Sidomos fëmitë e vendit tonë gjithmon kanë qenë të trembun nga gogoli. Fëmia që qan nga ndonjë vuejtje e mbrendshme e pakuptueshme për prindet injoranta, asht qetue nga friga e gogolit. — Psssst! Qe gogoli! A e shef?! U, qyqe, sa e ka synin! - dhe nga këto përshpëritje të s’amës, në një heshtje vorri, sjell sytë nga errsina e dritores, fëmia tmerrohet, shef me të vërtetë një sy t’imagjinuem, zemra si e një zogut në grusht të njeriut pa mshirë troket, troket, hesht së qamit dhe e ze gjumi. Edhe e ama e kenaqun së fundi, flen. Kështu këtu dhe githkund, sonte dhe për natë, keq edhe ma keq. Dhe s’ka fëmi te na që s’e njef gogolin. Por mos kërkoni prej tyne t’ua përshkruejnë, pse njatë nuk dijnë ta bajnë. Si edhe zoti, thonë, ndjehet, por nuk mund të përshkruhet, as t’epet ndoj definicion konkret mbi të. Prandaj mos kerkoni t’ua përshkruejnë gogolin, se këtë as njerzit e rritun nuk dijnë ta bajnë. Por ju ndoshta mendoni se për njerzit e rritun nuk ka gogol? Gënjeni, ka.
Gogoli ka hapë shalët nga njena anë e kontinentit në tjeter. Njerzit e vegjël, si liliputanët nen shalët e Guliverit, në mes të dyja kambve të tij, bajnë parakalime demonstrative. Plot pompë, plot fjalë kumbuese nga uniformat shkëlqyese, plot gjithcka, por pa at që mban frymën. - Zot, na shpëto nga gogoli! Dhe dambaradamet e kumbonave dhe lutjet me parfume. Anatema, mallkime, alarme. Gogoli! Njerzit e vegjël që gjenden n’errsinë autosugjestionohen, se errsina krijon gogola. Ndoj rreze drite e ardhun me germa të ndoj shtypit te shenjtë, u ep iden e gogolit. Asht si King-Kongu fantastik. I tmerrshmëm. Me nofullat gjakpise dhe me dhambë si shpatat. Qe si njerzit e vegjël paraftyrojnë gogolin, prej të cilit duen të shpëtojne dhe me lutje:
“Zot, na shpëto nga gogoli!” Dhe në frigë kolektive, në panik, psikologjia e njerzve dhe e shtazve asht një. Njerzve të vegjël nga frika e gogolit mund t’u bijë edhe pika. Por, zot, shpëtoji nga trute e smundë.
Frigën nga gogolat e marrin si e marrin dhe foshnjet nga nanat, të cilat duen të sigurojnë qetsinë për vete, e pse fëmia qan - ajo s’di gja.