Programi i nje reviste

Politikë - jo!
— Jo! Jemi dakort. Se politika s’ka nji themel të shëndoshë, s’ka ligj, s’ka rregulla, s’ka kllef. Madje s’ka as moral- ia shtoi një redaktor moralist, tue i shikue kolegët përmbi syza. Ky redaktor, asaj dite për drekë, në vënd të bukës, pahiri , futi në gojë një cep të librit “Morali fetar” dhe kur pa se nuk shkon, e pështyni. Mirëpo zotnia kishte te shtëpia fëmitë; e fëmitë -si thotë pedagogjia moderne- janë majmunë, prandaj, kur e panë t’anë tue pështye, ia nisën edhe ata fuj, fuj, fuj.
— Politika asht një kameleon, i cili - dihet - simbas vendit ku gjendet, merr edhe ngjyrën. Të mendojmë se kameleoni gjendet mbi një shkrep, dhe, natyrisht, merr ngjyrën e shkrepit. Ta dëftojnë me gisht dhe ti mezi e dallon nga shkrepi. Lëshohe turravrap me e xanë, por kthehe me trofej në ballë, si me pasë qenë ne Luftën e Trojës. Balli yt asht bamë dhe një herë ma i madh nëtë perpjekun me shkrepin. Se kameleonin tash e ke, tash s’e ke. Të iku.
— Qe nje definicion i politikës, po qe se mund të ketë politika definicion, - tha një tjetër redaktor.
— Politika s’hyn në program të revistës sonë!
— Jo! jo! - përsëritën të gjithë redaktorët, tue e pasë ende të freskët kujtimin e atij që donte me e xanë kameleonin. Asht e rrezikshme politika, - i përsëritshin shoqi-shojt tue ia pohue me krye.
— Mos harroni, zotni, se revista jonë do të jetë ideale!
— Bravo! Ideale!
— Do të ketë për qëllim arsimimin dhe mbrojtjen e atyne që nuk kanë mbrojtje! Do t’u fryjë në sy atyne që u ka hy lecka.
— Ashtu…
— Do të zgjojë komtarizmën!
— Sidomos! Se ndërgjegjja komtare flen, flen, e flen dhe duhet nji katërdhetedysh…
— Pssst! - e shutitën folësin e pagdhendun, i cili ishte postaxhia i revistës.
Në fund të fundit u përpilue programi për një revistë ideale.
Do pllakata të mbinatyrshme u ngjitën nëpër shtylla të qytetit, e disa prej tyne ua mbyllën dritaret shtëpive përdhecke dhe njerëzit përmbrenda mbetën në terr…
Në nji rrugë, kah për ditë kalojshin katër mica, tre njerëz dhe ndonjë gjel me pulë, në atë rrugë nji viç u ndalue përpara pllakatës së kuqe e brinat i mbërtheu në shtyllë. Si shifet, ishte farefis me torot e Spanjës.
— Luftë! Luftë! bërtitshin njerëzit tu u mbledhë para nji pllakate në rrugë kryesore. (Nga shkaku i luftës Italo-Abisine, popullin e kish rrëmbye psikoza luftarake). Mezi u gjet nji gjysmë njeriu, gjysmëzotni që ta këndojë me za: Revistë ideale! - “Uf, me halle” - ia priti nji grue bubikofe dhe vazhdoi rrugën me hap ushtarak.
Mbasi populli nuk dinte të lexonte, revista ngeli pa u shitë. E për botimin e numrit të dytë nuk kishte të holla.
— Të kërkojmë subvencion! - vendosën redaktorët.

Pjesa e radhës
Qershijat