O grue, që te ndesha në dit’n e fatkobit tem,
kur prirja njellte e syt’ shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesí
si ti.
O grue, q’u ndeshme në dit’n e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball’ për ball’
e ndjesitë n’u shprehen me mall
më një vall’:
sa hall…
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zemrën tonë,
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për tê
e shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue – pse
panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja naten, vonë,
o grue, q’u ndeshme në dit’n e fatkobit tonë.