Krye e XI. Prokllamimi i lirisë

Pas bisedimit edhe marëveshjes që bëmë me Oficerët, në pyll të Pirgut, vumë ca mishra të pjekura dyke ngrënë e dëfryer, bashkërisht, për kujtim të bashkimit edhe të vëllazërisë. Pa fjalë që u ngritnë edhe kupa me verë, të sjellë nga Poradeci, për lirinë edhe për shëndet të popujve. Si hëngrëmë mirë shkuam edhe neve në Poradec, dyke kënduar edhe xbrazur armë.

Atë ditë bëheshe treg, në Poradec, prandaj fshatarët habiteshin edhe bashkoheshin me neve dyke bërtitur: rroftë liria! Me të ryrë në Poradec na lajmërojnë që Niazi beu, i thirur me teligraf, shkojti në Ohri ku na priste edhe neve që të vinim. Këto të vërtitura nuku na pëlqenin as pak, kështu që mblidhemi në një bisedim ku muar anë edhe nga krerët kombëtarë të Starovës edhe qarkeve.

Bisedimi ynë ishte mbi të vajturit tonë në Ohri, ku nuku kishim bërë nonjë njojtje ose lidhje me Shqipëtarët. Krerët të Starovës e muar përsipër që as një frikë ose dyshim të mos kemi, me qënë që Niaziu ka besë Shqipëtari, edhe për siguri të plotë do të vimë edhe nga neve bashkë. Dyke mbetur në këtë vëndim hëngrëmë bukë edhe rymë në për kaiket, pa çëlodhur mirë, edhe shkuam në Ohri.

Bukurinë natyrishtë, të këtyreve vënde, me liqenin (gjolin) të bukur që ka, nuku munt kurrë t’e përshkruanj edhe zugrafis dot, me qënë jashtë fuqisë t’ime, se bukuria e këtyreve vënde kapërxen çdo panoramë të botës!

Dyke rahur lopatat kaikçinjtë, në buçim të këngëve, arrimë pa gdhirë në Ohri edhe na përndanë në 3-4 konakë. Në mëngjes na lajmëron Kollazi Remzi beu, i cili na kishte bashkuar, që Niazi beu ka vatur në Resnjë po nesër ka për të ardhur. Përveç kësaj na thotë që të pregatitemi për të vajtur në Yqmet, se kishte arrirë natën fermani, nga Stambolli, prej Sulltanit që jepte Konshtutën më një liri të plotë, kështu që do të këndohet, përpara popullit, në Yqmet.

Këto gjërra na dukeshin si ca përalla, prej të Kalimasë, edhe na kallë në një dyshim të math, prandaj u mblothmë që të këshillohemi edhe mejtonemi mirë që ç’ masa munt të mernim, në qoftë që na bëheshe nonjë grackë, për të mbetur historike. Vendosmë pra, që, me të vajtur në Yqmet, të ndahemi nga 2-3 në një vënt edhe në të parën lëvizje të lëftonim, si Shqipëtarë, me gjashtorët, bombat edhe me kamat, me qënë që mauzërkat i kishim lënë në për konakët, gjer të mos mbeteshe as një, prej neve, edhe të mos vinim për dhjamë qeni!

Ishte 10 Korik edhe më orënë 10 u mblothmë edhe shkuam në Yqmet. Këtu ishin mbledhur gjithë zyrtarët, Kryefetarët edhe gjithë populli i Ohrisë dyke pritur me padurim të shëkonjë e degjonjë ç’nuku kishte shëkuar edhe dëgjuar nonjëherë. Si bëri lutjen Myftiu, u ngri Kajmekami (Nënë prefekti) edhe lëçiti fermanin të Sulltanit, me të cilin i dhuronte popullit një Konshtutë të lirë, me njëjesinë, drejtësinë edhe liri të plotë gjithë kombevet të Imperatorisë.

Nuku di edhe as që munda t’e kapëtonj shkakun të asaj ftohtësire, me të cilën u prit fermani i Konshtutës, jo vetëm nga ana tonë po përgjithërisht nga gjithë gjindja, e përbërë nga shumë kombe e fe. Në vënt të enthusiazmit edhe gëzimit, për çpalljen të lirisë, heshtja zotërojti, përveç ca të pakave bërtime me rroftë Padishahu! rroftë liria! Pas ceremonisë hymë brenda për të dhënë urimet tona zyrtarëvet, të cilët na gostitnë me cigare edhe llokume.

Duallmë edhe kur shohim të na presin, për të u njojtur, ca atdhetarë të zjartë, prej Ohrie, të cilët na shëtitnë në për qytet, dyke mbetur tepër të kënaqur. Nga këto mësuam, gjër e gjatë, qysh nuku ishin bashkuar me Xhon Tyrqit, të cilët nga frika e Shqipetarëve përdorë gjithë mënyrat edhe suall lirinë. Me qënë që afroheshe dreka u-përndamë, dyke na shpënë një kombëtar i ri, Mustafaj, në vëndin ku na kishin pregatitur drekën.

Në këtë drekë zyrtare ishin gjithë Oficerët me Remzi benë, në krye, nga ana e Katundarisë edhe ca të pakë zyrtarë të tjerë. Pa fjalë që në këtë festim duheshe dëftyer dyke ngritur gotat për shëntet të përpjekësvet të kësaj lirie. Këndu:m për mëmëdhen, për mëmëdhenë e të tjera këngë trimnore, kur Çerçizi ngrihet edhe na mbleth të gjithë në valle dyke kënduar këtë këngë:

Shqipëri moj Shqipëri; Shqipëri pes Vilajete Pse s’u përpoqe për vete po për shumë ti milete! etj.

U mallëngjyesh kaqe tepër nga këjo këngë, e cila më pikëllojti në zemër, sa nuku durova dot, po u hoqa më nj’anë edhe pa dashur zura të qanj si nonjë foshnjë!

Në këtë orë muarmë nga Niazi beu një telegramë me urime edhe na ftonte në Resnjë. Arabatë, taliget e kuajt për të shkuar ishin gati, me qënë që edhe neve u bëmë 50 shpirt me shokët e Starovës e të tjerë që na u bashkuam, kështu që ngrysur arrimë në Resnjë, kur gjindja po festonte në buçim të daulleve edhe të zurnave. Na kishin dalë për të pritur me drita edhe pastaj na përndanë në për konakët, dyke mbetur unë, Çerçizi, Abdyli edhe Zemani në një konak, ku ardhi edhe Niazi beu që hëngrëmë bukë së bashku.

Nga fisionomia e nga fjalët, Niazi beu, m’u duk një burrë i mirë edhe patriot me të vërtejt, po, mjerisht, e kishin fituar Xhon Tyrqit. Madhështi tek ky patriot nuku pashë, përveç se kupëtova që një breng i përvëlonte zemrën!

Në bisedimet, që patmë, nuku pashë të tregonte nonjë enthuziazmë të madhe, për lirinë, po dëfteu gëzimin e math që me këtë rast do të përfitonjë kombi Shqipëtar, se paskëtaj do të hidhet në punim, për t’u ndrituar në gjuhën amtare, që kështu të jetë i dobishmë për veten e tij edhe për mbretërinë, e cila kombin Shqipëtar e ka patur krahërore të çelnikutë.

Te nesërmet, si mblodhi Niazi beu shokët, shkuam në Monastir, ku festoheshe dita e lirisë. Kishin dalë për të na pritur neve gjithë ushtëria me Banda, Kryefetarët, zyrtarët edhe gjith populli, i Monastirit, me flamurë në dorë edhe bërtimet e tyre nuku mernin pushim: Rroftë liria! rroftë populli! rroftë ushtëria! Arrinin zërat gjer në qell, dyke lavdëruar shpëtimtarët.

Niazi beu me Çerçizin hipur mbi kuaj shkonin përpara në mest të bërtimevet. Po prapë me gjith ndërimet, fytyren të Niazi beut nuku e pashë të çelurë. Nofta nonjë ditë ka për të zbrazur barkun, vetë vetiu, edhe të tregonjë shkakun!

Kur se gjithë bota kishin dalë me flamurët, të shkrojtura në gjuhën e tyre, edhe festonin e dëfrenin, vetëm Shqipëtarët, e Manastirit, po vërtiteshin q’andej këtej. Frika e Sulltan Hamitit, q’u kishte mpirë gjakun të mjerëve, edhe pas prokllamimit të lirisë nuku u kishte dalë, se pandehnin, që hijeja, e këtij tirani, munt të dilte edhe t’i ndiqte, prandaj nuku guxonin as një flamur, të shkruarë shqip, që të nxirnin!

Gjaku m’u prish edhe ngrihem dyke u çfaqur hidhërimin tonë kur sot në këtë festim, të cilën ja detyrojnë kombit Shqipëtar, Shqipëtarët e Manastirit të mos kenë një flamur kur kanë nxjerë edhe Evgjitrit!

Q’atë orë bëra një thirje dyke treguar ditën e festimit, për të cilëu Shqipëtarët janë bërë therorë për lirinë të sotme edhe theroritë, të kombit Shqipëtar, që ka bërë për Mbretërinë Ottomane. Thirja, të cilën e botojti edhe gazeta « Liria » e Selanikut, u përndah nër Shqipëtarët, pastaj bëmë flamurët edhe duallmë në mejdan të lirisë, ku u fotografismë.

Në Manastir ndejmë një javë, ku atdhetarët na mbajtnë mirë edhe u çëlothmë siç duhet. Atdhetarët e Manastirit na bënë e nga një palë roba të mira edhe kësisoj shkuam për në Korçë. Gjindja e Korçës kishte dalë përpara për të na pritur me këngë edhe me flamurë në dorë dyke bërtitur rroftë liria. Ndanë qytetit kishin dalë gjithë zyrtarët edhe Oficerët duke na uruar mirëardhje. Prej Korçe vajtmë në Ersekë, ku nuku ndejmë përveç sa muarmë drekën, në mest të këngëvet edhe të enthusiazmit, që mbretërojti midis vëllazërisë, pastaj shkuam në Leskoviq.

Pritja, e Leskovikut, do të më mbetet një kujtim i paharuar. Këtu muntnë shpirtet tona të ndjenjë gëzim kombëtarë, edhe të gjejnë një çpërblim për mundimet edhe gjithë vojtjet që kishin equr. Gjithë populli me fëmijën kishin dalë jashtë qytetit edhe ishin sërënditur më të dy anëtë të udhës. Për këtë festim ishin veshur që të gjithë me robat e Shqipërisë, me fustanellat e bardha edhe me flamurët në dorë, të shkrojtura të gjitha shqip Me të u afruar pushkut buçasën nga të dy anëtë, edhe sazet na presen dyke kenduar: per memedhene, per memdhene! gjer hymë në qytet, ku na kishin pregatitur një tryezë siç duhet.

Që nga Leskoviku dëshëronim fort tepër që të vinim në Frashër për të i falënderuar edhe puthur dorën Baba Abidinit, si kundër e Dervishlerëvet edhe gjithë atdhetarëvet t’u falnderonim, për përkrahjen që na kishin dhënë në koh kritike. Mjerisht një telegramë na kërkonte me nxihtim edhe shkuam për në Gjinokastrë.

Kur ndodheshim në Manastir muarm një telegramë, nga Bari Italisë, prej Bajo Topullit, i cili kërkonte çkoqitje mbi gjendjen tonë. Ju përgjigjmë që liria u dha edhe të vinjë se e ndejura përtej ishte e kottë.

Bajua kish 10 dit që ndodheshe në Bari për të u hedhur në Shqipëri. Bashkë me Bajon ishin Luji Gurakuqi, nga Shkodra, Thoma Avrami edhe Stefan Kondillari, nga Korça,] Aleks Paskali, nga Përmeti, Kiço Himarioti, nga Brekdeti, edhe Kole Reka me ca Dibranë, që na mungojnë emrat, nga Dibra.

Gjithë pregatitjet, për të u hedhur në Shqipëri, ishin hazëruar, një ditë përpara, se të nisen, kishin mbetur të habitur dyke lëçitur gazetat që Sualltan Hamiti prokllamojti Konshtutën në Tyrqi. Pa fjalë gazetat shkruanin, gjër e gjatë, dyke thënë që lëvizja Shipëtare e shtrëngojti Tyrqinë në këtë ndryshim të papritur. Gjithë nga gazetat kishin mësuar për hyrjen tonë në Manastir, me Niazi benë, edhe na teligrafosnë.

U hidhëruan e pikëlluan tepër, po nukn kishin se ç’të bënin kështu që vendosnë të përnaheu. Thoma Avrami u hoth në Misir, Aleks Paskali në Amerikë, Kole Reka me shokët edhe Kiço Himariotin në Bullgari, Bajua me Stefan Kondillarë në Gjinokastrë edhe Luji Gurakuqi në Shkodrë.

Gjinokastra na priti fort bukur dyke dalë 200-300 shpirt me kuaj përpara edhe gjithë populli me këngë edhe me flamurë në dorë. Këtu ndejmë 10 dit në shtëpi të Topullenjvet, ku për dit do të vinin nga një qint shpirt që na vizitonin, nga qyteti e nga qarku.

Që të nesërmet në mëngjes, si arrimë Gjinokastrë, vajtmë për mbi varr të dëshmorit Haredinit. Përveç neve ardhi edhe nga populli një shumicë e madhe, për të dhënë nderimet e meritushme këtij dëshmori që ra mbi alltarin të atdheut për lirinë. U mbajtnë fjalë patriotike nga Bajua edhe prej meje dyke i dekllamuar një vjershë q’u kam dedikuar dëshmorëvet.

Çerçizi dyke folur pak fjalë urdhrojti shokët që t’i japën edhe nderimet trimnore, kështu që porositë zjar, edhe pushkat i xbasmë për mbi var të dëshmorit Haredin Tremishtës! Të pikëlluar u rëznam në qytet po këjo ditë na u duk sterë e zezë.

Një nga kujtimet e paharuara, edhe ecila është një detyrë që, përveç falënderjevet, t’e tregojmë në histori shërbimet e medha q’i ka sjellë lëvizjes kombëtare familia e Topullit. Mëma e Bajos edhe Çerçizit me nuset e djemve, me bijat edhe mbesat jo vetëm që do të shërbenin, sa herë vinim, po edhe do të na ruanin Shumë herë gratë delnin përpara që qëronin udhëu, me pushkat në dorë, kur shkonim neve nga shtëpia. Në shumë gjendje kritike, kur nuku munt të vepëronin burat, e mbushnin këto këtë barrë të rëndë burrërisht e plotërish. Me një fjalë ishin pjesëtarët të lëvizjes tonë.

Pa si ndejmë 10 dit në Gjinokastrë shkuam në Janinë me qënë që na kish ftuar Valiu. Në Janinë na u bë një pritje fort e bukurë. Një shumicë e madhe kishte dalë jashtë qytetit, një orë lark, për të na uruar mirë ardhje. Kur rymë në qytet Bandat ushtëriake, të bashkuara me bërtimet e popullit, na pritnë edhe na shpunë gjer në Yqmet për të i dhënë vizitën Valiut.

Ndejmë tri dit në Janinë ku na nderuan kombëtarët me gostira, si edhe nga ana e Katundarisë edhe Xhemietit. Me qënë që një komision i përbashkëtë, nga gjithë kombet, do të vinte për vizitë, në Selanik, Shqipëtarët zgjodhë Bajon, Çerçizin e mua kështu që vendosmë të vemi në Selanik. Me qënë që shumë nga shokët deshnin të vinin në për shtëpitë, u ndamë dyke u puthur mijë herë, e me lotë nër sy!!!

Në Janinë pata fatin të njihem e bisedonj me Direktorin të gazetës greke « Pelloponisos ». Pa fjalë që desh të mësonte mbi lëvizjen Shqipëtare prandaj më thotë: qysh shkoni me Elinët të Shqipërisë? Ju përgjegja e i thashë që Elinë nuku ka në Shqipëri përveç se në Vilajet të Janinës ose më mirë në kaza të Janinës. Qysh, thotë, në Korçë, Berat, Gjinokastrë, Vlorë e gjetkë nuku ka të Krishterë?

Ka shumë i thashë po këta janë Shqipëtarë.

Jo! jo! m’a preu fjalën, këtë mos e thuaj kurrë se ata janë Elinë. Kur e pashë që çdo bisedim ishte i kottë e lashë, dyke i thënë që në është se të Krishterët mësuan në shkollat greqisht, këjo i detyrohet mos kujdesjes të gjyshërve tanë edhe ca më tepër qeverisë tiranike,

Pa u ndarë më pyet për emrin t’im, edhe kur mëson që quhem Mihal Grameno këcen nga froni e më thotë: po ti qënke Elin mor vëlla? Mekat, mekat që të paskan gënjyer Tyrqit e të bënë Shqipëtar.

Këtë përgjigje e prisnja prandaj dyke qeshur i thashë që jam për të u bërë Elin, paskëtaj, pa si tani e kupëtova kombësinë edhe u ndamë.

Të këtilla bisedime patmë edhe në vapor kur qendruam në Patrë edhe në Pire, edhe nga këto kupëtova që populli grek është i pafajshmë, me qëne i paditur, edhe kur udhëhiqet prej njerës politikanë, të ditur edhe gazetarë, të cilët nuku janë gjesendi përveç tabako prej historie!

Që nga Janina vamë në Prevezë, ku na u shoqërua edhe Shehu Sabriu, nje nga kombëtarët luftëtarë të pareshtur. U-gëzuam pa masë kur u njojtmë faqëzaj, kështu që e shkuam kohën, gjer në Selanik me bisedime, për mbi pritmjen të Shqipërisë, me ndryshimin që mori qeverimi i mbretërisë.

Shqipëtarët e Selenikut na pritnë me gëzim të math edhe me nderime. Kishin dalë me kaike gjer në vapor, që ku na muar e na shpunë në hotel Kollombo. Këtu foli Midhat Frashëri, nga anë e Shqipëtarëvet, të Selenikut, dyke trëguar shërbimet tona me të cilat nderuam gjithë kombin.

U përgjigja unë dyke thënë që nderimet, që po na bëni neve, i presëm me gëzim të math jo për neve, që nuku mbushmë përveç detyrën, po për kujtim, të Atërvet që na mesuan të duam kombësinë, si edhe për pritmjen që të rinjtë të plotësojnë detyrën tonë. Këtu ardhë na vizituan nga ana e Komitetit Xhon-Tyrk shumë Oficerë të mëdhenj, midis t’cilëvet ishte edhe Enver beu, i cili na shtrëngojti dorën të gjithëve, si pjesëtarë të lirisë. Në këto ditë u-themelua edhe klubi Shqiptar për të përhapur diturinë Komiteti Xhon-Tyrk shtrojti një tryezë të madhe në Beas-Kulë (Kulë të bardhe) për nder të Delegatëvet të kombeve të ndryshme. Pashallarë edhe Oficerë të mëdhenj muar ana, midis cilëvet ishte edhe Hasan Pasha Masareja. Pa fjalë që, pas zakonit, u mbajtnë fjalë, kështu që nga ana e Komitetit Xhon Tyrke foli Mustafa Qemali, dyke treguar rëndësirën të lirisë e cila do të bashkonjë gjithë kombet e ndryshme në një punim për lumtërinë të mbretërisë Ottomane.

Nga ana e Shqipëtarëvet foli Bajua, në gjuhën Tyrqishte, dyke treguar që duhen hedhur prapa krahëvet e paskëtaj të përpiqemi, si nje trup, me gjithë fuqi që të xvillojmë mbretërinë tonë. Zunë pastaj me radhë nga Grekrit, Bullgarët, Serbet edhe Rumanët, por mbeta i habitur kur folë që të gjithë me gjuheu e tyre, prandaj nuku durova dot edhe i thom Çerçizit, që ishim ngjitur, që do të flas edhe unë, kështu që fola shqip dyke thënë që, prej 500 vjet e tëhu, çdo faqe e historisë Tyrke është zbukuruar me emrat e Shqipëtarëvet, të cilët janë bërë therorë për këtë mbretëri, si edhe liria e sotme i dëtyronet më tepër kombit Shqipëtar, etj.

Në krye me qënë i veshur me roba komite, pandehnë se mos u bënja nonjë qyfyr po pastaj me qënë shumë Oficerë Shqipëtarë, prej të Komitetit ua çpjeguan fjalën time edhe më përgëzuan.

Në Selanik ndejmë 10 dit pastaj duheshe të përndahemi. Bajua me Çerçizin e shokët e tjerë shkuan me vapor për në Gjinokashtrë edhe unë, mbetur si i shkretë, mora udhën për në Korçë. Lotet na derdheshin çurkë si lumë kur u puthmë edhe u ndamë së bashku kishim shkuar, si vëllezër, afër dy vjet, dyke shijojtur hidhërimet edhe ëmbëlsirat në për malet e bukura, të së dashurës Shqipëri!

Kujtime të paharuara, kujtime që në çdo sekundë do t’i kujtojsh, prandaj lumtërinë të kësaj kohe, nuku e çkëmbenj me gjithë botën! Për mua është dhuretia m’e madhe që më fali Zoti, të Cilin e lavduronj, që munda edhe unë, pas fuqisë të dobëtë, t’i shërbenj atdheut, t’i shërbenj së shtrenjtës t’ime Shqipëri!