Ultimatum… një ultimatum plot kërcnim dhe me sharte të padëgjueme i shpalli njerëzia vetes. Lajmi i ultimatumit u përplas për granitet e ndërtesave kolosale, u vërvit mbi majet e qypave që pa ia da tym villin, uluroi në luginat e maleve të nalta dhe u derdh ndër fusha t’ulta, e jehona e këtij lajmi dërrmoi themelet e ekzistences njerzore. Ndër tru të njerzisë u përftue njv vibracion dejesh, një vibracion aq i fortë, sa njerzia qe në rrezik të çmendet. Por njerzia e sundoi veten. Mbasi ultimatumi ishte tepër brutal e shartet tepër të rënda, u lëshue kushtrimi. Kushtrimi kishte formën e një apeli për ndjenja ma të sinqerta njerzore, prandaj shpejtoi i madh e i vogël, por jo plaku, se ky asht i liruem nga lufta, mandej dhe si konservativ, atij nuk i pëlqeu ky lloj lufte. U mblodhën taboret dhe u vunë në lëvizje. U lëvizshin me entuziazëm… Por ku… ku asht armiku? Si nuk ia pamë ende gjurmat? - u ngritshin pyetjet në taboret. Tashti entuziazmi u ftof, u ftof dhe u ba akull. Armët u suellën përtokë, kundra thneglave, të cilat në këtë rast ishin të pafajshme. Tek atëherë prisit e taboret, u kujtuen… U suellën përballë taboreve e në ball të secilit ushtar lexuen një fjali tragjike ne ball, rrudhash të shëmtueme. Njerzia kundër njerzisë, domethanë lufta në vetvete, me një fjale tjetër: revolucion! Kështu filloi epopeja njerzore. Sikur Hamleti n’orë të fundit, qashtu njerzia pushoi të lozi rolin mashtrues dhe u vu në veprim, për të pasë përfundime ma konkrete. Vërtet, në veprim u përzien, tue marrë pjesë atavizmi stërgjyshuer dhe instikti i një organizmi t’egër, por: “Qëllimi kunorizon mjetet”. Dhe po deshtën ta dënojnë njerzinë për këtë, asht një padrejtësi!.. se faji asht tek ajo gjasend që i thanë shkëndija qiellore, hyjnore, perëndore e ku dij ma, cila zbriti në njerzinë me një çast, kurse kësaj iu mërzit jeta. Kështu njerzia, pa përgjegjsi lot në një valle shumë të rrezikshme, me pasionet pa fre, ndërsa një stuhi e pakuptueshme, si orkestër, lëshon melodina misterioze. Dhe po njerzia humbi kryet në kët valle - (me njëmijë pesqind!) nuk asht përgjegjse; dhe po njerzia duel me krye të shëndoshë nga vallja - meritimi i lavdës nuk asht tek ajo vetë, por tek ajo gjasend q’i thonë qiellore, hyjnore, perëndore e ku di ma se kjo e bani njerzinë t’i shpalli ultimatumin vetes. Njerzia në vetëvete kurr s’e kish ba ket hap kaq ekstravagant.
Alternativë… ose… - ose… ultimatum - nuk asht një paradoks! Fjala asht mbi këto: a të vazhdojë njerzia të lozi rolin e Hamletit të çmendun apo të fillojë lojën e Don Kishotit, lojën plot aventura. (por aventura të domosdoshme!). Plasi ultimatumi në ndërgjegjen e njerzisë, mbrenda, dhe si eho-ja e tij në tru asht përftue vibracioni i dyshimit, q’i prin një aktit serioz. Tash sa e sa shekuj ka punue njerzia, pa ditë, për kompletimin e këtij utlimatumi, i cili plasi n’orën e ma të madhes krizë njerzore, n’orën e krizës morale e jo landore, se ky si një polip gjithmonë ka thithë trut e njerzisë.
Mbrapa gjithë kësaj që thashë, nuk dihet një! A ka me sjellë historiku fletën krejt të re, të shkruejë - apo do vazhdojë fletën e vjetër? Mos asht dhe kjo vetëm një ironi kohore?