2 Korrik
— Sihariq, Dije, se erdh Shpendi - më tha sot Irena sa më pa.
Zemra më rrafi me hof dhe shtatin m’a kapulloi nji hafsh i nxehtë.
— Përse më thue… sihariq? - i thashë me za të dridhshëm.
— Kot. Dishka më shtyni. Më fal në të hidhnova - m’a bani ajo e qeshun dhe tue më shique ndër sy.
I ula syt, pse nuk guxojsha t’a shof ma gjatë. Druejsha se mos m’a hetojë atë që mshef mbrenda zemrës. Dje paska ardhë bashkë me t’amën e të motrën. Paska zanë shtëpi këtu. Sot në mëngjes kishte ardhë ke Xha Simoni për vizitë. E paska mbarue shkollën tue dalë ndër të parët. Qe tash filluen netët e andrrave. Nisën netët që do të kalohen pa gjumë dhe tue i ndigjue rrafjet e zemrës së gandueme prej tij. Mbas sodi kam për t’i ndimë, ma fort se kurdoherë, dridhjet e zemrës së dehjun prej dashunis. Mbas këndej kam për t’i njoftë mëngjezet e trandafilta dhe kam për t’i shijue agimet e ndritshme që ka me pjellë imagjinata e dashunis vajëznore. Mbas sodi kam për t’a njoftë, ma së miri, botën e msheftë të dashunis.
Oh sa ç’qenka dashunia. Ajo t’a ambëlsueka jetën, por të robnueka e s’të lanka me rrëshqitë nga prehni i saj. Qeh s’më merr gjumi. Mendoj se ai tash asht këtu. Vetëm disa rrugë e disa shtëpi më ndajnë prej tij. Mbas sodi ai ka me jetue këtu si bashkëqytetar i em. Mbas këndej edhe ai, si un, ka me e thithë kët ajr që prekin, butas, buzët e mija të nxehta nga ethet e dashunis. Qeh më duket sikur jam tue e thithë at ajr që ai ka nxjerrë nga goja e vet e pastër. Më gjan sikur e ndi frymën e tij të vokët që m’a lëmon fëtyrën t’eme. Qeh syt e tij plot shkëndia gjallnije e flakëruese. Qeh fëtyra e tij e qeshun. E si mund të flej me zemër të trazueme që vlon përmbrenda? Natyrisht s’mundem. Nuk dij se në cilën lagje e në cilën shtëpi banon. Me gjith këtë u krijue në fantizin t’eme nji banesë që tash ka marrë hijen dhe dukjen e bukur të Qabës së dashunis s’eme. Qeh e shof, si nëpër vegim, se ka ramë mbi shtrat e po flen amblas tue marrë frymë lehtë si ndonji foshnje e padjallzueme dhe e njomë. Syt e zij janë të mbyllun. Qepallet e zeza bajnë hije mbi fytyrën e tij të bukur dhe gjajnë si ushta të zeza që ruejnë thesarët e grumbulluem n’ato dy kupa të ndritëshme. Flokët e zij, palë palë, i kanë ramë mbi ball. Krahët i ka nxjerrë, jashtë mbulesës së bardhë, ndoshta, për t’i a shtue asajë bukurin e bardhënis. Dorën e djathtë e ka livarë; të majtën e ka vu mbi zemër, si të donte me i pushue rrafjet e saja të forta. Buzët herë mbas here, lëvizin nga pak. Duket sikur flet përgjumshëm, por s’mundet me e kuptue çdo njeri. Vetëm veshi i zemrës së puthun prej tyne mundet me i ndigjue e me i kuptue. Asht n’andër e kuvendon me dikë. Ndoshta me… mue. Ah sikur t’isha un, makar n’andërr, ajo së cilës i flet aq ambël. Më dridhet dora dhe s’po mundem me shkrue, pse m’asht shkri zemra. Ajo shurgullon përmbrenda nga valët e forta që përplasen në njena tjetrën me forcë të madhe.
4 Korrik
E pashë Shpendin. Ai kishte ardhë sot ke Xha Simoni. Ishte ulë buzë dritares së hapun në kthinën e Irenës. Un nuk e pashë, pse e kisha krrusë kokën.
— Irenë! - thirra kur u avita ke dera, pa vu re se kush ishte mbrenda.
— Dije! - gjegji ajo. - Ç’don? - pyeti.
Pa iu përgjegjë u futa në kthinë. Edhe kur hyna mbrenda s’e pashë. U drejtova kah Irena q’isht e ulë kundrejt tij.
— M’ep nji libër, Irenë, se jam mërzitë tepër – i thashë dhe u afrova ke bibliotheka. Kapa nji libër dhe e hapa.
— Çfarë libri don Dije? - pyeti ajo.
— Nji… nji që të m’a hjek mërzin e shpirtit - thashë.
— Epi nji libër vjershash, nji libër që të dikojë gaz e harë, nji libër që t’a këmbejë, me nji fuqi magjike, mërzin në gëzim - tha dikush.
M’u duk si zani i tij. Kur e ktheva kryet pashë se ai po më pritte me buzë në gaz. Ai vetë ishte libri i gjallë i porositun prej tij, libri i dëshiruem aq fort prej zemrës s’eme dhe që ka fuqin magjike me më lumnue për jetë. Por kush mund t’i thoshte se?..
— A! - bana e harlisun dhe e mahnitun.
Nji ‘kahkaha’ e fortë e Irenës ushtoi mbrenda kthinës me tingujt e hollë të nji kristalit që thyhet. Bana me ikë, por s’munda. Më ndalën në vend syt e tij plot shkëndia magnetike. Më mbajtën ata sy që un nuk mundem me ua durue shiqimin depertues.
— Përse ikni zojushë? Na jemi pamë aq herë sa e ka humbë ma vlerën ai kuptim ose qëllim që ju ban me u mshefë prej meje - tha.
Un ende qendrojsha në vend, në kambë. Nji harë e ambël m’a kishte pushtu e shpirtin. Librin që kisha në dorë e kisha rrasë mbi zemër, pse ajo më rrifte fort. Syt e tij të qeshun, por edhe si lutës, ishin ngulë mbi mue si dy projektorë të fuqishëm që t’i terratisin syt. Fëtyra e tij dalë-ngadale, më gjajti sikur nisi me u qarkue me do rrathë rrezesh shkëlqyese. Isha mahnitë.
— Rri Dije, se s’të shef kush - më tha Irena tue më kapë për krahu. Atëhere m’u duk sikur u shkunda jermijet. E mblodha vetëhen dhe ika me vrull. Kur u ktheva në shtëpi u mbylla në kthinën t’eme për t’a qetsue zemrën e trazueme dhe për t’i mendue fjalët që më tha. Njimij kuptime u dhanë fjalëve të tija dhe njimij shpjegime u dhashë veshtrimeve të tij përpise.
7 Korrik
Irena, me sa kuptoj, interesohet shumë që t’a lidhi zemrën t’eme me atë të Shpendit dhe të sigurojë mundësit e lumnis s’onë. Sot mbas dreke më thirri dhe, mbasi më futi në shtëpi të vet, më njofti se kishte ardhë mamë Hija, e ama e Shpendit, dhe se donte me më njoftë me të.
— Jo - i thashë - më vjen turp.
— Pse të vjen turp? Eja se ajo asht nji grue aq e mirë sa ke me e dashtë sa t’a shofish - më tha dhe, tue më tërhekë gati rrëshanas, më futi mbrenda.
— Hajde Dije - më tha Mamë Gjystina sa më pa.
Un u skuqa dhe mbeta në kambë, në fund të kthinës, si t’isha gozhdue aty. M’ishte nxemë krejt shtati. Përshëndeta vetëm me nji të luejtun të kokës dhe pa mund me qitë nga goja asnji fjalë. Irena përsëri më kapi për dore dhe, tue më tërhekë drejt s’amës së Shpendit, i tha:
— Nuk e njifni zojushën Dije. Kjo asht shoqja e eme e dashun; asht fqija e jonë, bija e Zotni Sulë Kërthizës.
— Gëzohem që po të njof moj bijë. Për ty më ka folë shumë mirë zoja - donte të thonte për Mamë Gjystinën - dhe Irena - tha tue më shique butë e ambël.
U avita dhe ia kapa dorën me ia puthë, por ajo më tërhoqi dhe më puthi në ball. Mbasandaj m’uli ngjat vetëhes dhe nisi me më pyetë për vetëhe, për t’em atë, për njerkën e për fëmijt. Ma në fund më tha:
— Zoja dhe Irena, me sa kam kuptue, të dojshin fort, por ti me të vërtetë, qenke për t’u dashtë bija e eme. Këto paskan të drejtë që të lavdëruekan. Edhe un kam me të dashtë si Fijen e si Shpendin. Dashtë Zoti që të bahesh e lumtun në jetë.
Tue folë kësodore m’i lëmonte flokët e kokës dalëngadale.
Mamë Hija, sikundër do t’a thrres ose më pëlqen t’a thrres, ishte nji grue nja 45 vjeçare, me shtat të naltë, me kokë vezake, me flokë të thijun, me ball të gjanë, me vetulla të holla, me sy të zij, me hundë të drejtë dhe me qafë të gjatë. Tue i kujtue përpjekjet që kishte bamë ajo me gjindarmët me armë në dorë, tue u mundue t’a mas guximin e saj m’u shtue kërshëria për të. Mora kurajë dhe nisa me e shique, ma fort për të gjetë në fëtyrën e sajë shenjat dalluese t’amazonës Shqiptare dhe për t’a bindë vetëhen se ndodhesha para nji heroinës.
Shkathtësia në lëvizjen e duervet, xixëllimi i herëmbasëherëshëm i syvet të zij, mrrullja e vetullave në rasa ashpërimi të fjalimit dhe të matunit në të shprehun të mendimit, me nji fjalë zhdrivielltia e dallueshme në të gjithë gjymtyrët, më banë të besoj se ajo, përnjimend, kishte nji vullnet të madh, kishte nji veçanti dhe se ishte, me të vërtetë, nji kreshnike, nji trashëgimtare e Teutës krenare dhe se në dejt e saj vlonte gjaku i nanave Illyriane. Syt e saj të butë e t’ambël, herë herë, egërsoheshin, shkrepshin e vetëdijshin. Atëhere të dukesh sikur po i shef sqenat e tmershme, sikur lufton me ata që i vranë burrin me dy djelmt e vet dhe mija e mija kreshnikë tjerë. Në këtë rasë, nga xixëllimet dhe fikjet e paprituna të syvet të saj, zbulohesh lehtas shqetësimi që ia mbushte zemrën. Shkurt në syt e saj pasqyrohesh nji mall i pambaruem dhe nji trishtim i thellë. Kjo grue të bante t’a nderojsh dhe t’a duesh. E kjo ishte e ama e Shpendit, e atij që un e dashunoj me gjithë shpirt.
10 Korrik
Marr vesh se nji farë Fazli Pllaja më paska kërkue për grue, por im atë, për fat të mirë, nuk kishte ndigjue me më dhanë, pse ai s’qenka i rodit të mirë. Në kohën t’onë e në shoqnin t’onë të gjithë ata që nuk kanë nji pozitë të fitueme me pasuri ose me fuqi, nuk janë nga rodi i mirë. Kultura e morali ende s’kanë mundë me u ngjitë në kikël dhe me e fitue çmimin e parë. Kjo ngjarje më bani të mendohem shumë për fatin t’em. Druej se mos më martojë im atë me ndonji njeri pa me më pyetë fare. Ç’të bëj? Edhe un nuk dij. Kam mbetë në mëshirën e fatit; jam e trembun nga droja se mos më qëllon ndonji shigjetë shituese e helmuese.
12 Korrik
Prap takova me Shpendin. Më gjet sot tue këndue nji libër ke Irena. U çova me ikë, por ai qëndroi ke praku i derës dhe tha:
— Ju, zojushë, ishit njoftë me t’eme amë dhe ajo, menjiherë, ju kishte simpathizue. Mbasi u njoftët me të, përse nuk dëshironi me u njoftë edhe me mue? Un, ju siguroj se s’jam i egër. Jam biri i asaj grueje që ju njoftët disa ditë ma parë. E në mos ju pëlqeu ajo, keni të drejtë me më përbuzë edhe mue.
— Jo - thirra menjiherë si t’isha shty nga nji fuqi. - Lypset të krenoheni zotni, për atë nanë të mirë që kishit dhe duhet t’a ndini vetëhen të lumtun në pranin e sajë - i thashë tue bëlbëzue.
— Ju falemnderit shumë për simpathin që ushqeni për t’eme amë - gjegji dhe mandej bani nji hap përpara. M’a zgjati dorën tue më thanë: - Ju lutem më lejoni t’ju paraqitem si…
— Epja dorën Dije - briti Irena.
U hutova. E ndiva se u skuqa, pse nji hafsh i nxehtë m’a mbuloi shtatin. Me gjithë turpin e math që kisha, dishka më shtynte me iu bindë dëshirit të tij. Prandaj ia dhashë dorën. Ai u përkul para meje dhe m’a shtrëngoi dorën tue më hudhë nji veshtrim t’ambël e të thekshëm. I ula syt. Veshtrimi i tij plot shkëndia e përcëlloi zemrën t’eme. Nji frigë e pashpjegueshme, e bashkueme me nji kënaqësi të thellë, m’a trazoi shpirtin.
— Besomëni, zojushë, se jam i lumtun në këtë ças dhe lus që të mos m’a kurseni këtë lumni edhe mbas sodi - tha.
— Ju…Ju…
S’munda me thanë gja, pse nuk isha e zoja t’a urdhënoj vetëhen e të gjej nji përgjigje të përshtatshme. Për fat të mirë m’erdhë Irena në ndihmë dhe më shpëtoi nga ajo gjend je kritike. Më kapi për krahu dhe m’uli mbi karrike tue më thanë:
— Rri, Dije, e mos fol, se disaherë heshtja asht shprehja ma e fortë sesa tallazi i fjalëve që shpërthen nga goja.
Me të vërtetë ashtu asht. Mbasi u ula e ngrita kryet dhe e pashë Shpendin që më shiqonte me buzë në gaz dhe me nji mënyrë të veçantë. Oh sa i hijshëm më dukesh! A thue se përnjimend asht aq i bukur e i dashun, apo më vjen mue pse e dashunoj? Kush e din.
— Mos u tremb! - më tha Irena. - Rri e qetë, se un po përgjoj prej këtu mos vjen kush. Po erdh jot njerkë ose ndonjeni nga kalamajt, menjiherë, kam me e mshefë Shpendin në mësandër.
Shpendi bani buzën në gaz. Irena tue e tregue me gisht mësandrën u ul buzë dritares që shef kah oborri. Un dridhesha. Dojsha t’i flas dishka, por nuk dijsha ç’t’i them. Përpiqesha me i gje ë ato fjalë që netë e ditë me radhë kisha sajue për me ia thanë, por të gjitha i kisha harrue. Isha turbullue fare. I kisha ulë syt dhe po rrijsha si ndonji pulë e squllosun prej shiut të… djersëve. Ai i dha dum se isha hutue. Prandaj, menjiherë, nisi me folë. Më pyeti se cilat libra më pëlqejshin ma fort, a më kandesh muzika dhe të tjera si këto.
Mu atëhere kur un kisha nisë me u kthjellue, e ndiva zanin e njerkës që m’a thirrte emnin. U çova dhe ika mbasi ia shtrëngova dorën. Kur ia shtrëngova dorën, si herën e parë ashtu edhe nashti, më gjajti sikur u preka nga nji fuqi elektrike që t’a pershkon krejt shtatin me forcë dhe të ban të dridhesh. Pa dyshim ishte fuqia e dashunis ajo që m’a rrëqethi trupin me nji të prekun të dorës. Oh sa fort e dashunoj! Më duket se po shkallis prej ngucjeve të parreshtuna që më ban zemra. Oh sa i ambël e i dashun që asht! Oh sikur të më dashunonte e të bahesh i emi.
13 Korrik
Meti asht i squet e i dashun. Un at e due ma shum se të tjerët dhe më duket se kam të drejtë, pse ai ban disa lodra që të kënaq dhe të tërhek. Qeh nji shembëll: I ishte shqy sot topi i llastikut dhe s’kishte me se me luejtë. I kërkoi s’amës nji koron që të blente nji tjetër, por ajo s’i dha. E pashë se u pezmatue shum. U ul në nji kand të kthinës dhe nisi me shfry tue true me vetëhe. M’u dhims. U afrova dhe i hudha nji koron. Kur e pa koronin në prehën, menjëherë, brodhi në kambë dhe m’u hudh në qafë. Më puthi e më shtrungoi me dashuni.
— T’a kthej neser - më tha mandej.
— S’e due. T’a kam falë - gjegja.
— Ani se m’a ke falë. Edhe un t’a fal - m’a bani tue më shique me sy xixëllues.
— Mirë, por ti s’ke ku merr se…
— I marr tatës.
— Ai s’të jep për ditë.
— Kam me e bamë që të m’api - gjegji mbasi u mendue pak dhe fluturoi për me blemë top.
Mbas darke, kur po rrijshim mbi rrogosa të shtrueme n’oborr, iu avit Meti babës dhe, mbasi e veshtroi me buzë në gaz, i tha:
— A bahemi shokë tatë?
— Si the? - pyeti em atë që s’kish mundë me e përfshimë kuptimin e propozimit që i bahesh prej të birit. Të gjithë u habitëm.
— A bahena shokë po të them - përsëriti Meti.
Nji habi e bashkueme me nji nënqeshje të hollë u duk në fëtyrë të t’im et.
— Me ty me u ba shok a?.. - ia priti.
— Po - gjegji Meti me të shpejtë.
— E çfarë shoqnije mund të baj me ty? - i tha em atë me nji farë për buzje.
— Pse? A s’t’a mbush syn a?.. - ia bani Meti i prekun në sedre.
— Jo. S’po them gja, por nuk marr vesh se si don me u bamë shok me mue
- shpjegoi im atë.
— Njashtu ma! Si bahen gjith bota - tha Meti.
— Si? M’a thuej!
Të gjithë pritshim me padurim e me veshë të ngrehun se çfarë përgjigje do t’epte.
— Qeh se si: Ç’të kem un kam me të dhanë ty e ç’të kesh ti ke me më dhanë mue. Kush të të ngasi ty kam me të dalë zot une kush të më ngasi mue ke me më mprojtë ti - shpjegoi me serjozitet.
Të gjithëve na shpërtheu gazi. Meti e ktheu kryet kah un dhe m’a shkrepi syn.
— Po ti s’ke kurrgja mor hor - i tha im atë.
— Si s’kam? Eh se ç’kam un! Por ti s’din gja.
— Ndoshta. Por ty, veç kësaj, të rref jot amë, yt vëlla e motrat, kurse mue nuk guxon kush me më prekë me dorë.
— E për këto të mira deh du e me u bamë shok me ty - ia priti Meti.
Gazi shpërtheu përsëri.
— Hajt, pra, po bahemi - i tha baba i kënaqun nga përgjigja.
— M’a ep dorën - tha Meti dhe e zgjati të vetën.
— Përse me t’a dha në dorën?
— Të m’a japish besën se nuk do të m’a bajsh me hile dhe se nuk do të luejsh prej fjalës.
— Mirë pra - gjegji em atë dhe ia shtrëngoi dorën.
Mbasi mbaroi lidhja u ul Meti ngjat babës dhe zu me na shique me kreni për fitimin që kishte pasë. Ndërkohe prap m’a shkrepi syn, por unë përsëri s’kuptova gja. Nuk kishin kalue as edhe pesë minuta qysh nga çasti i lidhjes së shoqnis, kur ia bani Meti:
— M’ep nji koron tate.
— Shka don.
— Nji koron.
— Thyej qafën!
— E! Po na u bamë shokë!.. - tha me buzë të mvarun dhe shtoi - A kështu e mban besën?
— Uh ke paskam harrue mor Met - gjegji im atë si i turpnuem.
— Mos harro tjetër herë - verejti Meti tue e shikue me kujdes se mos tallet tata me të. Na qeshëshim.
— Na, se e ke hak - tha im atë dhe i dha nji koron.
— Të falemnderit or shok - i tha Meti dhe, me koronin në dorë, erdh pranë meje.
— A të thashë? - m’a bani kadal dhe me sy të qeshun.
— Të lumtë! - i thashë dhe e putha me nji dashuni të dyfishueme.
— Merre - më tha mbas pak tue m’a rrasë dorën në prehën.
— S’e due. Mbaje se t’a kam falë.
— Po e mbaj, por mos gabojsh me m’a kërkue përsëri - gjegji dhe u çue. Kërceu nja dy herë prej gëzimit dhe iku tue flejtë tue na e urue natën e mirë. Sikur t’edukohesh mirë kjo fëmi e squetë kush e din se çfarë shërbime të çmueshme do t’i bante Shqipnis e njerëzis.
16 Korrik
Të mërkurën erdh Fahrija e dajë Dautit dhe më muer për të shkue ke dajë Haxhiu. Un s’dojsha me shkue se si më dukesh sikur do të largohem për gjithmonë prej Shpendit, por ajo nguli kambë dhe më muer. Ndejta tri net. Sot u ktheva. Dajë Haxhiu u gëzue shum kur na pa. E porositi të shoqen që të na bante dreka e darka të mira. Mbasandaj u kthye kah Fahrija dhe i dha të kuptoje se asaj i takonte me më zbavitë me lojna e hoka.
— Lueni si në fëmini - tha tue u drejtue kah un. - Besoj se ju pëlqejnë lodrat e vogjëlis, mbasi ato jua kujtojnë jetën e ambël e pa brenga që keni kalue dikur.
— Ke të drejtë - përgjigja un me buzë në gaz.
— Nashti s’kujtoj të jeni, si atëhere, të patrazueme në shpirt - shtoi mbasi na shiqoi gjatë ndër sy, si të donte me hetue e me zbulue dishka.
— S’dij - gjegja un e prekun në shpirt dhe pak e hutueme.
I mrulli vetullat me nji farë dhimbje, si ajo që tregohet për ato që lypset të mëshirohen, dhe tha:
— Lueni, gëzoni, qeshni, jetoni.
U largue, mandej, si t’ishte i pezmatuem prej gjendjes s’onë të vajtueshme. Un, mahnitshëm, e shiqojsha at plak t’adhuruem që na nxitte t’a gëzojmë e t’a shijojmë jetën. Më dukej sikur e çmonte gjendjen t’onë plot mungesa dhe e zbulonte t’ardhmen e shëmtueshme që na pret.
— Po na s’jemi të vogla që të luejmë si fëmijt - i tha Fahrija kur ai po largohesh.
U kthye. Na kundroi dhe tha:
— Oh sa mirë do t’ishte sikur të ishit të vogla apo të mbeteshit foshnje, të pakën, për nja 10-15 vjet.
— Përse?! - pyeti Fahrija e çuditun.
— Përse?! Sepse…
E këputi dhe e kapërdini fjalën. E tundi kryet si me zemrim dhe shtoi mbas pak me nji za t’egër:
— Na. Na jemi fajtorë dhe dënimin, sigurisht, do t’a vuejmë.
Iku mbasandaj si ata që nuk duen me e pamë mjerimin e të dashunve të vet.
— Ç’thotë xhaja kështu Dije? Ai shpesh flet kësodore, por un nuk e kuptoj - tha Fahrija naive që s’kishte marrë vesht gja.
— Ku dij un - gjegja si ndër dhambë, pse s’kisha nge.
Po. S’kisha nge, se mendja e eme po përpiqesh me i shpjegue fjalët e tija enigmatike. Ma në fund solla besim se atij i vinte keq për fatkeqësin t’onë.
— Pse dëshirove të mbetemi të vogla edhe për disa vjet? - e pyeti Fahrija kur u kthye në mbrame.
— Përse? - Sepse sot shumica e mashkujve nuk i shofin punët t’ueja edhe me syt e femnës. Ata gjykojnë sikundër u pëlqen pa i përfillë të drejtat t’ueja. E mbrenda 10-15 vjetve, sigurisht, do të ndrrojnë mendim dhe do t’arrijnë me i çmue të drejtat t’ueja - shpjegoi dajë Haxhiu tue folë me nji farë nxehtësije që të bante të kujtojsh se asht tue nxjerrë lav nga goja e jo frymë.
— Beson se për 10-15 vjet mund të ndrrojë kjo mendësi? - pyeta.
— Po, besoj. Mbrenda këtyne vjetve, medoemos, do të shembet bota e vjetër e do të krijohet bota e re - gjegji tue e thithë cigaren me aq forcë sa të dukesh sikur don me i përpimë krejt hidhësit e shoqnis së sotme për me mos ia lanë trashëgim asajë së nesërmes.
— Po mbulesa ç’asht dajë Haxhiu? - pyeta un mbas nji heshtjeje të shkurtun.
— Mbulesa? - bani tue i mrrullë vetulat. - Ajo asht shpikja e përçudëshme e disa fanatikëve që ia kanë ulë vlerën fes s’onë. Asht nji zakon i mbetun prej mija vjetsh dhe që mprohet prej turmave fanatike si ligjë fetare.
— A nuk urdhënon feja me u mshefë e me u mbulue?
— Jo. Feja nuk robnon, por liron. Vetëm duhet të nderohet porosia fetare e morale që ban Kurani për t’i mbulue pjesët e turpëshme të shtatit.
— Asht e dijtun.
— A t’i hjekim, pra, çarçafët? - pyeeti Fahrija.
— Jooo.
— Përse?
— Sepse ju grijnë fanatikët; sepse duhet të vijë koha që të hudhen tej ata llome që ia kanë ngjitë fes - gjegji.
— Q’u thue gocave ashtu mor burrë? - i tha e shoqja që kishte ardhë pak ma parë dhe i kishte qëndrue mbas shpine.
— Të vërtetën moj grue - përgjigj, mbasi e kthei kryet mbrapa dhe e pa.
— Si? Don me i qitë jashtë pa çarçaf?
— Jo, moj e urueme, jo. Un nuk i qis pa çarçaf, por feja, ajo fe që disa fanatikë thonë se e urdhënon mbulesën - gjegji.
— Hej! - bani e shoqja e harlisun.
— Po të kishje pasë gocë ti dajë Haxhiu a do t’a mbulojshe? - pyeta.
— Do t’a lijsha të lirë të vendoste vetë e t’a zgjidhte njenën dysh: lirin ose robnin - ia bani dhe u ngrit me dalë.
— E! A e ndigjove se si tha xhaja? - tha mbas pak Fahrija tue e thye heshtjen q’i kishte plakosë.
— E ndigjova.
— Ç’mendon nashti?
— Nashti? Nashti mendoj sikur t’isha djalë.
— Sikur t’ishje djalë?! - bani e habitun.
— Po.
— Ç’do të bajshe?
— Do t’i shpallsha luftë botës fanatike dhe do të vazhdojsha derisa të ngadhnojsha ose të mbarojsha.
— Ke të drejtë - tha dhe heshti.
Duket se edhe atë e rrëmbyen mendimet.
Tasht që po i shkruej këto rradhë prap mendoj mbi gjendjen t’onë të mjerueme. Ata që kanë mend, që kanë ndërgjegje të pastër dhe shpirt të dlirët, pa dyshim, e shofin me tmer se sa të vrazhdët, se sa të ndytë e të shëmtueshme e kemi jetën na sot. Jeta e jonë asht e zbrazët, e kotë, mërzitëse dhe pa asnji ngjyrë. Ajo ma fort i gjason vdekjes se sa rrojtjes. Jemi burgosë dhe na asht mohue çdo e drejtë. A ka çarçafi bazë morale dhe a urdhërohet prej fes? Jo. Atëhere ç’asht kjo bolbë për na të mjerat? A asht çarçafi, me të vërtetë, kështjelli i papushtueshëm që ruen nderin e femnës? A asht çarçafi nji shtërrak midis nderit e turpes? Pa dyshim jo. Nderin e femnës e ruen karakteri i sajë i fortë dhe jo ajo pece e bardhë ose e zezë që ia mbulon shtatin. Para mburojes së patronditshme të karakterit, patjetër, qëndron e pacenueshme virgjinia e pastërtia e femnës. Ajo që asht mbrujtë me nji edukatë të shëndoshë dhe asht pajue me vlerat morale të trashëgueme bres mbas brezi prej stërgjysheve, e ruen nderin si nji pasuni të vlershme që e ban krenare, por jo si nji teshë të futun në thes.
Prandaj mbulesa, sikundër tha edhe dajë Haxhiu, asht nji shpikje që nuk i shërben qëllimit t’atyne që e porosisin. Përkundrazi asht nji pengesë e pakapërcyeshme për zhvillimin dhe naltësimin e femnës Muslimane. Po të kqyret shoqnia e jonë me synin e pagabueshëm të nji studjozit, lehtazi, do të konstatohet se demoralizimi e korrupsioni asht ma shum ndër qytete se sa ndër katunde, ku femna nuk asht futë nën zgjedhën e çarçafit. Nuk kujtoj se mund të guxojë kush me pretendue se fusharaket ose malësoret tona janë ma pak fetare dhe ma pak të ndershme se na qytetaret. Brezat e ardhëshëm, pa dyshim, do të çuditen se si e kemi durue këtë robni që na asht impozue me përdhunë. Në nji kohë kur bota mundohet me i kapërcye kufijt e stratosferës për t’i kolonizue planetet dhe përpiqet me zgjidhë probleme me randësi kryesore, na qajmë hallin e çarçafit dhe e vrasim mendjen se a duhet t’a hjekim apo jo? Oh të mjerat na. Un, po t’isha djalë, do t’i tregojsha botës mashkullore se dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerzis, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndrituna ose t’errta. Por mjerisht s’jam djalë dhe si femën nuk mundem me e nxjerrë zanin.
Sot në mëngjes, mbasi ika nga dajë Haxhiu, bashkë me Fahrijen shkova ke ajo, ku qëndrova nja nji orë. Ndërkohë erdh Bedrija, nji e njoftuna e Fahrijes. Kjo ishte nji vajzë nja 16 veçare, sy e vetull zezë, shtat hollë, buzë trashë, dhambë bardhë, hundë drejtë dhe qafë gjatë. Me nji fjalë ish mjaft e bukur. Kishte ardhë me marrë do figura lulesh për me qëndisë dishka. Mbas përshëndetjes dhe mbasi ia dha figurat e pyeti Fahrija:
— Hej Bedrije! Si i ke punët nashti me at djaloshin që rrin në shtëpi t’ande?
— Mirë - gjegji ajo mbasi shiqoi kah un pak si me droje .
— Kjo asht kushrina e eme - tha Fahrija tue më tregu mue. - Mos druej! Fol!
— Mirë pra - përgjigji Bedrija me buzë në gaz dhe tue u spërdredhë. - Nashti ka fillue me më folë ambël e…
— Beson se të don? - pyeti Fahrija tue ia premë fjalën.
— Po. Dje i dhashë nji letër dhe kërkova të takohem me te.
— Po pse i shkrove letër, kurse ti e ke në shtëpi dhe e takon për çdo ditë?
— Në letër i kam shkrue edhe dishka tjetër. Mbarsandaj më vinte turp t’i thom me gojë.
— A! Po a shpreson se ka me t’u përgjigjë?
— Medoemos, se… më don.
— Hej! - bani Fahrija dhe, mbasi u mendue pak, pyeti: A e more vesh se nga asht?
— Po. Asht Kosovar. Ka vetëm nji nanë plakë dhe nji motër .
— Po emnin a ia mësove?
— Po. Shpend e quejnë, por un e thrres veshshpu em, pse e ka të shpuem veshin e majtë.
— A! - bani Fahrija si e topitun dhe e mpime.
Sikur të më kishte ramë pika apo të më goditte rrëfeja, nuk do të tronditesha ma fort se sa kur ndigjova prej gojës së Bedrijes se dashnori i saj qenka Shpendi, ai djaloshi që pak ditë ma parë më foli me nji gjuhë që shprehte kënaqësin e zemrës për njoftjen e bame me mue. M’u dridhën leqet e kambëve dhe qeshë tue u rrëzue përdheu pa pikë fryme. Sedreja, ajo krenari që ka femna dhe që nuk e lejon me u përulë edhe para shoqeve të saja, më mbajti në kambë. Po të mos më vinte turp prej asajë Bedrijes që nuk e njifsha, sigurisht, do të kisha thirrë me shkul të zemrës dhe do t’isha përplasë për tokë si e vdekun.
Dëshprimi m’i mveshi syt me nji hije të zezë dhe nga thellësia e zemrës ndiva të ngjitet përpjetë nji valë përvëluese për t’u shprazë nga syt e mij si nji lang i nxehtë e helmatues. Prandaj i ula syt. Po, i ula se nuk dojsha të më diktojë ajo që un tash e urrejsha si shemrën t’eme. Megjithëatë nuk qava, dhe tue i ka fshue buzët, e frenova furin. Kur i ngrita syt pashë se edhe Fahrija ishte zbemë fare.
— Ç’ke - e pyeta pa dashas.
— Kurrgja - gjegji me nji za të mpakët.
Kuptova se edhe ajo kishte qenë shitue prej veshshpuemit. Ika pa e zgjatë ma dhe e tronditun, pse edhe me Fahrijen qenkemi shemra. Kur ktheva në shtëpi, shfreva tue derdhë lot për dashunin e humbun e pa fat që e ka pushtue zemrën t’eme të shkretë. Thonë se femnën e mundon shum nakari. Po. Kjo qenka e vërtetë, por qenka e vërtetë edhe ajo që kur dashunueka femna arrika me e sakrifikue edhe shpirtin. Ma mirë t’i kisha thye kambët e të mos kisha shkue ke Fahrija, se sa shkova dhe vrava vetëhen.
17 Korrik
Sot në mëngjes erdh Irena ke ne. Mbasi më përshëndeti m’u ankue se pse nuk shkova t’a shof kur u ktheva dje në shtëpi. Ma në fund e shfaqi çudin e vet se si kisha ndejtë tri ditë e tri net larg… shtëpis. Më duket se ajo e ka hetue se shka asht grumbullue në zemrën t’eme që flet kësodore, megjithqë pak mbylltas. Ajo, natyrisht, habitesh se qysh kisha ndejt e tri ditë larg Shpendit e jo larg shtëpis, por këtë nuk e tha. Të them të drejtën un s’dojsha me ndejtë, por më mbajtën. Dhe u mërzita aq shum sa qeshë tue plasë. Me gjithë këtë, me mend e me zemër, jetova këtu, pranë atij që e dashunoj me të gjitha fuqit e mija të shpirtit e të zemrës. Si thashë edhe ma naltë, kuptohet se Irena e ka pikasë dashunin t’eme, atë dashuni që Shpendi shpirtazi kërkon t’a shfrytëzojë me lajka dhe mandej të m’a kthejë shpinën. Oh mizuer! Kush e din se sa Bedrije, Fahrije e Xhevrije ka si un nëpër skutat e Tiranës që i lajkaton për me i futë në kurthin e poshtnimit. Sido që të ngjajë mue nuk mundet me më përulë, pse un do t’a ndryej në zemër atë dashuni dhe s’do t’a shfaq edhe sikur të pëlsasi prej këtij lëngimi. Irena e pastër, natyrisht, nuk dinte gja për sa kam marrë vesh mbi at djaloshin e rrezikshëm. Prandaj ajo flitte shkoqun dhe ankohesh pse nuk kisha shkue me e pamë. Ku t’a dinte ajo se un nuk shkova nga droja se mos hasem me Shpendin ke ajo. Kam vendosë që të mos e shof ma dhe zemrës me i vu nji gur të randë.
— Ti shkove ke daja, Dije, por Shpendi m’a lodhi kokën me pyetje të parreshtuna që më drejton për ty - tha ajo mbas pak.
— Ç’pyeste? - thashë me mëllef.
Ajo nuk i dha dum zanit t’em që duel jo nga gërmazi, por nga thellësit e zemrës së plasun.
— Gjithshka: ku asht? Ku ka shkue? Pse ka shkue? Sa do të qindrojë dhe nji varg të gjatë si këto. Ai gjithnji pyet për ty dhe tash besoj se të njef fare mirë - gjegji Irena.
— Nga më njef?
— Të njef prej meje, se un i kam thanë.
— Ti? Çudi! Përse i flet atij për mue?
— Sepse më pyet.
— Në të pyet, ti mos iu përgjiq.
— A mundem se?!
— Pse s’mundesh?
— Pse më vjen keq.
— Të vjen keq? Pse?!..
Dojsha t’a shpraz vënerin e zemrës tue i kallzue se sa djalë i lig ishte Shpendi, por e mbajta vetëhen, se s’dojsha me e pezmatue.
— Pse at e kam si vëlla dhe ty si motër. Ndoshta ai… - tha dhe u hudh e më rroku për qafe.
Nji copë herë më shtrëngoi e më puthi me nji dashuni shum ma të madhe se atë që ushqen për mue. Mue m’ishin mbushë syt me lot, pse e ndijsha dashunin e pastër të saj dhe se pse zemra e eme, e plagosun randë nga marrdha njet e Shpendit me Bedrijen, vëlonte prej dëshprimit. Mbas pak çastesh u zhgreha në vaj dhe qava mirë e mirë, plotsisht si ato që duen të shfrejnë e të shpaguhen në vetëvetëhe për gabimin trashanik që kanë bamë tue i dhanë llas zemrës. Irena m’argëtoi dhe u përpoq të më qetsojë. Kërkoi t’a marri vesht shkakun e këtyne lotve të derdhun me aq furri, por nuk ia thashë. Po, nuk i thashë, se due t’a ndryej mbrenda zemës atë tinëzi që deri sot për mue qe ma se e shenjtë dhe mbas sodi ka me qenë si nji plagë vdeksuese e trashëngueme nga nji betejë e humbun…
Eh jetë. Qofsh shue! Eh dashuni… Qofsh mallkue!
21 Korrik
Qysh atë ditë që u ktheva nga dajë Haxhiu nuk kisha shkelë në shtëpi t’Irenës, megjithqë ajo më ishte ankue dhe më kish ftue. Nuk kisha shkue, por me e thanë të drejtën ky vendim më kushtoi shum shtrehjt, pse e pagova me disa mij hofkëllime dhe me ca litre lot. Me nji anë drojsha se mos e ndeshi at… - ah atë - dhe m’anë tjetër dojsha t’a shof, të paktën, për së largu. Shpesh më kapshin rrebet dhe e dëshprueme, qajsha tue e mallkue vetëhen. Disa herë bahesha fare foshnje: Kërkojsha t’a mbys por me kusht që t’a ngjall rishtazi!..
Mamë Gjystina dhe njerka qysh dje kishin vendosë me shkue sot diku në vizitë. Njerka përpara se të nisesh më porositi t’a mbylli portën prej mbrenda. Me qenë se edhe fëmijt nuk ishin në shtëpi, sa duel ajo, e mbylla portën dhe u ula në lulishtë, kur kujtojsha se do t’i qetsoj nervat tue lexue në nji libër. Pa kalue shum kohë erdh Irena dhe më ftoi me shkue në shtëpi të sajë për me më diftue dishka interesante. Refuzova dhe nji copë herë nuk iu binda, por ma në fund u përkula nga lutjet e saja. I shkova mbrapa. Kur hymë në kthinë të saj pashë se aty, ngjat bibliotekës, qëndronte në kambë Shpendi. Sa e pashë bana të zbrapsem, por më pengoi Irena tue më kapë për dore e tue më thanë:
— Ku shkon Dije?
— Liromë, se do të shkoj në shtëpi - gjegja tue i hudhë Shpendit nji veshtrim t’egër dhe plot mëllef e duf.
— A prej meje ikni zojushë? - pyeti ai me za, që tregonte se ishte shqetsue.
— Po prej teje - thirra me mëllef.
— Përse? - pyeti i premë.
— Sepse ti je katil… - thirra me të tanë forcën e urrejtjes që më kishte grumbullue zilia në zemër.
— Ç’thue Dije? - m’a bani Irena tue më shkundë për krahu.
— Rri ti Irenë - i thashë asaj dhe i dola para Shpendit me nji hof të guximshëm që epte të kuptohet se dojsha të matem me të për t’u shpague.
Fëtyra e tij, menjiherë, u zbe. Mbasndaj u mbulue prej nji hijes melankolike. Edhe syt e mij ishin errësue prej lakmis së shpagimit kundrejt atij që kishte qenë idoli i zemrës s’eme. Prandaj po e shifsha turbull, si t’isht e rrokulluem prej reve të zeza.
— Un qenkam katil!? Cilin vrava? - pyeti i turbulluem.
— Të tanë botën - i thashë tue u dridhë prej nervozitetit.
— Gaboheni zojushë. Un i due njerzit - gjegji me za të këputun.
— Po. Tregohesh sikur i don që t’i mbytish mbasandaj tue i përqeshë mbas shpine - ia bana me qesëndi.
— S’asht e vërtetë. Më thoni se cilin vrava?
— Mue, mue, or i pashpirt! - brita si e tërbueme.
— Un ty të kam shpirt - thirri dhe më rroku për duersh.
— Shporru! - klitha dhe u rrëzova ndër krahët e tij.
Të gjitha femnat janë sensibël, por un jam ma fort se çdo tjetër. Menjiherë përshtypem dhe e humb fuqin e qëndresës. Edhe kësajë rradhe më dërmoi dobsia e nervave dhe u vilanisa. Kur i hapa syt pashë se Shpendi dhe Irena qajshin ke kryet t’em.
— Hej! Si je Dije? - më pyeti Irena me za të përvajshëm dhe tue m’a fërkue ballin me dashuni.
— Hof! - ia bana dhe e ktheva kryet kah muri për t’u mshefë prej Shpendit.
— Shif, Dije, se si qan Shpendi për ty - më tha Irena.
— Qan për Bedrijen i . . . poshtmi - gjegja me zemrim, por me za të këputun.
— Për cilën Bedrije? - pyeti ajo e habitun.
— Për atë që ka në shtëpi - thashë dhe bana të ngrihem për me ardhë në shtëpi.
— Për shpirt të babës e të vëllazënve nuk due tjetër veç teje o engjëll - thirri Shpendi me za të përvajshëm dhe më kapi për duersh.
— Gabohesh, Dije, se Shpendi s’don njeri tjetër veç teje. Të betohem se ai prej kohësh m’a ka hapë zemrën dhe më ka thanë se të don si i marrë - shpjegoi Irena.
— Kam me t’a provue se nuk e due Bedrijen e marrë dhe mërzitse - tha ai me dëshpërim.
Ai dridhesh si thupër dhe qante me dënes. Ai djalosh që kish luftue, me pushkë në dorë, kundër gjindarmëvet, ai që nuk ishte përkulë edhe para vdekjes, tash qante para meje dhe betohesh se nuk dashunonte njeri tjetër veç meje. Nji fllad sigurije e argëtoi zemrën t’eme të përvëlueme dhe shpirti nisi me u lehtësue nga ajo peshë e madhe që randonte mbi të. E ktheva kryet dhe e pashë. Syt e tij, të mbushun me lot, shprehshin përvujtnin e atij që kërkonte mëshirë tue thanë:
— Besomë se të due o shpirt! Kij dhimë për mue.
Thonë se femna pezmatohet ma shpejt e ma shum se mashkulli. Un, sikundër duket, e kam ma të zhvillueme ndiesin e dhimës se menjiherë ndrydhem para atyne që qajnë.
— Mjaft ma Dije! - më tha Irena dhe u shduk.
— Mjaft ma! Më beson? A më don? - tha Shpendi me za të përvajshëm dhe i krrusun mbi kokë t’eme. Lotët e tij pikojshin mbi mue. M’u sos durimi.
— Poh - thashë dhe i mbylla syt.
— O shpirt! - thirri ai më nji za që gjante sikur dilte nga megjet e nji zemrës së zhuritun prej flakëve shkrumnuese të dashunis.
Buzët t’ona ishin bashkue dhe lotët ishin përziem me të njeni tjetrit. Gjithë dyshimet ishin avullue në ças dhe ret e zeza ishin zhdavaritë nga qielli i mendjes s’eme. Kishte lemë dielli i lumnis dhe buzët t’ona këndojshin kangën e dashunis për t’a përhirue ngadhnimin e zemravet t’ona. As Leka i Madh që e pushtoi botën, as Napoleoni që i mundi gjeneratat ma të mëdhej të kohës së tij, nuk ngadhnuen sa un, pse ata fituen tokë e kështjej tue derdhë gjak, kurse un tue derdhë lot, pushtova nji zemër që vlen ma shum se mbretnit e tyne.
27 Korrik
Tash gati çdo ditë takohem me Shpendin. Ndihma e Irenës, në këtë mes, ka luejtë rolin kryesuer. Ajo, sikundër e lehtësoj afrimin dhe e përgatiti sheshin e bashkimit t’onë, nashti vazhdon të na përkrahi tue na dhanë lehtësina të ndryshme për me u takue me njeni tjetrin. Ajo asht e kënaqun pse arrini me na pamë të marrun vesh në mes t’onë dhe të dehjun nga dashunia. Na rrëfen se si e ka zbulue dashunin t’onë, si asht kujdesur që të mos hetohemi prej tjerve dhe, ma në fund, si asht përpjekë që të na bashkojë. Mbasi mbaron kallzimi, nis me na përqeshë tue i shkërbye sjelljet e gjeset t’ona. Atëhere na shpërthejmë në gaz dhe qeshim me të madhe. Ven në shpoti ma fort dobësin e nervave të mija dhe tallet me krizat që kam pasë tue u vilanisë. Oh sa cytanike asht bamë Irena nashti! Ajo tash ban njimij lodra për të na tallë, por edhe për të na afrue ma tepër. Jam e lumtun që kam nji shoqe kaq të mirë. Tash atë e due ma fort se përpara, pse asht edhe shoqja e tinëzive të mija. Të gjitha ret e dyshimit e të mosbesimeve, që rrijshin vjerrë e pezull mbi kokën t’eme, tash janë zhdavaritë. Shpendi e ndrroi shtëpin. Iku prej Bedrijes, prej asaj që me rrenat e saja që tue më ba me luejtë mendsh. Ai më dashunon me gjith shpirt dhe ndoshta ma fort se sa meritoj. Ai tash më duket ma i ambël, ma i shoqnueshëm dhe ma i afër ke zemra e eme. Disa herë orë të tana kalojmë tue u fjalosë vetëm e vetëm për t’a matë dashunin e njeni tjetrit. Tashma jetojmë bashkë, pse edhe në gjumë andrrojmë për shoqi shoqin. Un e ndjek dhe e përcjell, me mend, në te gjitha orët e ditës. Sigurisht edhe ai si un asht. Çdo punë e çdo mendim kërkojmë t’ia përshtatim dashunis s’onë. Ajo që nuk pajtohet me natyrën e dashunis s’onë, për ne, nuk ka vlerë, nuk ka jetë. Oh se ç’qenka njeriu që dashunon. Ai qenka nji pus i pashterrun ndiesish dhe goja e tij nji kovë shprehjesh dashunije. Se ku gjinden gjitha ato fjalë! Edhe un çuditem se nga burojnë gjitha ata dëshira e lakmi që për ndokend do t’ishin foshnjarake, por për ne janë tepër të çmueshme dhe t’arta. Sa shpejt ik ora se?! Ajo nuk ndihet fare dhe; kundër dëshirit t’onë, fluturon me krahë të lehta dhe krahas me rrezet e shpejta të diellit.
30 Korrik
Befas u hap sot mbas dreke porta e shtëpis dhe hyni mbrenda Rizai bashkë me nji katundar që kishte sjellë nji kalë të ngarkuem me qymyr… Un, njerka dhe hallë Hatixheja, asokohe, ndodheshim t’ulun mbi nji rrogosë në lulishte. Hallë Hatixheja, menjiherë, e mbuloi fëtyrën me dorë dhe, tue u kthye kah ne, thirri:
— Uh u shoftë! Na pa … dreqi.
Un u çova në kambë dhe mbeta e habitun, me gjith që halla më bërtite:
— Ik e mshifu moj qyqe!
Njerka vrapoi kah gjelltorja që të mshifesh, por tue ngamë u pengue dhe u rrokullis si ndonji tinar. Sa turp dhe punë e shëmtueshme asht kur rrëzohet femna me kambë përpjetë. Këtë e provova sot me njerkën. S’munda me e mbajtë gazin dhe qesha me të madhe kur pashë se njerka u plandos dhe qe tue e thye qafën. Katundari ishte nji plak nja 70 vjeç, me shtat vigani, me mustaqe të mëdha dhe pak i krrusun. Brekushet e zeza i kishte të grisuna dhe aty këtu t’arnueme. Xhoken e vjetër e kishte hudhë mbi kalë. Kësula e tij, dikur e bardhë, ish nximë prej pluhunit të qymyrit dhe ish zhulosë rreth e rrotull prej djersës. Flokët e thijun të kokës kund kund ishin nximë prej pluhunit të qymyrit. Duert dhe fëtyrën i kishte të murme e të nxime prej diellit dhe prej qymyrit. Djersët e fëtyrës, herë mbas here, i mshinte me pëllmbën e dorës ose me kindin e mangës. E shkarkoi qymyrin dhe u largue pa verejtë n’asndonji anë si t’ishte njeri i pangacmuem prej kërshëris dhe si i mpinë prej brengjeve të jetës. Kush e din se ku e kishte mendjen i ngrati kur na shkëpurdheshim me ikë e me u mshefë prej tij. Kush e din se ç’vlonte në trut e tij të lodhun nga vuejtjet e jetës kur njerka dhe halla po shfrejshin tue truem e tue shamë. E pse e përbuzshin dhe e mallkojshin të ngratin? Sepse i kishte pamë. Çudi! Ndoshta syt e tij nuk panë kurrgja, mbasi mendja e tij, sigurisht, do të ketë qenë e grabitun prej halleve të sigurimit të jetesës së fëmijve. Ndoshta ai nuk ndigjoi gja, pse mendja e tij pa dyshim, do të ketë qenë përpjekë me e bamë llogarin e atyne sendeve që do të blente me të hollat e qymyrit për kalamajt e vet të zveshun, të zbathun dhe ndoshta edhe t’unshëm. I shkreti katundar! Njerkën zijoshe apo hallën e rregjun nga mosha do t’a shifte qyqari? Fytyrën e zezë të njerkës apo fëtyrën rumbullake të hallës që asht plot rrudha, taman si nji… sahan sutlash?.. Oh sa fanatike janë këto plakat t’ona.
Kur u mbyll porta tue kërsitë me zhurmë mbas shpinës së tij, krisi poterja mbrenda shtëpis. Njerka e rroku Rizanë dhe ia zbuti shpinën, pse ai kishte hymë mbrenda me burrin e huej pa lajmue fare. Po!.. Mbasandaj u kthye kah un dhe nisi me më shamë, pse nuk isha mshefë, menjiherë, prej katundarit. Edhe halla u bashkue me të. Nji copë herë më shanë dhe më paralajmuen se do të digjesha në flakët e pashueshme të Xhehenemit, mbasi më kishte pamë ai katundari. Vall ç’do të thoshte nji shoqe e qytetnueme Europjane po t’a shifte këtë skenë dhe po t’i ndigjonte këto përbuzje e kërcnime? Kush e din. Ndoshta ajo nuk do t’u besonte syvet e veshëvet të vet dhe do të kujtonte se ka par në nji… andërr të keqe.
2 Gusht
Dje Meti, tue u zanë me Feriden, kisht e thye nji xham. Për kët shkak njerka e rrafi, ashtu si më rrifte mue dikur, tue i ramë me grushta krës dhe tue e përplasë për muri. M’u dhims djali që ulërinte. Prandaj shpejtova me e shpëtue, por ajo nuk e leshonte, se donte te shtrejë e të ngopet në të. Fjalët e lutjet e mija nuk mundën me e zbutë. Vazhdonte t’i sjelli. Ma në fund e kapi djalin për fyti, me të dyja duert, dhe nisi me e shtrëngue.
Metit iu këput zani dhe iu zgurdulluen syt. E pashë se asht tue e mbytë fëmin e vet kjo shtrigë. Prandaj e rroka për duersh dhe, tue e tërhekë me të tanë fuqin t’eme, e shqita prej çunit.
— Hiqu! Shporru! - bërtitte kjo arrushë e egër dhe vërsulesh t’a kapi djalin që u struk në nji çip të kthinës. Foshnja dridhesh prej tmerit dhe cingëronte nga dhimbja e grushtave. Turijt i ishin përlang nga gjaku që i kishte shpërthye nga goja e hunda. Gjendja e tij ishte aq e dhimshme sa me t’a coptue zemrën, por ajo bishë, që e kishte pjellë këtë fatzi, nuk ndinte dhimë për të. Përkundrazi e urrente dhe donte me e shqye. Trupi i em delikat, natyrisht, nuk mund të kishte fuqi përballuese e penguese për nji kohë të gjatë kundrejt atij shtati prej viganesh. Prandaj i thirra djalit:
— Ik Met! Ik e shko ke tata në dyqan!
Djali i trembun, në fillim, u mat dhe nuk guxoi nga droja. Mbasandaj, mbas porosis së përsëritun, u çue dhe, tue shique trembshëm, iku e shpëtoi. Atëhere njerkën e kapën rrebet ma fort dhe nisi me m’u kërcnue.
— Pse s’më lë t’a mbytsha? Ç’ke ti? Kush je ti që më pengon? - thoshte si në të përçartë e me zemrim të madh. Përpiqesh të më mposhti për të shfry në mue. - Ç’ke ti? Pse m’a shpëtove? - briti përsëri si e luejtun mendsh.
— Më dhimset se e kam vëlla mori shtrigë – i thashë ma në fund me të tanë dufin e urrejtjes që m’ishte grumbullue në zemër.
Mbasandaj bana të shqitem. E përmblodha krejt fuqin dhe, mbasi e shtyna me hof, u tërhoqa mbrapsht. Pa humbë kohë u vuna në të ikun, por ajo m’u turr, si nji bishë e egërsueme për së tepërmi dhe më kapi mu në prak të derës.
— Ku shkon mori dosë? - më thirri me nji za të vrazhdët tue më kapë për zverku me dorën e sajë të madhe si ndonji shputë arrushe.
Më mëshoi me të tanë forcën e vet dhe më përplasi për dheu. Un klitha e lemerisun dhe mbeta si gjysmë e vdekun. Ndërkohë arrini mamë Gjystina dhe Irena. E larguen njerkën dhe qëndruen ke kryet t’em. Të dyja më shiqojshin me dhimbje të thellë. Më ndihmuen me u çue e me e lamë fëtyrën që m’ ishte ndragë, pse edhe mue më kishte shpërthye gjaku nga goja e nga hunda. M’i ndrroi robet Irena dhe, bashkë me mamë Gjystinën, më çuen në shtëpi të tyne. Em atë as më pyeti se si ndodhi ngjarja. Më hudhi disa veshtrime t’egra dhe zu me hofkëllue në shenjë zemrimi. Me kaq muer fund ngjarja, por un jam e dobët dhe vazhdoi të nxjerr gjak. I thashë t’im et që të më sillte nji mjek, por s’e ça u kryet fare. Sonte kam ethe, dhimbje koke dhe jam e raskapitun fare. Veç kësaj kam qitë edhe mjaft gjak nga goja. Më duket sikur po me shkatrrohet krahërori. Shkaktarja e këtij lëngimi asht eme njerkë. Dhe përse? Sepse dojsha me e shpëtue të birin nga vdekja e sigurt q’ajo vetë donte me i shkaktue. Kësajë grueje, që s’ka dhimë e mëshirë për fëmin e vet, asht e dijtun se nuk i vjen keq për mue. Tue mendue se sa fort kam vuejtë prej saj, çuditem se si kam shpëtue pa vdekë ndër duert e saja.
Haki Stërmilli