’i heqim prapashtimin latin «ik» mbetet fjala Lab. Nga kjo meret vesh se dy fiset Ilirianë «Lab» e «Mesap» kanë okupuar dy brigjet e Adriatikut tej e përkëtej.

Sa për muret të ndërtuar me gurë të mëdhenj pa këlqere që kanë marë emrin «Muret e Qiklopëve» ose «Muret Pellazgjike», më të shumtit ndodhen në brigjet e detit të Greqis, të rethujzave t’Egjeut dhe në Butrinto e në Feniqe (rreth i Delvinës), janë ca mure para-Elenike dhe disa dijetarë thonë se midis popujve paraElenik që kanë ardhur në rethujzat e Egjeut e në Greqi, janë çkulur prej Kolshidës të Kafkasjes ku toka ësht e përzierë me gurë të mëdhenj. Ky fis, duke vazhduar brigjet e detit, ësht përhapur gjer në Greqi dhe në brigjet e detit të Shqipnis Jugore ku kanë ngrehur kështjella dhe mure të thatë pa këlqere me gurë të mëdhenj si në Kolshide, në vendin e origjinës ku ishin mësuar, të shtytur nga natyra e vëndit, të ngrihnin mure me gurë të mëdhej.

Me këto shpjegime, nuk duam të shvleftësojmë veprën mjeshtërore dhe patriotike të Vassa Pashës; por dëshërojmë të shtyjmë intelektualët shqiptarë që të gjyrmojnë shkencën historike dhe ethnologjike të shekullit XX ku jetojmë.

Origjina Thrako-Iliriane e Shqiptarëve ësht pretenduar prej autorëvet gjermanë: Gustav Mayer, Kërçmer, Dr. Paç dhe Juklë. Autorët e tjerë më të rinj pretendojnë se jemi Balto-Sllavë dhe këtë pretendim duan t’a mbështetin në disa krahasime gjuhësore ndërmjet shqipes së tanishme dhe fjalëve Iliriane të mbetura e të mbledhura nga veprat e ndryshme t’auktorëve të vjetër greko-latin; kur se ky krahasim nuk ësht i drejtë për shkaqet që vijojnë:

1) Pikë së pari gjuha shqipe nuk ësht gjuhë fjesht Iliriane, por themeli ësht thrako-iliriane e përzierë me lëndë gjuhësore të kombeve që ndodheshin në këto vënde para se të vinë Ilirianët dhe Thrakasit;

2) Kësaj gjuhe i janë shtuar edhe fjalë të tjera të mara nga gjuhët e huaja me të cilat kombi shqiptar, historikisht dhe gjeografikisht ka qënë në kontakt. Këto gjuhë janë: latinishtja letrare dhe vullgare, fjalë gotike, Greqishte, Slavishte, Turqishte, me këto bashkë, fjalë Persisht dhe Arabisht, ashtu edhe në kohërat e mesme fjalë italisht në dialekt venecjan;

3) Çdo gjuhë shekull pas shekulli zhvillohet dhe ndryshohet. Çdo gjuhë po të krahasohet me atë gjuhë që flitej e shkruhej dy-tre shekuj më parë, gjithmonë konstatohet një ndryshim midis dy periodave;

4) Fjalët iliriane që kanë formuar bazën e krahasimit me gjuhën e sotme, kanë qënë të transkriptuara o me shkronja latinishte ose greqishte dhe me qënë se këto dy alfabete — latin dhe grec — janë shum të meta, ndaj alfabetit shqip, baza e krahasimit ësht shum e metë.

Për këto arsye, pretendimi i shkrimtarëve se nuk jemi Thrako-Ilirianë ësht e gabuar, sidomos ardhja e Sllavëve në Shqipni dihet fare mirë; dhe gjuha e jonë me slavishten ësht shum larg. Kombet baltikë, si Lituanët nuk kanë ardhur në Shqipni.

Sa për Pellazgët, siç thamë edhe më parë, këta janë një racë Egjeane dhe që kanë lënë shënja të pakta vetëm në Toskërin e jugut dhe në brigjet e detit, posht Vjosës. Nga Vjosa e lartë nuk janë parë shenja asgjëkundi.

Përshkrimet e Vassa Pashës që i përkasin Maqedhonis, kanë nevojë për një koment, simbas kërkimeve të dijetarëve në kohërat e mbrame. Origjina e kombit Maqedhon ësht një nga problemet që ka formuar objekt studimi dhe kontestimi.

Simbas gjeografëve dhe historianëve Grekë, Latinë dhe Bizantinë dhe, simbas krahasimit dhe kritikës së këtyre shkrimeve, me zbulimet arheollogjike dhe me shkencën lengjistike, për popullin maqedhonas dhe për Maqedhonin e vjetër rezultojnë të vërttat e poshtëshënuara:

1) Që maqedhonasit e vjetër nuk kanë qënë grekër;

2) Që grekërit e vjetër, maqedhonishten nuk e mernin vesh aspak, sepse ishte krejt një gjuhë tjetër.

3) Se zakonet e maqedhonasve si dhe sistemi shoqënor dhe politik me të cilin sundoheshin, ishte krejt i ndryshmë nga sistemi i grekërve: maqedhonasit ishin bujq, kur se grekërit ishin tregëtarë, detarë dhe kolonizatorë.

Maqedhonasit kanë pasur sistemin feodal dhe pastaj monarshik që bashkonte gjithë popullin maqedhonas, kur se grekërit sundoheshin me qytete republikane, indipendent nga njëri tjetri.

4) Grekërit e vjetër, në brigjet e detit të Maqedhonis së vjetër, kanë pasur ngrehur kollonira greke të shpërndara aty këtu, si në gjithë brigjet e Mediterranes. Emrat gjeografike të këtyre kollonive ndryshojnë krejtësisht prej emrave gjeografike të Maqedhonis së vjetër.

Tash të vimë në shpjegimin e fjaleve: Emathi edhe Maqedhoni, ashtu dhe në origjinën e derës Mbretënore të Filipit e të Aleksandrit të math.

Gjeografët e vjetër quanin Emathia një krahinë të Maqedhonis e cila ndodhej ng’an’ e perendimit të lumit që sot quhet Bistrice ose Inxhe Karasu edhe si mbas emrit të vjetër «Haljakmon», e kufizuar ng’an’ e perëndimit me malet e Vodenës dhe me liqenin e Ostrovës. Emri Maqedhon, si mbas shkrimtarve të vjetër, ish emri i një populli i cili më parë banonte në malet e Pindit e të Gramosit e që më pastaj kish zbritur në fushat e Maqedhonis. Ësht e tepër ta themi se Kuco-Vllehtë që ndodhen sot në Pind e në Gramos at-here nuk’ kishin ardhur akoma n’ato vise.

Nga studimet e sipërpërmendura meret vesh se në Maqedhonin e vjetër ka pasur fise të ndryshme. N’anën e perëndimit kanë qenë Ilirjanët, ng’an’ e veriut, qenë Peonët dhe nga Shkupi e lart Dardhanët. Për këto dy fise shkrimtarët e vjetër nuk janë d’akor, disa thonë për Peonët se kanë qenë Pellazgë, disa të tjerë thonë se dhe këta kanë qënë Ilirianë; sa për Dardhanët, kur i ka pushtuar Roma i ka gjetur Ilirianë; por shkrimtarët e vjetër thonë se Ilirjanët kanë vatur si pushtonjës edhe q’i kanë Ilirjanizuar vëndësit e vjetër; në një vënd të Maqedhonis që quhej Krestonie banonin Pellazgët. Në rjedhinën Maqidhone të vargut të maleve që quhen sot Rodop, banonin Agrianët. Pomakët e tashmë që ndodhen aktualisht në malet e Rodopit, akoma quhen Ahrian. Në mes të Maqidhonis; por ng’an’ e lindjes të Vardarit, banonin Migdonët. Maqedhonia lindore banohej prej Thrakasve edhe qyteti Stagjir ku ka lindur filozof’ i math i kohrave të vjetëra Aristoteli, ka qënë një qytet Thrakas edhe kështu gjuha amtare e Aristotelit nuk’ ka qënë Greqishtja; Këjo gjuhë, ka qenë gjuha kulturore e tij të cilën e kishte mësuar në Greqi.

Nga këjo meret vesh se Maqedhonia ka qënë e banuar prej fiseve të ndryshmë ku fliteshin shum dialekte. Sa për derën Mbretënore të Filipit dhe t’Aleksandrit të math historianët grekë tregojnë dy burime. si mbas të thënave të këtyre një i quajtur Karanus ësht ngritur ng’Argoja dhe ka vajtur në Maqidhoni; mir po me emrin «Argo» ka pasur edhe një qytet në Toskëri, për veç kësaj emri «Karan» nuk’ ka fonetikun e një emertimi Grek, për kundrazi fjalët që fillojnë me (k. r. n), figurojnë më tepër në gjuhët Thrako-Ilirian. Si mbas një legjende tjetër e përmëndur në historin’ e vjetër maqidhone, stërgjysh i Filipit me dy vëllezërit e tij kanë qënë në sherbim të një prenci Ilirian i cili kur i liroi u fali një dhi dhe i porositi që të vendoseni ku të qëndrojë dhja. Ajo qendrojti afër Vodenës dhe prandaj të tre vëllazërit zunë vënd atje dhe këtij vëndi i thonë fush’ e dhisë; me shkronja gërqishte kryeqytet i parë i Maqidhonis ësht shkruar «Edhise».

Tue u mbështet mbi këto arsye ka shumë propabilitet që dinastia e Mbretëris Maqidhone t’a ketë rënjën o në Gegëri ose në Toskëri. Dhe nuk dihet mirë se cili dialekt ka parazotnuar mbi djalektet e tjera, si gjuhë zyrtare në Maqidhoni. N’ësht se ka parazotruar gjuha e derës Mbretnore, këjo ngjan të jetë një dialekt Ilirian. Me gjith kët kur në kohen e Filipit V-të, qeveria Maqidhone dërgoj në Shkodrë një delegasion për t’u marë vesh me qeverinë Ilirjane të Shkodrës. midis Maqidhonasve dhe Shkodraneve, përdorim i dy dialekteve nuk ka qënë e miaftuëshme për një marëveshje dhe prandaj kanë përdorur përkthyes nga një dialekt të tjetëri. Si do që të jetë gjuha e përdorur në Maqidhoni prej popullit nuk’ ka qënë gërqishtia; por një gjuhë Thrako-Iliriane e veçantë që ka pasur një afrim të ngushtë me dialektet që përdoreshin at-here në Shqipri.

Ësht e vërtetë se me emrin «Pel-lë» ose «Pel-lion» në Shqipri ka pasur qytete të cilat i përmënd historia: por që në një mënyrë të saktë pikërisht nuk dihet se ku kanë qënë. Midis luginës së Drinit dhe të Matjes, në një rafshinë ku ndahen ujërat dhe më tepër afër Lurjes, ndodhet një vend me rënime të vjetëra ku i thonë bjeshka e Pelës; por nuk mund të themi me një saktësi historike se Pel-la që ka qënë një Kryeqytet i dytë i Maqidhonis, afër Jenixhes së Vardarit, e ka marë emrin prej Pelës që ndodhet në bjeshkat e Lurjes.

Pjesa e radhës
Kaptina II

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB