Duheshe të mos ndodhesha unë që të mirnja anë në luftën e Mashkullorës, se fuqia t’ eme është e dobëtë për të përshkruar e zugrafisur ashtu si kundër ngjajti. Duheshe pendë historiografi, të sosur, duheshe penda e një mjeshtëri të vërtetë, duheshe të ndodheshe një skencëtor ushtëriak edhe duheshë që të ndodheshe një kqyrës i luftës se vetëm atëhere do të përshkruanin të vërtetën.
Vetëm e vetëm këta do të muntnin që të përshkronin edhe zugrafisnin hollësisht, këtë luftë e cila meriton një histori të tërë, se vetëm atëhere do të mësonte edhe kupëtonte, pritmja e kombit t’ënë, që qysh dinin të mbushin detyrën e tyre, për atdhenë, dyke lëftuar, si qëmoti, për të u-lënë bijvet tyre lirinë me flamurin të shenjtë që të valonjë për mbi Shqipërinë!
Fati pra e kishte rojtur për mua që të ndodhem atje edhe të mar pjesë në këtë luftë, për liri, prandaj kërkonj ndjesë këndonjësvet që nuku munt të mbush këtë barrë, me gjithë hollësitë, dyke lënë të tjerëvc, të zotërit për këtë, që t’e përshkruajnë edhe rëfejnë të gjallë siç meriton edhe qysh ngjajti lufta e Mashkullores.
Do të përpiqem me sa më është e mundurë që të përmbleth me pakë fjalë ngjarjet të kësaj lufte, e cila ka për të mbetur e paharuarë edhe historike, në historin’ e ringjalljes të Shqipërisë, se trimëri e kësaj lufte do të mbetet shëmbëll, për pritmjen, se u-nderuan armët e Shqipërisë si në kohët e Skënderbeut.
Ishte e martë brëma, dyke u-gdhirë e merkurë 5 Mars 1908, kur ramë të fleme të qetuar që s’ka gjesendi. Edhe me të vërtet gjithë natën as nonjë shenjë nuku kishim kuptuar që ishim të gjurmuar, po kur ngrihet Çerçizi heth sytë në dritare edhe më thotë: Mihal ja shih djem shkolle janë a njerës?
Vështronj po nuku xgjidheshin mirë, kurse Çerçizi me të hedhur dylbinë bërtet: O burrani shokë se na rethojti ushtëria!
Në këtë fjalë ngrihen të tmeruar gjithë shokët edhe me vrap rëmbyen trajstat, gunat armët edhe ca të mbathur e ca të xbathur u-rëzuam në katua e q’atje dyke kapërxyer një mur duallmë përjashta. Atje pamë që ishim në rezik të math po të delnim në shesh, prandaj muarmë një përrua të thellë shumë, plot me shkëmbinj edhe plot me ujë.
Në krye ushtëria nuku na vërejti as pak, me që-në që ata drejtoheshin tek shtëpia, edhe kësisoj do të mos ishim goditur po të mos u-bërtite një tradhëtor edhe t’u tregonte rugën tonë. Ky bukurosh tradhëtor, na kishte mësuar, siç duket, se me të vajtur në Gjinokastrë sa që kishte arrirë ushtëria edhe i lajmëron për neve, kështu që me vrap i dërguan, nënë kumandë të Oficerëvet Nexhadin edhe një tjatri.
Kur se shkonim me nxitim, në përua, përnjëherjesh dëgjojmë buçimin të trumbetës edhe me vrap zunë plumbat të na shkojnë për mbi krye dyke fëshëllitur! Ah! ishte një moment që nuku munt t’e tregonj dot! Zëri i trumbetës, të cilin e dëgjonim për të parën herë kur urdhronte zjar, na tmerojti tepër se ishte një zë i tmershmë, një zë që na ngrinte leshrat përpjetë se me të vërtet ishte zëri i vdekjes!
Gjithë kësisoj edhe fërshëllim’ i pushkavet që vinin si breshëri, për mbi krye, na shurdhonin veshët, po, dyke i dhënë shoku shokut kurajo edhe dyke rënë ku këtu ku atje, u mësuam edhe nuku na bënin nonjë përshtypje!
Ushtarët dyke u-rëzuar që përpjetë na e prenë u-dhën edhe do të na kishin vrarë që të gjithëve po të mos ishin Çerçizi me Asllanin, të cilët me të shpejt, nga këmbët, nxitonin edhe muntnë të zenë një haur të rëzuar ku vetëm gurët kishin mbetur. Q’atje me vrap u hapnë zjar ushtarëve dyke shtirë dy prej tyreve kështu që ua prenë hovin e sulmin edhe kësisoj muntmë të arrimë e neve gejr atje.
Vërtet arrimë po, për fat të zi, jo të gjithë. Haredin Tremishti ra dy pashë lark meje për nder të Shqipërisë edhe të lirisë! Një plump i armikut i kishte shpuar kryet tej-përtej, edhe shpirti i flytyrojti në qell! I rashë me këmbë që të ngrihet po ay nuk lëvizi. I hodha sytë që t’e shoh, për të fundit herë, edhe pashë q’ një bukuri prej engjelli i kishte rënë mbi fytyrë e zbriturë prej qelli! Psherëtita edhe ngrita sytë në qell dyke ju lutur Perëndisë t’e ketë në prehje shpirtin të Haredinit, të atij djaloshi trim, guximtar edhe të urtë që ra dëshmor, dyke lyer me gjakun e tij lirin e Shqipërisë!
Historia kombëtare le t’e ketë në gji të saj emrin të këtij dëshmori trim, edhe të rinjtë le të marën shëmbëll nga Haredin Tremishti që ra mbi alltarin të atdheut për lirinë të Shqipërisë!!!
Kur arriva unë në shokët edhe më pyesin, për Haredinin, të gjithë u-pikëlluan edhe derdhë lote për gjëmën e madhe që na kish gjetur. Po Çerçizi e mblodhi veten edhe thotë të rronjë Shqipëria se edhe neve gjithë si Haredini do të vritemi po o burrani shokë të zemë vënde që të lëftojmë burrërisht. U regulluam dyke marë ballën Çerçizi, Zemani edhe Myftari, unë me Asllanin muarm anën për të u mprojtur krahët, nga armiku. Sa për Iton dyke kërkuar të zinte vënt, në një mur të një are, ushtarët ja prenë rugën edhe kësisoj u aratis.
Më orën 7 zuri lufta e regullshme edhe e reptë. Ushtëria ishte përhapur edhe na kish rethuar nga gjithë anët, edhe q’andej na lëftonte. Nuku dua të shtonj po, për kundrazi, të pakësonj numrin të ushtërisë që përbëheshe më teper se 150 shpirt, kur se neve nuku ishim, siç dijet, pesë shpirt. Për veç kësaj nuku duhet haruar që neve bënim ikonomi të madhe në fishekët, se gjithë një Çerçizi bërtiste: mos harxhoni o shokë fishekët më kot.
Plumbat na vinin si breshëri po neve qëndronim si ca statuta, në vëndet tona, edhe u përgjigjeshim me plumba, po dyke qëlluar, edhe me këngë kombëtare.
Kërkonj ndjesë se më mungon fuqia, e duhur, për të treguar, xbukuruar edhe stolisur, siç meriton, burërinë edhe trimërinë që tregojti trimi ynë Kapitan, luftëtari i math edh’i patrembur që nderojti armët të Shqipërisë! Po; Kapitani tonë i shtrenjtë, Çerçizi, u tregua si një dragua në këtë luftë, kështu që historia kombëtare do të mburet me emrin të këtij djali të ri, po burri të math, të Shqipërisë.
Vetëm edhe vetëm atëhere munda të besonj historinë të kombit t’ënë, me burrërinë edhe trimërinë të stërgjyshëvet t’anë. Atëhere vetëm munda të kupëtonj e të çmonj vleftën të këtij djali trimi të cilit, me gjithë që ishte ritur i përkëdhelur, nuku i trëmbeshe syri kurrë nga vdekja!
Xbathur lakuriq, karos, me leshrat përpjetë vërtiteshe më gjithë anëtë si një kumandant i math, me pushkën në dorë edhe gjashtoren në dhëmbë dyke na burrur neve edhe dyke qëlluar mbi ushtëtarët! Fytyra e tij, këtë ditë, ishte m’e çelurë se kurdoherë, edhe jo si kur lëftonte po si kur këcente.
Shumë herë e qërtonja edh’e këshillonja që të mos nxirte kryet përjashta, nga mprojtjet me gurë që kishim forcuar, me qënë që Çerçizi shumë herë nxirte kryet përjashta, që t’u fliste ushtarëvet, Tyrqisht, që të iqeshin më nj’anë edhe mos vriteshim vëlla vëllanë. Oficerët prapë i ftonte të dalin në shesh e të lëftonin, një për një, po ata të fshehur i përgjigjeshin me dinakëri e me fjalë të ëmbla që të jepemi se u vinte keq të vritemi, dyke u zotuar jo vetëm falje po edhe nga një Rytbe të madhe nga Patishahu!
Me këto mënyra Anadollakët përpiqeshin të na humbasën guximin e të na demoralizojnë, prandaj Çerçizi dyke i sharë rëndë, nxirte kryet edhe u thosh: jemi bijt’ e Skënderbeut edhe nuku jepemi po do të lëftojmë gjer në orën e fundit se Shqipëtari di të vdesë, pas zakonit, me nder për atdhenë. Mirpo ushtarët këtë prisnin që të nxirte pakëzë kryet Çerçizi që, pas urdhërit që kishin, me vrap të shtinin që të gjithë për mbi atë.
Ah! edhe sot e sjell nër mënt tmerë të math që kam ndjerë kur pashë Çerçizin që t’i derdhet gjak prej ballit, edhe i verdhë si dylli i thom me dëshpërim: E ç’na bëre more derëzi që na preve krahët? Pse nuku dëgjon këshillat e mija po të gënjyen Tyrqit gjer të plagosnë? Vrapova t’i jap ndihmën e duhur kur Çerçizi dyke fshirë gjakun më thotë: mos u-dëshpëro
Mihal se nuku jam plagosur po një ciflë, prej guri, më goditi edhe me zemërim qëllon ushtarë q’e kish qëlluar edhe e shtriri për dhe.
Çerçizi qëllon kaqë mirë sa të rallë besonj të ndodhen të këtillë qëllonjës. Një ushtar, i cili kishte zënë një vënt të fortë, e vravi edhe mbeti i mbërthyer vëndit, po Çerçizi e pandehte të gjallë prandaj sa herë që vërtiteshe e qëllonte, kështu që e kishte shpuar, me radhë 16 herë në krahëror!
Kësisoj luftuam gjer në orënë 2 pas dreke kur dëgjojmë trumpetën të buçasë. Gjer në atë kohë ishin vrarë 8 ushtarë edhe buçim’ i trumbetës kishte shënim që të mblidhen ushtarët. Neve pandehmë që do të shkonin edh’u gëzuam, po oficerët i mblodhë që t’u japin të tjera urdhrata se pa shkuarë as 5 sekunda nisi, në buçim të trumbetës, një luftë kaqë e reptë sa nuku tregonet. Plumbat na vinin rëke si breshëri edhe të pareshtura, kaqë dëndur, sa nuku muntnim të xbrazim dot nonjë pushkë.
Pllani i oficerëvet ishte që shumica e ushtarëvet të mbante një zjar të pareshtur kur se pakica, nënë hije të plumbavet, të afroheshë edhe të na shtrëngonte të jepeshim ose të na vrisnin. Ky pllan ishte fort bukur pregatitur, po guximtari edhe trimi ynë Kapitan Çerçizi me gjashtoren, prej 10, si nonjë luan i qëndronte që të mos afroheshin dyke na thënë edhe neve që të shtijem, verbërisht, për të i frikësuar edhe mos guxojnë që të afronen pranë nesh.
Këjo luftë, kaqë e reptë, mbajti gjer më orënë 4-5 edhe pastaj, si e panë që pllan’i tyre nuku u solli nonjë dobi, zunë t’e rallojnë edhe ca nga ca të hiqen, të lodhur, të lagur edhe të dëshpëruar dyke lënë edhe dy të vrarë!
Në këtë luftë na u plagos Myftari, i cili lëftojti kaqë trimërisht sa na habiti të gjithëvet. Aqë më tepër unë jam çuditur, me qënë se kur na u shoqërua Myftari pandeha që do të ishte një barr’ e rëndë, për neve, se dukeshe m’i pafuqishmë nga mua, po, mjerisht, isha i gënjyer, në besimin tim, se në këtë luftë Myftari tregojti që me të vërtet i rithte gjak, prej Shqipëtari në rembat e tij. Pa u drojturë, pa u trëmburë as pak lëftojti si një dragua!
Kur u plagos u hoq pak më nj’anë edhe dyke qeshur na thotë: më gërvishtnë pak të liqtë. Unë u trëmba edhe me vrap i shtrëngojta plagën me një brez, pa e xveshurë, edhe dyke i dhënë guxim i thom që s’ka gjësendi, po Myftari më përgjigjet burrërisht: e ç’do të ketë, mor Mihal, më tepër se një vdekje për nder të Shqipërisë!
Plaga zuri t’i ftohet edhe ahere zuri të ndjente dhemka prandaj i gjori Myftar, na lutet që të mos e lëmë të gjallë e të bjerë në dorë të ushtërisë po t’i marim kryet. Të mallëngjyer e të dëshpëruar, për gjendjen të Myftarit, ishim fort shumë, po duheshe t’i japim kurajo se shpresën nuku e kishim humbur.
Me qënë që lufta u rallua, edhe vetëm kur e kur na vinte nga nonjë plump, shkundmë xhepat për të mbledhur fundrat e duhanit edhe kësisoj muntmë të bëjmë një cigare të hollë, nga e cila thëthimë që të gjithë nga një here përveç Myftarit q’i lamë gjysmën. Këjo ishte e vetmja cigare që kemi thëthirë atë ditë! Sa për të ngrënë nuku kishim as një kafshitë! Përveç luftës e mungesës të bukës e duhanit gjithë këtë ditë e kemi shkuar me shi edhe me breshër.
Më orënë 5 vjen Mytesarifi, (Prefekti) nga Gjinokastra i rethuar me zyrtarët të ushtërisë, Doktorë edhe Farmaçistë për të u dhënë ndihmë të plagosurëvet. Prapa tyreve ardhi tjatër ushtëri e përzjerë me xhandarë, për të çkëmbyer ushtarët e parë të cilët, të dërmuar nga lufta e nga shiu edhe dyke lënë 10 shokë të vrarë, shkuan pa nonjë regull për në fshat.
Mytesarifin si e nga zyrtarët edhe ushtarët munt që t’i qëllonim edhe t’i vrisnim shumë lehtë nga ata, me qënë se vinin drejt neve, po dyke pandehur që pësimi i të parëvet, do t’i bëheshe mësim, kur se ushtarët, pa një pa dy, zunë vënde në repat edhe na hapnë zjar. Të shtrënguar, atëherë, u përgjigjmë edhe neve me zjar, po më përpara i këshilluam që të mos lëftonim.
Mjerisht, këshillat tona nuku i dëgjuan edhe lëftuam gjer sa u ngrys dyke lënë këta 3 të vrarë. Të këtillë funt mori lufta e Mashkullores më 5 të Marsit 1908. Midis të pafajshmëvet edhe të mjerëvet ushtarë, q’u vranë e mbetnë lark atdheut tyre, u vra edhe i fëlliquri trathëtor dyke marë, prej Çerçizit, një plump në ballë për ç’ pagimin të trathëtisë!!!
Mihal Grameno