në shumë raste historike, kështu edhe ahëre u ndodhë zemër liq të cilët, për të mbushur inatet edhe qëllimet vetiake, kallë grindje midis Ismail Qemalit edhe Esat Pashës edhe muntnë të bindin Esat Pashën që të formonjë tjatër qeveri në Durrës me Shqipërin e mesme nënë sundim!
As shuplaka e madhe që ju dha Shqipërisë, me padrejtësinë që vepërojti Konferenca e paqes, nuku u ndjeh kaqe shumë sa goditja e paanëshme e Durrësit! Vërtejt Konferenca e Londrës 1913 krijojti një Shqipëri të krastiturë. siç është sot, po përçarja e Durrësit tregojti që nuku meritonim as për kaqe.
Armiqësitë zunë midis të dy qeverive, për të treguar zotimin e fuqinë cilado, kështu që arrinë edhe në luftë vëllavrasje! Është një nga faqet më të tmershme edhe më të zeza, prej të historisë kombëtare, me ngjarjet e ahershme, të vepëruara në një kohë kaqe kritike kur se pjesa m’e madhe e Shqipërisë ndodheshe e pa liruarë nga ushtëritë Greko-Serbo-Malëzezë.
Në këtë kohë zunë të vinë edhe Kontrollorët të Fuqive të mëdha, në Vlorë, për të kqyrur edhe organizuar Shqipërinë, pas vendimit të Konferancës, po mjerisht nga t’e zinin punimin, kur se vetë Shqipëtarët u sillnin pengime edhe ngatërime? Nga këto shkake Mali i Zi nuku desh t’e lironte Shkodrën, kështu që Fuqit’e Mëdha e shtrënguan të hiqet edhe t’e marin ato sundimin të Shkodrës dyke lënë për Qeveritar Amiralin Engles, Kolonel Filipsin.
Sërbet u hoqnë nga Poradeci dyke ua dorëzuar Shqipëtarëvet, kështu që u bashkua me Elbasanin, i cili ishte nënë sundim të Vlorës. Poradeci u bë një qendrë për Korçarët e Kolonjarët refugjatë, të cilët prisnin dita me ditën xbrazjen të vëndeve tyre, prej ushtërisë Greke. Mirpo lufta vllazërore po vazhdonte, për të mbushur egoizmat edh’ inatet vetiake, kështu që pas kaqe goditjeve ra Elbasani në dorë të kryengritësvet, të cilët u bashkuan me qeverinë të Durrësit, kështu që edhe Poradeci u bashkua me Durrësin.
Babillonia po mbretëronte më gjithë anëtë, të së ngratës Shqipëri, edhe populli i gjorë nuku dinte nga cila anë të anonte, po desh nuku desh ish i shtrënguarë të gjyrmonte të fuqishmët e ditës, të cilët ç’këmbeheshin njëri pas jatrit. Kontrollorët po përpiqeshin t’i paqësonin qeveritë të Vlorës me të Durrësit, aqe më tepër për të lehtësuar ardhjen të Mbretit, të cilin e kish pëlqyer dhe zgjedhur Europa, po burrat patriotë preferonin prishjen të Shqipërisë, më mirë, se sa të bënin therori egoizmat edhe inatet e tyre vetiake!!!
Duheshe, pra, përsëri plaku i Shqipërisë, Ismail Qemali, që me mëndjen e tij të çkëlqyer të japë shëmbëll urtësie edhe patriotizme. Dipllomati i math u menjtua thellë që përpara atdheut duheshe të bënjë çdo therori, prandaj vendosi që të hiqet nga punërat edhe të largohet nga Shqipëria, për të lehtësuar barrën e rëndë, që kishin marë Kontrollorët, edhe me këtë mënyrë të sillte paqen në Shqipëri.
Nuku ndenji as pak në menjtime po thiri Kontrollorët edhe si u çfaqi qëllimin u dorëzojti fuqinë në dorë të tyre. Të mallëngjyer Kontrollorët përgëzuan burrin të Math për këtë therori, pastaj, si muar fuqinë në dorë, nënëshkruan një Proces-Verbal ku çfaqnin shërbimet e mëda si edhe theroritë q’i kish sjellë Shqipërisë, gjithë kohën e sundimit edhe aqe më tepër me therorinë të fundit. Kësisoj mori lamtumirë Plaku, prej së dashurës Shqipëri, edhe u hoth në Europë, që ku prapë vazhgonte mirëvajtjen të Shqipërisë!
Me të marë fuqinë në dorë Kontrollorët zunë nga vepërimet, dyke mbajtur në punërat Ministrit që ishin gjer të vinte Mbreti. Për të sjellë paqen e duhurë zgjodhë një Komision nënë Kryesi të Esat Pashës, i cili të vinte në Waldemburg të Saksonisë, për të i oferuar Princit Wilqelmit të Wjedit kurorën të Shqipërisë, pas pëlqimit të Fuqivet të Mëdha. Komisioni arriti në Waldemburg edhe u prit me nderime të mëdha. Princi priti me gëzim të math kurorën që i oferonte kombi Shqipëtar edhe tha që paskëtaj jeta e Tij është lidhurë me fatin e Shqipërisë.
Me gjithë këtë grindjet, përçarjet edhe goditjet, midis Shqipëtarëvet, po vazhdonin se fara e mallkuarë kishte zënë rënjë të shëndoshë edhe nuku ç’ kuleshe dot!
Korça do të liroheshe prej ushtërisë Greke po kujt t’ i dorëzoheshe? Xhandarmërisë Vlorës ose të Durrësit? Nga Vlora ishte dërguarë një kompani me 100 xhandarë, nënë Komandë të Major Mustafa Aranitesit edhe Kapiten Gjilardit, për të marë Korçën në dorëzim, po mjerisht gjetnë ndalime nga xhandarët të Elbasanit edhe Poradecit, edhe u shtrënguan që të përçajnë malet me dborë gjer arrinë në kufi të Korçës, më 25 Shkurt 1914. Qeveritari Grek Konduli, Shqipëtar prej të Greqisë, i dorëzoiti Korçën Xhandarmërisë Shqipëtare dyke çkëmbyer urimet e zakonëshme në të këtilla raste, më 2 Mars 1914.
Me 7 Mars 1914 arriti në Durrës Madhëria e Tij Wilhelmi i I, Mbret i Shqipërisë bashkë me Mbretëreshën, në sallutim të topave nga aniet e luftës, të Fuqive të Mëdha edhe të fortesavet të Durrësit. Populli me enthusiazmë edhe bërtime të pasosura I priti me të shkelur tokën e Shqipërisë edhe gjer rynë në Pallat që ishte pregatitur fort bukur.
Kontrollorët me të I uruar mirëardhjen i dorëzuan fuqinë prej dorës tyre, kështu që Mbreti i ngarkojti barrën Turhan Pashës për të formuar Kabinetin. Kaneti u formua kësisoj: Turhan Pasha Kryeministër edhe i p. të jashtme, Esat Pasha i luftës e i brendëshmë, Dr. Turtulli i Arësimit, Prenk Bib Doda i pun. Botore, Myfid beu i drejtësisë, Hasan be Prishtina i postavet, Dr. Adamidhi i financavet, Azis Pasha i bujqësisë.
Shqipëria gjithë festojti me gëzim të math ardhjen të Mbretit dyke shpresuar që paskëtaj vetëm lumtëria do të zotëronte ne e ngrata Shqipëri, pas kaqe vojtjeve. Mjerisht, ishte vetëm një pandihm që vareshe, mbi këtë shpresë, se me ardhur Mbreti të shkuarat do të haroheshin edhe së bashku, të rethuar reth Fronit, do të përpiqeshin për përparimin të atdheut. Mirpo zjari nuku ishte i shuarë por vetem i mbuluarë prandaj nuku priteshe përveç një shenjë që të pëlciste kazani që po zjente. Gazeta « Atdheu », të veteranit Jani Lehova me Milto Gurën, i hiqte vërejtjen qeverisë të marë masa të repta se zunë ku këtu ku atje nga nonjë lëvizje po nuku i jepnin nonjë rëndësi dyke i pandehur vendiake. Qeveria kërkonte që me mënyra qetësore të sillte prehjen, aqe më tepër që Mbreti i gjorë sa që kishte ardhurë. Edhe kur se këto vepëroheshin, në Shqipërin’ e mesme, fare pa pandehur pëlcet kryengritja e Korçës brenda në qytet.
Këjo kryengritje nuku ka refim edhe shëmbëll në histori të përbotëshme! Organizatorët, të kësaj kryengritje, u treguan ca barbarë të dobëtë, të cilët për të mbushur qëllimet e tyre katilë vepëruan kryengritjen e Korçës për të i dhënë një ngjyrë patriotike. Mjerisht u xbulua më von, maska po si suall kaqe mjerime mbi gjindjen të së zezës Korçë!
Mundet që qeveria Greke të mos kish dijë, për këtë kryengritje, po provat që u zunë vërtetuan, plotërisht, që zyrtarë edhe Oficerë Grekë jo vetëm se kishin dijë po ata vetë e kishin organizuar, dyke përdorur për veglë popullin e mjerë, për të fituar famë e të linin emrat e pavdekura, në histori të Greqisë!
Vërtejt kanë ngjarë kryengritje edhe shkretime, po kanë patur një qëllim edhe një organizacie të atillë që kanë habitur botën edhe i kanë mprojtur, lëvduar e nderuar. Shtrëngime tiranike e të paduruara edhe dëshpërimi i fundit i ka shtyrë që të bëjnë kryengritje në për qytete, me qëllim që të fitojnë të drejtat e tyre, po jo kurrë që të bëjnë rëmujë qytetet edhe të vriten vëlla me vëlla si ca armikë!
Kryengritja pra e Korçës nuku ka aspak nonjë lidhje me një qëllim të këtillë. Kur të ishte se populli i Korçës nuku desh flamurin e sundimin të tij, domethënë nuku desh të ronte i lirë po rob nënë flamurin Grek, atëhere munt që të kundërshtoheshe me armë në dorë, pa u ngritur flamuri i Shqipërisë, edhe jo si shkuan ditë e të pëlcasë pa nonjë shkak kryengritja brënda në qytet.
Besojmë që është e nevojshme, për të rinjtë edhe për pritmjen, që t’u rëfejmë me pak fjalë kombësinë të Korçes si edhe rjedhjet historike. Korça është një qytet i kulluar Shqipëtar, pa as nonjë të huaj, edhe përbëhet nga të Krishterë edhe Muhamedanë dyke patur shumicën të Krishterët. Brez pas brezi stërgjyshët kishin shkuar në një dashuri e vllazëri, të pa shëmbëlltë, edhe as m’i vogli episod nuku ka ngjarë nga shkaku i ndryshimit fetar. Bajramet, Pashkat, dasmat, gëzimet si edhe hidhërimet do t’i kapërxenin së bashku vëllazërisht.
Muhamedanët sido që kishin fuqinë në dorë prej qeverisë Tyrke, me qëllim diallëzie, kurrë nuku e kishin përdorur kundra vëllezërve tyre të Krishterë, kështu që dashuria edhe vëllazëria mbretëronin në Korçë. Edhe në çeshtje qeveritare bashkoheshin, kurdoherë, dyke mprojtur nevojat edhe enteresat e vëndit.
Për fat të zi armikët nuku e shëkonin me sy të mirë, këtë dashuri, edhe nuku e pëlqenin përparimin të Korçës, prandaj gjuhanin që t’u çfaqeshe i pari rast për të përfituarë që të mbillnin mollën e grindjes e të përçarjes! Ky rast u ardhi në dorë edhe me vrap zunë nga vepërimet. Tyrqit edhe Grekrit, armikë sekullorë midis tyre, u bashkuan përnjerjesh vetëm e vetëm për të mbushur qëllimin të përbashkëtë që t’i përçanin Muhamedanët nga të Krishterët edhe t’u mbillnin mollën e grindjes e të armiqësisë! Ky ishte programi edhe qëllimi i Tyrqvet edhe Grekëvet jo vetëm kundra Korçës po gjithë kombit Shqipëtar, po Korçën e kishin pengim edhe hale në sy, prandaj ju turë Korçës dyke përdorur ç’do mënyrë edhe propagandë.
Rasti, i kaqe pritur, u çfaq me Konferancën e Berlinit, pas luftës Russo-Tyrke, kur zunë edhe Shqipëtarët të xgjohen nga gjumi i rëndë, ku i kishin shtënë, edhe të kërkojnë edhe ata të drejtat e tyre kombëtare. Këjo ishte vdekje për Tyrqinë e Greqinë, aqe më tepër u drodhë kur Shqipëtarët zunë të shtypnin libra shqip në Stamboll, prandaj u hodhë në luftë për të farosur ç’do ndjenjë kombëtare, që kish zënë të ngjallet në zëmrat e Shqipëtarëvet, po më tepër kundra Korçarëvet që rëmbyen kryesinë, si në mërgim si në Korçë brënda!
Më 1881 viziton Korçën i mallkuari Dervish Pasha, armiku m’i math i kombit Shqipëtar, edhe, ca dit që ndenji, nuku pati tjatër punë e qëllim përveç të këshillonte Muhamedanët që t’i urejnë të Krishterët, se janë armikë, edhe të largohen nga bashkë punimi edhe më tepër nga gjuha shqipe, e cila është kundra fesë Muhamedane! Me këtë rast përndahu nishane edhe mjaft të hola në për Hoxhallarët edhe fanatikët.
Më tjatër anë Greqia, me anën të Fanarit edhe përkrahjen të qeverisë Tyrke, zuri të kallë fanatizmën të Krishterëvet, me anën e fesë edhe shkollavet, të cilën nuku e dinin as që e kishin dëgjuar nonjëherë. Pa si qeveria Tyrke e çkatërojti shoqërinë të Shqipëtarëvet, në Stamboll, edhe ndalojti ç’do botim në gjuhën shqipe, flamurin e rëmbyen Shqipëtarët e Bukureshtit, afër që të gjithë Korçarë me qarkun e Korçës, formuan shoqërinë «Drita» blenë një shtypëshkronjë të tyre edhe zunë të botojnë librat shqip, të cilat i përndahnin darovisht, pas statuës të shoqërisë.
Korçarët e Misirit e që gjetkë me gëzim të math u bashkuan, në këtë lëvizje kaqe të shenjtë, edhe me vrap zunë të fillojnë shoqëria e të përhapin ndjenjat kombëtare. Le të përmëndim që në Misir jetonte i pavdekuri patriot Efthim Mitkua nga Korça, autori i
«Mbletës Shqipe» i cili kish që më 1875 që mereshe me gjuhen Shqipe.
I pavdekuri mirëbërës Korçar, Nastas Lakçeja, përveç dhuretisë q’i bëri shoqërisë «Dritës», në Bukuresht, i dhuronte edhe qytetit tij lindjak një sumë të madhe, prej 10.000 lira Tyrke, me konditë që të klliteshe edhe gjuha shqipe bashkë me gërqishten në shkollat e Korçës. Fanari me të mësuar këtë proponim këshillon Dhespotin me Pleqësinë që me as nonjë mënyrë mos pranojnë këtë dhureti. Edhe një të Djelë i tregojnë popullit, mbledhur në Kishë, dhuretinë të Lakçes dyke i thënë bukuroshët kësisoj: dhuretia duhet të na gëzenjë të gjithëvet po duhet të dijni edhe këtë që, dyke pranuar të hollat, duhet të ndryshojmë edhe fenë, domethënë të bëhemi Tyrq!!!
Pa fjalë që një proponim të këtillë, të cilin ua treguan Dhespoti me sharllatanët Dhimogjerontë, nuku e pranuan edhe q’atëhere hyri një fanatizmë e madhe në të Krishterët. Në për Kishrat gjithë këndimet e Ungjillin, që thuheshin shqip, i ndaluan, në për shkollat mësonjësit, që ishin Shqipëtarë edhe i mësonin nxënësit me gjuhën grëqisht edhe shqip, i nxuar edhe suall Grekë edhe vunë gjobë, në nxënësit e nxënëset, për ç’do fjalë që të kuvëndonin shqip!
Më 1886 pas shumë përpjekjeve u dha lejë, prej Stambolli, për të u çelur e para shkollë shqipe, në Korçë, edhe pas 3-4 vjet u çelë 5 në Kolonjë, 1 në Starovë edhe 1 në Qytezë të Devollit. Shkollat zunë të përparonin me gjithë ndjekjet e mallkimet, me katran edhe pishë, që bëheshin në për kishrat edhe Xhamitë kundra të pabesëve kombëtarë, po qeveria Tyrke nuku i shihte me sy të mirë këto shkolla, prandaj i mbylli edhe zuri një ndjekje të reptë kundra kombëtarëvet edhe ç’do ndjenjë kombëtare.
Q’atëhere ryri grindja e madhe në Korçë dyke u përçarë populli në Kombëtarë, Grekomanë edhe Tyrkomanë, të cilët shëkoheshin si armikë midis tyre.
Korça pra me bijt’ e saj të mërgimit meritojnë faqen e parë të rilindjes Shqipërisë, edhe nuku duhet kurrë mohuar, që po të mos ishin Korçarët vallë do të ishin përhapur ndjenjat kombëtare edhe sot të kishim një Shqipëri të lirë!
Përpara pra se të lironin Korçën, Grekrit, kishin ndarë armë në për grekomanët me të shënuar që t’i kishin me vehte. Për veç kësaj, në ikjen e tyre, kishin lënë mjaft ushtarë, gjoja për të mbledhur municionët që kishin mbetur edhe për të ngritur të sëmurt që ndodheshin në spitalet. Qeveria e Korçës as pak nuku e shkonte nër mënt për nonjë lëvizje kryengritëse, po kërkonte me ç’do mënyrë paqësore, që qysh edhe qysh, të sillte vëllazërinë, midis popullit të Korçës, nënë hijen të flamurit kombëtar.
Mirëpo Greqia, me anën të komitetit organizator, vepëronte si brenda në qytet ku klliste fshehtazi ushtarë edhe andarë, kështu edhe në qarkun e Korçës po mblidheshe fuqi e regullshme prej ushtërie që në shenjën e parë, që do t’u jepeshe, të brendëshmit të vraponin të zinin Teligrafianën, Prefekturën edhe gjithë zyrat e të jashtmit të rethonin Korçën për të mos i ardhur nonjë ndihmë, në qoftë se bënte nonjë kundrështim xhandarmaria edhe Shqipëtarët kombëtarë të cilët kishin, pas zaptimit Grek, gjithë Muhamedanët që iqeshin për Tyrkomanë.
Pllani edhe dita ishin vendosur për ditën 7 Prill, dita e Vangjelizmoit, kur është prokllamuarë kryengritja e Greqisë më 1821, po pa pandehur u xbulua më 5 dit përpara edhe plasi në mest të natës. Kryekomiseri i Policisë, Themistokli Gërmënji, për siguri edhe qetësinë të qytetit do të kqyrte për natë qytetin për të u siguruar në mbusheshe plotërisht detyreja q’u kish besuar policisteve edhe vetëdashësvet. Kësisoj fati shpuri një natë në një udhë tek shkonin nja 10 shpirt të veshur me roba andarçe, të cilët me armët në dorë ecnin me gadale nënë strehë të shtëpivç. Pa u dhënë zë i gjyrmon gjer sa rynë në një shtëpi të xbrazëtë.
Me vrap Themistokliu mbleth shokë edhe rethon shtëpinë për të u dhënë, po ata përnjerjesh hapin zjar edhe kësisoj plasi kryengritja më 2 të Prillit. Ajy tmer nuku tregonet dot kur se nga gjithë shtëpitë zunë të xbrazen armë gjithë natënë. Në mëngjes një shumicë e madhe e armatosurë mblidhet në Mitropoli për të prokllamuar bashkimin me Greqinë. Abdyl Ypi, zëvëndës Prefekti, bashkë me Themistoklinë i këshillojnë me urtësi po më kot se lufta vazhdonte pa kumandë midis kryengritesvet, nga shtëpitë. edhe xhandarmarisë e cila u forcua përveç kombëtarëvet të Korçës edhe me vetëdashësit që vrapuan nga fshatrat. Lufta mbajti tri dit e tre net dyke u vrarë mjaft njerës, midis cilëvet Vasil Trebicka me Riza be Biblishtin kur mbushnin detyrën e tyre si vetëdashës, Kola Kotta Xhemaliu edhe të tjerë, nga të dy anëtë. Kryengritësit qëllonin që të zinin telegrafin e Prefekturën po gjetnë një kundrështim të reptë nga ana e xhandarmarisë e kombetarëvet, dyke u plagosur në dorë edhe një Oficer Hollandez.
Si e panë që ndihmë ushtëriake nuku u vinte që përjashta, pas programit, zunë të jepen mëhallë pas mëhalle edhe lëftonin vetëm ushtarët edhe andarët Grekë që nga brigjet të Sh. Thanasit edhe Sh. Elisë.
Në Sh. Eli u bë një luftë e reptë se ushtëria Greke kish zënë vende të forta, dyke patur edhe Bushon me vehte për qeveritar të Korçës, po u thyen dyke lënë mjaft të vrarë pas tyre. Në këtë luftë tregojti një trimëri të madhe plaku i dëgjuar Kapitan Kajua me shokët e tij. Një ushtëri tjatër e bashkuarë me andarë kërkonte të rynte nga gryka e Mborjes po u thye edhe zuri Dardhën po u ndoqnë edhe që këtej, nga Mborjarët me Dr. Hakinë, Qemal Banushi, Aliu me Ibrahimin edhe Gorarët.
Natën e fundit të Kryengritjes andarët edhe ushtarët Grekë kishin vepëruar ca masakra të patreguara në mëhallë të Vlehve ndanë Korçës. Kishin copëtuar barbarisht Papa Lambron Bullamaçin, priftin të Vlehve, një luftëtar i fortë për çeshtjen Shqiptare.
Bashkë me priftin kishin masakruar edhe të vëllanë Sotir Bullamaçin edhe Vasil Tallabakun. Gratë i munduan që të tregonin të hollat edhe u muar çfarëdo që kishin nga gjërrat e arta e të argjënta që kishin. Këto u gjentnë në ushtarët e regullshme edhe andarët Grekë, të cilët u zunë të gjallë edhe u burgosnë.
Pas qetësisë të Korçës luftërat zunë në Kolonjë edhe përtej Dardhës edhe Arezës 3 orë lark Korçës. Në luftën të Arezës nga ana tonë ishin Demir Aliu Areza, Jashar be Starova edhe Kapitan Kajua Babieni, të cilët me një grusht luftëtarë u qendruan burrërisht një ushtërie të madhe e të regullshme Greke, të bashkuar edhe me një shumicë andarësh. Lufta mbajti një ditë pa pushim edhe me së fundi u thyen Grekët dyke lënë mjaft të vrarë. Nga ana tonë u vranë 2 veta edhe 3 të plagosurë.
Lufta e Kolonjës mbajti 3-4 dit se një ushtëri e madhe Greke e përndarë njëra nënë komandë të Majorit Varda, me 800 shpirt, tjatra nga ana e Vakëfevet bëjnë një goditje të reptë për të i hyrë Korçës po më së fundi u dërmuan Grekët edhe të thyer arrinë gjer në Mes të Urave, të ndjekur prej Shqipëtarëve që përbëheshin prej xhandarmarisë, nënë komandë të Majorit Mustafa Aranitasit, prej Salih Butkës me shokët e tij edhe me filloshqiptarë Amerikan Spencerin, Kole Rodhes e Mina Gramenos etj, prej Qani be Ypit me shokë, Mehmet Dusharit e gjithë Kolonjarëve luftëtarë.
Grekrit lanë mjaft të vrarë edhe me të ikur për siguri doqnë qytetin Leskovik pa si e rëmyen. Edhe nga Shqipëtarët u vranë 10 shpirt midis cilëvet Qani be Ypi edhe u plagos rëndë Mehmet Dushari e 4 shokë. Lufta do të vazhdonte po një telegramë nga Durrësi, prej Esat Pashës lajmëronte që u lith armëpushim se Komisioni i Kontrollit ka vajtur në Korfus për marëveshje me Zografon.
Këjo lajmë edhe ky urdhër ranë si rufeja mbi Shqipëtarët, të cilët përparonin po u shtrënguan të pushojnë luftën edhe të caktojnë një kufi sa kohë të mbanjë armëpushimi. Më tjatër anë populli i Korçës bashkë me qarkun mbajnë një meting të math edhe zgjedhin delegatë Midhat Frashërin e mua për të vajtur në Durrës që të protestonim tek Mbreti, Ambasadorët, edhe tek Komisioni Kontrollor kundra venomeve që kërkonte Greqia të kish në Shqipëri.
Mihal Grameno