Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk fryni as nga një anë e horizontit, dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut. Çdo gja që del nga zemra asht ose përkdhelse si andja më intime, ose e tmerrshme si tufani që shemb idhujt.
U tret pluhuni i idhujve q’u shembën krejt, dhe s’u mbet fara, e idhujt që mbeten pa krena qëndrojnë si dëshmorët e shëmtuem e një jetës së përndueme.
Idhuj pa krena! Shëmtim i natyrës! E njerëzit që jetojnë në mes tyne enden si të harlisun. Ata që kishin lindun para se t’u shembeshin idhujt dhe i pan me syt e vet në bukurinë e tyne ceremoniale, ata tash rënkojnë, psherëtijnë për kohën e idhujve të vjetër, dhe tue vdekun shpresojnë se këta idhuj do t’i shpëtojnë. E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë ka t’ia mbajnë. Duen t’adhurojnë, po ç’ka t’adhurojnë? Idhuj pa krena?.. Duen të besojnë, por ç’ka të besojnë? Idhujt pa krena? Kush mund të adhurojë të shëmtuemen? Kush mund të besojë në një zot pa krye? Çdo gja që s’ka krye asht kufomë e kufoma s’e ka vendin mes të gjallëve. Kufoma duhet varrosë. Përndryshe, e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale. E katastrofa asht katastrofë! Zhduk kombe! (Kombi ynë me të vërtetë s’u zhduk. Por arsyeja asht vetëm se dhe kojshitë tonë t’afërm qenë pak a shumë të një fati si ne.)
Idhuj pa krena! Flitë e kohës, e cila gjithçka përpin, dhe fli të fatalitetit. Qëndrojnë ashtu të gjymtuem vetëm e vetëm pse s’duel njeriu i zoti të ndërtojë idhujt e ri. Por, herët a vonë, ai do të dali. Dhe idhujt e ri që do t’i ndërtojë ai, kanë për t’u adhurue nga turmat. Se landa e tyne ka për të qenë moral i kohës, model i tyne - njeriu i sotshëm. Idhujt pa krena! Në varrimin e tyne kumonet kanë për të plasë së ramit, minaret kanë për ta thye kurrizin së faluni dhe zhrecve do t’u këputen telat e fytit së kënduemi. Dhe do të vijë heshtja. Se çdo vikamë fillon dhe mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna…