Tashma asht rritë, dhe nuk mundet, si dikur, me nga mbas mizave nëper shtëpi, që t’i mbysi, se kishin me thanë ka dalë mendsh. E kojshitë, kojshitë gojëkëqij mezi që presin me ia qitë bishtin ndokujt. Por kujtohet Hylli, si t’ishte sot, kur mësuesi, ne tretën të fillores, u tha nxansve se kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mija miza që do t’ishin pjellë nga ajo një deri ne vere. E kur një nga nxansit ma i madhi pyeti a duhet me mbytë mizë femën apo mashkull, mësuesit nuk di se si iu ngaterrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë, duhej mbytë. Asaj pranverë, mbas fjalve të mësuesit, gërsitshin tryezat, muret, arkat, karrigat nga shuplakat e nansve, të cilët me shtytjen e mësuesit u kishin shpalle luften mizave. Në nesre në shkolle secili tregonte sa anmiq ka mbytë, në ç’mënyre, me ç’arme. E Hylli s’kish qenë as ma i miri, as ma i keqi ushtar nd’at luftë të pergjakshme. Vetem një shok kish dale fitefit. Me të vërtet kishte mbytë mizën, por kish thye edhe gotën dhe për at arsye kishte qenë rrahun nga e ama.
Tash Hylli, shtri në një karrige të gjanë me një liber, po shikon kah tavani një mizë që fluturon, dhe mezi përmbahet nga dëshira me kercye si dikur dhe me e mbytë. Por shpejt, i çuditun nga vetja me kët mendim vllavrasjeje, ngadalë qetsohet. Ma miqsisht fillon të mendoje mbi mizën. I ep emnin lajmtari i verës, edhe pse lajmtarin e pranverës ende s’e ka pamun. Pse tash ma s’e interesojnë ato gjana. Dallëndysha, punë andrash! Prej kah ka ardhë kjo mizë? Do të kete ndoj pleh këtej afër. Dhe kujtohet si n’oborr të kojshies së bukur rastesisht ka pa plehin. Domethanë, se miza qenka nga shtëpia e kojshies së bukur. Filloi Hylli me simpati ta shikoje mizën. Nisi të admiroje në fluturimin e saj tërthuer nën tavan. Miza, plehi, kojshia e bukur në një mbasdreke pranverore tinglluen në një rapsodi - në rapsodin e jetës sone qytetare në një mbasdreke maji.
* * *
Por miza nuk mbeti ne naltësine e vet të zakonshme, por filloi të zbresi dalngadal ndër sferat ma t’ulta të dhomës. Hylli u frigsue mos t’i mbytët ne kafe, që tashi ia sollën. I shkoi një rrënqethme neverie nëpër gurmaz, kur mendoi se me kafe mund të kaperdije dhe mizën e mbytun. Natyra e tij pesimiste revoltohet. Me të vërtetë, asht e tepërme kjo mizë ne planin hyjnuer, - mendonte. Shegertat pa punë dhe nansit nëpër shtëpia kishin jetë ndoj punë tjetër, po mos t’ishin këto miza.
Por si tha Shopenhaueri gëzimi asht vetë pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë. S’paku, për hatër të njeriut nervoz mos t’u krijonte miza. Se sa e sa miza tjera ka jeta e njeriut! Edhe farë mizash! Si ato të kalit, të cilat, kur të ngjiten, s’të hiqen pa paravesh (ma mire me thane mbrapavesh).
Miza si miza, përzihet ne punët e hueja dhe don ta bajë të veten. Si aeroplan vëzhgues, fluturonte mbi kafe. Po ku jane, xhanëm, kompetentët? Njerzit që marrin rroga për miza ku janë? Deputetët ca bajnë? Mizat u banë stolia e vetme e qyteteve tona! I Hueji me të vërtet ka çka të shofi… dhe kështu, në mendim e sipër, Hylli bahej nervoz pa dashje, ban një lëvizje të shpejtë dore kah miza, e çel grushtin, por s’e kish xanë; edhe një herë fap… Kur që ne derë të dhomes, ia bef dikur shok lufte me miza e sot kolegu universitar.
— Ç’ka po ban, Hyll? Po xen miza-a?
— Asgja… Veç po mendoj se sa kot po jetojmë, - u pergjegi Hylli si gjithmonë.