Dielli sa të ket prêndu
Edhe nata sa afron.
Zêmra shkrîhet tuj ndigju,
Kah bylbyli n’pyll këndon.
Kndo bylbyl! Bylbyl këndo!
Kjaj dashtnur, e mos pusho!
Kur natyra t’gjith âsht fjet
E t’gjith zogjt t’ken ra n’qetsië,
Kndon bylbyl’i kâng të let,
Zêmren tuj t’a ndez n’dashtnië.
Rri bylbyl i ngrat, rri çu,
Naten mi dashtnië tuj kndu!
Kur me hyj âsht qielli plot
Edhe hâna shndrit mî dhe,
Dh’era letas gjëtht i lot…
Koh mâ e mir s’ajo nuk ke;
E n’at ças të qetësiës,
Shfryhet zjarm’i dashuniës.
Kur dy zêmra, bashk nen hân,
Njêna n’tjetren rrin e gzon
T’puthna t’xeta tuj u dhân,
Kur mî kry bylbyli i kndon—
Kndo bylbyl! Bylbyl i ngrat,
Se nuk ka mâ t’bukur nat!
Hil Mosi