Të shtunë pas dreke, më 16 Maj, përhapin pëlhurat të anijes edhe Ahmeti, kapitani ynë, urdhëron: djema gati! Përnjëresh anija mori udhën edhe neve ja krismë këngës për mëmëdhenë! për mëmëdhenë! të cilë e kisha bërë unë edhe ja kisha dedikuar Bajos.
Me gjithë që ishim kaqë të pakët zemrat tona ishin shumë të gëzuara e plot shpresa, dyke pandehur që gjithë këjo botë ishte krijuar vetëm edhe vetëm për neve! Kur zuri që të ngryset na thotë Ahmeti që do të kemi furtunë o djema, e këjsisoj do të mos mundim të dalëm në stere, siç e pandehnim.
Ahmeti ynë sikur ishte nonjë Flamaryon i dytë, nuku shkojti shumë kohë kur zuri një furtunë e marë. Për mbi 36 orë lëftuan, pa reshtur, Ahmeti me shokët e tij kundra atyreve valë që përpiqeshin të na përfshinin! Me mundime të mëdha shumë e dyke udhëtuar siç na losnin valët, dyke u gdhirë e henë e pa nisur që të hapet dita, arrimë në një vënt e na thotë Ahmeti: këtu është mirë që të delni përjashta, me qënë që, pas shenjave të kohës, duhet të bëjmë shumë kohë gjer të arrimë pranë Sarandës, ku dëshëroni yve.
Neve, të dëshpëruar nga ky udhëtim, midis vdekjes, me të dëgjuar stere e pritmë me gëzim të math këshillën e Ahmetit edhe duallmë në një vënt të huaj, të cilin as e dinim as e njihnim. Si nxuarm armët edhe plaçkat që kishim hipmë edhe neve në barkë edhe duallm në stere, si u puthmë me Ahmetin e shokët e tij, dyke lënë njëri tjetrit ndihmës Perëndinë.
Me të shkelur në një shurishtë të bardhë Çerçizi më thotë: gjunjëzo e puth dhenë të Shqipërisë o Mihal për të cilin të ka dëshëruarë edhe dëshëron zemra jote! E putha me mall edhe ju luta Perëndisë që në kishim të drejtë të na mpronte edhe të na ndihmonte. Ndejmë pakëzë të çlodhemi e të shihnim ku gjendeshim se, mjerisht, as nonjë prej nesh nuku e dinte këtë vënt. Kur zuri të xbardhullohet dita ngarkohemi me trajstat, në të cilat kishim nga 500 fishekë, si cilido, edhe të ngrënat pastaj, si muarmë armët, muarmë të përpjetën e malevet.
Për mua ishte e para herë që ngjitesha në male, pa edhe çfarë male?! Të lartë, të dëndur edhe me shkëmbinj të mdhëdhenj dukeshin pa funt. Shokët ishin të mësuar edhe ngjiteshin pa mundim, po unë me Idriz Jakovën ecnim gadale edhe më tepër me duar edhe këmbë, se kishim frikë mos rukulliseshim, në përenjtë pa funt, edhe bëheshim copë copë!
O burrani, o burrani, bertiste Çerçizi, mos u druani po shkelni pa frikë edhe lehtë se, siç ecni yve, lodhì shumë, po cilit munt t’i nxirnje frikën? Arrinte vetëm një e hedhur sytë tatëpjetë të na ngrihshin leshrat përpjetë edhe nga tmeri të na mereshin mëntë e të gjenim fundin.
I gjori, i shtrenjti i pa lodhuri edhe fort i dashuri Zeman Mashkullori! Ky ishte nëna e çetës tonë. I papërtuar edh’i parënduar do të rinte pranë nesh që të na jepte ndihmën e tij për çdo nevojë. Herë herë na mirte trajstat, herë paltonet edhe shumë herë na ngarkonte mbi kuris, të tij, për të kapërxyer nonjë udhë, të cilën as dhitë nuku e kapërxenin pa u drojturë.
Zemani ishte prikosurë me një karakter të pashëmbëlltë. I urtë, i qeshur, i dashur edhe trim pa shëmbëll; ishte m’i shkuari nga gjithë shokët, po, përveç këtyreve dhuretira, ishte edhe babo. Zemani do të na shtypte koskat edhe do të na fërkonte barkun edhe ngrinte pishqet sa herë që sëmureshim. Sa kohë që bëmë në malet si edhe perjashta, pas lirisë, kurrë nuku e pashë Zemanë që të zemërohet po, për kundrazi, me gëzim të math kërkonte që qysh edhe qysh t’i kënaqte të gjithë me buzën e tij të qeshurë.
Kur bjerë andej ku këtej u ngjitmë në mal edhe atëhere zuri të hapet mirë dita, po, me gjithë këtë, nuku kupëtonim se ku ndodheshim kur, për fat, shohim me teiqyre (dylbi) një bari i cili kullote bagëtinë. Çerçizi vrapon tek bariu edhe si përshëndoshen e pyet ku ndodheshim e cilat ishin rugat që dëshëronim neve. Si lajmërohet Çerçizi kthenet, i helmuar, dyke thënë që të rëzohemi prapë se ruga që kishim marë na nxirte për në Vlorë.
Rëzohemi edhe limerjasmë atë ditë në ca lisa ku ishte një burim i ftohtë. Me të perënduar djelli muarm rugën të një fshati, që ishte pranë, kur fati na nxori një çoban nga Myzeqeja, i qojtur Ilo, i cili ishte sherbëtor në atë fshat edhe kthenëshe me mushkat në shtëpi. Kuvënduam e na thotë që ishte i pa kënaqur nga i zoti, andaj në pyetjet tona në dëshëronte të bashkoneshe me neve e priti me gëzim të math, kështu që si shpuri mushkat u kthye edhe shkuam, erretë, midis fshatit.
Ky fshat quhet Vermik edhe është nga fshatrat e Himarës. Që të stolis edhe zugrafis bukurinë të Breqdetit me fshatrat rreth tij, më është një pun’ e kottë, me qënë që natyra i ka prikosurë me bukurira të veçanta. Të xbukuronj rëketë, malet me ato shkëmbinj, fshatrat gjithë monë të gjelbëruara me ullinj, portokalë, limonj, fiq, qitra, shegë edhe gjithë lulëzimet e tjera, ose të tregonj bukurinë të gjindjes, të Bregdetit, për gjimin edhe trimërin e tyre?
Reviera, me San Remon, Mentone, Monte-Karlon, Monakon, Nisen e të tjera, nuku ka as nonjë ndryshim nga Bregdeti, i Shqipërisë, kur një ditë janë për të u ndërtuar edhe vëndet të Bregdetit siç janë këto.
Shkuam dyke ecur gjithë natën kur shohim që do të na zinte dita, pa zënë nonjë limer, andaj vendosmë që të mbyllemi në një kishë të vogël përjashta fshatit, Vunosë dyke besuar që as njëri nuku vjen atje. Rymë brenda edhe ranë gjithë shokët të flenë veç meje, i cili i lodhur edhe i dirsur po rinja e thëthinja një cingare si edhe për të u mprojtur nga çdo rezik.
Nuku shkojti shumë kohë kur dera hapet edhe ryn prifti me një grua për të meshuar. Prifti bashkë me gruan në vënt që të trembeshin u tremba unë edhe desha të xgjonj shokët, kur prifti më ndalon duke më thënë: leri të flenë se janë të lodhur. Kur zumë të përshëndosheshim xgjohen shokët nga gjumi edhe i thomi që kemi ikur nga ushtëria po prifti nuku besojti e na thotë që çfarëdo që të jini mos kini nonjë frikë, pastaj, si mbarojti nga të meshuarit, na ndau meshën që mori edhe na bëri nga një kafe në një qoshe të kishës. Me të ikur i dhamë të holla dyke ju lutur të na blinte ca duhan e të ngrëna, të cilat na i dërgojti me priftëreshën.
Pas nja tre orë rëzohen prej fshatit 10 fshatarë, midis cilëvet ishte edhe një kapitan avullore, i quajtur Ilo, me të cilin ishim njojtur në Brindis, po nuku i ishim çfaqur. Përshëndoshemi pastaj zumë t’u tregojmë cilët ishim edhe qëllimin t’onë. Ca nga këta kishin ndjenja kombëtare, mbjellë prej Petros Fotografit nga Korça, andaj u dhamë edhe mjaft libra për të lëçitur.
Me të perënduar djelli shkuam, si na gostitnë shumë mirë, me një udhëtregonjës që na dhanë, pa si muarm lamtumirë edhe u falënderuam për pritjen që na benë. Dyke udhëtuar ato ‘ripa edhe rëkera, të Qimarës arrimë më të gdhirë në Pilur, ku limerjasmë në një pyll, e q’atje udhëtuam natën edhe arrimë në Kuç. Kuçi është historik me qënë që në këtë fshat është lindur Gjoleka, një kryengritës trim, të cilit edhe sot i këndohen këngë, Labërishte, për trimërin’ e tij.
Në Kuç dërguam Ilo çobanë tek Birçoja, një mik i Çerçizit që të vinjë të haset me neve edhe të na sillëtë gjësendi për të ngrënë. Birçoja vjen i bashkuar me një shokun e tij dyke na sjellë të ngrëna po na lajmëron që ushtëria e përndarë na ka zënë gjithë rugët, prandaj na këshillon qe të limerjasem në një pyll edhe me të u ngrysur mirë të shkojmë, ververisht maleve.
Këshillat të mikut tonë, Birço, i pranuam edhe vamë në një pyll të dendur shumë, që ku vërenim ushtarët kur brithnin posht e lart për të na kërkuar neve. Në këtë pyll na gjajti një gjëmë fort e ligë. Kur shokët flinin unë me Ilo Çobanin po fshinim pushkat edhe mësoheshim qysh t’i përdornim, po, mjerisht, ky mësim u bë mbi kuris të Ilos se gabimisht pushka time zbrazet edhe godit Ilon në vithrat! Shokët xgjohen edhe rëmbejnë armët dyke pandehur ushtërinë, po u tregonj i helmuar edh’ i tmeruar, fajin që kisha bëië. Me vrap xbulojmë Ilon edhe si e pamë që plaga ishte pa nonjë dëm ja lithmë. Sa për ilaç ishte shura t’onë, se barat që kishim marrë na i mbajtnë në kufi të Austrisë.
Në jetë time nuk kam ndjerë më të math helm edhe hidhërim se t’asaj dite kur plagosa Ilon. Nuku paska më të keqe se të bëhesh shokvrasës! Mirë po ay gabim m’u bë një mësim i math që të vërenja pushkën tjatër herë.
Gjithë atë ditë e shkuam të brengosur me nj’anë për Ilon edhe më tjatër anë se kishim mbetur pa të ngrëna, me gjithë këto më të u ngrysur dualëm prej pyllit edhe vinim në stan të Birços, që na kishte treguar, po kur njerjesh shohim që Iloja nuku ishte gjekundi. Bertit edhe kërko, me gjithë anëtë, po Iloja kish marë pushkën edhe kish shkuar. Atëhere mallkova dorën që nuku e mori mirë se ky vajti që nga pylli në ushtëtarët dyke treguar për neve që e muarm me pahir Birçon, priftin edhe fshatarët të Vunosë, të cilët ndejnë nga një vit të burgosur në Gjinokastrë.
Si e mblothmë mëndjen për Ilon muarm të përpjetën e maleve, pa nonjë udhë, ca male të lartë shumë, plot shkëmbinj të thatë pa nonjë pikë ujë, kështu që tani përveç urisë, vuanim edhe nga etja. Dirsët na shkonin çurkë si lumë edhe mernim e thëthinim dhënë për të shuar etjen. Atëhere u ndodha në një shtrëngim të math edhe, i dëshpëruar, ngrita sytë në qell dyke bërtitur: Aman o Perëndi i Shqipërisë vdiqmë për ujë! Si për çudi më dëgjojti lutjen Përëndia, se i mjeri Zeman i cili vente në për shkëmbinjtë, për të gjetur ujë, bërtet: vraponi se gjeta ujë!
Atë gëzim që ndjemë nuku di qysh t’a tregonj munt që të barabitet si një shpëtim nga vdekja. Kishte gjetur një lis të math të cilin e kishin shpuar edhe bërë gropë, barinjtë, për të u mbledhur ujët kur bintë shi. Vrapuam edhe si pimë ujë muarm vehten, se ishim fare të drobitur, pastaj zumë udhëtimin. Me të gdhirë arrimë në një stan, ku i zoti me gruan e tij na shtruan të hamë. Me një shijë të pa treguar hëngrëm atë mënjgjes pastaj, si n çëlothmë mirë, shkuam dyke falënderuar të zotërit e stanit për mírë pritjen.
Q’ atje shkuam në malet e Golemit po, dyke parë që vinte në atë rugë një ushtëri e vogëlë, kthyem udhën edhe duallmë në një stan ndanë një lumi. Nga gjithë stanet që vizituam sa kohë që bëmë malevet, ky stan do të më mbetet një kujtim i paharuar, me qënë që ishte ngritur ne një vënt pitoresk, që nuku rëfehet. Një lumë shkonte midis dy pyeve të veshur, një nisi e vogëlë e rethuarë prej lumit edhe kundrejt nisis ishte stani, kështu që bënin një pamje nga më të bukurat, dyke kujtuar brëmanet kur rëzoheshin bagëtia për të mjelë. Në këtë stan gjetmë vetëm të zonjën e cila na priti e gostiti me dhallë edhe me kos e ndejmë gjithë ditënë gjer ardhi i zoti me bagëtinë. Përshëndoshemi edhe me vrap porosit djemtë të na pjekin një qëngj të zgjedhur, kështu që na gostitnë si jo më mirë edhe pastaj na kallë në kasolle per të flejtur, dyke thënë të jemi të qetë se këmbë ushtari nuku shkelte atje, veç kësaj na tha që kurdoherë po të jemi në rezik të vemi në stan të tij për çdo siguri.
Besonj qëësht interesant të tregonj me këtë rast, që gratë të Kurveleshit nuku mbulojnë fytyrat edhe punojnë bashkë me burrat e tyre në për stanet, në për arat edhe në çdo punë që të kenë. Flejtmë nja 3 orë, në buçim të lumit, edhe si u ngritmë shkuam bashkë me Demon, i zoti i stanit, për mest Kaparejt, fshat’ i Demos, gjer arrimë në Zhulat, pastaj, si i falënderuam edhe një herë, mori lamtumirë edhe u kthye për në stan.
Në Zhulat e shkuam ditën në për ca repa edhe më të ngrysur shkuam për në Kardhiq, dyke limerjasur në ca gështenja.
Kardhiqi është një katunt fort i bukur, ngrehur për mbi një breg të fortë, ka një fortesë historike edhe është i rethuarë me male të lartë. Këtë katunt e ka prishur Ali Pasha edhe duken e sot gërmadhat e rëmyera. Ndejmë tri dit në Kardhiq për të u çelodhur po më tepër që të mbatheshim me opinga se këpucet na ishin bërë copë copë prej gurëve.
Që këtej muarm grykën e mollës për të dalë në malet e Gjinokastrës. Kjo grykë është një grykë e lartë edhe fort e ngushtë, kështu që as nonjë frikë nuku ke prej ushtërie me zënë vëndet e duhura. Këtu vravi Çerçizi një dele të egërë të cilën e kemi ngrënë pa kripë.
Në Gjinokastrë ndejmë tri dit, në Kala të Shen Triadhës, ku u bashkuam me shumë kombëtarë dyke biseduar që qysh edhe qyshë duhet vepëruar, gjer të pregatitim një lëvizje të përgjithëshme. Deshnin mjaft djema të bashkoheshin me neve po i ndaluam, me qënë që nuku deshnim të mirte qeveria masa të repta, kundra nesh, e me këtë mënyrë flinte, dyke marrë lëvizjen tonë pa nonjë rëndësi. Si na solli nga gjithë barërat (ilaçet) Besim Vesel Gega, shkuam në Çajyp në stan të Raif Kerit, prej Gjinokastre.
Që nga Çajupi u hothmë në Zagorie të Tepelenës edhe limerjasmë në një pyll, pranë Zheit, ku na ardhë ca gjatorë me të cilët kuvënduam gjër e gjatë. Me të perënduar djelli shkuam në mal të Brezhanit, në stan të Dhimitraqit Spiros, ku na pritnë fort mirë me gjithë q’atë ditë i kish vdekur i ati Dhimitraqit. Si i lamë ngushëllimet tona, me barinjtë, me të ngrysur u rëzuam në një tatëpjetë pranë Brezhanit, pastaj muarm anën e Viosës edhe arrimë në urë të Muços. (Tregut). Si u siguruam që rojtësit flinin edhe nuku kish nonjë rezik e kapërxyem edhe shkuam për në Klysyrë ku gjetmë evgjitin Seitin, në Sarajë të bejlerëve, i cili më bëri një melem me haki e më plakosi këmbët, se më ishin berë potillat gjak nga gurët. Ilaçi më beri fare mirë dyke ecur lirisht e pa dhemba.
Që nga Klysyra vajtmë në Toler në shtëpi të Arsllanit, të cilin e kishim lënë në Brindis, edhe s’andejmi dyke na bashkuar Myrtezaj, prej Panaritit të Përmetit, arrimë në një pyll për mbi çifligun të bejlerëvet të Klysyrës. Në Toler, gjetmë edhe shokun tonë, Idriz Jakovën, i cili u nda që nga Gjinokastra nga shkaku së ishte e pa mundur të duronte jetën tonë edhe të gjesdiste maleve i ngarkuar, me qënë që ishte më shumë se mua delikat, prandaj qendrojti në Gjinokastrë e q’atje e dërguan kombëtarët për në Elbasan, mik pas miku, se qëllimi ishte të hidheshe në Jakovë edhe në anët e Gegërisë për të përhapur ndjenjat kombëtare. Mjerisht, në Elbasan, e zunë edh’e dërguan në Manastir ku e burgosnë edh’e munduan shumë gjer sa u dha liria.
Një sëmundje e keqe, nga të vojturit e burgut, nuku e la të gjorin Idriz të gëzonjë lirinë se, pas pakë dit, mbarojti jetën dyke mbyllur sytë i gëzuar se pa ëndrën e tij të mbushurë, për të cilën ish përpjekur edhe kish vojtur kaqë shumë! Le të përmëndim pak fjalë edhe për jetëshkrimin të këtij dëshmori kombëtar. Idrizi ishte lindurë në Jakovë prej një shtëpie të mirë edhe të nderçme, pa si mbarojti shkolën Tyrqishte zuri nënëpunës i qeverisë gjer arriu në doganë të Soroviçit. Atje u bashkua me shumë atdhetarë, kështu që u bë një kombëtar nga më të flaktët edhe me urtësin e tij dinte qysh të përhapte ndjenjat kombëtare. Me të mësuar lëvizjen të komitetit shkojti fshehtazi në Bukuresht edhe q’atje në Sofje, ku u bashkua me neve edhe dolli maleve. Vdiq 27-28 vjet në lule të vërsës.
Pa si ndejmë një ditë në atë pyll shkuam në pyll të Repanit, ku u hasmë me barinjt’e fshatit, e dyke shkuar për mest Sevranit arrimë për mbi Frashër. Atje tëk limerjasnim u hasmë me Fejimin, nga Selenica e Pishës, i cili na shpuri në një fshat ngrehur në përua, Sorok, hoqmë në shtëpi të Spiros miku i Fehimit, i cili na priti e gostiti si jo më mirë. Në mëngjes shkuam pranë Frashërit me mos guxuar të vinim atje se na lajmëruan që kishin vajtur mjaft ushtarë, edhe duallmë në pyll të Koplarës.
Në këtë pyll na ngajti nji episod shumë i keq. Më të thyer të ditës kthehëshin nga tregu i Frashërit fshatarët, për në shtëpit’e tyre, të cilët dyke i pandehur ushtëtarë u ndamë për të u mprojtur, po, mjerisht, humbi shoku shokun e pas tri orë dyke u thirur me emra u hasmë! Sa gëzim të math nuku ndjemë në zemrat tona kur u hasmë se s’paska më e keqe se asaj që të aratisesh nga shokët në mest të pyllit. Gjithë kohën e shkuam me të ngrënë lule-shtrydhje pastaj, me të afruar perëndimi shkuam në mal të Radomit, në stan të Tasi Çobanit. Atje ardhi nga Kurtesi i ndyeri Sako me të nipin e tij Kasëmin adhe na muar në fshat, në shtëpi të tyre.
Të nesërmet ardhi Ibrahim Efendiu, i cili sot është Baba i Teqesë Qesarakës. Z. e tij ishte një patriot nga më të vyerit edhe fort i ditur, kështu që biseduam gjer e gjatë për mbi gjendjen të Shqipërisë. Këtu ndejmë tri dit edhe u bashkuam me shumë atdhetarë prej atyreve anë, të cilët vrapuan të haseshin me neve. Deshnin mjaft djema të rinj te shoqëroneshin me neve si edhe Kasemi, i nipi i Sakos, një djalosh 18-20 vjet, po i këshilluam të qendrojnë edhe pak kohë kur do të bashkoneshim. Vetëm Abas Nivicën, i cili ishte bari në stan të Tasit, e bëmë shok se me të parë neve nuku desh që të ndaheshë, me as nonjë mënyrë, e qendrojti i pandarë gjer sa u dha liria.
Që nga Kurtesi u kthyem prapë në Frashër edhe qendruam për mbi Teqe, ku ardhe Servet beu, Hysen beu, Dervishlerët, Hasan Ef, i cili ishte Hoxha i Frashërit edhe shumë atdhetarë të tjere. Këtu gjetmë me të vërtet folenë të kombëtarëvet, se atje ishte Teqeja, shkolla e madhe kombëtare. Muarm lamtumirë dyke patur mirësinë Dervishlerët që të na japin për shok Zoton, prej Backe, i cili na shpuri në Backë, në shtëpi të Laces, të cilit na dorëzojti nga ana e Teqesë. Zotoja ishte një atdhetar i mirë plot ndjenja kombëtare edhe trim me fletë prandaj dyke kënduar arrimë gjer në Backë dyke shkuar midis Dervishies, ku na gostitnë Dervishlerët.
Dervishia është ngriturë në një vënt fort të bukurë, më një fushë të vogël, rethuar me male edhe pyje edhe për mest Dervishies shkon një lumë, kështu që ka një bukuri prej panorame. Shpirt ndrituri Baba Fetahu që ka xgjedhur këtë vënt, kaqë të bukurë, edhe ka ngriturë Dervishien është përkujdesurë që të xbukuronjë edhe ca më shumë përveç asaj natyrale. Ka mbjellë lloji pemë, pjergulla edhe shumë sende të tjera me një regullim të pa treguar, prandaj çdo udhëtar që të shkonjë, në Dervishie, nuku munt të mos e admironjë e të mos thotë: të ndritë shpirti o Baba Fetah!
Në Backë ndejmë dy dit, në shtëpi të Laces i cili na priti edhe gostiti mirë, pastaj të bashkuar me Lacen, me të vëllanë edhe me Zoton muarm malet përpjetë dyke shkuar qafen të Manës. Malet të Backes janë të lartë shumë po edhe fort të bukurë se janë të veshurë, me ujra e kullotë nga më të mirët. Këtu na hasi Laceja me Tahir Vranishtin, afër Beratit, e me vëllan’ e tij Saminë edhe me pesë shokë që kishin pas. Si bëmë mirë të njojturë edh’ u treguam qellimin tonë, Tahiri me Saminë dëshëronin nga zemra që të bashkëpunonin edh’ ata, për këtë qëllim, e kësisoj u shoqëruan me neve.
Tani nuku isha ajy Mihali i parë se u forcova mirë si nga trupi si nga këmbët edhe nga jeta komite, tani isha njëjeshisht me shokët, për kundrazi kisha marë edhe një barrë tjatër përsipër. Ditënë, si ngopeshim nga gjumi do t’ u mësonja këndim edhe shkrim ose, që të mos mërziteshin, do t’ u tregonja nonjë histori ose përallë prandaj më quanin Hoxhë. Në malet e Backës u hasmë edhe me nja 75 ushtarë po nuku u goditmë me qënë që neve kishim zënë vënde të forta prandaj shkuan më nj’anë edhe neve shkuam për në Qesarakë. Në Qesarakë kishim nevojë që të blinim ca plaçka, që na duheshin, edhe më tepër për të mballosur opingat andaj muarmë me vehte Dhamë Opingaxhinë gjer në Lubonjë, ku na mballosi opingat se i kishim copë copë.
Në Lubonjë hoqmë në shtëpi të Dilaverit edh’ atje mësuam për vrasjen të Riza Velçishtit edhe për Apostolin, Hasan edhe Malon që kishin pësuar shumë. Hasanë e kishin zënë edhe dënuar me 15 vjet në burg të Gjinokastrës, Apostoli me Malon dimëruan me Bullgarët po. në një goditje me ushtërinë, Maloja u vra, pa si lëftojti burrërisht edhe vravi tri ushiarë. Apostolë e xunë edh’ e dënuan, në Manastir, për jetë po u lirua me çpalljen të lirisë. Malo Çami ishte shoku i Rizajit po, me qënë që në një goditje me ushtërinë u plagos, Rizaj e vuri në një vënt të mirë për shërim edhe pa si u be mirë u bashkua me Bajon gjer të haseshe me Rizanë.
Që nga Lubonja u hothmë në Elmas në shtëpi të Rapo beut, i cili na priti fort mirë edhe na mbajti dy dit, se nuku ngopeshe dot me bisedimet kombëtare. Nga Elmezi vajtmë në Kozel tek Refat beu me të vëllezërit e tij, Nuri edhe Dervishi, të cilët na pritnë me gëzim të math edhe së bashku me Dervishin u ngjitmë në Gramos dyke qendruar në qafë të Kazanit.
Pa vajtur në Gramos dua pakëzë të zugrafis bukurinë të Kozelit, të cilin ja ka dhuruarë vehtë Zoti. Prikosurë me male të veshur, me boriga e bredha, të cilët i përçan lumi me oshetimet e bukura, pa si vërtit dërstillat edhe mullinjtë. Bagëtia kullosin me gëzim edhe zilet e këmborët përbëjnë një armoní të pëlqyerë edhe të pangopure. Pa pyshim që barinjtë, me fyjejet e tyre, i bashkojnë zëret e bëjnë një mellodhí, kaqe të ëmbël sa të perëndon në qell! Kozeli është ngritur për mbi një bregore duke admiruar këto pamje natyrale.
Ne Qafë të Kazanit ishin ngritur stanet të Pitulit i bashkuar me Sali Butkën edhe vëllezërinë të Kozelit edhe na kanë gostitur siç naku rëfenet. Qafa e Kazanit është një vënt strategjik edhe shumë i fortë po, veç kësaj, është edhe tepër i bukur. Q’atje do të shëkosh Kolonjën, me gjithë fshatrat edhe fushën e saj, më tjatër anë do të shëkosh Devollin, me fshatrat edhe fushën e tij, edhe pastaj gjithë fushën e Korçës, dyke bërë që të gjitha keta vënde një pamje panorame.
S’andejmi u hothmë në Lofkë të Dardhës, ku kemi limerjosurë një ditë. Këtu gjetmë gjyrma e shenja që kishin limerjosur e të tjerë, pa dyshim andarë. Me të perënduar djelli muarm rugën e malevet edhe më të gdhirë arrimë në malet për mbi Dishnicë ku ishin ngrehur stanet. Këtu ardhi, prej Korçe, Laze Progri i cili na solli ca fishekë që kishim porositur edhe ngrysur mirë rymë në Korçë, në shtëpi të Cilkës. Cilka ishte zemra edhe shpirti i lëvizjes kombëtare, trim guximtar i math, i padrojtur sido që e kishin burgosur për këtë qëllim, edhe ishte i ditur. Shërbimet të këtij atdhetari nuku kanë shëmbëll edhe çpagim. Cilka meriton faqe shumë prej të historisë kombëtare, me qënë që ka qënë, është edhe do të vdesë patriot!
Nga Korça shkuam, pa si na veshi mi ë komiteti i Korçës për në Plasë edhe q’andej të hidheshim në Prespë, me qënë që komitat Bullgarë dëshëronin të haseshin me neve. Në Plasë tri nga shokët e Tahirit deshnin të shonin per në vënt të tyre, kështu që u shtrëngua edhe Tahiri me Saminë t’i përcjellin gjer tej, në për ca miq të njojtur, edhe do të ktheheshin dyke lënë për fjalë Teqenë të Melçanit që të bashkoheshim.
Nga Plasa u hothmë për në Prespë edhe dyke marë Grykën e Ujkut arrimë në Grazhdan. Atje u hasmë për herën e parë me komita Bullgarë, nënë kryesi të Petro Gjermanit. Të bashkuar shetitmë gjithë Prespën, ku u hasmë edhe me shumë Shqipëtarë, të cilët i këshillonim që të shkojnë në armoní me Bullgarët edhe të mësonin gjuhën amtare e të pregatiten për një lëvizje kryengritëse se ora po afron.
Kur ndodheshim në Shulin, në çiflig të Orhan be Pojanit, na lajmërojnë, prej Korçe, vrasjen e Mitës Heqimit si edhe për Qani be Ypin që do t’e shkonin lidhur për në Manastir. Këto lajme na hidhëruan fort tepër edhe vendosmë që të zëmë rug në, Korçë-Manastir, për të shpëtuar Qani benë. Programi ynë ishte që të mbanim gjithë udhëtarët pastaj, si të shkonin Qani benë t’i lironim ose të vrisnim, nonjë nga ata që të kishin gjisht, në vrasjen të Mitës Heqimit.
Më 7 Gusht 1907 zemë sosenë ku duheshe po, mjerisht, pa shkuar shumë kohë, shkojti Posta e cila vinte që nga Manastiri për në Korçë edhe në bërtimin tonë që të lidhën një bej i qojtur, siç mësuam pastaj, Qerim be Kostreci, veshur ushtërisht, nuku dëgjoiti e dyke dashur të shpëtonjë u vra. Pastaj Postën e doqmë edhe si u muerm armët suvarinjvet edhe një mushkë u hothmë në Nivicë, edhe q’atje në Gjerman.
Në Gjerman u hasmë edhe me Vanço Ohrinë, i cili kishte dy shokë, edhe së bashku shkuam për në malet e Kureshtit. Kur do të kapërxenim liqenin me llundra na lajmërojnë që shumë ushtëri po na kërkojnë neve, dyke vënë shtrëngim të math popullit, prandaj kemi marë një udhë të gjatë shumë gjer arrimë në malet për mbi Pisoder. Më nj’anë të lodhur e të raskapitur edhe me tjatër anë pa ngrënë, kemi ndenjur gjith’ atë ditë vetëm me një qint dreem llokume që kisha unë në torbë.
Me të ngrysur rëzohemi në një fshat Bullgar, ku na dhanë për të ngrënë edhe porositmë Myftar’e fshatit që të na dërgonte ngrënie, për nesër, në limer ku do të limerjosnim. Të nesërmet brëma si muarmë bukë, me vehte, shkuam në malet e Koreshtit, ku patmë lumtërinë të hasemi me kryekomitat të Kosturit edhe të bëjmë të njojturë. Nuku munt të mohojmë kurrë. që, dyke bashkëndenjur me komitat Bullgarë, shkuam vëllezërisht edhe përfituam mjaft nga organizacia e tyre. Ishin mirë organizuar, nga çdo pikëpamje, edhe kishin një disiplinë fort të pëlqyerë si kundër edhe fort të reptë. Me këtë program ishin forcuar edhe kishin mundur që të lidhen, midis tyre, kështu që në çdo rezik, që t’i vinte një çete, vraponin ndihmës ata që ishin pranë. Si vizituam fshatrat të Koreshtit muarm lamtumirë edhe shkuam të bashkuar me voevoden Petro Buzo për në Nestram Me hidhërim do të tregojmë që Thanas Nastoja, prej Plase, u tregua i dobët edh’i pabesë, se u nda prej neve edhe mbeti me Vançon nga Ohria, sa për armët tona, q’i kishim dhënë e donim t’ja mernim, na u zotuan Bullgarët të na i dërgojnë në Korçë.
Në malet të Nestramit ndejmë dy dit edhe, pa si muarmë lamtumirë nga Petro Buzoja me shokët, u hothmë në Kolivicë në Kala të Abidin Shahut. I famëshmi hajdut, Abidin Shahu, kishte zgjedhurë, fort bukur këtë kala se ishte një fortesë e sigurtë. Ishte Bajram atë ditë e na ka sjellë të ngrënë edhe ëmbëlsira nga shtëpia, Zeneli, një djal’i ri e fort i mirë po, mjerisht, nuku kish ryrë, siç duhet, në ndjenjat kombëtare.
Pas mezit ditës ardhë edhe të tjerë miq, nga Zeligradi, me të cilët kuvenduam gjer e gjatë.
Pa perënduar djelli u rëzuam në Qytezë. Ishte e shtunë mbrëma edhe fshatarët ktheheshin nga punërat, në fshat. Çerçizi u thëret ca fshatarëve, në gjuhën greqishte, që të qendrojnë edh’ ata qendruan. Si u përshëndoshmë i pyet Çerçizi, ç’kemi nonjë të re edhe qysh shkojnë me fqinjët e tyre Muhamedanë. Një nga pleqtë përgjigjet që s ka nonjë të re edhe, pas shenjavet e humbnë çdo shpresë të lirisë të cilën na e kanë kënduar andarët, sa për Muhamedanët, thotë plaku, janë gjith’ ata Tyrq që kanë qënë kurdoherë.
Kini të drejtë, ju thomi, që të qani nga këta, po mos harojmë që faji m’i math i ngarkohet qeverisë Tyrke, të Stambollit, e cila dëshëron që të mos ketë kurrë qetësi edhe vëllazëri, në vëndin tënë, midis të Krishterëvet edhe Muhamedanëvet. Këto pra na shtrnguan të marim armët edhe malet që të sjellëm lirinë të shenjtë, e cila nuku do të vonoujë.
Pa që të gjithë për këtë liri na kuvendoni po për fat të keq, thonë, liria, kaqë e dëshëruarë, nuku duket as gjëkundi. Pastaj na pyësen që të kujt Kapitani jini se tjatër herë nuku e kemi parë. U thomi që ramë në një goditje të madhe me ushtërinë, tej Kosturit, edhe me mundime arrimë gjer k tu më parë, se shuca e shokëvet mbeti prapa dyke lënë Kalanë të Abidinit vendin për të u bashkuar. Pastaj, dyke u treguar Çerçizin u thom unë që Kapitani ynë është Kapitan Xhorxhi.
Nuku kemi dëgjuar këtë emër edhe, siç duket, nuku dini as vëndet as regullat, me qënë që djemtë tanë kurrë nuku vinë pa perënduar djelli edhe pa na lajmëruar përpara.
S’ka gjesendi; thotë Çerçizi, po nuku na thoni a ka në fshat nga shokët t’anë?
Njënatëzaj ishin katër shpirt, përgjigjen, po sonte unuk dimë në ka ose jo.
Atëhere, thotë Çerçizi, le të vraponjë një përpara për të lajmëruar goxhabashin që të na bënjë konak, pastaj neve dyke kuvënduar arrimë ndanë fshatit. Atje kishin dalë shumë burra edhe djema që të na shihnin edhe, me të afruar, na pritnë me një mir’s’ardhtë greqisht. U përshëndoshmë edhe ndezmë cigaret dyke pritur goxhabashin kur në vënt të tij vjen pojaku (dragati, bekçiu ose ruajtësi) dyke na thënë që goxhabashi ishte i sëmurë, edhe nuku vjen dot. Atëhere pregatitni juve një konak u thomi edhe shkojti pojaku.
Abazi kishte mbetur prapa prandaj mbeti i habitur dyke dëgjuar që kuvëndonim neve greqisht, kur se ata flisnin, pa dyshim, shqip, andaj me zemërim u thotë: E pse nuku kuvëndoni shqip, ore, a po e kini për turp?
Të xbuluar, prej Abazit tonë, thotë Çercizi që edhe neve e flasem shqipen pa si jemi nga Epiri, mirpo këjo çfaqje i kalli në dyshim edhe zunë, njëri pas jatrit, të shkojnë e të na lëne vetëm me ca djema të vegjël. Pritmë gjer sa u ngrys po më kot, se pojaku nuku dukeshe të vinjë të na thotë për konak, kur një nga çunat e mbeturë na thotë që munt të vinim e tek ata, në shtëpi, po djethinaj brema kishim nga andarët që nuku dinë shqip.
Me të parë që do të mbeteshim përjashta i thomi çunit të na shpjerë në shtëpi të tyre, ku gjetmë t’ëmënë, një grua e ve, me jë bijën ktheur prapa me dy foshnja, me qënë që burri i sajë i ishte martuar në Greqi. Na urdhruan brënda të gjorat edhe, pas zakonit, na përshëndoshnë dyke mbeturë të kënaqura se mereshim vesh në gjuhën tonë. Pritmë që të vinte Thomaj siç quhëshë pojaku, të cilit i kishim dhënë të holla për të na blerë gjësendi të ngrëna, po vonojti dyke thënë që nuku gjen gjekundi. Pa fjalë i kupëtuam fort mirë këto të vërtitura, prandaj i thamë që të shkonjë po nesër pa gdhirë të vinjë të na xgjonjë.
E zonja e shtëpisë na shtrojti të hamë, nga ato që kishte, po na kënaqi më tepër se me bakllavara.
Si kuvënduam edhe pakëzë na lutet që të xgjohemi ca më shpejt se ka për të vajtur në Sinicë me qënë që gdhiheshe Shën Mitri edhe e meshonin në Sinicë. Ranë shokët edhe flejtnë përveç meje, që kurrë nuku flinja tek do, po të flinim në për shtëpira, aqë më tepër këtu ku na kishin ngjarë episodet e ditës. Pas mezit natës xgjojta Çerçizin edhe shokët edhe u thom të pregatiten për të shkuar, se e ndenjurá tonë në këtë fshat ishte e rezikçme.
Si u ngritnë shokët edhe u bënë gati xgjuam të zon ën e shtëpisë, e cila flinte lart, edhe muarm lamtumirë. Çerçizi më të shkuar e doroviti me tri mexhitka për fëmijën, kështu që tepër e kënaqur na përcolli gjer në porta, dyke na uruar udhë të mbarë edhe Zoti të na shpëtonjë nga çdo e ligë.
Si duallm nga shtëpia me shumë vërejtje edhe përkujdesje, shkuam për mest një lumi edhe muarm të përpjetën, pa ditur as neve vëndin mirë, edhe dyke ecur arrimë në një pyll me lajthi, ku vendosmë të limerjasim. Po si u hap dita mirë shohim të vinë çunat nga fshati, për të kallotur bagëtinë. Nga këta mësuam që ndodheshim në pyll të Çipanit, kështu që u familismë me çunat, të cilët i përkëdhelmë edhe i dorovitmë pasandaj dy, më të mëdhenjtë, i dërguam në fshat që të na blinin ca bukë edhe ca djathë,
Si kurdoherë që na kish përkrahur, Zoti i math, kështu edhe këtë herë na dërgonte dy përkrahës. Këta ishin Istref Verleni edhe Ali Çaushi, të cilët, me të dëgjuar që u hothmë në Devoll, po na kërkonin me gjithë anëtë e vetëm tani fati e solli që të haseshim, me anën të çunavet. Vërtet kishim dëgjuar për këta atdhetarë që kishin ndjenja kombëtare të nxehta, po uniforma, prej xhandarmerie, e Ali Çaushit na klliste në dyshim, prandaj karaulla i ndalojti që të vinin në limer pa na lajmërnar neve.
Me gëzim të math pritmë lejen tonë edhe si u puthmë e u përshëndoshmë rymë në bisedimet e ditës, për mbi çështjet tona kombëtare. Kur zuri të ngryset u-rëzuam në Verlen, fshat i tyre, në shtepi të Istrefit, i cili na mbajti tri dit e tre net, me pahir, se nuku ngopeshin dot nga bisedimet. Këtu u-çelothmë edhe u-gostitmë si jo më mirë po ishin tepër të hidhëruar se në Devoll nuku ishin përhapur ndjen at kombëtare, nga shkaku i fanatizmës po tani adhuronin Amerikën e cila përmblodhi shumë djem të rinj, sa me këtë mënyrë po shtr ngonen të mësojnë shqipen për të lëcitur letrat q’u vinin s’andë mi.
Bashkë me neve ardhë, edhe Istrefi me Ali Çaushin, gjer në Mengulas edhe hoqmë në shtëpi të Jotit Major Emin Mengulasi, dyke patur dijë për ndjenjat kombëtare. Z. e tij mungonte se ndodheshe me shërbimin ushtëriak në Janinë, po ishte një burr i urtë, shpirt mirë edhe si o i pa mësuarë kishte ndjenja kombëtare, siç nuku pandeheshe. Në këtë shtëpi gjetmë një dollap me libra shqip, dyke thënë Aliu që i ka sjellë, nga Janina, Majori për çunat.
Pa si ndejmë dy dit n Mengulas, ku kuvenduam me shumë miq, shkuam në Bozhigrad dyke na bashkuar Alin Mengulasi, Istrefi edhe Ali Çaushi. Në Bozhîgrat hoqmë në shtëpi të Nure Agajit, miku vetiak i tyre, i cili na priti fort mirë. Pa u gdhirë u ngritmë edhe shkuam, si u puthmë edhe muarmë lamtumirë njeri prej jatrit, pa u treguarë drejtimin tonë, siç bënim kurdoherë. Mirpo Istrefi nuku desh të ndaheshë, prej nesh, se dëshëronte të shoqëroheshë po, nga shkaku i dimërit, e qendruam dyke e këshilluar të jetë gati për në prenvërë bashkë me shokë të tjerë, se atëhere do të bëheshë lëvizja e madhe.
Gjithë ditënë e shkuam në pyll edhe kur u ngrys ju turmë përsëri Qytezës, ku na kishte mbetur një breng i math, për sjelljet të Qytezësvet. Këtë herë u rëzuam në kishë e cila ndodhet për mbi fshat edhe kundrej kullës të pojakëvet edhe lopëçarëvet. Çerçizi vate edhe trokiti në derë të kullës edhe një zë u dëgjua, që lart, dyke thënë që, me qënë shoku i tij në fshat e ka kyçur, nuku e hap dot po me të kthyer e sipër është. I pa duruar, siç ishte Çerçizi, u ngjit në supet e shokëvet edhe ryri brënda nga dritareja.
Tek po rinim në kollonat e kishës shohim që ngjiteshë njeri nga fshati, të cilin, sado erëtë, unë e njojta edhe me vrap ju sula dyke i thënë: qëndro Thoma se të vrava! Thomaj, pojaku i njojturi, qëndrojti edh’ i verdhë dyllë më lutet t’ e lë sa te kërkonjë dy dhi që kishin humbur, po unë i thom që le t’i hajë ujku po tinë të vish këtej që të mos na gënjesh si herën e parë. Lajmërojmë Çerçîzin i cili thotë t’e ngjitim lart si kundër edhe bëmë. Nuku shkojti shumë kohë kur vjen dhe lopëçari tjatër, i cili hapi derën edhe rymë që të gjithë brënda.
Në pyetjet q’ i bëmë Thomajt, për sjelljet e tyre u përgjigj që fshati, dyke na pandehurë ushtarë Tyrq, u trëmp shumë prandaj nuku na bënë konak edhe as të ngrëna më të holla nuku na dhanë se druheshin. Si e vumë në be e lamë të lirë që të vejë në shtëpi, po i thamë të hapnjë sytë se ke të bënjë me komitat Shqipëtarë. Pa si shkojti Thomaj i betuam edhe lopëçarët Sulon me Hasanë, nga Bozhigrati, pastaj kuvenduam, gjër e gjatë, mbi lëvizjet që bëheshin në fshat edhe për qark.
Që të rinim në kullë të gjithë kishim frikë, prandaj dy nga shokët vanë në kollonat për siguri me verejtur çdo lëvizje që të bëheshë. Pyesëm lopëçarët që në cilë shtëpi munt të vinim na thonë që në shtëpi të Dine Qiraxhiut. Vendosim pra për të ryrë në fshat edhe kësoj, me lopëçarët përpara trokasëm në shtëpi të Dines. Me të dëgjuar që ishin lopëçarët porta hapet edhe neve rymë brënda, kur një vajzë e re, 15-16 vjet, trëmbet edhe zuri që të qanjë po me fjalë të ëmbla e qetuam edhe rymë brënda, ku gruaja e Dines ishte e sëmurë.
Dinoja kish dalë nga shtëpia po ardhi me vrap me të e lajmëruar lopëçarët. Në krye u tmerua, dyke na parë neve, po neve e përqafuam, vëllazërisht, edh’e siguruam që të mos ketë fare nonjë frikë. Urdhrojti të na shtrojnë tjatër dhomë edhe ajy shkojti, pas urdhrit tonë, të lajmëronjë goxhabashin që të mbledhë krerët e fshatit edhe, bashkërisht, të vinë të hasen me neve. Dineja hthehet e na thotë që nuku munt të vinjë, me qënë që ka frikë prej qeverisë. Atëhere i shkrojta unë Nikollaqit, siç quheshë goxhabashi, një biletë, greqisht, në të cilën i thosha që ajy është përgjigjës për çdo që munt t’i ngjasë fshatit. Pas pakë kohë vjen Nikollaqi, bashkë me fshatarët, edhe biseduam gjër e gjatë, pastaj si u treguam programin e qëllimín i betuam. Në Qytezë gjetmë edhe ca djema atdhetarë të cilët lëçitnin fort bukur shqip, prandaj u dhamë mjaft libra për të lëçitur.
Si hëngrëmë darkë na përcuall, me dashuri, edhe na dhanë e pojakuu për udhëtregonjës gjer në Sinicë. Këtu i mblothmë së bashku, Muhamedanët me të Krishterët, edhe si u treguam programin i vumë të betohen. Tek po bisedonim na lajmërojnë që një ushtëri, prej 200 shpirt, ka retkuarë Bozhigratin, për neve, edhe frikë është mos vinë në Sinicë. Me këtë rast muntmë të çmojmë trimërinë të një gruaje, e cila, me të parë që burrat u frikësuan shumë, u thotë: për se trembi kaqë shumë? Le të urdhrojnë edhe ushtarët që të kupëtojnë se dimë t’e japim shpirtin, edhe neve, ashtu siç duhet!
Më të ngrysur shkuam, si muarm lamtumirë, me qëllim që të vinim në Dishnicë, po, mjerisht, një errësirë e madhe edhe një furtunë e tmeruarë me shi na bëri të humbasëm udhënë. Ishte një natë nga më të këqijat, që iqnim, se dyke u lënë në fat po udhëtonim në arati kur, me mundime të medha arrimë në majë të malit. Këtu ishte qiameti se na zuri një dborë me furtunë, e cila na perëndonte në qell. U hoqmë në një përua që te mproheshim edhe bëmë një zjar të math që të ngroheshim edhe thaheshim, po më kot mundoheshim se era e marë nukë na linte, kështu që të mos ngrimë muarm udhën, verbërisht, kur dha Zoti, për fatin tonë, të dëgjojmë zënë të gjelave që të këndojnë.
Gëzimi ynë ishte i patreguarë edh’ u-lëshuam në atë drejtim kudo që të na shpinte. Të mbytyrë në baltra edhe të ngrirë akull rymë në atë fshat, të paditur, edhe trokitmë në porta të një shtëpie. Një grua dolli në dritare edhe pyet: cilët jini? Njerës të mirë, përgjigjemi, pa kush dëgjonte? Ju lutmë dyke u betuar për Krishtin edhe për kungatë po më kot ishin të gjitha. Vamë në tjatër shtëpi po edhe këtu nuku deshnin prandaj, të dëshpëruar, deshmë të thyejmë derën, me qënë që ishim kaqë të ngrirë sa me zor të math mbanimë armët në duart po një nga shokët na ndalon se kishte parë një njeri që shkonte. Me vrap e zëmë edhe, domosdo, na shpuri i gjori në shkolla të fshatit, ku ishte mësonjës, edhe na bëri një zjar të math ku u ngromë edhe u çkriftuam mirë.
Pa gdhirë mirë e dërguam të thërese goxhabashin të vinte që të na bënte një konak, kur kthenet mësonjësi e na thotë që goxhabashi nuku munt të vinte, nga shkaku se në shtëpi të tij ka shtatë xhandarë, andaj na këshillonte që të shkonim nga fshati. I dërguam fjalë që ajy duhet të na bënjë konak pa po të kenë qef xhandarët le të urdhrojnë!
Në mëngjes vjen Todi, goxhabashi, edhe na thotë që xhandarët, të cilët ndodheshin në shtëpi të tij, na dëgjuan kur trokitmë neve në shtëpin’ e dytë, prandaj thotë, nuku mar as nonjë përgjigjie përsipër çfarëdo që të ngjasë. Me të vërtet goxhabashi nuku gënjente, po, siç ishim neve ku munt të vinim ditën, preferuam të qëndrojmë andaj i thamë të na bënjë konak. Atëhere thiri pojakun edhe i thotë të na bënjë konak në një shtëpi ndanë fshatit, siç i thamë neve për çdo ngjarje.
Me qënë që goxhabashi kishte punë me taksimdarët (mbledhësit), na kërkojti ndjesë që nuku munt të rinte me neve, po besonj, tha, që gjer më drekë horë të mbarojmë, këtu në Gjyres, edhe t’i përcjell. Po do t’u dërgonj nga fshatarët që të mos u mërzitni vetëm. Me të vërtet na dërgojti mjaft Gjyrëzezë me të cilët kuvënduam gjer e gjatë. Midis tyreve ndodheshin edhe ca të rinj me ndjenja kombëtare, me qënë që punonin në Mali Shenjt edhe ishin predikuar prej patriotit, Oshenar Gjergj Panaritit. Pa si kish përcjellë, taksimdarët, ardni edhe goxhabashi, i cili na solli të falura nga dy xhandarë. Biseduam gjer sa u ngrys pastaj, si hëngrëmë bukë, muarm lamtumirë edhe shkuam.
Që nga Gjyrezi muarm malet edhe dyke shkuar nga Gur’ i Capit arrimë në Dishnicë edhe hoqmë në shtëpi të Jaup Beut, i cili na priti fort mirë. Atë ditë bëheshe, në Korçë, dasma e Sami be Pojanit edhe me gjith k të, me të mësuar për neve, vrapuan me araba edhe më kembë shumë atdhetarë. Dishnica mban gjysmë ore prej Korçe prandaj nuku qendruam përveç se atë ditë edhe ngrysur shku m për n Teqe të Melçanit.
Midis atdhetarëve që ardhë për të u hasur, në Dishnicë, ishte edhe një djalë i ri, i qojtur Ferit be Frashëri, i cili me të na shëkuar neve nuku donte që të ndaheshe as një pëllëmbë. Shkuam pra së bashku po baltrat e mëdha, hendeket si edhe errësira na pengonin shumë prandaj, dashur pa dashur, u-shtrënguam të kthehemi në Orman Çiflig, 20 sekundra prej Korçe, në shtëpi të Vangjos, i cili kishte atë ditë edhe dasmë se martonte të bijën. Me gjithë këtë nde më në kullë ku dëfryem edhe me dajiren dyke lojtur, Çerçizi me shokët edhe me Ferit benë, edhe valle.
Si hëngrëmë darkë, shkuam edhe, duke ecur gadale, arrimë nga të gdhirit në Teqe të Melçanit. Në Teqe ndejmë pesë dit ku Shenjtëria e Tij, Baba Hyseni, na priti, gostiti, ndihmojti edhe na bekojti. Shërbimet të Shënjtërisë Tij nuku tregohen dot, se Baba Hyseni është një nga patriotët e mëdhenj edhe një shtyllë për lëvizjen kombëtare, prandaj historia kombëtare i detyron faqe të arta Shenjtërisë Tij. Në Melçan ardhë plot atdh tarë, prej Korçe edhe prej qarkut, që të haseshin me neve. Midis tyreve nemëronj Cilkën,
Lizo Progrin, Fuat be Dishnicën, Vangjel Gjikën, Jaup be Dishnicën, Aleks Koçin, Simi be Pojanin, Viske Gorguzi, Lutfi edhe Memdu be Zavalani, Tasi Gramenua, Hasan Selfo be Polena, Thomi Fali, Kristaq Aristidhi, Gaqi Thanas Viso, Bejlerët e Goçës edhe shumë të tjerë.
Dervishlerët, ca atdhetarë të vërtetë, mbushur plot ndjenja kombëtare, nuku dinin qysh edhe qysh që të na kënaqnin më mirë. Midis tyreve ndodheshe edhe një Dervish i ri, Zylfo, pa i dirsur mustaqeja, i cili dëshëronte të shoqëroneshe me neve, po i thamë që është dimër edhe më tjatër anë, me anën të Teqesë, i shërbeni më shumë çeshtjes kombëtare. Dervish Zylfoja është i nipi edhe trashëgimtari i Baba Hysenit.
Si i puthmë dorën Baba Hysenit e muarm lamtumirë nga Dervishlerët shkuam, në Polenë, të bashkuar me Ferit benë, Hasan Selfo benë edhe me Jaup benë. Këtu hoqmë në shtëpi të priftit, i cili u trëmp shumë në krye po pastaj u gëzua tepër nga bisedimet edhe me kënaqësi të madhe desh që të qendronim nja dy dit, po neve shkuam për në Korçë.
Ishte një natë e errëtë, me erë edhe me shi, kur u rëzuam nga Polena në Korçë edhe, të lagur qull hoqmë në shtëpi të Cilkës. Këtu ardhë përveç atdhetarevet edhe të çkëlqyerat, atdhetare, zonjëzat Sevasti edhe Parashqevi Qirjas si edhe zonjëza Fanka, mësonjëset të shkollës së çupavet. E palodhura atdhetare Ekaterina Cilka, zonja e Cilkas, na jepte edhe këshilla për rojtjen tonë komitare, pa si kish ndenjur 6 muaj me komitat Bullgarë, kur e muar penk bashkë me Amerikanen Miss Stone.
Në malet pra lindi zonja Cilkë edhe nji çupë, të cilën e quajnë Lencë, plot shpresa për pritmjen e atdheut. Zonja Cilkë na qepi edhe nga një qese të madhe për të vënë bukën, dyke thënë që therimet le të mblidhen se munt t’u duhen në nonjë nevojë. Sa herë edhe sa nuku uronim zonjën Cilkë, se me të vërtet kishim mbetur kaqë herë pa bukë, nga shkaku i ushtërisë.
Që nga Cilka vamë në shtëpi time, për mest qytetit, dyke patur përpara Ferit benë, Kristaq Aristidhin edhe Gaqi Thanas Vison, ku na prisnin prindërit edhe vëllezërit e mij. Pa fjalë që u-gëzuan shumë po edhe u-helmuan kur më panë komit, me mjekrën e e me leshrat e ghata. Në shtëpinë tonë nuku mbeti as nonjë atdhetar pa ardhur që të haset si kundër qe bëmë edhe kaqë herë mbledhje me rëndësi. Ishte pra një çudi e madhe që shpëtuam pa ngjarë gjësendi. Po mbi k të i detyrohet fort shumë edhe atdhetarit Beqir Progrit, i cili ishte Kryekomiser i Korçës asi kohe edhe, domosdo, mbyllte sytë edhe veshët.
Ndejmë pesë dit në shtëpinë tonë, ku u lamë edhe u ndruam, pastaj, me qënë që qeveria zuri të kupëtonjë, muarm lamtumirë edhe shkuam të bashkuar me Feritin, Kristaq Aristidh edhe Gaqi Thanas Viso. Tek përçanim qytetin një patrullë ushtarë rëzoheshe nga Mitropolia e na thiri qëndroni! qëndroni! po neve dyke dredhur rugën muarm ca ngushtësira edhe duallmë në Shen Thanas një bregore për mbi Korçë.
Si u puthmë, me trimat edhe guximtarët atdhetarë, u ndamë dyke u-rëzuar ata në Korçë edhe neve, dyke u ngjitur malit, në Shën Ili të Mborjes. Këtu ndejmë një dit ku ardhi Fetahu i Qinamit edhe na rojti mjekrat. Më të ngrysur u rëzuam edhe dyke shkuar në për arat duallmë në sose Korçë-Kolonjë. Mjerisht, për veç Abazit, na u sëmur Çerçizi, në Dvoran, kështu që ishte e pamundurë të kapërxenim Qarin atë natë. Vendosmë pra të qendrojmë në Bellovodë, në han të Baba Qazimit, ku Shahini, i zot’ i hanit, na priti mirë. Mjerisht atë ditë ishte bërë një përpjekje midis andarëve edhe me ushtërinë, në Lofkë, të cilët dyke na pendehur neve u-përpoqnë me andarët, kështu që më të kthyer deshnin të kthenen në han, po Shahini i përcolli dyke thënë që s’ka vënt me patur haremet brenda.
Ushtëria mori rugën e Korçës edhe neve, me qënë të sëmurë Çerçizi me Abazin vamë në Floq, në shtëpi të Ibrahimit edhe Ahmitit, me të cilët isha mik i afërmë që nga Misi i ku kishim bërë bashkë. Me qënë mik në Misir na priti i vëllaj i tyre i vogëli, Shahua, i cili na priti edhe gostiti mirë. Nga Floqi shkuam për në Elmas, me gjithë që binte shi, edhe hoqmë në shtëpi e Rapo Beut. Rapo beu në krye nnku desh të na priste brënda, me qënë që kish ca mjeshtër që punonin, po si pa Çerçizin edhe Abazin të sëmurë na priti dhe gostiti si tjatër herë.
Që nga Elmazi vamë në Qinam ku ndejmë nja tri dit, në shtëpi të Fetahut edhe Mehmetit me të vëllezërit e tij, të cilët na pritnë edhe gostitnë mirë. Këtu u hasmë, me shum atdhetarë, se Kolonja është djepi i ndjenjavet kombëtare po, për fat të zi, e përçarë, nga shkaku i grindjevet edhe armiqësivet që mbretërojnë, midis vëndësvet.
Nga Qinami vamë në Starje edhe hoqmë në shtëpi të vllazërisë, të Mehmetit, Ibrahimit Arsllanit edhe Batos, të cilët janë ca djema të mirë, të urtë si edhe ca atdhetarë të flaktë. Këtu u hasmë me shumë atdhetarë midis cilëvet edhe me Abdyl benë një atdhetar i ditur edhe i mësuar. Që nga Starja vamë në Selenicë, ku na priste Bido beu. Bido beu ishte oficer në ushtëri, po patriotizmën të këtij atdhetari fort rall e kisha gjetur në gjithë shëtitjet. Na priti e gostiti fort mirë pastaj u kthyem prapë në Starje, në shtëpi të vëllazërisë të Mehmetit.
Këjo shtëpi ka bërë shumë therorira edhe ka sjellë shumë shërbime, mbi altarin të atdheut, se kurdoherë këjo shtëpi ishte e hapurë për komitat kombëtarë. Po, përveç këtyreve shërbime, deshnin që edhe me jetën t’e mbushin detyrën prandaj një nga djemtë, i dyti, i qojtur Asllan desh që të shoqëroheshë me neve. E ëma u bint edhe i dha lejë pastaj, dy e i dhënë urimet i tha: or bir më mirë të të dëgjonj të vdekurë se sa të më turpërosh! Rëmbeu armët, Asllani, edhe q’atëhere u bë shoku ynë i pandarë. Djalë i ri, 20 vjet, ishte prikosurë me virtuta të mira, trim, i papërtuarë, i urtë edhe një atdhetar i vërtetë.
Tani edhe me Asllanë bashkë muarm lamtumirë edhe vamë në Goshtivisht, në shtëpi të Gaziut, ku ndejmë tri dit me qënë që prisnim robat, si të xhandërmarisë, nga Korça, që na kishin porositur atdhetarët. Me të vërtet të tretën ditë ardhi Fetahu me robat, të cilat, me të i veshur, nuku na ndanin as pak nga xhandarët. Një lajmë na vjen që një ushtëri po vjen për neve, kështu që me vrap shkuam pa zënë të ngryset mirë, po me të dalë jashtë fshatit një shi i math na zuri e na bëri qull. Me gjithë këtë po ecnim që të arrinim lumin, pa ardhur shumë, e t’e kapërxenim po ishte e pa mundur.
Rymë në lumë, dyke u zënë dorë pas dore, gjer në mest kur shohim në rezik edhe kësisoj u kthyem prapë. Për fat ndodheshë një mulli i prishur edhe rymë atje ku ndezmë një zjar të math që të thaheshim.
Në mëngjes shtërojti, pakëzë, lumi edhe shkuam m’atanë në rëzet e Radomit. Muarm të përpjetën edhe duallmë në majë të malit, ku na priste një furtunë e madhe me dborë.
Ndejmë gjithë ditën në Radom pa mundur të ndezim zjarë nga shkaku i erës e vetëm me të ngrysur u-rëzuam në Kurtez për të ngushelluar Laskën për Sakon edhe nipin e tyre, të cilët ishin vrarë, për fat të zi për të shkretën armiqësi! Këtu gjetmë Fehimin, nga Orgocka, një burrë i verbër po fort i ditur edhe atdhetar. Ndejmë tri dit në Kurtez, gjer qendrojti furtuna e madhe me dborë, pastaj shkuam për në Frashër.
Mihal Grameno