Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’n
edhe aq ma tepër e ngatrruem ny’n…
shpirtënt tonë skyftera deshen të bahen pëllumba.
(Rrini, mor skyftera! Pse të baheni pëllumba?
Mizat e parajsit në jeten mbrapa vorrit
kanë me iu mërzitun – dhe mandej prej zorit
do të pelcisni… Prandej: pse të baheni pëllumba).
Fat’ i ynë mizor – shpatë e Damokleut.
Si vall? Të gjitha përpjekjet na deshtuen në terr?
E jeta na bahet ma zi se skëterrë.
Të vertetat, as rrenat, s’i ndihmuen Dheut.
Të vërtetat dhe rrenat? – Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
Por mos mendo se me ta do t’ja ndreqish rrotën…
Jo se i pelqen jeta çale me shkuem.
Me çalue n’anë të djathtë, me çalue n’anë të majtë…
Si paljaço i gjorë që kah t’ja majë s’di,
mbassi kambën e theu n’akrobaci –
jet’ e tij asht helm pa asnjë pikë mjaltë.