O gieb, vom weichen Pfühle,
Träumend, ein halb Gehör!
Bei meinem Seitenspiele
Schlafe! Was willst du mehr?Goethe.
Un ktu çu në drit t’kandilit
Du me kâng me gjet qetsië;
Ti n’ket koh do t’jesh tuj fjetun,
Flêj dashtnië!
Tuj e kndu at kâng t’përmallshme
Un me fjetun shkoj e bi…
Ti n’ket koh në gjum do t’gjindesh,
Flêj dashtnië!
Ty moj zemër pa t’kujtumun
Un nuk gjêj nji knaqësie!
Ti do t’flêsh n’nji gjum të âmbël,
Flêj dashtnië!
Hân, qi m’ndrit me t’qetat rrexe
Prej dritores mbrênd tuj hi,
M’a përshndet me driten t’ânde
Dh’at dashtnië!
Hil Mosi