Fragment

Nga mshira e pamshirve
lypsi i vogël gjallonte.
Jetën e rrokullonte
nëpër udha të ndyta
nëpër skajë t’errta,
nëpër pragje të ngurta,
ndër besime të rrejta.
Por një ditë, kur mshira e diellit shteri,
ne gjoks ndjeu si e theri
një dhimbë e re - që mnia
e përfton ndër flia
të skamit.
Dhe - dje lyps i vogël,
por sot diçka tjetër -
si ahmarrës i vjetër,
një fjalë të randë mendonte
botës t’ia diktonte…
Fytin e gërrdhishte
fjalën për me nxjerrun
që mnia e kish ndezun
e që në gjuhë vdiste…
Por i hutuem, mbet nejun
në kryqzimin e udhve.
Rrotat e autve
shpejt mbi te kaluen
dhe e… qetesuen

Pjesa e radhës
Shpirt' i ri