Shtëpia e Topullenjve, në Gjinokastrë, është e dëgjuar edhe një nga të parat edhe është shumë i math fisi i Topullenjvet, i përndarë, në Gjinokastrë, me qënë që ishin shumë vëllezër. Një nga këta ishte Agua prej të cilit u-lintnë 10 djem, midis cilëvet duall trimat patriotë Bajua edhe Çerçizi, për të ringjallur historin’ e Shqipërisë.
Në shtëpi të Agos pra ishte Kapua m’i madhi vëlla, i cili kishte equr shumë, për Bajon edhe Çerçizin, se e kishin burgosur me gjithë shtëpinë, në Janinë, si edhe bagëtinë ja kish marë qeveria Tyrke. Me gjithë këto Kapua as pak nuku dëshpëroneshe, përkundrazi ishte gati të bënte çdo therori për qëllimin të shenjtë. Prandaj, kur vajtmë neve në shtëpi, këcente nga gëzimi edhe me vrap dërgojti Alitin, vëllanë më të vogël, që të lajmëronte kombëtarët për ardhjen tonë, të papandehurë.
Me vrap edhe pa u gdhirë mirë zunë të plakosin kombëtarët për të u hasur me neve. S’ka dyshim që të parët ishin të palodhurët propagandistë Idris Guri, Besim Vesel Gega, Refik Budua, Sheme teligrafisti, Nazif Ajderi, nga Palavlia, Alit Sferi edhe shumë të tjerë. Për dita do të vinin, tek neve, për të biseduar edh’ u këshilluar mbi çeshtjet kombëtare si kundër edhe masat që duheshin marë, për nevojat edhe enteresat kombëtare.
Të nesërmet vjen një djalë i ri, Myftar Axhemi, 24-25 vjet, thatanik edhe pa ju mbushur syri njeriut që munt të ishte i zoti për komit. Me gjithë këto Myftari me të u-hasur me neve nuku donte të ndaheshe, me as nonjë mënyrë, prej neve, kështu që çdo bindje ishte e kotë edhe më tjatër anë lutjet e s’ëmës tij e pranuam në çetë t’ënë, si u betua për liri.
Mbrëmanet ardhë, nga Kardhiqi, Abdyl Mersini i shoqëruar me Bajram Pergjinë. Abdyli, siç dijet, q’u bë shkakëtar pa dashur i shokëve, 1906, që u-përndanë, e u hothnë në Misir ku e mbajtnë gjithë dimërin, Jon Vruhoja me Thanas Tashkon. Në verë u-hoth në Shqipëri po me mos u hasur me neve vepëronte reth Gjinokastrës edhe Delvinës.
Si ndejmë 6 dit, në Gjinokastrë, shkuam në Mashkullor, në shtëpi të Zemanit edhe të tjerëve, ku na pritnë fort mirë, pastaj dyke shkuar nga Monastir’ i Cepos, vamë në Kardhiq. Kardhiqot t, të cilët kishin ndjenja kombëtare, na pritnë me gëzim të math edhe na gostitnë fort mirë. Në Kardhiq na u shoqëruan edhe dy djem të rinj, 20-21 vjeç, Suloja nga Kardhiqi edhe Pirua nga Zhulati, i cili ishte millona (mullxhi) afër Kardhiqit. Nga Kardhiqi u hothmë në Zhulat edhe hoqmë në shtëpi të Veipit, një nga të rallët kombëtarë edhe propagandistë, i cili na priti edhe gostiti princërisht. Si na ftuan edhe të tjerë Zhulatas u kthyem prapë në Kardhiq, në Pergji, Plesant, në shtëpi të Sadikut, Mashkullor edhe në Gjinokastrë dyke lidhur fshatrat në besë, për të i shërbyer atdheut me çdo therorí.
Prej Gjinokastre u-hothmë në Dropull dyke nisur fshatrat me radhë, që në Kalorçë në Lazarat, Dervican, Goranxi, Bodrisht edhe Bularat, ku na priste populli, tek do, me kënaqësi të madhe. Në Bularat hasmë edhe Ito Lekdushin, i cili po na kërkonte gjyrmat për të u shoqëruar me neve, si kundër që edhe bëmë. Që këtej u hothmë në Luvinë, në çiflig të Refik Budos.
Stanet ishin në për fushë kësisoj që na prisnin që të gjithë me dashuri të madhe. Alim Karagjozi, një nga të pasurit e Gjinokastrës edhe prej një fisi me Topullenjtë, na priti me gëzim të math, në stan të tij, edhe dha urdhër barinjvet që stani çshtë yni kurdoherë! Mjerisht, në këto kohëra, shirat ishin të pareshtura edhe dëme të mëdha u-bënin barinjvet, me qënë që për dita u ngorthnin shqerat e vogëla.
Nga shkaku i kohës pra u shtrënguam të rimë në Luvinë 8 dit, pastaj vajtmë në stan të Bukuvales, ku Bajram Pergjia na ka bërë ca gjellra të paharuara, me qënë që Bajrami kish qënë gjellëtar në një Pasha kur ish në sherbim ushtëriak. Që këtej muarm malet përpjetë dyke vizituar Monastiret të Pepelit, të Drianos edhe të Derviçanit. Igumenët, të dëshpëruar edhe të mërzitur nga kusarët, na prisnin me kënaqësi edhe na gostitnin me gjith’ të mirat që kishin.
Mjerisht, në Manastir të Drianos ishte thënë që të na ngjasë një ngjarje e tmershme, e cila na pikëllojti fort tepër po, lumtërisht pa nonjë humbje. Monastiri i Drianos është ngrehur në ca male të lartë edhe të fortë edhe është një Monastir i pasurë. Nga shkaku i kosarëvet, q’e vizitonin dendur, qeveria kishte lënë një xhandërma si mprojtës të Monastirit, prandaj vamë nga të gdhirët dyke priturë që të hapesh porta.
Me të dalë i pari shërbëtor e zumë dhe na kalli brënda në dhomë të xhandarit të cilin e xgjuam, nga gjumi, pastaj u përshëndoshmë. Ishte një burrë i urtë edh’i gadalçmë edhe yshqente ndjenja kombëtare prandaj na u lut mos i bëjmë nonjë dëm Monastirit edhe t’e mbanim të fshehtë vizitën tonë që të mos e dënonin.
Shërbëtorët i xgjuan nga gjumi të mëdhenjtë edhe i lajmëruan për vajtjen tonë, kështu që dolli një kallugre edhe na thotë që Igumeni mungon, nga Monastiri, po ajo na ftojti në një dhomë të madhe. Urdhrojti shërbëtorët të ndezin zjarë edhe ajo vetë na pregatiti ca të ngrëna, të mëngjezit, me qënë që ishim tepër të urtuar pas një udhëtimi të gjithë natës.
Pas pakë kohe çfaqet edhe Igumeni, i cili nuku mungonte po ishte fshehur, nga trika, se mos ishim njerës të liq, po me të mësuar, nga kallugreja, që ishim njerës të mirë ardhi në dhomë edhe na urojti mirardhje. Ndënji në krye, siç e nderonim, edhe nga bisedimet që bëmë kupëtojti qëllimin dhe programin tonë prandaj tepër i kënaqur me vrap urdhrojti të na pjekën dy berra edhe të na pregatitin një tryezë të mirë.
Dëfryem kaqë mirë sa nuku tregonet edhe do të qëndronim e ca dit, me dëshirën e madhe që kish Igumeni, po të mos na ngjiste një ngjarje e tmershme. Si hëngrëmë bukë shokët duall përjashta për të shtënë në qëllim, pa si ishin në siguri të plotë se Monastiri i Drianos është rethuar me fortesa natyrale e nuku na trëmbeshë syri nga çdo rezik. Tek po qëllonin shokët për të u stërvitur ca më mirë, nënë verejtjen të Çerçizit, siç bënim kurdohere në vënde të forta, vjen ruajtës i Monastirit edhe i flet me zemërim Çerçizit.
Çerçizi i përgjigjet që të shohë punën po Çelua, siç quheshë ruajtësi, nga Lazarati, vazhdon të bërtasë, qaqë shumë sa Çerçizi, me mos duruar, e goditi kur Çelua nxjer gjashtoren gati, për të qëlluar Çerçizin. Me vrap atëhere Zemani nxjer kamën edhe ja kllet nënë hije Çelos i cili ra për dhe!
Në këtë kohë unë flinja kur vjen Abdyl Mersini i cili më xgjon nga gjumi edhe me hidhërim më tregon gjemën e madhe që kish ngjarë. U helmuash pa masë e, pa humbur kohë, vrapova tek i plagosuri për të i dhënë nonjë ndihmë. E xhveshmë edhe shoh që plaga ishte mjaft e madhe edhe gulçimet të të plagosurit më tmeronin. E ngritmë q’ atje edh’ e shpumë në një dhomë ku e lava mirë me açid-borik edhe açid-fenik pastaj si e kripa me jodoform e pasata mirë, dyke e ngushëlluar të plagosurin që s’ ka gjësendi.
Gjithë atë ditë ishim të pikëlluar edhe të helmuar, për këtë ngjarje të papriturë, u-menjtuam pra që e ndenjura tonë në Monastir ishte në rezik edhe vendosmë që të shkojmë. Me të ngrysur i lava, përsëri, plagën Çelos edhe me sa që kupëtonja nuku shinja nonjë rezik, pastaj e muarm Çelon në dhomë tonë, ku e paqtova me Çerçizin e me Zamanin, që të mos mbeteshë nonjë armiqësi, midis tyre, nga shkaku i gjakut. Hëngrëmë së bashku bukë pastaj muarm lamtumirë edhe shkuam, dyke porositur xhandarin që të vinte të lajmëronte qeverinë për këtë ngjarje, pa fjalë që t’u thosh se ca njerës të liq plagosnë ruajtësin kur se ajy nuku ndodheshë atje.
Me vrap nisen nga Gjinokastra Doktori me njerëzit e qeverisë, për të anqetuar këtë ngjarje, si edhe shumë Luzatas, burra e gra, nga far’ e fisi i Çelos, edhe venë në Monastir. Doktori me të parë pansamentin edhe barat (ilaçet) mbeti i habitur edhe tha që këto janë bërë prej dorë mjeshtëri, prandaj në Labëri m’u përhap fama Doktor Mihali. Edhe kishin arësye se, me qënë që unë kisha xhantën me barrat, shumëve u kisha shëruar kokën me aspirinë! Taksirati m’i math u veperua për të gjorin Xhandar, të cilin e burgosnë dy muaj.
Kur se këto ngjisnin në Monastir të Drianos Bimbashi i Gjinokastrës (Kumandar i xhandarmerisë) kishte vënë një shtrëngim të math dyke shtënë tmerë, popullit, sa që pandeheshin me ndjenja kombëtare. Komiteti i Gjinokastrës ishte tepër i dëshpëruar prandaj dërgojti Idris Gurin që të na lajmëronjë se 30 shpirt, nga qarku i Përmetit, i kishin sjellë në burg, midis të cilevët t’atnë edhe të vëllanë të Haredinit. Idrizi, veshur oficer, arriti me të përënduar të djellit në Monastir të Drianos ku na gjeti të helmuar për ngjarjen e tmersme.
Biseduam gjër’ e gjatë edhe përfunduam, me çdo mënyrë, vrasjen të Bimbashit! Idrizin e përcuallmë në Gjinokastrë edhe neve shkuam në për male gjer arrimë për mbi Gjinokastrë.
Dy herë vajtnë në Gjinokastrë Haredini me Asllanin, për të vrarë Bimbashin, po, mjerisht, nuku patnë fatin me qënë që nuku e gjetnë. Kur se deshnin të vinin të tretën herë na ngjajti një episod. Labërit, domethënë shokët t’anë, kishin biseduar veçanërisht e kishin vendosur që Bimbashin t’e vrasin Labërit, se e kishin për turp t’u këndohet kënga Toskëvet! Domosdo e pranuam këtë vendim edhe këtë barrë e muar përsipër Ito Lekdushi me Bajram Pergjinë.
Ishte e hënë, 25 Shkurt 1908, ditë tregu, kur u nisnë Itoja me Bajramin për në Gjinokastrë, si i veshmë me roba tregtari. Pas pllanit, që kishim bërë, ata rynë me orënë 8 në qytet, Selfua me Haredinë vanë më orënë 9 ndanë qytetit edhe Zemani me Asllane vanë në Qimitir, të Krishtëreve për të mprojtur shokët kur të delnin nga qyteti. Çerçizi, unë, Abdyli, Myftari edhe Pirrua qendruam në breg që të mpronin shokët nga ushtëria kur t’i ndiqte.
Pllani ishte fort bukur pregatitur prandaj sytë edhe veshët i kishim qepur për mbi Gjinokastrë dyke pritur, me padurim, fërshellimin të pushkës. Çdo sëkundë për neve ishte një mot edhe çdo lëvizje e vogëlë, që të bëheshe, na rihte zemrat. Më orënë 11. 15, koh’ e drekës, dëgjojmë të zbrazura prej bushke edhe pas pakë sekunda shohim Iton me Bajramin që të dalin, dyke rendur me gjashtorët në dore, nga qyteti.
Haredini me Selfon, më të parë shokët të shpëtuar edhe lajmërohen për vrasjen të Bimbashit, u qëndrojnë dritareve të Yqmetit edh’ i bëjnë copë copë, pastaj marin rugën që të vinë tek neve. Zemani me Asllanin qëllonin edh’ ata, nga Qimitiri, për mbi Yqmet, dyke shtrënguar të mjerët nënëpunës që të kërkonin vrima për të u drojtur nga nonjë plump!
Nuku shkojti shumë kohë kur xhandarë, ushtarë edhe Policia dalin me nxitim të math dyke ndjekur shokët t’anë, të cilët munt që edhe t’i vrisnin, me qënë që ecnin fushës, po të mos ishim neve në breg. Me të parë pra ushtarët, u hapim një zjar të reptë për mbi ata, kësisoj që i shtrënguam të mos lëvizin, nga vendi, po të qëndrojnë vëndit gjer sa arrinë shokët në mal ku ishim neve në siguri.
Këjo luftë mbajti 2 orë pastaj, me të u mbledhur që të gjithë, puthmë trimat, që na ndëruan neve e gjithë kombin, edhe si u përgëzuam midis tonë muarm malet. Kur arrimë në siguri të plotë qendruam pakëzë, për të u çëlodhur edhe thëthirë nga një cingare. Q’ atje vërenim ushtarët kur u ngjitnë, në breg, nga kishim lëftuar, edhe bënin kërkime dyke mbledhur fishekët të zbrazura.
Me të ngrysur u rëzuam në Mashkullor e q’andej muarm malet e lartë përpjetë, për të dalë në male e Kardhiqit, ku ishim në siguri. Gjithë atë natë si edhe të nesërmen e shkuam pa ngrënë gjesendi përveç dyke thëthirë dborë, e vetëm me të perënduar të djellit u-rëzuam në Kardhiq ku na gostitnë Kardhiqotët.
Vrasja e Bimbashit u prit me një gëzim të pa treguar, nga ana e gjithë popullit, i cili na uronte, nga thelb’ i zemrës, se muntmë t’ e shpëtojmë prej një Tyrku të lik edhe tiran dyke tmeruar popullin, me faj ose pa faj, me qënë që ishte një Shqiptaromah i math!
U këshilluam midis tonë edhe vendosmë që hëpërhë të qëndronim në malet e Kardhiqit për të shëkuar çfarë masa do të mereshin kundra nesh, nga ana e qeverisë. Muarm malet po duheshë që të kapërxenim një rip të ngushtë shumë, edhe kjo ishte e vetëmja udhë, të cilën e kishin për të fshehur bagëtinë nga xhelepi. Përveç ngushtësirës ishte tepër e rezikçme, me qënë e lartë për mbi 200 metra edhe një gabim i vogël të rekulliste nëpër shkëmbinjtë, kështu që të mos shëkonje kurrë të kurrës djellin me sy!!!
Me gjithë këto duheshe kapërxyer me domosdo se të vrisnin shokët, me arësye, për të mos rënë në dorë të ushtërisë, andaj e shkova si të Postenanit, 25 Dhetor 1907, dyke më marë në mest e për dore Asllani me Zemanin. Mos pandehni se unë isha ajy më frikanaci. Jo; kishim e shokë të tjerë, të cilët ishin ritur në këto male edhe, shumë herë, kishin frikë të shkonin në për ca ngushtësira më të mira që unë i shkonja pa frikë.
Si kapërxyem ngushticën, të Kardhiqit, duallm në një mal të gjërë me lisa e plot vrima e llagëme natyrale. Ishim pra në siguri të madhe se edhe 2,000 ushtarë nuku kishin se çbënin, arrinte vetëm të kishim fishekë edhe të ngrënë! Këtu u sëmura unë fort rëndë po, lavdi Zotit, Asllani me Zemanin u përkujdesnë si nëna për fëmijën e saj. I gjori Abdyl Mersini, në mest të rezikut, u rëzua në Kardhiq që të më sjellë mua fasule të thata se në ishte shtënë, edhe për çudi të madhe, me të ngrënit të fasulevet u shërova!
Këtu ndejmë 3 dit ku shiu binte i parreshturë, po duheshe të shkonim të përndarë, domethënë të bëheshim 2 çeta, se u vinte rëndë kur vinim në për miqtë gjithë së bashku, edhe më tjatër anë pandehnim për më mirë. Lithmë fjalen midis tonë që me të çelur gjethi edhe me të u-ngjitur stanet, në për malet, të bashkoheshim në Çajyp edhe të vendosnim për të vepëruar ndryshe. Pa si u lajmëruam që ushtëria, e cila kishte dalë kundra nesh, pas shumë kërki eve u kthye ne Gjinokastrë u puthmë edhe tepër të mallëngjyer muarm lamtumirë njëri nga tjatri. Çerçizi mbeti vet’i shtatë edhe Abdyli vet’ i katërtë, shtrënguam pra edhe nga një herë duart edhe u përndamë dyke lutur Perëndisë të na mpronjë edhe bashkonjë për së shpejti.
Çerçizi me neve u-rëzuam në Mashkullor që të mirte Zemani shëndet, nga shtëpia, edhe ca më tepër të mërnim duhan se kishim mbetur pa cigare. Qëndruam 2 orë edhe u ngromë pakëzë e deshnim të shkonim, po një errësirë e madhe me erë të marë edhe me shi si edhe sigurimet të Mërtes, ati i Zemanit, që nuku ka nonjë rezik na shtrënguan edhe na bintnë të qëndrojmë atje.
Ishte thënë prej Zotit që të nderohen armët e Shqipërisë!
Mihal Grameno