Pjesë e parë
§ I.
«Masi nuk munn u quëka nieri as shtâsë as hyjnii, nevoja e shtŷn qi t’rreket e t’perpiqet per me lypun fatin e mirë t’jetës e argtimin e vet nner shokë.» (Aristoteli).
«Vetë natyra e shtŷn arrsyen e nierit, qi t’ketë t’mârrë e dhâna me shokë.» (Ciceroni.)
Shka âsht nieri?
«Asht nji nnertesë e shkatrruëme e lakuriq, qi paa nnîmë t’natyrës jet krah kput: nevojaar i nnîmës s’huëj.» (1.)
Nieri âsht nji t’kênun i morit, i tukejëm edhe i lânë nner krajata t’zeza n’mnnyrë t’nji shtâsës; e me e lânë vetun, bâhet gadi-gadi si shtâsa. — Me gjith ktê, munn t’bâhet i vjefshem, i fuqiishem, i madhnuëshem e i dijshem, i nnîmuëmun prejë krahit t’shoqit.
Shka âsht nieri n’ t’ leemt e vet?
Mûnn e mênnojmë si nji kafshë t’pa-arrsyeshme: leen cullak, i kalamênn, i pagojë, e gjith e zeza qi munn t’mênnohet n’t’leemt, leen me tê. Per ket arrsye aj gjinnet n’nevojë per gjith shkaf, gjithshkafja i mêngon; n’mos u gjetët kush me ja njitë doren n’kto mêngime e nevojë, aj do t’jese si nji cnuk, masi me folë s’din, e me lypë s’mûnnet. Praa vetë natyra e ngushton nierin qi t’ketë t’mârrë e dhâna me shokë.
A thue rrshita, a mos gabova?
Nà dijm, se nieri qi trajtohet prejë dashtmimit t’Pêrennîis âsht i arrsyeshem! Po! ksajë s’vertetës edhè une i vêhem; persè, lêne vetun at foshnje qi leu tashti, mos u perkujdes per tê mos ja veshtrò vajin, e do t’shofish se ajo arrsye qi leu me tê, kaa per t’metë e errme e per t’u shue kaa me tê. - Nysh, i duhet nji msuës qi t’a mkâme e t’ja shfilloje mênnen e shisen.
Kush munnet me mrrîi me ja vûu per fije veshtrimin, e me i msue permajtat e mêndimit, t’folunit, etr. ?
T’siëllet ke t’ siëllet nieri i ngratë, paa shokë nuk munnet me pasë t’ gjallët! Foshnjes, por saa t’leje, i duhet afer nnokush: ajò do ngjii, do laa e do nnrrue e saa t’filloje m’u rritë, i duhet fllaku (tamliku=rrethi) per me e vaditë qi t’qinnroje m’kâmë; do mârrë per dorë, per me e msue qi t’i nnroje kâmët e t’trimnohet me hecë, i duhen kallxue sênnet, e ajo gojë mamaçe i do çilë. T’gjitha i duhen diftue. E n’t’tana kto, do t’i prîe i rrituni, shoqi i vet.
A mûnn e mênnojmë nâ natyren aq mizore, e qi, masi t’leje nieri t’a lânë m’at kâmë krajatet e mos t’i gjinnet kush me ja njitë doren? A kishte me mujtë me mrrîi mje m’at skâi natyra, e mun m’at hov qi na ngushton mjerimi, e jeta e jonë rrin e vjerrë n’fille t’pênit, e mos t’na gjinnet me dhântii t’veta, qi na duhen, paa nnryshim, per m’u mkâmë e m’u rritë?
Jo! gjith ket mizorii, jo qi nuk mûnn e mênnojmë m’natyrë masi ajo vetë don qi t’i gjinnena shoqi shoqit nner nevojë, por âsht edhè urdhni i natyrës qi t’i nnîmojmë t’afermit t’onë.
A na mèrr mênnja se mûnn t’bâje e mûnn t’jetoje nieri vetun e paa shokë edhè kuur t’rritet e kuur t’bâhet i zoti i vedit?
Po xâam tashti, se nieri u rrit, edhè i hodh prejë vedit lvere e shpergâj, vetë mênnon, vetë pûnon, e vetë fiton, a se, si thonë Shqyptarët, u bâa:» njizetë, pushkë; tridhetë, ujk; dyzetë, kuptimi; pêsdhetë, skilë!!.
A na ve mênnja se mûnn t’qinnrojë paa nnîmë t’shokve, edhè pse daan burrë krahëfortë e mênnçaar?
I mjerë mii t’mjerë kishte me kênë paa shokë Me gjith fuqii t’krahëve, me urtii, pûnë e fitim kishte me metë si gogla mii ujët. Prannêj goja e Shqyptarit t’moçem pat thânë «Trimi i mirë me shum skokë, (2) —
Shka kishte me i nnollun nierit me kênë se jet qyqe vetun n’ket jetë e mos t’shofë nji frymë t’gjallë?
Shka kishte me i nnollë!? Kurrgjâa tjeter, posë n’ju kaa raa me paa mizen paa krye si siëllet, âshtù kishte m’u sjellë edhé nieri. Gjith diten kishte me luëjt termal teposhtë, si i hutue mênnç e paa i dalë m’u nneshë m’kânn per me çfryë zêmren e vet. S’kishte me lânë male, fushë, gjytet as katûnn mje qi kishte me mrrîi me gjetë donji shoq. — Qe nji pasqyrë:
Po xâam se une qi po shkruëj kto pûnë, o atdhetaar vllaa, meta i curk vetem n’Shqyptarii t’onë saa âsht e gjânë edhè e hapët kryq e terthuër; m’i nniqni shtiqet, e vêni oroë se shka do t’msoj, e ke do t’maroj ashtu i vorfënue shokësh.
— Msyna gjytetin hîna mrênnë, por e gjeta t’shkretnue. Vojta n’katûnn, e gjeta mâa zii se t’parin trajtiish rrênue, e s’shifshe tjeter, posë do sharânash e gamere gurësh si t’ishin marâna! Xûu me m’rektue zêmra, e si nierin qi e lên mênnja, ja solla shpinen edhè katûnnit e dola n’fusha, por edhè kto i gjeta t’mluëme prejë ujënash; prroje e lume t’dalë âmet e kishin pasë mârrë dheen, per ngâjë qi govadna e lugje per t’cillat rrjedhshin ujnat ishin kênë mushë. U solla per rreth nja disaa herë, e si i hutue i sgavroshe syyt tuj soditë kuur m’rane per syysh pêmë e bimë tjera, por edhè kto t’egrue e t’bâme gajushë ferrash. Qyshë se u shduk nieri toka met e djerrë, pêma e drûja nuk u pertrîi as nuk shkemoj mâa me hjeshii t’hershme. Tuj paa gjith ket shemtim natyret, m’hîni friga, e jeta m’u mnerue, sidomos kuur paash se zagorija e ujqve edhé e egersiinave tjera, ishte kênë lishue neper fusha, e nneri shtâsët shpijake ishin kênë bâa mâa t’egra se t’egrat, e butësiën e vet e kishin pasë nnrue.
Me fjalë t’shkurta: nuk shifshe tjeter rreth vedit, posë shkretiis s’mneershme; nuk nnîshe tjeter, posë brimash, ulurimesh, gerthitmesh e fishkllimin e gjarpijve edhè t’egersiinave t’terbuëme. S’paçë me kê m’u argtue mâa, m’hypne dnesët e kokrrat e lotve m’u lishuëne rrkajë per ftyrë; m’la zêmra e jeta m’u idhtue, dishroshe edhé une m’u hjekë kso jetet e me shkue mas shokësh! Jeta âsht e âmël po, por une thirrshe deken edhé e lutshe qi t’m’çote ke shokët tjerë. E lutshe deken, por nuk ma veshtrote vajin: edhé ajo dukej e idhnuëme kunnra mejet, e dote me m’lânë qi t’hjekshe e t’mrrîshe me mârrë vesht, se saa vishtiir ishte me kênë i vorfnue shokësh.
Kahë t’ja majë tash? Vetë me vedi t’flas?! Fialët e mija nuk ma bishin donji gzim; zêmra e jême gjinnej mâa e trazuëme prejë valash, se ato qi perplasen n’deet n’motna mâa t’vshtira e mâa t’mnershme! M’vete mênnja me msyy ket a at skâj botet, por kahë m’bite nner mênn se ishe vetun, friga m’i këputëte giûjt. — T’i platasem malit; porsè i shifshe me syy t’kerveshunat e egersiinave, qi me dhâmë t’sgerdhye e me gojë t’haprruëme rrishin t’shtrîime shtiqeve, tui pritë gjutiën e vet. – T’a drejtoj hâpin kahë fusha; por edhè ktê do t’a gjâjë t’bâme deet. N’t’djathten e n’t’shmajten, para e mrapa shtiqet i shifshe t’nnrye. Kânnet e dheu muzg e errsii m’u dukëshin! Xûu me m’u bâa dita njimii! Fillova me bertitë me saa zâa qi kishe n’krye e me thirrë nnokânn, por kush do t’m’u pergjegjte?! Ushtimin e zânit t’êm e nnîshe, i cilli, grykë m’grykë derdhej si nji gjâmë. — M’muër ûja, e rrishe tuj pritë, palè a do t’shtrîhej donji dorë bâmire me nji thermikë buket, porsé kot m’rrête mênnja! — U laskarova petkash, u bâne mishët e kalit, meta lakuriq, e aq u molisa, qi s’ishe i zoti mâa per farë-gjâjet. Shpirti m’mrrîni n’fyt prejë merziis, e mas saa rravgimesh, u smûnna, e as m’ket mjerim s’u gjet kush me m’nnîmue. — Vetun, i lânë e i harrue: u lodha, u kputa, u thava si nji krânne, u sburita, e ne mram m’la fuqija, m’u err arsyja e u bâna pak gjâa mêngu shtâset. — M’pushoj s’rektuëmit zêmra, e diqa, si mo’, Zo’, mâa keq! Njekso doret i shkon jeta nierit t’daam shokësh. - Hec e thuëj, praa, se mûnn t’jetojsh paa shokë e shoqnii! —
A na u mush mênnja tashti, se nieri paa shokë e shoqnii âsht si peshku paa ujë? A besojmë tash, se paa nnîmë e krahë t’shokve, s’kishim me kenë t’zotët e far sênnit? — Praa shoqnija âsht e nevojshme n’daçim per pûnë, per nnîmë, per msim, per roië t’nnermjedëshme, e n’daçim per me pshtue prejë rreziqesh qi na gercnohen e per me i gzue t’mirat e jetës paa frigë. E si nuk mûnn t’i gzojmë t’mirat e jetës paa shoqnii per arrsye qi permênnme, ashtu edhè jeta e jonë, nuk kishte me kênë jetë por hjekë paa shoqnii. Vetë pûna na mson praa, se nieri kaa nevojë per shoqnii, jo veç saa t’jetë m’kâmë t’vogla, por edhè se kuur t’rritet s’ûnn bâje paa shokë.
«Nieri i vetun i tretun. - Trimi i mirë me shum shokë. - Nji gurë s’bân murë. - Nuk mahet shpija m’nji shtyllë.» (3.) -
§ II.
«Njaj qi u kthen shpinen detyrave qi i perkasin shoqniis, âsht i ngratë e mizuër.»
— Mark Aureli
Nuk m’duket sênn i nevojshem qi t’a tjerrim mâa hollë pûnen, per me diftue, se nieri paa shokë âsht si nji gjymtyrë e paa shpiirt, e se e lidhë detyra e natyrës qi t’shkojë mas atii rênnit, qi ajo vetë u kaa dhânë si kafshave frymore ashtû edhè t’pafrymoreve, qi t’i binë mrapa shoqniis, e detyrave, qi ksajë i perkasin, t’u pergjegjet.
Mos pritò, o vllaa atdhetaar. me drejtue kryet, e kullote me syy hapesien e asajë lâme, qi lot me lot âsht tuj t’mlue, e soditi ata gur t’paçmue qi jânë hyjt: saa bukur shnnrisin, vetojnë e qësin xhixha, tuj bredhë pa prâa nji herë, e me hieshii t’vet na knaqin zêmren! Edhè atà dalin n’shoqnii, e i napin gjith at hyjrii e shkelxim asajë kupë, qi shtrîhet mîi nee me at madhnii.
Tash sjelli sypt rreth vedit: a shef ato kroje e prroje, prroska e gurra e nneri rrjedha t’vogla? Veshtò si vrêngllojne e tuj rrnye me njî kânnje, se cilla pikë turret nner vala lumesh, e kta me nji knaqë e madhshtii t’kânnshme, t’shoqnuëmun e t’trimnuëmun prejë shokësh, rrnojnë rrpînen e vet e derdhen n’gjii t’asajë âmë qi âsht deti. —
E nieri? Ky qi âsht i falun prejë Zotit e prejë natyret i arrsyeshem e me nniêsii dashtnijet, mûnnet e guxon me nnêjë vetun e i daa shokësh? Mos kjoftë e mênnuëme e jo e thânun kjo fjalë!
Prejë se âsht xânë jeta, vargu i stinve t’motit e kavaljete t’shkuëme, na rrfejnë lidhnien e dashtnien e shoqniës nner nierz. Lidhnien e shoqniës na e dishmojnë gjytete e katûnne, na e biin para sypsh germile rrênimesh, qi shifen kahë-mos edhè n’kto kohë t’ona; na e dishmojnë kome, giûhe, doke, kanune, pleq, qevertarë, sunnimtarë, mreten e perannorë. Kishin me mjaftue kta êmna, per me na mushë mênnen, se edhè n’mâa t’egrat kohë, lidhnija e shoqniis kaa pasë sûnnue nner nierz.
Masi t’gjitha kavaljetet na flasin mii ket bashkim e shoqnii, t’gjitha lagjet, komet, e fiset e t’kater ânve t’jetës, na duhet me besue, se kjo e terhjekme per shoqi shoqin rrjedh prejë natyret e me nee leen. — Shoqnija âsht palca e jetës s’nierit.
Shoqnija âsht aq e moçme saa âsht i moçem i Lumi i jetës; nner nierz kaa xânë fiill n’Eden, e si nji varg i pa-kputë kaa mrrîi mje’ m’nee, e kaa per t’qi nnrue m’kâmë nneri qi t’jesë toka paa nierz. Me mênnue nierin paa shokë e paa shoqnii, kishte me kênë si nji ânnerr qi shifet n’zjarmii t’etheve, tuj kênë se kjo pûnë i kunnershtohet natyrës. Nieri qi âsht nevojaar prejë natyret, i duhet, do e mos, me dashtë atê qi mûnn t’ja njesë doren.
Sikursè natyra e detyron nierin qi t’ketë t’mârrë e dhâna me shokë, m’at mnnyrë e detyron qi t’u pergjegjët detyrave qi i perkasin shoqniis. —
M’nji ngac t’madh kishte me nnollë natyra, me kênë se don nierin hêm t’shoqnueshem, hêm t’i napë lejë qi mos t’u vênë mênn detyrave qi e majnë m’kamë shoqniën. — Por s’âsht ashtû: si na urdhnon e si don natyra me na paa t’shoqnueshem, ashtû na shtypn e na detyron qi t’i majmë ato detyra qi na msojnë se sì mûnn t’i ruejm permajtat e shoqniis e t’dashtniis s’nnermjevedëshme paa fye shoqi shoqin.
Veshtroni, o atëdhetarë, zânin e natyrës! Qe, si flet goja e sajë zêmrës s’onë: — O nierz, une due me ju paa t’shoqnueshem, e per ket arsye, ju vêe leçii gjithshkaf kishte me muëjt me ja shkakue donji trazim shoqniis, e m’nji ju urdhnoj me marrun mrapa at shtek qi ja siellë t’maren shoqniis. — A nnieme? dyy detyra na i vên para syysh natyra me nji fjalë gojet: = me bâa mirë, e mos me bâa keq = Mos me i bâa shoqit shka s’na kânne vedit, e me i bâa shoqit atê qi dishrojmë per vedi. Mâa shkurt: Mos i shko n’qafë shoqit, nepi shkaf i perket, e jetò nierxisht. Mii kto âsht ngrehë ajo nnertesë e madhnueshme qi i thonë shoqnii, njeky âsht kanuëni i shoqniis e i krashimit t’sajë. N’krye t’gjithave âsht nierzija. Shoqnija e nierzija jânë dyy fjalë perlatore e nierzija âsht qi e shtyyn nierin n’dashtnii t’shoqit, e ato nnîsii qi zoja natyrë na i kaa dikue n’zêmer t’sejcillit nesh, na i nnêzin zêmrat n’nnerim t’shoqi shoqit, qi t’mûnnohena s’bashkut m’u ruejt prejë çdo marrîjet qi kishte me muëjt me na zezue ftyren. "Njâna dorë laan tjetren, e t’dyja. faqet. — Kuur t’a haash pulen e shoqit t’ânn, t’ânnen t’a keesh t’lidhë per kâmë. — Dora e thatë s’kaa uratë — Kush davtë, kjaftë e kurr mos knnoftë!» (4) —
§ III.
Mos i shko n’qafë shoqit t’ânn.
Jeten e shoqit t’ânn, masì âsht themeli e gurra prejë s’cillës rrjedhin t’mira, t’duhet me e nnerue, e t’a majsh si nji gjâsênn t’çmuëm. Praa, mos prek n’nneer t’shoqit, persè nji jetë e dytë per nieri âsht nnera, edhè âsht e âmel asgjâa mêngut s’pares. —
Ruëju se shprrallon per kânn e se i shpife kuëj.
Mos e shajë shoqin, as mos e theer me fjalë t’zeza, e mos shtîkeq per kânn.
Mos t’i keesh nneez shoqit per kahë gjâja e pasunija; mos e zhyej doren e shpirtin me tê, masì jetesa e shoqit âsht pshtetë m’tê. «Me ja grabitë shoqit nji gjâsênn e me ja prishë shoqit nji pûnë per mirannêje t’ânne, âsht nji faj qi i kunnershtohet natyrës.» (5.) — Mos e salvò shoqin as mos e rânnò m’kurrnjì mnnyrë.
Shporru prejë vraset, masì kjo e rrênon nnertesen e t’madhit t’jetës e t’natyrës. —
Me vrasë i kputë krahtë vedit, me vjedhsii i pûnon paa rrugë shoqit e shpien t’ânne e qet n’flakë e shpirtin n’flakë t’pasosme; masì gjâja e huëj, jo veç qi s’t’bjen donji dobii nên kulm, por t’rrênon me lang e plâng. Shkurt: ruëje zêmren prejë c’do mizorijet!
Shporru prejë fitimit t’pa-rrugë, persè kû t’jenë kso rrënash, nuh mûnnen me pasë vênn nnierzija e besa e dashtnija e shoqniis.
«Me shokë t’uëj kurr mos me u xânë,
Mos me u xânë, as mos me u ngâa,
Pse n’ditë t’ngushtë kta u gjinnen vllaa
Si me pushkë ashtû me uhaa». (6)
§ IV.
Nepi shoqit shkaf i perket.
Urdhni i natyrës qi thotë: «Mos i shko n’qafë shoqit» nuk kishte mè na vjeftë gjâa, mos me kênë i pshtetun n’detyrë qi t’i napim shoqit shkaf i perket:
Mretit nepi shkaf i detyron,
Sûnnimtarve prûnjimin,
Prînnës nnîgiesen,
Pleqve nnerimin,
Vogjlimin mos e perbuz.
Mas kâmës t’shkojë prûnjimi e nnera, masì, lidhënija e dashtniis edhè e mara e shoqniis âsht e pshtetun n’ kto.
Mretent do t’ mûnnohen me mretnue paa çalue; sûnnimtarët do t’rreken me sûnnue komin me t’drejtë, e zêmra e komit do t’ u shtrohet urdhnave t’ tyne t’ drejta. Pleqt t’ dajnë gjygjë, paa majtë krah e rêe kuëj; prînnja t’ jenë zêmergjânë nnaj t’bijt, e t’ i qortojnë me dashtnii, e kta t’ i rrinë gadi nnigiesës e me krye-ulë t’ a veshtrojnë zânin e prînnës, tui kênë se zâni i prînnës âsht zâni i Perennîis; e mos t’ i majnë n’ asgjâsênn qortimet e msimet e tyne kuur mos t’ jeen kunnra ligjës s’ Tenzot. — Zotnijt t’kenë nnierzii nnaj rrogtarët, e rrogtarët t’ jenë t’ besës zotniive.
Po t’ xûu besë nnokush, o atdhetaar vllaa, e t’a la n’ dorë pasuniën e vet per me tregtue me tê, pergjegju asajë besë me gjith fuqii t’shpirtit e t’mênnës. — N’ kjofsh ti vetë tregtaar, peshen e drejtë t’ a keesh, persè, me at peshë qi t’ peshojsh, kee me kênë i peshuëmun. — N’ja folsh kuëj besen per çdo gjâsênn, mos e shkme fjalen, maje besen e folun. — Kjo mnnyrë t’ jetuemit kaa me pasë fuqii per me majtë shoqniën m’ kâmë. —
«Nepi Perennorit — shoqit — ç’âsht e Perennorit, e Perênniis ç’ âsht e Perênniis» (7.) —
§ V.
Jeto nierzisht.
Per me mujtë m’u pergjegjun si duhet, detyrave qi i permênnme pak para, lypet qi t’jetojmë nierzisht, tuj kênë se nierzija âsht zêmra e shoqniis.
M’shka pshtetet nierzija?
Un s’flas; po j’a lâa Ciceronit, e aj qe si t’pergjegjë: «Nieri i mirë — i nierzijshem — do t’ruhet prejë ç’ do marrîjet, prejë dorërrudhtijet prejë paudhnijet e prejë flligjshtijet.»
«Nieri i mirë — i nierxijshem — nji pûnë qi i thotë mênnia se âsht e nierzijshme, kaa me e bâa, edhè n’i qitët mûnnë; kaa me e bâa edhè n’ ju gerrenoftë dâmi; kaa me e bâa edhè n’e nniekët rreziku. E nji pûnë t’paanierzijshme s’ do t’ a bâje, edhè n’dijt se do t’ja sjelle fitimin, edhè n’dijt se do t’jesë i knâqun, edhè n’dijt se kaa me ja prûu donji kâmë nneret»- (8.) —
«Kerkuëj s’ i vêhet detyrë qi t’ bâhet i pasë, i madh e trim, po t’gjith jânë n’ detyrë me kênë t’ nierzijshem». (9.) —
»Nierzija na siell hirin e t’ Bukurit t’ qiëllve e dashtniin e shokve». (10.) —
Kto jânë fialët e dietarve, qi tash i nnîeve, o vllathi i êm, e persërii une, si vllaa qi t’kam e m’kee, po t’thâm: jeto nierzisht; mos i lên vênn donji trazimit, n’zêmer as donji gjygjit t’shtrêmët; mos t’qesë goja nnoj fialë qi kishte me mujtë me i fye veshtë e shoqit, ja nnoj rrênë, e mos t’jesë e rrêjtun shoqnija m’at shpnesë qi kaa vûu m’tyy e m’sejcillin nesh. Shikjo, qi mos t’a rânnojsh shoqniën m’kurrnji mnnyrë.
Madhshtija âsht sherbtoria e atii qi kjoftë larg nesh! prannêj mos i lên vênn n’zêmer t’ânne, as n’t’prûme, as n’fjalë mos ja lên hijen madhshtiis. — Mos t’pîhet mênnja, mannêj, m’at gjygjë, se fjala e jote veç do t’hece e do t’veshtrohet e jo e tjeterkuëj, e mos lyp qi veç tyy t’bâjnë — tunjâtëtjeta — e ti mos t’i bâjsh kuëj; por kunnra, diftou e maju burrë, gojë-âmel, zêmerbutë e besnik. —
T’shnnrisë m’tyy nierzija n’fjalë, n’mênnime, n’t’prûme, n’t’hecun e n’tjera.
Arrsyja e natyra na mson, qi n’detyrë jena me nnerue shoqin t’onë, mos me i dhânë nnoj shkak trazimit qetësiis s’shoqniis. — Jetò nierzisht, e jeta e jote kaa me kenë e paa fjalë; kaa me kênë pasqyra e knâqa e shoqniis.
Thame se — nierzija na sjellë hirin e t’Bukurit t’qiëllve — e pernjimênn, me kênë se u vêem mênn pûnve e permajtave t’nierziis, kurr s’kishte me rrshitë shoqnija e nierzve, e sejcilli nesh kishte me gjetë fatin e mirë e lumtimin e jetës: i ligu e krahëkputmi, kishte me gjetë fuqiën e vet n’ krahëfortin; i vorfni e i papasmi, kishte me gjetë nnîmë n’t’pasmin; i smûnni, n’ t’ shnnoshtin. — Nner sûnnimtarë kishte me nnritë mirësija: n’ gjygje urtija e drejtnija: i madh e i vogel, i parë e i mrâmë kishin me kênë t’ lidhë me nji varg dashtnijet. — Nner burra e graa kishte m’u ruëjt besa; zotnijt kishin me kênë konnên me rrogim t’ rrogtarve, e rrogtarët kishin me rrogue paa dredhijna. Knnêj kishte me flakrue dashtnija, annêj qetësija; knnêj kishte m’u majtë m’ kâmë flamuri i ngadhnimit e drejtnija, annêj kishte me reshë prejë qiëllet gjith e mira qi dishrohet.
Atëherë po kishim m’u pergiaa gjymtyrve t’ shtatit, t’ cillat m’ nji hov siëllen, pûnojnë e fitojnë, e m’ nji hov jetojnë e gzohen . Ti majmë permajtat e e shoqniis e kena me kênë t’ lum!
Kû mos t’ jenë ky bashkîm , i mjeri njâjë komë! hînë paradija e trazimi; njâni i shkon n’ qafë tjetrit; nnêzet mnija, ngûlë rrâjët e veta e pabesija; viedhsija i veshet per zêmer, kerset lufta, e prejë ksajë vjen vrasa e gjith e zeza, ashtû qi jeta e nierit jet e rrethuëme prejë krajatash, e kryet e vet e baan m’strajcë njeri, e n’ t’ tâna ânët i gercnohet rreziku. — Shkurt: atëherë kishte me sûnnue ajo e thânme: «Lum i forti, e mjerë i ligu!» (11) —
§ VI.
«Dashurija, miqesija — Jânë uruar’ nga Perennija»
— N. B. F.
Murme vesht, s’ûnn t’qinnroje shoqnija paa permajta e paa detyra, tuj kênë kto shtyllat e shoqniis, e aj qi i fyyn kto âhst panuklla e ksajë, edhè shkatrruësi i gjumtyrve t’ktii shtatit, qi na i sjellë t’mirat e fatit. E idhton at dhântii natyret qi âsht dashtnija, e cilla i del zot t’vorfënit, e shtyyn prînnen qi t’ketë n’kujdes t’miren e t’bijve, trimnon sunnimtarët per me i majtë syyt permii popull, ruën atdheen prejë rreziqesh e anmiqsh, e ne mrâm e cilla âsht rrnesa e shoqniis.
Natyra na don t’shoqnuëshem per ngâjë se jena t’tânë prejë nji brûmit; e prejë se ato nnîsii qi m’i kaa dikue mue n’zêmer, gjinnen edhè n’zêmrat e shokve tjerë. Çdo nevojë qi t’i bjerë shoqit t’êm, mûnnet me m’raa edhè mue, e si due vetë me kênë i nnîmuëmun, edhè shoqi i êm don me kênë nnîmue.
Zoti e natyra m’msojnë se shoqin t’êm s’do t’a maaj nnryshe, veç si me kênë aj un e un aj; t’njof m’tê nji vllaa qi kaa bîi me gjith mue prejë nji trûngut, e njatë gjak qi kam un, edhè aj e kaa; t’njofi m’tê nji dashamirë qi i dal zot un atii e aj mue.
Praa ajo natyrë qi don me na paa t’shoqnuëshem na don edhè t’nnezun n’dashtnii t’shoqi shoqit: n’dashtnii nnîsijet n’dashtnii vllaznijet, nierzijet e evarijet, masi aj kaa nevojë per mue e un per tê, aj s’ûnn bâjë gjâa paa mue, as un paa tê. Kuur t’shofim vedin t’armatisun me dhântii t’permênnuna, kena me i pergiaa nji currit kunnra t’cillit s’ûnn hovet anmiku tuj dijt se s’do t’dahet me rrashtë t’shnnoshtë n’u turrët me na trazue.
Shoqniis s’lidhme n’besë e n’dashtnii trazimtarve t’sajë u jesin t’nnrye udhë e shtek, kapercyllë e shiluër e veç n’i kjoftë merzitë jeta e kryet u âsht gjetë gaber n’t’dajtun, se nnryshe nuk kishin me guxue m’u turrë n’at flakë me mênn n’krye.
Koha kaloj gadi o Skqyptaar vllaa e mênnja e jonë nenè s’u plak!.. Pse nuk vêhena me mênnue, para se t’na gufojë gjaku e para se t’hîim me krye nnoj shemtim, se shka jena tuj bâa e kû do t’na dalë puna? — A t’u mush mênnja me hjekë jetet nnoj shoq t’ânnin? Nnalu e mênno… tuj lshue ti at rrfee per grykë t’hekurit, e tuj ja mârrë jeten shoqit t’ânn, a mênnove se tuj vraa ti shoqin vret vedin, e se jeta e shoqit âsht rrnesa e jote? —
"Djelmt t’onë, ah kob i zië.
Djelmt t’onë, e Arbniis uzdaja
Te cillt dergue i pat qiella
Per me marue pûnë t’mdhaja,
E vllazenve i muër pushka
E kalben sot ne vorr… (12)
Njat gjak qi ti e derdhe i kuëj âsht? A nuk âsht gjaku i jot, or zêmerguur! E nuk t’mnerohet shpirti?! e nuk e kee frigë Atê qi t’fali tyy edhè atê?
"Dridhu gjaksuër i mnershem,
Se t’erdh i zii rreziku!
Se neper terr Njaj i cilli,
Kuur i veton qerpiku,
Dridhet n’themel t’tânë sheklli,
Kunnra tejet po vjen.
. . . . . . . . . . . . . . . . .
U dha mii tyy tash gjygji,
E shgjeta e frigueshme e Zotit
Mîi tyy vjen tuj fishkllue…
Rrxou, o i pa-shpirtë! pse ç’motit
Pat thânë nji Zot: do t’biine
Kshtû, nieri m’tok kush vrau.
O Zot, pse kaq vanove
Gjaksorin paa nneshkue?
. . . . . . . . . . . . . . . » (13) —
A nuk t’kaa raa me paa at hekur, me t’cillin ja pershkove zêmren vllaut t’ânn, o vllaa i pazêmer; at hekur, me t’cillin e perkule dheut tuj ja kputë fien e zânit atii t’ngratit, qi kû t’a sterpikë gjaku i t’vraamit, shkon tuj u sosun nnryshku, mje’ qi t’a bâje at armë, thikë a shpatë qi mos t’vye gjâa?! Masì paska gjith at fuqii gjaku i nierit, i cilli ke t’a cirkoje çelikun e bân birë, e pse nuk mênnon, se edhè tyy t’xen gjaku i vllaut t’ânn, kuur e hjek jetet per me shfryy idhnimin t’ânn?! Gjaku i vllaut t’xên, po! e mos t’rrêjë mêndja se veç m’hov t’vrasës t’i kputë giûjt, por aj hutim e e mârrme mênnsh s’kaa per t’pasë t’daam prejë tejet, persè âsht edhè trashigimi i mallkimit qi goja e t’Hynuëshmit nji ditë e pat folë: O nieri, ti qi guxove me derdhë gjakun e t’ânn vllaa, dije, se prejë ksi hovit nuk kee me pasë zêmren e qetëshme, e jeta e jote kaa me t’kalue nner t’dridhuna edhè e rrethuëme prejë krajatash!
Hija e shoqit t’vraam kaa me t’u beditë ânnerr e shgjânnerr, kaa me t’nniekë nneri n’ditë t’dekës, e jo veç mje m’at ditë, por edhè kuur t’dalish n’gjygjë para ftyrës s’ême qi kam me t’a shoshitë shpirtin; e tînëz e faqe ç’t’keesh bâa kam me t’i perplasë nder syy rruxullimit maar! — Atëherë, po, kaa me lypë gjygjë trajtija e Zotit — nieri — qi ti, per nji t’çfryëm terbimit e pate hjekë jetet.
“ . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Kush kje kush kje ai mizori
Qi pushken rroku s’parit,
E duërt tash don me i zhye
Ne gjak t’vllazenve kot?
Ah! kioftë mallkue prejë Zotit;
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Kerkoftë per dyër te shekllit
Paa u gjetë kush me i dalë zot.» (14)
Mos t’majë shpnesa, praa, se do t’mrrîjsh me paa ditë t’bardhë n’ket jetë, masì t’i lajshë duërt n’gjak t’t’ânn vllaa!
Kaa me t’u livizë n’zêmer krymi i fajit t’ânn, i cilli kaa me t’bree paa ja daa. — Qiëlla e toka, guri e lânna e natyra maar kan me t’pasë gjak nner syy!
* * *
Vllazen!
Vetë po thona — mos na lashtë Zoti paa miq! (15).
Porsè, kurr s’ûnn kena me xânë mik nnokann po s’dau m’shej n’nee besa e burrnija.
» Lord-i Byron thotë se shênja qi e ndanë Shqipëtarin nga popujt fqinjë eshtë se shqipëtari nukë kaa as dhelpërië, as genjeshtra, as hypokrisë (shtiirsie) por nnër kunnrë ne gjithë te berat e tija çfaq një çilterië te madhe. E shumë mê perpara Byron-it si edhè pas tij, kjo shênje e karakterit shqipëtaar kaa qênë e vênë ré kurdoherë! (16.)
T’pertrîhet, praa, besa e uruëme nner t’bijt e Shqypes, e cilla na i kaa pasë majtë t’Parët n’lidhnii t’vllazniis, e ashtû t’vllaznuëmun u delshin ballas anmiqve t’atmes e t’komit, paa ju luëjt berthâma e synit. E nà, tuj kênë t’bijt e tyne a s’do t’i mârrim mrapa n’besë e n’burrnii, n’vllaznii e dashtnii? O po, po! Besa âsht trashigimi i t’Parve t’onë! Besen do t’a ruëjm edhe nà!
«Truezen shtruet kahë bujarija,
Besen besë per kahë trimnija»! (17) —
T’ gjallet m’nee burrnija e hershme, persè kjo mūnnet me na mkâmë e me na prîi kahë pûnët e mara!
Veshtroni, o vllazen se saa n’çmim mahet burrnija asè karakteri:
«Burrnija âsht kunora e lumnija e jetës.» (18) —
«Kush s’kaa burrnii, aj s’âsht per t’u quëjt nieri por kafshë (baktii).» (19) —
«Nieri qi don me pasë êmen t’nierit, do t’diftohet burrë, e do t’a ruëje burrnien e vet.» (20). —
«Mâa shum çmohet njeri qi mênnon mirë (burrnisht), se njiqind, mun edhè njimii qi nuk kan burrnii». (21)» —
«Mâa mirë dekë nên dhee m’n kjaa
Se me marre i gjallë mii dhee». (22)
«Vên oroë, se nuk gjinnet nji sênn mâa i shemtuëshem, e qi shoqniën e nierzve e rrxon nner krajata t’zeza, saa e pa-burrnija». (23) —
«Gjithshkà pushon n’zêmer e n’shpirtë, burrnija i qet per fushë». (24) —
«Nuk kaa kênë hollimi i mênnes e dija qi i kaa trêmegë komet n’giytetnii, por burrnija.» (25) —
« Nierz me burrnii jâne zemrat ( knaqat ) e shoqniis s’cillës i perkasin. » ( 26 ) —
« Sadò qi nji nieri mênne hollë i sjellë sŷyt e dheut mii vedi prejë rrallimit, persërii nà mâa n’çmim e majme burrniën. Hollimi e kaa gurren n’fuqii t’trûuve, e burrnija bûnnon prejë fuqiis s’zêmrës e zêmra âsht qi sûnnon jeten». (27) —
«Nner visarë mâa t’çmuëshem qi u zotnohet nieri âsht burrnija. Burrnija âsht nji dhântii, qi gjithkush e kaa n’pelqŷm, edhè prejë gjithkujë âsht e nneruëme. Atà qi e pshtesin shpnesen e vet n’burrnii, edhè n’mos u prûftë kjo nnoj pasunii kahë t’mirat e jetës, u mjafton nnerimi e zâni i mirë qi e lânë mas vedit n’ket jetë. » (28). —
Atŷne qi u kaa hecë fjala, e u âsht veshtrue zâni n’jetë do t’ja diin per nneer burrniis e jo krahit a fuqiis. » (29.) —
Shtjefën Gjeçovi