Shqypnija e lirë

Jo, po: a s’desht djalli Shqypní?
Jo, po: a s’desht hasmi Shqyptár?
Qé, prá, sod po ká Shqypní;
Qé, pra sod po ká Shqyptarë.
Jo, po: ká Shqypni, per Zotin!
Ká Shqyptarë, qi n’çark agzotin
Ata e bajn p’r 'i kurrgjâsend.

Ç’merr prej kreshtet s’Veleçikut
E dér poshtë në Kep të Shtiellit,
P’r inád t’djallit e t’anmîkut,
Sot, si shkrue kje m’liber t’qiellit,
— Shkrue me gisht t’nji Perendije –
Flamri kuq e zi lshon hije:
Anë e kand Shqypní â’ ky vend.

Po, por neser, me ndihmë t’Zotit,
Do t’a bâjm prap Shqypní t’lír
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit m’Monastir;
Edhé Flamuri i Shqypnís,
Si flakë mnijet t’Perendís,
Do t’valvitet m’Kaçanik.

M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e zi Flamri i Shqyptarvet,
Perse toka, shqyp kû flitet,
Ajo vetë âsht, qi prej t’Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo, mâ s’do t’shklasë,
Posë atëherë, kur vjen per mik.

Jo, po: na sod ktû sundojm;
Ktû s’hecë fjala e tjeter kuej;
Gjall Lirin na nuk e lshojm,
S’njohim mbret as krajl të huej,
Zoti n’qiellë e na mí tokë;
Me gjithkend vllazen e shokë,
Por se i cilli m’cak të vet.

Prande’i huej, n’anderr m’e pá
Se vjen kurr e shklet nder né,
Drue se keq kishte me i rá;
Pse Shqyptarët kanë bâ nji bé –
Bé të madhe ata kanë bâ:
Per Shqypni në luftë me rrâ,
Me rrâ n’luftë me krajl e mbret.

E kúr bjen në luftë Shqyptari
Lidhë me besë ai ndermjet veti,
E din hasmi se aty pari
Shungllon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s’mejdanit,
Si ato kokrrat e bastanit:
Shkulma – shkulma gjaku rrmen.

Edhè, besa pra, Shqypnija
Trup në kambë ajo na âsht çue;
Âsht dyndë fusha edhe Malcija,
Kanë njeshë armët e janë shterngue,
Kanë dalë n’luftë per t’drejta t’veta:
— Zemren flakë, synin si zhgjeta –
Hovin deka s’mund t’u a then.

Kqyrë Evropa n’mend habitun,
Edhe bésë nuk don me e xânun,
Se kta djelm n’Shqypní janë rritun,
Se kta besën e kanë dhânun,
Gjall kè shpija mos me kthye,
Nji herë hasmin per pa e thye,
Per pa e shty perdhûni m’cak.

Po, por na, me arsye m’njânë dorë,
E me pushkë në tjetren ngrehë:
Pá fuqi nji komb s’ká Orë
E as nder t’gjallë s’ká pse me u njehë:
N’rrashtë perdhûni kem’ m’i a shti,
Se pa i vû Shqypnís kufi,
Prap Balkant do t’lahen m’gjak.

Ka nji Zot, qi pre’ Empirit,
Me sŷ t’drejtë e t’shquet perore,
Vren mbi fise t’rodit t’nirit,
Qi edhe t’ligshtin s’e lshon dore:
Qi mâ t’fortin n’mend harlisun,
Rrebtë m’furi i Lumi tue krisun,
Per nen kambë t’ligshtit i a shtron.

Ky, po, ujë shkallmes s’Shqyptarit
Ká me i dhânun n’lum t’Parrîzit,
Qi sá herë per dhé të Parit
A per dhunë t’pleqnis s’Parizit,
T’a vringllojë nder moshë të reja,
T’i ndrisë n’dorë, si njajo rrfeja,
Qi per mnerë qiellvet veton.

M’kambë, pra nipa t’Gjergj Kastrjotit,
Me lidhë besë e armët me njeshë!
Kem’ nji Atdhé, dhè na n’ditë t’sotit;
Kém’ Shqypnín na Rregjineshë,
Per Shqypní na të jetojmë;
Gjall Shqypnín na mos t’a lshojmë:
N’mend t’a kem’ per jetë e mot.

Por, po ndodhi se vjen dita,
Qi me faj Shqypnín e darni,
Qi e Lirís u erret drita
Edhe m’ t’huejë Atdhén e mvarni
A per pare a marri tjera,
Si nder kohë, qi shkuen, atëhera,
U marroftë i Madhi Zot!

Pjesa e radhës
Shqypnís