Kangë në vete

Veri frynë pa mëshirë, si veri që frynë,
dhe si hajn në shtëpijat e kojshive hynë-
edhe për çudi
këta kojshit e mi
sa mirë e presin… megjithse nuk asht ditë vere
ato në gjuhë të huej i thonë: mirë se erdhe!

Veri frynë dhe me acarim u premton pallate të kristalta
kojshive të mi që ua kande shumë andrrat e thata-
dhe u thotë kështu:
stërgjyshnit e ju’
qenë fatosa të vërtetë dhe u bane flija
për fe dhe atdhe dhe i merituen këto premtimet e mija.

Dhe kojshitë e mi që i kam farefis,
nipat e stërgjyshnavet meleza dhe të letë;
nipa donë me mbetë,
nipa të vërtetë
me atdhe e fe ndër andrat e thata
që t’i meritojnë premtimet e kristalta.

Veri frynë pa mshirë, si veri që frynë;
unë ja mbylla deren teme me reze mos të hyjnë
me ma fikë kët drit,
me ma ngri kët shpirt,
me ma dridhë për ndjesije tjetër,
me ma joshë me andërr të vjetër.