Errësira e madhe mbretëronte edhe kur e kur dëgjoheshe nga nonjë zë prej pushke, me qëllim, siç duket, që të na mbanin atje gjer nesër. Kjo ishte më shumë se sa vrasja prandaj këshillohemi gadale edhe vendosmë që, me domosdo, të dalim, qoftë që edhe përpiqeshim gjekundi në nonjë prite me ushtarët.
Trimat të palodhurit edhe të patrëmburit Zeman edhe Asllan, të cilët gjithë ditën lëftuan burrërisht, si në kohët e qëmoçme, duall gadale edhe bënë një kërkim, për qark, pastaj ata përpara dyke qëruar udhën edhe Çerçizi, unë edhe Myftari në mest shkuam gjer sa arrimë në lumë. Për të humbur çdo gjyrmë, të ushtërisë muarm lumin, për mest, edhe me Myftarin kaluar mbi kuris, të Asllanit edhe Zemanit, arrimë në kasolle të çifligut Dino Qiços, ku rinte një evgjit me shtëpinë.
Evgjiti më të shoqen na pritnë me gëzim të math se na dinin të vrarë, siç ishte përhapur në Gjinokastrë. Nga këta mësuam për ushtarët e vrarë, po një numur të shtuar edhe dy herë, si edhe për të plagosurit. Si u ngromë pak edhe ndezmë nga një cigare muarmë veten, pastaj, gjer të na bënte bukën evgjitka, unë e xvesha Myftarin, e lava me açid-fenik, i vura idoform edh’ e pansata mirë. Plaga nuku ishte e rezikçme, me qënë që plumbi nuku e kish çpuar shumë thellë, po kish nevojë për prehje edhe kërkim më të mirë, nga Doktorët.
Ndejmë u ngromë mirë pastaj na vunë tryezën për të ngrënë bukë. Që të përshkruanj këtë tryezë me gjithë hollësitë më është e pa mundurë, vetëm arrin të mendohet njeriu që hanim pas 30 orë edhe pas kaqë mundimeve edhe reziqeve.
Të urtuar ju shtruam tryezës edhe hëngrëmë një tenxhere plot me fasule, të cilat nofta evgjitrit i kishte hazëruar për një javë që t’e hanin me fëmijën. Këtë gosti mbretrore — siç ishte për neve — kurrë edhe kurrë do të mos e haronj, se në jetë time kurrë nuku mbanj mënt që të kem ngrënë me kaqë shije të madhe! Me të mbaruar së ngrëni u pregatitmë për të shkuar edhe i gjori evgjit na dha një palë opinga, prej të tijat, se ishim xbathurë, një kartë me duhan edhe bukë me qepë.
U puthmë edhe muarm lamtumirë dyke u falënderuar për mirësin’ e tyre, pastaj shkuam dyke ju lutur evgjitit të vejë në Gjinokastrë. për të gëzuar atdhetarët që shpëtuam shëndoshë edhe të na dërgonin 2-3 palë opinga e të ngrënë, në mal të gjërë.
Muarm malet edhe vamë për mbi Gjinokastrë, ku limerjosmë. Vetëm atëhere muntmë të gjykojmë prej çfarë reziku të math kishim kapërxyer, kështu edhe rëndësirën të luftës nga e cila na shpëtojti edhe nderojti Zoti, për nder të Shqipërisë. Ramë të flemë po gjumi ku na zinte? Mundoneshim me çdo mënyrë po me kot se nuku na qepeshin sytë. Buçim i hutavet edhe fëshëllim’ i plumbavet na shkonin akoma në për veshët! Përpara syve na çfaqeshin gjith’ ushtarë me hutat në dorë edhe me robat të zeza! Zër’ i trumbetës na tmeronte me atë buçim, të tmeruar, për zjar! zjar! Edhe për mbi këto pamje fytyra e Haredinit flytyronte e çelurë për mbi nëve!
Gjithë atë ditë e shkuam të lagur qull se kishim frikë të ndiznim zjar nga frika e ushtërisë. Pritmë gjithë ditën të vinte njeri, prej Gjinokastre, me plaçkat që kishim porositur evgjitin po nuku u duk gjikundi pranë. Të nesërmet mësuam që kish ardhur Banushi, vëllaj i Çerçizit, po me gjithë vërshëllimet e kërkimet nuku na kish gjetur gjikundi edhe ish kthyer prapë.
Me të ngrysur, pas proponimit tim, u rëzuam në Gjinokastrë, se unë thashë që do të jemi fare në siguri, me qënë se nuku do t’u shkonte nër mënt, qeveritarëvet, që fshiheshim në qytet edhe ushtarët do të na kërkonin në për fshatrat. Përveç kësaj kishim edhe një barrë të rëndë me vete, ishte Myftari i plagosur edhe kish nevojë për prehje edhe për shërim.
Të raskapitur, nga këmbët e xbathura, të lodhur, të lagur qull edhe të urtuar u rëzuam në qytet, mirpo kush na priste në për shtëpitë? Tmeri u kish ngrirë gjakun, të gjithëvet, me vrasjen të Bimbashit edhe tani ca më tepër me luftën të Mashkullorës, kështu që tani druheshin të zenë emrat tona në gojë edhe jo të na qasnin në për shtëpitë!
Trokitmë, trokitmë edhe trokitmë në shumë dyer po as nonjë nuku na qaste brënda! Si cilido na vinte përpara nga nonjë shkak, dyke na treguar hidhërimin të math, që ndjente, me mos mundur të mbushte këtë detyrë. Kishin edhe arrësye të plotë se një e njojtur e këtillë, në qeveri, ishin të dënuar me vdekje e me djegje!
Më së fundi, të dëshpëruar, vamë në shtëpi të Resul Berberit i cili, lumtërisht, na priti edhe kalli brënda, po një e keqe, na ngjajti. E shoqeja e Resulit kur na pa u trëmp shumë edhe ra e drunjosurë. Me fërkime shumë edhe dyke treguar emrat të Çerçizit e Myftarit ardhi në vete. Resuli ish një plak i ndjerë po fort i vobekët. Atë pakëzë bukë, që kish i gjori, na e dha për të ngrënë, si kundër edhe dy tri fëngjij të qymyrit i vuri në zjar, që të ngronim duart se për të u tharë edhe ngrohur trupin ishte e pamundurë!
Të nesërmet, pas të lajmëruarit, ardhë të motrat e Çerçizit bashkë me t’emën të Myftarit edhe na suallë të ngrëna, të ëmbla, opinga fishekë, qylafë, duhan etj. Gëzimi i tyre ishte i patreguar kur na panë të gjallë edhe na puthnë në ballë, nga ana e trimëreshës nënë të Çerçizit. Burrëria edhe zemrëgjërësia e kësaj së nderçme plakë nuku ka rëfim. Kur ishim rethuar në Mashkullorë vanë gjithë far’ e fisi, si edhe miqeshat, në shtëpi të Topullenjvet për të forcuar e ngushëlluar plakën e ndjerë, po trimëresha Hasoja, siç quheshe mëm’ e Çerçizit, me një madhështi të madhe u falënderonte edhe u thosh: u lutem tepër, moj motra, të jini të çelura se unë nuku kam nevojë forcimi edhe ngushëllimi me qënë që trimi po më lëfton si burrat për Shqipërinë!
Vetëm atëhere, që Zoti mos e dhëntë kurrë, në qoftë që Çerçizi bije i gjallë, në duar të ushtërisë, ejani, edhe në më doni mua tregoheni, jo të më ngushëlloni po të më vrisni që të mos rronj e gjallë, midis shoqevet, si një faqezezë! Po siç e di unë Çerçizin ajy do të bjerë me nder i vrarë edhe atëhere ejani jy motra që të dëfrejmë edhe këcejmë, së bashku, se atëhere vdes e gëzuarë që na le emrin të pafëlliqurë. Kështu kuvëndonte Hasoja, ajo trimëreshë plakë e ndjerë, ajo Kardhiqote që kish nxjerë, nga barku i saj, luanët e Shqipërisë, Bajon edhe Çerçiz Topullin!
Po edhe nëna e Zemanit, e cila e kish përpara syve luftën as pak nuku trëmbeshë po, për kundrazi, mburreshe me birin të saj që lëftonte për Shqipërinë, dyke thënë që po t’i vritet me këngë edhe me valle do t’e mbulonjë!
Trimëresha e ëma e Haredinit është për të habitur me burrërin’ e saj, që tregojti, kur i thanë për Haredinin që u vra në luftë të Mashkullorës. As një pikë loti nuku u derth nga syt’ e saj edhe as nonjë psherëtim, po zuri t’i këndonjë këngë trimërie. Më vjen keq, tha, që nuku ju vra e Rizaj, vëlla me Haredinin, po ri i burgosur me t’anë në Gjinokastrë!
Kolonjareja, e ëma e Asllan Starjes, trimëreshë si kurdoherë dolli edhe mburreshe dyke thënë që kështu dinë të lëftojnë bijt’ e Skënderbeut, të cilët me gëzim e japin shpirtin e tyre, për Shqipërinë, dyke na nleruar neve, nënat, edhe gjithë kombim!
Sa për Labëreshën, t’ëmën e Myftarit, është një çudi e madhe me këtë grua, e cila kur e pa të plagosurë e puthi edhe i tha: Më rofsh e prokopç, ore bir, që më nderove po edhe që të vriteshe prapë do t’ e kisha për nder që re si burrë për nderë të atdheut.
Nuku do të harronj edhe të dashurën nënë t’eme, e cila është e njojturë në Korçë e gjetkë, si edhe në qeveri për burrërinë të saj. Ishte përhapur në Korçë që isha vrarë edhe unë e këjo lajmë përpëriteshe, midis grave, kur ajo mer vesh edhe me vrap vesh robat e rea dyke thënë që ka dasmë se Mihalin e martova më Shqipërinë!
Kësisoj mbureshin nënat e atyreve luftëtarë, të Mashkullores, prandaj edhe ata, një grusht njerës, qendruan burrërisht dyke lëftuar kundra një ushtërie të madhe, armike t’ atdheut.
Si siguruam Myftarin në Sakua edhe ja rekomanduam Doktor Dinos, për shërim, me të u ngrysur muarm udhën që të vinim në Luvinë, në çiflig të Refik Budos. Abazi nuku ishte shëruarë edhe kësisoj e lamë në Gjinokastrë, ku e kishim lënë që kur se vamë me qënë fort i sëmurë.
Mjerisht, nuku mundnim të arrinim në Luvinë, nga shkaku që këmbët nuku i çapitnim dot, nga të ftohurit, edhe gunat të rënda, nga të lagurit, nuku na linin të udhëtonim, prandaj u shtërnguam të qendrojmë në Dervican. Këtu vamë në shtëpi të Tomas, bujku i Topullenjvet, i cili me patur shumë fëmijë na shpuri në haur, ku qendruamë gjithë ditënë.
Me të ngrysur muarm udhën, mjaft’ e gjatë, edhe arrimë më të gdhirë në Luvinë e limerjasmë në pyll, afër Monastirit. Në mëngjes lajmëruam Etemin, për ardhjen tonë atje, i vetëmi njeri që na dinte.
Kur ndodheshim në të këtilla brenga edhe hidhërime muarm një letrë, nga Misiri, prej Ion Vruhos i cili me fjalë patriotike na jepte kurajo, edhe na shkruante që për së shpejti do të na dërgonin ndihma.
Gjithë atë ditë muarmë edhe nga Bukureshti një letrë, prej Vasil Irakli Zografit, i cili na jepte kurajo edhe na dërgonte 25 Napoleona nga ana e Komitetit të Romanisë, me qëndren në Bukuresht.
Mihal Grameno