Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fiken,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën –
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.