Lajmet që muarmë, të thirurit e Komitetit Korçës edhe përhapja e lëvizjes kombëtare, në shumë anë, dyke na pritur neve, që t’i organizonin, na shtërnguan të mejtonemi që duhesh një ndryshim për mbi vepërimin tonë.
Pas shumë bisedimeve, vëndosmë që të ndahemi më dy çeta, hë për hë, edhe pastaj më shumë, pa si për dita po na vinin shokë të rinj. Kështu pra Asim Aderi me 14 shokë do të vepëronte në anët e Gjinokastrës, Delvinës edhe kudo që ishte nevoja, dyke u ndarë me 2-3 çeta pas nevojës, Neve 18 shpirt mbetmë me Çerçizin, gjer në Kolonjë, pastaj do të ndaheshim në 3-4 çeta për të vepëruar.
Me të perënduar djelli u puthmë edhe muarm lamtumirë, njëri nga jatri, dyke shkuar Asimi në drejtim të tij edhe neve për në Kolonjë. Ditën e parë e shkuam në Çajup pastaj u hothmë në Nemerçkë, në stan të Fejzos Gjinokastrës, një atdhetar edhe njeri me mënt e i mirë, dyke na pritur e gostitur mirë. Që këtu dërguam Reiz Lanen, në Përmet, me një letrë tek Aliu
Abdullahu, Tremishti, i cili kishte marë ruajtjen të qytetit. Aliut i shkruanin që të mirte masat e duhura që të hidheshin përtej Viosës, dyke e shkuar urën e Petres.
Aliu na përgjigjet që na pret dyke na siguruar që mori gjithë masat e duhura, si me të vërtet që kishte vënë njerës, me të dy anët, për të rrojtur urën. Ngrysur arrimë në vëndin ku kishim dhënë fjalën edhe, me të dhënë parollen, bashkonemi e shkojmë anës qytetit, gjer arrimë në urë. Me të kapërxyer urën, të Petres, shkuam në çiflig të Aliut, për mbi Tremishtë, edhe me vrap shkuam për në Frashër.
Në Frashër u hasmë me atdhetarët e me Dervishlerët, nga të cilët mësuam që Oficeri kryengritës nuku ishte tjatër përveç se Niaziu beu i Resnjës. Niaziu kishte ikur nga ushtëria, pas marëveshjes që kishte me shokët, dyke marë 8 ushtarë Shqipëtarë, me vete edhe bënte propagandë në Resnjë, Prespë, Ohri edhe ishte hedhur në qarkun e Starovës. Niaziu si kuvendojti me shumë atdhetarë të Starovës edhe Korçës, q’ishin në komitet, na shkrojti që të haseshim për të u marë vesh në një bashkëpunim, po, mjerisht, letra kur vinte për në Labëri neve vinim në Toskëri,
Nga Frashëri u hothmë në Orgockë, në shtëpi të Velishahut, ku na priti i vëllaj i tij Aliu edhe, me të ngrënë pakëzë bukë, shkuam në Selenicë, ne Xhezo beu. Shtëpia e tyre është një nga të parat kombëtare, prandaj Xhezo beu na priti me gëzim të math. Na thotë që të qendrojmë në stan të tyreve për të mbledhur, nesër, krerët e Kolonjës në një mbledhje, se edhe ata e kishin biseduar, midis tyre, për një vepërim, siç duheshe. Pas fjalës që kishin bërë, Kolonjarët, Xhezo beu do të dilte kryengritës me 60 shpirt, po sa të bashkoheshin e kuvendonin me neve.
Ky proponim na pëlqeu edhe qendruam në stan, në malet e Vodicës, që nesër brëma të vendosim edhe të lidhëm një besë, kështu që t’i jepnim Korçës një goditje të mirë, si atë që kishim pregatitur për Gjinokastrën. U-përndamë që të flemë kur, pa u gdhirë mirë, vjen një karaullë e na thotë që një ushtëri po vjen nga Erseka!
Me vrap urdhron, Çerçizi, të xgjohen shokët e të zënë vënde të forta. Xgjohemi të gjithë po kur shohim që një nga shokët, Bash Çaushi, një Tyrk, na mungonte. Ky Bash Çaush kishte ikur prej ushtërisë, në Gjinokastrë, edhe dyke kërkuar, andej këtej, nga Shqipëtarët kombëtarë mundi të bënjë të njojturë edhe t’u lutet që t’e bashkonin me neve. U-kishte ardhur keq edhe na e dërguan në mal me një njëri e me një letrë rekomandimi.
Mbetmë të habitur, për shoqërimin të këtij Bash Çaushi, Tyrku, po me qënë tepër i rekomanduar, edhe pas thënievet të tij që gjoja i kishin ngarkuar një faj të math, kur Oficerët vetë e kishin vepëruar, e pranuam. Pas zakonit Shqipëtar e donim, nderonim edh’e ruanim më tepër se veten t’ënë. Mjerisht dolli i pabesë ose më mirë mbushi detyrën e tij, se ndofta për këtë qellim u bashkua me neve, me dijën të Kumandantit të tij!
Kur kishim rënë të flemë, Bash Çaushi, ngrihet fshehtazi edhe, pa vërejtur karaullat, shkon në Ersekë ku na trathëtojti! Trathëtin’e tij e kupëtuam vetëm atëhere kur e kërkuam më gjithë anëtë, dyke patur frikë se mos e kish zënë gjumi edhe binte në dorë të ushtërisë, po nuku e gjetmë, ishim pra sigur që Bash Çaushi na kish trathëtuar.
Ishte 3 Korik këjo ditë, kështu që më vrap zumë vënde edhe si u regulluam ju përgjigjmë zjarit të armikut. Me gjithë që ishte një ushtëri, prej 70-80 shpirt, kishin marë ndihmës edhe civillë, po, dyke parë që nuku na thyenin e farosnin dot, dërguan e në Korçë për ushtëri. Pas pakë kohë shohim talige, (qere) araba edhe kuaj plot me ushtarë, nga Korça, edhe me vrap i kallë në luftë.
Lufta nisi me orënë 6 të mëngjezit edhe mbajti gjer më orënë 6 të ngrysurit, kur neve zumë dale nga dale që të hiqemi, për të siguruar ikjen. Në këtë luftë nuku u vra as u plagos nonj shokë, nga ushtarët nuku mësuam sigurisht po, siç na thanë, ishin vrarë 3 edhe plagosur 5. Herohet në këtë luftë u treguan Remziu edhe Reizi dyke lëftuar si burrat e qëmoçmë!
Si u hoqmë në një mal të fortë, që ku vërenim pritat që na bënin, reth Qafëzezit e gjetkë, ndejmë gjer sa u ngrys mirë edhe pastaj, dyke u hedhur në Blush e dyke kapërxyer lumin, arrimë nga të gdhirët në Butkë, në shtëpi të Salihut, një nga kombëtarët luftëtarë për qellimin të shenjtë.
Salihu u gëzua, pa masë, kur na pa që shpëtuam faqebardhë nga lufta edhe me vrap porositi të na nxjerin të ngrënë, të cilën e hëngrëmë me këmbë se ishim të urtuar, edhe shkuam për në Kozel, ne Refati, ku zuri të hapeshe dita mirë. Salihu na porositi që të mos vonojmë po të hidhemi në Teqe të Melçanit për të na bashkuar Baba Hyseni me Niazi benë.
Në Kozel nuku ndejmë përveç sa u çëlothmë, pakëzë, edhe u ngjitmë në malet, ku ishin stanet të Pitulit edhe Salihut, në qafë të Kazanit. Këtu mballosmë opingat, se ishim xbathur, edhe si hëngrëmë mirë shkuam, më të ngrysur, për mest Boboshticës edhe arrimë në mëngjes në Melçan,
Atje u çëlothmë atë ditë, se ishim të dërmuar, edhe na ardhë prej Korçe Tasi Gramenua, Hasan beu, Kristaq Aristidhi, Skëndo be Pojani e të tjerë, të cilët na thanë se presëm Cilkën e nja dy të tjerë që të shoqëronen me neve. Në Korçë, për neve, kishin burgosur Gaqi Thanas Vison, Lazo Progrin, Vangjel Gjikën e të tjerë po vazhdonin. Të mjerit Vangjel Gjikës i kishte shitur qeveria gjithë plaçkat të magazisë në tellall.
Do të rinim për të pritur Cilkën edhe të bashkoheshim me Jaup be Dishnicën, i cili vepëronte në Devoll, po Baba Hyseni na thotë të shkojmë, pa humbur kohë, në Gocë, ku ndodheshe Demo Emini me 4 shokë, edhe q’atje të vinim në Starovë për të u hasur me Niazi benë.
Me Baba Hysenin biseduam, gjër e gjatë, mbi çeshtjet kombëtare edhe vecanërisht mbi hasjen tonë me Niazi benë edhe qellimin të tij, me qënë që neve nukn kishim dijë të sigurtë, për këtë. Baba Hyseni na thotë që edhe Naziu gjithë programin tonë ka, prandaj e kemi përkrahur që të bënjë propagande edhe shokë. Sa për nonjë frikë nga Naziu të mos kini se me ka dhënë besa besën si Shqiptar që është, andaj udhe të mbarë edhe Zoti me juve.
I puthmë dorën Baba Hysenit edhe shkuam të bashkuar me Islam benë, të Goçës, për në Goçë. Goça është në një vent fort të bukur, me ujra shumë, me dhe pjellor edhe me pyje të dushkta. Na pritnë edhe na gostitnë fort mirë, edhe këtu gjetmë Demo Emin Nivicën më 4 shokë, të cilët deshnin të na shoqronin. Çerçizi nuku deshte, se njiheshin që përpara, po une ju luta shumë, me qënë në vënt të huaj, kështu që i pranuam.
Me të prënduar djelli muarm lamtumirë, nga miqtë, edhe shkuam për në Poradec. Nuku kisha shkuarë kurrë në këto vise, po kisha dëgjuarë që janë fort të bukura, edhe me të drejtë munt të thom që janë jo të bukura po janë panorame. Pyje të veshurë me dushk, pemë, ujëra, gështenja edhe fusha pjellore. Pas një udhëtimi arrimë edhe qendruam në pyll të Pirgut, ku duheshe të vinte Niazi beu që të haseshim edhe kuvendonim.
Me të vërtejt, pas dy orë, shohim të vinë 5 kalorës, të cilët ishin 2 Oficerë, një Policie, Arsllan beu kryekatundari i Poradecit, Jashar be Starova, edhe dy suvarinj prapa. Si përshëndoshemi na thonë që Niazi benë t’e ndjejmë, se nga punërat e shuma nuku ardhi dot, po na pret në Poradec. Ramë në bisedim edhe një nga Oficerët, i qojtur Remzi be, hapi programin për të na e shtruar neve. Thotë që programi qendron në Konstitucion (Konshtutë) të lirë, një jesinë për gjithë kombet, të mbretërisë, dituria në gjuhë amtare, të çdo kombi, drejtësia edhe shumë gjërra, për të përmirësuar rrojtjen e popujvet. Pas programit edhe rregullit që kanë, thotë, duhet të betohemi edhe neve për mbi këtë program.
Me qënë unë më plak më lanë që të përgjigjem, se në bisedim, nga ana tonë, ishin Çerçizi, unë edhe Abdyli, kështu që u thom që sa për të betuar jemi betuar me marrë hutat edhe malet, prandaj nuku munt të betohemi së rish, kur se Z. uaj tani u çfaqtë.
Sa për programin jemi në një bashkim të plotë, me ndryshimin vetëm të kësaj pike, e cila qendron që Shqipëria të sundohet vetë vetiu me një Guvernator, të dërguar prej Sulltanit.
Remzi beu thotë që Xhemieti mban shumë në kombi Shqipëtar edhe pa dyshim do të mbushnjë gjithë dëshirat edhe kërkimet të Shqipëtarëvet, prandaj na fton në Poradec ku na priste Niazi beu.
Niazi beu, siç na thanë Jashar beu edhe Arsllan beu, ishte dëshpëruar edhe mërzitur, më në funt, nga Xhon Tyrqit, me qënë që nuku e kushin gjyrmuar, prandaj vendosi të punonte si Shqipëtar për Shqipërinë. Me këtë program po fitonte simpathinë, të Shqipëtarëvet, të cilët e besonin edh’ e gjyrmonin. Mbi këte program, pra, na shkojti edhe neve që të vinim të hasemi, për nji bashkëpunim në një fushë me të gjërrë.
Mjerisht, fati ose më mirë shtrëngimi, i ndryshojti punërat përnjerjesh. Dyke parë Xhon Tyrqit që lëvizja Shqipëtare po përhapeshe për një kryengritje të përgjithëshme, vepërimi i Niazi beut me Shqipëtarët edhe luftërat e fundit, të Libohovës edhe Vodicës, kur me kaqe ushtëri, që ish dërguar kundra nesh, nuku munt të na faroste, i shtërnguam të sjellin lirinë, të papandehur, edhe kesisoj gjithë Tyrqit fanatikë, të Sulltan Hamitit, u kthyen edhe në një ditë u bënë Xhonër edhe shpëtimtarë!!!
Mihal Grameno