Studenti në shtëpi

Në një ndër qytetet e Evropes së Mesme Nushi po lexon letrën që posa ia kish prumë letërshpërdasi. Edhe në dore të shpërdasit e njofti letrën se ishte nga shtëpia. Po, zarf i bardhë në forme katrore, shtëpia e ulët, me një oborr të vogël me lule shumë. Mandej i ati iu paraftyronte Nushit, mbasi ai e ka shkruem letrën tue hymë n’at shtëpi, në muzg të mbramjes, dhe tue prue natën me vete. Se mbas tij dera u mbyllte, dhe atëthere të hymet e të dalmet ishin jashtëzakonisht të rralla, dhe vetëm kur lajmonte kush ndoj lindje, ndoj vdekje ose vinte ndoj mik i papritun, çka ngjante shum rallë, u prishte kjo ligie patriarkale. Ligjë, edhe çfarë ligje! Kush e shkelte at ligjë, gjith at natë do ta conte në një ndjenjë si me pasë shkelë dicka të ftohte, të rrëshqitshme si gjarpni. E syt e t’et që të përshkojnë me ftoftsi përftojshin tamam një aso ndjenje te Nushi. Si me pasë shkelë gjarpnin. Edhe kjo ishte një arsye për Nushin dhe nuk iu mbushte mendja me u kthye n’atdhe, në shtëpi aq shpejt. Ka ma se tri vjet që ka ardhë n’universitet për studime, e tash një vjet e sa asht tue vendosë jo po shkoj në shtëpi për këto Këshndella, jo për këto Pashkë, por vendimi rrite pa u ba veprim. Çka do të baj atje? - thoshte së fundi Nushi.

Por letra që mori tashti, i jepte afatin e fundit. “Motra jote do të të martohet, edhe një muej, prandej ti, si vllau i saj, duhesh me ardhë medoemos.” Ishte urdhni i t’et. Nushit në fillim i erdh disi mirë, u gëzue, por kur u mendue pak, u ftof, ishte në natyrë të tij që githcka m’e marrë me mend e jo me zemër.

* * *

“A mundet me qenë ky oborri që e lash para tri vjetësh”, mendonte Nushi. “Kaq i vogël, më bahet se nuk ishte,” — dhe shikonte reth e përqark, me pa mos asht ndërtue gja që me ia zanë vendin oborrit. Por jo asgja të re. Po ato pemë: hardhia, fiku, kumbulla; po ato lule. Qe atje drandofillia e pak ma tej lulemustaku. E kur hyni mbrenda në shtëpi, dhomat iu banë shumë të vogla. Mobiliet ndër to si mos me i pasë prekë dora e njeriut. Gjithçka në vendin e përparshëm, si me qenë të destinueme dhe me u kalbë po n’ato vende. Por githçka, githçka disi e zvoglueme. Mezi Nushi gjet shkakun e këtij mashtrimi optik. Shaku ishte te shtëpiat e mdhaja dhe sheshet e hapta të qytetit ku kishte qenë. Po, gjithçka për Nushin ishte zvogluem, vetëm vllaznit e motrat ishin rritë, ishin ma të mdhaj sesa i paraftyronte ai vetë kur i kujtonte përjashta. Tek e ama i ra në sy se i kishte ramë një dhamb, e i ati kishte fituem do rrudha në ball dhe thija në mustake.

— A t’u mbush mendja me ardhë, - i tha i ati kur e pa. Nushi u mallëngjye pak me të pamun t’anë dhe donte këte dhe ta deftojë, por i ati vetëm i shtrini dorën, të cilën Nushi e shtrëngoi pa ditë me u përgjegjë në pyetje. Kur u rrok me motra, këto si me u mendue a ta puthin apo jo. Vetëm puthja e s’amës ishte e kjarte dhe oshtini nëpër shtëpi.

— Mamë, - tue kuvendue një mbramje me Nushin thirri Agia, motra e fejueme, dhe shpëtoi tek e ama në dhomë të zjarrmit. Mamë! Nushi thotë se edhe vajzat sa unë, edhe të martueme bile, shkojnë në shkolle. Ha-ha-ha! u perplas qeshja e vajzës në ftyrë të s’amës. - Mos u qesh ashtu moj bije, se po të ndijnë kojshit… asht marre. Vajza nuk përgjegji, por, e zanun me tregimet e vilaut, mendonte ato vende të çuditshme, ku vajzat nuk lidhen për shtëpi, ku dalin me djelm me shetitë pa fare turpit, ku kërcejnë… ah! kërcejnë aq bukur.

— Nush! - bërtet vajza nga dhoma e zjarrmit, - a po më mëson me kërcye? Një shoqe e eme ma plasi zemrën, tue m’u lavdue se din me kërcy… (Ah, kur të më mësoje mue Nushi, tash ia kallzoj qejfin - mendonte me vetë tue fshi një çini). Vllau muer motrën dhe filloi t’i kallzojë do regulla, por ashtu në grykë të shogi- shoqit dhe tue kërcye, i gjeti i ati.

— S’ke marre! Nesër do të martohesh!.. Edhe ti, - tue iu sjell Nushit, - s’je i vogël. Shyqyr që paske ardhë sonte herët! - tha i ati i vranët.

Motra iku në dhomë të zjarrmit e Nushi tha se u mërzit.

— Po, në shtëpinë tande me u merzitë? Jo, kjo mue s’më ka ndodhë kurr. Prandaj mezi dhe që erdhe një herë.

Nushi nuk dinte ç’ka me thanë. Nuk dinte me folë me t’anë. Kur ishte fëmi, e kuptonte shumë ma mirë. Por kaloi ajo kohë, kur n’imaginatë të tij baba ishte dicka ma tepër se babë, ishte një ideal, ideal i andrrimeve fëminore. E sot, e din Nushi, se baba i tij asht një prej qindra - në mos dhe mija - etnish të qytetit tonë, njeni prej atyne etenve që nga fmia i vet duhen me bamë një njeri anakronik, pikturën e vet, trashigimtarin e dej të një të kalueme te gjymte.

— Të kane pamë tue shëtitë me do djelm që nuk janë të fesë sonë…

— Po ata jane shokët e mi…

— Hë… shoket e tu… S’paske muejtë me gjetë shokë ma të mirë. Po, apo ke pak, more, shoke të fesë sonë?

— Po, kur u gjeta në mes të tyne unë nuk munda t’u iki, more babë. Mirë pra, sot e tej do të shëtis me ata që më thue, - vendosi Nushi t’i leshojë pe babës tue ia bamë qejfin.

— Hë, ashtu une due. Ndëgjo ti babën, dhe nuk do pendohesh. Ti duhesh me pasë një shoqni prej së ciles do mësojsh ndoj gja. Po prej asaj shoqnie, të cilën pate sot, çka mundesh me mësue? Ata, t’asaj feje, sado shkollë me ba, prapseprapë njerëz nuk bahen. Ndëgjo ti babën…

E Nushi ndëgjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndëgjue babën i cili e lindi, e rriti dhe e bani kaq! Pale mos ndëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndëgjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me ndëgjue - ndëgjon. Ndëgjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilët kanë ndejun përreth edhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndëgjo. Ndëgjon dhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun mbrenda mureve të shtëpis dhe mbrenda një ambienti patriarkal, përgatitet për jetën qytetare të nesërme. "Mos të më korisin, - mendon kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjith pjestarët. Mos të më korisin, prandaj shtrëngo frenat, shtrëngo sa të mundësh, e nse nuk mund të marrin frymë - të pëlcasin. Sa vështirë asht me rritë fëmi në koh të sotme! Sa vështirë ashe me i ruejte varzat! Eh, Kohët e kalueme! — Por a e dini ju, more fëmi, se une njaq sa ju isha, kur fillova me fitue bukën… Edhe qe, ka dasht zoti, edhe ju me pasë mjaft, sa me ju plasë planci…

Nushi ndëgjon. Te gjithë ndëgjojnë. Pale e mos ndëgjo! Nushi ndëgjon dhe mendon. Ndoshta jeta e ka bamë kët njeri kaq të rrepte.

Një buzëmbramje Nushin na e kish zane nostalgjia për viset e largta, për qytetin e studimeve të tij. Ai e don ket votër, ma mirë me thanë këto gjind reth votrës: prindët, motrat e vllaznit, por diçka si ma e fortë e lidh edhe për ato vise. Ato vise ku jeta impulsive të lejon ta shijosh dhe si i ri dhe si plak, si filozof ose si njeri i thjeshtë. Nushi vëren kontrastin e tmerrshëm në mes të vendit të vet dhe t’atyne viseve. Dhe si i ri që asht, ndjenjat e tij mnjanojnë për mrekullinat e largëta, e në mendime gjyrmon shkaqet pse vendi i tij asht aq mbrapa. Dhe njato shkage, me gith zjarrmin e rinis, i urren. Urren të kaluemen që asht aq e afërme, si baba i tij. Baba asht i afërm, si babë, por i largët si perfaqësues i shoqnis, si person. E gjith mosmarrveshja, të gjitha moskuptimet vijnë ngaqë të gjith kemi nëpër shtepia, nëpër votra, ka një ose ma tepër të këtille të dashtun dhe t’urrejtun përnjëherësh. Çashtja me ta qëndron si çashtja e një operacioni: ose ta presish kambën dhe të rrosh, ose mos ta presish kambën dhe të vdesish. Kush ka pasë fat me iu smund ashtu kamba, njat të dalun ka. Nushi e din që edhe baba i tij s’ka faj se asht i tillë; rethanat dhe shoqnia e krijuen. Prandaj dhe ka mbetun dashunia birnore në Nushin, pse din t’arsyetojë. Por vllaznit e tij, motrat, a thue do ta dojnë babën? Kujtohet se kur ishte fëmi, kundrejt babës ma parë ndiente frigë se dashuni. E tash motrat dridhen para babës, e vllaznit nuk e kand aspak në qejf shoqnin e babës; kur ven baba, ata zhduken.

— Çka kishe bamë, ti Nush, në kët koh me qen përjashta? - ia preu mendimet Agia, tue hymë në dhomë, plot gjallni.

— Tash asht koha e shëtis, do të kishe shetitë me ndoj shok ose…

— Ose me ndoj shoqe, ha-ha-ha - ia priti motra tue u qeshë.

— Po, pse jo… Njësoj, si me shok si me shoqe. Këtu te na përmbyset bota me ba m’u pa një vajze me një djale. Atje as i bie në sy kujt. Gjithkush shikon punën e vet.

Dhe vllau shfrente nostalgjinë e viseve të largëta tue i tregue motrës bukurinat e atjeshme dhe mnyrën e jetesës. I dëftonte ndoj ngjarje me randsi që ka ngjajtë në shoqni, ndoj skandal të vogël. E Agia ndëgjonte dhe kuptonte shumë mirë. Ndërhynte me pyetje, ftyra ndrronte simbas tregimit të vllaut e klithmat e çudis i dilnin nga fyti, pa i kuptue ajo vetë. Pse Nushi flitte me gjith dëshirë që ta kuptojë motra. Po, ta kuptojë motra, e nuk dinte ai se fjalët e tij dalkadalë përftojshin të motra një anderr, e cila mbasi nuk mund të jetohet me të vërtetë, krijon një kënaqësi që i mundon shpirtat e ri. E kur motra shante: “Eh, kot kemi le”, e cila fshamë dëgjohet përherë ma shpesh në vendin tonë, Nushi pushonte me fjalë dhe mendonte se si motra e tij asht fejue dhe shpejt do martohet për një burracak.

Nushi për motrën ma të madhe, e cila me vjet iu avitte, ndiente një dashuni të pasun me kujtime fminore. Gjithmon bashke. Ndër mbramje të dimnit, kur u duhej me ra me fjetë, tue mberdhitë nga çarçafi i ftoftë i dyshekut, iu avitshin shoqi-shoqit. Përputheshin trup për trup dhe ndëgjojshin të rrektunat e zemrave të shoqi-shogit. E kur në përshpritjen e ndoj prrallës së gjatë trupnat e tyne u nxejshin mjaft, atëherë ndjejshin pranin e një gjas së tretë, të huej, deri atëhere të panjoftun për trupnat e tyne, por që tash, në nxehtësin e dyshekut, ngjallej, rritej dhe i perkundte në gjumë t’ambël. Kur vinte e ama e i shifte ashtu të rrokun e në gjumë, kënaqej, por edhe një zili e vogël, mezi e vrejtun, ia turbullonte kenaqsin për një çast. Q’atëhere Nushi e njef mirë të motrën e vet. Edhe tash motra e tij asht po ajo Age që ishte dikur. E gjallë, gazmore, jo romantike sa shoqet e saj, as andrruese. Për romantikë s’kish nge, nuk e linte puna të cilen e bante krahas me nanën, tue la, fshi dhe ndreqë orë e çast gjysmë duzinet fëmi, që u kish falë zoti nanës e babës, si thohet te na. Ku kish nge Agia të merret me romantikë dhe me andrue. E dinte Nushi këtë, si dinte dhe se motra e tij asht dhe mjaft e bukur. Por nuk e dinte - e kishte dëshirë me e ditë - si i vjen motres kjo martesë, martesa me një burracak. Nushi kish folë dy-tri herë me dhandrin e ri. I kish mbetë në kujtesë nga njato pjekje vetëm buzëqeshja banale e një fëtyrës së frytë e të zbetë, belbëzim i një bisedës ma banale nëpër dhambë të prishun dhe majmunizma e një snobit. Qe dhandri, miku i tij. Asht i shtëpis së mirë dhe tregtar i zoti, ka than baba. Dhe njato fjalë kanë qenë të mjafta para të shoqes; nenesre puna ka qenë e kryeme. E Agia? Agia asht vajze e mirë, e urtë, ndëgjon prindët, njajo gja nënkuptohet. Kur e pa të fejuemin, pak ne dhomë a ma tepër nëpër birat e dyerve, u zbe pak, por njaj të zbem ishte ndoshta një emocionim e asgja tjetër. “Pak i shkurt - i tha një teze - por ka pare mjaft. E lumja ti!” Ages i ngjante shumë e dyshimte njajo lumni, dhe q’atherë rrinte disi si e tretun. Vetëm me t’ardhmen e Nushit u gjallnue dhe qeshja e saj nisi të ndëgjohet nëpër shtëpi. E Nushi nuk e dinte si po i vjen Ages kjo martesë. Një natë i ati përmendi martesën, e moter e vlla u shikuen më një çast. Agia u çue, shkoi në dhomë të zjarrmit, e Nushi, ndërsa i ati fliste, rrinte pa bëzajtë dhe mendonte për motrën, e cila e shikoi me një shikim aq të mpitë, pa shprehje, saqë Nushi e kuptoi. Kupton Nushi shum prej një shikimi, se kjo mnyrë të marrunit vesht përdoret shume nëpër familje tona, ku shpeshherë nuk ke të drejtë me folë.

Në nesre Nushi u kthye jo mbas zakonit për të marrë një libër. “Në shtëpi nuk qenka kush” — mendoi. Kur në dhomë e gjet Agen, e cila u mundonte ta mfshehi ftyren, Nushi iu avit.

— Ç’ka ke, Age? Pse i ke syt e kuqun?

— Prej tymit.

Nushi dyshoi dhe shkoi në dhomë të zjarrmit, por, aty as nuk kishte zjarrm.

— Pse ke qa, Age?

— Nuk kam qa - thotë motra tue u mundue me buzëqeshe.

— Po, po, ke qa.

— Jo besa! - dhe u largue kinse me punë.

Nushi u mundue ashtu prej së largu, tue qeshë, të diktojë ndoj gja, por si shkoi për dore. Tue dale prej shtëpie, u kujtue pse qan Agia; i ra në mend dhe shikimi i saj i mbramshëm. Desht të kethehet, por e dinte se Agia nga turpi nuk do t’i tregojë gja, as nuk do t’i pohojë. Turpi, e sidomos turpi i vajzave të fejueme, asht një hallkë ma tepër në zinxhirin që shtrëngon jetën. E si mos me pasë turp vajza e fejueme, kurse e din se te burri shkon vetem të daje dyshekun me të. Gja tjetër ku të dije ajo kur nuk e njef, një fjalë s’e ka folë me mashkullin që do të marri. Turp. E si mos t’i vijë turp. Thonë se varzat pa nder janë pa turp. Prandaj duhet turpi, turpi që s’të len me ngritë zanin në mbrojtjen e vetvetes prej atyne që të dëshrojnë shumë lumtuni. “Nuk e due!” Jo, deri tash nuk asht ndëgjue në farefisin tonë ajo fjalë nga një vajze e fejueme. Se secili burrë, çfarëdo qofte, s’paku mashkull asht. E me ba mos me qene mashkull?

Nushi vendosi t’ia tregojë babës mospëlqimin e vet për martesën e Ages. Torturonte veten: jo tash po i tham, jo mbasandej, jo tash nuk asht koha. Derisa një mbramje i ati u tregue mjaft i butë dhe i dhanun për bisedë. Nushi ia tha disi mospëlqimin e vet për martesën e Ages.

— Por për ke mendon ti me e dhanë? More, ku e kane at fat dhe motrat tueja tjera. Ai i shtëpis së mire po, i pasun po, djal puntor sa s’ka, s’e ka shoqin në pazar.

— Po, more babë, por sot varzat këqyrin djalin ma parë se të gjitha.

— Po kush e pyet ate? Çka din ajo?

— Ajo nuk asht e kënaqun.

— Eh, së parit njashtu i bahet, por mbasandej ka për t’i hymë në qejf.

“Qe e tan puna që munda unë të baj për Agen” - mendonte Nushi - e në zemër ndiente si helmim ngase nuk mund t’i ndihmonte motres. Bjerri besimin në vete. “Qe një rasë ku duhet me tregue fuqin e ndërgjegjes, të mendimit dhe të dashnis për me shpëtue dicka nga zakonet fatale. Por, kush të len! Ajri me mija zura, ku të len të jetosh një jetë të shndoshtë. Me kot u betove në vetvete për kontributin e vet në shoqni, për gjestet ideale! Qe një provë ku psove dështimin”. Nga të tilla mendime u grinte në dyshek Nushi gjith at natë deri n’agim, kur e zu gjumi. Agia nuk e pyette ma të vllanë për mrekullit e viseve të largëta. E interesonte burracaku i saj. E interesonte dhe tue mendue githnjë mbi të, ai dilte n’imagjinatë gjithnjë ma i keq. “Si një tatalosh” - i ka mrri Ages në vesh nga biseda e dy shoqeve. Një kundërshtim të parrfyeshëm ndien atëbote Agia. Dhe njaj kundërshtim shfrehej tashti në sjelljen e saj kundra vllazënve, motrave dhe s’amës kanjiherë. Si me pritë rasën, dhe ajo ishte gati me u kuq nga zemrimi, me i ra filxhani ose me thye dicka, sì ndoj çini, gotë ose gjë tjetër që kishte në dorë. Kur e ama i bërtitte për gjanë e thyeme, ajo u përgjigite ashpër me një: nuk deshta as un ta thej; mandej shkonte, u mshehte në ndoj skutiliq dhe qante.

As Nushi nuk tregonte ma mrekullitë e viseve të largëta. Në shtëpi qëndronte vetëm kohën e domosdoshme. I ati e qortonte gjithnjë pse vinte vonë në mbramje, por ai s’u përgjegjte dhe njashtu merrte fund leksioni. Kur aty-këtu shifte përgatitjet që baheshin për darsëm, atij iu kujtonte një film që kish pa dikur. Quhej “Ekstazë”. Ishte film i një martese të papërshtatshme.

* * *

— Mos të koritena - ka thanë i ati. - Duhet gjithçka boll për darsëm. Të giitha, të gjitha duhet me përgatitë. Rueju mos të harrojsh gja! - i ka thanë burri të shoqes. Dhe darsma ka dale shum e mirë. Ka plase delli i qejfit në te. Venë e raki, si aty ma. Darsmat janë të ralla, prandaj qejf, qejf me ba. Për shndet të nuses që na ka dalë aq e bukur! Për shndet të zotit të shtpis! Edhe shum të tjera kësi përshendetjesh, tue përplase gotat e tue i derdhe në fyt, nga i cili mandej dilte një kangë si kanga nga qerrja e palyeme. Megjithse këta po i lyejnë fytat shum mirë. Gratë, n’an të vet, tash këndojn kangen e japrakut, tash flasin të githa përnjëherësh, tue ndëgjue secila vetëm fjalët e veta, tash qeshen si-ki-ki, ka-ka-ka. Nepër qoshe fëmite, secili tue hangër ka dicka, shikojnë dhe çuditen për nanat e veta, se si kanë pamë kurr në gjendje aq të zjarrtë.

— Pse martohet Agia? - pyet një shok vllain e vogël shtatëvjeçar t’Ages.

— Baba ka thanë - pergjigjet ky.

— Sa i marre je… Uf… E di, more, se ka thane baba, por pse martooohet?

— Po edhe nana e eme asht martue, edhe nana jote.

— Po, more, po! Uf… Por pse martoooohet?

— Për me fjetë me burrin - ia pret një shok i tretë, pak ma i rritshëm, nja nand vjeç.

— Po si… Ku e din ti? - thot i vllau i Agës.

— Po, fort! Edhe nana e eme flen me babën tem - ia priti shoku i kureshtshëm.

— Mos folni fjalë te këqia, se po ju padis në shkollë, - iu kërcue nandëvjeçari dhe shkoi me gjuejtë ndoj gja për me ambëlsue gojën.

E Nushi, për gith kohën e darsmës ndiente një të velun. Me vjellë diçka… M’at shishmashin e darsmës nuk dinte të rregullohej. Jo këtu lypej të ndihmonte në ndoj punë, jo atje me rregullue miqët. Me disa prej kushrinave të cilat nuk i kishte pamë fare, iu donte të ndalej, të përshëndetej, të bisedojë, t’u deftojë nobarem si e ka çuem përjashta. Kushrinat ma të moçme e shikojshin me kureshte të madhe tue urue marshalla, marshalla, e kushrinat e reja tue bisedue me të, i zbardhshin dhambët dhe e admirojshin prej majës së kepucve deri të kaçurreli i flokve. E Nushit i vinte të vjellë. Matej shum herë me u përzi m’at shishmash të dasmës, të pije me miq, të kendojë valle me gra; por i dukej vetja qesharake. Nuk i shkonte për dore as me u përgjege urimeve që ia bajshin gratë, kur rasësisht vinte n’odë të nuses. E Agia qëndronte drejt, si qiri dhe e zbetë. “Ha, ma ti, mos u marro aq”, i thojshin gratë tue ia ndreqë velin. E Nushi me gjith zemër deshironte të kryhej kjo ceremoni. Të shkoje Agia atje ku e caktoi fati dhe ma tepër ku dëshroi i ati. Ndoshta ka me i hymë në qejf, si tha i ati, mendonte Nushi.

— Jooo, kam pa e s’kam pa nuse tue qa kur martohet, por si kjo sot… s’kam pa - thoshte një grue mbasi erdhën krushqit dhe e morën Agen.

— Epo e shkreta ka të drejtë, la prindët, vllazënt, motrat.

— Moj, unë ndëgjova se Agia s’e ka dashtë djalin - pëshpriti një grue e tretë, tue u mnjanue ka shoqet.

— Jo, he qe! Po kë me dashtë ajo ma të mire? Djali, thone, se asht i pasun mjaft, mandej edhe prej shtpis se mire…

— Po… po…

— Ndoshta ta ka thane filania që u mundue mjaft me ia dhanë djalit vajzën e saj…

— Jo, besa! Edhe unë kam ndie se Agia s’e ka dashtë djalin, - hyni në bisedë një e katërt që s’mund të duronte të mos marri pjesë në këto pëshpëritje enigmatike e që gjithnjë shikonte kah dera.

Çudi! Ma shum qau kur u nda me vllanë. I shkreti Nush! Edhe atij i shpëtuen lotet.

— Besa! Me tamam shifet se e kanë martue me përdhuni…

— Uuu! Punë e madhe! Po cila prej nesh asht martue pa përdhuni? Ku i kemi njoftë na burrat tonë? Na kanë martue për atë i cili na ka lypë ma parë. Edhe magjypi të na kishte lypë, magjypit na kishin dhanë. Njai asht fati! - tha tue u nxe një grue me ftyrë burri.

— Me dhimbet Agia e shkretë. Asht vajze e mirë - tha ma e reja.

— Po na paskemi qenë të këqija, a? - tha dhe i lëshoi synin e rreptë ndër ftyrat e shoqeve grueja me ftyrë burri.

Dy ditë mbas darsmës, Nushi shkoi në shtepi t’Ages, me u falë me të, se do të nisej përjashta. Kur i tha motrës po nisem, kesaj i filluen lotët me i rrjedhë dhe nuk i pushuen derisa u ndanë, ndoshta as mbasandej. E te dera e oborrit motra e perqafoi të vllanë aq me fuqi dhe i dha një të puthun aq të nxeht e të kjartë, saqe Nushi kurr s’e harroi.

Nderi i shoqnis asht i pacënueshëm. I mjeri ai i cili provon ta cenoje. Së paku, kështu ngjan për faqe. Mos të gërdhishtet, mos të prishet lustra e shoqnis së qytetit tonë. Të shkëlqejë lustra e marrëdhanieve tona të përditshme me shoqi-shoqin, të shkëlqejë si këpuca e lustrueme në baltë. E pse një grue, tue fjetë me burrin e vet plak ose idiot, vuen dhe mendon ndoj tjetër, s’ka gja. E pse një grue, pranë burrit të pamasskulli, merr mshehtas një tjetër që ta përkëdheli, prap s’ka gja. Njësoj. S’ka randsi. Jeta bashkëshortore njësoj asht e hyjnueshme. Këtë e ka vërtetue instituti fetar. Vetem dicka: skandali nuk durohet. Bani çmos që të mos shkaktoni skandal. Se skandali shkakton vdekjen e nderit, si për shembull grada 42 e temperaturës vdekjen e njeriut. Shoqnia lëngon, lëngon me temperatura të ndryshme, por këqyrni mos t’arrini gradën e fundit, po desht të jetoni me nder, me moral të pacënueshem.

Në pazarin e qytetit tonë, kur duen të lëvdojne ndoj të ri, i apin atribute të ndryshme, si dhe ngjet gjithkund; ndër ato atribute ma tipike janë: bir… dhe zog dreqit. Ai shegert pazari, i cili ka fatin ta përkëdhelin gashtu, domethanë se asht dicka. Jo se do të bahet milionar, por se asht i zoti t’i kryejë punët e shegertllëkut ma së miri dhe me pëlqim të plotë të zotnis. Një prej kësi shegertave ishte dhe Luli, shegerti i të shoqit t’Ages. Zog dreqit i madh asht! Mos t’ishte ai, kurr zotnia i tij nuk kish arrijtë me e përhapë tregtin kaq sa e ka sot. Kështu mendojshin esnafët e pazarit. Ndër mendime shkojshin edhe ma larg: secili mendonte ta tërheqi Lulin për vete, por u shkonte mundi kot. Luli, edhe se i ri, njëzet vjeç, nuk lote nga zotnia i tij, prej të cilit as nuk kishte gja t’ankohej.

Kur Luli e pa të shoqen, zojën e zotnis së tij së parit, si nuse, u çudit për bukurin e saj dhe sidomos u çudit për shëmtimin e burrit të saj e të zotnis së tij. Deri në darsëm, ai e shikonte zotnin vetëm si zotnin e tij, të zotin e dyqanit, i cili ia pagonte rrogën regullisht dhe mirë. Luli disi nuk e mendonte, nuk mund t’ia paraftyronte vetes se zotnia i tij mundet me qenë dhe burr’ i një grueje, sidomos burr’ i një grueje si Agia. Në ndërgjegie të Lulit ishte formue një giykim për zotnin: i zoti të rrijë mbas banakut dhe të shikojë se si ai vete, shegert i tij, u pergjegjet blesve, peshon, merr paret, ia bien atij zotnis, i cili i ve në banak, tue buzëqeshe me gojë pa dhanë në ndoj isharet të tij, të shegertit. Prej zotnis Luli nuk ndiente ndoj frigë, ose ndiente aq frigë, saqë e ndien një shok prej shoku tjeter me vjet ma i madh. Por tashti, me martesë të zotnis, i cili muer një grue aq të bukur, në thellsin e shpiti Luli njeu një pakënaqsi, por krejt të pandërgjegjshme. Kjo pakënasi me kohë, aty-këtu, u shfaqte në një mnijë, e cila ishte ma tepër një smirë. Luli nuk dinte t’analizojë gjendien shpirtnore të vetën, se ishte një shegert pazarit, por instinki i thjeshtë njerzuer ndjente dhe shfaqej. Ai tatalosh, çfar vajzet me marrë - i tha Lulit një shok intim, shegert pazarit. Lulit iu theksuen këto fjalë në mendje. Shoku i tha, tue qeshe dhe tue e shtye me krah, edhe disa gjana tjera, të cilat prap Luli i mbajti në mend, iu ngjitën për truni.

* * *

Mbas tri vjetve tjera Nushi u kthye në shtëpi si mjek i kryem. Optimizmi, i cili e pushtoi me të marrmen e laurës si mediciner i kryem, githnjë vazhdonte edhe kur erdhi në shtëpi. Bota reth tij, miqët, kushërinët, të njoftunit iu silleshin rrotull si hyjt reth diellit; ai ishte një epicentër. Së paku, kështu iu dukte atij vetë. Por, njashtu ishte në të vërtet. Nushi e shifte edhe vetë, se njajo gja ishte ma se e vërtete. E pse? pyetej Nushi në vetvete. Po tash njëherë s’kish nge t’i api përgjegje asaj pyetje. Jo urimet, jo vizitat, jo darkat e drekat, jo shoqnia e re, natyrisht e zgjedhun, nuk e lejshin t’i pergjigjet pyetjes: pse asht ai epicentër.

Edhe në shtëpi Nushi, si mjek i kryem, u ndiente disi ndryshe. Edhe vllaznit e motrat, në praninë e tij, qëndrojshin ndryshe. Fjala mjek lëshon një ere barnash, të cilët ta shtijnë frigën e smundjes, prandej motrat dhe vllaznit e shikojshin dhe e dojshin Nushin ma shum me një dashni admiruese se vIlaznore. E i ati kish ndrrue tonin e bisedës; e kish ulë për nja dy nota. Përpara fliste në sol e tash në re. I ra në sy Nushit se sjellja e babës përpara tij përgjithësisht kish ndryshue. Kur vinte në mbramje vonë në shtëpi, baba nuk i thoshte gja; perkundra, ia niste bisedës tue e pyetë me kë asht pa ditën dhe me kë qe deri tashti. E të githa pyetjet nuk kishin as idhnim, as ndoj tallje ironike, por i thoshte me një za si të dezinteresuem. Fillonte mandej biseda për punë, të cilen Nushi dita me dite pritte ta fillojë.

— Asht edhe koha me pasë edhe une ndihmën tande, se ka fillue me më lanë puna. Deri tash shkova disi, por mbas tashit keq, besa. Por shyqyr që kreve ti at shkollë. Motrat po të rriten, duhet me mendue edhe për to.

Nushi e thith cigaren, shikon si shkon tymi i saj dhe nëpër tym shikon t’anë, i cili flet ambël, sidomos kur flet për punën e tij që do ta fillojë si mjek. E kur i sillet ndokuj pjestarit tjetër të familjes, natyrisht toni i bisedës ndrron, fillon të bahet nga pak i vrazhdë.

Nushi, natyrisht si mjek, ishte dhe nga pak psikolog. Vërente me kujdes të madh sjelljen e babës kundrejt tij dhe kundrejt të tjerve të shtepis. E një mendim i ri, si stuhi, ia pushtonte trutë dhe ia perplaste andej. Ai ma vonë tundte kryet, si me dashtë me e largue at mendim. Ishte mendimi se edhe i ashtuquejtuni ideali familjar asht i mpshtetun n’interes. Nushi mendoi pikerisht si kishte lexuem diku, në një libër. Dhe njashtu asht. Baba i tij ka ndrrue sjelljen kundrejt tij, pse Nushi ka me fillue shpejt me fitue të holla. Dikush ka me thanë: po, asht e natyrshme, që i ati të prese ndihmen e të birit, se duhet mbajtë familja, të cilen ai vete, i ati, nuk mund ta mbajë. Po, por Nushi arsyetonte në vetvete pak ma ekstremisht, pak ma n’e majtas, - si kishte për t’u thanë në gjuhe të soçme. Pse i ati i tij deri para tri vjetve ishte para tij, Nushit, djal i pjekun, një despot e tash do me u bamë jo bash një engjëll, por një mik, shok i dorës se parë? Para tri vjetve ti s’ke pasë të drejtë me çue zanin, se s’ishe gja fare, mbasi nuk mujshe me fitue të holla; por sot, mbasi rroga e jote do të jete e majme, unë të salutoj, ta heq kapelen, fesin e zi (se njate barte baba). Keshtu në trajtë dialogu, arsyetonte Nushi, megjithse nuk e kishte në qejf at arsyetim. Nuk kishte qejf t’anojë kaq shum n’an të doktrinave të reja materialiste dhe t’u api kaq të drejtë: si, për shembull, me thanë se nuk ekziston familje ideale dhe as dashuninat, të cilat i quejmë në ma të sinqerta, jane vetëm korrespondim i përshtatshëm i interesave materiale ose fizike. Nushi tundte kryet, donte ta largojë kët mendim, ide që përmbys shqimit të githa ato gjana që na i quejmë të shenjta se i mbështjellim me velin e misterit. Dhe si njeriu, që, tue u mbytë kapet për një krande për të shpëtuem, ashtu dhe Nushi donte të kapet për një mister. Por falimenti dogmatiko-shpirtnuer i tij qëndronte bash aty, se ai shifte se misteri - si dhe nje krandë të mbytunin - nuk mund ta shpëtojë; asht vetëm një mashtrim, natyrisht i pranuem si pranojmë edhe shum mashtrime tjera, se na kande, na pëlqejnë, megithëse e dimë mirfilli se nuk janë të verteta.

Për tri vjet jetë në martesë, pau Nushi se Agia kish ndryshue mjaft. Fëmi deri tash nuk kishte pasë, por tash ishte nga mesi i trupt si e majun dhe iu dukte si t’ishte shtatzanë. I kuqi në ftyrë t’Ages nuk u dukte i qëndrueshëm, e syt që dikur aq drejt në sy te shikojshin, tash nguleshin diku n’anë, pranë teje, dhe vetëm si përshqit kanjëherë të shikojshin për të ba me ditë se flet me ty ose asht tue ndëgjue bisedën e jote. Nushin e çuditi ajo gja, tue ditë se motrat e martueme zakonisht janë ma të çeluna dhe ma të singerta kundrejt vllaznve. Dhe kur doli nga shtëpia e saj, nuk doli disi i kënaqun dhe i dukej se nuk asht pamë me motrën Age. “Ndoshta topitet” - tha Nushi në vetvete. Në mbramje t’asaj dite, Nushi tha në shtëpi se kish qenë të Agia dhe se kish ndryshue mjaft. Mbas ketyne fjalve të Nushit, i ati shikoi të shoqen dhe tha:

— Ai gomar, burr i saj, a pret të shkoj t’i them unë që ta heqi at’shërbtuer?!..

— Po nuk mundet me shikue punën pa të. Ti e din edhe vetë se sa i shkathët asht Luli, - iu përgjigj e shoqja me za të letë e me bisht synit shikoi të birin, Nushin.

— Nobarem, mos ta dërgojë diten në shtpi prej pazarit, kur asht Agia vetëm.

— Kur atij, burrit të saj, s’i vjen keq, çka po ke ti?

— Ti, si shifet, s’i ke mend në kry! A s’po ndëgjon se cka flet bota, a? - tha baba tue çue zanin dhe shikoi Nushin.

Nushi nuk bani za fare, por i ndëgjoi këto fjalë gati pa marrë frymë. Gjaku pak iu turbullue e i rodhi në ftyre. Por shpejt u fashit dhe nisi të bluejë me mend ato fjalë që i kembyen prindët në mes tyne.

E në shpi t’Ages sundon harmonia e plotë. Kushdo që thotë se aty ka shamat, grindje ose dicka tjetër - dajak si thonë - rren, kushdo që ta thotë rren. Aty mbretnon harmonia e plotë. Qe për shembull: burri vjen nga pazari, prej pune, në mbramje, e Agia ban çmos që ai ta giejë shtëpin sa ma komode, për tu shplodhë nga puna e ditës; mandej e pyesin shoqi-shoqin si e kaluen ditën a u mërziten, çka ka të re. Agia të gjitha këto komplimente familjare i bante disi ftoftë, por singerisht. E burri, në përkëdheljet e ndjenjave, shkonte edhe ma larg; iu avitte Ages, kapte për faqe me dy gishta, me ere të dhjamit dhe ashtu si kapen fëmitë e vegjël, ia ledhatonte flokët, ose qafën, e shikonte me sy admirues reth mesit dhe, i kënaqun me lumnin familjare, ndezte cigaren, çonte gotën e rakis dhe ia niste bisedës së përditshme. Agia u sillte poshtë e nalt nëpër dhomën e zjarrmit tue bame punë, ndëgjonte fjalët e burrit dhe u përgjigjte aty ku duhej.

— At’i prue Luli të gjitha qe ke pase nevojë? - pyet burri tue çue gotën e rakis.

— Po, - i pergjegjet Agia shkurt, - por ke harrue me i dhanë byberin, - vazhdon tue u kuqë lehtë në ftyre dhe sjell kryet n’anë tjeter.

— A të ka prue këte e këtë e atë… - e kur i thote Agia se po, ai vazhdon: “Jo, Luli s’ka hile, askund deri tash nuk munda ta za për kaq” - dhe dëfton me gisht. Dhe në banak të dyqanit, ma shum i besoj atij se vetvetes, se asht dhe i shkathtë, dreqi. Sa vetë mundohen me e largue prej meje, për ta marrë për vete, tue qitë gjithfarë fjalësh…

Ages ndër këto fjale iu kuqen tamthat, zemra i trokiti shpejt dhe si me t’egër i tha:

— Po ti pse e dërgon Lulin ditën? Ato sende që duhen mundesh me i prue ti vetë në mbramje…

— Po për drekë mishin, ku me e marrë?.. Mandej pse mos me ardhë, xhanëm, Luli? Bota me të vertete flet, por unë e dij pse flet… Edhe Agia mendon me vete pse mos me ardhë në shtëpi ditën, ku asht ajo vetëm… atëherë bash duhet të vije, i thotë një ndjesijë, diku thellë e mfshehun, nga e cila Ages, zojës së ndershme të filanit e të filanit, i vjen ndoht. Por ndjesia e mfshehun ia pushton trupin e ri dhe ajo i thotë burrit:

— Mos harro me ma cue nesër byberin edhe… - mendohet të gjeje edhe diçka tjeter.

— Po, tash ta çoj edhe mish të mirê, më tha kasapi se do të prejnë nesër. Te tjerat i ke?

— Po…

* * *

Mbasi Nushi trokiti dy-tri herë në derë t’oborrit dhe pa se s’po i del kush, ai u nis vetë mbrenda në shtëpi, tue u çuditë pse s’po del Agia. Kur ndër shkallë ndeshi Lulin, i cili, disi i hutuem për së tepri, fliste diçka si me kërkue të fala për vonesë që s’i dulën përpara. Nushi u çudit së pari, tue mendue se ka ngjajtë gja, por njat çast i lindi befas një dyshim. Disi si i ngurruem, por instinktivisht shkoi nalt me hapa te shpejta. Agen e gjet me shpinë të sjellun derës, me një dorë ndë flokë e me tjetrën tue perzie makinalisht diçka në një enë. Kur u suell, pa Nushin dhe u buzëqesh, nsa në ftyre ishte e zbeme.

— Çka ke, Age? - e pyeti Nushi tue ia marrë dorën.

— Asgja, Nush. Pse? - pyeti si e hutueme.

— Je diçka si e zbetë.

— Ah, po, me dhemb kryet. Jo, parë me dhimbte, tash nuk më dhemb, - u ngatrronte Agia në gjuhë e në ftyrë ndrronte ngjyrë nën shikimin depërtues të vllaut. Shuplaka e friges nisi t’ia shterngojë zemen, gjujt iu këputen dhe qe tue ranë, mos t’ishte dora e Nushit për ta mbajtun.

— Ti Age, tash nuk duhesh me punue shum - tha Nushi tue sjell kryet nga dritorja dhe tue u mundue me e zbutë zanin. Motra u mundonte tinzisht me i pa ftyrën vllaut, me lexue në ftyrë të tij, por ai, sjellë nga dritorja, shikonte në rrugë e ajo ia shifte vetëm veshin dhe pjesën e nofullës, të cilën Nushi e kish shtërngue fort.

— Ashtu, Age, - tue u sjellë befas, — mos puno shum; sa ma pak punë, se asht ma mirë për ty, nuk të vjen kjo ligshti trupi që pate parë dhe mandej për barrën nuk asht mirë me punue shum.

Agia e shikoi të vllan drejt në sy dhe kuptoi se ai nuk mendonte asgja tjetër veç asaj q’i tha, nsa Nushi u gëzue kur pa se i kish shkue për dore me e genjye motrën, se ai nuk dyshon asgja ndër marrdhaniet e saj me Lulin. Mbasandej; Nushi filloi të flasi mbi gjanat e përditshme, tue pyet motrën për këtë dhe atë me gaz dhe tue u tregue në qejf, dhe e motra e pyette për baben, nanën, vllaznit e motrat, giithnjë tue u qeshë.

Nushi doli nga e motra me një buzëqeshje. Edhe, për çudi, ishte në qejf. Edhe ai vete u çuditte për kët gëzim dhe qetsi që ndiente. Tashti pra, para një ore, duhej të ngjante diçka. Po, - mendonte Nushi në vetvete. Po, si atje, ndër malet tona primitive. Duhej të gersiste pushka. T’u bindte i madh e i vogël! T’u lante nderi. Të vdiste dikush e shoqnia të kënaqej. Jo se asht shpirtkeqe, por pse në qytetin tonë asht mërzi e madhe, e me la nderin me pushkë asht një sensacion i madh, i cili nuk të len të mbyllish syt për do net. Por vret merzinë. Mandej nderi, or vlla, nderi, nderi nuk asht ujë, mundet me qenë shampanjë, por ujë jo. Gjithnjë buzeqeshte Nushi dhe herë-herë i kujtohej me frigë se para një ore mundte me të vertete të bajë një gjest donkishotesk. Por shpejt qetsohej dhe buzqeshte tue paraftyrue veten me fes mbi njenin sy, me mustakë të mdhaj, me kobure në dorë, tue qëndrue mbi motrën dhe dashnorin e saj, të dy të vrame mbas shijimit të mollës se ndalueme. M’at akt burror qëndron fisnikeria e racës sonë - thonë moralistat tanë. - M’at akt shtazor qëndron primitiviteti dhe injoranca e vendit tonë - përgjegjet Nushi vet me veti. Une jam pa moral, koncepti i em menduer - mos me than ideologjik - nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, nsa mbrapa ia loz lojën kur të due. Keshtu si unë ia lozin lojën shoqnis me qinda veta nê vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin nẽ kurriz tand, ndrro format. Higi bragashat.

Pjesa e radhës
Të çelen arkapiat