Krye e V. Mbreti shkon nga Shqipëria

Kur se këto ngjisnin në Korçë edhe në krainat e saj në Durrës xbulonte një pregatitje kryengritëse prej Esat Pashës. Oficerët Hollandezë me xhandarmarinë e shumë vetëdashës kombëtarë rethojnë shtëpinë të Esat Pashës, ku njerzit e tij kundrështohen me armë edhe vetëm pas bombardimit jepet i gjallë. Ministri i Italisë Baron Alioti përzjehet edhe kësisoj e liruan Esat Pashën edhe shkon për në Napoli dyke dhënë fjalën që nuku do të kthehet kurrë në Shqipëri.

Pas dy dit të largimit të Esat Pashës, me 21 Maj, pëlcet kryengritja e pregatiturë në Shjak edhe në Kavajë ku ishin mbledhur fanatiket. Të forcuar i afrohen Durrësit edhe zënë goditje nga të dy anëtë ku u vranë kaqë trima, vëlla me vëlla, njëra anë dyke lëftuar për menjtimin e kalbur që të sjellin Tyrqinë prapë, edhe tjatra anë lëftonte për flamurin kombëtar e për vetëqeverimin të Shqipërisë.

Në këto goditje ranë dëshmorë Kapiteni Kamber Sejdini nga Elbasani, Ceno Shara nga Vlora, Zef Arapi edhe Haki Glina! Më 4 të Qershorit rebelet Osmanllinj kërkojnë nga Kontrollorët që të largohet Mbreti nga Shqipëria se ndryshe do të vazhdojnë luftën. Kryengritja po përhapeshe në gjithë Shqipërin’ e mesme pa ditur as ata të mjerë ç’kërkonin.

Më 15 të Qershorit behet një luftë e rreptë afër Durrësit nga të dy anëtë me qëllim që të zapëtonin kryeqytetin. Bëhet një luftë e reptë edhe dëshpëruarë gjer sa u kthyen rebelet dyke lënë shumë të vrarë e të plagosur. Edhe nga ana e xhandarmarisë edhe vetëdashëvet u vranë edhe u plagosnë mjaft, të cilëvet u jepte ndihmën i pa-përtuari atdhetar Dr. Nikollaq P. Zografi.

Koloneli Hollandez Thomson tek po kqyrte istikamet edhe jepte kumandë në ushtarët ra edhe ay i vrarë.

Kryengritja po përhapeshe e në Myzeqe edhe vazhdonin që t’i vinin Beratit. Fejzi Alizoti më lutet mua edhe të pavdekurit patriot Grigor Cilkës që të vinim edhe neve me një top nënë komandë të një Oficeri Gjerman, më tepër që të këshillonim të Krishterët në qetësi. Midhat Frashëri pranojti edhe hyri në Ministri të dyjtë të Turhan Pashës kështu që mbeti në Durrës.

Në Fjer u mbloth një fuqi e madhe nga Vlora edhe nga Berati dyke patur për Kumandarë Kollonellet Besim Koken edhe Zia be Beratin. Atje mësuam që përtej Viosës ishte me rebelet edhe Bektash Cakrani me 200 shpirt edhe që llundrat i kish zapëtuar Bektashi. Këjo gjë, e pabesuarë, na pikëllojti në zemër prandaj kërkuam lejë që të vinja unë me Cilkën të haseshim me Bektashin përpara se të goditemi, me qënë që nuku na besoheshe kurrë që bashkëluftëtari ynë i vjetër të kish rënë në të këtillë gabim të pandjerë.

Proponimi ynë u pëlqye prej të ndyerit Bexhet Nepravishtës, Prefekt i Beratit e të tjerëve e shkuam me vrap. Me të arrirë në Viose pyesim rojtësit të llundravet për Bektashin e na përgjigjen që Bektashin e kanë mbyllur në kishë të Libofshës. U thomi që të lajmërojnë Bektashin që është Mihal Gramenua me Grigor Cilkën edhe kështu pas pakë vjen Bektashi më 10-15 shokë edhe dergon llundrën të na marë. Puthemi e Bektashi dyke qarë si nonjë foshnjë na tregon pësimet që kish hequr nga ata që ishin armikët të Shqipërisë edhe tani e quanin trathëtor!

Si e ngushëlluam i thamë që detyra e kombëtarëvet të vjetër është të hedhin prapa krahëvet çfarëdo, se atyre u dhembet Shqipëria, kështu që si na tregon ku duhet shtënë me top kthenemi edhe u rëfejmë bisedimin edhe marëveshjet që bëmë. Që me natë shkuam që të gjithë edhe pas dreke zuri topi të bombardonjë. Me vrap ikin rebelet edhe vjen llundra për të na hedhur përtej. Arrimë më të ngrysur në Monastir të Ardenicës, për mbi një breg të nalët shumë, që ku dukeshe Myzeqeja si nonjë panoramë.

Si ngritmë topin e xbrazmë 5-6 here në erë për të lajmëruar popullin që t’i përunjet qeverisë. Vendosim që në mëngjes të përndahen komisionë paqësorë për të mbledhur armët edhe për të i këshilluar në qetësi.

Topi xbriti kundrejt Karbunarës me luftëtarët që ku dukeshin rebelet për mbi brigjet. Në një komision paqësor isha edhe unë, Cilka, Coruni nga Vlora, Lazo Bozo nga Kolonja e Myzeqesë e të tjerë. Vamë në Bubulinë e zumë të mbledhim armët me urtësi, kur këtu ishte thënë të ngjasë i pari episod fatzez, edhe solla nër mënt fjalët të Bektash Cakranit që më tha në Ardenicë që, në qofte të vëpërojme me urtësi do të fitojmë, ndryshe jemi të humburë.

Tek mblithnim armët vjen Zia beu me 50-60 Smokthinas edhe urdhëron të djegin shtëpinë të prifit edhe myftarit me qënë se Bubulina ishte ciflig i Zia beut edhe kish mërira kundra priftit e myftarit që në kohë të Sundimit Sërb. Ishte mjaft ky urdhër që të përhapet zjari në të gjithë këtë dyke plaçkitur e rëmbyer gjën e gjallë. Lufta u ndez kundrejt Karbunarës me rebelet ku vriten e plagosen mjaft, midis cilëvet Seit Qemali edhe si për çudi shpëtojti Nuredin be Vlora dyke ju vrarë kali. Dr. Vasil P. Zografi porente si në fushë të luftes si në Spital të Fjerit për të u dhënë ndihmën e tij të plagosurvet.

Lufta plasi edhe gjetkë pa nojë komandë e pa nonjë regull edhe shumica e luftëtarëvët u përndah në për fshatrat për të pjekur mishra e pula deti edhe ranë pas të plaçkiturit. Një pleqësi ardhi nga Karbunara e Lushnja dyke kërkuar pushimin e luftës edhe zotoheshin ata të sillnin qetësinë edhe së bashku t’i vinin qeverisë ndihmë në Durrës. Mirpo komandantët nuku e pranuan edhe kësisoj rebelet u forcuan ca më shumë me gjithë popullin të Myzeqesë, të cilëvet nuku u mbeti tjatër përveç vdekjes, pa si shtëpitë na diqnin edhe gjënë na rëmbeninı!

Ato të këqia që më panë sytë në Myzeqe varrit ja kam për të treguar! Të mërzitur, nga këto ngjarje, edhe dyke parë që e thyera ishte e sigurtë vendosmë me Cilkën të kthehemi në Fjer edhe q’atje në Vlorë. Shkuam si i thamë Besim Kokës i cili na dha një letrë për Fejzi Alizotin e na u qa që vetëm një pakicë luftëtarë kishin mbetur. Shkuam me gadale edhe si u drekosmë në Kolonjë, në Lazo Bozua muarm të përpjetën e Ardenicës edhe si kapërxyem Viosën arrimë ngrysur në Fjer po mbetmë të habitur kur pamë një shumicë të madhe të armatosur edhe të tjerë po vinin të tmeruar e me nxitim.

Shkaku ishte se ishin thyer, ndyrërisht, edhe i kishin vënë përpara dyke lënë pelat të ngarkuara me plaçkat që të shpëtonin nga vdekja, kështu që mbetnë mjaft të vrarë edhe mjaft u mbytnë për të kapërxyer Viosën. Me të këtillë katastrofe edhe rëmujë përfundoj lufta e Myzeqesë! Kumandarët me Oficerin Gjerman i gjetmë në Konakët të Vrionasvet, ku ndodheshin Fejzi Alizoti me Bexhet Nepravishtën edhe u tregonin hidhërimin që nuku muntnë të shpëtonin topin. Sa për katastrofén deshnin t’ja ngarkonin Bektash Cakranit po unë me Cilkën protestuam për këtë padrejtësi edhe faji, thamë, u ngarkohet vetëm Kumandarëvet.

Bektashi ardhi më vonuar me shokët e tij, edhe me qënë frikë mos plaçkitnin tregun të Fjerit, Fejzi beu me Bexhet benë ja ngarkuan barrën Bektashit si edhe qeverimin. M’u lut Bektashi të qëndronja edhe unë se ishte sigur që në pakë ditë do të sillnin qetësinë e do të muntnin t’i ndihmonin Durrësit, po me qënë tepër i mërzitur shkova për në Vlorë.

Në Vlorë kisha 4-5 dit edhe nuku kisha vendosur për ku të shkonj, Durrës ose Korçë, kur një ditë dalin në skelë ca atdhetarë, prej Amerike, midis cilëvet shoh bashkëluftëtarin të vjetër Vangjel Gjikën me zonjën e tij Thinë edhe me vajzën Tefta 3 vit edhe çunin Gjorgji prej 4-5 muaj. Vangjeli pas prishjes 2-3 herë nga qeveria Tyrke mori fëmijën edhe shkojti me 1913 për në Amerikë. Edhe këtu ju përvesh luftës patrioti se « Vatra » me « Djellin » kishin mbetur në dorë të Lambi Çikozit, Vani Çekanit edhe Thimi Naçit, me qënë që Faik Konica, Fan Noli edhe Kristo Floqi ishin hedhur në Europë, ku bisedoheshe çeshtja Shqipëtare. I ngarkuan menaxherinë Vangjelit edhe me konferenca e përpjekje ringjalli « Vatrën » e « Djellin » edhe ngriti shtypëshkronjën me mashina e vegla të rea, për të cilat e ndihmonin me gëzim Shqipëtarët.

Pas ardhjes të Mbretit ju ngrit mëndja, mer fëmijën e kthenet në Shqipëri. Vendosmë e shkuam për në Korçë po në qafë të Berzeshtit ramë në dorë të Osmanllinjvet të cilët na mbyllë në kishë. Atë mbrëma na lanë të qetë si ardhi një tabor me flamurin të Tyrqisë edhe si thirë tri herë: çok jasha Patishah, në obor të kishës! Më tepër se të gjithë unë dridhesha si purteka se e dinja ç’më priste po të më dinin. Në mëngjes na nxjerin e pyesin edhe unë me Vangjelin i thomi kumandantit Çerçit, nga anët të Elbasanit, që ktheheshim nga Amerika për në shtëpi edhe jemi me miletin i cili përpiqet për Babën. Unë kisha qylaf të bardhë po kumandani urdhron të ma çjerin se kaurët kanë të drejtë të mbajnë kapella. Na thotë që të jemi gati se nesër ose pasnesër na dërgon në Shjak edhe q’atje të shkonim me udhën të Elbasanit.

Aman e derman nuku dëgjonte kumandanti me gjithë që e perënduam në qell me të e qojtur Pasha edhe Bej, kështu që rymë në plloçat e kishës të dështpëruar po më tepër Vani Çani edhe Kristaq Bratkua se ishte i sëmurë. Trimëresha shqipëtarkë Thina e Vangjel Gjikës u jepte kurajo dyke thënë që më në fund ç’do të bëjnë përveç se të na vrasin? Ditët shkonin se rebelet lëftonin që të zapëtonin Beratin e vetëm ca nga kapitanët të krishterë na vizitonin e na shurdhonin veshët nga trimëritë edhe që sot ose nesër bije Berati. Një brëma e kishin djegur gushmaqin nga hidhërimi edhe u thomi me Vangjelin kapitanëvet: Mirë Tyrqit që duan Tyrqinë po juve kaurë qysh e doni? Qeshnë e na thonë kësisoj, si i kishim gjetur mjaft për shëndet të tyre edhe i lëvdonim: që ata lëftojnë pas programit të Dhespotit e Korfuzit, në faqe si për Tyrqinë po qëllimi është që dyke lëftuar Turqit me Turqit do të rynë më nj’ anë Grekët e më tjatër anë Sërbët edhe atëhere do të jemi neve të zotërit e vëndit.

Qëllimi edhe programi ishte i vërtejtë! Osmanllinjtë u çelnin rugën armiqëvet.

Pas ca luftëra të repta e të përditëshme, reth Beratit, u thyen Osmanllinjtë edhe shohim të na vinjë Xhemali, i vëllaj i ruajtësit të fshatit, i cili bëhet i paditur e na thotë: kush u ka mbyllur këtu? Nuku e dinë që kanë vulosur të shtatë Mbretërit’ e Mëdha për Shqipërinë edhe kurr nuku bëhet Tyrqi? Mirpo frikën kush na e nxirte? Vetëm atëhere besuam kur shohim dy xhandërma me flamurin në dorë besuam edhe si i përgëzuam për trimërin’ e tyre me vrap shkuam në Berat, pas 10 dit në plloçat e kishës.

Me të arrirë në Berat më thërret Bexhet beu, Prefekti, në Kala ku lëftonte kundra rebelevet. Biseduam gjër’ e gjatë mbi gjendjen kritike që shkonte Shqipëria. Kalanë e mbanin me topin të Ramazanit edhe me burrërinë të Kapiten Veis Sevranit i cili mbetur vetëm me 20-25 shpirt po qendronte i patundur. Bexhet beu më thotë të ri në Berat edhe 2 ditë se do të më japë ca të holla për në Korçë e do të më dërgonjë me 3-4 kalorës. I ndyeri Bexhet be e dinte për Korçën po nuku desh t’e përhapë edhe unë pa shkuar nër ment gjesendi u rëxova në qyet.

Të nesërmet ishte një pamje e tmeruarë! Mijë burra e gra me foshnjat në krahë vinin nga Korça për në Berat. Ishin muhaxhirët që kishin lënë shtëpitë e kamjet për të shpëtuar jetën e tyre, nga Grekët e Osmanllinjtë. Midis tyre ishin Pandeli Vangjeli, Prefekt’ i Korçs, Abdyl Ypi, Themistokli Gërmënji edhe vetëdashësit midis cilëvet vëllezërit e mij Petrua, Minaj edhe Koçua të cilët kishin marë edhe gruan time Niqka. Mësonj nga këta që pas luftrave të repta që kishin patur me Osmanllijtë ardhur nga Elbasani si edhe me Grekrit u shtrënguan t’e lënë Korçën të cilën e muar Grekrit me 8 Korik. Në këto luftëra u vranë edhe Zalo be Prodani edhe trimi i trimavet Gani S. Butka.

Osmanllinjtë të forcuar me ndihma të rea ju turë përsëri Beratit edhe pas 2 dit luftë ku muar anë edhe vetëdashësit e Korçës, nënë Themistokli Gërmënjin, u shtrënguam t’e lemë Beratin të bjerë në dorë të Osmanllinjvet. Shkuam gjithë natën në për plumbat edhe arrimë në Blash pas dreke. Deshnim të qendronim po Kapiteni Qani Starja na këshilon te shkojmë që të kapërxenim Viosën, se ishim në rezik me patur edhe gra me vete. Arrimë më të ngrysur po lundrarët theshnin për nesër se ishin të lodhur edhe ish natë. Ca më të trembur edhe më tjatër anë më të u dhuruar Pandeli Vangjeli na hodhë pertej që të gjithë gjer më të gdhirë.

U çëlothmë mirë edhe shkuam në Vlorë se gjëkundi nuku kish mbetur qetësi. Anarqia edhe rëmuja zotëronin në fatzeza Shqipëri nga bijt’ e saj! Në Tepelenë të tjera luftëra bëheshin me Grekërit pranë Kodrës ku kishin qendruar Shqipëtarët. Më përpara kishin arrirë Shqipëtarët gjer në Monastir të Cepos 2 orë lark Gjinokastrës edhe pa dyshim me përparimin që kishin marë do t’i rynin Gjinokastrës, po një ushtëri e madhe me topa e mitralioza i thyen Shqipëtarët edhe qendruan në Kodrë.

Në këto luftëra Çerçis Topulli tregojti një trimëri të madhe si edhe në Berat që i nxuar Osmanllinjtë. Mjerisht nuku kis mbetur as për trimëri as strategji se rebeshi e kish marë Shqipërinë! Togje, togje po vinin muhaxhirë burra e gra, të ngarkuar me foshnjat, po vinin në ullinjtë të Vlorës për të shpëtuar jetën!

Gjendja pra arriti në orën e fundit edhe Ambasadorët me Kontrollorët mbajnë një mbledhje edhe vendosin të këshillojnë Mbretin që të shkonjë, pa si Fuqit’ e mëdha nuku munt t’i japin nonjë ndihmë në një gjendje kaqe kritike. Më 2 Gusht i çfaqin Mbretit menjtimet edhe këshillat, të cilat u përgjegj Mbreti që do t’i studionjë e bisedonjë me Ministrit.

Me 14 Gusht pëlcet lufta Europeane kështu që vendosnë më 19 Gusht të përcjellin Princin trashëgimtar Skënderbej edhe Princesën Eleonora, në Gjermani, edhe Mbreti me Mbretëreshën shkuan nga Shqipëria me 3 të Shtatorit, domethënë pas n ë të mbretëruari prej 5 muaj edhe 26 dit plot trubullime. Mbretëresha qante si nonjë foshnjë, gjer hyri në vaporin të luftës Italian « Mizurata », me gjithë ngushëllimet të Turhan Pashës e Sami be Vrionit, Shambellani i Pallatit edhe besnikn gjer në orën e fundit.

Shqipëria mbeti pa Mbret e vetëm në mëshirë të Perëndisë!

Pjesa e radhës
Krye e VI. Shkelja edhe rikrijimi në Shqipëri