Nga zjarrmi i votrës u shkëput një shkendi
dhe nëpër oxhak, u versul në liri,
nëpër mes t’errsinës
muer udhën e qiellës
dhe në mes hyjve të natës
zu vendin e Hanës.
Ndrit shkëndi e gjallë në qiell plot me hyjë,
ndrit shpirti i ri, lidhë me t’arta nyje
nyjet e dashnis,
dashni e fëminis
për të mjeruemët në botë
që vuejnë, derdhin lotë.
Sa bukur shkëndija xhixhillon n’errsinë,
vallzon bashkë me hyjë dhe andrron lumninë…
e poshtë votra fiket,
pranë saj zemra liget,
zemra e një plaku,
i cili del te praku
dh’e ngreh shkopin ne hyjë shkëndin për me gjetë,
rebelin, qe votrën e shtëpise e la të shkretë…
O ti femi i ri!
E zjarrta shkëndi!
Pse votrën e le?
Më thuaj, pse? Pse?
E shkëndija, hyjet, të tanë qiella arbnore
ne nett e argjenta, të reja – posi hark kunore
zbret mbi shtëpia tona…
e na gzohna, gzohna…
dhe puthim agimin…
qashtu rrfejmë gëzimin.