Pjesë e tretë
« Vênnin e huej e levdovsha, por mrênna mos i vovsha.»
— Goja e komit t’onë
« Kerkush se dòn atmen e vet, pse ja mushë synin me gjânsii e giatsii; por e don, pse âsht vênni i vet. »
— Seneka
«Per vênn t’vet kush dekë kaa raa,
Nuk kaa dekun, por kaa lee.»— Lahuta e Malciis
Kuur e permênni êmnin e nierit, nuk m’epet me e mênnue si nji t’kênun t’habitë nner punë qi i perkasin veç shtatit t’tii, a atii lângut e plângut kû kaa paa driten e parë, por e kujtoj edhè si nji t’kênun qi do t’keet zâa edhè n’jetë t’gjytetniis, e qi do t’i gjindet vênni nner zyre e nner gjygje, e do t’u pergjegjet detyrave qi i perkasin per kahë âna e gjytetniis. - A me tjera fjalë: nuk âsht pjesa veç e asajë derës s’vogel qi i thonë shpii, por njehet edhè si pjesë e asajë derës mâa t’madhe, qi kahë bukurija s’àsht gjâa mêngut prejë s’parës, e âsht e âmel saa e para qi i thonë Atme.
Nuk do t’a rrêje mênnja nierin, se e lidhë detyra qi t’quhet veç tatë, birë e vllaa, por do t’a bajë edhè at êmen t’nneruëshem qi i thonë gjytetas. Nuk do t’i shkrihet zêmra n’dashtnii t’plângut t’vet veç por do t’i flakroje edhè n’dashtnii nnaj atdheen marë, masì «nuk kena lee vetun per vedi, por jeta e jonë i perket atdheut nji pjesë, prînnës nji tjeter, e tjetra dashamirve». - (73.) -
* * *
§ I.
Shka âsht atdheu?
Atdheu âsht nji shoqnii nierzish t’lemun m’nji vênn, qi pûnojnë per jet bashkimtare t’veten e t’vênnit.» (74.) —
Shka âsht atdheu?
Atdheu nuk thirret rrethi a kânni i tokës kû kena lee, persè toka a dheu nuk âsht tjeter posë nji prêhenit qi na man nee. — Atdheu âsht nji mênnim qi siellet m’rrâzat e ktii rrethit a prêhnit kû gjinnena, âsht nji kujtim dashtnijet qi i lidhë nnîsiit e t’gjith neve per at vênn kû kena lee.» (75) —
Shka âsht atdheu?
« Atdheu âsht nji shtat, gjymtyrët e t’cillit jena nà. » ( 76. )
Shka âsht atdhëu ?
« Atdheu âsht nâna e t’ gjith neve. » ( 77. ) —
A na bjen tingllim t’kânnshem êmni i atdheut ?
Nji fjalë mâa e âmel, mâa e kânnshme e mâa e nneruëshme qi gojat e nierzve e shqyptojnë n’ ket jetë e qi me jone t’ tingllit t’ vet, na lên t’knaqun e zêmrat na i nnêzë n’trimnii edhè na shtypn jeten me e dhânë per tê âsht Atdheu. Dashtnija nnaj atdheen me nierin leen.
Ç’ farë detyrash kaa nnaj atdheen nji atdhetaar i mirë e i nneershem?
Atdhetari i mirë e i nneershem âsht n’detyrë me dashtë atdheen e vet, e djersët e ballit me i derdhë per dobii t’ tii; m’u perkujdesë per t’sdritunit e tii; me i nnêjtë m’kâmë ç’do urdhnit t’tii; me ju njitë doren t’lânunve e nevojarve; me u nnêjtë t’ parve n’ nnîgiesë; me kshillue t’nnerdyëshmin , e me kênë krejt i atdheut e i komit. - « Detyra e sejcillit atdhetaar âsht me u dhânë krah e nnîmë, mas fuqiis, t’ gjith njatyne qi rrnojnë m’ nji vênn. Gjon Oversbergi pat thânë atdheu i êm nuk âsht vetun katûnni i êmi ngratë, por edhè rrethi i Münsterit, Vestfalia e Gjermanja marë. » ( 78. ) —
Shka mûnn t’ presim prejë atdhetarit t’ mirë ?
Atdhetari i mirë kaa me kênë: sunnimtaar i âmel, gjygjtaar i drejtë, birë i nnigiuëshem, ushtaar trim, prîis zêmrak, tatë i dashtun, zotnii i nierziishem, rrogtaar besnik, dashamirë i paa zhibla e shoq i mirë. Ç’ nneer mûnnet me pritë atdheu prejë nji birit t’ huëjtuëm?
Nuk mûnn t’ presë nnoj nneer prejë asì djelmsh, t’ cillët e derdhin mûnnin m’ tê, jo per tê, por per fitim t’ vet, e nuk kqyrin t’ miren e atdheut. e t’ miren e pergjithshme t’ komit, por t’ veten. – Kso doret jânë t’ gjith atà, qi i sherbejnë atdheut, kensè, nner zyre e nner qevertare; n’buk t’atdheut jânë, m’shpine t’ komit fitojnë, e nuk u bjen nner mênn nevoja e atdhetarve. Dobija e vet u rrin n’ zêmer. Kâmës tjeter i perkasin atà, qi mrrîin me shitë edhè vênnin e vedin, veç mos t’ u shturet xâna e kullosës s’ vet!.. A na mêrr mênnja se kan nnoj shknnii dashtnijet kta mistreca per vênn t’ Parve ?! Jo; atà s’ jânë atdhetarë! jânë hasa, janë ushûjza qi thithin gjakun e atdhetarve; jânë anmiqt e komit, janë rrêngu i vllazniis, e rrenuëst e shoqniis e t’ gjytetniis.
Atdhetaar i dashtun! Nnermjet tejet e atdheut nuk kaa vênn ajo e thânme — kjo m’ perket mue e kjo tyy —, gjithshkà kena, t’ atdheut jânë. — Me t’a lypë une a tjetri nnoj nneer, n’ dorë e kee me na bâa, e mos me na bâa; por t’ a lypi atdheu, nuk mûnn t’ ja muhojsh. N’ t’thashtë turru m’flakë, do t’turresh; derdhe at gjak per mue, deri n’t’mrâmen cirkë, do t’a derdhish. — A t’duken teper t’rânna kto urdhnime? A âsht tuj t’lypë gjâa qi s’i detyron? » Kuur derdhë munnin e gjakun per tê, kurgjâa prejë vedit s’jee tuj i falë; por shkaf i detyron, atê po i kthèn ». (79.) Per paa i raa n’faj Zotit, natyrës e botës marë, s’kishim me guxue me ja perbuzë zânin atdheut. — Me gjith ket gercnim na guxojmë me shikjue dobiën t’onë me dâm t’atdheut e t’komit? Mo’ Zo’; mâa keq per nee! —
Nji atdhetaar i flakët nuk lypë tjeter, posë qi t’i çilet shteku, e t’i qeshe shkaku per me i rrogue atdheut me djerës e me mûnnë paa lypë fitimin e vet. Rroga e fitimi i tii kaa me kêne, kuur t’mrrîje me paa, se me at fuqi qi pat, i nnîmoj atdheut, e per dashtnii t’tii nuk e kursej as jeten as gjakun. M’zâa t’atdheut, atdhetari i vertetë, harron vedin, harron fitimin, harron plângun e gjithshkaf. Nget n’pûnë, nget n’mûnn, e nneri n’zjarm turret, veç t’i dale dobija atdheut. — E t’tâna kto ja detyrojmë atdheut per kujdes t’madh qi kaa per sejcillin nesh.
Tuj kênë « atdheu nâna e t’gjith neve » (80,) ç’me t’leemt kaa kujdesin e s’mirës s’onë. Kjo nânë na kaa dhânë jeten gjytetnore, na ruën e na del zot. Kjo na i lidhë zêmrat n’dashtnii t’nnermjevedëshme, na prîin me kanune t’veta, e na mson se si mûnnena me jetue nierzisht e paa rrshitë n’gabim. —
Êmnin e zânin e mirë qi kena n’gojë t’botës, prejë kujdesit t’ksajë nânë e kena: Kjo na i nniekë shtiqet me nji dashtnii t’madhe, e nuk i daan syyt e vet prejë nesh kûdo qi t’shkojmë. Asht nji nânë e âmel, qi rreket me na bâa t’pasë e t’nnerue; e zêmra i knaqet kuur t’shofë se s’u mêngon gjâa bijve t’vet. Na flêjmë, ajo rrin çuet; nâtë e ditë na kaa n’mênn. Me msime na sdritë, e mûnnin na veqisë. - Kûdo na rrin per brîi: tash u del n’ballë atynve qi na vînë n’qafë, lufton kunnra atyne qi rreken me na shtypë, edhè çon zânin e rrebët kunnra atyne qi turren me na trazue e kunnra grabitçarve.
Bijt e vet tash i lutë, i kshillon, i mson; tash urdhnon, u gercnohet, i nneshkon edhè, n’kjoftë se nuk i pergjegjen zânit t’âmel. - Porsè n’t’gjitha kshille, msime, urdhnime, gercnime e nneshkime, i daan dashtnija. Asht e kânnshme, e butë edhè e dhimshme nnaj t’bijt e vet. Saa don nâna nji t’vetmin birë, aq na don nee kjo nânë: na don si syyt e ballit! Loçka e zêmres s’sajë jena.
Masi gjithket kujdes e dashtnii paska per nee atdheu, a mûnn t’nnalena, o vllazen Shqyptarë, paa i shkrehë zêmrat t’ona, e me nji zâa dashtnijet me i thâne: o atdhee i dashtun! Atdhee êmni i nneruëshem e i ngushlluëshem i birve t’uu! — Kû t’i gjâaj fjalë tjera, me t’cillat kishe me mujtë me t’madhnue saa e lypë kâma e jote, o atdhee i shêjtnueshem!
— Si nânë qi t’kam, veç tyy t’perket dashtnija e ême; si kujdestare qi m’jee, tyy t’shkon nnerimi i êm; sî prîise qi m’jee, tyy me t’mârrë mrapa jam n’detyrë, o nânë e âmel! Si bâmirse qi m’jee, tyy t’a detyroj evariën e zêmres s’ême! N’nnîgiesë t’ânne u shkrîftë jeta e ême! — Si birë, dashtnien t’a detyroj, si sherbtuer nnerimin; detyren e natyrës, detyren e besës! —
§ II.
«Zyret e para, hyjnijve t’padekëshem u detyrojmë, t’dytat atdheut, t’tretat prînnës e tjerat tjerve» (Ciceroni.)
O ju qi shpralloni, e ju ban zêmra me vûu n’gaz êmnin e nneruëshem t’atdheut, nnîgioni!
Flamuri i parë âsht i Perennîis, i besës: i dyti âsht i atdheut, i komsiis. — Dashtnija e Perênnîis na lidhë me dashtnii t’atdheut; dashtnija e atdheut na ngrehë n’dashtnii t’Perênnîis. — Shka jena e gjith shka kena, prejë majuget e deri n’thêmer, prejë atdheut i kena. (Jetesen a gjallitmen e fatin e mirë.) —
Gjithshkà shofim para e mrapa, gjitshkà t’kunnrojmë n’t’djathten e n’t’shmajten, e shka t’sodisim n’hapësii, gjânsii e giatësii t’rrethit, jânë t’mirat e atdheut. — A nuk kishte me mujtë atdheu me na lypë mâa teper se na kaa dhânë? E na, a thue jena t’zot me ja kthye, n’mos mâa teper, nemosè aq saa i detyrojmë, per t’mira qi ky na kaa bâa edhè po na i bân paa prâa? Kurr e kurr s’ûnn mrrijmë me i kthye shka i detyrojmë!
Vllaa Shqyptaar, n’mos jena t’zot me ja kthye atdheut shkaf i detyrojmë, aj nuk âsht tuj na ngushtue, thiken m’asht s’âsht tui na vûu, porsè nneren per nneer e dashtnien per dashtnii e lypë prejë nesh mas rênnit t’natyrës, evariën e don prejë zêmrash t’ona mas urdhnit t’Zotit e t’natyres. Kryet e pûnës âsht dashtnija qi do t’a kemi nnaj atdheen t’onë; kjo âsht mjeti i paar e i vetmi, qi n’a bân me ju pergjegjun detyrave qi e kena nnaj ket mâmë aq t’dashtun.
Dashtnija e flakët nnaj atdheen na shtypn me kênë t’drejtë, t’nnîgiuëshem, me dashtë t’afermin, me nnerue t’gjallët e shoqit, me mos prekë m’gjâa t’huëjen, mos me trazue kânn, me nnêjë n’lidhnii t’vllazniis, m’u mûnnue e m’u perkujdesue per t’mirë t’shoqniis e t’gjytetniis e tjera ksosh. — Njèkjo âsht nji mnnyrë e bukur edhè e nevojshme; e paa nndryshim e nevojshme, per n’daçim me ju pergjegjë si e lypë pûna e si na lidhë detyra e nnerës e e dashtniis nnaj atdheen.
Doren n’zêmer, o vllaa atdhetaar, e mannej m’thuëj, a kishim me mujtë me i shtupue veshtë m’zâa t’ksajë nânë qi s’i dhîmet gjâa per nee? — Po n’mos i paçim zêmrat mishit, n’kjofshim mâa t’egjer se egersiinat; n’kjofshim perbîmat mizore, n’kjofshim trathtarë, e n’kjoftë se na âsht mushë mênnja, me shlye êmnin e ksajë nânë prejë zêmrash t’ona, e mos me e njoftë mâa per nânë! — Dashtnija e Kodrit mretit t’Athinës nnaj atdheen e vet, kjoftë per nee Shqyptarë, nji tregim !
Ky trim e burrë tuj shkurtue rrreziqe e rrengje qi i gercnoheshin atdheut t’vet prejë ânës s’Dorezve, e tuj njoftë vedin se nuk i mjaftote fuqija per m’u mâtun me atà anmiq t’terbuem qi ânë m’ânë e kishin rrethue, dau me pvetë per kshillë Nnivenesen e Delfiis, e cilla ishte n’zâa t’madh m’ato kavaljete, se m’ç’mnnyrë mûnn do t’a largote at anmik prejë rrethit t’atdheut, e si mûnn do t’a hiqte qafet paa hîi n’luftë me tê. - Nnivenisa thonë, se me kto fjalë t’kputme i pergjegji: "Veç me gjak t’Kodrit munn pshtote atdheu.» - D. m. th. pshtimi e rreziku i atdheut ishte n’dorë t’Kodrit: po ju dhîmt jeta ktii, atdheu do t’bite n’dorë t’anmikut, po e derdhi gjakun e vet ky, atdheu do t’pshtote e paa luftë do t’u daate. - Kjo e pergjegjme e Nnivenesës, u vojt n’vesh edhè Dorezve, e prannêj daane, qi, kuur do t’kriste zâni i luftës, t’i vêshin mênn mos me i bâa gjâa Kodrit mretit, edhè me kênë se do t’u shtrîite qafen aj vetë.
Mjaftë keq i erdh Kodrit kuur muer vesht, se edhè Dorezve u kishte pasë vojtë n’vesh ky kumet. porsè dinakmija e ktii kjè mâa e thkellë se e tyne! — Para se kje dhânë shêji i luftës, shêjet e larta t’mretniis i hoq Kodri, e u vesh me aso petkash qi s’ûnn e daate kush prejë nji ushtarit. — Si krisi lufta, duel Kodri me shpatë çveshë n’dorë, e u turr si i terbue m’at flakë t’rrebët, e permasì i kurmoj anmiq t’panjehun, i erdh e mrâmja edhè ktii! Dorezt e hoqne jetet, paa diit se ishte mret Kodri. — Si mêni vala nji grîmë, u hudhne Dorezt nner t’vraam, kuur e njoftne t’metunin e Kodrit, u bâne mizen me pii, e m’at hov e hoqne mênnen e luftës e dredhuëne - dalë nner vênne t’veta paa tjera fjalë. Ashtù me dekë t’mretit Kodrit, ktii atdhetarit t’flakët e dashamirit t’komit t’vet, pshtoj atdheu e atdhetarët, t’cillët ja pâtne vûu mênnen mâa parë m’u shkrîi pikë per pikë, se me paa t’huëjin m’u sgjâa m’plâng e m’voter t’vet.
Shka t’thona per Kodrin, vllazen, t’cillit s’ju dhîmt jeta as pasunija, veç t’mûnn t’delte me lânë mas vedit atdheen e vet t’liir, e atdhetarët t’pshtuëmun prejë gercnimit t’dâmit?
S’kena shka me thânë, posë me saa zâa qi kena n’krye t’bertasim: i lumët i lumët! Edhè pse âsht prejë gjakut t’huëj, âsht i dêjë lavdit e i nnerimit. —
Prohe per tê qi ja trazon zêmren ksajë nânë, edhè e lên m’u mârrë per kamësh.! Aj s’âsht nieri, âsht nji kafshë, e mûnn i pergiaset nji shtâzës, nner shtâsa mâa gjaksore qi gjinnen.
Dashtnija e atdheut nnaj se t’cillin nesh âsht aq e flakët, qi rrin nnerrmjet tejet qi i bien shqelm e nnermjet djelmsh, t’uu vllazen, qi typ t’âsht mushë mênnja me i hiekun jetet, e qi shkrihet e pervlohet per ta. A se me tjera fjalë: a t’u mush mênnja me çue at dorë gjaksore kunnra t’ânn vllaa, djalin e ksaië nânë? Nuk kee me mujtë me i raa djalit, per paa i raa nânës! A t’ verboj terbimi i djalit e t’u prish mênnja me ja vraa t’ birin, t’ ânn vllaa? Nuk kaa me t’ dalë me vraa atê, per paa vraa para nânen! Ajò na man nên sjetull t’ vet, ajò na mlon nên zêmer t’vet. A u turre me ja therë t’birin, t’ânn vllaa? Sûnn kee me ja therë, per paa ja shkallmue zêmren nânës! - Shyptaar vllaa, gjithsaa herë t’ i shkojmë n’ qafë shoqit, vllaut t’ onë, atdheut - ( nanës s’ onë ) e komit ( gjakut t’ onë ) i bâjme dhûnë.
» Prînnja jânë t’ dashtë, fmija, gjinnija e dashamirët jânë t’dashtë, porsè t’ gjitha kto dashtnii, dashtnija e atdheut i permledhë n’ vedi. » ( 81. ) -
"I pari nner virtyte, âsht prûnjimi nnaj atdheen.» ( 82.) -
§ III.
Pse e fituën gjith at nneer Rromakët, e pse u duël gjith aj xâni i madh n’ gojë t’botës? - Prannêj persè:
a ) teper e perflaksme kaa kênë dashtnija e tyne nnaj atdheen; b) kurr s’i pûnoshin paa rrugë kuëj;
c) kan pasë njiniin n’mênnime, n’fialë e n’pûnë;
d) kan kênë zêmergjânë e t’dhîmshem nnermjevedi.
Po, o vllazen, atdheen e rritë edhè e ruën besa, burrnija e msimi i mirë. Veshgoni se ç’gercnim ja pat knnue Ciceroni Verrit: "Nuk t’i fali Hyu ata djelm vetun per vedi, por edhè per nevojë t’atdheut; jo veç per knaqë t’ânne, por edhè per knaqë t’atdheut. Detyra e jote praa kaa kênë qi t’i vaditshe n’doke e n’burrnii t’vênnit t’onë, e t’i mkâmshe mas msimesh t’parve t’onë».
Dueje atdheen t’ânn, o vllaa Shqyptaar, porsè thirret atdhee e zotnii: atdhee, qi t’a duëm me gjith zêmer, tui kênë dheu i tatës; zotnii, qi t’i rrogojmë më zêmer e paa pajta si t’gjytetas qi rrnojmë nên hije t’tii.
Qè edhè nji pasqyrë tjeter t’atdhedâshtniis s’madhnuëhsme!
Êmni e lumnija e Grekve t’vjeter[1] qi pat hypë m’at cip lumnijet, Spartanve do t’u dihet per nneer. Kta petrita, me besë e kanune t’veta mrrîne me i bashkue t’tâna pjesët e Grekiis e me i hudhë vedit, ashtû, qi jetuen si t’kishin pasë lee nji tatet e nanet.
Spartanët e vjeter jânë kênë asi burrash qi hjekshin gjithnuer zijet, e kurrnji mûnnë s’mrrîite me i lodhun. — Jeta e tyne kaa kênë jetë luftare; krajata u âsht kênë vllaa e moter, e nuk kan pasë diit se ç’âsht ânkimi. Kurrnji sênn s’i trêmte e gjâa s’i trazote. T’kater stinët e motit, per Spartanin jânë kenë nji doret: n’pikë t’vapës trûut e tija s’vloshin, e n’pikë t’dimnit, krahnori i tii rrite i sbluet. Tregtija e fitimi i Spartanit kaa kênë saa mos t’jitëte paa bukë, e per tjeter s’kaa pasë nevojë. — Dija e ardhet tjera, per Spartanin jânë kênë shtîja e zhgjeta; e si rrite perherë i armatise s’gjinnej burrë qi mujte me ju hudhë per me e trazue. — Me ket besë, bashkim e kanunë qinnroj Sparta per gjashtqinn vjet, e nuk raa nên sgiedhë t’huej, me gjith qi anmiq t’panjehun u rrekshin me e pushtue; qinnroj me faqe t’bardhë, jo e rrethuëme prejë ledhesh, pirgjesh e sogjesh si gjytete tjera, por e thurun prejë beset e bashkimit, prejë shtîjet e zhgjetet, s’u dha n’dorë kjo çerdhe trimash!
Pleqt e Spartes, burra t’mênnçëm; u prîshin t’rijve me msime t’mara e me pûnë; e djelmnija e xemun n’dashtnii t’atdheut, rrishin, si nâtë si ditë, me armë nner dhâmë tuj ruejt atdheen, e m’nji hov u shtîshin mneer anmiqve t’vet.
Njaj burrë i hollë qi u kalli zêmrat si burrave ashtû edhè grave t’Spartes, n’dashtnii t’vênnit t’parve, kaa kênë Likurgu, i cilii edhè nnezej flakë nnaj atdheen e komin e vet. Ky me kanune t’veta i vûni m’shtek t’pûnës marë Spartant, si do t’shofim mâa tutjè.
Hollimi i Likurgut mrrîni me njoftë loçken e zêmres t’nierit. Tuj dijt Likurgu se zêmra e nierit tëhiqej prejë natyrës s’mrapshtë, me gjith mênn u vûu me i raa mrapa me mjekime e me msime burrnijet, tuj u vûu leçii Spartanve t’vet, gjithshkaf ishte qi munn do t’u ligshtote fuqiën e shtatit… —
Vênnin e vet m’at mnnyrë e dau nner t’gjytetës, qi sejcillit i raa n’pjesë aq tokë buket, saa mûnn u mjaftote me majtë vedin e shpiën; bulqit e tokve t’Spartanve ishin kome t’pushtuëme prejë sish, masì kta vetë nuk mûnn i pûnoshin, tuj kênë se rrishin me armë n’dorë e me zjarm n’gjii, e t’habitun nner ushtrime armësh e luftet si dita-ditë. Uhanat, qi kishin nner vedi Spartant, Likurgu i bâni me i falë njani tjetrit, e ashtù i duel me mkâmë nner tà nji mnnyrë jetet bashkimtare, tuj e vûu per fije krashimin e vllazniis, paa e daa t’mirin e t’keqin, t’pasmin e t’papasmin. - Me ksi farë msimesh mrrîni me paa Likurgu me gzim t’zêmres, se Spartant, paa t’daam kâmet e nneret, jetoshin, pûnoshin e fitoshin si vllazen.
Arit e rrgianit Likurgu u pat nnrye dyert, e hekuri u pat xânë vênn. — Shkurt: ç’do knaqë e deri lojna u pat vûu leçii Likurgu Spartanve.
— Shkaf ishte i gjakut t’huej, Likurgu i nepte shtek, e kurrkûnn n’rrethet e Spartes s’i lête me xânë vênn. T’gjith atà qi s’ishin per dobii t’atdheut e doshin me tretë kohen me duer n’gjii a tui njehë miza, Likurgu i karmote prejë vênnit t’vet. — Gjith shka ishte per nneer t’atdheut Spartant e mêrrshin mrapa, e shka muitë me ja sjellë marren e perkjellen vênnit e komit Likurgu vête leçii.
Qysh prejë kamësh t’vogla fillote me i bâa gadi Spartanët Likurgu me msime, lojna e ushtrime trimnijet, me munnë t’krahve e kso tierash, âshtu kuur u rritshin Spartant, gjyteti i tyne nuk kishte nevojë per ledhe, pyrgje, e ushtore, tuj pasë ksi farë djelmsh t’cillët ishin muroja e atmes.
Foshnjet e Spartes ishin mâa fort t’atdheut se t’prinnës; mâa fort perkujdesej atdheu per to, se prînnja, masì atà msuësa qi u shênjoshin per m’u prîi me msime, prejë djepit e mje n’ditë t’dekës, s’i daashin sypt prejë sosh.
Kerthîni i Spartes, i cilli leete me nnoj gjymtim gjymtyrësh, mas urdhnit t’Ligurgut, do t’a çoshin m’nji mal t’quëjtun Tajgete, e do t’a hjedhshin nner do rrmore t’mnershme t’ktii malit, tuj kênë se, si thote Likurgu, nierz t’gjymtë kahë mênnja e kahë gjymtyrët s’ishin as dobija e shpiis as e atdheut. — Porsè, kjo punë tuj kênë nji mizorii qi i bân ballë t’madhit t’jetës e natyrës, jo veç qi nuk âsht e pelqyëshme, por edhè âsht e mnnershme per m’u mênnue! —
Fjalen e parë, qi goja mamaçe e kerthînit t’Spartanit fillote me shqyptue ishte êmni i atdheut e i gjytetit. — Fjala atdhee tuj kênë e perbâmun prejë êmnit t’tatës e m’nji edhè t’nânës, u nepte msim Spartanve, se permas êmnit t’Hyut — t’cillin komet e t’gjitha kavaljeteve e kan pasë njoftë, dashtë e nnerue — do t’a doshin edhè do t’a nneroshin êmnin e atdheut e t’prînnës.
Saa mrrîjshin n’vjetë t’arrsyes fmija e Spartanve, mâa i pari kujdes i linntorve ishte, me i dergue n’msojtore, n’t’cillat msoshin msuësa mâa t’sgiedhun, detyra e t’cillve ishte per me shfillue fmiin si kahë hollimi i mênnës e nnierzija, si kahë lojna a ushtrime shtatit. Posë ksajë, u nepshin edhè msime fillestare t’knnimit e t’shkrimit, e mannêj i bâshin me xânë per mênnësh kanunet e Likurgut t’rreshtue n’vjerrsha, e saa e saa kângësh tjera luftare, qi t’u vaditshin n’trimnii. — Permas ktynve msimeve, vîte mûnni i krahve mas fuqiis s’kohës s’fmiis, e n’nnîgiesë, n’prûnjim, n’burrnii e n’bujarii.
Kanuni i Likurgut, u vête leçii fmijve e t’rijve ç’farë do gazit qi mujte me i kapercye permajtat e nierxiis; si me qeshë a me folë t’madhe per t’gjatë t’rrugave t’gjytetit; me hecë me gojë t’haptë si me kênë i hutue a i mârrun mênnëç, me sjellë kryet e annêj e knnêj. — Nji fialet: fmija e Spartanve, qyshë prejë djepit e thithshin bashkë me tâmel t’krahnorit t’nânës pikë s’parit prûnjimin e dashtnien nnaj t’ Madhin e jetës, mannêj nnaj atdheen e prînnen e nnaj pleq, e zakoneve t’ vênnit m’u nnêjtë m’kâmë.
Kanuëni i Likurgut u vête leçii burrave sbukurimin, por jo nahranen kahë vesha e matha. — Gjith aj qi nepej mas pûnësh t’ papûna, e burrnien e qitte n’ harresë, e vêshin n’ shagatë Spartanët e nuk e majshin per gjâa, tuj kênë se rrallë e per mallë u gjêshin nner Spartanët asish qi nuk i bishin mrapa burrniis, nierziis, butësiis nnaj vllazen, e dashtniis nnaj atdheen. — Dashtnija e njimênnët nnaj atdheen, âsht nji dhântii qi vetë Perênnija ja dikon nierit n’ zêmer, porsè kjo dhântii, nuk mûnnet me gjetë vênn n’ zêmer t’ njatii, t’ cillit s’i tûnnet mênnja per me j’u pergjegjun detyrave t’ shêjtnuëme qi do t’i ketë sejcilli nesh nnaj Hyjin. Ket detyrë e kan pasë diit edhè Spartanët, e prannej gjith aj qi vête gojë permîi Zot e Besim, mîi burrnii e nierzii e kso tjerash, atë e majshin si nji gjymtyrë t’qelbtë, tuj diit se farë shpneset nuk munn mate m’ tê as komi as atdheu.
Spartant lutshin edhè do t’ kreme, n’ t’ cillat u mledhshin pleq e t’ rii edhè u argtoshin me dashtni i vllaznijet. N’ kto t’ mledhuna gojët e Spartanve, s’ folshin tjeter, posë permii dashtnii t’ atdheut. Djelmnija sidomos nnêzej flakë, gjith saa herë xêhej me gojë êmni i atdheut, e t’ shtymun prejë ktii zjarmit, i rrokshin armët mizore e nner syy t’ hyjnijve, t’ pleqve e e atdhetarve tjerë, bâshin ushtrime luftet nner vedi me nji shpejtim vetimet, e porsaa i maroshin ushtrimet, i vjerrshin lemajat e zhgjetave, i pshtetshin shtîjat e u derdhëshin n’knnim t’kângve trimnore tuj i njefun trimniit e fatosave t’metun n’luftë tuj i dalë zot atdheut.
Dashtniën e Spartanve nnaj atdheen s’âsht gojë e giûhë qi mûnn t’a rrfejnë; aq mûnnena me diit qi gjith saa herë u mledhshin e u bashkoshin n’ksi argtimesh, pleq e t’rii e nneri fmiit u shkrîshin e u nnêzëshin flakë tuj i sblue nnîsiit e zêmrave nnaj komin e atmen e vet. Saa per tregim, po i njefim, me hamênnas, do asò kuvênnesh qi bâshin n’kto qillime. — Pleqt thoshin: " Tash jena shtyy n’vjet, por nji herë jena kênë burrat e dheut e trima n’zâa!" —
— Djelmnija e pritëshin: " Trima jena e m’nee âsht pshtetë atdheu; na e ruëjm, e s’kaa komë n’jetë qi guxon me na msyy!" — Camerdhokët thoshin: "Trima do t’bâhena e burra luftarë, juve me ju pergjaa kena, tuj i dalë zot atdheut e komit! " —
Vjerrshat e trimniis e kângët luftare t’Tirteut e sidomos t’Omirit ( t’cillin e thirrshin vjerrshetari i Spartës ) mâa i lânuni Spartan i kaa pasë diit per mênnësh.
Spartant ishin t’bijt e Spartës e krahnorna Spartansh jânë kênë pyrgjet e Spartës. Bashkë gëzoheshin, e kuur ishin per t’vajtue s’bashkut vajtoshin. Zêmrat e Spartanve si t’ishin kênë njitë shoqja m’shoqjen ashtû rrifshin: i gufote njânit t’tanve u gufoshin, si mênnimi i njânit ishte mênnimi i t’gjithve,
Ky bashkim, kjo vllaznii ishte qi e shtypte mje m’ verbim Spartanin per kahë trimnija me luftue per lirii, lumnii e lulzim t’ atdheut e t’ komit. — Kmisha e shtatit ishte per Spartanin êmni i atdheut, e si hija qi e mêrr mrapa nierin e nuk i dahet veç me dekë, ashtû êmni i atdheut s’ i dahej gojet e zêmret Spartanit. — Saa mrrîite me diit fmija se gjinnej n’ jetë, m’ gjith saa shokë qi u nneshte, pvette me nji dishirdije; „Kush mûnn t’ thirret atdhetari i vertetë? kush i kaa dalë zot atdheut? Ç’ trimnii kaa bâa njâni a tietri per dashtnii e lirii t’ atmes?» — T’ pvetuna ‘kso doret i trimnoshin zêmrat e njoma t’ fmijve edhè i nnezëshin n’ dashtnii t’ vênnit t’parve, e kuur mrîshin n’ kohë t’ djelmniis, s’ kishin nevojë qi t’ u kallxote kush detyrat qi kishin nnaj atmen. Kta petrita t’ vogjel ishin shpresa e atdheut edhè e komit; kta bâheshin gadi me jau terun lott nânave t’ trimave t’ shuëm n’ luftë per t’ dalun zot t’ atdheut.
§ IV.
A do t’ m’ maje nnokush per giûhë giatë, a per nja qi s’ kaa tjeter pûnë posë me çaa kso kopallash me ket gojë?! A nnoshta se fjalët e mija ju duken t’ kota?! N’ mos paçin fuqii fjalët e mija me ju thekun n’ zêmer, m’ keni detyrue me jau trazue pushimin t’ Parve t’ onë t’ bînnueshem, e me i thirrë, qi t’na rrfejnë gojat e tyne, se ç’qellim kan pasë atà saa jânë kênë nner t’gjallë tuj bâa gjith ato lufta; do t’i thrras, o vllaa Shqyptaar, masì edhè atà kan jetue n’ket plâng, kû jetojmë nà sod.
Kû jeni, o drita e atdheut t’onë? Dukniu nner nee, e lironi ato goja kuvenntare n’ligjirim t’âmel e mushniau mênnen atdhetarve t’mii tuj u diftue se ç’qellim kan pasë luftat t’uëja t’paprâshme, edhè e derdhmja e atii gjakut nner lufta trimnijet?
Kû jee Lekë? kû jee ti qi s’t’pat luejt berthâma e synit nnermjet heshtash e pilca zhgjetash? — Duku, Burrë, ti shqype e leet qi s’i duël kuëj me ja nnalë hovin fluturimit t’ânn! Tfaqu, Kastriot, ti kulsheder perpîise, qi i perpîne anmiqt, e i hodhe prejë kanneve t’atdheut, porsi e hjedhë eera pluhnin e tokës! Kû jeni ju tjerë, o trima t’paçmue?! — Folni, folni tash me ato gojë hyjnore e na diftoni:
Luftat t’uëja e gjaku i derdhë, a kaa kênë per qellim t’dobiis s’ujëj a po per t’atdheut marë? A i patët lypë me ju shperblye mûnnin per rrogë qi i patët bâa atdheut? A pat kênë fitimi i pasuniis qi ju shtyëte m’ato hapa t’rrebët? A mrrîishin me ju nnalë hovin e trimniis, kuur ju thirrte zâni i luftës m’u mâtun me anmiq, lott e prînnës, vaje motrash, vajtime t’dashtunash e gjimime foshnjesh?
— Qellimi i jonë, na pergjegjen atà, nuk kaa kênë tjeter, posë, e mira e atdheut. — N’zjarm, n’flakë, n’ujë e nnermjet shtîjash e shpatash, nuk na shtyëte tjeter, posë, dashtnija e perflakshme e atdheut. Per t’veqisun t’mûnnit t’derdhë nuk lypshim tjeter, veç t’a shifshim atdheen t’pshtuëmun prejë ç’do rrezikut qi i gercnohej. S’na kje dhimët jeta, as gjaku, as gjâja e pasunija; lirija e atdheut e faqja e bardhë e komit kaa kênë knâqa, dhântija e rroga e zêmrave t’ona! —
A muërme vesht?
Thekniu, o vllazen Shqyptarë, e mos t’ju rrêje mênnja, se jânë t’kota fjalët e mija qi ju fola. — Tâmli i nânave na xeen n’dashtnii t’atdheut; hapësija e kânnshme qi na ngîin zêmrat e na pertrîin jeten, e dashtnija e nnermjevedshme na nnêzë n’dashtnii t’atdheut. Hîit e t’Parve qi pushojnë n’gjii t’atdheut na flasin permii ket dashtnii. Dashshtniin e dheut t’tatës na e pertrîin n’male e n’fusha, lânna e guri, lângu e plangu, udhët e shtiqet. N’dashtnii t’atdheut na nnêze kerthînija, fminija, djelmnija, trimënija, burrnija, e pleqnija e t’gjitha nnollniit e kavaljeteve t’kaluëme na trimnojnë n’ket dashtnii. —
« Gjith i cilli gjytet, gjith i cilli katûnn, e se e cilla pllâmë e atdheut t’onë âsht çerdhja e jonë. e prannêj do t’nnerohet e paa nnryshim do t’duhet.» ( 83. ) —
Gjitshshkà na thrret n’dashtnii t’atdheut; zogj me çerdhe t’veta: egersina me dashtnii t’shpellave t’veta; shpênn me kujdes t’strofujve t’veta. Dashtnija e atdheut âsht aq e pîimun n’zêmer t’nierit prejë natyret qi n’na voftë mênnja se mûnnet me jetue shtati paa gjak e paa palc ashti, aq mûnn t’jetojmë nà paa atdheen. — «Amelcimi i atdheut gjithkânn tëhjek. » ( 84. ) — « Nji qi knaqet tuj bâa shtek ( jashta atdheut) per s’teprit, aj e mniin atdheen e vet. » ( 85. ) —
E na kena zêmer me perbuzë ket êmen t’nnerue! Kena shpiirt me i soditë me syy krreç atdhetarët e mirë e t’nierziishem.?!.. Ah, vllazen mjaft jena rravgue nner terrina, mjaft na i kaa merdhitun zêmrat athtimi! Pse t’a perbuzim aq mizorisht êmnin e atdheut? Pse t’i majmë armët t’ngrefta kunnra shoqi-shoqit? Pse s’na u thek zêmra nji herë, e n’vênn qi t’i lâmë varrët e hershme me shamertue, qi me mizorii t’onë ja çilim mun n’loçkë t’zêmres ksajë nânë, t’shkojmë me i pertrîi tjera t’reja?!
«Saa t’qinnrojë flaka e dashtniis nnaj atdheen n’zêmer t’komit, kaa me kênë i liir, pûntuer e i fuqiishem. » ( 86 ).
§ V.
» Ah! tokë e bardhë e fort bukurue,
Zoti t’kaa falë me shum t’mira;
Me male, fusha, me ujë rrethue;
Me gjithfarë pêmësh t’âmla e t’veshtira « (87)
« Nnîsiit e terhjekin nierin, mâa teper atdheen se gjâan e vet me dashtë… Nieri qi gjinnet jashta vênnit t’vet, me gjith qi ditët e jetës i kalojnë nner knâqa e gazmênne, e nnîin se e nnîin nji t’terhjekun n’zêmer ( per atme t’vet ) qi kurrnji sênn s’unn ja largoje. Nuk ngiatë, e aj gazmênn i kthehet n’trazim e nneshkim aq t’rrebët, qi s’e lên me xânë vênn. » ( 88. ) — Ky âsht mênnimi i atdheut.
Do t’ju ketë raa rasa, o atdhetarë vllazen, me provue saa vishtiir âsht per nji zêmer, e cilla pervlohet n’dashtnii t’atdheut t’vet, kuur t’a detyroje pûna me u mergue prejë rrethesh t’atdheut. Prohè! saa mênnime t’dhîmshme i vînë nierit m’at hov! Jeta i moliset, e mênnja i bâhet fluter. Syyt i mushen me lot e i xixillojnë prejë dashtnijet; zêmra i bâhet shkrum, e dnesët s’e lânë m’u ngîi me frymë gjith saa herë t’i binë n’mênn tata, nâna, vllazen, motra e dashamirë.
Koha per m’u nisë mrîin, e drejton hapin kahë vênni i huëj, porsè syyt s’i dahen prejë vênnit t’vet, edhè e soditë me nji mâllnim! Rreket me pajtue vedin, por zêmra i pikon gjak! Trazimi e ngushton, e don, a me çfryy n’vajë, a me plasë! S’mrâmit ja hiin vajtimit.
« Lamtumir! — vênnet e mija.
Qe, po shduken dalë-kadalë;
Gjimon dedi, ushton duhija,
Lkûnnet barka valë mii valë;Kahë njaj diëll qi â tuj flakue
Annej fiill un tash do t’veta…
Lâmtumirë, o dhee i bekue!
Lâmtumirë! per saa t’jeet jeta!
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Lâmtumirë! ti shpija e t’parve,
Kû mâa s’parit m’agoj drita;
E kû strehë u dhaçë shtektarve,
Miqt e babës edhè kû i prita.
Lâmtumirë! carâni m’voter;
Lâmtumirë! ju armët te shkreta;
Lâmtumirë! ti nânë e moter,
Lâmtumirë! per saa t’jeet jeta!.. » (89.) —
Lâmtumirë! o atdhee i dashtun, zêmra e t’ânn biir digjet e pervlohet e shkrîhet prejë mâllit t’ânn! Lâmtumirë! male e fusha, prroje e zaje! Lâmtumirë! ti lâng e plâng, kû, i Bukuri i qiëllve, m’bâni me paa driten e parë t’jetës! Kû u mkâma n’prêhen t’s’êm’âmë, kû u rrita e i kalova ditët e fminiis s’ême nner knâqa e gazmênne. Lâmtumirë, o pêmtore e fushore t’kânnshme, per t’çillat paçë bredhë si nji kingj i njomë tuj u habitë mas lulesh e flutrash. Lâmtumirë, o atdhee, ti i mênnimit t’êm nnîsija e parë! Prêhni i jot âsht çerdhja e ême, e kû pushojnë eshtnat e t’Parve t’mii t’bînnuëshem. — E ti, o giuhë e kânnshme, giuhë e âmël, qi m’i pate knaqë veshët me tingëll t’kumbueshem, e qi m’i pertrîiste nnîsiit, e m’i shtillosne mênnimet e zêmers, m’ngushlloshe nner çkushllime, e m’u liroshe n’nnerim e n’luta prûnjimit nnaj Bâsin t’êm! Ohè! lâmtumirë edhè ti, se nnoshta nuk kaa per t’m’a knâqë zêmren, nner ato dhena t’huëja, zâni i jot i âmel! Lâmtumirë edhè nji herë, o shpii e dashtun, kû kam paa driten e parë t’jetës! Lâmtumirë tatë e nânë, qi kjetë shkrîi per mue! Vllazen e motra qi u derdhshi n’dashtnii per vllaan tuëj! Lâmtumirë, lâmtumirë, o shokë atdhetarë e dashamirë tjerë! Lâmtumirë, o atdhee i bînnuëshem, atdhee i shêjtnuëshem!!
E ti o i Bukuri i qiellës, qi e kee n’kuides mâa t’harruemin, e qi pertrîin gjithshkahen, me sŷ t’pervajshem t’lutem, mos me m’a qitë n’harresë atdheen t’êm e adhetarët e mii! Shtrîe doren e fuqiishme t’annen mii tà, e n’kjoftë, se u gercnohet nnoj hyllë i pafat, theku n’luta e n’lot t’ona, del-u zot, e mos m’i lên m’u marrûn per kamësh!.. —
Vllazen Shqyptarë, aq t’na flakroje zêmra n’dashtnii t’atdheut, qi jena n’detyrë deken me perbuzë, veç t’na dalë per doret me e pshtue prejë perkjellet e prejë rrezikut qi i gercnohet.» (90.) —
§ VI.
« Per vênn t’vet kush dekë kaa raa,
Nuk kaa dekun, por kaa lee! »— Lahuta e Malciis
Shifni edhè nji pasqyrë tjeter t’atdhedashtniis s’vertetë.
I biri i s’bîis s’Argjileit Brazida, pat dalë n’luftë bashkë me shokë kunnra anmiqve t’atdheut, e masì u krye lufta e dredhoj — dalë ushtrija, vojt âma e Brazidës, edhè lypi prejë ushtarësh, se ç’ja gjet t’birin: "A met n’fushë t’burrave t’dheut, êm birë, o ju shokë? » — Ushtarët, per mos me ja shtue dhîmten, xûne me i njefë trimniit e Brazidës nner syy t’sajë, e s’vonit i thane se Sparta kaa metë e vorfnuëme prejë nji trimit, qi s’kaa lânë nji tjeter qi mûnn t’i shemllohet. Aq e trazuëne kto fjalë t’âmen e Brazidës, qi e bâne me i harrue dhîmtat, e me nji madhnii u pergjegji: « Mos i vêni n’lojë e n’shagatë atdheen e atdhetarët t’uu! Sadò qi êm biir kaa kênë trim e nuk i âsht dhimtë gjaku per dashtnii t’atdheut, n’zêmer t’Spartës gjinnen djelm qi janë mâa t’mirë e mâa trima se êm biir. » — Sadò, praa, qi nà Shqyptarët i thrrasim me êmen pak t’nneershem graat — flokë giata, mênn paka! grave t’Spartës nuk mûnn t’jau shkruejm t’thânmen t’onë, masì per trimnii s’jânë kênë gjâa mêngut burrave.
I biri i Spartanës kuer mrrîite n’kohë t’trimniis, murojen e luftes me dorë t’vet i nepte nâna me kto fialë: «A me ktê, a m’ktê» qi dote me i thânë: or biir, or biir, mêrre shêjin e luftës, mêrre murojen: e kuur do qi kaa me t’raa rasa luftò per lirii t’Atdheut. Porsè t’i vêesh mênn e mos t’m’kthehesh prejë luftet paa ket muroje, persè s’kam ç’t’bâj te shpija, edhè atdheut gjâa s’i duhesh i marruëm! Asè me tjera fjalë: A jit n’luftë me gjith muroje, a n’u kthefsh si ngadhnyës, me gjith muroje m’u kthè; e at herë kena me t’njoftë per djalë si une âshtù edhè atdheu.
* * *
A bân nâna nji Leonidë tjeter!?
Ky trim i paa shoq, e atdhetaar i flakët, me treqinn Spartan tjerë, ja fali atdheut jeten e gjakun, kuur dau me ja nnâlë hovin e turrit ushtriis Persjane, e cilla kishte pasë Grekiin me pushtue.
Kuur i vojt fjala mretit t’Persiis, qi vetë me krye i prîite ushtriis s’vet t’panjehun, se me saa vetë ishte túj e pritun Leonida n’fushë t’trimniis per m’u mâtun me tê, qeshi, nnoshta pse do t’i keet raa nner mênn e thânmja e Shqyptarve se "nuk trêmet harusha prejë shoshet!» — e me nji terbim u lkûnn vênnit me at ushtrii mizore, edhè u nis kahë Grekija.
Paa ju hudhë mirë rrethit t’atdheut t’Leonidës, i çoj fjalë Leonidës Ksersi (kshtû e quëshin mretin e Persiis) qi t’i delte perpara paa vanim, e t’i shtrote armët me gjith shokë nner syy t’madhniis s’tii, per n’dojshin nniesë e jetë prejë sì.
Gojat e petritave t’Spartes ja dredhne fjalen n’ket mnnyrë: « Hiq keq, o Mret, e hudhu ti vetë me na i hjekun kto armë! « Asè, si thona nà Shqyptaret. » Armët e mushuna, nuk i nep kush per s’gjallit! » (92.) -
Masì muër vesht Ksersi, se nuk lejshin Spartanët « saa per furka e ênemija» (93) — por ishin trima qi breshin hekur me dhâmë, i sbuti fjalët, e u hîni gledheve, e mrrîni me ju lidhë me bee prîisit t’rrebët t’Spartanve, se do t’i nepte atii n’dorë sunnimin e Grekiis, veç t’ja lête shtekun t’lirë, saa me thânë se e shkeli Grekiin, e mos t’a kthete me mârre e me faqe t’zezë.
Leonida i pergjegji edhè mâa rrebët se heren e parë: » Mâa e âmel m’duket deka per Grekiin se me mârrë sûnnim mii komin t’êm me faqe t’zexë me trathtii. »
Ksersi i idhnuëmun e i terbuëmun m’Leoniden, e çoj m’kâmë ushtriin e vet, e me at terbim e msyni Leoniden e Spartanët. —
Leonida me djelmt e Spartës me kâmë t’ngûlë e priti Ksersin e ushtriin e tii. — Gjith saa herë u nneshne n’luftë, Persiant dredhoshin - dalë me hov t’thymun. - T’lodhun Spartanët e ngratë prejë luftash t’paprâshme, e mâa teper t’thaamun krahësh prejë trathtiis t’nji mistrecit, i cilli u pat diftue shtiqe e vênne pritash qi Spartanët u kishin pasë vûu
Persjanve, mas t’gjith ktynve t’zezave, raane n’kurthë Spartant e mjerë!
Me t’dy syyt e shifte thiken m’asht t’vet e t’vetve Leonida, me gjith ktê zêmra nuk e pat lânë. — Sadò i rrethuëmun prejë mjerimesh, per t’mramen herë u thye kahë ushtrija nnimtare, edhè e kshilloj qi t’shkote n’shpii, e t’rrite gadi me i dalë zot atdheut nner tjera rreziqe, se per vedi e Spartanët nuk kishte dhimë qi do t’jitëshin n’luftë, masì ishte detyra qi u urdhnote, me i lânë eshtnat n’fushë t’trimave per dashtnii t’atdheut e per nnîgiesë t’zakoneve t’Spartës. —
Ushtrija nnîmtare met e habitun n’trimnii e zêmer t’Spartanve, e me lot per faqe e la fushen e u paa me Leoniden. — Me faqe t’zezë! — Porsè nuk u zhburrnue krahi tjeter i ushtriis nnîmtare, qi perbâhej prejë dyqinn vetë Tespezësh, t’prîimun prejë Demofilit. Kta burra nuk e pane me udhë, me lâne vetun Leoniden me Spartanët m’at valë luftet, por t’lidhun m’nji besë, dane, a t’tânë m’u shkrîi, a t’tânë me pshtue!
Masì e la fushen ushtrija nnîmtare, qi ishte kênë mâa n’shumicë, u shkretnue edhè fusha, kû kishin pasë xânë vênn Spartanët, aq, qi aj grusht Spartanësh e e Tespezësh qi patne metë daashin si kaçubë n’at fushë; e me at grimë zêmret qi u pat metë, u bâne gadi me pritë turrin e kulshedres n’Persii, qi t’vîte me fâa barkun e ûnshem n’Spartanët!
Saa rrishin tuj pergiue ushtriin e Persiis, i dha zêmer vedit Leonida, edhè nji herë i lshoj sŷpt t’mushun me lot mii Spartanët e vet t’dashtun e mii Tespezt; e tuj paa do petrita djelmsh qi i rrishin brîi, e tuj mênnue se mas do kohë s’do t’ishin mâa nner t’gjallët, i thekun n’zêmer prejë dhimet, i kshilloj qi t’u ktheshin nner shpija. — Kuur çili gojen e vet njâni e i tha: «O Prîis i dashtun, atdheu m’urdhnon qi t’jes ktu.» — Tjetri ja priti: «Ktû do t’a maroj jeten t’ême per t’dalunzot e per dashtnii t’atdheut.» — I treti foli: «Nneri te e mramja pikë t’gjakut, do t’luftoj per lirii t’atdheut.» — S’ngjati e u dha zâni i luftës. U nneshen anmiqt, e permasì e shkmesne ushtrien Persjane trimat e Spartës, e t’dy vllazent e Ksersit, qi nnollne n’luftë, i çuëne ke t’parët, s’mramit u knnoj qyqja edhè Spartanve! Met Leonida me Spartanët! E njomne me gjak t’vet plângun e vet, atdheen e vet! At dhee, qi u kan pasë lânë n’porosii t’parët, qi mos t’a kurseshin gjakun e jeten kuur do t’ja u lypte nevoja e atdheut: Bashkë me Spartanët met edhè Demofili me Tespezët, t’cillët e majtne besen e burrnisht diqne paa u raa n’dorë Persianve! —
I lum aj dhee e fatbardhë njaj komë qi i qeshë fati i mirë me pasë ksi trimash n’vênn t’vet!
Leonida kje i njimênnti biir i atdheut, e i njimênnti vllaa i komit t’vet.
Leonida ju turr luftës si miza paa krye, e pse? a pat nnoj qellim? nnoshta qellimin e fitimit, t’nnerës e t’lumniis, a t’zânit e êmnit t’madh qi do t’a lête mas vedit n’jetë? — Jo, qellimi i Leonidës kaa kênë tjeter; kje mâa i madhnueshem; qellimi i tii kje lirija, nnera e lumnija e atdheut! — Dashtnija e atdheut edhè e komit e kaa shtyy me luftue e me derdhë gjakun e vet!
Trimnija e Leonidës, u shtîni tuten e mneren Persjanve, e m’nji hov i trimnoj edhè atdhetarët tjerë, qi me nnîmë t’zânit t’Leonidës xûne me vûu n’shagate ushtriën e Persiis. — Gjaku i Leonidës e i trimave t’Spartës i bashkoj edhè i vllaznoj Grekët tjerë! — A e ngiatne luften Persianët mas dekës s’Leonidës? T’hutuëmun, e t’mârrun mênnç prejë hovit t’rrebët qi diftoj Leonida, Persjanët nuk u trimnuën mâa me ja hîi luftës, tuj drashtun qi mos t’nneshëshin persrii m’nnoj gozhdë. Ky shkak kje, qi e bâni Ksersin me shkrehë luften me at komë. Ashtû Grekija met e lirë edhè e patrazuëme prejë Persjanësh prejë se u ushtote n’vesh êmni i Leonidës!
A shifni, praa, se ç’zâa e êmen i prûni komit t’vet nji nieri? Leonida, i biri i njasajë çerdhes s’fatosave, ja nnali hovin ushtriis Persjane edhè mas dekës. Ushtrija Persiane u pakue n’zêmer prejë tutës s’êmnit t’Spartanit, e per ket pûnë ju shporr Grekiis, e me njimii faqe t’zeza dredhuene n’vênn t’vet.
Nuk bân luftë shumica e ushtriis, por besa e bashkimi! —
§ VII.
Vllazen, mos t’i napim shkak atdheut t’ânkohet m’nee! Mos t’ja trazojmë at zêmer t’âmel, e mos t’a lâmë nner dnesë e fshâmë!
Atdheu, kjo nânë e dashtun nuk i turret kuëj m’grusht a me dorë t’armatisun! N’i raftë per syysh se djelmt e sajë kan dredhue prejë shtekut t’marë, ajo ânkohet, porsè i mjeri aj, permîi t’cillin biin nâmët e saja!
Qe ç’farë ânkimesh bân kjo nânë permii atà qi ja trazojnë zêmren:
— Ç’dobii pata prejë t’gjith atii mûnnit qi hoqa mje qi i mkâma t’bijt e mii?! Une i leva, e mizorët m’i hjekin jetet; une i mkâma, e kta m’ja u shkurtojnë kâmët; une i msova e i sdrita, e kta m’i pshtjellin n’futë; i vadita n’besë, e atà m’duëlne trathtarë! Gjith ky nnryshim! gjith ky shemtim nner bijt e mii! Zêmren m’a grîmcuëne, syjt m’i perthane, e m’i verbuëne prejë lotësh! e m’thrrasin nânë?!
Kini dhimë per mue, o djelm t’paa besë! Kini dhimë per t’uu vllaxen, o djelm gjaksorë!
A nuk jeni tuj m’paa se m’ç’kamë m’keni prûu!? A ju kaa raa hija syve qi s’shifni rrenimin t’êm?! M’keni molisë, m’keni shkretnue! — Vaji e brima, gercnimi e kercllimi i dhamve, t’shame e t’qestisuna, e gjith e zeza qi mûnn t’permennohet n’prêhen t’êm âsht lshue! Thekni-u n’zêmer per ket nânë, e cilla digjet e pervlohet per juu, o djelm t’pazêmer!
Posë ânkimesh e t’nâmunash qi i shkrepë atdheu kunnra djelmsh t’pabesë, edhè natyra marë mnerohet mii tà.
Djelm t’pabesë, e gjaksorë, djelm biramela e cuba qi jetojnë n’prêhën t’atdheut, jânë fati i zii i ktii, jânë korija e êmnit t’onë nner syyt e botës! Prohè, atdhee, n’rafsh m’asì djelmsh qi jânë rrênimi i jot, i komit, i besimit edhè i shoqniis!
Atdhedashtnija e vertetë, âsht nji dashtnii e posaçme qi do t’a kena nnaj at vênn, kû kena lee; e kjo pshtetet n’t’perkujdesunit e s’mirës, kahë ato pûnë qi ja sjellin gazmênnin e knaqen, e qi ja majnë larg ç’do rrezik. Gazmênni e knâqa, edhè e pruejtmja e rrezíqeve, i vjen atdheut, n’kjoftë se u pergjegjena detyrave qi na majnë n’dashtnii t’nnermjevesdhme e qi na shtypn n’dashtnii nnaj t’Bukurin e qiellës. —
Perkorja, drejtnija, nierzija janë trii pûnë qi kush mos t’i keet, aj s’mûnnet me kênë as bestari i mirë as atdhetari i vertetë.
§ VIII.
Veshtroni, o vllazen, kto pak t’ thânuna t’ atyne burrave, t’ cillve u kaa pasë flakrue zêmra n’ dashtnii t’ atdheut, tuj shpnesue se do t’ na i ngrofin zêmrat edhè nee Shqyptarve, qi jena aq t’ ftofët kahë vênni i t’ Parve, kahë Shqypnija e jonë.
„ Prînnja jânë t’ dashtë, fmija, gjinnija e dashamirët jânë t’ dashtë, porsè t’ gjitha kto dashtnii dashtnija e atdheut, n’ vedi i permledhë. » ( 94 ) —
T’ gjith atà qi kan me i dalë zot, kan me ruëjt e kan me madhnue atmen e vet, jeta e lumniis s’amshuëshme i pret. » (95.) —
"Atà burra qi kan nnrrue jetë per ngajë t’ atdheut, posë qi janë lânna e madhnueshme n’ gojë t’ kuvênntarve, por edhè atà vetë na duken teper t’ lumnuëshem. » (96.) —
"Si na knâqet zêmra n’ t’ mirat qi na i nep atdheu, ashtû nuk do t’ na shknâqet n’ kjoftë se na qet pûna me hjekë nnoj mûnnë per tê. » (97.) —
"Sênni i âmel e i bukur me metë n’ luftë per atdhee e t’ liir me i lânë mas vedit t’ dashtunen grue e fmii, me shpii e pasunii. » (98.) —
« N’kjoftë se t’salvon atdheu edhè paa rrugë, vênia drynin gojës, e baaj. » (99.) —
« Pûna e âmel edhè e nnershme âsht me dekë per atdhee. » (100.) —
« Aj qi des per atdhee, mâa shum i rrogon m’at ditë, se kaa kênë i rrogue gjith jeten e vet… » (101.) -
« Dashtnija e atdheut rrjedhë prejë natyret, e âsht mâa e âmel se êmni i atdheut. » ( 102. ) —
» Mûnni qi hiqet per dashtnii t’atdheut, âsht nji nner mâa t’mdhajt virtyte qi mrrîin me i bâa nieri.» ( 103. ) —
» Kûdo qi t’nnollish, m’c’do kâmë qi t’jeesh i rritun, nên t’cillin do flamur qi t’gjinnesh atdheut mûnn t’i rrogojsh » ( e me kênë dobija e tii, veç n’mos daç ). (104 ) —
« Nji gjytetas gjith herë gabon, atdheen veças e vedin veças tuj majtë; n’repîi me nnêjtë aj, âsht n’detyrë, atii qi i gercnohet, hovin me ja nnâlë. — E kuur derdhë mûnnin e gjakun per tê, kurrgjâa prejë vedit s’âsht tuj ja falë, por shkaf i detyron po ja kthen.» (185.) —
« Aj qi don me i rrogue atdheut si e lypë pûna, do t’gjindet gadi me dhânë jeten e vet per tê.» (106.) -
«Dora kunnra atdheut, s’do çue kurr. » (107.) —
« O atdhee, atdhee ! i zêmrave qi t’donë jee kushti e nnîsija e parë. » (108.) —
« Per me pshtue atdheen qi hjekë ( i rrethue prejë rreziqesh ) , t’gjitha shtiqet jânë t’lira, kuur t’a lypë nevoja… » (109.) —
« Dobija e madhe i vjen atdheut kuur t’gjinnnen asì burrash zêmrakë, qi me trimnii t’veta e lânë mrapa zânin e mirë, persè trimniit e tyne jesin per pasqyrë atdhetarve tjerë. » (110.) —
« As dija, as fati i mirë , as kurrnjì sênn tjeter nuk mûnnet me ja rritë zânin nierit, po s’pat dashtnii nnaj atdheen e vet. » (111.) —
« O atdhee ! o atdhee i dashtun, dheu i lum! N’ prêhen t’ânn jeta m’pertrîhet, zêmra m’bredhë ( prejë gazmênnit ). — Ti jee djepi i jonë m’tyy jânë rrâjët e t’kênunit t’onë. » ( 112 )
„ Shqiperi! ti m’ep nneer, m’ep êmnin Shqiptaar,
Zêmren ti m’a gatove, plot me dëshirë’ dhe me zjaar.
Shqiperi! o mêma ime! nnonsè jamë i mërguaár,
Dashurinë t’ânne zêmra s’e kaa haruaar! (113.)„
— Ven’ oroe, o atdhetaar vllaa, atdhedashtniën e perflakshme qi do t’a keet sejcilli Shqyptaar nnaj atdheen e vet, sikursè do t’a keet pasë edhè zêmra e ktii atëdhetarit, qi kaa mrrîit, n’kto pak fjalë, me i qitë per fushë t’gjitha nnisiit e zêmres t’vet.
„ N’tyy mênnoj kuur agon drita,
Kuur bylbyli mâllshem knnon,
N’tyy mênnoj kuur soset dita,
Terri boten kuur e mlon!. . . . . . . . . . . . . . , . . . . . . . .
Paa tyy lules s’m’i vjen era,
Paa tyy pêma fryt nuk m’ bjèn;
Mue paa tyy nuk m’ del prênnvera,
Paa tyy diëlli nuk m’ shkelxèn.Deer saa t’ mûnnem me ligjrue,
E saa gjallë me frymë un jâm,
Kurr Shqypnii, s’ kam me t’ harrue,
Edhè n’vorr me t’ permênn kam! „ (114.) —
Qe, saa fjalë t’uurta kena prejë t’Parësh, se saa do t’duhet atdheu, e shka âsht vênni i huëj.
„I mjerë kush del prejë çerdhes s’vet. „
» Din luga shka kaa vegshi. »
» Prejë kalit t’ huëj sdryp n’ ujë. »
» Kpuca e huëj t’a vret kâmen.» — "Guri n’ vênn t’ vet peshon mâa rânnë.» — "Vênnin e huëj e levdosha, por mrênna mos i vofsha. » — " Kali i huëj t’ lshon n’ baltë. » ( 115. ) —
* * *
O atdhee, êmni i dashtun, qi gjith saa herë t’permênnet xêmra jet e ûnshme! Atdhee, vênn i lumnuëshem, kû leem, kû jetojmë e kû i kena mâa t’dashtunit n’jeet! — N’prêhen t’ânn âsht tata, nâna, vllazen e motra, gjinija e dashamirë e t’ gjith atà qi u vlon nji gjak me nee! Vênni i shugurue me gjak t’ Parve t’ onë, t’ cillët, s’ e patne kursye jeten e gjakun per t’ dalun zot t’ drejtave t’ atdheut e t’ komit t’ onë. Detyra na shtypn edhè nee, me i dalë zot me fuqii t’bashkuëme. — T’a sdrisim e t’a duëm komin t’ onë, o vllazen t’ dashtun! — Mos t’ na vînë marre me u rrfye t’ bijt e kuëj jena!…. Atdheu i jonë âsht mje kû hapet, e mje m’ at skâj kû flitet e dashtuna giûha e jonë!
O atdhee i dashtun, u nnêzët edhè u pervlofte zêmra e ême per tyy! — Êmni i jot u thadroftë n’ zêmra t’ tânë Shqyptarve!
"Ti qi ja kalle flaken diëllit
E i shestove rrathët e qiëllit,
Ti prejë eshtnash t’ngratë Shqyptarve
Qi bâan deken per dhee t’Parve.
Bân sod t’bîjnë fatosa t’rii
T’cillët nji troe t’ksajë Shqypnii
Mos t’a lshojnë nner thoj t’pangîishem
. . . . . . . . . . nnierzve t’mniishem! » (116.)
Nji atdhetarit t’ftofët:
« N’maje t’malit aj dimnofte,
Raftë bora edhè e mloftë
Raftë shiu edhè e sbloftë
Raftë breshni e coptoftë! » (117)
Saa per Grek t’sodçem, mâa mirë mos t’jetë se âsht komi i tyne! — «Graeca natio, qualis nunc est misera ut semel dicam.» (Majoli.) — ↩︎
Shtjefën Gjeçovi