Zjarm dashunije

Nji zâ në zêmer t’ême po ndigjohet,
Nji shpirt të dyt n’trup t’êm jam kah e ndî,
Nji ftyr, nji hyll…, prej mêntsh nuk po m’largohet,
E vehtja s’m’duket, se me kto âsht ngî.

T’gjith rreth e rrotull m’duket si t’kish vdekun,
T’gjith bota mbar po m’bâhet ra n’qetsië,
E un hutu n’dyshim po rri krejt mekun,
Ngushllim nuk gjêj, veç n’t’arten fantazië.

Se ç’lufta t’rrepta ka të bâjn djelmnia!
T’gjith zjarm, dyshim edhe idhnim kjo jet,
Qi âsht n’rrezik, si n’det pa vel ania,
E pret nji shkas me hup edhe me mbet —

Nji her plot gzim m’u duk kjo jeta e ime,
Por s’ishin gjâ dhe ândrrat e fminiës,
Se sot p’e shof, se âsht me shum dyshime.
Veç tash e njof të vshtir, në koh t’djelmniës.

Qe koha ik e shkon porsi vetima,
E zêmra flak e zjarm të gjith âsht ndez;
Mjerisht p’e shof se shpresa s’âsht sa grima,
Përpara shof nji hije t’errt e t’zez.

P’e shof se shpresat kênkan t’gjitha t’kota,
Dhe dashuniën p’e njof un sot mâ t’vshtir;
P’e njof se sa e rrêjshme kênka bota,
Po sot un po e ndî ç’mos kurr mâ mir!

Por prep këti mêndimit s’i largohem,
Kështu n’mjerim e n’zi un do t’jetoj!
Asht vshtir t’gjith jeten t’ême kurr mos t’gzohem
E kshtu si nji i lânun t’vdes e t’shkoj!

Edhe në vdeksha e t’më ken vorrumun,
Mêndimin t’êm un kurr nnk kam m’e ndrru,
Me eshtna t’mi n’vorr t’êm kam për t’a shkrumun,
Se un e deshta, s’m’desht, e prap e du!—

Pjesa e radhës
Të du