
A. Shtjefni u lé në Janjevë (Kosovë) me 12 Korrik 1874. Mësimet fillore i krej në vend të vet e mësimet gjimnazjare në kolegjë françeskane në Troshan.
Parija e Urdhnit Françeskan vendoi qi djelmt shqyptarë të kësaj kolegje t’u çojshin me krye mësimet e veta në Provinçe Françeskane të Bosnes. Ndoshta parija e Urdhnit mendoj se, tuj pasë kênë Bosna mâ se 400 vjet nden sundim të Turkut, Françeskant e Bosnes kishin muejt me u dhânë Françeskanve të rí të Shqypnís nji edukatë qi mâ fort u pershtatej këtyne.
A. Gjeçov shkoi në Bosne në vjetë 1888 e me 15 Gusht t’atij vjeti hini n’Urdhen Françeskan në Kuvend të Fojnicës. Mbas vjetit të provës vijoi mësimet liceale e filozofike në kuvende të Derventës e të Banjalukës e mësimet theologjike në kuvend të Kreshevës, kû pat rasen me ndêjë tri vjet me të permendunin vjershtar kroat A. Gegë Martiq, qi thirret Homeri i Kroacís. A. Shtjefni kje dashtë fort prej A. Martiq, i cilli at herë ishte mâ se 70 vjetsh e ndoshta me at mende të kthiellt të veten parashifte ça kishte kênë A. Gjeçov per Shqypní.
A. Shtjefni pat shokë klaset në mësime edhè tre Shqyptarë: Shtjefen Dod-Gegaj prej Vigut të Mirditës, i cilli para se të mbarojte mësimet, pat dalë prej Urdhnit Françeskan, e tash ka dekë; A. Fran Koliqin prej Cernagoret të Kosovës, i cilli kje vrá në Laç të Kurbinit me 16 Tetuer 1919; A. Pashk Bardhin, i cilli në kujtim të paharrueshmit kolegës së vet po i shkruen këta pak rreshta mbi jetë të tij.
Mbasi krej mësimet theologjike, kje bâ meshtar me 25 Korrik 1896, e me nji herë kthej në Shqypní, e tha meshen e parë me 2 Gusht t’atij vjeti në kishë të Troshanit.
Sherbej si famullitar në Pejë, në Laç të Kurbinit e në Gomsiqe (Mirditë). Si famullitar u dá në shêj gjith herë per zéll e mësime fetare e patriotike, qi i nepte popullit qi i ishte lânë në kujdes, e tuj i dalë zot kundra padrejtsive. Kohen e luftës balkanike gjindej famullitar në Gomsiqe, e veç nji Zot e din shka hoq tuj mprojtë popullin. Diftoj urtí të madhe, por edhè energjí të fortë. Prandej kje dashtë e çmue fort prej popullit.
Provinçja françeskane e Shqypnís dijti me i çmue zotsín e meritimet e tija, tuj e bâ mësues në kolegjë Françeskane, Guardjan në kuvend të Gjuhadolit në Shkoder, Definituer e Sekretár Provinçjet.
N’at kohë qi A. Shtjefni filloj apostullimin e vet, literatyra e gjuhës s’onë ishte në fillim të vet, e A. Gjeçov kje nji nder atà shkrimtarë qi mâ së mirit me shkrime të veta i ndimuen literatyrës. Me shum kujdes shkoj tuj mbledhë prej popullit fjalë e fraze, të cillat i perdoroi në botime të veta.
Librat e botuem prej A. Gjeçov janë:
- Jeta e shë Luçís, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit, në vjetë 1904.
- Agimi i qytetnís, në vjetë 1910.
- Shna Ndou i Padues, mbas A. N. Dal-Gal, në vjetë 1912.
- Atil Reguli. Perkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjeter Metastasit, në vjetë 1912.
- Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark, mbas A. F. prej Bergamos, në vjetë 1915.
Por nji êmen të padekshem fitoj A. Shtjefni me botim të Kanunit të Lekë Dukagjinit, qi e permblodh prej goje së popullit, e e botoj së parit në „Hŷll të Dritës“, e tash po del liber në vedi. Mbi ket veper po bâhet këtu nji studjim i posaçem.
A. Gjeçov kje çmue edhè si arkeolog. Vjetersít qi aj mblodh neper Shqypní e qi ruhen në muzé të Provinçes Françeskane në Shkoder, kjén çmue fort prej arkeologjvet, si prej prof. Marucchit n’ekspozicjon të Vatikanit; prej Dr. Ugolinit, Drejtorit të misjonit arkeologjik italjan në Shqypní; prej baron Nopcsës e tjerë. Sá intelektual shqyptarë e të huej qi kan vizitue muzén françeskan, e kan levdue fort kolekcjonin arkeologjik t’A. Shtjefen Gjeçov.
Ky pat perpjekje me njerz mâ të permendun të kohës së vet, Shqyptarë e të huej. Ket punë na e bâjn dishmi letrat e marrdhânjeve të tija, të cillat ruhen në bibljotekë të Provinçes Françeskane në Shkoder, e me kohë kan me muejt me vjeftë si dokumenta per historí t’atdheut t’onë.
* * *
Provinçja Françeskane e Shqypnís, perpara luftet Europjane, ka pasë në Kosovë shêjtnoren e shëna Ndout në Gjakovë, e kater famullija: Pejen, Zllokuqanin, Gllogjanin e Zymbin. Mbas luftet Europjane i u desht me i a lëshue këto vende Provinçes Françeskane të Bosnes. Por mbasi n’ato vende populli ishte shqyptar, e Provinçja e Bosnes nuk kishte freten qi dijshin shqyp, parija e Urdhnit Françeskan i urdhnoj Provinçes s’onë me çue disa freten t’onë n’ato vende per sherbim fetar t’atyne popujve. A. Shtjefni, qi ishte Kosovar, kje nji nder atà qi lypen me shkue në Kosovë, e kje shenjue famullitár në Zymb. Pak dit para se t’a vritshin, pat ardhë në Shkoder e në Tiranë per me u pá me miq e dashamirë. Kúj i vejte mendja at herë se A. Gjeçov së kishim per t’a pá mâ me sŷ?
As prej Provinçjalatit Françeskan të Bosnes as prej fretensh shqyptarë qi janë në Kosovë nuk kemi muejt me pasë ndonji lajm mbi rrethana të të vramit të tij. Por parija e Provinçes s’onë terthueras ka muejt me pasë këto lajme të sigurta: Me 13 Tetuer 1929 dy vetë veshun ushtarisht e lajmuen A. Shtjefnin se Prefekti e thirrte në Prizren. N’e nesre me nji polic të Bashkís e me leterprûsin e postës u nis e shkoi në Prizren, e lajmoi Ipeshkvin per të thirrun qi i kishte bâ Prefekti. Mbasandej shkoj te Prefekti, por ky i tha se nuk e kishte thirrë. Prej këso pune A. Gjeçov dresht mos t’i u bâjte ndoj pusí, e kthej te Ipeshkvi e i kallëxoj shka i kishte ndollun. Ipeshkvi desht me e ndalë mos të kthejte at ditë në Zymb. Por, mbasi do të niseshin dy shokët qi kishin ardhë me té, dresht se n’e nesre do të kthejte vetem, e prandej kthej at ditë me ata të dy, me të cillët kishte ardhë.
Mbasi paten kalue Drinin, tuj kalue nji prozhem, kje gjuejt me pushkë, e nji plum i rá në krye afer sŷnit të djathët. Atà dy vetë të pa armë, qi ishin me A. Shtjefnin, iken e, mbasì ky kje rrëxue per tokë, dy gjaksit duelen mballafaqe. Ishin dy vetë veshun si ushtarë, mbas gjaset, shi njatà qi i kishin çue lajmin se e thirrte prefekti. Këta, mbasì e shanë A. Gjeçov me fjalë të poshtra, qiten edhè gjashtë herë në té e e lanë dekun. Këjo punë ndolli me 14 Tetuer 1929 n’oren 3 mbas mjesditet.
Ndonsè në rrethe të Prizrenit e të Gjakovës e dijnë të gjith se kush janë gjaksit e A. Shtjefnit, me gjith këta na vjen keq, pse nuk rezulton qi atyne u ka hî ferrë në kâmbë per ket punë.
Lajmi i vrasës s’A. Shtjefnit theku zemrat e gjith Shqyptarvet, pse të gjith e paten dashtë e çmue si letrar të vjefshem e atdhetár të flakët.
Me 26 Tetuer, 10 dit mbas kësaj ndollje, në Kishë Françeskane në Shkoder i kje bâ nji salikim i madhnueshem, në të cillin mueren pjesë gjith Ipeshkvijt e Shqypnís, qi n’at rasë qilluen në Shkoder, bashkë me Delegatin Apostolik; Auktoritetet qytetnore e ushtarake; Korculladet e shteteve të hueja, kleri katolik shekullar e rregulltar e nji shumsí e madhe popullit.
Me 11 Nânduer, neper inicjativë të deputetvet katolikë, i kje bâ nji salikim i madhnueshem edhè në kryeqytet, Tiranë, në të cillin mueren pjesë Kryeipeshkvi i Shkodrës, Emz. Lazer Miedia, Ipeshkvi i Lezhës, Emz. Luigj Bumçi, Shkelqesa e Tij Musa Juka, Ministri i punvet botore, Provinçjali i Françeskajvet, A. Vinçenc Prennushi, me poetin komtár, A. Gjergj Fishten, i cilli mbajti fjalimin e permortshem; Kryetari i Parlamentit e gati të gjith deputetët; Auktoritet qytetnore e ushtarake e nji shumsí popullit.
Bashkija e Shkodrës në kujtim të tij ja ndrroi êmnin Rrugës së Spitalit — qi prej Udhe së Madhe kundruell Bashkijet del n’Udhen Skanderbeg — tuj e thirrë Rruga Atë Shtjefen Gjeçov.
Pushosh në paq, o Atë Shtjefen! Provinçja Françeskane e Shqypnís e atdheu mbarë, të cillët ti aq fort i deshte e per të cillët aq fort u mundove, e i nderove me vepra t’ua, kurr nuk kan me të harrue.
A. P. Bardhi, O. F. M.
Lekë Dukagjini