Krye e VIII. Jeta egërsore

Në pyll të Luvinës duheshe të zinim jetë të re, një jetë monotone edhe një jetë të egërsirtë. Ushtëri e madhe plakosi edhe u-përhap më gjithë anëtë, vetëm e vetëm që të na zinte neve të gjallë ose të vdekur. Ky shtrëngim edhe forcim i math rithte nga qeveritarët e mëdhenj, të Stambollit, të cilët një tmer i math i kish pushtuar!

Vrasja e Bimbashit, në Gjinokastrë, edhe fama e luftës Mashkullores ishin përhapur, në Europë, dyke bërë gazetat e mëdha një bujo të madhe kështu që qarket e nalta, të Stambollit, zunë t’i japin një rëndësirë të madhe lëvizjes kryengritëse Shqipëtare. Më tjatër anë u-hyri frika se në Shqipëri zuri një levizje e’mbuluarë, në gjithë anët, për një kryengritje të përgjithëshme.

Të mërzitur, nga një rrojtje tiranike, zunë të menjtonen e të kupëtojnë, të mjerët Shqipëtarë, që dyke ruar këtë tirani kombi Shqipëtar ishte në rezik, me që politikanët e Tyrqisë për dita po e xvarosnin Tyrqinë në greminë. Mirpo bashkë me Tyrqinë ishte lidhur edhe fati i Shqipërisë, prandaj zunë të shkunden nga drunjësia e të njohin vetë vetiu që shpëtimi i atdheut qendronte në një kryengritje të përgjithëshme.

Pema dita me ditën po arrijeshe edhe nuku pri­teshe përveç se t’i jepnim zjar fitilit, po, mjerisht, neve nuku muntnim pa ardhur Bajua në Shqipëri, të cilin e prisnim pas një letre që na dërgojti.

Nga këto frikëra Tyrqit kishin lënë më nj’anë e në qetësi të plotë komitat Bullgarë edhe andarët Grekë edhe gjithë fuqinë e përkujdesjen e kishin hedhur kundra Shqipëtarëvet. Dëshëronin pra edhe kërkonin që me çdo mënyrë të qendrojnë n ë lëvizje kryengritëse, të përgjithëshme prandaj kishin vënë gjithë fuqinë për të farosur çetat tona, kombëtare, edhe ca më tepër çetën t’ënë, e cila kishte marë një famë të madhe, në gjithë anët e Shqipërisë!

Për këtë qëllim Tyrqit kishin taksur suma të mëdha, të hollash, shkalla të nalta edhe nishane (çmime) në trathëtorët, të cilët do të mbushnin këtë mision, të mërzitur e të fëlliqur! Pa dyshim që gjithë grackat e dhelpëritë anadollake u-përdorë, në këtë mest, vetëm e vetëm për të farosurit t’ënë!

Po përveç këtyrevet ishte edhe vizita e Imperatorit të Alemanjës Vilqelmit, në Sarandë, prandaj vinte nga gjithë anët ushtëri për të mbajtur më nj’anë qetësinë edhe më tjatër anë për të nderuar vëllamin të Sulltan Hamitit!

Këto gjëra na vunë në menjtim të thëllë, prandaj, pas një bisedimi midis nesh, vendosmë që, për siguri, të qendrojmë ca kohë në këtë pyll. Pastaj ishim të nevojitur, me domosdo, të prisnim që të lulëzonte edhe gjethi, për të lëvizur në malet, si kundër që me këtë mënyrë do të humbisnim gjyrmën t’ënë.

Këtij pylli veç se ay q’e ka vizituarë munt t’i japë rëndësirën e duhur, prandaj shtrëngohemi që t’e përshkruajmë vetëm me pak fjalë. Një pyll kaqë i dëndur sa vetëm nonjë shpesh ose nonjë gjë e vogël munt t’e shkonte, se tjatërsoj edhe nonj qen po të shkonte ishte e pa mundur që të mos ndjeheshe. Nuku ishte nonjë pyll nga ata pyje me lisa të trashë, po me dëllinja dyke patur midis tyre edhe nga nonjë lis të trashë.

Në këtë pyll kemi rrojtur 45 dit të nëmëruara, që më 10 Mars e gjer më 25 të Prillit. Në këtë kohë nuku pamë as nonjë ditë të mirë, me diell edhe të çelurë, po vetëm shira të pareshtura, ditë edhe natë. Gunat e robat tona ishin kalburë, nga lagësira, edhe nga frika nuku guxonim të ndiznim zjar që të thaheshim! Vetëm që kishim një ngushëllim dyke patur një mashinë të vogëlë, të cilën si e fshehnim me gunat, të mos dukeshe, e ndiznim edhe bënim nga një kafe.

Për të u mprojtur prej çdo reziku, të pandehurë, kishim hapur hendeke të thellë, në shumë vënde, që të mundnim të lëftonim. Në për ca lisa të mëdhenj, të mbuluarë me dëllinja, rinte karaulla i cili vërente çdo lëvizje që bëheshe, pa u dukur ushët me dëllinja e gjelbësira.

Gjithë ushtërinë, që ardhi prej Janine e shkonte në Sarandë, e pamë fort bukur me qënë që atje pranë na shkojti. Gjithë kësisoj shëkonim edhe koshadhat (ushtarët shëtitës) kur po shëtitnin dyke na kërkuar neve, ku aty ku atje, në për stanet, hauret edhe në për fshatrat. Shumë herë na kishin shkuar fare pranë me qënë që ishte një udhë, midis pyllit, e cila vinte në Monastir.

Një herë na ka shkuar kaqë pranë sa me nxitim të math zumë vëndet, në për hendeket, që të lëftonim dyke pandehur që na kishin trathëtuar. Një ditë tjatër do t’i vinim, vetë vetiu, pilaf ushtërisë. Siç thamë që shirat e pareshtura na kishin dëshpëruar shumë, kur një ditë e një natë ra me stomna, kaqë shumë sa pandehmë që do të përmbyteshe gjithë bota. Tek po rinim për mbi dëllinjat, të lagura qull, shohim të vinjë Ademi të na thëresë në konak se nuku kish nonjë rezik. Ademi ishte besniku shërbëtor i Refik Budos edhe me qënë vatur i dhëndëri i Refikut, në çiflig, dërgojti Ademin të na thëresë në konak që të thaheshim, se kurrë nuku besonte të shkonte ushtëri atë kohë.

Në krye nuku donim të vemë po dyke thënë që s’ka nonjë frikë u bintmë, kështu që i thamë Ademit të shkonjë përpara se pas tij do të vinim edhe neve.

Me të shkuar Ademi u pregatitmë të gjyrmojmë kur, me të u afruar ndanë pyllit edhe pa shkuar 5 sekunda, shohim Asllanin, i cili shkonte përpara, të na bënjë shënjë që të shtrihemi. U shtrimë edhe s’andejmi pamë nonjë qint ushtarë që shkuan në rëzë të pyllit, dyke ju drejtuar konakut të Refikut të cilin e rethuan përnjëherësh.

Kërkuan konakun, hauret edhe gjithë fshatin pastaj hëngrë bukë edhe shkuan në tjatër drejtim. Atëhere edhe neve, si u largua ushtëria, u-rëzuam në konak, ku u përgëzuam që na shpëtojti Zoti edhe si u thamë pakëzë hëngrëmë bukë edhe shkuam në folenë tonë.

Sa kohë që ndejmë në këtë pyll vetëm Ademi, i cili na ka shërbyerë me mish edhe me shpirt, na dinte, dy gra të fshatit, që na sillnin të ngrënë edhe dy barinj të Alim Karagjozit, të cilët na sillnin kur qumësht, kur djathë, kur nga nonjë qengj të pjekur. Midis këtyre barinjve ishte një djalosh i ri 18-19 vjet, i gjatë, nga Golemi, i qojtur Remzi. Një ditë vjen i armatosur që nga stani edhe thotë që do të shoqërohet me neve.

Pa fjalë që nuku deshnim t’e pranonim se ishte një turp i math t’i mirnim Alimit barinë, kur se ay na mbante me gjithë të mirat. E këshilluam pra Remzinë që të kthehet në stan, po ay na thotë që me lejen të Alimit ardhi, kështu që e shoqëruam Remzinë dyke u betuar edhe ay si gjithë shokët. Mirpo pa shkuar dy dit shohim të na vinjë një plak i thinjurë, i cili na lutet t’e vrasëm me mirë se sa t’i marrim dritën e syrit, me qënë që Remzinë e kish bir të vetëmë. U mallëngjyem fort tepër nga plaku i gjorë edhe kësisoj me këshilla e shumë fjalë të mira e bintmë Remzinë edhe shkojti me t’anë. Pas 3-4 dit përsëri shohim të na vinjë Remziu po prapë e përzumë. Të tretën herë vjen edhe thotë që i vdekur, më mirë ndahet prej neve se sa i gjallë, kështu që u shtrëngua plaku t’i japë uratën edhe neve t’a shoqërojmë.

Këjo jetë egërsore kishte zënë të na rëndohet e mërzitet, në këtë pyll monoton, se përveç qellit nuku shihnim gjësendi tjatër. Po Perëndi e Shqipërisë që na kish aratisur, në këtë botë, kish edhe përkujdesjen t’onë prandaj në dëshpërimet më të mëdha na jepte durimin e kurajon, kështu edhe tani, në këtë pyll, na dërgojti një mik të shtrënjtë për të defryer e të harojmë gjithë hidhërimet.

Ky mik i dashur nuku ishte tjatër përveç se një zog verdhash i vogël, i cili, mundet, dyke kupëtuar hidhërimet tona do të vinte të na këndonte mbi krye. Kaqë familiarë u bëmë me këtë zog sa nuku druheshc as pak që të vijë të qendronjë për mbi neve. Me një fjalë ishte shoku ynë i pandarë. Shumë herë ndronim limeret, për siguri, kur zogu që me natë do të vinte të na gjente. Kur shtronim që të hanim bukë zogu do të ishte bashkë me neve.

Unë e donja fort shumë se e pandenja për dërgimtar. i dërguar prej Zotit, që të na gëzonte zemrat tona të zhuritura, prandaj shokët qeshnin me mua edhe me të parë zogun më thoshnin: Mihal të ardhi zogu! Mjerisht, një ditë prit të na vinjë zogu. po nuku dukeshe, kështu që u pikëlluash kaqë shumë, për të shtrenjtin shok që na çelte zemrat, sa m’u preh edhe të ngrënit. Hidhërimi t’im nuku ka rëfim për zogun e shtrenjtë! Shokët më ngushëllonin dyke thënë që për një zog të brengosem kaqë tepër? Mundet që ngordhi ose e ka ngrënë nonjë shpesh i math, mirpo mua cili ma nxirte nga kryeja?

Gjithë atë natë nuku më zuri as pak gjumi, me qênë që mëndjen e kisha tek zogu, se kisha një besim, në vëte t’ime, që humbja e zogut do të sillte nonjë rezik për neve. Të dyjtën ditë tek po rinja i brengosur shoh që të na vinjë zogu i shtrenjtë, po ishte dobësuar se kish vezuar. Gëzimin e math që kam ndjerë atëhere nuku e tregonj dot! I dhashë të ngrënë edhe me vrap flytyrojti dyke vatur për mbi vete. Q’atëhere vetëm për të ngrënë vinte edhe shkonte me nxitim në fole.

Ditën kaqë të priturë për shkeljen të Vilqelmit, në tokë të Shqipërisë, na e lajmëruan buçimet e kërçëllimet të topavet, të cilët na shurdhuan veshët. Më tepër se një mijë topa janë xbrazurë atë ditë, prej avullorevet të luftës që ndodheshin në Kerfuz e në Sarandë, për nder të Kaizerit.

Të dyjtën ditë zuri ushtëria që të hiqet edhe vjen Idris Guri, nga Gjinokastra, e na tregon festimin që ju bë Imperatorit, edhe na thotë që ushtërinë, më të teprën do t’e heqin me anë të detit.

Pas ca dit lajmëronemi që kishin shkelur Sarandën edhe na e ngarkonin neve këtë shkelje. Nuku dinim as neve për cilin të besonim që bëri këtë goditje, po më shumë besonim për Bajon, të cilin po e prisnim dita ditës, ose për Abdyl Kardhiqin me të cilin kishim biseduar edhe shtuar në program për një shkelje mbi Sarandën. Edhe më tepër që besonim për Bajon e Abdylin ishte nga shkaku se shkelja ishte bërë me një mënyrë kombëtare, domethënë jo grabitëse, se përveç godinave edhe zyrave zyrtare as nonjë të huaj nuku kishin trazuar.

Kishin shkelur Yqmetin, Postën, Rexhien edhe Gjymbrykun (Doganën) po mjerisht, në gjithë këto zyra, nuku kishin gjetur përveç 650 lira Tyrku, se gjithë të hollat i kishin harxhuar për pritjen të Kaizerit.

Këto menjtime edhe dyshime na bënë që të vejë Çerçizi në Gjinokastrë dyke mbetur neve vetëm. Si vajti Çerçizi na shkruan që Sarandën e kish shkelur. Itoja i cili, pas të aratisurit nga lufta e Mashkullores, ishte bashkuar me Demo Nivicen, Asim Hajderin edhe të tjerë shokë, në numur 19, edhe kësisoj bashkërisht vendosmë shkeljen të Sarandës, me qellim kryengritëse. Çerçizi na shkruante që Itoja ndodhet në shtëpi të tyre edhe për 3-4 dit do të vinin bashkë e pastaj të shkonim. Shkuan 7 dit edhe Çerçizi nuku kish të vinte, prandaj shokët zunë të mërziten ca më tepër sa ishim mërzitur në atë pyll, kështu që i shkrojta të vinjë një or’ e më parë se ndryshe do të shkonim vetë se këjo jetë nuku duroheshe.

Me të marë këtë letrë dërgon q’atë ditë, shërbëtorin e tyrë Hamitin, me përgjigjien që në mos arthçin ata për 2 dit të mar shokët e të vemi në Gjinokastrë. Bashkë me letrën na dërguan edhe ca gazeta shqipë. Me të hapur gazetën « Kombi » sytë më qëndruan tek i pari edhe i shtrënjti ynë prift kombëtar, Fan Noli, të cilin e kishin dorëzuar në Amerikë. Gëzimi ynë ishte i patreguarë edhe dyke derdhur lote puthnim fytyrën të të bekuarit prift, të Kishës Orthodhokse Shqipe.

Me pëlqim të math edhe të pa ngopur lëçitnja artikujt të gazetës « Kombi » për mbi ceremoninë, të kësaj dite kombëtare edhe të shënjtëruarë. Në çdo paragraf na dridheshin mishrat edhe nga gëzimi bërtitnim: Rroftë Shqipëria! rroftë prifti kombëtar! Lëçita edhe « Dritën » të Sofjes e cila shkruante për luftën të Mashkullores, pas teligrameve pa nonjë çkoqitje.

Atëhere zura të shkruanj dy artikuj, njërin për mbi luftën të Mashkullores, me hollësit’ e duhura, edhe tjatrin për mbi dorëzimin të të parit prift kombëtar, të cilit i kisha dedikuar këtë strofë:

Beko uratë, tinë beko me ndihm të Perëndisë
Që të çkëlqejnë përsëri armët e Shqipërisë!
Me atë gjuhë që di ti e kupton çdo Shqipëtar
Që të dërmojmë zgjedhen të qenitë barbar!

Mjerisht artikujt e mija nuku ranë në dorë të luftëtarit patriot Shahin Kolonjës, Direktorit «Dritës».

Pjesa e radhës
Krye e IX. Lamtumirë pyllit