5 Shtatuer
Sot në mëngjez tue u endë nëpër lulishte ndigjova nji trokullimë të lehtë. E ktheva kryet dhe pashë kah deriçka q’asht ndërmjet nesh e shtëpis së xha Simonit. Nji “pës” më ra në vesh dhe mbas pak ndigjova të thërritet emni i em. E njofta zanin. Ishte i Irenës. U avita në mënyrë që të mos hetohesha prej të shtëpis s’eme.
— Merre këtë letër - më tha dhe futi nën prakun e deriçkës nji letër të mbështjellun në nji pece.
Irena e kishte gërrye truellin nën prak që të siguronte nji mjet komunikimi me mue. E mora letrën dhe u largova dalë-nga-dale, si me mos pasë gja. Shkova e u mbylla në kthinë t’eme. E hapa letrën me duer të dridhuna dhe me të rahuna të zemrës. Ishte prej Shpendit. Qeh se ç’më shkruente:
E dashuna Dije,
Fati i lig që na lufton besomë se do të përkulet e do të ndrydhet para vullnetit që buron nga zemrat t’ona të mbushuna me flakë dashunije. Po t’a kisha paramendue se do të dëshironte nisjativa e jonë dhe do merreshin kaq masa t’ashpra kundrejt nesh, po t’a kisha dijtë se do këputet për gjysmë ajo lumni që patëm nisë me shijue, shum ma mirë do t’ishte që të mos e trazojshim t’yt atë me propozimin e martesës. Por ku t’a dijshim se. Nji miljon herë ma mirë do t’ishte përjetësimi i asajë jete, ashtu sikundër ishte, se sa kjo gjendje që nuk na lejon as të shifemi me shoqi shoqin. Atëhere, kur na besuem se do t’a kunorëzojmë lumnin, u mjeruem. Me gjithkëtë nuk duhet me u dëshprue, se ma në fund do të ngadhnojmë. Un po marr masa tjera për me ia mbrrimë qellimit.
Herë herë mërzitem pa masë dhe më duket sikur do të rroposet krejt bota e andrrave t’ona lumnuese, ajo botë e bukur që krijuen zemrat t’ona. Por fotgrafia e jote që më ka pasë dhanë Irena me lejen t’ande
- e mban mend? - më sharton shpresa në shpirt, më mbars me vullnet dhe më përtrin në fuqi. Kjartësia e syve të tu të kaltërt e të qëndisun, që duket edhe në fotografi, ka forcën magjike me mbytë e me zhdukë çdo hidhnim tue e këmbye at në gëzim.
Sot jam mjaft i mërzitun, pse mbramë – vetëm mbramë - nuk të pashë n’andërr. Un edhe në gjumë jetoj me ty. Nuk dij se në ç’gjendje je ti o lofka e zemrës s’eme! Të lutem mos u mërzit dhe kij shpresë. Edhe ime amë asht mërzitë shum nga refuzimi i bamë prej t’yt ët për martesën t’onë. Fëllimi i ambël i këtij mëngjezi, sigurisht, do të dojë me t’i sjellë puthjet e nxehta të kësajë zemre që asht plot mall e dashuni për ty o engjëlli i em. I joti për jetë:
Shpend Rrëfeja
Disa herë e këndova dhe disa herë e putha këtë letër: Mbasandaj e futa në gji me nji besim fetar që t’a qetson shpirtin e tronditun, ashtu si t’ishte nji hajmali e shkrueme prej dorës së nji shenjtit ose të profetit.
7 Shtatuer
Gjumi m’asht prishë. Gati gjith natën rrij me sy hapët. Edhe shija e bukës m’asht prishë dhe gjellët më duken të zbarta. Sot pata ethe dhe volla pak gjak. Kanë nisë me m’u qarkue syt prej nji rrethit të zi dhe fëtyra m’asht zbemë. Prandaj i thashë t’im ët që të më sillte nji mjek për me më vizitue, por ai bani sikur nuk më digjoi.
10 Shtatuer
U martue Irena. Sot erdh Zefi vetë, bashkë me krushqit, dhe e muer. E çuen Irenën në shtëpin e atij qe dashunon. Un nuk e pashë. Kërkova të shkoj me e takue dhe me e përshëndetë për herën e fundme, pse atë e due si nji motër.
Dalë-nga-dale po këputen vargjet e lidhjes që kam me Shpenzin. Mbas sodi nuk ka kush t’interesohet për me na mbajtë në marrëdhanëje me njeni tjetrin. Tash e ndi vetëhen, me të vërtetë, të shkretë, si nji bonjake të mjerë që nuk i qesh njeri. Oh fat’i zi.
14 Shtatuer
Tash nuk druej se më hidhnohet baba po të shkoj në shtëpi të Hamitit, mbasi ata janë paqtue. Prandaj, sa herë që të due, mund të shkoj pa u drashtë. Sot shkova kinse për të bamë nji vizitë, megjithqë vojta për t’u pamë me Hamitin, me shpresë së mos m’epte ndonji lajm të mirë mbi fatin t’onë. Mamë Sybja, e ama e Hamitit, ashtu edhe gocat e djelmt më pritën me gëzim. Fëmijt e vegjël të Hamitit, si përherë, më duen fort. S’dij se pse simpatizohem kaq shum prej të vegjëlve. Mamë Sybja u çudit e u pezmatue kur më pa te dobsueme dhe të zbeme në fëtyrë. Nuk u mbajt pa me më pyetë se pse isha ligështue. Hamiti s’ishte aty dhe, megjithqë prita shum, nuk erdh. U ktheva në shtëpi e dërmueme moralisht.
16 Shtatuer
U shemb e u gremis pallati i lumnis s’eme që kisha ndertue në zemër me duert e Shpendit. Tash u shdukën të gjitha shpresat dhe u përmbysën të gjithë kështjejt e andrrave t’ona. Andrrat e lumnis, si të ishin re të lehta, u avulluen dhe u zhdavaritën prej nji murranit të egër. Po, të gjitha mbaruen, vdiqën. Po. Sot më vloi em atë me nji farë Qazim Krandja, tregtar në shkallë të parë. Im atë kishte shkue sot në zyrën e Sheriatit dhe, si përfaqsuesi i em fuqiplotë, kishte dhanë pëlqimin për kunorëzimin t’em me at farë tregtari. Dhe kadiu, pa pamë nevojë që të më pyeste mue se a e pëlqej kët kunorëzim, i ban formalitetet tue e bekue bashkimin t’onë.
Hallë Hatixheja dhe disa plaka tjera të fisit kishin ardhë ke na sot qysh në mëngjes heret. Mue nuk më thanë gja. Edhe mue, natyrisht, s’më shkoj mendja kund. Kur u kthye em atë në shtëpi, aty pak para mesdite, i duelën para plakat dhe e përgëzuen. Fëtyrat e tyne të qeshuna dhe përhirimet e urimet që i bajshin t’im et tue i thanë “ndjefsh edhe në tjerët”, më futën në dyshim, por nuk mund të pyetsha. Prandaj u tërhoqa me nji anë dhe nuk bëzana. Mbas pak plakat, bashkë me hallë Hatixhen, erdhën pranë meje dhe, mbasi më përqafuen, m’uruen dashuni e lumni me burrin, të cilin nisën me m’a lavdërue tue thanë se asht tregtar i madh, shum i pasun, i rodit të mirë dhe nji varg të gjatë…
Un, në fillim, shtanga dhe u mpina fare. E humba fuqin e gjykimit dhe nuk qeshë e zoja me e çmue shkallën e fatkeqësis që më kishte kapërthye. Syt m’u turbulluen dhe m’u mveshën prej nji rës së zezë. Plakat i shifsha të zhytuna në nji dendësi tymi, si t’ishin sokullu e prej turma mjegullash ose si t’ishin sorra të strukuna pranë meje.
Tamthat më rrifshin me forcë dhe veshët më gugullojshin. E vuna dorën mbi zemër për me e ndalue hovin e rrafjeve të forta e të paregullta. Nji copë herë mbeta e hutueme dhe e harlisun. Mbasandaj shpërtheva në vaj dhe qava me të madhe tue bërtitë se nuk e dojsha at njeri për burrë. Mbas asajë shtërgate lotsh e britmash u plandosa në nji kand si gjysmë e vdekun. Vajin t’em ato e kujtuen të natyrshëm dhe si të gjithë atyne që qajnë në rasa të tilla nga njomësia e ndiesive e nga foshnjëria e gjykimit, por jo si shenjë hidhnimi e dëshpërimi. Sa për gjysmë zalisjen që pata besuen se ajo m’u shkaktue nga dobsia e shëndetit që u trondit nga ky gëzim i papritun, megjithqë un protestojsha kundër asajë padrejtësije që m’ishte bamun. Edhe tash që po i shkruej këta rreshta jam tue derdhë lot. Syt e mij më duket se mbas sodit nuk do të shterrin ma veçse kur të mbyllen për t’u hapë në jetën tjetër. Em atë duket i kënaqun që arrini me e fejue të bijën. Për at, natyrisht, nuk ka randësi as edhe vlerë zemra. Ai i fut asajë nji thikë dhe s’e çan kryet fare. Zemra, simbas mendjes së tij, pa dyshim asht si nji lodër fëmijsh që mund të përdoret për çdo loje simbas dëshirit të zotnuesit dhe dashunia nji kanisqë që mund të përftohet ose mund të fitohet lehtazi. Për të ka randësi personi i dhandrit si tregtar ose si arkëtar i nji shume të hollash. Vlera morale mandej, në syt e tij, ka tjetër dukje, tjetër trajtë dhe tjetër ngjyrë.
Nji i pasun, simbas tij, asht i ndershëm, i mendshëm, i dashun, i pëlqyeshëm dhe i nderueshëm. Sa për dashunin që asht themeli i lumnis, ai s’don me dijtë gja dhe nuk e ven at ujë në zjarrm.
Prindë, si em atë, ka shumë Shqipnia. Këta njerës, me mendësin e tyne prapanike, vetë e ndjellin rrezikun dhe mjerimin e fëmijve të vet. Këta janë skllavët e primitivitetit e të zakoneve t’egra që janë në kundërshtim të rreptë me konditat e me rrymën përparuese të kohës së sotshme. Këta kanë qëndrue në vend dhe as që duen me shkue përpara për t’i pamë ndryshimet që impozon shekulli i sotshëm. Me fjalë të tjera këta i përkasin shekullit të kaluem dhe nuk mund të pajtohen me frymën e re të kohes s’onë plot hafsh gjallnije. Em atë e dha pëlqimin që të martohem me at njeriun e panjoftun prej meje dhe kadiu e bekoi n’emën të Sheriatit. Këtë poshtërsi shembëllore e bani baba kundër fëmis së vet dhe kadiu e aprovoi n’emën t’asajë ligje hyjnore që quhet Muslimanizmë. Me këtë mënyrë kadiu veproi kundër dispozitave të Sherijatit dhe e njollosi fen që përfaqëson, pse ajo, sikundër thotë dajë Haxhiu, nuk lejon martesë pa u marrë, tri herë me radhë, hiri i të dy palëve që do të kunorëzohen. Megjithkëtë ky turp u krye dhe im atë asht i kënaqun për fitimin që pat. Por ai nuk mendon se e ka vramë të bijën me dorë të vet dhe se e ka futë në vorr për së gjalli. Ai nuk e gjykon se përfundimi i këtij mashtrimi apo i kësaj trathtije ka me qenë i kobshëm për të bijën dhe nuk i shkon ndërmend se dikur do të pendohet plotsisht për këtë padrejtsi që i bani pjellës së vet. Dikur dhe ndoshta shum shpejt ka për t’a kuptue gabimin. Atëhere do t’i bijë kokës me grushta, por kot se do të jetë shum vonë. Atij nuk ia merr mendja se nji copë femën, si un, mund të ketë guximin me e rrokë për qafe ma lehtas vdekjen shtrigë se sa at burrë që i jepet përdhunisht si shok jete. Do të vijë dita e kësajë prove të hidhët dhe ai ka për të pamë se si mbaron dashunia e asajë fatzeze që shtrëngohet t’a ndrydhi zemrën për hir të t’atit.
Na, femnat Shqiptare, jemi krijesa të vorfëna që tue këngëtue, si të trenueme, shkojmë symbyllazi drejt greminës, drejt vorrit që na përgatisin tjerët dhe na shtyjnë me u përplas mbrenda. Po. Na duhet të jemi të qeshuna e gastore për t’i kënaqë kapricjet e burrave, lypset të jemi pa zemër e pa shpirt për t’i ngopë dëshirat e atyne që na kanë monopolizue. Por edhe në paçim zemër e shpirt, këta lypset të funksionojnë simbas andjes s’atyne që na kanë robnue e jo për ata që na mund të dashunojmë. Oh fatkeqsi. Sa e sa breza femnash, që erdhën para nesh, u banë viktimet e këtij zakoni t’egër dhe flija e asajë mendësije që kish për të vetmin qellim të kënaqi kapricjet e nji turme injorante, sunduese mbi fatin dhe jetën e atyne femnave të mjera. Kurrkush, deri më sot, s’pat guximin me marrë përsipër nji përgjegjësi për me i operue e shërue plagët e kësaj shoqnije që lëngon prej shekujsh. Toka e jonë, për fat të keq nuk polli nji gjeni që t’u epte hof gjallnije turmave të mbetuna nën thundrën e zakoneve primitive për t’u hudhun tej me forcë; që t’i udhëhiqte për t’u vërvitë jasht kaosit t’errët të fanatizmës; që t’i naltësonte moralisht e intelektualisht tue i shpëtue nga robnia shpirtnore e disa qinda shekujve. Nuk duel nji Titan që t’a ngrente grushtin e tij të fortë kundër atyne që e pengojnë zhvillimin t’onë natyrel e historik, kundër atyne që nuk na lanë t’ecim drejt rrugës së madhështis, të liris e të lumnis. Ah sikur t’isha djalë e t’a merrsha përsipër kët mision kaq delikat dhe t’i sherbejsha shoqnis njerzore. Na do t’ia puthim dorën me respektin ma të madh dhe do t’a deklarojmë shenjt at njeri që të na shpëtojë nga kjo robni shekullore tue e grisë edhe peçen që t’i jepen femnës Shqiptare e Muslimane mundësit për me i pamë rrezet e arta të… qytetnimit.
Un, sa për vetëhe, kam vendosë me e vulosë jetën t’eme me gjakun t’em. Me këtë mënyrë besoj se do t’u provoj kundërshtarëve të liris s’onë se na kemi vendosë me vdekë, por me mos u përulë.
17 Shtatuer
Em atë pret e përcjell njerës që vijnë me e përgëzue e urue. Eme njerkë fluturon prej gëzimit, natyrisht, jo pse u vlova, por pse u forcova me nji njeri që s’e dashunoj dhe pse do të më shporri sysh. Mora vesh se kushrini i em Hamiti ishte zanë keq me t’em atë për shkak të fejesës s’eme. Për pak kishin qenë tue u rrafë. I shkreti Hamit! U përpoq shum që të më bante të lumtun, por nuk mundi me e mposhtë t’em atë që mundohesh me më mjerue.
Eh fat’i zi, fat kobar!
Ata që nuk e pëlqejnë të bukurën janë të vdekun. Çdo njeri që ka nji farë ndiesije pjerr kah e bukura. Edhe njeriu primitif e pëlqeu dhe e dashunoi të bukurën. Ata që nuk kanë dashunue ose nuk dashunojnë janë kafshë pa shqise, pa zemër, pa ndiesi dhe pa as ma të voglën rreze hyjnore. Këta kanë vorfëni apo vobësi shpirtnore. Janë kërma të lëvizshme që enden në mes t’onë si fantoma ose lugetën që kërkojnë t’a ulin vlerën e jetës, që përpiqen t’a hjekin shijen e rrojtjes. Edhe ata që e pengojnë zhvillimin e dashunis, t’asajë dashunije që shtjellohet mbrenda caqeve të nji moralit relatif e logjik, janë shokët e këtyne të verbëve që s’e njofin dritën, që s’kanë fuqi e pajë natyrale për me u ngjitë në sferat e nalta e të ndritshëshme të bukuris mendore e shpirtnore. Këta mëkatarë meritojnë të mëshirohen, se nuk e kuptojnë se shpirti e mendja ushqehen me të bukurën e jo me të shëmtueshmen, pse kjo i vret e i mbyt. Edhe em atë, për fat të keq, ban pjesë në këtë turmë të vorfnish e të verbësh që formojnë ballin pengues në zhvillimin dhe përparimin e shoqnis s’onë. Këta janë si ferrat ndër lule, si njollat ndër pëlhura të bardha dhe si plagët në zemër. S’dij se a e ka marrë vesh Shpendi kobin që pësuem. N’e ka marrë vesht kush e din se sa fort do të jetë pikëllue dhe sa lot do të ketë derdhë. Sigurisht do të më paksohesh hidhnimi dhe do të më lehtësohesh shpirti i brengosun, po të mundesha me e pamë nga ndonjiherë. Por s’ka mundësi dhe un do të vdes, ndoshta, pa e pamë edhe një herë.
20 Shtatuer
Ai, me të cilin më kanë kunorëzue, qenka i vejë. Grueja e parë, me të cilin paska jetue shtat vjet, i paska vdekë gjashtë javë ma parë pa i lanë asnji fëmi. Qenka nji burrë nja dyzet vjetsh. Pse sikur t’ishte i ri a do t’a pëlqejsha? Jo, kurrë! Përveç Shpendit, edhe nji engjëll po të kishte marrë trupin e nji mashkullit, nuk do t’a pranojsha e nuk do t’a dashunojsha. Por ai tregtari le t’a shënojë, qysh tash, në pllakën e trunit të vet se edhe grueja e dytë ka me i vdekë sa të shkeli në prak të derës së tij.
Kurrgja s’kam marrë vesht prej Shpendit. Due t’i shkruej, por me cilin me ia dërgue se? Më mungon çdo mjet. Shkurt jam e shkretë dhe e mjerë në çdo pikpamje. Ah un korba !
23 Shtatuer
Dasma e eme do të baheshka shpejt. Prandaj po bahen përgatitje. Ditën e kunorëzimit qenka caktue edhe nji afat i shkurtun. Sot m’i njoftuen këto hollësina. Don me thanë se edhe pak jetë më mbetet. Kur mendoj se jam vlue me nji të panjoftun e të padashunuem prej meje, më rrëqethet shtati dhe më kapin rrebet. Mërzia më dyfishohet dhe dëshprimi më shtohet kur e mendoj pikëllimin që do të ketë Shpendi, sidomos mbas martesës s’eme me tokën e zezë. Kush e din se sa do të helmohet i ngrati mbas tragjedis s’eme. Kush e din se sa do të më qajë. Shpirti i em do të jetë i ngushulluem vetëm pse ka për të lanë mbrapa nji zemër që ka me e qamun me të tanë fuqin e sajë. Mirë por atëhere kush do t’a ngushullojë Shpendin? Kurrkush. Oh i shkreti djalë!
Tash gjumi m’asht prishë fare. Netët i kaloj tue u mendue dhe tue qamë. Krejt trupi m’asht raskapitë. Mjerimi po më përpin dalë-nga-dale për me më përplas mandej në humnerë.
25 Shtatuer
Kola i vogël, vëllau i Irenës, ishe futë sot në kurt të shtëpis s’onë dhe sillesh rreth e rrotull.
— Ç’kërkon mor Kolë? - e pyeti njer ka kur e pa.
— Kërkoj topin mori; më ra këtu - gjegji ai tue ardhë vërdallë dhe tue hudhë shiqime andej e këndej. Asokohe un isha naltë, në kthinë t’eme dhe po e shifsha nga dritarja.
Kur më pa mue ma shkrepi syn dhe nisi me fërshëllye kangën “Sa bukur neve jetojmë, në male në Shqipëri”. Mbasandaj e futi dorën në xhep dhe e tundi. E kuptova se dishka kishte. Zbrita poshtë dhe iu avita dalë-nga-dale.
— Eh mor Kolë! Të ka humbë topi? - i thashë.
— Po moj Dije - gjegji tue m’a shkrepë syn rishtazi.
— Kërkoje se e gjen! - ia bana tue e shique me nji sy shqyrtues.
— Po moj. Tash e ka mshefë dreqi, por do t’a gjej - bani dhe kërceu e u hudh pranë meje.
— Qeh, e gjeta - thirri mandej.
Ndërkohe e kishte nxjerrë nga xhepi dhe vu mbi tokë topin, të cilin e muer tue u krrusë dhe tue brohoritë. Kur u drejtue pashë se edhe dishka tjetër kishte në dorë.
— Merre, se m’a ka dhanë Shpendi. Tash vij ma vonë me marrë të gjegjun
- tha tue më futë në gji, nji letër të bamun shuk.
Un u habita. Ai u largue tue e këndue kangën:
“Nji motmot e disa muej
Kena pas miqsi n’Tiranë
Tash do t’i kallzoj gjithkuj
Se vet ke ik e m’ke lanë.”
Fjalët e kësaj kange, s’dij se pse, më banë përshtypje të madhe dhe më gjajti sikur Kola i vogël më thoshte në vend të Shpendit, se e kam trathtue. Çdo fjalë më binte në true me forcën e nji çekanit dhe në zemër si nji plumb. Shumë herë e kisha ndigjue këtë kangë, por kurrë nuk më kishte lanë vragë sa sot. Për pak qeshë tue bërtitë e qeshë tue i thanë Kolës, se un nuk e kisha lanë dhe nuk do t’a lijsha kurrë Shpendin t’em. E hutueme shkova dhe u mbylla në kthinë t’eme. E këndova letrën. Ai e përshkruente dëshpërimin që kish pasë qysh at ças që e kisht e marrë vesht fejesën t’eme dhe ma në fund më propozonte që të aratisemi n’Itali.
E bana gati përgjigjen dhe i thashë se jam gati me shkue, me të, edhe në fund të ferrit. Gjithashtu i thashë se edhe un, në mos mundshim me u aratisë, kam vendosë t’a vras vetëhen mu n’at ças që do të shkel në prak të derës s’atij tregtarit dhe nuk do të pranoj me u bamë grueja e tij. Letrën e dërgova aty pak para se të perëndonte dielli.
Kam vendosë t’aratisem. S’ka tjetër mjet shpëtimi. Fajin e ka im atë e jo un. Më pastë në qafë!
26 Shtatuer
Dje mbrama gati gjith natën u përpusha në shtrat. Fare pak flejta. Shum mendova dhe tepër qava. Mendojsha se si do t’arratisem, si do të largohem nga gjini i familjes, nga far’ e fisi dhe ma në fund nga atdheu. Ndiesi të paspjegueshme më ngufmojshin nga zemra dhe më mbushshin me mall, më pezmatojshin dhe ne fund më bajshin të derdh lot dëshpërimi. Jo nji herë, por shumë herë u zhgreha në vaj dhe qava me dënes të madh.
Sot gjith ditën mbeta ramë në shtrat se isha e drobitun fare. Mbas dreke më shpërtheu gjaku nga goja si t’ishte nji shëmali. Kësajë rradhe edhe im atë u shqetues se demede hallë Hatixheja ia ka bamë tragjike sëmundjen t’eme. Erdh e më pa. Më tha se nesër në mëngjes do të më sjelli nji mjek. I thashë se nuk e due mjekun, por besoj se ka me e sjellë. Ndoshta don me më ngjallë, se do të më çojë ke ai tregtari.
Nuk e due mjekun, pse po të jem sëmunë nuk munden me më martue. Me këtë mënyrë fitoj kohe për me u përgatitë për aratisje ose, në rasë të kundërt, e zgjas jetën.
Edhe sonte kam ethe dhe dhimbje krahërori.
27 Shtatuer
Në mëngjes më vizitoi nji mjek që kishte sjellë im atë. Mbasi më shiqoi iku pa me më thanë gja. Mbas nji ore u kthye i shoqnuem edhe prej dy mjekve të tjerë. Dukej se sëmundjes i kish dhanë randësi.
— Shifeni - u tha shokëve frengjisht mjeku që më kishte vizitue ma parë dhe u tërhoq me nji anë. Të dy mjekët më panë me kujdes të veçantë dhe më banë nji varg pyetje.
— Merr frymë! Mos merr frymë! Kollu! Mos u koll! - më thanë nja 20-30 herë.
— Sëmundja asht e randë dhe ka përparue shumë - tha njeni kur mbaroi vizita.
— Më duket se asht në shkallë të dytë. Mushkënit i ka në shkatrrim e sipër - ia priti tjetri.
— Un besoj se asht në shkallë të tretë dhe mjekimi asht i padobishëm - vrejti i treti.
Doktorët flitshin frengjisht. Kuvendojshin në mes të tyne, të shkujdesun se mos i kuptojsha. Nuk ua merrte mendja se un, për bela kam mësue pak frengjisht dhe se mundesha me i marrë vesht bisedimet e tyne. Kur pashë se ata ishin në kundërshtim pikpamjesh për mjekimet që duhej të më bajnë, sa me m’a zgjatë afatin e rrojtjes në këtë jetë, u fola frengjisht dhe u thashë:
— E kuptoj se sëmundja e eme asht e pashërueshme, mbasi jam tyberkuloze në shkallë të tretë, por ju mos u lodhni fort me i zgjedhë barnat që do të m’epni as edhe mos u shqetsoni nga gjendja e eme, se un do të jem ma shum e kënaqun nga vdekja se sa nga rrojtja.
— Oh! - i bani njeni në shenjë dhimbjeje tue i ramë ballit me shpullën e dorës. - Dini frengjisht zojushë? - pyeti mandej si i hutuem e i harlisun.
— Fare pak. Sa t’ju kuptoj zotni doktor – gjegja.
Dy tjerët kishin shtangë, pse nuk e kishin parashikue se mund të zbulohesh sëmundja prej meje. E humbën fare dhe s’dijshin se si me e ndreqë gabimin.
— Fjalët t’ona mbështeten vetëm në dyshime, zojushë, dhe nuk mund të kenë bazë derisa të mos jetë bamë diagnoza e sëmundjes me mjetet e shkencës - shpjegoi njeni tue dashtë t’a meremetojë atë që kishin prishë të tre së bashku.
— S’asht nevoja me u lodhë për me e bamë diagnozën e sëmundjes me mjetet e shkeneës, pse gjaku që kam nxjerrë, dhimbja e krahnorit, kolla e vazhdueshme, ethet e herë-mbas-hershme si dhe të tjerat, janë, sikundër e pohuet dhe zotnia e juej pak ma parë, symptomet e pakundërshtueshëm të tyberkulozit. Mbasandaj duhet të dini se kjo nuk asht e para ditë që jam sëmue. Prej kohësh lëngoj dhe nxjerr gjak - u thashë.
— Jo zojushë - ia priti njeni - s’duhet t’a zmadhoni punën aq shum, sa të kujtoni se lëngoni nga nji sëmundje e pashërueshme.
— Un e dij dhe e kuptoj se jam dënue me vdekë, por nuk e dij se kur. Do t’ju isha mirnjoftës sikur të kishit mirësin me m’a caktue afatin që më ka dhanë mordja për me u zvarnisë në këtë botë hipokrizish, gënjeshtrash, padrejtësish dhe poshtersish - u thashë sikur të dojsha me e shfrynë të tanë pakënaqësin e femnës së martyrëzueme.
— Përse flitni me kaq dëshpërim zojushë? Nuk asht e vërtetë se jeni aq e sëmunë. Nuk duhet t’a humbni kurajën se fundi do të shëroheni e nuk do të vueni gjatë - tha njeni me nji za që tregonte se ishte përshtypë mjaft nga fjalët e mija.
— Po, po. E dij edhe un se nuk do të vuej nji kohë të gjatë. Sidoqoftë nuk do të shkojë shum kjo – thashë si me qesëndi, por edhe e trishtueme.
Të tre mjekët kishin qëndrue në kambët si të mpimë dhe po më shiqojshin me dhimje të thellë. Ndoshta për të parën herë në jetën e tyne dhe gjatë karijerës kishin hasë në nji të sëmunë që po u flitte kësodore. Dukeshin të habitun aq ma shum nga mospërfillja, me të cilën u flitsha për vdekjen.
Natyrisht atyne nuk mund t’u shkonte mendja se un kisha nji zemër që dashunonte nji yll dhe që mbas shkëputjes prej tij nuk dëshirojsha me jetue. Ata sigurisht kujtojshin se gjuha e eme e thekshme ishte rrjedha e natyrshme e atij dëshpërimi që shkakton afrimi i vdekjes dhe jo nji shprehje apo shfrymje e asajë zemre që iu mohue gëzimi i të drejtave të saja. Em atë kishte qëndrue në kambë dhe verente i habitun, mbasi nuk kuptonte se ç’po flitej në mes t’onë. Kur pa se u këput fjala, u drejtue kah un e tha:
— E?!..
— Kurrëgja.
— A s’të thashë se s’ke gja.
— Pooo - gjegja tue i kafshue buzët - por do të bajshe ma mirë sikur të m’i kishe sjellë këta zotnij doktorët qysh nji mot ma parë, kur të kërkova mjek, se do të m’a hiqshin merakun qysh atëhere.
— Ama po të marrim doktor sa herë që t’a zanë ethet njeriun, duhet me ndejtë me qese në dorë moj bijë! - tha im atë dhe i shiqoi mjekët për të marrë edhe aprovimin e tyne. Ata e shiquen me nji farë habije të trazueme me mëshirë e përbuzje.
— Ke të drejtë - përgjigja dhe nuk u zgjata ma shum, se nuk dojsha të baj fjalë me të para mjekëve.
Më përshëndetën mjekët tue më porositë që të mos dëshprohem dhe tue më sigurue se do të shërohem.
— Un prap do të vij me ju pamë zojushë – tha njeni ndër ta.
— Ju falem nderit, z. doktor, por s’ka nevojë. Mos u mundoni kot - gjegja.
— Jo, jo, do të vij - përgjegji dhe iku bashkë me tjerët.
Mbasi shkuen doktorët mora dhe i shkrova Shpendit. I thashë se s’ishte nevoja me u aratisë për shkak se un, simbas konstatimit të mjekëve, jam dënue me vdekë si tyberkuloze dhe, edhe në më martofshin me at tregtarin, do t’a vras vetëhen atë ditë që të më shpijnë ke ai, pse nuk do mundem me e durue makar edhe për pak ditë. I shpjegova edhe se sikur të shduken gjithë pengimet un nuk mund të martohem me të, sepse mund t’i a rrezikoj jetën meqë jam tyberkuloze. E jeta e tij si për mue ashtu për t’amën plakë asht e nevojshme dhe e shtrenjtë. I thashë t’a harronte atë femën që e dashunoi me të tanë forcat e shpirtit të vet, mbasi ajo asht e dënueme me nji vdekje që nuk i jep afat të gjatë në këtë botë. Ma në fund iu luta të më dërgonte nji fotografi që të shmallesha tue e pa më.
Letrën e dërgova me anë të Kolës, i cili ishte futë në shtëpi tue pretendue se prap e kishte humbë topin.
30 Shtatuer
Mora përgjigje prej Shpendit. Oh se ç’më shkruente! Qava kur e këndova letrën e tij. Dëshpërimi i tij për sëmundjen t’eme kishte arrit kulmin. Por m’anë tjetër më siguronte se mund të shërohem fare lehtë po të baj nji kurë të rregullt dhe pa u mërzitë, gja të cilën m’a kshillon në mënyrë të veçantë. Sa për pengimin që formon sëmundja e eme për martesën t’onë, ai s’e merr parasysh fare dhe thotë se, sikur t’ishte e mundun, do të më prite me kënaqësi e me krahë hapet edhe sikur t’ia shpijsha mordjen me puthjen e parë. Prandaj insiston në mendimin e parë dhe kërkon që të bindem me u aratisë. Gjithashtu më lutet të mos e zbatoj vendimin e vetvrasjes edhe në mos u gjetë mundësia e aratisjes. N’asht se jeta e eme asht e domosdoshme për t’eme amë, sikundër më shkruen ti, edhe jeta e jote asht ngushullim, kënaqësi dhe gëzim e burim lumnije për mue, më thotë. Mbasandaj më kërcnohet tue më thanë se edhe ai ka për t’a vramë vetëhen at ças që t’a marri vesh kobin t’em dhe pret përgjigje që t’a siguroj se nuk do t’a vej në veprim at mendim. Ma në fund më siguron se, sido që të ngjajë, nuk do të më zavendësojë me asnji femën në botë dhe zemra e tij, sa të jetë gjallë, ka me rrafë vetëm për mue. Edhe fotografin që i kërkova m’a kishte dërgue të mbështjellun në nji shami të mundafshtë. U kënaqa tue e shique dhe tue e puthë.
Tash gjykoj se sa gabim kam bamë që e lajmova se kam vendosë me e vramë vetëhen ditën e martesës. Ai, natyrisht, nuk e don vdekjen t’eme dhe ma mirë pranon të bahem grueja e atij tregtarit se sa prona e tokës së zezë. Mirë, por si do të mundem me e durue torturën e përditëshme që ka me më shkaktue martesa? Jeta e martesës, me at tregtarin e neveritshëm, ka me qenë e padurueshme dhe munduese. Prandaj ma mirë do t’ishte vdekja që bahet në ças, se sa mbas shumë vuejtjesh. Për mue ma e ambël do t’ishte vdekja se sa martesa. Ç’me bamë pra? Ai thotë se do t’a vrasi vetëhen posa t’a marri vesh vetëvrasjen t’eme. Atëhere si i bahet halli i s’amës, i asaj së gjorës që asht përvëlue me vdekjen e tmershme të burrit e të dy djelmvet të vet, i asajë së ngratës që ka vuejtë si kurrkush? A me vetëvrasjen e të birit do t’ia shpërblej sympathin që shfaqi për mue dhe që, me gëzim të madh, pranoi të më bante ren e vet? Kush do t’a ngushullojë të mjerën po t’i vritet edhe djali i tretë dhe i vetëm? Si do t’i lëbyri ditët e zeza të pleqnis, të kalueme larg vendlindjes së shkretnueme prej gjindarmëve dhe me shumë plagë në zemër? Ç’faj më ka ajo e shkreta që t’ia nduk zemrën mizorisht tue ia futë në tokë edhe dritën e syvet dhe shtyllën e vetme të jetës së vet? Jo. Këtë nuk e duron zemra e eme. Prandaj duhet të hjek dorë nga mendimi i vetëvrasjes; lypset të rroj që të rrojë edhe Shpendi i em i shtrenjtë, ai që m’a ambelsoi jetën tue ma falë zemrën e vet. A nuk asht mëkat që të vdesi ai farë djali në moshën ma të mirë të jetës së vet? Përse t’a tërhek rrëshanas e t’a fus në gropën e zezë, ku nuk ka për t’a pamun e ama? Me vdekjen e tij për mue shuhet ylli i dashunis, por për t’amën perëndon dielli i jetesës dhe i lumnis.
A nuk asht mëkat?
Për këto arësye më duhet të hjek dorë nga mendimi i vetëvrasjes dhe të pranoj me vuejtë shpirtnisht nën regjimin e ri që ka me më sjellë martesa me atë tregtarin. Lene që un mund të vdes ma parë se të vijë dita e martesës. Epo vlen të baj nji sakrific që t’a shpëtoj Shpendin nga vdekja dhe t’amën nga mjerimi. Sa për propozimin e aratisjes që m’a përsërit, do t’a refuzoj, sepse bashkimi i tij me mue i ndjell vdekjen dhe nji vdekje të dhimshme.
Po i shkruej, pra, dhe po e njoftoj se hjek dorë nga mendimi i vetëvrasjes me konditë që edhe ai të m’api besën se nuk do të marrë nji masë të tillë t’egër n’asht se un pësoj nji vdekje natyrale. Gjithashtu po i them se nuk mund t’aratisem.
E shkrova letrën, të cilën e mbylla tue i thanë që mbas sodi të kënaqemi me andrrimet e argëtimet e nji dashunis ideale, e cila për ne qe dhe mbet e pastër, e pafajshme dhe e papërlyeme.
3 Tetuer
Mjeku që më pat premtue se do të vinte me më pamë, erdh sot. Më pyeti se a kam pasë ethe, a kam qitë gjak, a kam flejtë dhe a kam apeti. Kur i thashë se vazhdoj të mos flej e të qis gjak u përshtyp dhe i rrudhi vetullat.
Bani nji recetë për do barna dhe iku tue më dhanë shpresa shërimi. Përnjimend dëshiron të më shërojë mjeku. Përpiqet të më mbajë edhe ma në këtë jetë. E përse? Ç’të gëzoj? Natyrisht kurrgja të mirë e asgja të kandshme. Në qoftë se rroj disa ditë ma shum, kjo nuk do të më kënaqi veçse kur të mendoj për Shpendin. Koha tjetër asht dhe do të jetë e pashijeshme, e zbrazët dhe mërzitëse. Për kët shkak jeta për mue e ka humbë kuptimin dhe vlerën.
5 Tetuer
Për shkak të sëmundjes s’eme dasma u shty për më 20 të këtij mueji. Don me thanë se edhe dy javë mund të rroj me nji farë shprese që xixëllon në qiellin t’em të vranët si nji yll i mekët. Kush e din. Çdo gja mund të ngjajë mbrenda kësajë kohë; shumë ndryshime e çudina mund të bahen mbrenda nji nate e jo ma gjatë këtyne ditëve. Por ah! Fati i em i lig asht nopran, asht shterp. Ai nuk më buzëqesh dhe as që e ka mendjen me ndrrue drejtim. Prandaj, sido që të bahet gjendja e eme nuk mund të përmirësohet. Kot shpresoj si foshnjë. Vetëm aratisja asht mjet shpëtimi për mue, por asht e rrezikshme për Shpendin. Prandaj nuk mundem me e pranue. Po të mos kisha qenë e sëmunë, me kënaqësin ma të madhe, do te hudhesha në krahët e tij dhe do të shkojsha me të tej maleve e fushave, andej lumejve e detnave për të gjetë vendin, ku të preheshim, t’argëtoheshim, të gëzoheshim dhe të shijoheshim me ambëlsit që na ka dhurue natyra. Por qeh se jam e sëmunë dhe si e tillë nuk jam e përshtatshme për kurrgja.
9 Tetuer
Dje, në kohë të zamrës, mora përgjigje prej Shpendit. Më betohet se nuk do t’a neverisi jetën e vet në qoftë se nuk e vras vetëhen dhe më këshillon t’i bindem fatit që na ka premtue destini. Më njofton edhe se e ama, me qëllim që t’ia pakësojë pezmatimin, e kshillon me shkue n’Itali ku do t’i ndjeki mësimet në shkollën ushtarake. Kërkon t’a largojë nga Shqipnia me shpresë se do të mundet me e largue edhe nga brengjet dhe pikëllimet e parreshtuna që e msyejnë dita-ditës. Ai thotë se nuk don me u largue nga Shqipnia pa me më marrë me vetëhe edhe mue. Por në qoftë se ti s’do të bindesh me u aratisë dhe do t’i shtrohesh fatit të martesës, thotë ai, mund të shkoj n’Itali për me kërkue jo prehje e gëzim shpirti, por qetsimin e nervave të ndezuna prej kobit që pësuem. Por edhe në shkofsha duhet t’a dijsh se zemrën kam me e lanë këtu, ke ti o engjëllushka e me, shton ma andej Shpendi në letrën e tij.
E dij se më dashunon përnjimend dhe e kam provue se ka karakter të fortë, por zilin m’a bren zemrën dhe më ban të dyshoj se mos dashunojë ndonji tjetër po të largohet tej detit. Oh, po ç’them kështu? Me gjith që jam me nji kambë në vorr, kërkoj me ia monopolizue zemrën Shpendit të ngratë. Oh sa e marrë që jam! Oh se ç’qenka dashunia! Qeh e dashunoj Shpendin dhe dëshiroj që të jetë i lumtun, por ajo fatbardhësi due që të jetë pjella e eme dhe jo e tjetër kuj. Due që burimi i lumnis së tij të jetë goja e eme dhe magjija e dashunis së tij të jetë zemra e eme. Due që ai të jetë vetëm i emi e i kurrkuj tjetër. Nuk mund të duroj që zemra e tij të dashunojë ndonji sylaroshe tjetër. Shkurt s’due shemër.
“Po ai si duron që të martohesh ti me nji tjetër?”, më tha zani i ndërgjegjës. M’u rrëqetë shtati me tmer, prej kësajë thirrjeje që m’u ba nga gjykata e naltë e vetëhes s’eme. U zbrapa dhe pranova se ai, me të vërtetë, asht ma i naltë se un. Për hir të jetës s’eme pranon të rrënkojë gjithë jetën nga dhimbjet e plagëve të randa që do t’i hapen në zemër prej martesës s’eme me nji tjetër. E un? Un jam koprace, bobozare dhe nuk jam aspak bujare për me e dorovitë zemrën e tij me dashuni e lumni. Ah Shpend! Më fal që jam e padrejtë kundrejt teje. Un tash vetë duhet të të lejoj që të dashunojsh nji tjetër e të bahesh i lumtun. Dhe këtë farë koncesioni lypset të m’a impozojë ndërgjegja, pse orët e paka të gëzimit e të lumnis që shijova në këtë jetë, ty dhe vetëm ty t’i detyroj. Por, por nuk mundem. Po, nuk mundem me të dhanë liri dashunimi, se të due me gjith shpirt, se ti duhet të jesh vetëm i emi. Dhe për këto arësye po vendos t’arratisem me ty dhe të shpëtoj nga tortura e zilis.
Vendosa t’arratisem me të, se s’mundi t’i duroj dhimbjet e ndryshme e të forta të zemrës, se vetëm tue qenë ngjat tij do të jem e qetë, e kënaqun dhe e lumtun. Sa për shëndetin e tij do të kem kujdes të mos e rrezikoj tue i qëndrue larg. Mjafton t’i kaloj pranë tij këto të paka ditë jete që më kanë mbetë dhe të vdes ndër krahët e tij. Me këtë mënyrë do të jem e kënaqun dhe ma se e lumtun.
Po i shkruej.
11 Tetuer
Gjëmon shtëpia prej atyne që hyjnë e dalin, pse po bahen përgatitjet e dasmës. Megjithqë dasma asht caktue për 20 të këtij mueji, disa nga hallat e tezet, nga kushrinat e mbesat qysh tash janë grumbullue këtu për të përgatitë nevojat dhe për të marrë pjesë në gëzimin e dasmës s’eme. Ato qeshin e gëzojnë. Un qaj e rrënkoj. Por më duket se edhe Fahrija e Xhevrija vuejnë, sepse të dyja e dashunojnë veshshpuemin - Shpendin – por nuk kanë pasë fat me ia fitue zemrën. Ç’përfitova un që e fitova zemrën e tij? A nuk po vuej edhe un si ato dhe ndoshta edhe ma keq? Po, por të pakën jam e kënaqun, mbasi ai më dashunon, mbasi zemra e eme asht argëtue prej tij.
13 Tetuer
Mora përgjigje prej Shpendit. Asht gëzue e enthuzjazmue tepër nga pëlqimi që shfaqa me u aratisë me të. Më njofton se e ka regullue punën që më 17 të këtij mueji kah mesnata t’arratisemi me nji barkë të pajtueme nergut për kët qëllim. Do të shkojë n’Itali si t’arratisun dhe kontrabandisht, për shkak se s’asht e mundun me nxjerrë pasaport për mue. Më 17 të këtij mueji, m’ora nandë mbas darke, thotë Shpendi se ka me më pritë në cep të rrugës s’onë me nji automobil që ka me na çue në Durrës.
Tash më duhet me i numërue orët dhe ditët nën ethet e padurimit për të ngrysë dita e 17 e këtij mueji. Oh sikur të mundesha me flejtë katër ditë e katër net për mos me ndi mërzin përvëlues e të pritjes. Ajo natë ka me qenë e bardhë dhe ma e shënueshmja në jetën t’eme, pse qysh atë natë kam me e fitue lirin tue i këput verigat e robnis dhe tue u bashkue për jetë me Shpendin t’em të dashun. Po. Atë natë, kah mesnata, kur të nisi me lundrue anija mbi valët e gjelbërta t’Adriatikut, un do të derdh lot gëzimi mbi krahënorin e Shpendit t’em dhe ai do të m’i lëmojë butë e butë flokët e kokës. Rrezet e hanës asokohe kanë me e prarue bujarisht anijen për t’a festue bashkimin t’onë të përjetshëm. E kur t’agojë mëngjezi i asajë nate të paharrueme, un do të mundohem me e derptue hapsinën e largët për me i dallue brigjet e Italis, ku kam me e ngrehë folën e lumnis s’eme të andrrueme prej kaq kohesh dhe me aq dëshirime. E atje, sigurisht, do të shërohem, pse liria e fitueme dhe dashunia e pazavendësueme e Shpendit do të jenë barnat ma të dobishëm për me më përtrimë në fuqi. Por edhe në vdeksha nuk do të më vijë keq, mbasi do t’a kem shijue sadopak, lumnin e lakmueme.
16 Tetuer
Nuk lejova të më venë këna dhe të më bajnë nuse simbas zakonit të vendit. Pun’e madhe në mos u zbukurofsha tue u mertisë dhe tue u lye e ngjye. Dhantë Zoti të mos më pëlqejë ai tregtari që më ka blemë.
Por ç’them kështu? Un kam vendosë me u aratisë me Shpendin dhe ai tregtari nuk do të ketë fat me m’a pamun as gishtin e dorës e jo ma fytyrën. Me qenë se jam e dobët nga shëndeti edhe këto nuk ngulën kambë për me më nusënue simbas zakonit, pse druejnë se mos zemërohem e sëmuhem. Vetëm këtë shërbim më ka bamë sëmundja.
17 Tetuer
Dita e sotshme që ma e gjatë se çdo tjetër dhe muzgu i mbramjes dukej sikur nuk donte me plakosë mbi këtë anë të dheut. Darka u hangër midis gazit që shpërthente shpesh ndër ato që kanë ardhë ke ne qysh prej kohesh me më nusënue e me më çue ke ai tregtari. Un, me gjith që përpiqesha me e mshefë shqetsimin e mbrendshëm, herë herë turbullohesha dhe humbsha ndër vegime tue e soditë arratisjen dhe jetën e ardhëshme. Natyrisht edhe buka nuk më shkonte. Kafshatat më ngecshin në fyt dhe nuk kapërdiheshin.
Ishte darka e fundme që po hajsha në shtëpin t’eme. Ky mendim i hidhët m’a përvëlonte trunin dhe s’më linte me hangër. Mosngranja e eme atyne nuk ua tërhiqte vërejtjen, sepse prej kaq kohesh janë mësue të më shofin të sëmunë. Mbas darke u tërhoqa në kthinën t’eme kinse për t’u prehë dhe qetësue. E mbylla derën dhe nisa me shkrue në librin e jetës s’eme. Këtë libër do t’a marr me vetëhe, pse asht shok i tinëzive, i ndiesive dhe i shfryemjeve të mija. Po, do t’a marr me vetëhe për t’i vazhdue shënimet, të cilat mbas sodi, pa dyshim, kanë me qenë të kënaqshme.
Deri m’ora nandë, kohë e caktueme prej Shpendit për t’u ndeshë me të në skaj të rrugës, duhet me pritë edhe nji orë e disa minuta. Em atë, njerka, fëmijt, emtet, kushrinat dhe mbesat janë mbledhë në kthinën e bukës poshtë dhe po qeshin e prrallen, të shkujdesun nga çdo e papritme. Tingujt e qeshjeve të tyne arrijnë deri këtu dhe, me forcën ngacmuese, rrasen në zemrën t’eme për t’a çue peshë, në tallaze ndiesish. Qeh më duket sikur i shof të gjithë tufe kuvendue amblas: Em atë thith duhan pa rreshtun dhe herë-herë i aprovon, me nji fjalë të vetme e me nji nënqeshje, mendimet e shfaquna prej hallë Hatixhes, prej njerkës ose prej mamë Sybes. Grat flasin pa u lodhë dhe me aq shpejti, sa ndigjuesit shqyrtues do t’i dukesh se ato nxitohen me u shprehë sa ma parë për të nisë mandej nji punë me randësi të madhe! Të rejat, çupat, rrijnë me nji anë kokë-më-kokë dhe bisedojnë me njena tjetrën me za t’ulët e krejt buzëqeshje. Vetëm kur këput et fjala, e ngrejnë kryet me shique kah të tjerët dhe u venë veshin fjalëve të tyne. Shkurt n’atë kthinë përdheske fryn nji erë kënaqësije dhe zotnon gazi e hareja. Oh sa dëshirojsha që edhe un t’isha aty në mes të tyne me zemër të kënaqun dhe të gëzueme. Oh sa e lumtun do t’isha sikur t’isha fejue me Shpendin e jo me at tregtarin dhe tash, në netët e përgatitjes së dasmës, t’a ndigjosha zanin kumbues e të kjartë t’urimeve që do të më bajshin ato për nji fatbardhësi të paperëndueshme. Në mes të gjithë atyne njerësve që janë grumbullue në kthinën e bukës ndodhet nji njeri që un kam lidhje të ngushta me të dhe m’asht ma i afër se tjerët. Ky asht im atë. Po, em atë, në mes të gjithë atyne, fizikisht asht ma i afërt ke un, por shpirtnisht asht tepër larg, pse ai m’a dënoi me vdekje zemrën dhe tash po më dëbon edhe nga shtëpia.
Eh fat’ i zi! Zemra m’asht çue peshë dhe don të shfrejë tue qamë, pse ajo s’don me u largue nga shtëpia, ku leu, ku u mojt, ku u rrit dhe ku ndiu. Të pakën ky largim duhej bamë edhe me hirin e t’im et dhe t’isha përcjellun prej urimeve e bekimeve të tij. Por mjerisht po ngjan e kundërta. Do të përcillem e do të përmendem me namë e me mallkime, me fyemje e poshtnime. Ç’të baj? Kështu qenka thanë ose kështu u desht bamë.
Grepi i orës, dalë-ngadale, po avit et kah nanda. Tiktaket e zemres s’eme po bahen ma të fortë e ma të shpejtë se ata t’orës. Jam e trazueme dhe e turbullueme fort. Valë mallëngjimi e pezmatimi, të bashkueme, msyejnë nga megjet e zemrës së gandueme për t’u furrë e për t’u shprazë nga syt. I kafshoj buzët që t’a mbaj furrin e këtyne tallazeve që duen me shpërthye nga mbrenda jashtë. Ligshtohem tue i kujtue, me nji farë mallengjimi të pashpjegueshëm, vjetët e jetës s’eme të kalueme në këtë kthinë e në këtë shtëpi, në këtë qytet e në Shqipni. Fëtyra të ndryshme njerzish t’afërm e të dashun, sqena të ndryshme ngjarjesh e ndodhimesh dhe pamje të ndryshme banesash e vendesh po më sinematizohen para syvet të mendjes, me bukurit ose shëmtueshëmënit e tyne të veçanta, tue lanë vragë dhe tue më hapë plagë në zemër. Oh sa ngushtë qenka i lidhun njeriu me njerzit e me sendet që e rrethojnë dhe me viset ku ka jetue. Nji dashuni e paçansueshme, e ruejtun në thellësit e zemrës për të gjitha këto krijesa hyjnore e njerzore, tash vjen të zgjohet nga djepi i ndiesive e të ngrejë krye për të dalë jashtë që t’i kundërshtojë të gjitha ato forca që duen me e largue së këndejmi. Kjo dashuni e fortë, e trajtueme dhe e rritun bashkë me mue, nashti po i përshkon megjet e zemrës s’eme si nji stuhi rrenuese dhe si nji stuhi shkallmuese për të më bindë që të mos largohem prej këndej. Shkurt po më shungullon zemra nga nji kryengritje e fortë ndiesish që po përleshen me njena tjetrën.
Dashunia e Shpendit mbi të gjitha, thirra ma në fund dhe i frenova të gjitha tjerat që më sulmojshin. Po, dashunia e Shpendit mbi të gjitha se im atë, për fat të keq, vetë e shkuli nga zemra e eme atë lule dashunije që kishte mbjellë dorë hyjnore. Tash nga ajo lule e bukur dhe aromatike pak degë dhe disa gjethe kanë ngelë; bërbuqet e saja kanë nisë me u vyshkë përpara se të çelin, pse nuk janë ujitë, nuk janë diellue dhe i ka brejtë krymbi. E tue u këputë me t’em atë verigat e dashunis, vetvetiut, u shkëputën edhe me tjerët. Me gjith këtë dëshirojsha që t’a rrok nji herë për qafe t’em atë dhe t’a shtrëngojsha me të gjitha fuqit e mija, se vetëm atëherë do të ngopesh e do të kënaqesh kjo zemër e plasun. Por mjerisht kjo asht nji lakmi e parealizueshme. Po. Dëshirojsha të ndahem nga kjo shtëpi mbasi t’a përqafojsha t’em atë, mbasi t’i puthsha vëllaznit e motrat, mbasi t’i përshëndetsha hallat e tezet, mbasi t’u shtrëngojsha dorën mbesave e kushrinave dhe mbasi të shmallesha me të gjithë gjindet e shtëpis së Xha Simonit e me Hamitin e dajallarët. Por, për fat të keq t’emin, po largohem si nji kusare, si nji e dëbueme, si nji e neveritun, pa e kënaqë zemrën n’asndonji mënyrë, pa marrë me vetëhe as edhe zemra dashamirësh as edhe tesha e sende që të m’a mbajnë gjallë dashunin dhe kujtimin e këtij vendi nëpër, shtigjet e skutat e mërgimit.
Ora po avitet. Duhet t’iki ma e t’i them lamtumirë kësaj jete për të nisë nji tjetër në dhé të huej. Lamtumirë, pra ti moj kthina e eme që gjatë 17-18 vjetve të vajzënis më përkëdhele; lamtumirë ti moj shtëpia e nanës s’eme zemër plasun e jetë shkurtun; lamtumirë o ju tesha e orendi që më keni shërbye gjatë jetës s’eme; lamtumirë o ju lulet e vyshkuna të kopshtit t’em të dashun që ju shërbeva me kujdesin e nanës për fëmin e vet; lamtumirë o ju dritare, mure, pullaze, hatlla, trenë, tjeglla e gurë të kësaj banese që kujtimin e sajë të dashun kurrgja dhe as furia e fateve ma të liga nuk do të mundet me e shly nga mendja e nga zemra e eme. Po falem para teje o tempull i jetës s’eme; po gjunjëzoj para teje o altar i ndiesive të zemrës s’eme dhe, në shenjë miradije e nderimi, po të truej disa pika lot të përcjellun me hofkëllime të thekshme.
Lamtumirë
19 Tetuer
Pardje mbrama m’ora nandë pa disa minuta, kur të gjithë robt e shtëpis e mikneshat po bisedojshin në kthinën e bukës, zbrita poshtë dhe, pa bamë as ma të voglën zhurmë, dola jashtë me shpirtin pezull nga friga se mos diktohem. Në rrugë, mbasi bana disa hapa përpara, hasa në Shpendin q’ishte strukë rranzë murit dhe po përgjonte nën hijen e strehëve të nji shtëpis përdheske. Menjiherë u avit. Më kapi për dore dhe, tue më dhanë zemër me fjalë enkurajuese, më tërhoqi deri ke kandi i rrugës, ku pritte nji veturë. Mbasi u futën mbrenda, i thirri shoferit:
— Marsh për Durrës!
Gjatë udhëtimit disa herë u trondita dhe u tremba nga droja se mos na ndiqte kush. Shpendi m’argëtonte dhe përpiqesh të më trimnojë. Kur sosëm në Durrës u futëm në hotel Liria për të pushuem, sepse barka do të nisesh në mesnatë kontrabandisht dhe kështu donte me mos ramë në sy të rojeve kufizore. Koha deri në mesnatë kaloi shqetsuese nga pasiguria që ndijsha. Shpeshherë iu desht Shpendit me dalë jashtë, në koridor, që të më siguronte se nuk ishim të diktuem e të përgjuem prej kuj. Çuditem se pse trembesha aq fort kurse isha bashkë me Shpendin dhe për të isha gati t’a baj fli edhe jetën. Aty kah mesnata e lamë hotelin dhe u drejtuem kah buza e detit tue kalue përmes do rrugëve të ngushta e të pa ndriçueme mirë. Nji copë herë ecëm në jugë të molos për t’arrimë kundrejt barkës që dukej si nji laraskë atje poshtë. Kur sosëm në vendin e caktuem fërshëllini Shpendi tri herë rresht dhe nga barka muer përgjigje po n’atë mënyrë. Mbas pak u duk të rrëshasi mbi det nji lundër, e cila po vinte drejt nesh. Diku u ndalue lundra. Njeni nga lundërtarët u hudh në det dhe po vinte kah ne.
— Hajde - tha Shpendi - më hyp në qafë.
— Përse?
— Sepse deri ke lundra lypset me shkue në kambë, mbasi ajo nuk mund t’avitet me që s’ka mjaft ujë ma këndej.
— Mirë, por ti do të lagesh.
— Ani, se terrem në barkë - gjegji dhe u krrus.
Ndërkohe nji i za i egër dhe i fortë arrini ke veshët t’onë:
— Ndal!
— Ç’asht? Kush thrret? - pyeta e trembun.
— S’ka njeri, jo por ngjitu në qafë t’eme – bani Shpendi tue qëndrue i krrusun që t’i hypsha në qafë.
Lundërtari që po vinte drejt nesh, menjëherë, u kthye prap. U rras në lundër dhe u zhduk. Zani urdhënues e kërcnues që na vinte nga mbrapa u përsërit. E ktheva kryet dhe pashë. Në gjysmë errësinën e natës dallova disa hije që lëvizshin atje tej, në bregun e detit.
— Shpend na diktuen dhe po na ndjekin - i thashë.
— Na trathtoi dikush, por ti mos u tremb se do t’a kapërcejmë rrezikun. Ngjitu shpejt - m’a bani.
U krrusa dhe e rroka për qafe.
Kraf! Kraf! Dy krisma pushkësh që u zbrazën mbi ne. Plumbat e çanë ajrin mbi kokat t’ona me nji fërshëllimë të thatë.
— Na vranë Shpend! - brita e tmerueme.
— Mos u frikso! - përgjigji dhe u ul pak që të mos më kapshin plumbat. Mbasandaj u ngrit, me mue në shpinë, dhe u fut nd’ujë.
— Ndal! Ndal! Prap! Kthehuni! - na bërtitshin mbas shpine.
E ktheva kryet mbrapa. Ç’të shof? Nji numër njerzish po vrapojshin drejtë nesh.
— E zeza! Na kapën! - klitha.
U ndalue Shpendi dhe shiqoi mbrapa.
— Oh po afrohen. Na zunë - ia bani e gjëmoi.
— Ndaloni! Ktheni prap! - na thirrën disa.
Disa vetë u futën në det. Na rrethuen dhe qarku i rrethimit gjithnji ngushtohesh. Na qëndruem në vend.
— Cilët jeni ju? - pyeti Shpendi me za të plasun.
— Jemi rojtarë kufizorë. Jemi gjindarmë – qe pergjigja.
— Oh un korba! - thirra me dëshpërim.
— Kthehuni! - urdhënoi njeni ndër ta.
U kthyem. Na futën në mes dhe na çuen në qark komandë të qytetit. Prej andej na nisën për Tiranë. Na futën në nji veturë dhe na përcollën me nji kapter e dy gjindarmë. Shpendit ia lidhën duert me kllapa hekuri dhe gjindarmët kurrë nuk ia shqitshin syt. Çdo lëvizje e tij ishte e ndjekun prej tyne me sy shqyrtyes. Un isha tmerue fare dhe po dridhesha. Lotët më shkojshin si gjerbat e strehëve. Shpendi i ngratë përpiqesh me më qetsue tue më shartue guxim. Kur mbrrimë në Tiranë u ndaluem para Qark Komandës. Na zbritën dhe na futën në nji zyrë. Mbas pak u duk komandanti i rojes. Kompozoi nji proces-verbal dhe, mbasi na e këndoi, na shtyni me e nënshkrue. Mbasandaj i dha urdhën nji tetarit që të më çonte në shtëpi. Shtanga.
— Un nuk due me shku e në shtëpi t’eme – thashë me za të dridhun. - Do të shkoj me Shpendin në shtëpi të tij.
— Ai sonte do të mbetet këtu dhe nesër do të çohet në burg - gjegji komandanti zymtas.
— Si? Në burg the? - brita.
— Natyrisht në burg zojushë - tha ai pa u matë fare.
— Oh kob! Ç’faj bani ai që t’a futni në burg? - thirra.
— Shko ti, Dije, në shtëpi - më tha Shpendi tue u kthye kah un.
— Pa ty me shkue! Kurrë! - iu bana.
— Shko, Dije, shko! Vetëm mbaje besën që më ke dhanë, se për ndryshe do të m’a mjerojsh t’eme amë - tha me nji za të mbytun.
— Oh jo. Do të rrij me ty - përgjigja dhe e rroka për qafe. Lotët e mij u përzien me ata të Shpendit. Komandanti e përsëriti urdhënin për me shkue në shtpi. Nji tetar u avit dhe më urdhënoi të ngrihem. Un e shtrëngova Shpendin për qafe me të tanë fuqin t’eme dhe thirra:
— Jo. Nuk shkoj. Do të rrij me Shpendin t’em.
Më kapën dhe më shqitën me pahir. E humba fuqin e qëndresës e të mendjes. U ligshtova dhe u vilanosa.
Kur rashë për mendsh e pashë vetëhen në shtëpi t’eme, të rrethueme prej të gjithë atyne që pata lanë aty disa orë ma parë.
— Ç’bane moj qyqare? Na e nxine fëtyrën moj të shpërlaftë mordja! - më tha njerka kur pa se u përmenda.
— Shporru mori shtrigë! - bërtita dhe dojsha të çohem e t’a rrok flokësh atë bishë, por s’kisha fuqi.
— Rri, moj bijë, rri! - m’a bani hallë Hatixheja me nji za qetsues dhe e largoi njerkën.
Disa pika lot shpërthyen nga syt e mij dhe u rrokullisën nëpër mollzat e faqeve. Disa hofkëllima, mandej, u shkëputën nga thellësit e zemrës së helmueme dhe u zhgreha mirë në vaj. E ktheva kryet kah muri dhe qava nji copë herë qetë e qetë. Kisha të drejtë të qaj, se jo vetëm që dështoi plani i lumtënimit t’onë, por edhe Shpendi u rras në burg.
Kësisoj na mbuloi e zeza, na kapërtheu mjerimi dhe u ba kijameti. Mu n’at ças që do të shkelshim në pragun e anis shpëtimtare për të shkue në Parrizin e lumnis s’onë, na sulmoi fatkeqsia tue na gjuejtë mizorisht. Tash të gjitha shpresat u shdukën, të tana andorrat u kotsuen.
Si isha diktue dhe si kishte rrjedhë puna? Qeh se si: Natën e arratisjes, kur të gjithë kishin shkue me flejtë, hallë Hatixheja kishte trokitë në derë të kthinës s’eme që të m’epte nji bar për me pimë. Kur nuk mer përgjigje largohet tue kujtue se më ka marrë gjumi. Mbas saj vjen njerka dhe trokullin ma me forcë. Kjo paska lanë aty disa ndrresa të fëmijve dhe dashka me i marrë për me ua mveshë. Fati i em i lig e kishte shty shtrigën që të linte në kthinë t’eme ndrresat e fëmijve, se ajo kurrë nuk shkilte mbrenda. Edhe kjo prapset, por mbasi trokit shumë herë dhe me aq forcë sa zgjon nji farë interesimi ndër tjerët. Fillojnë pyetjet. Hallë Hatixheja bahet merak, pse e dinte se un bijsha fare vonë dhe se gjumin e kam të lehtë. Nga droja se mos jam sëmue randë, se mos jam vilanisë, se mos kam pësue ndonji të ligë, kthehet dhe trokit rishtazi. Zhurma e përsëritun e tërhek verejtjen e të gjithëve. Të gjithë ngrihen dhe grumbullohen para kthinës s’eme. Njerka shkon dhe e ngren t’em atë nga shtrati tue e theksue randësin e punës, kinse me dhimbje. Shqetsimi e dyshimi zotnon. Em atë m’a thërret emnin disa herë. Ma në fund u soset durimi dhe thejnë derën. Hutohen e pikëllohen kur shofin se nuk isha mbrenda. Menjiherë vihen me i kërkue të gjitha kthinat e skutat e shtëpis tue kujtue se mos isha vilanisë ndokundi. Kur nuk më gjejnë nisin me u shfaqë mendime e dyshime. Eme njerkë, ma në fund, e ban zbulimin dhe propozon të më kërkojnë ke Shpendi. Shkon im atë në polici dhe lajmon. Më kërkojnë në shtëpi të Shpendit. Meqense nuk më gjejnë as mue as Shpendin, dyshimet nisin me u trupëzue dhe besohet se jemi arratisë. Menjiherë dhe telegrafisht urdhënohen qarqet për me na ndjekë. Dhe me të vërtetë na ndoqën dhe na zunë, por ata që e kryen detyrën nuk e dijnë se sa mëkat të madh i ka në ngarkue vetëhes në këtë rasë. S’e dijnë ata se kanë mjerue dy vetë dhe kanë mbytë dy zemra. Por edhe sikur t’a dijshin se veprimi i tyne do t’ishte kobar për dy vetë, do t’i shkambëzojshin zemrat që të mos i ndigjojshin thirrjet e ndërgjegjës, pse detyra, eprori dhe ligja urdhënojshin ndryshe. Shpesh qëllon që ligja të jetë në kundërshtim me ndërgjegjen.
Kur më kishin sjellë në shtëpi, im atë kishte dashtë me më vramë, por e kishte pengue hallë Hatixheja bashkë me grat e tjera. Për pak gja kishte qenë tue marrë zjarr koburja. Me të vështirë kishin mundë me ia ndalë furin e zemërimit dhe me e largue prej kthinës s’eme. Oh ma mirë të më kishte vramë, se sa më la gjallë e në këtë gjendje të mjerueshme. Po të më kish shpëtue nga vuejtjet shpirtnore e trupore. Tash të gjithë më shofin me bisht të synit dhe pëshpërisin vesh në vesh. Nuk më ha malli të kuptoj se ç’flasin. E dij se ato më përbuzin si fajtore. Ani, s’kanë faj, pse at shpirt u kanë shartue edukatorët e tyre për t’i mbajtë gjithmonë të robnueme. Shpendi, sigurisht, tash do të jetë në burg. Edhe un jam mbyllë në kthinë e nuk dal jashtë. Tue e mendu e gjendjen e pikëllueme e të vajtueshme të Shpendit, më vjen të plas prej të keqit, por qeh se nuk plaska njeriu!.. Ma mirë të kisha plasë, se sa arrina me e shijue hidhësinën e këtij kobi. Oh sa mirë do të bahesh sikur të më vritte im atë. Porosia që më bani Shpendi, pak para se të ndaheshim, që t’a mbaj besën për me mos e vramë vetëhen, më tingëllon në vesh dhe më ban t’i bindem fatit t’em të lig, se përndryshe vdekja do t’ishte kapak florini për mue. Po i bindem fatit dhe nuk po e vras vetëhen për t’a çue në vend besën që i kam dhanë Shpendit, por ç’t’i baj kësajë jete që më asht bamë kaq e randë, kaq e padurueshme dhe mërzitëse? Ah Shpend! Me t’em atë ende nuk jam pamë. Duket se më ka marrë mëni aq fort, sa s’don me m’i pamë as syt.
Mjeruesi i em njikohesisht asht edhe gjykatësi em. E ka në dorë të më gjykojë si fajtore ose jo.
20 Tetuer
Po të kishte pasë nji zyrë biografike për të mjerët, sikur ka për nëpunsat e shtetit, kush e din se sa përqind kishin me dalë fatzij dhe un sot do të regjistrohesha si nji e mjerë që i asht vramë zemra dhe mbytë shpirti, pse po më martojnë me at tregtarin. Oh sikur të më binte damlla ose pika që të mos bahesha nusja e tij. Kob, mënxyrë!
Qeh erdhën krushqit për me më marrë. Kur vdes kush e përcjellin me karroca deri ke Vorri i Bamit, por edhe kur martohet ndokush e përcjellin me karroca deri në shtëpinë dhandrit. Mos asht martesa sinonim i vdekjes? Për mue dhe për shumë të tjera asht ma e hidhët se vdekja, pse martohemi me njerës të panjoftun e të padashunuem prej nesh.
Qielli asht i vranët. Re të zeza e kanë mbulue. Pika shiu nisën me ramë nga naltë. A thue se edhe qielli merr pjesë në hidhnimin t’em e po qan? Kush e din. Grat e gocat që janë futë në kthinën t’eme më thrresin të çohem e të shkoj ke ai njeriu i huej.
Oh un e shkreta! Më dridhen të gjitha gjymtyrët e shtatit dhe po m’errësohen syt.
— Hajde ma! - thotë nji grue.
— Hajde se po presin burrat në rrugë - thotë nji tjetër.
Oh sa bukur e sa mirë do t’u përgjithesha këtyne thirrjeve, po të mos i kisha dhanë besë Shpendit, se do të rroj derisa të më korri vetë drapni i vdekjes. Oh se ç’mësim do t’i epsha skotës mashkullore që tregton në kurriz të femnës së ngratë. Ah un e mjera që s’jam në gjendje me bamë kurrgja për t’i përgjigjë zemrës së shitueme.
— Hajde Dije ma! - kjo asht Hallë Hatixheja që po më thrret.
— Po - gjegja përvajshëm.
Lotë që burojnë nga gurrat e zemrës e të shpirtit shpërthyen e nisën me u shprazë nga syt. Lamtumirë o ju kujtimet e mija të pastërta të foshnjëris. Lamtumirë ti o jetë e dlirë e vajzënis. Lamtumirë o ju andrrat e lumnis s’eme. Lamtumirë ti o frymë e shenjtë e nanës s’eme që tash sigurisht endesh në këtë kthinë, ku më mojte, më përkunde e më përkëdhele. Lamtumirë ti o Shpendi i em i shtrenjtë. Lamtumirë edhe ti moj zemër që po të vorrosin për së gjalli. Po më ngrenë me pahir.
Më duhet t’a mbyll librin për…
21 Tetuer
Sot nuk jam ma vergjineshë. Nuk jam ajo Dija krenare që mund të mburresh me pastërtin e vet. Sot jam grue dhe nji grue fatzezë me kuptimin e plotë të fjalës. Jam nji femën që rron vetëm për të vuejtë shpirt nisht e trupnisht.
Nji njeri gati 40 vjetsh, shtat-madh, musteqeverdhë, turi-shëmtueshëm dhe i fuqishëm më rroku, dje mbrama, dhe më torturoi mizorisht e kafshërisht. Un u mundova t’a kundërshtoj e t’a shporr atë bishë t’egër që më vërsulesh dhe i thashë se nuk e due. Por nuk bani dobi. Klitha, bërtita dhe ulërina derisa u vilanisa, por ai nuk u përshtyp, nuk u zbrap. Kur i mbylla syt që të mos e shof atë kulshedër, m’u shfaq Shpendi para syve të mendjes. Gdhina tue e qamë vajzënin t’eme dhe e raskapitun fare.
23 Tetuer
Qysh pardje shtëpia asht mbushë me gra e goca që kanë ardhë me pamë nuse. Disa janë mbulue me manto, disa me çarçafë dhe disa me ferexhe e shofin me nji sy! Eme vjehrë i ka mvarë noçkat, pse un, tue pretendue se jam e dobët nga shëndeti, nuk bindem me i nderue zakonet e nusënis dhe nuk dal jashtë kthinës veçse në të rrallë. Ajo don që të puth dorë, të qëndroj në kambë me sy të mbyllun, të mos flas, t’ulem e të ngrihem sa herë që të hyjnë e të dalin njerzit nga kthina, qofshin këto edhe kalamaj. E kush mund të rrijë tue ua puthë dorën gjithë atyne që hyjnë e dalin si t’ishte kthina e eme nji sallë ekspozite dhe un nji plaçkë e ekspozueme? E përse të qëndroj në kambë e pa folë si ndonji mumje Egjypti? Mbasandaj përse me u ulë e me u ngritë automatikisht sa herë që të hyjnë e të dalin bota nëpër dyert e këtij hani? Ama do të hidhnohet vjehra. Aq më ban! A nuk ka plasë më gjith të birin? I dij këta zakone e këto marrëzina, por un nuk mundem me i bamun edhe sikur të shembet bota. Dij edhe se në vendin t’onë bashkëshortët nuk flasin me njeni tjetrin faqe tjerëve; e kanë për turp t’a thrresin njeri tjetrin me emën por e përmendin tue thanë ai ose ajo. Un këtë musteqe-verdhin t’em - iu harroftë emni - as që due me e pa më e jo ma me ia përmendë emnin.
Shkurt të gjitha këto i dij, por nuk i baj dhe nuk do t’i baj kurrë. Vjehra demede e ka marrë vesht edhe arratisjen t’eme. Prandaj më shef me nji farë çudije të trazueme me përbuzje. Sikundër duket don të më shajë e të më qortojë, por nuk i jepet rasa e volitshme. Edhe im shoq e kishte marrë vesh tentativën e arratisjes dhe m’a përmendi dje mbrama, por e mbylli gojën e heshti kur pohova se dojsha t’aratisem me Shpendin që e dashunoj. E çfarë burrnije ka ky njeri që pranon të bashkëjetojë me nji femën që e përbuz? Nuk e marr vesh se si e kupton ky martesën. Oh sa e sa burra të tillë ka vendi i jonë dhe sa e sa turpe mshifen mbrenda katër mureve të shtëpiave. Të gjitha ndryhen mbrenda për me mos dalë jashtë portës dhe për hir të turpit gëlltiten të gjitha posht nimet.
Sa keq! Sa turp!
28 Tetuer
Dje mbas dreke, simbas zakonit, më suellën këtu, ke prindët e mij. Them më suellën, sepse isha e përcjellun prej nji grueje plakë dhe dy burrave, sigurisht, t’armatosun me kobure. Demede druejnë se mos arratisem përsëri. E ku me shkue? Në burg? Po të më lejojshin me ndejtë bashkë me Shpendin, jo në burg, por edhe në ferr do të pranojsha me shkue. Mirë, por ku të lanë!..
Njerka u mundue të diftohet e gëzueshme dhe e qeshun. Fëmijt përnjimend u gëzuen. Em atë nuk më foli fare. Më shiqoi egër e hidhët. Sot në mëngjes u rras në shtëpi t’onë Kola dhe, me nji mënyrë të padiktueshme, më futi në gji nji letër që i kishte dhanë mamë Gjystina. Letra ishte prej Shpendit. U çudita se si ka shpëtue kjo letër nga thojt e censurës dhe mundi të bijë në dorë t’eme. Sigurisht dashunia i ka dhanë krahë e fletë për me i kapërcye muret e burgun mizor dhe ata të shtëpis s’eme. Shpendi, me nji gjuhë rrënkimesh e hofkëllimesh, e përshkruen gjendjen e vet të mjerueme q’asht krijue mbas burgosjes së tij e martesës s’eme. Shpjegon se si valvitet ndërmjet tallazeve të dëshpërimit tue e kujtue lumnin që do të kishim po të kishim mundë me u largue nga ky rreth i helmatisun për ne. Tue bamë fjalë për mërzin e madhe që e ka pushtue, si nji ankth i mnershëm, thotë se nuk mundet me i qetsue nervat dhe me i frenue trillet që i kërcejnë herë mbas here për të krye punë të marrësh. “Pse t’a mshef o shpirti i em”, thotë diku. “Dëshpërimi që ndimë duket se do t’a trathtojë vullnetin t’em për të mos e shkelë vendimin e dhanun që t’a duroj këtë fatkeqësi. Shumë herë më mposht dëshpërimi dhe zgrehem në vaj. Qaj si foshnje për engjullushkën t’eme që m’a grabitën, qaj për zemrën t’eme e t’anden që u dënuen me vdekje dhe qaj per ato orë të paka lumnije që nuk mund të përsëriten ma. Nana e motra kanë ardhë nja dy herë për me më vizitue. Shqetsohet nana kur më shef të zymët e të trishtuem. E shof se e pezmatoj dhe e vras tue mos e mbajtë vetëhen, të pakën para saj, por s’e kam vetëhen në dorë dhe s’mund të baj ndryshe. Ajo ka të drejtë të turbullohet e të mjerohet kur më shef t’anormalizuem, por edhe un nuk kam se si të mos tronditem nga ky kob që pësuem. Së fundi kam të drejtë të dëshpërohem e të qaj, të pakën, për t’a përcjellë me lot e katrrime atë dashuni që u vorros për jetë mbrenda kësaj zemre”.
Ma në fund më kshillon t’i bindem fatit, të bahem e fortë dhe e durueshme, të kem kujdes për shëndetin t’em dhe më siguron se ka me më dashunue derisa të jetë gjallë. Sa për çashtjen e gjyqit thotë se ka me vonue, mbasi ende nuk kanë nisë me u zhvillue hetimet e para.
Letrën e tij e këndova në kthinën t’eme të vajzënis, aty ku i shijova orët e bardha të lumnis dhe ditët e zeza të fatkeqësis. E këndova letrën me lot që shpërthyen nga shpella e zemrës dhe u shprazën nga cirilat e ballit. Shpresa që t’a shof Shpendin mbas martese, natyrisht, ka qenë e vokët, por tash që u burgos asht akullue fare. Pa dyshim do ndijsha nji farë ngushullimi po të mos ishte i burgosun dhe po të rronte mbrenda këtij rrethi, ku un po dergjem. Sigurisht do të më dukesh sikur ai i ndin rrënkimet e zemrës s’eme dhe un i diktoj hofkëllimet e tij. Por tash q’asht mbyllë në burg, tash që vuen mbrenda asajë skëtere të tmershme, s’asht e mundun me u afrue. Për këtë shkak nashti asht vranue e nxi fare qielli i jetës s’eme. Ndoshta kurrë nuk do të shkëlqejnë rrezet e diellit t’em dhe kam për të vdekë n’errësinë. Lumnia qenka si manushaqet që bijnë në mes të ferrave dhe për të bamë nji tubëz lypset me i mbledhë nji nga nji dhe tue u gërricë e përgjakë duersh. Vetëm disa orë e disa çaste mund të jetë i kënaqun njeriu në këtë jetë. Vetëm këto orë e këta çaste, të bashkueme, e përbëjnë lumnin e robit në jetë. Ata që e kujtojnë ndryshe lumnin gabohen. Njeriu që vjen në jetë tue qamë, asht fare e natyrshme që të mbarojë tue dënesë dhe të mos jetë i lumtun.
I dhashë përgjigje Shpendit. I urova shëndet dhe lirim të shpejtë nga burgu. Gjithashtu i thashë edhe se un, po të dojë ai, jam gati t’a neveris këtë jetë dhe t’aratisem përsëri me të. Po të bijë në dorë të ndokuj kjo letër ose ky libër, sigurisht, do të përbuzem e do të mallkohem tue thanë se un sot, si grueja e këtij tregtarit, - më vjen efsh me ia përmendë emnin - nuk kam të drejtë të korrespondoj me nji tjetër dhe të shprehem kkësoore se… rrëzohem nga kunora!.. Atij do t’i përgjigjesha krejt duf e mëllef dhe do t’i thojsha se un, në realitet, nuk kam kunorë, mbasi jam martue pa u pyetë dhe me nji njeri që nuk e dashunojsha dhe nuk e dashunoj edhe sot. Do t’i thojsha se po të zbatohesh ligja dhe sherijati rigorozisht, un nuk do ë quhesha grueja legjitime e këtij njeriu, por mantenuta e tij e vume nën dispozisjon të tij prej t’im et. Me fjalë të tjera un do të quhesha fërshëndi, im shoq bik dhe im atë ganec.
3 Nanduer
Em shoq asht i pasun, por nuk mund të blihet zemra me flori, sikurse s’mund të sigurohet lumnia me pasuni. Nuk sigurohet lumnia tue e ushqye vetëm barkun por tue e kanitë edhe zemrën. Ky njeri që m’a kanë dhanë për burrë asht plotsisht si nji majmun: ka nji kokë gunga gunga, nji hundë që mtrashet tue u zgjatë poshtë, nji fëtyrë kuqëreme dhe qukalashe, do sy të vegjël në ngjyrë të hinit, buzë të trasha dhe nji gojë që i qelbet përherë. Me këtë kafshë, të quejtun njeri, më kanë martue dhe ai kërkon t’a dashunoj në vend të Shpendit.
Oh ironi e fatit t’em të pamëshirshëm!
7 Nanduer
Jam ulë buzë dritares dhe po shof jashtë. Fryn nji muran i egër. Vërshëllima e tij e vrazhdët gjan si jehona e fyellit të vdekjes së botës. Kjo asht era e vjeshtës rrenuese. Pemët, lulet dhe gjithë ata që kanë shpirt i kanë zanë ethet dhe po dridhen prej tmerit të mordjes. Lulet e vyshkuna janë përkulë kah toka, e cila duket sikur e ka hapë krahënorin për me i përpimë e me i futë në gji të vet. Pemët janë zhveshë pjesërisht. Ato të paka zhele që u kanë mbetë, kanë ngjyrë të verdhë: të verdhën dhe të zbetën e asaj që dergjet në shtratin e vdekjes. Sa fort më gjasin mue! Edhe un lëngoj shpirtnisht e trupnisht. Ndoshta ato vuejnë vetëm fizikisht. Fusha duket si ajo e vorrezeve dhe bokat, kodrat e malet si piramida apo vorre martyrësh. Zoqt e verës janë arratisë e s’duken kund ma. Rrezet e diellit janë të mekta e të vokta. Shkurt çdo gja po dergjet.
Vu… vu!.. ban murrani. Ky tingull i pashijshëm gjan si urdhëni hyjnuer që përhapet rreth e rrotull dhe që don të thotë: Shueju! Shueju! Gjethet e pemëve, mbas nji qëndrese kreshnike dhe mbas nji lëkundjeje të bame në shenjë jetike, shkëputen nga prindët e vet dhe bijen për dheu: e përqafojnë nanën e vërtetë. Krahnori i tokës asht bamë si nji vorr i këtyne vogëlusheve që rrëzohen e rrasen njeni mbi tjetrin. Trungjet dhe degët lëkunden tue u përkulë kah toka si me dashë t’i falen krijuesit vdeksues. Zhurma e randë e shkaktueme prej lëvizjes së këtyne frymorëve memecë, duket si gjama e nji vajtimit apo e katrrimit, pse ato po i dorëzojnë mordjes bijt e vet të dashun dhe ndoshta shum të dashun.
Kjo pamje neveritëse, që shfaqte përgatitjen e nji kobit të zi për rruzullimin, më kishte mahnitë e tërhekë në gjinin e ftofët të mërzis. S’dij se sa kohë mbeta e humbun në këtë mënyrë, por sikur të mos përplasesh me zhurmë fleta e nji dritares, ndoshta edhe shumë kohë do të kisha mbetë ashtu e mpime dhe e mahnitun.
Kur u shkunda nga kjo jermi, mendja e eme fluturoi ke Shpendi dhe, tue u mundue me i shbirue muret e trasha të burgut, donte të shofi se ku asht strukë dielli i saj. Mbasi u orvat mjaft qëndroi në nji skutë dhe i dha të puthun atij që i jep dritë, jetë e gjithshka. Në fund u largova nga dritarja për t’i mshimun djersët e ftoftë që m’a kishin mbulue ballin dhe lotët e nxehtë që më rigojshin nga syt. Nji kollë e thatë dhe disa pështyma gjaku, qenë çmimet që i dhashë un asajë pamjeje.
10 Nanduer
Doktorët që më vizituen, e kshilluen t’em shoq që të ndahet prej meje, pse e rrezikon jetën e vet dhe t’emen, por ai nuk bindet. Oh sa mirë do të bahesh sikur të më shporresh ky njeri e të më linte të qetë. Më duket sikur po m’a merr shpirtin me përdhunë me sjelljet e tija trashamane sidomos me dashunin që më shfaq. Oh sa mërzitës e besdisës që asht! Megjithqë ia kam përplasë në fëtyrë tue i thanë se nuk e due dhe se e urrej, prap se prap, vazhdon të më mërzisi tue e këndue kangën e Mukës. Oh ç’lemeri. Këto ditë kam qenë mjaft e dobët dhe e raskapitun. Nuk kam fuqi me u endë. Më pëlqen të rij shtrimë.
16 Nanduer
Gjykata e Tiranës disa ditë ma parë më ftonte që të paraqitesha dje para sajë, si ndërgjyqse, në padin e aratisjes. Un dojsha të vete e të deklaroj se pata ikë me hirin t’em për t’u martue me Shpendin që e dashunoj, por nuk më lanë këta gogolë. Kur pashë se nuk do të mundesha me ia mbrrimë qellimit i shkrova nji letër Z. gjykatsit dhe i thashë se Shpendi nuk ka as ma të voglin faj, mbasi un kam qenë ajo që e kam nxitë e shty n’aratisje. Letra kishte bamë bujë të madhe dhe im atë e im shoq, q’ishin si paditsa kundër Shpendit, ishin bamë për të vramë vetëhen. Dhantë Zoti t’u mbushet mendja që të më fusin nji plumb kokës e të shpëtoj nji herë e përgjithmonë. Sot erdh në shtëpi nji përfaqësues i gjykatës dhe më pyeti mbi rrjedhjen e aratisjes. I vertetova dhe i përsërita ato që pata shkrue në letër.
Çuditem në t’em shoq. Habitem se si nuk më vret. Në mos qoftë i zoti me e përdorë pushkën, të paktën, duhej të më shkunorëzonte. Përse nuk më shkunorëzon e nuk e këput atë fille të hollë, me të cilën na kanë lidhë? Çfarë njeriu qenka ky? Un, po të kisha qenë në vend të tij, kurrë nuk do t’a durojsha bashkëjetesën me nji shoqe që dashunon nji tjetër dhe, menjiherë, do t’i këputsha marrëdhanëjet me të, por ky s’merr vesh se. Çudi!
— Këtu janë shqye disa fletë.
Haki Stërmilli