Na jem’t’bijt e nji fisi t’permendun,
N’dorë, qi i ndriti si rrfeja çeliku,
Qi e qestisë veç tu’u dridhun anmiku,
Qi t’tanë bota kah besa e nderon.
N’Perendin na veç shpresen tue mbajtun,
Per fron t’Mbretit per t’shêjtat t’Verteta
Gjâ s’na dhimbet — s’na dhimbet, jo, jeta:
Gjallë Shqyptari Lirín nuk e lshon.
Mbí kto male, e m’kto bjeshka të grista,
Porsi shqypja mbí krep tuj gjallue,
Kurr Shqyptari burrnín s’ká harrue,
Qi prej t’Parvet pat pasë trashigim.
Por sod, doket qi ndrruene me mote,
E t’lum nierin s’e bân veç trimnija,
Kû thue, fatin do t’ndeshë Shqyptarija?
Kush Shqyptarit do t’i apë perparim?
Vetun Shkolla, qi lidhur me Fé
Bijvet t’nierit ep msime të mbara;
Vetun Shkolla Shqyptarët, po, perpara
Kah lumnija me u njitun i bân.
Menden nierit, pse, Shkolla tu’i shndritun,
I a zbutë zêmren me t’ndieme të hiejshme,
I ep gajretin per vepra të viejshme,
Prej mjerijet larg jeten i a mban.
N’Shkollë Likurgu pat rritun fatosat,
Qi me armë t’shndritshme, si rrezet e larta,
Shperthyene zgjedhen nen t’cillen Sparta
E poshtnueme sá mote gjimoi.
M’kambë Piramidat i ngrehi shkolla,
I dha hije të gjalla mermerit;
M’pelhurë jeten ravizi të njerit,
Kohën e shkueme perpara i a shtroi.
Kush msoi nierin mbi rê me fluturue?
Me njehë hyjt? me mâtë rrezet e diellit?
N’pûnë m’e qitun vetimen e qiellit?
në m’ânë t’botes me ngrehun kuvend?
Kush msoi nierin me ngâ porsi rrfeja?
Jetës m’i a njoftun të mshefta burrimet,
E valës s’detit m’i a mûjtun thellimet,
Edhè vendin m’e avitun me vend?
Vetun Shkolla kta mrekuj pertrîni,
E i msoi popujt ndertime sundimit;
E u dha dorë edhè vegla gjallimit:
Larg mjerimit t’qetë jeten u a mbân.
Oh! po, Shkolla, qi lidhun me Fé
Bijve t’nierit ep msime të mbara,
Ajo vetun sod popujt perpara
Kah lumnija m’u njitun i bân.
Na, prá t’bijt e nji fisi t’permendun,
N’dorë, qi i shndriti si rrfeja çeliku,
Qi e qestisë veç t’u dridhun anmiku,
Qi t’tânë bota kah besa e nderon,
Na, po, n’daçim, qi sod Shqyptarija
T’marrë hovin ka’i drejtë gjytetnimi,
Shkollët do t’ndjekim, kû nepet mësimi,
Fén e Dijen, qi n’mênde bashkon.
Oh! po, at herë, kúr n’Shkollë zbutun Shqyptari,
N’mni t’két marrun aj gjakun e dhûnen,
E me dije t’két kapun aj pûnen,
Shqypnís fati do t’çilet taman.
E njatune, mbi né qi sod binden,
Ká m’u u thânun se fisi i Shqyptarit
S’e koritë, jo, kurr nâmin e t’Parit
Se ky âsht fisi mâ i pari n’Balkan.