Parathâne

1. — Randsija e Folklores komtare.

Kushdo nieri i leters e i kalemit, e qi të jetë i zoti me perftue në mende të vet idén «Atdhé», kupton mirfillit randsín e madhe qi per kóm ká në vedvedi të mledhunt e «folklorës» së tij komtare.

«Folklora» âsht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, më të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujvet; âsht cehja e pashterrshme e gjuhsís e e letersís komtare. «Folkloren», po, do të skjyrtojsh, po deshte me shkrue historín e komit, e cilla me hamende nuk shkruhet, por qi edhè pa tê komi jetë nuk ká; «folklores» do t’i siellesh, po deshte me shtue pasunín e gjûhës me fjalë të permvehtsueme, me frazeologí shprehsore, me shembulltyra të gjalla, dramatike; në «folklorë» prap ké me ndeshë më type mâ të nalta, më karaktere mâ të forta, e më motive mâ t’ardhuna e të perkueshme per zhvillimin e leteratyrës komtare. — Epopét mâ të mdhá e mâ të bukura të botës: si nji «Iliade», nji «Shah-Name», nji «Niebelungen», nji «Fingal» etr. etr. kan ngallitë e janë zhvillue mbí bazen e «folklorës» komtare.

Mjerisht disa nder atà të bij të fisit shqyptar, qi mbahen per intelektuala e udhëhjeksa të fatit e të shartevet të komit, por qi shkolla, neper të cillen paten kênë pershkue, nuk mrrîjti me u a qirue shpirtin krejt prej zdramit të do parimeve sterelizuese e shkatrrimtare, e as me u a hjekë at lmashk pedantizmi e kulimlleku vagabond-modern, qi atà quejn «kulturë», perbuzin njomsín e vallevet popullore, bâjn n’asgjâ bukurín gjithmonë të njethtë e të kerthnestë të rapsodijavet kreshnike, kerveshin buzen mbí randsí të vendimevet të kanunit doketar — droit coutumier — mbí fjeshtsín e artë të mytologís, të prrallavet, e mbí marë «folkloren» t’onë komtare. E pra, sa bukurija thânjesh, sa njomsija e naltsija mendimesh nuk âsht strukë permbrenda ksajë «folklore», më të cillen ká punue psihja heroike e komit marë e i kan rá më limë kavaljetet e gjata, të palodhshme! Per shembull: kû m’a ké — s’po tham në leteratyrë shqype: se mâ kjo e shkreta hecë faqet per dhé, si grami; por edhè nder leteratyra të reja të komevet të gjytetnueme — nji pershkrim, prû me njyre mâ të gjalla, me shembulltyra mâ të pershtatuna, e me nji burrní mâ bujare, mâ fisnike e të njerzishme mbí hijeshín e nji vashe, se, pershkrimin, me të cillin fatosi i rapsodís «Martesa e Halilit», botue në «Hýll të Dritës» (1924, f. 261) paraqet hijeshín e Tanushës, së bijs së krajlit:

„…E un Tanushen vetë e ko’ pa,
Kúr kem pasë besë me krajlí:
Gjâ mâ të mirë s’shef nieri nen ket diell?
Vetulla e sajë ndrejt, si fiskaja[1];
Shteku i ballit, si shteku i malit,
Kúr merr hana me prendue;
Syni i sajë, si kokërra e qershís;
E ká qerpikun, si krahi i dallndyshës;
Ftyra e sajë, si kuqet molla m’degë:
Hunda ndrejt, si kalemi i Tushes[2];
Goja e vogel, si lulja qi shperthen;
Dhâmët e bardhë, si gurzit e lumit,
Fíll mbas shiut, kúr po i shndritte dielli;
Qafa e sajë, si qafa e pllumit;
Shtati i sajë, si 'i shtat çetine;
Misht e dorës, porsi rremi i shemshirit“.

Kû e ká Petrarka — mbreti i vjerrshës së bukurís e të dashtnís — nji pershkrim të hijeshís së grues mâ të bukur se ky? Petrarka, mshilë prej mbramjet n’odë të vet, hupë — të thuesh — krejt nder libra e karta të vjetra, në dritë të zbetë e të marrët të nji flake kandili vojit, e cilla herë trashet e herë tëhollohet — thue se po fiket m’ilik të vetin të shkrûmuem: grumullue në magazinë të fantazís së vet allabastra, fildisha, ixhí, zadefa, perle etr. qi ká mûjtë me pá kund në ndonji kishë, në ndonji salon, a duqan sendesh të rralla e të kushtueshme: si edhè kroje e gurra të hartueme, lule e lulishta, kodra e suka të blera, ograja e senjore zotnísh etr. edhè me nji cenë, me nji duresë pernjimend monakale, vêhet e pershkruen në poezí idealin e vet të bukurís — Lauren, tue peshue ç’do mendim, tue matë ç’do fjalë, tue limue ç’do germë; e gjithmonë tue fshâ, tue rektue mbas sajë, sa qi edhè sod — mbas gjashtqind-shtatëqind vjetsh — të bâhet se po i ndîen ato të fshâme e të dihame të tijat. Ndersa rapsodi i malevet t’ona neper biga e hije blinit — atjè kû ktheter-rrëmysja shqype murrojë bân çerdhen neper gallushtra të stênavet t’ashklatisuna, çá neper duhme të ndonji rrfeje zharritse, dermuese — gjithkah âsht rrethue me madhní të pamatne të natyrës e me at bukurí dermore të luginavet të karmatisuna e të grykavet t’errta hijet të qarravet e të lisavet disa herësh shekullorë. Ktej nji mal i blertë, me vithna, thana, e stane; andej nji bjeshkë e naltë e rryeshme, randë ngarkue me borë; pertej nji humnere mija metrash shpatit të malit thikë n’teposhtë zgavrrue; në fund t’asajë humnerje nji lum tue gjimue zallit; nji çuterr m’at anë, krejtë bardh prej shkumet, tue u dikue nper krepa: e gurgullo gurra të cemta, e vallzo bylbyla neper brej, aha e çetina: edhè huti tue hukue, edhè ujku tue ulrue, çakalli tue lehë: prap tingllo koçana e capit, blegro kingji i delmes, thuja bariu kangës «terthorçe» e «maje krahit», çurliko fýll e zanamare: kce blegreshat hijevet, porsì Zanat mrizevet: e rrethon, po, nji jetë, nji gjallní, nji galldim, nji gaz, si gazi i prendverës së rruzullimit! Edhè ky, rapsodi, a se në zheg të ditës te mrizi i ahit, a se në mbramet mbas darke urë voters së vet mirëpritse, kapë lahuten në dorë, e plot menden e zêmren me Zot e Shen Nkollë, me Orë e me Zana, me drangoj e kulshedra, e me fatosa, kreshnikë, pleq, krén, bajraktarë, pansira, heshta, armë të ngrîjta, tagana, kual mejdanash, besë e burrní shqyptare, pa matë vjerrshë, pa lmue fjalë, e rrmye mendjet në naltsí e bukurí t’argumentit, lshue krejt vedin m’flatra të fantazís së vet t’entuzjazmueme — si thote Ovidi:

Est deus in nobis; agitante calescimus illo,
Sedibus ætheriis spiritas iste venit.[3]
(Fast., VI, 6-7).

tue perkue zanin me tingell të lahutës, i a hîn me pershkrue bukurín e Tanushës, së bijs së krajlit, e tue e ndigjue nji qiell e kaltert, do bjeshkë të nalta, ulkoja e bylbyli, e shokët e vet zêmret bujare, kndon: «E un Tanushen vetë e ko’ pá — Gjâ mâ të mirë s’shef nieri nen ket diell»! E pse s’din shka janë allabastrat, fildishat, ixhít, zadefat, perlet, mergjanet, rubinat e tjera kso çikrrísh salonash e duqanesh, per me pershkrue nji bukurí jo grueje, jo fêmne — e cilla e hiejshme mund të ndollë edhè në mal, në fushë, në stan e nder shpija të nderit të dyshimtë — por bukurín e nji vashe fisnike, e të nji typi grueje bujare, ky — Titan i rí — me fuqí të fjalës së vet rrmyese, të pushtetshme, perkulë madhnín e natyrës nen lëmaje të harkut të lahutës së vajtueshme, edhe merr ktû nji shtek malit, kû prendon hana: atjè nji çetinë: pertej molla, qershija; nji qafë pllumi, nji krah dallndyshe: gurzit e lumit, fíll mbas shiut kúr po i shndritte dielli, lulet qi shperthejn: prap kalemin e Tushës, rremin prej shemshirit, edhè kta, kaq me nji forcë e gjallní shembulltyrash, naltsí mendimesh, pershtatsí e permvehtsí fjalësh, sa me të vojtë mendja, se jé tue ndigjue kund ndonji thermí të «Titanomakís» s’Eziodit. Posë të dámit të Hektorit prej Andromaket, pershkrue prej Homerit n’Iliade, nuk më bjen nder mend, se kam lexue kund ndonji pershkrim mâ të frymzuem me fisnikí e me burrní, e kû titanizmi e njomsija e shembulltyravet të perkojn mâ ambel me naltsín e idévet, se ket pershkrimin e rapsodit malsuer mbí bukurín e Tanushës, së bijs së krajlit. Prandej, mund të jét, ndoshta, se «Laura» e Petrarkës âsht nji «Venus», mbrû m’shkumë të detit; por sugurisht se «Tanusha» e rapsodit të Dukagjinit âsht e bardha ajo «Athenaja», shperthye e armatisne prej rrashtet të Zeusit rruféflakrues.

Prej ktyne fjalve shifet kjartas randsija e madhe, qi per kóm mund të ketë të mledhunt e «folklorës» komtare. E do vû n’oroe, se ktû, prej ngushticet të vendit, kjo randsí u prû vetem në pikpame estetike-letrare e tue skjyrtue vetem nji degë të «folklorës»: poezín popullore. Po t’ishte vendi, po t’a lypte puna me e peshue ket randsí nder të gjitha pikpamet shkencore e letrare, kishte me u pá fort mâ kjartë detyra, qi ká Qeverija e intelektualt shqyptarë, mendjet të kthjelltë e vullndeset të mirë, me u perkujdesë per të mledhunt e të bashkuemt e ktij visari komtár, qi âsht «folklora».

2. — Randsija e të mledhunit të ligjvet dokesore.

Françeskâjt shqyptarë kjenë njatà, qi nder mâ të parët në Shqypní pán randsín e madhe e ndîen nevojen e të mledhunit të «folklorës» komtare; e nder kta mâ i pari kje — dritë pasët! — Át Shtjefen Konst. Gjeçov, qi me zéll, entuzjazm e duresë i u vû ksajë pune.

Të kryemen kndimet e veta e të marrmen qi muer Urdhnat e Meshtarís, ky françeskan i shkelqyeshem me nji herë i a nisi me mledhë kangë e valle popullore, prralla, bestytní mitologike, thânje, fjalë e kashë — të lashta, lojna, lojë fjalësh, fjalë synonime etr. të popullit t’onë. Edhè mbas pak vjetsh bashkoi nji materjal folkloristik mjaft të madh. Françeskâjt, at herë, ndertuen mbrenda rrethit të vet vepren «Visari komtar», per të mledhunt e të botuemt e «folklorës», në të cillen veper mueren pjesë edhè do djelm civila, atdhetarë entuzjastë shkodranë. Edhè kshtû vjetin 1910 botuen të parin blê të ktij kolekcjoni folkloristik, nen titullin: «Visari Komtar» të perbâm prej kangësh, vallesh popullore e rojmesh fmijsh, të mledhuna — sidomos prej A. Shtjefen Gjeçov — n’anë të Gegnís. — Kjo veper do të kishte vijue botimet e veta metodikisht, por erdhen kryengritjet, luftat, kohët e vshtira e jo veç se nuk u botue mâ ndondi tjeter blê, mu hupi shumica e materjalit të bashkuem.

Gjatë ksajë kohe A. Sh. Gjeçov, tue vijue gjithnji me nji cenë e duresë të pa shoqe nder rmime të veta folkloristike, kishte bashkue shum materjal mbí Kanunin e Lekë Dukagjinit: e kúr Françeskâjt (1913) ndertuen të perkohshmen «Hylli i Dritës», nisi me botue m’tê numer per numer shinimet e pikzimet e veta mbí kanûn. Botimi i ktij studjimi të tij mbí kanûn kje pritë me entuzjazm prej Shqyptarësh e prej dijetarësh jashta Shqypnijet. — Disá profesora Akademísh e Universitetesh: nder të cillët edhè Thallòczy: me inzistenca të mdhá lypen prej drejtimit të së perkohshmes autorizimin, qi me mûjtë e me perdorue ato studjime nder vepra të veta. — Nderkaq A. Shtjefni vijote pa i a dá kurr nder rmime e studjime mbí kanûn, edhè pat shtue materjal tjeter të rí kshtû, qi botimi definitiv i kanunit do të kishte dalë, nen ç’do pikpame, nji veper pernjimend fort e interesantshme. Veç shka se u vrá mizorisht në Jugoslaví, e i hupen edhè dorshkrimet, posë qi vepra i mbet pa krye. Tash, Françeskâjt i kan bâ bashkë kto studjime t’A. Shtjefnit Konst. Gjeçov, të botueme rresht mbas rreshti në «Hýll të Dritës», e po i botojn tok në nji liber: të sugurtë se me ket veper i ngrefim nji pomendore të padekshme êmnit t’Auktorit, e nji sherbim të pelqyeshem marë komit shqyptár.

Me të vertetë se neper botim të «Kanûnit të Lekë Dukagjinit» i bâhet komit nji sherbim i dobishem, mbasì per ç’do nji Shtet, qi thotë, se do me jetue e me u zhvillue mbas parimeve t’arsyes e të hullís së gjytetnís së vertetë, ligjët gojdhânse e qi permlidhen në kanunin doketar të komit, kan nji randsí të madhe fort në vetvedi: e se prandej duhen pasë para sŷsh prej gjith njatyne, qi presin e zbatojn ligjët e Shtetit.

Të bashkuemt e shum njerzve nuk mund të quhet — shoqní, po s’paten të gjith nji qellim të perbashktë. — Qellimi i perbashktë paracakton natyren ase esencen e shoqnís civile të Shtetit.

Nieri ndollë në shoqní në nji mëndyrë të domosdoshme: prandej nieri âsht i detyruem me bashkveprue me tjerë shokë, per pranimin e qellimit të perbashktë. — Veprimi i perbashktë konsolidon ekzistencen e Shtetit.

Per me veprue mbas nji qellimit, nierit i duhet me kqyrë neper arsye, qi mjetet të jenë të perkueshme me pronim të qellimit: neper vullndesë me nzitë fuqít shpirtnore e fizike per pronim të ktij qellimi. Prandej, per me bashkveprue nieri me shokë tjerë, per nji qellim të perbashktë, lypet arsyeja e vullndesa. — Arsyeja e vullndesa zhvillojn perparimin moral e materjal të Shtetit.

Por arsyeja e vullndesa, qi do të bâjn me veprue kolektivitetin në hullí me pronimin e qellimit, per arsye qi gjithkush i shef e i kupton, nuk mund të jenë individuale, por kolektive, — të perbashkta. Ligja âsht arsyeja e perbashktë; Auktoriteti vullndesa e perbashktë. — Në të pershtatunt me ligjë e me auktoritet ngallitë lumnija e mjerimi i Shtetit: i gjytetasvet marrë kolektivisht e individualisht.

Tash, mâ së pari ligja, per me detyrue gjytetast, do të jét e drejtë ase e ndershme: pse ligja e padrejtë e jo e ndershme nuk mund të krijojë detyrë.

Së dyti, ligja do të jét e dobishme, e preme per të sjellë njimend të miren e posaçme: mbasì shî prej ksajë të mire ngallitë të kênunt e karakteri i ç’do shoqnije të konkretueme e i ç’do auktoriteti qi e qeverisë.

Por në çë mndyrë mund do të reshet kjo e mirë dobije të perbashktë? Mjetet do të jenë të pershtatuna subjektit, qi do të lvitet, do të veprojë: ligjët prá do të jenë të pershtatuna popullit, qi do t’i qesë në punë e jo vetem në pikpame t’idés shoqní, por edhè të rrethânavet individualizuese të tija (Tapparelli). Prandej nji ligjë mund të jét e mirë per nji vend e e keqe per nji tjeter (Beutham). Nji ligjë e preme, po zâmë, per ingliz, aleman e tjerë popuj të shtruem e të gjytetnuem, sugurisht nuk bân — sado e drejtë e e ndershme të jét — per rrebela të Balkanit, fatalista të Azís, kanibal t’Afrikës etr. Por edhè kodi penal, per arsye qi ndeshkimi do të jét i pershtatun me vehtjen qi ndeshkohet, si thotë Tapparelli, ndryshon mbas kohve, vendit e komevet; pse shekuj e popuj të ndryshem duen të mira të ndryshme. — Lodra, fjala vjen, dikúr edhè naten permallote gjinden në Shqypní; por sod merzitë gjithkendin edhè diten. Kohët ndrrojn, e na me to! Shifet kjartas, pra, se ligjët, per me kênë vertè të dobishme, posë se të drejta e të ndershme, do të jenë edhè të gjashme, due me thânë: të préme mbas psihes e mbas nevojve të njimendta të popullit, qi do t’i majë; e se prandej fuqija ligjdhânse e nji Shteti, para se të presë nji ligjë të ré, duhet t’a njofë mirë shpirtin e popullit e t’i peshojë sa duhet nevojët e kohvet e të vendit, per të cillat ajo ligjë pritet. Per ndryshe ligja del dhûnë e jo hullí jete. Prandej nji filozof i madh thote, se ligja, para se me kenë ligjë, âsht nji fakt — nji doke, zakon, „adet“ e se ligja e drejtë âsht të shprehunt e nji faktit të vertetë — ligjë e kanuni populluer. Kta nuk do me thânë, se dokja, zakoni, „adeti“ — kanuni të bâhet ligjë, pa kenë sankcjonue prej auktoritetit; por do me thânë, se nji auktoritet i drejtë do të prese ligjët, tue pasë gjithmonë para sŷsh doket, zakonet — kanunin e vendit.

Por kû mâ mirë e mâ kjarët se nder ligjë doketare të nji kanuni ligjdhansët e Shtetit kan per të njoftë shpirtin, karakterin e nevojët e verteta të popullit? Fuqija ktyne ligjve, mâ fort se prej sankcjonit të ligjdhânsve, u vjen prej faktit se janë bâ doke e prej vedit kan hî shî në jetë të popullit; e prandej janë mâ të gjashme, pse edhe influencen e kan mâ të madhe mbí masat, qi merr seicilli nder ato intereset e veta. Ligjët neper kohë e rrethâna ndrrojn: prandej edhe ligjët e kanunit do të ndrrojn; por, para se të ndrrohen, jurista të specjalizuem do të studiojn kohen, mndyren se si me i ndrrue, tue ruejtë gjithmonë frymzimin karakteristik të tyne edhè nder ligjë të reja, neper të cillat të zevendsohen. Kshtû kan punue të gjitha kombet e gjytetnueme, e dér dikû edhè Turkija vetë. — Prane Mehqemes Turkija mbate në Shqypní edhè Xhibalin, i cilli nder do çashtje gjykote mbas ligjvet gojdhânse të kanunit.

Prandej me gjith arsye tham, se botimi i «Kanunit të Lekë Dukagjinit», perpilue prej A. Shtjefnit Konst. Gjeçov, O. F. M. — dritë pasët! — i sjellë komit nji sherbim të dobishem, të pelqyeshem.

3. — Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Fjala kanûn s’ká dyshim, se etimologisht rrjedhë prej fjalet greqishte κανών, qi don me thânë: mastár — njajo vegel drunit a e ndonji brumit tjeter, qi vien me terhjekë viza të ndrejta. Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár.

Por pse i thonë: i Lekë Dukagjinit? qe nji çashtje e cilla enè nuk âsht zhvillue krejt mirë e me sugurí të plotë. Nji palë thonë, se quhet i Lekë Dukagjinit, per arsye qi ky Leka e paska mledhë e kodifikue i pari. Ktij mendimi duket se ká kênë edhè D.r Milan Šufflay, i cilli në librin e vet «Serbtë edhè Shqyptarët» (perkthye prej slavishtes) thotë faqe 90 — «Gojdhâna, mbas së cillës këto zakone ligjare të quejtuna me êmnin «Kanuni i Lekës», âsht në lidhje me Leken III. Dukagjinin» (1459-1479). E vertetë se Auktori i famshem, nuk thotë, se ky Lekë Dukagjini III. ká permledhë e kodifikue Kanunin në fjalë; por prej do vendeve tjera të librit të tij të sypripermendun mund të thohet edhè, se pernjimend Kanuni ká mûjtë me kênë kodifikue prej Lekës III.

Prej vepret të citueme të D.r Šufflay theksohen do fakte, qi mund të kenë të perpjekun me kodifikim të ligjvet në Shqypní. Qe nji herë Auktori thotë, (f. 23 et seq.) se që prej së të tremdhetes qindvjetë nder do gjytete të Shqypnís gjindeshin zyre noterjale, kû u shkruejshin e prej kahë u perhapshin lajmet gjygjtare të vendit. «Prej trajtës e prej mbrendsís së lajmevet noterjale shqiptare — dukljane, shkruen mandej (f. 25 et seq.) mund të xjerrim ndonji gjâ mbí farët e statutevet të gjytetevet…» Në nji tjeter vend mandej shton (f. 27) «…qytetasit e Durrsit kishin qenë të shternguem t’i mshehshin statutet e veta. Në fillimin e periudhës së Venedikut (1398) u gjet vetem nder Franciskâjt e atjeshem neni 35 i nji Statuti, i shkruem mbí papír». Paska pasë pra aso kohe statute të shkrueme në Shqypní.

Mâ teper (op. cit. f. 87 et seq.) Dr. Šufflay kallxon, se si rreth së të tremdhetës qindvjetë filluen me u trajtue në Shqypní si do republika të vogla të perbâme prej disá fshatesh a bajrakësh, «tue marrë me vedi dý elemente të reja: nji ushtarak e nji ligjuer» Kshtû (1414 «e mâ tutjè») bâhet jashtzakonisht i fortë fisi i Hotit, kryetari i të cillit quhej: Kapetan (Capitaneus montanae Hottorum), e rreth vjetit 1415 trajtohet lidhja e bajrakvet të Mirditës, e cilla aso kohe mund të dyndte nji ushtrí 12,000 luftarësh. — Se do të ketë pasë dikúr kso republikash të vogla në Shqypní, na difton — mbas mendimit t’êm — fakti, qi ktû ka vise, qi quhen me dy êmna pllojcë. Per shembull: Shalë e Shosh, Pukë e Iballe Shllak e Temal, Mat e Çidhen etr. Tash, tue kênë se Auktori thotë, se edhe Drishti n’interland të verit të Shqypnís — ká pasë Statutin e vet të kodifikuem (op. c. f. 25) nuk âsht krejt fjalë e pa vend, me thânë, se edhè kto republika kan mûjtë me pasë të kodifikueme ligjët e veta — mos seecilla m’vedi, nji kanûn të perbashktë të gjitha.

Masandej Auktori shkruen, (f. 91 e 180 op. c.) se disá nder kryetarë fisesh në Shqypní u naltsuen në dinast të pamvarun. T’a merr mendja prá, se kta dukë e princa, qi drejt per së drejti e n’êmen të vet lidhshin besë e merrshin e epshin me Shtete të mdhá t’Europës, s’do të kenë lânë mbas dore kodifikimin e ligjvet per vise të veta: mbasì aso kohe u gjindshin kso ligjësh e kso statutesh të kodifikueme. Prandej âsht të gjith gjasa se «Kanuni i Lekë Dukagjinit» dikúr ká kênë i kodifikuem. Ket punë e dishmojn edhè analogít e shumta, qi ligjët e Kanunit të sodshem kan me ligjë të Romës, të Byzantit, të Serbvet. — Merret vesht prej vedit, se, mbas të hîmit të Turqvet në Shqypní, «Kanûni i Lekës» ká hupë si formë kodi, e âsht perdhosë si landë drejtsije.

E po nder cillat vise të Shqypnís qitej në punë, a — si thonë sot — zbatohej «Kanuni i Lekë Dukagjinit»? Qe nji tjeter pvetje, së cilles nuk mund t’i pergjegjet me sugurí; pse mjerisht per shum do arsye mungojn shenime pozitive mbí ket çashtje. Por, per me folë pergjithsisht, mund të thohet se ká pasë vlerë legale nder Lekë (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin. — Dukagjini nder kohë të kalueme perfshîte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mirditë, Kthellë e Selitë e Zhuben (Malsín) e Lezhes. — Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kênë zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.

4. — Kanuni i Lekë Dukagjinit në pikpame juridike.

A ká pasë vlerë juridike «Kanuni i Lekë Dukagjinit»?

Kjo pvetje e kupton Kanunin në fjalë, si ky ká ngelë mbas pushtimit të Shqypnís prej anës së Turkut; pse, mbas fjalve qi u thanë sypri, merret vesht, se perpara ká pasë sugurisht vlerë juridike, due me thânë, se ká kênë mbajtë si ligjë e detyrueshme e visevet, kû ky Kanû shtîhej në pûnë.

Nji çdo shoqní, nji ç’do Shtet quhet i lirë jo aq pse ká per krye nji mis të vetin, sa per pûnë qi ligjët i ká të preme mbas psihes së vet, si edhè mbas nevojve të njimendta a se reale të veta. Per shembull: Shqypnija per katerqind e pêsdhetë vjet ká kênë robneshë e Turkut jo aq pse Sulltani i Turkís ishte edhè sovrani i sajë, sa per punë qi ky Sulltan ligjët per ktê i pritte me hamende të vet, e mâ fort se m’interese të ksajë, n’interese të Turkís a se të nji kastes rrebele, qi neper korrupcjon erdh tuj u formue permbrenda gjiut të sajë. Lirija e nji shoqnije a se e nji Shteti bazen e vet e ká m’vullndesë të kolektivitetit të tyne. Tash, tue kênë ligja hullija e vullndesës, nji shoqní a nji Shtet — per me folë mbas kensís së punës — nuk mund të quhen rob, po kje se kjo hullí e vullndesës së tyne âsht e çilne në drejtim të qellimit, per të cillin atà u unjisuen në kolektivitet. Kúr prá nji popull mâ i fortë pushton nji tjeter mâ të vogel a mâ të ligshtë, po kje se aj mâ i forti nuk e pushton atê mâ të ligshtin, per me e mbajtë rob; por, per me lehtsue neper ktê sa mâ plotsisht zhvillimin moral e materjal të vetin e të ktij, zakonisht populli pushtues i a lên të pushtuemit ligjët e doket, mbas të cillave ky kje sundue, mos tjeter, dér në nji kohë, në të cillen interesja e perbashktë e të dyvet mos t’u a kshillojë ndrrimin e tyne.

Kjo punë âsht vertetue heret e vonë në historí të popujvet. Per mos me folë mbí popuj të gjytetnuem të sodshem, të cillt të gjith — sidomos Inglizi — janë rregullue ndaj kolonít e veta mbas ktij parimi, ktû po bijmë nji shembull prej historijet të Romakvet. — Kúr Evrejt zûn Krishtin e i a çuen Pilatit, qi t’a gjykote per dekë, Pilati, (si kallxon Unjilli), u thotë atyne: «Merrnje pra ju vetë, e mbas ligjet t’uej gjykonje». Shifet kjartas pra, se Romakët, edhè mbasì kishin pushtue Palestinen, pergjithsisht m’ligjë e m’doke t’Evrejvet s’kishin prekë.

Por edhè Turku — sado qi jo Shtet i gjytetnuem — jo veç se maleve t’ona nuk u a preku Kanûnin e doket, mû mâ teper u a njofti nji autonomí të vertetë, tue i detyrue vetem me i nihmue nder lufta edhè vjetë per vjetë me i lá nji parez a se «haraç» të vogel. Edhè ket «haraç» qeverija s’do t’a xierte vetë drejt per së drejti mbrenda vendit të Kanunit, por do t’a mlidhte vendi e do t’i a dorzote qeverís Otomane jashta kutîve të kanunit. E verteta e kësajë fjale forcohet prej nji dokumenti të vjetës 1639, qi ruhet n’arkiv të hospicit françeskan në Shosh, gjetë e botue në librin «Skanderbegu mbas gojdhânash» (f. 122) prej P. Marinit Sirdani, e qi thotë: „Cum namque quidam Sangiacus, armis et militibus stipatis, ut eis (Dukagjinit) nova vectigalia imponeret et malis eos afficeret, et decrevisset contra consuetudinem ad eos intrare: quod ut primum cognoverunt, miserunt nuncium qui significaret, illos paratos esse ad defferenda consueta tributa usque ad confinia, et propterea eum haud debere ultro progredi“. Por, tue mos u vû vesh aj fjalve të tyne, i msyni, prandej, vijon dorshkrimi: „loca Maurichij, Scialae et alia contra injustum aggressorem conspirarunt et magna celeritate super exercitum irruentes, Sangiakum ipsum, pluresque milites occiderunt, et quod amore consequi nequiverant, ejectis Turkis, vi impetrarunt“. E vertetë pra, se Turku — mos tjeter — maleve të kshtêna u pat njoftë autonomín, edhè nji heri vleren juridike të Kanunit. Medjè Turku, per interpretim të Kanunit, ngrefi në Shkoder nji zyre të posaçme, «Xhibalin», krejt m’vedi e të pamvarshme prej Prefekturet të Vilajetit.

Nuk ká dyshim pra, se «Kanuni i Lekë Dukagjinit», kohen e pushtimit otoman në Shqypní, ká pasë vlerë juridike e âsht njefë per ligjë civile detyruese nder male të Mishkodres e në Dukagjin.

5. — Kanuni në sý të kulturës e të gjytetnís.

Jo vetem kundershtarët e komit t’onë por edhè shum do pedanta vêndas e muhaxhirë të Shtetit shqyptár Kanunin e mbajnë ligjë barbare e popullsín, kû Kanuni pat vlerë juridike, per njerz t’egjer. E lypë arsyeja pra, qi në ket studjim të vogel mbí Kanunin e Lekë Dukagjinit, të skjyrtohet edhè çashtja se ç’vend zên ky Kanû në sý të kulturës e të gjytetnís. Por, mbasì pergjithsisht «folklora» marë e në nji mndyrë të posaçme ligjët dokesore janë shprehja e psihes së popullit, qi kto ligjë i ká pré, kshtû, per me u sugurue a janë a jo ligjë barbare ligjët e Kanunit të Lekë Dukagjinit, duhet mâ para me pá, se ç’shkallë kulture ká xânë popullsija e malevet t’ona, qi ket Kanû pat mbajtë per ligjë detyruese të veten, dér në ditë qi Qeverija e vetë Shtetit shqyptar nuk i hoq vizë, edhè s’e pat shue fare.

Nieri prej natyret të vet lén i shoqnueshem: prandej shoqnija njerzore as s’âsht as s’mund të jét nji institucjon i nierit. Shoqnín njerzore e ká ndertue Njaj, qi krijoi natyren edhè nierin. Por Shtetin, si shoqní t’organizueme, ktê po se e ká ndertue nieri. Tash, nder të gjitha veprat e veta, qi janë të perbâme prej elementash të ndryshem e me veprim të ndryshem, por të drejtuem neper mende të nierit m’nji qellim të vetun, nieri kopjon vedin. Per me i a shenjue, prandej, nji populli shkallen e kulturës e të gjytetnís, duhet me njoftë nji herë mirë, se shka âsht nieri i gjytetnuem në shoqní njerzore.

Nieri, si vehtje individuale, âsht i perbâm prej shpirtit e trupit, qi kan per qellim të perbashktë pronimin e së të mirës (possessio boni) nen dý duksime: kohsore e të caktueme, e në relacjon me jeten shoqnore të nierit, marrë si individuum e si kolektivitet: të pacaktueme e të perjetshme n’amshim, e në relacjon me jeten fizike e individuale të tij. Por pse nieri m’ket qellim të vetin do të kapet jo neper instinkt, jo në fuqí të lvitunit e të ligjvet të domosdoshme të natyrës, veç neper veprim të vetin, gjithmonë të matun mas do parimesh morale a prej vedvedit të njoftuna a se të zbulueme prej së Vertetet të hyjnueshme, kshtû aj ká arsyen, qi e dallitë prej gjitha sendevet tjera e e bân mbret — sovran — mbí të gjith natyren; ká menden, per me dá rrugen e mjetet per me u kapë m’qellim; ká vullndesen, per me qitë në punë fuqít shpirtnore e landore e me vue mâ së miri detyrët ndaj Zotin e shoqin. Veç shka se, tue kênë qi sa mâ e kthjelltë e e zhvillueme të jetë mendja, aq mâ të perkryeme gjinden mjetet, per me u kapë m’qellim, e mâ e kandshme del jeta: e sa mâ fort e ushtrueme në të kryem të detyrvet të jetë vullndesa, aq mâ i letë e mâ i lirë del veprimi, kshtû nieri vijanos do të shkojë tue perfekcjonue vedin mbas gjêjes shoqnore të veten në shoqní njerzore; e prandej, posë detyrësh ndaj Zotin e shoqin, ká detyrë per të kryem edhè ndaj vedin. Mâ teper — per me e mbajtë gjithmonë të lakuem ndaj qellimin e vet — ká edhé zanin e ndergjegjes, qi i dikton se si i ká vue detyrët e perdorue tagret gjatë shtekut të ksajë jete kohsore. E nieri, qi s’e djerrë sŷsh kurr qellimin e vet — ashtû si e ká nen dý duksime — kryen detyrët e perdorë tagret me kohë, me vend, me mndyrë, e vijanos perfekcjonon vedin e mjetet e pronimit të qellimit, quhet e âsht pernjimend nieri i gjytetnuem.

Kshtû, per analogí, âsht njapernja edhè Shteti. Shpirti i Shtetit âsht popullsija perkatse, e trupi, pershtrimenija toksore mbrenda kufîjve të caktuem e të njoftun. Ky edhè ká per qellim të perbashktë pronimin e së mirës, nen dý duksimet e dý relacjonet sypripermenduna. Arsye, ká sovranin, qi e individualizon e njiheri konkreton pamvarsín e lirín e tij: mende, ká auktoritetin legjislativ: vullndesë, auktoritetin ekzekutiv: ndergjegje, auktoritetin judicjar, e qi të gjith janë të perbashktë e mbahen e veprojnë me mjete të perbashkta. E si nieri individuum, kshtû edhè Shteti do të perfekcjonohet e vijanos do të perparojë moralisht e materjalisht — kah aftsija e mjetet — si ndaj kolektivitetin si ndaj individujt. E Shteti, qi ká në vedi të gjith kta elementa, quhet e âsht pernjimend i gjytetnuem.

Ktû do theksue puna, qi qellimi i perbashktë cakton natyren e shoqnís e të Shtetit; aftsija a se perfekcjonimi moral e materjal, shkallen e kulturës e të gjytetnís.

6. — Shkallët e ndryshme të kulturës e të gjytetnís së popujvet.

Mbas ktyne parimeve shifet kjartas, se kultura mâ e perkryeme e perfekte âsht kultura kristjano-okcidentale; pse së pari qellimin e perbashktë e merr nen dý duksimet e relacjonet, qi u permenden sypri; pronimi i së mirës (bonum) në relacjon me jeten shoqnore — e mira kohsore e e caktueme — e njiheri edhè në relacjon me jeten fizike të nierit, e si ky âsht kreatyrë e individualizueme në rruzullim — e mira e pacaktue e e perjetshme — së dyti, perfekcjonimin e vet moral e materjal e bazon mbí parime të njoftuna prej vedvedit si edhè mbí ato të zbulueme prej së Vertetet të hyjnueshme. Ksajë kulture — posë Rusís së sotshme — i perkasin të gjith popujt kristjan — mâ të gjytetnuemt e botës. E kta janë Shtete pernjimend civile.

Mbas ksajë vjen kultura e atyne popujve, qi janë të perfekcjonuem kulturalisht e materjalisht; por qi perfekcjonin moral nuk e bazojn mbí parime morale të zbulueme prej së Vertetet të hyjnueshme, veç a se mbí parime prej vedvedit të njoftuna, a se edhè mbí parime të rrêjshme. Ket shkallë kulture kan pasë motit Grekët e Rromakët, e sod mund t’a ketë edhè ndonji popull, qi s’âsht kristjan, e mund të quhet: greko-rromake. Edhè kta popuj quhen civil, pse pergjithsisht janë të ndertuem mbi parime të Filozofís shoqnore.

M’treten shkallë të kulturës gjinden njata popuj, qi edhè atà kan per qellim t’unjisimit të tyne të miren e perbashktë, si kjo kuptohet prej kulturet kristjane a greko-romake, por qi prej erresijet të mendes, në të cillen kan rá neper rrethâna të vshtira per ta, nder perlime t’auktoritetit perkatës e në të prém të ligjvet pergjithsisht nuk marrin në kujdes perfekcjonimin kultural e materjal të kolektivitetit, tue i a lanë ket barrë krejt inicjativës private — posë se në të ndertuemt e në të mbajtun të ndonji vije ujit. Prandej nuk kan mjete materjale të perbashkta, edhè të gjith veprimi i auktoritetit — sado qi i ndertuem të shumen e herës mbí parime shoqnore t’arsyeshme — permlidhet m’kta: me pré ligjë, e me dá gjŷgj. Veç, po; moralit, burrnís, virtyteve familjare, nderit personal e kolektiv mundohen me u dhânë zhvillimin sa mâ të plotë, tue i mprojtë me ligjë, e tue i ushqye me ndiesí fetare e ndiesí nderi. E shî per kta do të jét, qi nder popuj të ksajë kulture feja e nderi kan randsín mâ të madhe e mâ decizive. E pse popullsija e ktyne shteteve zakonisht jânë të gjith t’armatisun, e të dám nder fise si janë, e mâ teper mprojtja e nderit privat të fisevet të ndryshme e të personavet de fakto i lêhet inicjatives private, e kshtû, virgjin tue kênë prej do vesesh shkatrrojse të vullndetit e të fuqís fizike, si edhè menden plot idealesh trimnije e lumnije, tash e mâ vonë prej asajë popullsije dalin fatosa, qi kryejn pernjimend vepra heroike. Prandej kjo kulturë mund të quhet legendare a se heroike, pse në tê edhè, si nder ligjë si nder doke, gjithkund zotnon parimi i lirís, i nderit e i burrnís. — Aj Agamemnoni, Akili, Uliksi, Dhiomedi, Herkuli etr. nuk jânë kênë barabarë, sado qi, në kuptimin e vertetë të fjalës, as të gjytetnuem, jo.

E katerta shkallë u perket atyne Shteteve, kû per qellim nuk âsht e mira e perbashktë, por ajo e sovranit a se e kastes zotnuese mbí popull; edhè mjetet e perbashkta perdoren per me zdeshë popullin e me i pengue lirín. Në ket gradë kulture sovrani quhet: tiran, e populli: raja. Kjo shkallë kulture âsht fjeshtë barbare. M’tê jânë gjetë shum Shtete t’Azís e t’Afrikës.

E pêsta e mâ ulta shkallë kulture perbâhet prej familjesh zakonisht të nji fisi, t’unjisueme nen nji krye e me të vetmin qellim, qi me mprojtë ekzistencen fizike, e qi mâ të shumen e herës nuk kan vend të ngulun, as ligjë të perbashkta, per posë haëmendes së Kryetarit të tyne. Gjindja e ksajë kulture quhen: t’egjer.

7. — Shkalla e kulturës e popullsís nen kanû të Lekë Dukagjinit.

Tue ndjekë kto parime e mbas kontekstit të Kanunit, kishte me thânë nieri, se kultura e popullsís së malevet t’ona e kû ishte nji fuqí Kanuni i Lekë Dukagjinit, hinë në të treten shkallë të rendit sypri rreshtue.

E vertetë se Kanuni ka ndonji ligjë e në popull ká metë ndo’i doke, si b. f. të perjashtuemt e grues prej çë do tagrit civil, vercalli e gjâma mbî të dekun e ndonji tjeter këso dore; por, të thuesh, të gjitha ligjët tjera perkojn me ato të Romës, të Bizantit, të Kanunit dokesuer të Teutonvet, të Slavvet, të Hindjanvet, ase nuk hîjn në rrethin e ligjvet barbare. Se në popull të malevet t’ona ká metë ndonji ligjë jo krejt civile, këta ká ndollë per arsye, qi Shqypnija tash e mâ vonë që prej kohvet para Krishtit ká kênë parashtrue të msŷmevet e invazjonevet të hueja e gadi gjithmonë giatë bregut të detit e fushavet të plleshme të saja. Kshtû populli i malevet t’ona met i vetmuem edhè i shkputun prej kontaktit me vise shqyptare mâ të gjytetnueme. Këta të shkputun u vertetue edhè mâ teper neper autonomí, qi ktyne malevet u a njofti sundimi otoman. Prandej mund të pohohet se të gjith zhvillimi gjytetnues i tyne mvarej prej parimevet fetare kristjane e të ndonji tradicjonit, trashigue prej ndo’i kulture të hershme e të shueme. Veç se arsyeja mâ e forta, qi si kundershtarët e kombit t’onë si edhè shum do pedanta semi-analfabeta perdorin per me vertetue barbarsín e ligjëvet, egersín e popullsís, nder të cillat pat fuqí Kanuni i Lekë Dukagjinit, pa dyshim âsht: «gjaku» — la vendetta. Prandej po më kândet me e shtrî biseden pak mâ giatë, e po bij këtû shka do vjet para shkruejshe mbî ket çashtje në librecin «Shqyptarët e të Drejtat e Tyne», Shtyp. Franç. 1920 faqe 15-17:

Ktû vjen tash puna e gjakut — la vendetta — prej të cillit fakt kundershtarët e Shqypnís e pedantat presuntuoza t’onë duen me prû egersín e popullsís së malevet t’ona.

Kurrkush mâ fort se un — si kishtár katolik — nuk mund t’a dnojë punen e gjakut në vedvedi e të marrne si nji fakt të zdeshun prej mndorjevet, ndermjet të cillavet ndollë. Veç shka se, per me caktue gjêjen shpirtnore a âsht a s’âsht barbare në nji njeri ase në nji kómb, nuk do të merret aq fort në kujdes fakti, sa shkasi psihik, qi e shtŷn njerin ase kombin me veprue. Bje fjala: Kanibali mytë nji njeri, por edhè gjykatsi europjan mytë njeri: a thomë na se të dy janë njâ barbarë? Jo; pse Kanibali mytë njerin per me i hanger misht, e prandej âsht barbar; ndersá gjykatsi europjan mytë njerin, as per me i hanger misht, as per me shfrye mnín e vet në tê, por per me pshtue shoqnín prej nji elementi të rrezikshem, e prandej nuk âsht barbar. Per ne e marrshim pra punen në pikpame psihologike, un tham se puna e gjakut në Shqypní nuk âsht nji argument per me percaktue barbarsín e egersín e kombit shqyptár; por âsht rezultati i do mndorjeve, qi nuk mvaren prej shpirtit të ktij kombi.

Mbas Kanunit, qi âsht të shprehunt e shpirtit të kombit shqyptár, vrasa âsht e ndeshkueme me dekë. Prandej, po t’i kishte rá gjaksi në dorë auktoritetit eksekutiv të Kanunit, ky do t’a kishte mytë në vend, pa kurrfarë hutimit. Por gjaksi biku; lshoi vendin e vet e vojt e u struk, si mik, nên mproje të njij Bajraku tjeter, e kshtû i rrshiti gjygjit të Bajrakut të vet. — Duhet dijtë, se miku në Shqypní âsht i patrazueshem e s’mund të ngîtet prej kurrkuej; pse, po ndolli qi ngau kush mikun e knej, kjo dhûnë e bâme mikut s’mund të lahet ndryshej veç se me gjak prej anës së mprojsit të tij. Kshtû ndolli qi auktoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk mujten me i a dhânë ktij ndeshkimin e dekës, tue kênë se, po t’a kishin vrá në ndore të Bajrakut tjeter, do t’ishte ngrehë luftë ndermjet ktyne dý bajraqevet. Per mos me i dhânë shkas pra njaj lufte civile auktoritetet e Bajrakut të gjaksit, i dogjen shpín gjaksit — i vetmi ndeshkim qi, mbas mndorjevet të vendit, mund t’i epet — e per shka i perket ndeshkimit të dekës, i a la ket perkim shpís së të vramit, qi t’a kerkote e t’a vritte gjaksin; pse në ket mndyrë mund të bite në kundershtim, per shkak të vrasës së gjaksit, ndermjet të shpís të të vramit e shpís mprojse të gjaksit; por jo ndermjet të njanit Bajrak e tjetrit. E ket punë kan mujtë me e bâ auktoritetet e Bajrakut, tue kênë se në sŷ të tyne seicilli njeri, i zoti i armvet, âsht i majtun si ushtar i Bajrakut. Mâ teper do dijtë edhè, se kto vendime të Kanunit, kan kênë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit, qi ishte Sulltani i Stamollës.

Shqyptari, pra, tue vrá gjaksin e vet, nuk bân tjeter, veç se me çue në vend nji ligjë, qi aj e man per të drejtë. Prandej, per me folë mbas pikpames psihologike, veprimi i tij âsht nji veprim i ligjshem e nuk mund të quhet uhá-marrme — vendetta. — As aj gjaksi i Luigjit XVI kúr i preu kryet, nuk pveti a ishte gjŷgj a jo m’e mbytë; por e mbyti, pse mendote se ligja ishte e mirë, e arsyeshme. E prandej atij nuk i u desht me i pergjegjë kurrkuej, pse i kishte pré kryet krajlit të Francës, e as nuk thotë kush sot se aj kje barbar. — E se vrasa e gjaksit në pikpame psihologike nuk âsht nji vendetta dán edhè prej faktit, se vrasa ndermjet dý familjeve hasme nuk shtŷhet në nji numer të pacaktuem; por, të vramen gjaksin, dý familjet marrin e apin njana me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut — mostjeter n’at masë, sa Shtetet e gjytetnueme t’Europës mbas luftës botnore.

Por âsht edhe gabim me thânë, se të marrunt e gjakut shênjon barbarsín e kombit: per në kjoftë se, nen êmen barbarsí, kuptohet egersija ase breshtnija e shpirtit të tij, si duen me e kuptue kundershtarët t’onë, kúr flasin per kómb shqyptár. Të marrunt e gjakut burron prej mndorjevet të jashtme e prej të metavet t’organizmit shoqnuer të njij kombi, e jo gjithmonë prej gjêjes shpirtnore të tij. E verteta e ktyne fjalve caktohet edhè prej historís së popujvet, per të cillt nuk mund të thohet se kjenë t’egjer e breshtnorë. Në Biblje Shêjte kndohen kto fjalë: Propinquus occisi homicidam interficiet: statim ut apprehenderit eum, interficiet. Cognatus occisi statim ut invenerit eum (homicidam), iugulabit. (Num. XXXV, 19, 21). Kshtû edhè në lib. IX (vv. 632-634) t’Iljades gjêjm kto vjerrsha, qi un po i bie tekstualisht:

… καὶ μέν τίς τε καδιγνήτοιο φονῆος
ποινὴν ἤ οὗ παιδὸς ἐδέξατο τεθνηῶτος·
καὶ ῥ᾽ ὁ μὲν ἐν δήμῳ μένει αὐτοῦ …[4]

Duket pra mirfillit se prej të marrunit të gjakut — vendetta — nuk mund të thohet qi kombi shqyptár âsht barbar e qi nuk âsht i zoti me u qeverisë në vedvedi i pamvarshem.

Kaq shkrova jo aq per me shtrî nji parathâne ksajë vepre, sa per me diftue mallin e pakufîjshem, qi kam per të paharrueshmin Auktorin e sajë.

P. Gjergj Fishta, O. F. M.


  1. Fiskaja: çurril ujit, it. zampillo d’acqua. ↩︎

  2. Tusha: farktár në zá armësh. — Nji parë kubure të ngrîjta zakonisht paguheshin gjashtë qese: kuburet e punueme prej Tushet, dymdhetë qese. Tagani, dore së Tushës, rrite qiri m’kamë, pa e pshtetë më kurrgjâ. Prandej „kalêmi i Tushës“ ktû mirret per harmoní e symetri vizash. — Shembulltyrë mâ fisnike e homerike s’e ká leteratyrë në botë! ↩︎

  3. Shqyp: „Kemi nji Zot mbrenda nesh; xehemi neper livizje të tij, — Ky shpírt dirgjet prej vendeve t’epra“. ↩︎

  4. Shqyp: … Deri prej atij qi mbyti të vllán, ase prej atij qi mbyti të birin, pranoi ndonjani shperblimin, e prap banon aj atŷ në vend të vet … ↩︎

Pjesa e radhës
Ca kujtime mbi At Gjechovin

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB