Zeneli asht si ajo tokë e mirë, e plleshme, ku fara dosido e hjedhun, zen, rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej.
I tham:
— Zenel, thueje ti atë që s’diti shoku…
Çohet me syt e tij të gështenjtë të përqëndruem mendueshëm ndër syt e mi. Dhambët e bardhë, ftyra e zeshkët, balli i rregullt, kryet e zgjatun përmbrapa. Flet. Përgjigjet me besim te madh në vetvete. E at besim e fitoi me shum prova, mbasi githmon kur s’dijnë tjerët, atij i takon me folë. Dhe flet me ball pak të rrudhun në mes të syve.
Nganjëherë, ashtu tue folë, e tradhton Zenelin fantazia fëminore, i hyp kalit imagjinar me flatra dhe fluturon nga reja në re, por, me të vumun re buzëqeshjen teme, kujtohet se asht tue gabue, ndalet, disi ndjehet ngushtë, ulet pa i thanë unë me ndejë, dhe mbulon ftyrën me duer nga turpi. Atëherë qeshem unë, qeshen shokët e tij dhe sjellin kryet herë nga unë, herë nga Zeneli.
Ndonjëherë, rallë, i mbushet mendja Zenelit dhe thotë: “s’dij, zotni”. Atëherë mësimi nuk shkon si duhet. Nuk don me ditë për të.
Nganjëherë, gjithashtu rallë, i futet Zenelit gëzimi fëminuer mu në zemër, asgjasend e ban të qeshi, dridhet nga gazi, s’rri urtë dhe trazon shokët. Dhe nuk ndihmojnë as qortimet, as interesi i mësimit. Mue atëherë më bahet se dhe më tall dhe më qorton Zeneli në këte mënyre: Mjaft ma, zoti mësues, mjaft, mjaft na mësuet si duhet me jetue, ç’ka asht mirë e bukur mjaft na mësuet, megjithatë, na po rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tonë, po n’ato gëzime e po n’ato mjerime, të lanum e të tretun ndër këto bjeshkë. Qe, na shiko njëherë, njenit nëpër këmishe të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t’i bijë të fiket nga uria, një tjetër prap mezi përmbahet mos t’i bajnë dhambët brrr nga ethet… Keshtu më dukej se me qortonte me tallje ftyra inteligente e Zenelit, ndërsa qeshej. Pra, na len pak të qeshemi, më dukej se thoshte, të gëzohemi derisa jem në shkollë. Rroftë shkolla! Rroftë arsimi! — sa herë kemi këndue, e në shtëpi s’ka gaz, s’ka të qeshun… rroftë shkolla! Rroftë arsimi! që na mëson këndim e shrim, të cilët me të vërtetë nuk kane me na hymë shumë në pune në jeten tone, por mjaft që kemi me marrë një hu… jo gja tjetër por, për të shkrue në qielle: Rroftë shkolla! Rroftë arsimi!
I la femitë t’argtohen dhe sillem nga dritorja. Vërej. M’at bjeshkë të naltë perball asht një pyll i madh, të cilit s’i dihet kufini e ku shkuem një herë në shëti; asht një visar, që s’bahet. Vërej shpatet e kodrave, të brigjeve, vërej ndoj anë të vetmueme në largësi, drujët, dhen e kug dhe gjelbërimin e verdhë; ma afër vërej kasollet e rrasuna për dhe e që perbahen vetëm nga mbuloja e kashtës… Tretem në kontemplacion të mërzitshëm e buzët e mia makinalisht levizen, flasin me vetvete. Shpejt kujtohem se më shikojne femitë, sillem e Zeneli:
— Zotni, a po bajmë mësim?
Orë gjeografie. Marr globin në dorë. U flas.
— Po Shqipnia ku asht? - pyesin dy-tre veta e tjerët i ngrehin qafat qe të shofin ma mirë.
Kur ua dëftoj shejin: një pikë e kuqe në mes të ngjyrave tjera, ndëgjohen zane të pakënaqun, disi të shqetsuem:
— Sa e vogël!..
— E vocërr e vocërr, mezi shifet…
— Po si, zotni, kaq e vogël Shqipnia? - çohet njeri tue kundërshtue me dorë.
Të githë flasin njeni me tjetrin të shqetsuem, thue se tashti, në kët çast u ba Shqipnia e vogël, ku duhet me u vra për me qëndrue mbrenda kufinit. Vetëm Zeneli s’flet gja; më shikon në dritzën e synit me syt e tij të mençëm, si me më thanë: zotni, shpëto situatën, si tjera herë që e shpëtove kur kemi folë për mjetet teknike të bujqsis dhe shkakun pse s’i kemi, kur kemi folë për komoditetet e jetes, të cilat s’i kemi, për shtetet e pasun, çka na nuk jemi, githherë ke shpëtue situatën, shpëtoje dhe tash.
Vërej shpirtet e vegjël te shqetsuem, pse atdheu i tyre kaq i madh si u duket atyne në natyrë asht vizatue aq i vogël dhe mendojnë se asht gabim. E dij se nenesre Shqipnia në glob ka me u rritë, ka me u ba kushedi sa e madhe prej dorës së ndonjenit nga shqipot e klases.
Për me i ngjallë, me ua çue moralin, u flas:
— Cfarë?! Shqipnia nuk asht e vogël! Asht e madhe! Po t’u pjestonte ndër njerëz sa jemi, i bjen kaq e kaq secilit sa nuk u bjen njerzve të shteteve të tjerë t’Evropës.
— Pse e kanë vizatue pra, kaq të vogël? - me zemrim dhe tue u ndihmue me duer, flet mbrojtsi i vogël i drejtave t’atdheut.
Mezi përmbahem së qeshunit dhe u flas:
— Pse jemi ma të vegjël se shtetet e tjerë, por kjo s’domethanë gja. Për me qenë të lumtun, na mjafton kjo tokë që kemi, veç duhet ta punojmë e… - në kët çast ra zili e fmitë ma nuk kuptojshin gja nga filozofia e lumnis që nisa t’ua zhvilloj. Duelën jashtë pa qejf, ngadalë, ende tue u skjarue me shoq-shoqin, ndërsa Zeneli mundohej të mbesi mbrapa pa u vue re. Kur duelën të gjithë, më tha në mes të buzëqeshjes dhe idhnimit:
— S’kemi kurrgja, zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpia higjenike të mira, si shtetet e tjerë, jemi të vegjel…
E ndala. Deduksioni i Zenelit tem ish sa i idhët, aq edhe i vertetë. I fola. U mundova ta paqtoj. Nuk dij a më besoi.
Shpeshherë më pëlqente të mendoj mbi ardhmënin e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em, që ta baj Zenelin të hypi ndër majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej dhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore, primitive, e ka ma mirë, mos e merr në qaf me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafën i dëshpëruem, tue pa të vetët të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me i ndihmue.
Prandaj kur erdhi koha, ia dash Zenelit deftesën e lirimit, u përshndetëm dhe kur shkoi, m’erdh keq që s’do shifemi ma kurr.