Djali e vjollca

Djali

Se sa e kândshme je
M’ato të bukra ngjyra!
E njom, e bler e re…
Sa n’mall të duket ftyra!
Se sa e bukur je!

Vjollca

E bukur un nuk jam,
Asht vetëm dranofilli;
Un shoqe n’bot nuk kam!
Kështu e prêmtoj qilli
E shoqe n’bot nuk kam!

Djali

Mbretnesh ti je n’prêndver
Përmî t’gjith lule tjera!
Rrin mshehun nên bar të bler
E larg t’ndigjohet era,
Mbretnesh ti je n’prêndver!

Vjollca

Un jam nji lul’e qet,
Sikur m’krioj natyra;
Un jam nji lul’e shkret,
Prandej nuk m’qeshet ftyra,
Se jam nji lul’e shkret!

Djali

Ti je moj vjollc m’u dasht,
Se je nji lul’e kândshme,
E Zoti ty të lasht,
Se ti m’at ngjyr aq t’mallshme
Gjithmon ti je m’u dasht!

Vjollca

Pse kot ti mu m’levdon
Mbasi shkret motin shkova?
Kërkush mu t’shkreten s’don
E kurr dashtnië nuk gzova!
Kërkush mu t’sh’reten s’don!

Djali

T’levdoj se un të du —
Der sa ti ke m’u thamun,
Un kurr s’kam me t’largu!
Edhe për pa të pamun
Gjithmon un ty do t’du!

Vjollca

Dhe un ather do t’du,
E n’kjoft qi ke me vdekun,
Do t’vi për me t’ngushllu
Në mall për ty, si e mekun
M’vorr t’ânt për me t’ngushllu!

Pjesa e radhës
Fatbardhesie e ânderr