Dera që u mbyll

6 Gusht

E kishte marrë vesh Shpendi ngjarjen që u zhvillue në mes t’em e të njerkës disa ditë ma parë. Ia kishte thanë Irena me të tana hollësinat dhe ia kishte kujtue detyrën që të vraponte me më shpëtue sa ma parë nga thonjt e njerkës. Ai ishte pezmatue jashtë masës. Kur e pashë sot më gjajti sikur qante me syt e zemrës dhe i lëngonte shpirti. Mbas shumë mendimesh që u këmbyen, tue qenë gati edhe Irena, martesa u zgjodh si mjeti ma i mirë për shpëtimin t’em nga njerka. Për t’i a mbrrimë qëllimit vendosën që ma parë të merret leja e s’amës së Shpendit me anën e mamë Gjystinës dhe mbasandej të shkojë Xha Simoni ke im atë si mesit. U ngarkue Irena që të fjaloset me mamë Gjystinën dhe mandej me Xha Simonin. Shpendi ka vendosë me shkue n’Itali për me i ndjekë mësimet në nji shkollë ushtarake. Prandaj asht i mendimit që martesa të bahet sa më parë dhe kur të vijë vjeti shkolluer të shpërngulemi n’Itali. Un jam turbull. Jam e shtangun nga droja se mos na dalin pengime.

7 Gusht

Mamë Gjystina ishte takue dje me t’amën e Shpendit dhe kishte folë me të rreth çashtjes së martesës s’onë. Ajo e kishte pëlqye dëshirën e Shpendit dhe ishte gëzue kur kishte marrë vesht se na e dashunojmë tjetrin. Tash mamë Gjystina do të kuvendojë me Xha Simonin që t’a çojë ke im atë për me kërkue pëlqimin e tij për bashkimin e Shpendit me mue. Zemrën, s’dij se pse, e kam të ftofët dhe më duket sikur do të ngjasi ndonji e papritun.

9 Gusht

Kushrini i em Hamit Kërthiza asht hidhnue me t’em atë qysh asokohe që ai më hoq nga shkolla dhe më futi në çarçaf. Qysh atëhere kamba e tij nuk ka shkelë në prakë të portës s’onë. E shof vetëm kur i shkoj në shtëpi tinës t’ime ëti. Hamiti zotnon nji kulturë mjaft të gjanë, ka nji gjykim të mprefët e të kthjellët, karakter të fortë, ndërgjegje të pastër dhe asht idealist. Mbi të gjitha ka edhe nji veçanti që e ban të dallohet ndër shokët: asht njeri i sakrificit dhe e ndin detyrën kundrejt tjerve. Po të duhej me bamë nji farë krahasimi midis njerësve tue marrë si bazë zhvillimin menduer e kultural të tyne, sigurisht em atë kishte me i përkitë shekullit 15 e Hamiti atij që vjen. Në këtë ndryshim rolin kryesuer, pa dyshim, e ka luejtë, bashkë me natyrën, edhe shkolla. Natyra kapricioze për njenin asht tregue koprace e për tjetrin bujare. Edhe shkolla njenit ia ka hapë dyert dhe tjetrit i ka mbyllë fare. E dij se Hamiti më don shum dhe se për mue arrin me bamë edhe therorina të mëdha. Prandaj shkova sot t’i lutem të pajtojë me t’em atë që mandej të përpiqet me e bindë për martesën t’eme me Shpendin.

Por m’erdh turp e s’munda me i thanë gja. Ai më priti, si për herë, me buzë në gaz dhe tue më shfaqë dashuni prej vëllau. Më pyeti edhe se pse isha zbemë pak dhe si shkoj me njerkën. Nuk i thashë gja mbi sa kisha pësue prej njerkës, pse e dijsha se do të pezmatohesh shum. I thashë se kisha ardhë kot, sa me e pamë e me u shmallë. Ika pa i folë gja mbi qëllimin e vërtetë të vizitës.

Irena, së cilës ia rrëfeva çashtjen, u zotue të shkojë e të flas me Hamitin në vend t’em. M’anë tjetër vendosëm që të mos shkojë Xha Simoni ke im atë përpara se Hamiti të jetë pajtue me të. Të shofim se si do të zhvillohen ngjarjet.

11 Gusht

Razijen e kanë zanë ethet. Njerka ia lagu fëtyrën me fijnjë dhe dje mbrama e çoi dhe e la këmishën e sajë ke vorri i Dervish Hatixhes që t’ia mveshi për t’u shërue! Veç kësaj sot i lidhi në dorë edhe nji pe me shumë nyje, të fryem e të bekuem prej nji plake që ka për mjeshtëri me yshtë ose me kushitë. Un e kundërshtova, por ajo s’u bind. Lufton bota e re me të vjetrën, por fiton ajo që duhet shembë nji orë e ma parë në daçim të rrojmë si njerës.

12 Gusht

U takue Irena me Hamitin dhe ai u pajtue me t’em atë. Neser, në nji kohë të caktueme, do të shkojë Hamiti në dyqan të babës dhe mbas pak do të vejë Xha Simoni me më kërkue n’emën të s’amës së Shpendit. Përgatitjet e planet janë bamë mirë, por nuk dij se a do të kemi fat me ngadhnue. Sa e largët më duket dita e nesërme. Më gjan sikur nuk do të vijë kurrë e nesermja e kësaj dite plot shqetsime.

14 Gusht

Nuk u bind im atë që të martohem me Shpendin.

— S’mundem me ia dhanë gocën nji muhaxherit - kishte thanë.

— Ai asht prej nji familje fisnike dhe ka mjaft të holla - i ish përgjigjë Xha Simoni.

— Sikur të jetë edhe bir Pashai dhe sikur të ketë nji thes me flori, nuk ia jap t’eme bijë nji djaloshit që asht shkulë nga vendi i vet, se guri, miku i em, asht i randë në vend të vet - kishte vërejtë im atë.

Në vend që ai të shfaqte nji dashuni e stimë të veçantë për ata të shkretë që i kanë lanë trojet në duert e armiqve dhe kanë ardhë këtu për t’a shpëtue nderin e jetën, në vend që të ndinte dhimë për ata të mjerë dhe t’i ngushullonte me mirpritjen Shqiptare, po i përbuz si t’ishin armiqt t’onë. Sa keq! Sa turp! As gjykimet e Xha Simonit as arsyetimet e Hamitit nuk kishin bamë efekt. Për kët shkak jam e dëshpërueme. Edhe Shpendi nuk asht ma mirë se un. Irena sajoi me e lajkatue njerkën dhe me e krye punën me anën e saj, por un nuk e lashë, pse e dij se ajo nuk e dëshiron lumnin t’eme. Jemi turbullue fare. S’jemi në gjendje me marrë nji vendim për me mundë me ia mbrrimë qellimit.

Hof moj nanë! Jam tue plasë. Do të më lehtësohesh shpirti ndopak po të mundesha me shfry tue qamë. Por, sikundër duket, edhe burimet e syvet janë shterrë. Oh sikur t’a kisha gjallë nanën dhe, tue e mbështetë kryet në krahnorin e saj, të qajsha derisa të qetsohesha.

Oh fatkeqsi!

16 Gusht

Hamiti ende përpiqet për me ia mbushë mendjen t’im ët që t’a pëlqejë martesën t’eme me Shpendin. Ai shpreson t’a bindi. Sot më kishte çue fjalë me anë të Irenës që të mos e humbi shpresën dhe të kem besim

se, ma në fund, do të shduken gjithë pengimet. M’anë tjetër Shpendi mendon t’i dërgojë t’ime ët nji shkesë tjetër, ndonji njeri që i peshon e i shkon fjala ma fort. Un jam e ngrime dhe e shtangun. Më duket sikur qëndrojnë mbi kokë t’eme turma resh, gati me u përplasë për me më gjuejtë me ndonji rrëfe vdeksuese.

19 Gusht

Edhe plani i dytë dështoi e ra nd’ujë. Njeriu që zgjodh e dërgoi Shpendi, tue shpresue se do të mundesh me e bindë t’em atë për martesën t’onë, nuk pat sukses. Ai nuk ndigjon kurrsesi. Tash e humbëm fare. Im atë as që e shef me udhë të më pyesi a dishiroj të martohem me Shpendin. Asht zot absolut mbi mue, si të kisha qenë dhi, por nji dhi që nuk vlen fare. E simbas Sherijatit, që ai pretendon se i beson, asht i detyruem të më pyesi.

Hamiti, si masë të fundme, mendon e propozon që ta njoftojë t’em atë mbi dashunin që kemi për njeni tjetrin. Me këtë mënyrë ai pandeh se do të bindet im atë. Un jam tutë fortë. Prandaj s’mund të them as po as edhe jo. Shpendi e pëlqen mendimin e tij dhe kujton se em atë ka me e vu gishtin në tamth dhe dorën në zemër po t’a marri vesht dashunin t’onë.

— Në rasë të kundërt - thotë ai - nuk kemi se ç’humbim, mbasi ai ka vendosë me e kundërshtue martesen t’onë.

Kam frigë se zemra e eme e trishtueme nuk do të mundet me i durue këta mundime dhe do të pëlsasi para se t’arrijë me u gëzue.

Eh fat’i lig!

21 Gusht

Krisi poterja. Edhe plani i Hamitit dështoi. Ai ia kishte zbulue babës dashunin t’onë dhe ia kish kujtue detyrën që i takon, si atë, për me e pëlqye dhe bekue bashkimin t’onë. Por ai, në vend që të mendohesh ndopak mbas këtij zbulimi, ishte zemërue dhe egërsue keq. Ishte zanë me Hamitin dhe s’kishte lanë fjalë pa i thanë.

Hamiti i shkretë, për hatër t’em, e kishte durue dhe nuk e kish prishë me të. Ai ende shpreson se do t’a ndreqi punën me të mirë. Kur erdhi im atë në mbramje ishte krejt duf e mëllef. Më shiqoi me nji farë egërsije që kujtova se më përpiu.

— Rri urtë, se eshëhedubil-lah t’a marr shpirtin moj murtajë! - m’a bani dhe u turr të më sjelli.

Un ika dhe u mbylla në kthinën t’eme. Ai vazhdoi të flasi me zemërim e me za të naltë.

Sot në mëngjes, tue i theksue fjalët dhe tue u mshue rrokeve me za të fortë, i tha njerkës që të më porosisi për me mos shkelë ma në shtëpi të Xha Simonit. Un, e shtangun dhe e trishtueme, e ndigjojsha nga kthina e eme. Ky ndalim më pezmatoi shumë, pse nuk do të mundem me u pamë e me kuvendue ma me ata që më duen e sidomos me Shpendin. Tash u burgosa dhe u robnova plotsisht. Për kët shkak nji kohë të gjatë derdha lot deshpërimi dhe e shpraza krejt vënerin e zemrës. Edhe tash, që dukem si e qetsueme, syt e mij janë plot dhe pikat e lotvet bijen mbi këto fletë që po shkruej. Oh sa fatzezë paskam qenë. Sigurisht i vjen keq t’im ët për vorfënin e vobsin e nji njeriut, por nuk i vjen keq për mjerimin shpirtnuer që don me i shkaktue së bijës; m’a merr mendja se i dhimset i sëmuni, por nuk i dhimset e bija që lëndon nga zemra; besoj se i vjen keq për të trenuemin, por nuk don me kuptue se po e shkallit të bijën me kryeneçin e vet të paarësyeshme; pa dyshim e urren vrasësin, por nuk e merr vesh se vetë po e vret të bijën me pengimet që po i nxjerr për me mos u martue me dashnorin e saj. Përse ai për mue tregohet kaq i keq, kaq i egër, kaq i padhimshëm? Përse nuk pajtohet shpirti i em me t’atij? S’dij.

23 Gusht

Ishte vrazhdue Irena tue kujtue se jam sëmunë. Prandaj erdh sot e më pyeti se pse nuk kisha shkue ndër to. Ia shpjegova shkakun me pikëllim të madh dhe u zhgreha në vaj. Edhe ajo s’u mbajt. Qau për mue e për fatkeqsin t’eme. Lotët e saj, për mue të ngratën qenë si pika shiu mbi nji lule që krruset e nis me u vyshkë. Ndiva nji farë ngushullimi kur pashë se ajo ndinte dhimë dhe qante për mue. Ata lot, për mue, vlejnë ma shum se nji varg margaritarë të kushtueshëm. Kur u ndamë e porosita, me zemër të coptueme, që t’a përshëndette Shpendin nga ana e eme. U puthëm me dashuni dhe u ndamë me sy të mbushun plot me lot.

25 Gusht

Sot në mëngjes kishte ardhë ke na Kumja, e shoqja e xha Cenit që kemi fqi. E kisht e marrë me vetëhe edhe djalin e saj motak. Kumes nuk i rrojnë fëmijt. Shpesh i asht djegë zemra tue mbulue nën tokë ajkën apo pemën e jetës së vet.

— Zoti i ep, Zoti i merr - thotë ajo me nji besim të plotë kur bahet fjalë mbi vdekjen e fëmijvet të saj.

Kur i sëmuhen fëmijt nuk merr doktor. Përpiqet me i shërue me prime plakash dhe me hajmalia. Doktori kurrë s’ka shkëlë në shtëpi të saj, megjithqë i kanë vdekë aq fëmij. Salihun - emni i djalit - e ruen si dritën e syvet dhe mundohet me e rritë mirë, ashtu si e kupton ajo këtë të mirë. Që t’a mprojë çunin nga mordja shtrigë i ka mvarë në qafë nji grumbull hajmalia, si ndonji varg gështenja. Kur flen foshnja, natyrisht, e vrasin këto dhe s’e merr gjumi. Ajo kujton se asht sëmunë dhe s’don të besojë se mund t’a vrasin hajmaliat. Kur e shef njeriu këtë foshnje me shum shenja gandimi në shtat, i bahet të besojë se ajo dikur ka qenë e burgosun dhe e lidhun me vargoj hekuri. Në ball i ka vumë nji gjysmë napoloni dhe nji gisht të zi, të marrun nga fundi i fteres! Në krahënuer, përveç hajmaliave, i ka mvarë nji thelb hudhër me nji copë shtipz, të mbështjellun në nji pece të ndytë. Vargu i hajmaliave, bashkë më shukun e hudhrës, gjajnë si dekorata. Ai që e shef ka përshtypjen se ndodhet para nji… personi të madh të dekoruem dhe, patjetër, e ndin nevojën me e përshëndetë me nderimet përkatse!.. Të gjitha këto, simbas Kumes, vlejnë për me mos u sëmue dhe me mos marrë sysh çuni!.. I thashë t’ia heki e t’ia mvari në djep, por ku i mbushesh mendja se? E pashë se iu prish qejfi. Prandaj nuk e zgjata shum. Kështu rriten dhe kështu mbyten fëmijt t’onë.

Kumja ka edhe nji motër që banon diku, atje tej. Ajo megjithëqë asht martue gati pesë vjet ma parë, s’ka fëmij, pse s’ka pjellë kurrë. Kur të flasish me të mbi këtë, çashtje, të përgjigjet:

— S’don Zoti.

— Kush e ka fajin? Ajo apo i shoqi?

— Zoti e din - do të përgjigjem un, pse mjeku s’i ka vizitue kurrë. Kështu rrokulliset Shqiptari në këtë jetë.

27 Gusht

Ditët u banë të zeza dhe netët edhe ma të zeza. Mërzia më ka mposhtë dhe dëshpërimi më ka mbërthye me kthetrat e veta për mos më lirue, ndoshta, kurrë. Jam shum turbull. Shpirti më cingëron, zemra më rrënkon dhe syt më qajnë. S’jam e zoja as edhe me i përshkrue ndiesit e mija ndër këto fletë. Disa herë kulmi i mjerimit t’a mbyll gojën.

30 Gusht

Tash asht mbyllë ma deriçka që na shërbente për vojtardhje në shtëpi të Xha Simonit. Vetë im atë ia ka vumë shulin dhe ka porositë që të mos e hapi njeri. Me nji fjalë u mbyll dera e atij pallati, ku u përbujt dhe u argëtue zemra e eme. Nashti s’mundem me e pamë ma Xha Simonin e mirë, at plak që më ka dashtë si Irenën e vet. Tash s’mundem me u kënaqë ma me argëtimet e mamë Gjystinës që m’ish bamë si nanë e dytë. As nuk mundem me kuvendue me Irenën që m’a pat dhanë gjysmën e zemr s dhe pat marrë pjesë plotsisht në gëzimet ose hidhnimet e mija. Gjithashtu s’mundem me i pamë vëllaznit e saj që edhe për mue qenë vëllazën. E Shpendin e mirë jo se jo.

Em atë i mbylli për mue dyert e kësajë familjeje, Por ai s’mendon se zemrat e tyne s’i kanë mbyllë dyert për Dijen që aq fort e kanë dashë. Oh sa mallëngjehem kur i ndigjoj nga oborri zanat e tyne. Oh sa dëshirojsha të më ngushullonte mamë Gjystina tue m’i lëmue flokët e kokës. Oh sa do të kënaqesha sikur të mundesha me e përqafue Irenën dhe t’i thojsha në vesh se sa fort më ka marrë malli për Shpendin. Ndoshta im atë pandeh se me këtë mënyrë i vu gardh dashunis s’eme me Shpendin. Oh sa shum gabohet. Demede s’e ka provue ndonjiherë dashunin që t’a njofi fuqin e sajë të papërballueshme. Ndoshta ai kujton se me masat e ndalimit do të mundet me e shue flakën e fortë të dashunis që valvitet në zemrat t’ona. Ndoshta ai mendon t’a ftorisi zemrën t’eme me jargët e ndonji bandillit që i pëlqen tue kujtue se zemra asht nji enë bakri e jo nji magje ndiesish e lakmish të pastra. Ai demede nuk e din se atje ku shkrep dashunia e vërtetë hapet nji vullkan i pashueshëm për jetë. Lavët e këtij vullkani janë lotet dhe krateri i tij syt. Ky vullkan edhe kur duket si i shuem, ndizet e digjet përmbrenda për të shpërthye ma vonë ma me forcë. Ai do të ndizet, do të digjet dhe do të grafëllojë, pse ashtu e ka krijue natyra, pse ashtu shfren e kënaqet.

2 Shtatuer

Xha Meta e xha Ceni, dy fqij t’onë, kishin ardhë ke na sot në mëngjes për vizitë. Mbas shumë bisedimesh që u zhvilluen mbi bujqësi u ndrrue kuvendi me lajmin e papritun që dha Xha Ceni: Nji katundar e paska vramë të bijën, pse ajo qenka dhunue me nji fshatar. Rreth kësajë ngjarjeje u shtjelluen mendime të ndryshme. Në fund të gjithë dhe njizanit e përhiruen atin që e kishte vramë të bijën. Me fjalë tjera femna e dhunueme u gjykue si fajtore e pafalshme dhe u dënue me vdekje.

Natyrisht kurrkush nuk mundet me folë, makar nji fjalë, për me i dalë zot nji femne që, tue mos i frenue sencet e veta, arrin të poshtnohet dhe dënimi i saj, megjithqë tepër i rreptë, asht i justifikueshëm. Vetëm due të dij se pse dënimi randon vetëm mbi femnën e gjorë? N’asht se ajo u dhunue ose bani kurvëni, mashkulli ç’bani? A nuk bani edhe ky bikni? Kush mundet me na sigurue se femna qe ajo që i nxiti pasionin mashkullit dhe e ndolli në të kryemit e asajë vepre qe e dënon shoqnia e sotshme me fjalët ilegale dhe e turpshme.

Sikur të kishte pasë njerzia nji histori turpesh, natyrisht të shkrueme prej duersh të pastra e të padridhuna nga ndikimi ose kërcnimi i tjerve, kishim për të vu re se, qysh nga Adam-Eva e deri më sot, femna asht ngucë e kabue prej mashkullit për t’u bamë vegël dëfrimi për të. Me gjithë këtë, kur asht diktue, asht denue dhe mashkulli s’asht trazue. Përse ajo ndëshkohet dhe ai nuk trazohet? A nuk kanë bamë mëkat ose faj të dy së bashku? Apo mëkati i mashkullit asht i falshëm? Mos asht edhe zoti me burrat apo vetëm i burravet që mban anë kah ata? Çudi! Katundari i jonë e gjet vetëhen të fyem e të turpnuem, pse i qenka dhunue e bija. Ka të drejtë. Por katundari tjetër ndoshta as nuk u skuq në fëtyrë kur e muer vesht veprën që kreu i biri. N’asht se i pari e vrau të bijën për me e lamë turpen me gjakun e saj, a nuk duhej që edhe i dyti t’a vritte të birin për t’a shly atë njollë që djali i tij vulosi me gjakun e nji të ngratës? N’u quejt ajo lavirë ose fërshëndi, a nuk lupsesh quejtë edhe ky njimitar ose bik? Përse randon vetëm nga femna balanca denuese e drejtësis mashkullore? Apo nuk asht i njinjishëm faji për të dy? Nuk dij, por më duket se të pakën në këtë punë mashkulli nuk lypsej të kishte nji privilegj.

Vepra e ndalueme dhe e turpshme, padyshim, u krye prej të dyve dhe dënimi, po n’atë mënyrë, lypsej t’i përballonte që të dy, se po të mos kishte marrë mashkulli pjesë aktive në veprën e kryeme, nuk kishte se si bahet turpi. Po, se që të bahej turpi lypsesh të bashkohesh mashkulli me femnën. Përndryshe nuk do t’ekzistonte turpi në këtë mes dhe sot nuk do të derdhte lot nana e shkretë mbi kufomën e bijës së shueme nga dora e atit të vet. Katundaret t’ona vuejnë nga mizoria e burrave dhe e prindëvet të tyne të padijshëm, rrënkojnë nën ndrydhjen që u bajnë zakonet e egra dhe gabimet e tyre shpërblehen randë. Kanunet e maleve nuk i mëshirojnë aspak të ngratat dhe nuk u japin asnji vlerë. E për këto të shkreta kurrgja e mirë s’asht bamë deri më sot.

Sikur të kishte qenë në dorë të femnave sundimi i botës, a do t’a gjejshin të drejtë mashkujt nji dënim të tillë e të njianshëm kur t’u jepesh atyne nga femnat në nji rasë kësodore? Sigurisht jo dhe nuk kishin me lanë mjet pa përdorë për t’a fitue, të paktën, barazin. Po na? Oh na të shkretat nuk lejohemi t’a nxjerrim zanin për të drejta ma natyrale e fillestare e jo ma për këto që kanë nji karakter të shëmtueshëm. “Kur len femna qajnë trenët”, thotë nji fjalë popullore. Në këto pesë fjalë shprehet krejt përbuzja e skotës mashkullore kundrejt femnës së shkretë. Ky mendim i padrejtë dhe shnjerzuer na ka hymë në shpirt edhe neve femnave dhe e thomi me aq besim si t’ishte ndonji verset i Kuranit ose i Ungjillit. Kjo përbuzje kaq trashanike, që i bahet femnës prej mashkullit, synon me e qëllue këtë mu në shpirt e në palcë: në sedër. Për atë q’asht burimi i jetës dhe shtylla e ekzistencës njerëzore bahet kjo përbuzje kaq e poshtme dhe e vorfën nga vlera mentare e morale. Mashkulli, biri i femrës, ia përplas në fëtyrë asajë këtë të fyeme kaq të randë për me ia therë zemrën mizorisht. Eh fatkeqësi. Mashkulli që mburret me aventurat e veta tue thanë se ka mashtrue e ka kabue këtë ose atë femën, ka guximin e paturpshëm edhe me e përbuzë edhe me e dënue atë për gabimin që ban, gabim në të cilin ai vetë e shtyn.

Lypset të ngremë krye, duhet të çohemi peshë e t’i luftojmë këto ligjë e zakone që na i grabisin të drejtat t’ona ma se natyrale, që na poshtnojnë dhe na ulin në shkallën e nji robneshës së neveritun, që na i shkullojnë dhe na i shterrin burimet e sedrës e të krenaris si femna e si njerës, që na e shtypin pamëshirshëm ndërgjegjen dhe shtefnin. Duhet t’u apim të kuptojnë se përparimi i nji kombi matet me zhvillimin e femnës dhe se kjo lypset të zajë nji vend të kosinderueshëm në shoqnin njerëzore.

A s’ka zemra që të ndijnë dhimë për pësimin t’onë? A nuk ka veshë që t’a ndigjojnë klithmën t’onë? Ah sikur t’isha djalë. Po, sikur të mundesha me metamorfozue e me u bamë djalë, do të mundesha me ndërmarrë nji lëvizje të gjanë për me i luftue rreptësisht pengesat e fatbardhësis së femnës Shqiptare dhe për me i sigurue asaj liri të plotë e njisi të drejtash. Kjo përpjekje e ashpër besoj se kishte me më kënaqë; kjo luftë e rreptë sigurisht kishte me m’a lehtësue ndërgjegjen e dërmueme prej fyemjesh e padrejtësinash të përditëshme që i bahen femnës së shkretë. Dhe zemra e eme atëherë do të mbushej plot hafsh e zjarr për t’i përvëlue kundërshtarët e këtij ideali të shenjtë. Po, zbrazësia e asajë zemre që lëngon nga mungesa e lumnis së dëshirueme, do të mbushej atëherë plot lang zjarri për me u shprazë mandej mbi ata që e kanë monopolizue shijimin e jetës dhe gëzimin e të drejtave në këtë botë.

Nuk jam e zoja me i shpirtnue mendimet e ndiesit e mija, pse s’kam pasë fat me u zhvillue në nji shkollë të naltë ose në nji rreth, ku mbretnon drita e pashueshme e kulturës. Por e ndi se kam nji shpirt që me të tanë forcën e vet, më shtyn me e luftue të ligën dhe padrejtësin; kam nji vullnet që më nguc për me i ramë kres mendësis së mykun, asaj mendësije që na ka lanë trashëgim errësina qinda shekullore e injorancës, ajo që edhe sot na pengon në të kryemit e veprave të shkëlqyeshme fisnikije dhe nuk na lejon të kalojmë nji jetë t’ambël dhe të bukur.

Femna Shqiptare sot s’ka ndryshim të madh nga ato që jetuen disa qinda vjet ma parë dhe, në disa rasa, asht baras me skllavet e motshme, mbasi nuk i gëzon të drejtat e veta. Sikur të dijshin e të mundeshin me shkrue skllavet e motshme, kush e din se çfarë kryeveprash kishin me na lanë, pse në to do t’i përshkruejshin vuejtjet e veta dhe ndjesit shpaguese që ushqejshin kundrejt zotve të tyne. Kush e din se sa helm e vëner kanë pasë grumbullue zemrat e tyne të plasuna. Kush e din. Sigurisht ato do të kenë vdekë ma tepër prej pezmit e dëshprimit që i ka bamë me plasë, se sa prej sëmundjesh. Por edhe sot, thuej se, kështu asht femna, sidomos fëmna Shqiptare. Sikur të guxonte kush me e zbulue dufin dhe urrejtjen që ka zemra e sajë do të lemerisesh e tanë bota dhë atëherë do të kuptonte skota mashkullore se deri ku ka arrit padrejtësia që i bahet asaj.

Po të kisha qenë djalë, do t’u mshojsha me grusht turijve gjithë atyne që kërkojnë të kenë privilegje dhe që duen t’a përdorin femnën herë si kafshë dhe herë si mjet dëfrimi. Por nuk jam. Dhe Perëndia, sikundër duket, nuk e ka menden me bamë mbrekulli.

Pjesa e radhës
Nusja pa dashuni