Shpendi i panjoftun

6 Prill

Cili qe ai? S’e dij dhe as guxoj me pyetë se më vjen turp, se druej mos vehem në lojë prej Irenës. Ndoshta asht i krishtenë, i vluem ose i martuem. Kush e din. Oh ma mirë të mos e kisha pamë. Syt e tij, të zij, më gjajti sikur më magjepsën në ças. E ndiva se u turpnova, pse m’u nxe shtati përnjiherë. Desha me ikë, por s’munda, se s’kisha fuqi. Mbeta shtang dhe u struka në kandin e kthinës. M’u duk sikur m’a kapulloi shtatin nji dishka që më hutoi e më shpërdrodh nën forcën e vet. Sa bukur e sa ambël tingëllonte zani i tij! Kishte kumbimin e nji melodis harmonike që t’a kilikos zemrën. Ishte nji muzikë në vetëhe. Ka disa njerës që s’u vete fare qeshja. Kur qeshin u shtremnohen turijt, u rrudhen faqet, u qajnë syt dhe shëmtohen aq shum sa s’të kanda t’i shofish. Por atij i kishte hije si qeshja ashtu edhe nënqeshja. Kur flitte, me buzë në gaz, t’a merrte mendjen. Shkurt nji ndiesi, e panjoftun prej meje deri m’at ças, m’a mbushi shpirtin me… dishka.

— Mos ju trazova Irenë? Duket se Zonjusha… - tha kur u fut mbrenda kthinës, pa pandehun, por s’e mbaroi fjalën. Më hudhi nji veshtrim të mpakët e të thekshëm. M’a tronditi zemrën.

— Jo, s’ka gja. Ajo asht … - gjegji Irena dhe më shiqoi me buzë në gaz. E kuptova se ajo qe tue shpërthye në gaz nga shqetsimi që tregova tue dashë t’i mshifem atij djaloshit të huej. Ma në fund ika, por më duket se dishka lashë aty nga… zemra e eme. A thue kështu asht dashunia? Jo or jahu! Ajo do të jetë, kush e din, disi ndryshe.

Mirë, por ç’qe ajo që më lëvizi në thelb të zemrës dhe më bani tak? Demede kështu qenka dashunia. Demede e… due. Por jo. S’asht e mundun. Si mund të përftohet dashunia vetëm me nji ndeshje vetëm me nji veshtrim? Kjo asht marrëzi, asht foshnjëri… Por ç’po baj? Më duket se s’jam në regull. Për cilin po mendoj kësodore?

Kush m’ep të drejtë me u shprehë, në këtë mënyrë, për nji djalë q’asht i panjoftun për mue dhe ndoshta kushrini i Irenës? Ndoshta ai asht ndonji prej fisit të saj dhe tash, sikundër tha edhe vetë, ka ardhë këtu për t’i festue Pashkët. E un ende po e vras mendjen me marrëzina që nuk përkohen kurrsesi me të vërtetën ose me dëshirin. Mbasandaj, sidoqoftë, mue s’më ka hije me u marrë me djelmt e botës. Turp, për Zotin, turp! Oh si u bana!

Lene e mos e trazo ma! S’kam me e kujtue dhe s’kam me e përmendë kurrë. S’kam as arësye që t’a lodh mendjen me të. Mos e dashunoj? Jo. Atëhere kalo e mos bëzaj.

7 Prill

Ububu si pësova! E humba fare. Më duket se më hyni fitili, më gjan se më kapi grepi i dashunis. Mbramë vonë më muer gjumi, pse mendojsha, padashas, për at djaloshin e… bukur që pashë dje ke Irena. Edhe n’andërr më shfaqesh me buzë në gaz dhe, tue m’i ngulë syt e vet si shtiza, avitesh të më kapi për dore. Jam tue ndimë nji farë turbullimi në shpirt. Kujtimi i pamjes së tij s’më hiqet mendsh; fëtyra e tij gjithnji më paraqitet para syvet të mendjes së trazueme jashtzakonisht. Sikur nuk mjaftojshin të gjitha këto ngucje që më bahen nga duer të padukshme edhe Irena më tha sot në mëngjes se ai kishte pyetë për mue.

— Ai pyeti për ty Dije - tha tue më shique me nji mënyrë të veçantë që s’u gjasonte atyre të herëve tjera. Un, si ato që druejnë se mos u zbulohet tinëzia, e ula kokën, por edhe pyeta:

— Ç’pyeti?

Më ças u pendova për pyetjen që bana. E ndiva se isha skuqë në fëtyrë dhe zemra më rrafi me hof.

— Pyeti se cila je dhe e kuj je - gjegji ajo.

M’u mveshën syt nga nji re e… kuqe. Isha turbullue.

— Mbasandaj? - bana pa dashas dhe e hutueme.

— Kurrgja ma tepër - tha Irena dhe mbasi m’argëtoi në sup, shtoi: Mos u shqetso, Dije, se ai asht nji djal’ i mirë. Asht biri i nji familjes fisnike që meriton të… nderohet prej kombit t’onë si familja që pjell heroj për t’u bamë fli për ideale të nalta. Asht trashëgimtari i dëjë i nji atit që e ka kalue jetën e vet ndër përpjekje e lufta të lavdërueshme për…

— Hof Irenë! Ç’më interesojnë mue këto? - i thashë me padurim.

Me të vërtetë nuk m’interesonte të dij se ai qenka biri i nji familjes fisnike apo trashanike, i nji të vorfënit. Qeshë tue plasë nga padurimi. Un dojsha të marr vesh se cili asht, ç’asht dhe ç’farë lidhjesh ka me Irenën. Shkurt m’interesonte personi i tij e jo familja, nga e cila zbritte. Mirë, por ajo vazhdonte të më flasi për shkallën dhe pozitën e familjes së tij. Me fjalë të tjera ajo flitte mbi origjinën e trandafilit, mbi rranjët, degët e gjethet. Por për trandafilin vetë nuk më thosh kurrgja.

— Pse po mërzitesh Dije? - m’a bani kur ia preva fjalën. - Un dojsha me të kallzue se ai, me që zbret nga nji familje e ndershme, asht i… mirë.

— Ahu Irenë! Për mue gjith njerzit, derisa të mos e kem provue ligësin e tyre, janë të mirë. Sa për rodin…

— Mirë pra. E lamë - tha tue m’a pre fjalën.

Nuk guxova, t’a pyes ma. Oh se ç’m’a punoi!.. Un dojsha të flitte, por jo për prindët e tij. Dëshirojsha të më rrëfejë se cili asht dhe… deri ku interesohet për mue. Por ajo flitte kot më kot. Ma në fund heshti dhe më la në terr. Ajo kujtoi se u zemërova pse po më bante fjalë për të, për nji djalë të huej. Natyrisht nuk mund t’ia merrte mendja se ç’kisha pësue qysh at ças që syt e tij ndeshën në të mijt. Mbeta me gojë hapët dhe e harlisun. Për nji ças u humba fare sa, për pak, qeshë tue e shamë për mundimin që po më bante aso dore. Me gjithë atë e mblodha vetëhen. E ndrroi bisedimin Irena dhe s’po prekte andej ma. Un nuk e kisha mendjen ke ajo. Mendja e eme, ndërsa flitte ajo, përpiqesh me bamë zbulime dhe zemra uronte q’ajo të kthehesh rishtazi në kallzimin e gjendjes s’atij djalit me vesh të shpuem. Mirë, por ajo nuk pushonte së foluni për sende që, për mue, nuk vlejshin asnji dysh. Hof se ç’m’a plasi shpirtin! Por mirë m’a bani, se edhe un nuk durova pak, derisa ajo të shpjegohesh ose të lodhesh tue folë për prindët e tij. Po të mos isha ngutë me e mësye me atë vrejtje t’ashpër, pa dyshim, ajo do t’a vazhdonte rrëfimin dhe ma në fund do të vinte ke ai. E un tash do t’isha shlirue nga ky ankth që më randon mbi zemër. Po, do t’a kisha marrë vesht se cili asht e çfarë asht. Për të parën herë i mora mëni Irenës dhe m’u duk sharllatane, mërzitëse, e pamëshirshme dhe… mizore. Un, si t’isha ulë mbi gjemba, shkëpurdhesha në vend dhe urojsha të kthehet në bisedimin e maparshëm. M’anë tjetër mundohesha me gjetë nji veregzë, nji farë pyetje të tërthurtë që t’a shtyjsha me folë mbi shka dëshirojsha, por ku i mbeten mend njeriut në rasa të tilla? N’ata pak minuta, që më gjajtën sa vjetët, trillova njimij mendime për me e arrit qellimin, por prap s’guxojsha nga droja se mos më kupton e mos më heton. Ta pyes kështu? Jooo. Ta pyes ashtu? Prap jo, se nuk ban, thojsha me vetëhe dhe nuk mundesha me e çikë fare çashtjen.

Ndërkohe hyni mbrenda Mamë Gjystina. U ul pranë meje dhe, tue m’i lëmue flokët e kokës, më pyeti për shëndetin t’em. Nashti e humba ma keq. Natyrisht, pse nuk mund të flitesh faqe sajë për nji djalë q’ishte i huej për mue. Veç kësaj ajo nisi me e pyetë të bijën për do punë shtëpije që për mue ishin të pashijëshme, mmërzitëe dhe të kota. U mërzita. Mendova t’iki e të vij në shtëpi pa e zgjatë at lamsh që m’a kishte bamë lamsh mendjen e zemrën, por nuk m’ikesh se!.. Dishka më ndalonte. Po, kisha shpresë se mos marr vesh gja. Bashkë me zemrën më rrifshin edhe tamthat.

Përnjimend isha shqetsue dhe isha bamë nervoze. Prandaj i mora tamthat në të dy shuplakat e duervet dhe, e mbështetun me bryla në tryezë, po mundohesha me u qetsue. Dalëngadalë kisha humbë ndër mendime. Dikur u çue në kambë Mamë Gjystina dhe thirri e gëzueme:

— O mirë se erdhe mor bir!

— Mirë se të gjej Mame. Dje s’të gjeta këtu. Prandaj erdha me të pamë.

Ky bashkëfjalim kumboi në veshët e mij si nji pëshpëritje që vjen prej së largu, si zana që ndigjohen në gjumë. Dikush më preku në sup të majtë dhe m’a thirri emnin në vesh. E ngrita kryet dhe, si e zgjueme nga jermia, pashë para meje fëtyrën e tij që shk ëlqente nga nji buzëqeshje e ambël. Menjiherë u çova në kambë si e kapun në faj dhe bana me ikë. Tue u rrotullue, syt e mij ndeshën në t’atij, mu n’at ças kur e kishte përqafue Mamë Gjystina.

Ika e hutueme dhe me shpirt në hundë. Vraga qe e madhe. Megjithëqë kapërceu mesnata ende s’po flej, se s’më merr gjumi. Nuk dij se si u bana kështu. U skatarita fare. Nuk më hiqet mendsh fëtyra e tij e kandëshme dhe njikohësisht pak si e egër. E shof, si në vegim, të më shfaqet me shtat të plotë e mesatar, me krahënuer të gjanë, me kokë vezake të stolisun me flokë të zij e të spërdredhun pak. Syni i tij, përherë i qeshur, robnon çdo femën që e shiqon. Goja e tij gjan sikur kullon mjaltë. Veshin e majtë, s’dij se pse, e ka të shpuem. Typ i çuditshëm dhe i përsosun. Nji typ që ka bashkue në vetëhe bukurin dhe egërsin, ambëlsin dhe ashpërsin, butësin dhe vrashdësin. I mbylla syt që të mos e shof, por nuk mbyllen syt e mendjes e të zemrës q’i ai preku me nji fuqi tërhekëse. Duket se përnjimend e… dashunoj.

8 Prill

Pata vendosë që të mos shkojsha sot ke Irena, por a mund të qëndrojsha se?.. S’më zinte vendi në vend dhe u bana si e trenueme… Prandaj s’e zgjata. Shkova. Po, shkova, se sot ishte edhe dita e parë e Pashkëve dhe duhej t’ua uroj të kremten. Me këtë mënyrë u justifikova edhe para vetëhes. Mbasi e urova Xha Simonin, Mamë Gjystinën dhe djelmt me rradhe shkova në kthinë t’Irenës për me e urure edhe atë. Kur hyna mbrenda pashë se ajo po bahesh gati me luejtë, me vijolinë, nji pjesë të nji muzikanti të përmendun.

— Hajde Dije, se sot do të gostis me muzikë - tha tue më kapë për dore dhe tue m’ulë mbi nji karrike afër vetëhes.

Ia urova Pashkët dhe u ula, pa dashas, mu n’at vend, ku nji ditë ma parë kishte qëndru e ai… djaloshi veshshpuem. E mbështeti thuprën Irena mbi telat tue më shique me buzë në gaz dhe e luejti dorën, menjiherë, si me nervozitet. Më ças cingëroi violina. Mbasandaj nisi me jehue, kadalas, ambël e butë si me da hë me të marrë me të mirë, si me të premtue dishka të mirë, të bukur, të lumnueshme e të… hyjnueshme. Irena i kishte mbyllë syt e zij, ma të zij se rrushi, dhe, me fëtyrë të qeshun, qëndronte në kambë si statuja e Venusit, e tretun, ndoshta, ndër andrrime e vegime të nji lumis së pritun. Edhe un isha dehjë. Qëndrojsha me gojë hapun dhe s’merrsha frymë. Kisha tretë fare e rrëmbyeme nga nji harë e pashpjegueshme. Zemra e eme ishte çue peshë nga ngacmimet e jehit dhe më dukej sikur fluturojsha nëpër hapësinat e kaltërta të qiellit, më gjante sikur s’rrojsha ma në këtë botë, por në nji tjetër, ku endeshin miljona fatbardhë me kunora rrezesh mbi kokë dhe me lule ngjyrash ndër duer.

“Mirë e ka Tolstoi kur thotë se duhet të dënohen muzikantët që e nxisin dhe e cysin shpirtin virgjin të njeriut”, thashë me vetëhe kur pashë se isha rrëmbye nga duer të padukshme dhe isha përplasë ndër oqeanet e paskajshme qiellore.

— A din ti, Dije, se Shpendi interesohet shumë për ty? - tha befas Irena tue e hjekë thuprën nga violina.

— Si the?

— Për Zotin s’të rrëjë. Ai dje pyeti shum për ty. Por ti mos m’u hidhno.

— Cili?

— Shpendi. Ai djali që të ka ndeshë këtu dje e pardje - tha tue më shique amblas ndër sy.

Shtanga dhe u hutova. Më gjajti sikur më gugulluen veshët.

— Ç’pyeti? - bana si e raskapitun.

— Pyeti se cila je, e kuj je, a je vlue, a ke ndonji të dashun. Me nji fjalë pyeti gjithshka mund të pyetet për një vajzë që asht në moshën t’ande.

— Ç’e keni ju kët djalë? - pyeta me shpirtin pezull, pse nga përgjigja mvarej fati i zemrës s’eme.

— At e kemi kumbarë. Im atë ia ka qethë flokët - gjegji.

— Ashtu?!.. Xha Simoni qenka nuni i tij?! - pëshpërita me za të mpakët e të dridhshëm.

— Po.

— Si the e quejnë?

— Shpend.

— Çfarë emni ky?

— I bukur, apo jo?

Nuk iu përgjigja, se më rrafi zemra me hof e s’kisha fuqi. Isha tronditë. Nji farë ligështije e dobsije e papërballueshme m’a pushtoi shtatin. “Shpend” thashë si në murmuritje dhe, e raskapitun, e mbështeta kryet mbi tryezë.

— Ç’ke Dije? - pyeti Irena e shqetsueme tue më pamë të zbeme.

— Kurrgja - i thashë mekshëm dhe me buzë të dridhshëm.

Ajo u tremb se mos u vilanisa. Më kapi dhe më vu në shtratin e vet. Mbasandaj u zhduk për të marrë ujë. Unë me të vërtetë isha ligshtue aq fort sa s’kisha fuqi as me lëvizë e me folë. I mbylla syt që të qetsohem pak. Mbas pak më ngjiti Irena nji gotë ujë ke buzët. Kur i hapa syt pashë pranë shtratit Xha Simonin, Mamë Gjystinën, Markun, Gjonin, Kolën, Irenën dhe, atje poshtë, Shpendin. I xixëlluen syt Shpendit kur pa se i hapa syt. Më gjajti sikur më shiqoi me dhimje e me… dashuni. Oh sa kënaqësi më ndiu zemra kur pashë se nga syt e tij shprazej, në mos gabohem, nji dhimbje shpirtnore e trazueme me nji farë gëzimi të pa çansueshëm. Oh se çfarë force, çfarë magneti kanë ata sy që të bajnë me vdekë vetëm për nji të shiquem të tyne. Ku e dijnë djelmt se sa shum na bajnë me vuejtë na të gjorat kur na hudhin shiqime të thekshme. Shyqyr që s’e dijnë. Ata kujtojnë se vetëm syt t’ona djegin e përcëllojnë. Nuk mund t’a dijnë ata se sa fort lodhemi na të ngratat për me i zbulue pjerrjet e zemrave të tyre nga veshtrimet që na hedhin. Nuk mund t’a dijnë ata se neve na duket sikur pasqyrohet në syt e tyne jeta e jonë e ardhshme plot premtime lumnuese ose leqe mjeruese, e tanë qenëja e jonë dhe krejt bota e mendimeve, e shpresave dhe e andrrimeve t’ona. Vall ç’u kish thanë Irena atyne rreth dobësis s’eme? A thue e ndin ai se vet asht shkaktari i kësaj tronditjeje që pësova? A thue se përnjimend i vjen keq apo më gjajti mue, mendova at ças kur pashë se po më verente. Ai kishte pas ardhë aty në drekë, i grishun prej familjes.

— Ç’pate moj bijë? Mos të zemroi Irena? – pyeti Xha Simoni me nji za që kumbonte i dridhshëm.

— Jo, s’më tha gja ajo, por u ligshtova - thashë tue e shique Irenën që qëndronte atje tej, e zbetë dhe e pikllueme tue kujtue se ishte fajtore. U mata të çohem, por s’më la Mamë Gjystina.

— Hiqu mor plak, se s’ka gja vajza - ia priti Mamë Gjystina tue e largue Xha Simonin dhe tue m’a fërkue ballin me dashuni amtare. Mbasandaj shtoi:

— Na e kanë marrë mësysh çikën. Rri e qetsohu pak moj bijë.

Të gjithë, veç Shpendit, qeshën. Mbas pak u çova dhe erdha në shtëpi. Tue u largue, me nji farë mënyre, e ktheva kryet mbrapa dhe e pashë edhe nji herë at që më kishte robnue për jetë. Edhe ai më ndiqte me sy të turbulluem. Oh sikur të shifsha që ata sy të derdhshin lot për mue. Tash e dij ma se ai s’qenka kushrini i Irenës. Ky dyshim, që m’a brente zemrën si nji krymb, nashti u shduk, por nji varg tjetër e zavendsoi menjiherë: Po. S’asht fisi i tyre, por mund të jetë i Krishtenë dhe kësisoj bashkimi i jonë do të jetë i ndaluem prej fes. Po në qoftë i vluem ose i martuem? Po në qoftë se ka ndonji dashnore? Nji grumbull pyetje të tilla i bana vetëhes me shqetsim dhe s’munda me i dhanë asnji përgjigje.

9 Prill

Sot në mëngjes erdh Irena me më pamun. Më gjet tue u mveshë në kthinën t’eme.

— Mirëmëngjezi Dije - më tha tue hymë mbrenda.

— Mirëmëngjezi Irenë.

— Hej si je sot?

— Ma mirë.

— Dish Zotin më thuej. Dije, se ç’pate dje? Mos të fyeva me ndonji fjalë? - pyeti e shqetsueme dhe e trishtueme.

— Jo, Irenë, jo. Dje, qysh ma parë se të vijsha ke ju, qeshë pak e dobët nga shëndeti.

— S’e besoj. Don me më mashtrue.

— Besomë se u ligshtova.

— Domosdo u ligshtove, por përse?

— Sepse… - bana tue u mendue se si t’a gaboj

— Sepse u zemërove në mue.

— Jo, për Perëndi, jo.

— Po ç’pate?

— Të thashë de! Lene këtë, por më thuej se ç’ngjau, mbasi më vune mbi shtratë?

— Asgja.

— Fare, fare?

— Fare Dije. Ç’mund të ngjiste? Un, kur të pashë se u dobsove, shkova mora ujë për me të flladitë.

— Mbasandaj?

— Mbasandaj të gjithë erdhën e u kujdesuen për ty.

— A e humba mendjen?

— Jo. Vetëm se u meke fare.

— Po ma?

— Em atë më shau tue kujtue se të kisha hidhnue.

“Ajo asht e ajthtë, ndin fort dhe ti do t’a kesh ngucë me ndonji fjalë të papeshueshme mirë mori e marrë”, më tha i egërsuem.

— E pashë se atij i erdh shum keq.

— Po, por ma fort se të gjithë, për çudi, u pezmatue Shpendi.

— Kush? Shpendi the? - ia bana me nji za të mpakët që provonte kjartazi se sa fort isha ndrydhë e pëltucë nën forcën e dashunis, por ajo s’e vuni re.

— Po Shpendi - gjegji dhe vazhdoi - U zbe e u ba dyll i ngrati. I dridhesh buza dhe krejt shtati. Un u tremba se mos mpaket.

Mue përsëri m’iku fëtyra. E ndiva se po tronditem. Prandaj u ula, plogshëm, mbi nji karrike që u ndodh aty afër dhe pyeta:

— Nga asht ai?

— Asht Kosovar. Ka vetëm nji nanë. Tatin dhe dy vëllaznit e tij ma të mëdhej ia kanë vramë gjindarmët. Oh sikur t’a dijshe se çfarë trimash kanë qenë ata…

E pashë se ajo do të zgjatesh në kallzime mbi trimnin, burrnin dhe besnikin apo fisknikin e atyne që kishin ranë dëshmorë. Prandaj ia preva fjalën tue e pyetë:

— Mirë, por un kurrë s’e kam pamë at djalë ke ju.

— Ai parvjet ka ikë bashkë me t’amën. Na atëhere, shkuem me i pa më, E mban mend kur shkuem në Shkodër?

— Po, e mbaj.

— Edhe vjet pat ardhë Shpendi këtu. Por nuk qëndroi veçse nji ditë. Prandaj ti nuk e ke pamë.

— Vetëm t’amën e paska marrë me vetëhe? Po ti, më duket, më pate thanë se asht i martuem apo i vluem? - pyeta me nji farë mjeshtrije.

— Ai?! Ç’thue moj Dije? Ai ende asht foshnje. Tash në vjeshtë i mbush 23 vjetët.

— Gabim e paskam marrë vesht - thashë me qëllim që t’a humb gjurmën. Tash isha shlirue ma, nga ato veriga që më lidhshin ma parë.

— Jo xhanëm. Ai as asht vlue, as asht martue - përsëriti Irena me nji za që dikonte siguri të plotë.

U përpoqa të trilloj nji farë pyetje që të merrsha vesht se a ka ndonji dashnore, por nuk munda.

— Edhe ai më ka pyetë shumë për ty, Dije dhe më ka kërkue aq shpjegime sa u çudita - tha Irena mbas nji heshtjeje të vogël.

— Përse pyeste?

— S’e dij, por më duket se…

— Çfare?

— Mos m’u hidhno se po të them, por më duket se të… don.

— Më don the? - ia bana si e luejtun mendsh dhe u hudha në prehën të saj.

— Ç’ke Dije? - thirri ajo e tmerueme.

— Kurrgja - thashë me za të mbytun, gati të përvajshëm.

— Ç’ke mori? Fol!

— Asgja - gjegja tue e mshefë kryet në krahënuer të saj.

Dojsha me ia hapë zemrën, por më vinte turp. Megjithqë asht nji mbëhi e pamohueshme me ia çilë zemrën nji shoqes dhe megjithqë ajo nuk e ka mshefë prej meje as dashunin e Zefit as edhe kurrgja, un s’mundesha me i folë për çka kisha në zemër. Ajo e ngrata u hutue fare. M’argëtoi dhe u përpoq të më qetsojë. Tue kujtue se më kishte prekë në sedrë e më kishte fye, u pendue pse më kishte folë asodore. Un s’i thashë gja. Tash më gjan sikur m’asht lehtësue shpirti, më duket sikur u shkri, pjesërisht ai akull që m’ishte rrasë në zemër, pse shpresoj se më dashunon dhe ai s’qenka as i vluem as edhe i martuem. Po në qoftë i Krishtenë? Edhe sikur të rroposet bota nuk mund të bashkohem me të, pse nuk lejon feja, nuk len im atë. Ky mendim tash m’asht ngulë gozhdë në tru. Oh sa e marrë që jam! Ç’më duhet t’a dij a asht i Krishtenë apo Musliman, kurse nuk dij a më dashunon apo jo? Irena, e mbështetun në pyetjet që i ka bamë për mue, kujton se më dashunon, por kush mundet të besojë?

Ndoshta ai asht ndonji djalë i lig dhe pyet me paramendime e me qëllime t’errta. Mos janë të rralla rasat që djelmt pyesin për gocat që shofin? Natyrisht nga këto farë pyetje që drejtohen me qëllime djallëzore ose për të kënaqë kërshërin, si për ndonji teshë që të zen syni në vetrinë të ndonji magazinës, nuk mund të nxirret ai kuptim që neve na pëlqen, nuk mund të kujtohet se ai e dashunon vajzën, për të cilën kërkon shpjegime. Por sikur të më dashunojë! Në më dashunoftë ku ka me mue? Do të jem e lumtun. Përndryshe sharrova. Oh se ç’qenka dashunia. Ajo qenka si nji mulli që rrotullohet gjithnji dhe me forca të përtrime.

10 Prill

Prap sot mbas dreke shkova ke Irena me shpresë se mos e shof Shpendin, por ai s’erdhi. U mërzita tepër dhe qeshë tue plasë. Kush e din se ku ka shkue. Ndoshta ai këtu ka ndonji dashnore që luen mendsh për të dhe tash asht… ndoshta asht tue i dhurue asaj thesarët e zemrës e të rinis së vet. Ndoshta ai tash, i dehjun nga forca e alkoolit të dashunis, e ka humbë vetëhen dhe e ka harrue krejt botën e jo ma t’i bijë ndër mend për mue.

Oh sa shpejt gabohemi e gënjehemi na femnat. Nji shiqim i thekshëm mjafton me na dërmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. Vetëm se s’guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë at që na e plagos zemrën me nji veshtrim të mpakët ose me nji nënqeshje të kandeshme. Zemrat t’ona janë ma delikate se qelqet. Nji gur i vogël, i hudhun nga dora e nji të pamëshirshmit, i then dhe i ban thërime për t’u shkelë mandej nga kamba e tij. Zemrat t’ona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot. Sa e sa prej nesh janë bamë viktimet e naivitetit dhe të sinqeritetit të tyne tue u besue lajkave e premtimeve të gënjeshtërta. Vera, stina e pushimeve shkollore, asht koha në të cilën nis me u zhvillue akti i parë i asajë aventure që, të shumtën e herëve, mbaron tragjikisht për femnat e gjora të trathtueme prej të rijve e sidomos prej disa studentave që kthehen nga Europa, pse këta përdorin njimij djallëzi për me e thye qëndresën e asaj që lakmojnë me e mposhtë. Shpesh më kanë ramë në vesh ngjarje të tilla që e cenojnë kryenaltësin Shqiptare.

Dëshiron të dashunojë vajza Shqiptare, por mbrenda caqeve të pastërtis morale; lakmon të lumnohet e gjora, por mbrenda kufijve që përfshijnë ligjët e çerdhes familjare; don t’a shijojë jetën e ngrata, por tue mos e humbë vlerën e nde it dhe tue mos e cenue sedrën seksuale.

— Uh ti qenke e marrë! Qenke nga ato që ende e këndojnë kangën e Mukës! S’qenke e qytetnueme si gocat e Europës - i thonë djelmoshat kur shofin se ajo qyqarja mbahet me mos u përkulë para lajkave ngacmuese, përpiqet të mos ndrydhet para premtimeve mashtruese, mundohet të mos e shkallmojë magjen e virtyteve, të nderit e të sedrës. E kur i bahet kjo vërejtje e ashpër ajo e kujton vetëhen ma poshtë se shoqja Europjane dhe, tue dashë që të diftohet se asht naltësue në shkallën e sajë, dobsohet e bije në lak. Mbasandaj djali i kthen shpinën tue u zgërdhimë dhe tue e përqeshë. Asht e dijtun se nuk janë të tillë gjithë të rijt, por në mes të tyne ka mjaft asish që e humbin ndërgjegjen kur ndeshin në femna Shqiptare. Ndoshta edhe Shpendi asht ndonji bandill që kërkon të mbledhi mjaltë nga çdo lule që i shef syni i tij deprtues. Ndoshta edhe ai asht ndonji kusar zemrash e gjuetar nderi. Ndoshta edhe ai ka lanë mbas shpine ndonji dyzinë goca që tash qajnë e ulërijnë me dëshprim prej kobit që kanë pësue. Ndoshta edhe ai asht ndonji mizuer i mshefun nën atë shtat të bukur dhe nuk i nduket ndërgjegja nga rrënkimet e atyne që ka vramë me… shigjetat e synit të vet.

Ndoshta, por jo. Ai s’mund të jetë zemër gur; s’mund të ketë shpirt bishe e fëtyrë engjëlli. Syt e tij të vranuem, kur un u dobsova në shtëpi të Irenës, pasqyrojshin dhimbjen që ndinte zemra e tij, diftojshin se ka shpirt të mirë e njerëzi, provojshin se asht i dejë të quhet njeri. Prandaj ai nuk mund të futet në grumbullin e atyne që kanë zemra vagabonde, t’atyne që dashunojnë vetëm për t’i ngopë lakmit e tyne prej kafshe as e që dashunojnë për… sport. Ai, sigurisht, asht nga ata që kërkojnë të kenë nji shoqe ideale në këtë jetë, nga ata që përpiqen të ndërtojnë nji pallat lumnije në këtë botë, nga ata që e çmojnë kuptimin e naltë të jetës bashkëshortore. Më duket se kanë të drejtë ata që thonë se luen mendsh femna kur dashunon përnjimend. Edhe un më gjan se e pësova.

Më duket sikur kam nji votër me prush në zemër që më shkrumon. Ç’baj kështu? Për cilin po shkruej në këtë mënyrë? Natyrisht për nji djalë që ia njof vetëm dukjen, por që nuk kam as ma të voglën dijeni mbi karakterin, mbi moralin dhe mbi mendjen e tij. Për nji femën mos asht bukuria e mashkullit i vetmi sigurim i lumnis së dëshirueme? Pa dyshim jo. E atëhere përse po trenohem tue u kënaqë me ato bukuri që e argëtojnë vetëm synin dhe që shduken mbrenda pak kohe? Ato që kanë mend dhe që duen nji lumni të paperëndueshme kërkojnë bukuri shpirti, pajtim karakteresh e qellimesh. Po un ç’kërkoj? Un shkallita fare. S’kam me e përmendë

12 Prill

Pashkët shkuen e mbaruen, por ai s’u duk ma. Duket se ngeci ndokund. Familja e Xha Simonit asht vrahthue e shqetsue shum për të, pse nuk dijnë se a ka shkue në Shkodër apo mos ka pësue gja. Qenka edhe i pasjellshëm. As nuk erdh me u përshëndetë me këta kur u largue. Ndoshta asht zhytë në ndonji pellg të ndytë këtu e s’mund të dali. Oh sa keq! Sa keq i vjen njeriut kur shef se në nji trup të bukur ka nji shpirt të keq! Megjithkëtë e ndi se e dashunoj. E mjera un. Sharrova!.. Dashunia e vërtetë qenka si nji lulishte e rrethueme me mure të pakapërcyeshëm që ka vetëm nji portë dhe që ajo hapet vetëm për të hymë e nuk çilet kurrë për të dalë. Era e kandëshme e luleve të tërhek me u futë mbrenda. Hyn lehtas, por ngec mbrenda për jetë. Qeh pata vendosë që të mos flas ma për të, por nuk e mbajta fjalën. Duket se përnjimend e dashunoj. A ka zemër ky djalë? Në qoftë se ka, vall ç’ka mshefë ajo mbrenda? Kush mundet me e dijtë. Ndoshta zemra e tij nuk ndin kurrgja, pse asht dhanë mbas epsheve. Ndoshta asht mpimë fare, pse vuejtjet e përpjekjet e ashpra që ka pasë do t’ia kenë shkambëzue. Ndoshta.

Sot, tue kuvendue me Irenën e me Mamë Gjystinën, ra fjala ke ai. Mamë Gjystina, e prekun thellë nga shdukja e Shpendit, foli nji copë herë mbi gjasa të nji së ligës. Mbasandaj kapërceu ke familja e tij dhe rrëfeu se sa herë kishte luftue i ati i tij Dan Rëfeja kundër Turqve e gjindarmëve dhe sa herë ishte plagosë. Kallzoi se si ai nuk i duronte mizorit e tyne dhe sa fort e urrejshin ata. Ma në fund shpjegoi se si e kishin rrethue në shtëpi në nji natë vere, si kishte luftue bashkë me tre djelmt e vet e me të shoqen, si e kishin çamë gardhin e ishin aratisë, si ishin ndeshë mandej shpeshherë me patrullat, si e kishin spastrue vendin nga disa cuba që i bijshin më qafë gjindjes, si ishin rrethue ma në fund në nji katund afër kufinit, si ishte vramë Dani dhe mbasandaj dy djelmt ma të mëdhej Bardhi e Sokoli, si kishte shpëtue Shpendi bashkë me t’amën dhe si e kishin kalue kufinin. Ajo flitte me za të përvajshëm dhe me sy të përlotuem për këtë familje të mjerueme. Un u hutova fare. Kur mbaroi zuna të mendohem për me gjetë se si kishte shpëtue Shpendi bashkë me t’amën nga drapni i mordjes. Dojsha me pyetë, por nuk guxojsha. Ajo, si t’a kish hetue pyetjen që më vinte në majë të gjuhës, shtoi:

— Shpendi, moj bijë, ishte në gjimnaz të Shkupit. Qeveria e kishte marrë e çue në Shkup me bursë kinse për t’a mësue, por në të vërtetë e kishte marrë si peng për t’ia rrudhë guximin t’atit. Në verë, me rasën e pushimeve, djali ishte kthye në shtëpi dhe u ndodh aty kur u zhvillue kobi. Kur u rrethuen, si herën e parë ashtu edhe të dytën afër kufinit, edhe ai ishte mbrenda. Mbas vrasjes së Danit tre djelmt

  • Bardhi, Sokoli, Shpendi - bashkë me t’amën i dhanë zjarmin shtëpis dhe, tue përfitue nga tymi e nga errësina e natës, i msyen gjindarmët. Në rrëmujë e sipër vranë mjaft nga armiqt, por edhe Bardhi e Sokoli mbetën. Shpendin e muer nji plumb në vesh të majtë dhe t’amën në kofshë. Dy ditë ngelën të ngujuem në nji pyll dhe të tretën mundën me e kalue kufinin. Tash e mora vesht se pse e paska të shpuem veshin e majtë.

— Nana e din mirë ngjarjen, se asokohe u ndodh në Kosovë, ku pat shkue me e pamë të motrën – vërejti Irena.

— Po - ia bani ajo tue fshamë. - Kur e ka përceva kufinin ata i gjeta në Kukës. Mbasandaj bashkë erdhëm deri në Shkodër, ku zunë vend.

— Më duket se patën mjaft të holla me vetëhe - tha Irena, mbasi më shiqoi mue si me dashtë të m’a tërheki verejtjen.

— Po - përgjigji ajo - se Dani, dritë i pastë shpirti, e kishte parapamë kobin që po i afrohesh. Prandaj ishte mbledhë. Kur u vra, Hija ia hoq qemerin dhe e ngjeshi vetë.

— Kush ia muer qemerin? - pyeta.

— Hija, e ama e Shpendit - gjegj Mamë Gjystina.

E hapa gojën të pyes mbi rranjën e këtij emni, për mue i pandigjuem dhe i çuditshëm, por m’a preu fjalën Irena. Mbasandaj, e turbullueme nga ngjarja e rrëfyeme prej Mamë Gjystinës, harrova fare me e pyetë.

— Tash Shpendi vazhdon në gjimnaz të Shkodrës për t’i mbarue ato dy klasa që i mbetën pa i krye në Shkup - plotsoi Irena.

— Të themi të drejtën, edhe qeveria u kujdesue për t’a - bani Mamë Gjystina.

— Asht e dijtun - tha Irena - se ata e nderuen kombin t’onë. Tash Kosova u këndon kangën atyne kreshnikëve dhe asht krijue nji legjendë popullore rreth ngjarjes.

Nji heshtje e ftofët e mërzitëse plakosi mandej. Të tria po mendoheshim, natyrisht, mbi ngjarjet e zhvillueme. Imagjinata e eme ishte ndikue. Ngjarjet po më sinematizoheshin të pikturueme e të kjarta. Zhurmë e potere, britma e rrënkime, shamje e shfrymje, mburrje e lavdërime, përzihen në mes të kafkufeve të thata t’armëve që shprazen. Krismat e pushkëve dhe bubullimat e bombave dendësohen. Flaka e tyme e mbulojnë çerdhen e viganve dhe duken do hije që vërsulen nga mbrenda jashtë. Edhe nji herë ashpërsohet beteja dhe mandej shuhet për me mos u përsëritë, për nji kohë, n’at rreth. Mbasandaj shfaqet para syvet të mendjes dendësia e nji pylli, ku shifen të strukun nji nanë spartane me të birin pranë. Nji hero e nji heroinë ia lidhin plagët njeni tjetrit, pa bëzajtë e pa rrënkue, pse shpirtnat e mëdhej i durojnë hidhnimet dhe i lëbyrin dhimbjet me heshtje. Tabllo e shëmtueme, por njikohësisht madhshtore për nji komb që kërkon liri, për nji zemër që ndin dhimë. A s’asht mëkat që ky djalë, hero, të jetë shpirtlig e me vese që e njollosin emnin e atyne që ranë dëshmorë? Fatkeqsi.

14 Prill

Sot jam e gëzueme, pse mora do lajme të kënaqshme. Shpendi paska dërgue letër nga Shkodra. I kishte shkrue Xha Simonit se, simbas nji telegrami të marrun prej s’amës, qenka shtrëngue me u nisë për Shkodër, pse motra e tij bashkë me të shoqin paskan dalë në Kukës për t’ardhë në Shkodër. Kërkonte ndjesë që s’kish mundë me u përshëndetë, pse kish gjetë nji automobil gati për nisje dhe kështu s’kishte pasë kohë. Motra i paska ardhë mbas dy ditësh. Veçanërisht i kishte shkrue edhe Irenës. E pyeste për shëndetin t’em dhe i thoshte të më përshëndesi nga ana e tij. Irena, tue drashtë se mos i zemrohem, nuk më tha gja. M’a dha letrën t’a këndoj. Kur i pashë përshëndetjet që më bante m’u nxe e m’u ba prush shtati dhe zemra më rafi me hov prej gëzimit. Por nuk bëzajta fare. Tash jam pendue plotsisht për shka kam dyshue për të. Fëtyra e tij tash nisi me u shfaqë ma e kjarë dhe ma e ndritshme n’imagjinatën t’eme. Në syt e tij tash dallohen shenjat e përvujtnis, por edhe të krenaris, të pastërtis; duken shenjat e gjallnis, të fisnikis e të trimnis, por edhe t’egërsis s’ambëlsueme. Vlera e tij morale u dyfishue dhe po më duket si nji hero mitollogjik që ka bamë krushqi me Perëndit e jo si nji njeri i rendomtë.

— Sa mirë ka bamë që ka ardhë - tha Irena.

U këput për gjysmë filli i mendimeve të mija.

— Kush? - pyeta.

— Motra e Shpendit. Sa e mirë asht se…!

— Cila? - pyeti Mamë Gjystina tue hymë mbrenda.

— Fija e Xha Danit - gjegji Irena.

— Po, - tha Mamë Gjystina - Fija asht yll si në bukuri ashtu edhe në sjellje. Besa të rralla i ka shoqet.

— Si e quejnë? - pyeta e çuditun.

— Fije - përgjigji Irena.

— Çfarë emnash paskan këto?! Çudi! Njenës i thonë Hije e tjetrës Fije! Paskan emna…

— Thuej se Shqip - ia priti Irena me buzë në gaz.

— T’amën e Shpendit e quejnë Fet-hije, por për shkurtim i thoni Hije. E të motrën e quajnë Sofije, por për dhelatim i thërrasin Fije, ashtu si të thonë ty Dije, kurse emnin e ke Shadije.

— Po këto paskan emna Muslimanësh - thashë e torrullueme.

— Po Muslimanë janë moj bijë - gjegji Mamë Gjystina.

— A!? S’qenkan të Krishtenë?! - thashë e mahnitun dhe e harlisun.

— Jo, jo - tha Irena tue më shique me vërejtje.

Fëtyra m’ishte zbemë dhe zemra më rrifte me hof. Po. Më shungulloi zemra e shitueme nga ky lajm që m’i haptë dyert e lumnis. Për pak qeshë tue u përplasë për tokë e vilanisun, por turpja e madhe që kisha prej Mamë Gjystinës më bani të mbahem. Po të mos më vinte turp, të pakën, do t’i përqafojsha këto që më shpëtuen nga ky kujdes dhe do të derdhsha lot gëzimi. Tashma ishte ndriçue krejt errësina që e rrethonte personin e Shpendit. M’ishte lehtësue shpirti dhe s’drojsha ma se mundet me na e pengue feja lumnin.

20 Prill

Lulet m’i kanda fort. Ato tash kanë nisë me dhanë shtat. Shinat e simjetshëm, që ranë në gjysmën e fundit të Marsit, e penguen zhvillimin e tyne. Vetëm nashti kanë fillue me u mkambë e me u forcue. Sot mbas dreke isha ulë në mes të tyne dhe po lexojsha nji libër që më huajti Irena. Qershia, ku e kisha mbështetë kryet, ka çelë lule dhe ka nisë me lidhë kokra. Në nji degë të sajë kish zanë vend nji bilbil dhe po këndonte mallëngjyeshëm. Ndoshta ai s’këndonte, por qante. Kush e din. Ndoshta ai i vargëzonte vjersha trandafilit dhe e vajtonte mbarimin tragjik të vetëhes që do të ketë tue u therrë nga ndonji gjemb i tij. Po t’a dijsha gjuhën e tij do t’a kuptojsha mirë poetin e zoqve dhe sigurisht do të merrsha vesht se edhe zemra e tij, ndoshta ma shum se e emja, lëndon nga dashunia që e ka pushtue.

Mblodha nji tufë lule për t’i vu në kthinën t’eme. Oh sa do të dëshirojsha të mbledh edhe për Shpendin nji tufë. A thue se do të vijë nji ditë q’ai të kërkojë me m’a kënaqë zemrën tue më dhurue tufa lulesh të mbledhuna nga kopshti i shpirtit dhe i zemrës së tij? Kush e din. Atë ditë do të isha femna ma e lumtun e botës dhe kurrkuj nuk do t’i kisha zili. Mund t’a ndrrojsha krejt jetën t’eme me nji ditë të vetme lumnije që mund të më fali ai, ai që ka në dorë çelsat e Parrizit[^1] t’em.

Mora nji lule dhe nisa me ia këputë fletët, ashtu si bante dikur Irena, për të provue se a më dashunon apo jo dhe tue thanë: po, pak, aspak, shpitrnisht. Tue i shqiptue këto fjalë, që për mue kishin nji fuqi mystike, vazhdova t’i këpus fletët e lules dhe arrina në gjethin e fundit me fjalën: Shpirtnish. Megjithqë e dij se bestydnia asht krijesa e imagjinatave të sëmuna, kësaj rradhe më pëlqeu t’a besoj profetin që bani fleta e lules dhe më kërceu zemra prej gëzimit. Oh se ç’qenka dashunia. Ajo të baka foshnje, të marrë e të mjerë, por njikohësisht edhe të lumtun. Po, se edhe dashnori i mjeruem nga fati i lig, sigurisht do të jetë i lumtun dhe e kënaqë zemrën me të vetmen nënqeshje që ka marrë dikur nga ajo që e ka futë nën zgjedhën e saj të florintë. Edhe un ndoshta do t’i kujtoj me mall të zjarrtë dhe me urim përsëritjeje ato të paka nënqeshje që më ka dhurue, ndoshta pa dashas, Shpendi i em.

Ndoshta do të jem nji e mjerë e lumtun tue u përshkue përmes mendimeve përvëluese, por përnjiherë edhe argëtuese e shijuese.

Ndoshta.

24 Prill

Irena u fejua sot me Zefin, me at që dashunohesh prej kohesh. Ajo asht dhe duhet të jetë e lumtun, mbas i shkeli në prakun e asaj jete që pat lakmue e andërrue për vetëhe. Shumë të rij i hudhin letrat, i djegin fotografit dhe i hanë me bukë premtimet që u japin dashnoreve, por Zefi duel besnik dhe nuk trathtoi. Kjo besniki provon se përnjimend e dashunon Irenën dhe se lumnia e tyne asht e garantueme prej zemrave që rrafin për njena tjetrën. Të pakë e të rrallë janë ata djelm që me të vërtetë derdhin lot për dashnoret e tyne. Të shumtët kërkojnë dashuni nate, nji dashuni të përkohëshme e trashamane. Ka gjithashtu shumë mashkuj që i ndrrojnë dashnoret me atë lehtësi që i këmbejnë robet e shtait dhe mandej s’çajnë kryet për to. Ka plot të rij që tinzisht përpiqen t’a spekulojnë sinqeritetin e femnave për t’i shkullue burimet e tyne të nderit; ka asish që premtojnë shumë e me bujari të madhe por s’apin kurrgja; ka edhe t’atillë që me shkathtësin e nji akrobatit vërsulen mbi femnat për me i gjuejtë zemrat e tyne me shigjetën e dashunis që mandej të munden me i mposhtë me lehtësi. Dhe, ma fort se kushdo tjetër, këta njerës që kanë zemra elastike guxojnë me e akuzue femnën tue thanë se asht dreq. Dreq apo engjëll asht femna? Ajo krijesë që krijon tue u bamë nanë, ajo që rrit dhe edukon fëmij me nji durim shembëlluer, ajo që lidh plagë shtati e zemre, ajo që asht burim i pashterrun ngushullimi, dashunije e dhimshunije qenka dreq? Do të ishte mirë sikur t’ishte dreq kundrejt këtyne typave, por nuk asht se… se natyra e ka krijue për engjëll.

Zefi s’ban pjesë në këtë kategori të bastardhueme. Ai asht i dejë për Irenën e mirë e të bukur. Un marr pjesë në gëzimin e tyne ashtu si merr motra për vëllan e motrën. Irenën nuk e penguen prindët e vet në zgjedhjen e shokut të jetës. Ata e kryen detyrën e tyne tue u kufizue vetëm në qortime e këshilla, por kurrë nuk e urdhënuen e nuk e shtrënguen që të martohesh me ndonji tjetër, ashtu si bajnë shumë prindë në vendin t’onë. Xha Simoni e Mamë Gjystina mendojnë krejt ndryshe dhe nuk u gjasojnë prindëvet t’onë. Ata besojnë se e drejta e zgjedhjes së shokut të jetës i përket atij ose asaj që do të martohet, pse vetëm ai ose ajo do t’a shijojë hidhësinën ose ambëlsinën e këtij vendimi. Me fjalë tjera, ata nuk duen me marrë përgjigjësi morale para atyne që do të martohen. Sa mirë se? Ata që martohen, simbas mendësis së Xha Simonit e Mamë Gjystinës, lypset të jenë në gjendje që t’a çmojnë randësin e veprës dhe t’i kuptojnë kshillat drejtuese e ndriçuese të prindëvet të vet. Përndryshe paçin vetëhen më qafë.

Fatin e Irenës kisha me ia urue edhe vetëhes, por kush e din se ç’ka rezervue destini për mue. Ndoshta edhe Shpendi asht shoku i atyne djelmave që përmenda ma sipër. Ndoshta ai asht edhe ma i lig se ata e nuk don të dijë për atë zemër që lëngon prej shigjetave që i nguli ai me syt e tij. Por jo. Ay asht i mirë, i urtë, i pastër, i ndershëm dhe i… papërlyem nga veset e liga.

29 Prill

Jam e dobët nga shëndeti. Nji hafsh i nxehtë m’a ka kapullue krejt shtatin dhe më duket sikur jam tue u djegë mbrenda nji furi. Edhe kolla po më cyt mjaft dhe ndi dhimbje në krahnuer. Dje disa herë përshtyna gjak. S’dij se të gjitha këto a janë shenjat e ndonji sëmundjeje apo të shkaktueme nga i ftofti që mund të kem marrë. Më pëlqen të rrij shtrimë e në qetësi. I thashë babës që të më sillte nji mjek, por ai i shtrembnoi turijt dhe duel tue e tundë kokën e tue murmuritë:

— Sa shpejt bahet goca për doktor se?!.. Nji çikë t’i dhem koka ose barku, menjiherë, kërkon doktor!.. Kam frigë se ka me kërkue doktor edhe kur t’a zajë lemza!

Ç’t’i thojsha? Ai nuk i jep randësi shëndetit dhe kujton se njeriu asht i sëmunë vetëm atëherë kur rrëzohet e bije në shtrat për të… vdekë. Oh sikur t’a kisha pranë Shpendin që të ma fërkonte ballin që më digjet si nji saç i nxehtë. Sigurisht do të shërohesha menjiherë kur të prekte dora e tij mbi ballin t’em dhe nuk do të ndijsha as dhimbje krahnori as edhe dobësi trupi. Por ku asht! Sa lakmi e kotë.

1 Maj

Pranvera e simjetshme, çuditënisht, ka kalue me shina dhe ka qenë mjaft e flladëshme. Shiu që pat fillue disa ditë ma parë dhe vazhdoi me ndërpremje të shpeshta, dje mbas dreke pushoi ma. Dje mbrama kemi pasë nji qiell të kthjellët e të mbushun me yj xixëlluese. Asnji re nuk dukesh në hapsinë. Ishte nji natë e kandshme që do të gdhinte në ditën e parë të Majit dehjëse ngacmues i zemrave të reja. Ishte nji natë që të mbushte plot malle e dëshirime të pakufishme, që t’a ambëlsonte jetën dhe t’a dhetfishonte forcën e dashunis. Ah sa lakmova që t’a kisha pranë Shpendin për me e shijue bashkë bukurin e natyrës.

3 Maj

Po të vehen re fëmijt ka në ndryshime në mes të njeni tjetrit dhe njeni i gjason t’atit, tjetri s’amës. Gjasimet fizike i shpjegon shkenca dhe theoria e sajë mund të pranohet vetëm përsa ka të bajë me dukjen e me shtatin e fëmis. Sa për shpirtin, simbas mendimit t’em, ndryshon puna. Në të kujtoj se ndikon nji fuqi tjetër e padukshme, e cila i ban të mirë ose të liq, simbas asajë mbëhije që për ne asht misterioze. Të pakën kështu më duket mue.

Pleqt e plakat më thonë se un, si në dukje ashtu edhe në shpirt, kryekëput i gjaj nanës. T’im eti i përhijë vetëm në gishtat e kambëve. Rizai i ka gjamë s’amës, si në të pame ashtu në shpirt, kurse Ferideja, Meti e Razija ma fort pjerrin kah em atë se sa kah njerka. Qysh tash duken në ta shenjat e prindëvet. Po. Rizai asht mjaft grindavec dhe nuk i len të qetë motrat e vëllaun. Por edhe Feridja duket se do të bahet kapricioze, se çdo gja që e pëlqen, don me e përvetue patjetër, qoftë edhe me damin e tjerve. Meti ndryshon fare prej tyne. Ky asht lulja e fëmijve. Fëmijvet t’onë u mungon edukata, pse njerka s’e ka çamë kryet me i rritë simbas parimeve që epin fryt e të dobishëm. Nji grue që nuk ka pasë vetë nji edukatë të shëndoshë familjare dhe as ma të voglin mësim, asht e natyrshme që edhe fëmijt e vet t’i rrisi e t’i edukojë simbas mendësis së vet të ngushtë e të mykët. Ç’mund të mësojnë fëmijt nga nji nanë e padijshme? Natyrisht kurrgja të mirë dhe shumë të këqia e marrëzina. Fëmijt e nji nanës injorante rriten të dobët nga shëndeti, nga mendja dhe nga shpirti, pse ajo i tremb me gogola, i kuen me bestutnina dhe i mojt me marrëzina. Për shembull kur bije rrëfeja, u thotë njerka fëmijve se engjëjt e gjuejnë dreqin me pushkën e Zotit dhe kur bije shi thotë se engjëjt luajnë livere në qiell! Për kët shkak fëmia e nji nanës injorante nuk mund të ketë asndonji ndihmë paraprake prej saj dhe rritet e trembun, e shtypun dhe e torrullueme. Un, herë mbas here, përpiqem me ua ndreqë gabimet fëmijve, por qortimet e mija nuk u bajnë efektin e dëshëruem, mbasi nuk gëzoi ndonji autoritet kundrejt tyne, pse veshët e tyne me mija herë kanë ndigjue të shahem e të përbuzem prej nanës së tyne. Veç kësaj qortimet apo këshillat e mija, simbas njerkës, janë porosina të mbrapshta dhe të damshme për fëmin. Prandaj ajo i porosit që të mos m’a venë veshin. Për shembull kur mundohem me u shpjegue se ç’asht shiu ose rrëfeja, ajo i tharton turijt dhe më kundërshton tue më fye si e pa fe. Edhe kur i porosis cucat që të krifen, nxehet dhe thotë se nuk janë… nuse.

Kështu ngjan edhe kur u kërcnohem që të mos gënjejnë, që të mos i kruejnë hundët, që të mos i hanë thonjtë me dhambë, që të mos mvishen trashë, që të mos flasin me gojë plot gjellë, që të jenë të pastër dhe që të mos flasin fjalë të ndyta. Asht nji dhanti e madhe me u bamë nanë, por nji nanë e mirë që ka cilësin dhe zotësin me përgatitë qytetarë të mirë. “Parrizi asht nën kambët e nanës” ka thanë Muhameti, përmend dajë Haxhiu. Por un kujtoj se në këtë shprehje profetike asht qëllimi për nanën e mirë e jo për ato që i përgatisin cuba shoqnis njerzore. Nanat e mira i bajnë të lumtuna familjet dhe këto shoqnin. Që të jetë e mirë nji nanë, po e përsëris, ka nevojë për edukatë e mësim. Po të kishte pasë nji edukatë shkollore eme njerkë, padyshim, do t’ishte krejt ndryshe, se shkolla do t’ia heqte veset dhe fëmijt do t’i rritte në mënyrë të pëlqyeshme. Por mjerisht asaj i mungojnë të gjitha ato që duhen për të qenë nji nanë e mirë. Edhe un, po të mos isha edukue në shkollë prej mësuesve të mira e t’urta dhe po të mbetesha në duert e sajë, sigurisht do t’a ndiqsha shembëllin e saj. Sikur t’a kisha pasë pushtetin e nji diktatorit, kurrë nuk do të lejojsha të martohen femnat ose mashkujt që nuk kanë nji edukatë të shëndoshë, sepse pjella e tyne do t’a shrregullonte e do t’a pengonte mbarëvajtjen e shoqnis. Sot ndër ne as femna mund të bahet nanë e mirë as edhe mashkulli atë i mirë, pse ma të shumët janë injorantë, pa edukatë dhe si të tillë vazhdojnë t’a ndjekin me besniki mendësin prapanike të prindërve. Me këtë mënyrë, asht e dijtun, përvëneret shoqnia me jargët e tyne. E un, sikur të kisha qenë djalë, do të bërtitsha e do t’a ngrejsha zanin deri në kupë të qiellit që të mundesha me e sigurue mësimin dhe edukimin e femnës ma shumë se të mashkullit, sepse femna asht edukatorja e parë e njeriut.

8 Maj

Eme njerkë, tue bisedue sot me nji zojë që kishte ardhë në vizitë, po i thoshte se ajo nuk ishte ma shum se 35 vjetsh. U çudita kur ndigjova se njerka po i hiqte disa fasha moshës së vet! Un mbaj mend shum mirë se ajo kur u martue me t’em atë kisht e nja 32-33 vjet mbi shpinë dhe quhej gjysmë grueje prej grave të fisit t’onë. E qysh atëhere, në mos gabohem, kanë kalue nja 13 vjet. Njerka ia kishte kthye shpinën derës. Kur hyna mbrenda për t’i dhanë kafe zojës, ndigjova t’i thotë:

— Un kur erdha këtu Dijen e gjeta njikaq të gjatë - tha dhe bani shenjë me dorë që të diftonte se sa e madhe dhe e gjatë kam qenë kur asht martue ajo me t’em atë. U çue pak nga karrika dhe e ngriti dorën, sa mundi, naltë për t’a matë shtatin t’em t’asaj kohe. Un, edhe sot që jam një vajzë 17 vjeçare, nuk jam e gjatë n’atë masë që tregoi ajo. I kafshova buzët që të mos qesh.

Përse gënjen? Përse i mshef vjetët e moshës së vet? Mos pandeh se përtrihet tue mos e thanë të vërtetën? Mos kujton se, me këtë mënyrë, ndalohet rrota e jetës e nuk rrotullohet? Sa të lehta janë ato femna që mundohen me i gabue të tjerët tue i mshefë vjetët e tyne, sepse edhe ndigjuesin e venë në pozitën e të marrit, mbasi ai lypset t’a kuptojë përafërsisht moshën e tyne nga dukja. Mirë, por ato kujtojnë se kurrkush nuk e ka kuptue rrenën dhe as që mundet me e njoftë moshën e vërtetë të tyne. Kjo grue, që arrin me gënjye kësodore nji njeri të painteresuem në moshën e sajë, kush e din se si e rren t’em atë. Ndoshta atij i thotë se nuk asht as 30 vjeçare dhe ndoshta dhe ai i beson. Po t’i apim nji farë përfillje fjalës që thonë se pleqnia asht vdekja e femnës, do t’i epsha nji farë të drejte njerkës që t’i skontonte vjetët e moshës së vet, por jo edhe aq shumë de se po të bahet nji farë llogarije do të shofim se ajo ban nji zbritje gati 25%!.. Sigurisht kurrkuj nuk i pëlqen të mplaket dhe t’i avitet çastit kobar të vdekjes, por jo tue e gënjye vetëhen dhe tue i mashtrue të tjerët kaq trashanikisht de. Un nuk besoj të përulem aq shum sa t’a rrij me i gënjye tjerët mbi moshën t’eme edhe sikur t’a dij se do t’i humbi thesarët e lumnis s’eme, sepse ma e randë më duket rrena se sa mosha e madhe që do të më randojë mbi kurriz.

14 Maj

Shpendi i kishte dërgue letër sot Irenës dhe nji fotografi familjes. Prap pyeste për mue dhe më falesh me shëndet. Fotografin m’a diftoi Irena. Un e mora dhe, mbasi i hudha nji vështrim kinse mospërfillës, e fuga mbi tryezë. Me këtë mënyrë dojsha të diftohem sikur nuk e çaj kryet për të, por sikur të më vente mendjen Irena kishte për t’a dallue ndryshimin e madh që pësoi fëtyra e eme në çastin që ndeshën syt e mij në fëtyrën e tij. Veç kësaj ajo s’vuni re se un po e kundrojsha tinzisht fotografin, të cilën e kisha hudhë mbi tryezë nergut në nji pozë që të mundesha me e pa më ma së miri.

Indirefentë janë njerzit kundrejt tjerve ose sendeve që nuk i interesojnë, por janë të pashqitun dhe të pasionuem kundrejt atyne që i pëlqejnë e i dëshirojnë. Ku t’a dinte Irena se sa vlerë kishte për mue ajo pikturë që e hudha me nji farë përçmimi. Jo vetëm që un nuk i kam dhanë rasë për me e kuptue tinëzin e zemrës s’eme, por edhe lumnia e vet, e endun nga dora e Zefit , nuk e lejon të shofi se ç’ngjan rreth e rrotull. Syt e Shpendit, edhe në fotografi, gjajnë sikur nxjerrin rreze drite t’ambla, por edhe gaca zjarmi që djegin e përcëllojnë. Ah ata sy! Ata derdhën në zemrën t’eme helme nektar dhe më banë të qaj e të qesh, të rrënkoj e të gëzoj. Po t’ishte e mundun që t’a përvetsojsha këtë fotografi, isha gati të baj fli disa vjet nga jeta e eme.

— Shënimet me datë 17, 21, 24, dhe 30 Maj janë shly në mënyrë që të mos këndohen. Vetëm në shënimin e fundit dallohen këto pak fjalë që s’janë shly mirë mirë dhe që janë të shpërndame në rreshta të ndryshëm: “mbasi i mbusha 14 vjetët … e ndiva vetëhen dhe herë mbas here shifsha … shifsha n’andërr shkrihesha prej kënaqësis nji turbullim shpirtnuer dhe nji shkrehje të gjymtyrve. Edhe nashti e shof zemrën … dhe më duket sikur …”

3 Qershuer

Dje mbasdreke më kishin zanë ethet. Qeshë shtrimë mbi nji shilte në nji kthinë poshtë, se përtojsha me u ngjitë naltë për me ra në shtrat t’em. Kur po përpushesha nga dhimbjet e trupit e të kokës erdh hallë Hatixheja. Qëndroi nji copë herë ke kryet t’em tue m’a fërkue ballin. Kur u largue, tue drashtë se mos ftohem, e kshilloi njerkën që të më mbulonte me dishka. Un pata të nxehtë dhe s’dojsha që të mbulohem, por nuk bëzana se s’kisha fuqi as edhe me folë pse isha raskapitë fare. E njerka, që t’a çonte në vend porosin e hallës, më kishte mbulue asokohe, kur më kish katëllu e gjumi.

Kur u zgjova dhe i hapa sytë pashë se isha mbulue me nji jorgan të vjetër që isht e copa copa e me njolla që i vinte era uthull e djersë. E hoqa, me neveri dhe e hudha tej at jorgan, i cili sigurisht do t’ishte pasunia e trashëngueme prej stërgjyshes plakë e të dergjun në shtrat vjet me rradhë. Nuk dij se qysh nuk e ka diktue im atë e t’u a shitte tregtarëve të vjetërsinave si jorganin e Adamit.

— A s’gjete nji jorgan tjetër që më kishje mbulue me atë fëlliqsinë? - i thashë kur u ngrita.

— Pse a s’të pëlqeu a? Ku t’a gjejsha ma të mirin? - m’a bani me buzë të mvarun.

Jorganë kemi plot, por ma të ndytë e ma të vjetër se kët nuk kemi asnji. Edhe un çuditem se si ka shpëtue pa u hudhë në plehën kjo vjetërsinë e fëlliqun që sigurisht përmban miljona mikropë. Sa shpirt të lig ka kjo grue dhe sa fort m’urren. Edhe në gjanat ma të vogla kërkon të më hidhnojë; edhe në rasat ma të parandësishme përpiqet me më zemërue. Tue mendue se un jam rritë në këtë shtëpi, ku ajo zotnon, çuditem se si nuk kam plasë përpara se t’arri në këtë moshë. Mjerë ata bonjakë që bijen në duer të njerkave të tilla. Un, po të kisha qenë djalë dhe po të hetojsha se mbrenda katër mureve të shumë shtëpiave mundohen vazhdimisht bonjakë të njomë, sikundër un, kisha me e çue peshë botën dhe do t’a detyrojsha prokurorin e shtetit që t’i paditte prindët dhe njerkat e atyne fatzijve n’emën të së drejtës botnore. Po, do të kërkojsha denime shembëllore si për njerkat e liga ashtu dhe për prindet sylesha që nuk kujdesohen për mirërritjen e bonjakëve të shkretë, se me këtë mënyrë do t’i shërbejsha njerzimit.

8 Qershuer

Dajë Haxhiu kishte ardhë ke ne sot në mëngjes për vizitë. Ai asht daja i nanës. E quejnë Hasan, por un e thërres Dajë Haxhiu, pse ka qenë në Mekë. Ai asht edhe hoxhë dhe shum i fortë në punët e fes, por im atë e quen “rafëzi”, ndoshta pse ai i shfaq lirisht gjykimet e veta dhe ndoshta pse këta nuk pajtohen me konceptin që ka formue im atë mbi fen. Për shëmbëll Dajë Haxhiu thotë se vena asht e ndalueme me u pimë, për shkak se e damton shëndetin e moralin e njeriut, por lejohet me u përdorë n’asht se e porosit mjeku për t’a për mirësue shëndetin e nji të sëmunit të dobsuem. Em atë e kundërshton rreptësisht dhe thotë se nuk fut në gojë asnji pikë edhe sikur të jetë tue vdekë, pse ai që pin venë dyzet ditë dalka prej Imanit!..

— Njeriu fetar isht asht i detyruem me e ruejtë shëndetin e vet, sepse trupi asht nji ndërtesë hyjnore. Për kët shkak dhe për arësye se njeriu lypset t’a kryejë misjonin e vet në këtë jetë, vetëvrasja asht e denueme rreptësisht prej fes si nji nga mëkatët ma të mëdha. E ata që nuk kujdesohen me e ruejtë shëndetin e tyne, me mjete e mënyra që nuk i sjellin ndonji dam tjetrit, dita ditës vazhdojnë t’a vrasin vetëhen dhe, me këtë mënyrë, e kundërshtojnë dëshirin hyjnuer - thotë ai, por ku merr vesh im atë se?!

Në bisedim e sipër, s’dij se qysh, e preku Dajë Haxhiu çashtjen e mbulesës dhe nevojën e mësimit të femnës. Im atë e shiqoi shtrembët dhe e kundërshtoi me nji fjalë të trashë. Atëhere ai ia priti dhe i tha:

— Profeti porosit që t’a kërkojmë dijenin qysh nga djepi deri në tabut dhe thotë se titujt ma të mëdhej të nderit në këtë botë janë ata që siguron dijenia e jo forca ose pasunia.

— Mund të ketë urdhënue Pejgamberi që t’a kërkojmë dijenin, por atë të Dinit e jo të Frengut – përgjigji im atë.

— Ai nuk e ka kufizu e dijenin vetëm n’atë të fes. Bile në radhë të parë e ka vu dijenin e shëndetit dhe mbasandaj tjerat - shpjegoi Dajë Haxhiu.

— Sidoqoftë dijenia mund t’i hyjë në punë nji mashkullit, por jo nji femnës - tha em atë tue kujtue se ia lidhi kryet fjalës.

— Jo, mor i uruem, jo, se dijenia nuk asht monopol i mashkujve dhe, po t’ishte nji privilegj vetëm për burrat, ai do t’a shpallte pa u drashtë as prej meje as edhe prej femnave që mund t’i zemroheshin. Përkundrazi thotë se dijenia asht e domosdoshme si për mashkujt ashtu për femnat Myslimane. Veç kësaj duhet të dijsh, miku i em, se historia Muslimane asht plot emna femnash që kanë pasë zotnue nji kulturë të gjanë dhe që i kanë sjellë shërbime të çmueshme njer zimit - tha Dajë Haxhiu, por em atë pat thanë nji herë jo e nuk mund të thoshte po.

— Ndoshta asokohe ka pasë femna të dijshme, por nashti grueja s’ka nevojë për dijeni - tha im atë mbasi u mendua pak.

— Përse? - pyeti Dajë Haxhiu.

— Sepse femna e kësaj kohe asht dreqi vetë dhe, po të stërhollohet edhe me mësime, ka me sajue djallëzina dhe ka me na qitë njimij ngatrresa në ditë.

— Djallësit e ngatrresat mund t’i bajë nji femën që s’asht zhvillue nga mendja e nga shpirti me anë të mësimit, por jo ajo që gëzon nji dijeni, pse nji femën e shkollueme i çmon detyrat dhe i din të drejtat e veta - ia bani Dajë Haxhiu.

— M’a merr mendja se, po t’a kishe pasë ti në dorë, do t’i zbulojshe femnat dhe të gjitha shtëpiat do të na i bajshe shkolla - tha im atë me qesëndi.

— Po t’a kisha pasë në dorë do t’a grissha çarçafin dhe nuk do të lejsha femën pa shkollë, pse grueja asht themeli i shoqnis njerzore, pse ajo asht burimi i moralit, pse ajo asht nyja e shenjtë e qenëjes, pse ajo e mbjell farën e dashunis vëllaznore në mes të njerësve. E kur ajo lihet mbas dore vuen e tanë shoqnia njerzore.

— Pun’ e madhe!.. Do të vuejtkemi të gjithë, pse s’dijnë me këndue e me shkrue flokë-gjatat! E si kemi jetue deri sot? Dish zotin leni dreqkat, se na s’dijmë vetë - ia bani im atë me nji farë mërzije.

— Mirë, por ti me nji anë mbahesh si fetar i mirë dhe m’anë tjetër nuk ban si urdhëron ajo - i tha daja.

— Pse?

— Sepse Pejgamberi thotë se çdo gja asht një gja, por padijenia s’asht kurrgja. Do me thanë se e porosit mësimin. Veç kësaj në nji verset të Kuranit thuhet se kurrsesi nuk mund të ketë barasim në mes të dijshmit dhe të padijshmit.

— Përse?! - pyeti em atë i çuditun.

— Sepse njeri rron në dritë e tjetri n’errësinë, njeni shef gjithkah dhe tjetri asht i verbët. Pejgamberi, që t’a theksonte randësin dhe vlerën e dijenis, thotë se ma i pëlqyshëm asht gjumi i të dijshmit se sa lutja apo falja e të padijshmit.

Im atë heshti e nuk foli ma. Dajë Haxhiu asht mjaft gjakftofët dhe shum i urtë. Nuk nxehet lehtë. Vetëm kur shef se po shtremnohet e drejta ose cenohet e mira, bahet i egër e nervoz. Kështu ngjau edhe sot kur im atë përpiqesh me i dhanë mësim dhe me ia tregue rrugën që ai kujton se asht e drejtë.

— Mëkati ma i madh i jueji - i tha me zemrim - asht guximi që tregoni tue ua predikue tjerëve fen sikundër e keni keqkuptue ose si ju pëlqen juve. Ju e bastardhoni fen dhe e ulni në shkallën e nji zakonit të lig që nuk ka asndonji bazë logjike e morale. Prandaj ju kshilloj që të mos e përsëritni edhe nji herë kët faj. Po t’a përsëris edhe nji herë se e keqja dhe veprat që nuk i përshtaten logjikës nuk janë pronat e fes s’onë. E ju, që nuk keni as ma të voglin mësim, mos përhapni në popull helm e vëner, se do të jeni përgjigjës para njerzis e para Perëndis.

Em atë e pat mbyllë gojën ma dhe nuk kundërshtoi. Shumë herë ai e cyt Dajë Haxhiun dhe, me paditunin e vet, përpiqet me e mundë. Im atë, sikundër duket, kujton se zotnon nji dije të gjanë mbi fe, kurse s’din gja. Veç kësaj ai mbahet ma sheriatçi e ma fetar i mirë se hoxha vetë. Sikur t’isha në vend të Dajë Haxhiut do t’a rroksha flamurin dhe do t’i shpallsha luftë asajë turme të pandërgjegjëshme dhe injorante që kërkon t’a mbajë femnën nën zgjidhën e padijenis dhe ia mohon të drejtat e saja njerzore.

14 Qershuer

Pesë ditë e pesë net ndejta ke Dajë Selimi. Edhe ky asht njeni nga dajallarët e nanës. Më kanda të shkoj e të rri ke ai, pse më duket sikur aty e ndij voksin e frymës së nanës dhe dashunin e pastër që ata kanë për bijën e vetme t’asajë q’e patën si syt e ballit. Veç kësaj Xhevrija dhe Sanija, dy gocat e dajës, janë shum t’urta e të shoqnueshme. Me to kalohet jeta e ambël dhe pa mërzi, pse kanë nji farë cilësije, dhanti prej natyre, me t’a hjekë të keqen me dy fjalë ose me nji nënqeshje.

— Të lumtun do të jenë ata që do të bahen burrat t’ujë - u thashë pardje mbas dreke në bisedim e sipër.

— Kujton ti, Dije, se do të jemi të zojat me i bamë fatbardhë burrat t’onë? - pyeti Xhevrija tue më shique amblas me syt e zij.

— Nuk kujtoj, por besoj Xhevrije - përgjigja.

— N’asht se do të keni fat me u martue me asish qe kanë meritën me e quejtë njeri, me asish që kanë tru e ndërgjegje, do të çmohen cilësinat t’ueja të rralla dhe do t’i bani të lumtun.

— Ku e dijmë na të gjorat se ç’fat na pret. Apo mos kemi të drejtë me i zgjedhë vetë shokët e jetës? - ia priti Sanija tue e përkulë kokën me nji anë dhe tue e palue, me gishtat e hollë, kindin e fustanit të vet.

— Ke të drejtë - i thashë tue hofkëllue dhe heshta.

Heshta se s’kisha si me i ngushullue, mbasi edhe un isha si ato, pa as ma të voglin privilegj dhe pa ndonji fuqi që të mundesha me e fitue atë të drejtë aq natyrale që duhet t’a gëzojmë. Më shkoj mendja, menjiherë, ke Shpendi dhe m’u rrëqeth shtati kur e kujtova vështirësin që mund të ndeshi për me e bamë shok jete. Ah femna shqiptare Muslimane. Ajo përgjithësisht asht e vorfën shpirtnish, e pazhvillueme mentarisht dhe e dobët fizikisht, pse nuk i asht dhanë mundësia që t’a argëtoje shpirtin, që t’a ushqejë mendjen dhe t’i gëzoje dhantit e natyrës për t’u bamë e fortë dhe e dobishme për shoqnin ku ban pjesë. Ajo s’ka kurrgja që të jetë e kënaqun dhe krenare; vjen e shkon pa lanë gjurmë në këtë jetë. Ajo, edhe po të dojë, s’mundet dhe s’ka se si t’i kushtohet së mirës, së bukurës e të virtytshmes, pse përnjimend asht si nji robneshë pa kurrfarë të drejte.

— Xhevrijen e kërkoi dikush, por s’e dha tata - tha Sanija mbas pak tue e këputë kështu vargun e mendimeve të mij.

— Kush që ai? - pyeta.

Xhevrija u skuq dhe e uli kryet.

— Nji farë Sabri… Dega - gjegji Sanija.

— A e njifshe ti Xhevrije? - pyeta.

Ajo heshti e nuk bëzani.

— Përse nuk flet Xhevrije? Mos të vjen turp edhe prej meje?

— Jo. Nuk e njifsha - tha kadalshëm pa e ngritë kryet.

— Pse s’të dha Dajë Selimi?

— Sepse ai qenka pijanik - gjegji Sanija në vend të saj.

— A!? - bana si e habitun për vendimin e përshtatshëm që paska dhanë Dajë Selimi tue mos ia dhanë vajzën nji njeriut që e helmon vetëhen me alkool. Sa mirë paska bamë se?..

— Edhe kjo nuk e donte - plotsoi Sanija.

— A dashunon ndonji tjetër? - pyeta.

Ajo u skuq dhe më ngjajti sikur u trondit. Nuk bani za.

— Po - ia priti Sanija me atë thjeshtësi që e ban të shquhet ndër shoqe.

— Cilin?

— As ajo s’e din si e quejnë. E ka pamë, disa kohë ma parë, tue kalue këndej rrugës.

— Nga asht?

— Ku t’a dijmë na - tha Sanija tue i mbledhë krahët.

“E shkreta vajzë”, thashë me vetëhe dhe e qava atë dhe vetëhen, pse edhe un isha në gjendje të sajë. Po. Edhe un dashunoj nji djalë që e pashë rasësisht në shtëpi t’Irenës, por që nuk kam mundë me folë ma karnji fjalë me të. Edhe un, si Xhevrija, nuk e dij se a më dashunon apo jo dhe se ç’fat e pret dashunin t’eme. Un, ma shum se ajo, pata fatin t’a mësoj emnin dhe të marr njoftime mbi familjen e tij, por kurrgja ma shum dhe asgja të kënaqshme për sigurimin e lumnis s’ardhëshme. Oh sa vajza, si na, lëngojnë gjatë jetës dhe vdesin pa ia kallzue kuj sëmundjen e zemrës. Sot kur po iksha, tue u përshëndetë ke porta, më pëshpëriti Sanija ke veshi:

— Dashnori i Xhevrijes asht me vesh të shpuem.

— Me vesh të shpuem! - thashë me za të këputun.

— Po. Asht i bukur: Ka dy sy të zij që të merr më qafë kur të shiqon; ka shtat të plotë e të mesëm; rrin me kokë jasht dhe flokët e zij i lëshon mbrapa - shpjegoi Sanija.

— Mos e quejnë…

S’e mbarova fjalën. U pendova.

— Nuk e dij se si quhet.

— Ku rrin me shtëpi?

— S’e dij, jo. Për herën e parë e patëm pamë nga dritarja aty kah mezi i Prillit, por mbas katër a pesë ditësh u shduk ma. Ndoshta asht i huej - bani ajo tue më shique në sy.

“Ai asht”, pëshpërita me vetëhe dhe ika si e hutueme. Tash dashunis s’eme iu shtue edhe zilia dhe vuejtja shpirtnore u dyfishue.

17 Qershor

Feja e moda, simbas mendësis së disa tru-ndryshkunve, qenkan shemra që s’pajtojnë kurrë. Un, të them të drejtën, nuk po mundem me e kuptue arësyen e rrjedhjes së këtij kundërshtimi kaq t’ashpër që zhvillohet në mes, t’antarve të të dyjave. Për shembëll disa kohë ma parë u ba kijameti prej njerkës, pse un kisha premë nji fustan pak të shkurtun. Ajo u ba spec prej zemërimit dhe thoshte se fustani lypset të jetë i gjatë deri ke themrat e kambëve. E ai i emi ishte nji pëllambë nën gju. Megjithqë qysh atëhere ka kalue shumë kohe ende s’ka pushue grindja e fustanit. Do të mveshin këmishë zjarmi në xhehennem - thotë njerka dhe ket kërcnim e përsërit shpesh e shpesh.

Këto ditë pat nisë nji grindje tjetër: Ajo e flokve të shkurtun. Shumica e femnave, simbas modës së sotshme, i kanë premë leshnat dhe i kanë lanë nja nji pëllambë të gjata. Edhe un, që t’i përshtatem modës dhe që të mos dukem ndër shoqe si dhi e egër, shfaqa dëshirin me i premë, por njerka kundërshtoi tue thanë se asht mëkat i madh. Dy ditë rresht nuk i prani goja tue folë mbi këtë mëkat. Të tretën u tërbue fare kur pa se un, kundër porosis së sajë, i kisha premë. Po. I preva. Ia dhashë Irenës gërshanët dhe iu luta të m’i presi. Njerka tash vazhdon të çirret tue thanë se u prish dynjaja. Për fat të mirë dhe për çudi, em atë nuk m’u vërsul me at mëllef që më msyeni njerka. Ai më shiqoi me nji farë përbuzje dhe më tha:

— Ç’paske bamë ashtu moj? Qenke bamë si dhija shutë eh të marrtë mordja!

— Në kohnat t’ona - thotë njerka tue fry ndër hundë - edhe dielli ngrofte ma shum edhe hana shkëlqente ma fort, pse na e kishim frigë Zotin dhe nuk bajshim kësi maskarallëkesh. Nashti hyni dreqi në zemër të njeriut. Këto që bani ju janë nishane kijameti. Të mjerat na që ia mbrrimë kësaj dite.

A thue se me të vërtetë do të bahet kijameti pse i preva un flokët? A thue se, përnjimend, ka me u zemrue Perëndia, pse na i shkurtuem flokët e gjatë? Nuk besoj dhe nuk kujtoj që zoti të ketë vumë nji ligjë të posaçem për t’a regullue çashtjen e flokve. Nuk e kuptoj se ç’lidhje kanë flokët e mij me lamshin e dheut. Mos asht lidhë lamshi i dheut në fijet e flokve të mij dhe, tash që i preva, do t’a humbi drejtpeshimin dhe do të rroposet?! Në qoftë se do të bahet kijameti pse un i preva flokët, në qoftë se do të shkatrrohen rrathët e dheut për shkak të flokve të shkurtuna ose të gjata, le të bahet çika çika dhe pluhun fare, se edhe neve nuk na vlen ma.

Disa ditë ma parë e pyeta Dajë Haxhiun mbi këtë çashtje. Ai më shiqoi çuditshëm dhe më tha:

— Përse më pyet moj bijë?

— Pyes, se disa thonë se asht gjynaf me i premë - përgjegja.

— E pse qenka gjynaf? Ç’ka të bajë floku i gjatë ose i shkurtun me fen? Në qoftë se asht gjynaf për ju duhet të jetë edhe për ne burrat, se edhe na i presim - gjegji.

— Ashtu?!.. - bana e habitun nga përgjigja e tij plot logjikë.

— Ashtu po. Ban si të duesh bijë. Vetëm kije ndër mend se Zoti interesohet për shpirtin t’and, për veprën t’ande të mirë ose të keqe në këtë botë, se sa për flokët e tu të gjatë ose të shkurtun nuk don me dijtë gja - shpjegoi.

Mirë, por eme njerkë nuk asht nji mendimit me Dajë Haxhiun. Disa vjet ma parë qenka zakon me ia premë flokët vajzës së fejueme ditën që do të nusënoheshka. Simbas këtij zakoni apo besimi vetëm gocat paskan pasë të drejtë me mbajtë flokë të gjatë e gërsheta, kurse femnat e martueme lypseshka të kenë flokë jo ma të gjatë se ke supet, pse floku i gjatë, për gruen e martueme, baheshka gjarpën në Xhehennem. Ma vonë paska ndrrue ky zakon dhe të gjitha femnat, pa u përjashtue edhe njerka e eme, paskan nisë me i mbajtë flokët të gjatë. Për kët shkak paskan ndodhë shumë grindje në mes të fanatikve e të liberalëve sa paskan lanë shumë kujtime të hidhta. Tash që moda kërkon t’i shkurtojmë, prap ka nisë me fry ai murran i egër i kundështimeve dhe i grindjeve në mes të të dy palëve. Qysh nga Eva e deri më sot, sigurisht, mija volume do të jenë shkrue mbi bukurin e flokve të gjatë të femnës dhe un, po t’a kisha pasë në dorë, do t’a kundërshtojsha modën e premjes së flokve, por qeh se nuk më pyet e nuk më ndigjon kush!..

Dëshiri për me e shkërbye femnën e qytetnueme ka nisë me e ngacmue edhe femnën Shqiptare, por ky farë ndikimi ka mbetë vetëm për sa ka të bajë me modën e jo ma shum. Duket se edhe burrave u pëlqen mveshja e mertisja e grave simbas modës, pse po diftohen mjaft toleruesa dhe herë e verbojnë njenin sy herë e shurdhojnë njenin vesh. Me gjithë kundërshtimet e plakave e të pleqve fanatikë moda i ka futë turijt edhe në banesat ma të harrueshme të vendit tue e shtiem nën zgjedhë shumicën dërmuese të femnave. Me këtë mënyrë femna Shqiptare ka nisë me bamë nji shkërbim të sipërfaqshëm pa qenë e zoja me bamë nji ndryshim rranjësuer në gjendjen e vet për me u bamë shoqe e vërtetë me ato që rrojnë jasht kufijvet t’onë. Mos kujtohet se i mungon vullneti ose dëshiri për me e arrit atë të qytetnuemen, jo. Ajo don, por pengohet e luftohet. At ças që të shfaqen shenjat e këtij vullneti, do të ndeshi në kundërshtimin e fortë t’atyne fanatikve që i ka verbue llomi fetar i prodhuem dhe i shpikun prej disa njerësve të padijshëm e të pandërgjegjshëm, kurse feja, sikundër thotë edhe Dajë Haxhiu, kurrë nuk e pengon zhvillimin dhe përparimin e femnës, bile përkundrazi e nxit dhe e urdhëron. S’dij se kur do të shduket kjo fanatizmë nga vendi i jonë dhe cili do të jetë ai fatbardhë që ka me e shpëtue kët popull nga këto këthetra.

Ah sikur t’isha djalë dhe t’a merrsha un flamurin e kësaj vepre, me të vërtetë madhështore e njerzore.

20 Qershuer

Përsëri muer letër Irena prej Shpendit. Ai prap pyeste për mue. Në mes të tjerave i shkruente edhe se, mbasi t’a mbaronte shkollën, dëshironte me u shpërngulë nga Shkodra e me ardhë këtu. Ky lajm më gëzoi tepër, sepse do të mundem me e pamë nga ndonjiherë dhe ndoshta do të mundem edhe me folë me të. Më pëlqen t’a gjykoj si shenjë dashunije interesimin që tregon për mue, por nuk mundem me e besue kryekëput. Ah sikur të më dashunonte me të vërtetë. Po t’arrijsha me u dashune prej tij e me u… martue me të, kurrgja tjetër nuk do t’i kërkojsha Zotit. Por ah. Ndoshta ai pyet për mue i shtyem vetëm nga ndërgjegja dhe për të nderue regullat e etiketës apo të kalorë is që tash vonë ka në nisë me i përvetue të rijt e sidomos studentët t’onë. Dhe sigurisht kështu do të jetë. Oh ku kam fat un e shkreta me u bamë mbretnesha e adhurueme e atij mbreti të plotpushtetshëm që sundon mbi zemrën t’eme. Kush e din. Të them të drejtën jam me zemër të ngrime.

24 Qershuer

Eme njerkë asht edhe ziliqare. Po, asht edhe fort. Shumë herë e thumbon t’em atë dhe kërkon të dije se ku e kalon kohën, kur qëllon të vonohet me u këthye në shtëpi. Sonte, për shembëll, em atë i zanun me punë të shumta në dyqan, erdh pak vonë. Për këtë shkak ajo që tue luejt mendsh prej nakarit. Sa shkeli baba në prak të derës, ndeshi në njerkën që e priti me turi të mvarun dhe me nji breshën fjalë ankimi. Ai u habit dhe, pa e kuptue shkakun e vërtetë të kësaj furrejeje t’ashpër, shpjegoi se kishte qenë i ngatrruem me punë tregtije në dyqan. Mirë, por ku i mbushej mendja asaj se! Ai vonë e muer vesh qellimin e këtyne sulmeve të bame me nji gjuhë aq të fortë. Atëherë nisi me i folë ma shtruem që t’a bindët e se ai nuk ishte nga ata burra që mund t’i vehej në dyshim nderi. Nji copë herë, i lodhi fëlqijt tue u arsyetue dhe tue dhanë shpjegime, por njerka vazhdonte t’a këndojë kangën e vet. Ma në fund babës iu sos durimi dhe e msyeni me nji varg fjalë t’ashpra sa ia mbylli gojën.

E dij se zilia apo nakari në dashuni asht si krypa në gjellë. Gjithashtu e di se edhe dashnorët ngucen e besdisen fort kur hanë tepër nga kjo krypë njelmuese deri në helmim. Të gjitha këto i kisha ndigjuem prej atyne që i kanë sprovue dhe m’a merrte mendja edhe mue se, shumë herë, munde të ngjajnë moskuptime e dyshime midis atyne që u kanë rasë zemrave të veta nga nji kuintal ndiesi flakruese dashunore. Por nuk m’a merrte mendja se krymbi i dyshimit e i nakarit mundet me e brejtë edhe zemrën e nji grueje të mplakun dhe që disa herë asht bamë nanë. Mbasandaj prej kuj me dyshue se?! Prej nji burrit që ka kalue të 50 vjetët e moshës së vet dhe që, deri në fanatizmë, arrin me i respektue porosit e fes. Përmbi të gjitha ai nuk asht as edhe i bukur. Nuk them se asht i shemtueshëm, por s’asht edhe i bukur. Për shembëll ka sy të zij, por qepallet i ka mjaft të rralla; ka kokë vezake e faqe të plota, por hundën e ka të shtrrembët; ka shtat të plotë, por shalët i ka disi të shtrembëta si dy kiza me korriz jashtë; ka krahënuer të gjanë, por ka edhe do duer të mbëdha e plot lesh. Disa thonë se leshi ndër duer të meshkujve asht shenjë fisnikije, por mue, për Zotin, nuk më mbushet mendja se leshi mundet me e fisnikue njeriun. Përkundrazi kisha me thanë se leshi ndër duar asht shenjë primitiviteti, moszhvillimi ose papërsosmënije në pikpamje fizike. Un fisnikrin e njerut e kuptoj nga veprat e nga sjelljet e tija e jo nga leshi i duerve. Shkurt ai nuk asht nga ata që mund të admirohet prej nji femne si i bukur dhe t’a trembi njerkën se mos i rrëshqet nga dora.

Asht provue se jo vetëm njerzit por edhe kafshët kanë zili. Gjithashtu asht vu re se femnat janë aq ziliqare sa e humbin mendjen dhe arrijnë me bamë gjithshka kur i kafshon grenza e nakarit. Por zili, them, do t’i kishte hije, deri diku, nji gocës që dashunon ose ndonji nuses së re e jo nji grueje të mplakun. Veç kësaj asht marrëzi me dyshue prej nji njeriut, si im atë, që kur kthen në shtëpi asht i ndragun kambë e krye me voj, me tëlyen, me uthull e me të tjera. Prandaj kurrsesi nuk e gjej t’arsyeshëm dyshimin e saj kundrejt t’im et dhe këtë farë zilije ia atribuoj mendjes së saj trashamane që nuk mbrrin me gjykue me kthjelltësi dhe me arsyetue drejt. Me këtë mënyrë njerka i ndjell vetëhes hidhënime e mërzitje pa qenë nevoja dhe pa pasë ndonji shkak t’arsyeshëm.

Kësisoj vetë e cenon lumnin e vet. Po. Ka shumë njerës të lumtun në këtë botë që nuk e dijnë se janë të lumtun, pse mendjes së tyne i mungon drita e nevojshme për me e pamë jetën e vet ashtu si rrjedh rithmikisht. Këta typa, të shumtën e herëve, bahen manijakë të mërzitshëm dhe vetë kërkojnë jetën dhe bahen shokët e të mjerëve. Edhe njerka e eme hyn në rradhën e këtyne mendje-lehtëve, ndoshta e shtyeme prej destenit[^2] për t’i lamë mëkatet e mundimeve që më ka bamun mue.

Ndoshta.

27 Qershuer

Irena asht e lumtun. Po. Herë mbas here asaj i vjen i dashuni në shtë i dhe, orë të tana, rrijnë tue bisedue. Ah sa lakmojsha me qenë si ajo. I kam zili. Ajo u fejue me atë që ka dashunu edhe tash projekton se si t’a ngrehi folen e lumnis. Ku ka ma mirë? Kanë vendosë të martohen në vjeshtë dhe prindët e tyne e kanë pëlqye kët vendim. Prandaj, qysh tash, kanë nisë përgatitjet për dasmë. S’ka dyshim se të lumtuna janë ato që i kënaqin zemrat dhe të mjera janë ato që s’mundin me i argëtue dëshirat e tyne. Por ma të lumtuna janë ato që nuk gjejnë asnji pengim prej prindërvet të vet në realizimin e andrrimeve të tyne lumnuese. Edhe un andrroj nji lumni, por druej se do të ndeshi në pengime të ndryshme e sidomos në kundërshtimin e pathyeshem të babës, pse ai, për fat të keq, nuk asht në gjen dje me e çmue të drejtën e bijës së vet.

Pjesa e radhës
Ditët e bardha