Asaj

Kur ngrehëm në mjes, për pa ague e baris brî të nji kronit t’arxhêntë e shof nën baar mshehun vjollcen e mallshëme —ah! atëherë mêndja e j’ême ka ikë te ti, e në përmallim defrehem tuj shikjue at lule aq të kândshëme e me duket si të kishe ty përpara syve. — Mandej tuj pa pêmët e blera mbushun me lule, të cilat lujtun prej nji erës së letë fillojnë e binë si borë mî baar të bler, mue atëherë më ikë kujtimi te ti, e ashtù vetëm në përmallim, kah i shof ato fletë të bardha kah ndahen e binë prej luleve të veta, me nji dyshim shum të ashpër
mendoj, se edhe zêmërat t’ona të largëta, ndoshta nji herë munden të ndahen.

Kur dielli nisë me lemun e me rrexet e veta ndritë dhenë edhe të gjith natyra zgjohet prej gjumit të na’ës, e gjithësia fillon të ngjallet — ah! mue më duket si të gjith t’ish në vdekje, kur nuk të kam ty afër qi të knaqemi bashkë, por mjerisht jam aq larg prej tejet!

Kur mandej dielli fillon e shduket mbas maleve edhe gjithësia nisë me ra në nji gjum të qetë, edhe atëherë mue më ikë kujtimi te ti; e tuj pa rêt e bukura, të ngjyme me të kuq, mendoj se edhe ti ndoshta në at ças do të jeshë tuj e veshtrue at prêndim aq të bukur, e mbushem plot mall, kah mêndoj, se jena aq larg prej shoqishojt! —

Kur mâ vonë shof qiellin e bukur stolisun me mia hyjsh edhe hânen e arxhêntë kah shkëlxen në mes të tyne, dije, se atëherë mêndimi i j’êm ka ikë te ti, e un kishe dishirin me të pasun
afër, e kështu bashkë me ty m’e defrye bukuriën e kësaj natë kaq të kândshëme!—

Kur mâ përtej, gjithësia mbarë në prêhën të natës ra në nji gjum të qetë edhe bylbyli atje në çubë këndon përmallshëm kângen e vet, t’a dishë, se edhe atëherë ty të kujtoj, e kânga e mbretit të kangësiës. më gjan si t’ish nji vaj i mallshëm për largimin t’on.

Pjesa e radhës
Afër së dashtnes