A ndër kujtime të shkimuna asht motiv’ i një vjershe?
ndër kujtime të bardha të fëminis virgjine,
kur zemërplotë me mbarë botën defreheshe
në deshirë, shpresa e t’ambla andrrime?
A ndër kujtime t’afërme të djaleris vullnuese
asht motiv’ i zjarrtë i një vjershe dashunie,
me rimë tingllueme e shprehje flakruese
plot lumni jetese dhe gëzim brohorie?
Ndër ftyra të zbeta të grave të mjerueme,
që enden dhe nëpër pragje, tu’ u shitun lypin,
ndër ftyra u shkarravitet një vjersh’ e përmallueme
me vaj, me ankime që der në qiell hypin;
nëpër skaje t’errta, ku shungllon zgërdhia
me neveri, në të cilën tregohet i marri,
të cilin ndjek e shoqja, i biri dhe e bija
— në revolt aty krijohet moto-përmendari,
nëpër skaje të mshefta ku droja ka mrizin
e qetsia shtrohet tue përpimun jetën -
aty bashkë me tradhti motivi ze fillin
e pena e poetit me të zhvillon vjershen.
Gjatë jetesës së njeriut motivet të gjitha ngjyrash
shkojnë e vijnë pa pramun. Po erdh motiv’ i mbramë,
i tmerrte në fantazi tonë - atbotë një të zbem ftyrash,
nje hij’ e keqe - dhe kumona dam - daaam.