Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin,
nuk e njofin. Ma mirë me thanë se e njofin, por ata lozin për
hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush
ka punët dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe
Luli.
— More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak,
por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue
djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë
në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i
pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet
e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet
Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën
picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit
dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet
që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë!
Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë
ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të
pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet
nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin
e çizmes kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin
çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi
te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. - Por kur s’ka
diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin
apostujt e mëshirës dhe të dashunis…
Ndoshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.