Nji Lule Vjeshtet

1909

N’at rrahë t’dekne mbrenda vorrit t’errshem
Tash plûhen jé. Ata dy sý t’janë errun,
— Kû qiella prirej me sá hâna e diella –
Terthores s’eper m’sharte vrejn t’njerzimit!
T’janë sosun fjalët e âmla e plot urti,
E ai zâ t’â kputë, i cilli bite m’zêmer
Si kumë liret t’tingllueshme, ai prej s’largut
Ndihet tue rá, kúr dora e prekë e msueme!
Ehu! po; «deka, qi baras m’derë t’pellazvet
Trakllon, si m’trinë t’kolibave»,[1] kû i vorfni
Me lot njomë buken, tý edhè ajo ke dera
T’traklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kúr dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’dheut. Sod permbi vorr t’kan bijtun
Hithat e madergona! 'I kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’a vû te kryeni,
Nder to ká húpë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’a zbutë, pose va’it t’trishtueshem
Te hutit t’natës, qi neper curra t’malit
Dhimbshim në rreze t’hânes rin tue gjimue !..
Njaj grumull gursh, qi m’vorr t’randon persypri,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’hikë kahë i bjen nget vorrit,
Edhè t’perqethet atbotë i shkon nper zêmer.

Po, a. Thue, krejt deka n’asgjâsend t’perpini
E, posë se do kocijsh, edhe 'i grusht plûhen,
Nuk t’la tjeter? Jo! N’prêhen t’Amëshuemit
Pjesa mâ e mira e jotja ká flutrue
Me gzue n’dritü t’qiellvet, kû pushon dishiri
I nierit t’drejtë, si drita m’sŷ të kthiellun.
Po, po, se pertej vorrin shpirti i nierit
Giallon per jetë! Nieky mendim i âmël
Deken e zbutë e vorrin bân t’pelqyeshem,
Kúr zêmren fa’i s’e grise. Prej ktij mendimi
As vetë per tý s’lotova shum, kúr ndjeva
Se diqe: se n’mâ t’miren lule t’motit
E lae ti ket shkretí, kû shuen e Drejta
E Paudhnija kû sundon mizore;
Kû i zhyemi m’vesë sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’zí, e selija
M’rrashta t’pergjakshme t’njerzvet m’kâmbë, kù mbahet.
Ehu! po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kúr bora dêhet, s’mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kahë jeta e dytë, kû Njaj qi rruzullimin
N’themel e dridhë veç me 'i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumní shka Atij t’i két pergjá.
S’kje toka, jo, per tý: per tý kje qiella!
E tash, qi vetë jam tue, ravisë kto karta,
Ti, kushedi, nper vrije t’amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’dijn me u veshkë, e ndreqë me ta kunora
Per me u lulzue mandei nder t’zjarrtat valle,
Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’Parrizit:
Kû, fletët e arta bashkë kryqzue me Êngjuj,
Kndon Zotit lavde per ylbera t’qiellit;
A, marrë krejt n’t’pám t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,
Porsi m’pasqyrë t’kulluet skjyrton shestimin
E rruzullimit, vû prej s’epres Mende,
E cilla n’t’kênun sendet thirri t’tâna
Prej hijevet t’kthellueshme t’asgjâsendit,
Kúr bâni Ajo furín me heshtë t’thellimit,
E me 'i fuqi t’pamâtne prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’t’skâjshmet megje
T’ktij sheklli ndihet mnershim tue gjimue,
Kahë per ledhe plandoset t’rruzullimit.
E aty, n’at dritë plot amelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’Dritvet
Gjithkahë dikohet neper verë t’Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’rreze tu’i pershi,
T’kthiellta ti i prír t’vertetat, t’cillat Hyji
Desht t’muzta nierit me i a lânun t’shkrueme
Nder fletë t’hyjnueshme t’t’amëshuem Unjillit.
Oh! sá e sá herë, kúr n’mbrâme shuen natyra,
E tjeter s’ndihet, veç se rryma e pronit,
Qi permâllshim gurgllon nper rrâjë e curra,
Un, lodhë mbi letra t’t’dijshemvet t’kahmotit,
Mbas t’cillvet fjalen rrí tue lmue shqyptare,
Dal ne dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’kthielltë i a vûni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sŷ Zotit
Flakojn mbi dhé - kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue mâ fort prej mneres s’territ,
Perbluen pûnë t’mbrapshta: — e atbotë mendj per tý.
E, kû t’a shof mâ t’flakshem tue xhillue
Nji hýll, at selín, un tham me vedi,
Ti do t’a késh, e sŷt m’at hýll pá dá
I nguli, e m’bâhet si me t’pá. Me êmen
Un t’thrras atbotë nper terr. Nji váj bylbylit,
Qi permâllshim nder gêmba rrin tue kjá
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bâhet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoi me tý!.. Nuk dekka i miri,
Jo kurr; e sidomos njaj, i cilli i zêmër
E lên mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errshem,
Giûmin e dekës kû aj bân, na i flet mêndimit,
Âmel edhè na nzitë kahë pûnët e mbara,
E n’mênde t’one giallnon. — Kúr Aleksandri
Prej Bregut t’Matës ngallnyes u kap ke vorri,
Kû shuen idhnimi i Prisit t’Mirmidonvet,
Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
I u ndez at flakë zêmra kahë lumnija.
Mbi njat vorr, po, u betue me ngule flamurin
N’skâj t’dheut, e prej selís me i zhdrypun mbretent;
E at herë perpara tij tânë bota shuejti.
Mue edhè, qi sheklli e nji dishír Lirijet
T’thepisne raven m’i a kan shtrue gjallimit,
Mue, po, edhè zêmra mbi vorr t’and t’pervûjtun
M’ndezet kahë pûnët e mbara e kahë burrnija.
Permbi vorr t’and, po, za të fortë me e mbajtun,
Besen e dhânme - e miqasín e zânme;
Per Fè e per Atme n’báll me i dalë rrezikut;
Te ligshtit doren me i a njitë e t’fortin
Mos me e gledhue; kúr t’jét me u thânë e drejta,
Mos me i shmângë sŷt prej cakut, n’t’cillin mêndja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Nder sá t’vishtira, ai t’na sjellin motet.
Po, po! se pre’atij vorri kam me shkepun
Hovin kahë pûnët e mdhana. Ai kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, ai qanderr
Ká me m’kênë nder salvimet; Êngjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjûmin e dekës në vorr mos me t’turblue,
Dér qi të shkimen n’qiellë e hâna e dielli
E t’ngelë moti e sheklli mbarë t’rroposet,
E t’vijë dita e gjygjit t’rruzullimit,
Aj ká per t’m’kênun Zâna. E at herë pá u tutun
Zhgjetat e prehta e t’zjarrta kam me i prefun,
Qi kundra vesît do t’i a lshoj njerzimit:
At herë un kângët kam me i ndërtue kreshnike,
Me t’cillat botës un do t’i a lâ të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’dorë t’Shqyptarit.
E me kângë t’mija 'i permendár t’madhnueshem
M’vorr t’and kam per t’ndertue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ká per t’a rrahun;
Pse, si curr, qi n’mjes t’detit rreh tallazi,
Edh’aj njashtû do t’jesë nder gjire t’motit
Gjithmonë i rí, tue njehë furit e mnershme,
Qi bumbullon mbi faqe t’rruzullimit.
E at herë prej bjeshkvet kan me u djergun Zânat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kan me t’vallue, e kan me rritun
Me shum kujdes per çark selvija t’blerta;
E shtektarit mundqár, qi n’ato hije
Ká me zânë vend, me ndalë pak gja t’dihamet,
Kan me i kallzue se sá pjesë qiellet vrâni
Deka n’vorr. E atbotë i largë shtektari
T lét chén ká me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e boren; e, kúr m’male t’veta
T’dredhojë ke stâni, fmís ká me i kallzue
Shka ndjeu per tý. E fmija e atij aso bote
Êmnin t’and kan per t’kndue, e vrrini e bjeshka
Âmel prej êmnit t’and kan me jehue.
Me mâje t’briskut kan me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njoftne veç e prej barivet:
Kan me u rritë lisat, perse spata as rêja
S’e prekin landen kû â ravisë aj êmen:
E tu’u rritë lisat kan me u rritun shkrolat;
E kshtû mâ t’kjarta mbas disá qindvjetve
Nipat mâ t’vonët kan me i kendue, e êmni
Sá t’bjerë dielli tokës ká me t’u kndue.


  1. Pallida Mors aequo pulsat pede pauperum tabernas Regunque turres
    (Vdekja e zbehtë troket me të njëjtën këmbë në tavernat e të varfërve dhe në kullat e të pasurve.) - (Horaci. C. I. 4.) ↩︎

Pjesa e radhës
Dita e gjygjit