Karajfili e drandofilja

Karajfili

Me sa madhnië ti çile
Tash sa qi erdh prêndvera,
Moj motra drandofile,
Mbretnesh mî lule tjera!

Per t’kuqet t’uja fleta,
Dashtnië të gjith tek flasin;
Gjithkuj i shtohet jeta,
Kur syt në ty i hasin

Dhe un kur jam n’idhnim,
Veç n’ty un gjêj ngushllim.

Drandofilja

Njashtu un thâm e mjera:
« Tash qi natyra çili,
Mbret mî t’gjith lulet tjera
Asht vetem karajfili;

Ec pra e na t’bashkohna!
Dashtnia m’ne le t’rritet,
E na të dy të gzohna,
Sa bota mbar t’çuditet,

Kur t’shof plot bukurië,
Dy lule lidh n’dashtnië! »

Vjershtori

T’dy lulet u bashkuene,
Nji tub ato u bâne;
N’dashtnië kto u betuene
E besen nermjet dhâne—

Kto kurr nuk kan m’u damun,
S’i thehet kurr lidhnia,
Der sa kto kan m’u thamun,
S’i shuhet kurr dashtnia!

Asht gzim me pa n’shoqnië,
Dy zemra lidh n’dashtnië!

Pjesa e radhës
Kânga e Majit