Tue zbardhun mosha e dhetepêsët e jona
Atje prej shtojesh t’Anadollit t’plleshem
Hânza pergjakshim nisë mbi Europë t’kukzohet
Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye
Të mâ s’rrebtës ushtrí së jetës s’atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’Helespontit,
Edhe betohej n’mní të vet mizore,
Se shpirti trupit s’do t’i dahej para
Se hânzen t’ngrifte mbi Sh’Sofí t’Bizantit
E n’Sh’Pjeter t’Romës tagjí t’i vête kalit.
E pse aj burrë dokrrash e pallavrash s’ishte,
Perpara tij rán frone e rán therore;
U rroposen mbretní e u shkimen fise,
E as bár mâ s’bîjti andej ka’i shkeli kâmba.
Greku, Bullgari hûmben, hûmbi Serbi,
— Hûmbi, po, Serbi, madhështija e t’cillit,
Qatje te e vona boten mbarë në zí
Do t’a pshtiellte. — T’felgruemun drojet, shuejten
Zânin mbretent e Europës. Zâmaret eshten,
Eshti edhè kânga e nji mjerí e shemtueme,
I rá mbarë dheut.
Kúr, qe, mbi kep të Kruejes
Titanike po del nji hije burri,
Vetllat ngerthye, si dý hulli rrufeje,
Me do sŷ zjami e 'i mjekerr t’thîjtë, e cilla
Shllungë giatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla
Rreth njai curri t’thepisun. M’krye trishtueshim
Flakë i shkelqán tarogza brynatake,
Qi, tmershim ka’i vezllon nen rreze t’diellit,
Kometë zharitse dán nder sŷ t’anmikut.
Aj âsht fatosi i ndiemun Gjergi Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,
Qi, pre’atij kepi, si nji shqype mali
Kundron kahë forca e barbarsís lindore
Shkon tue rrëmye mbretní e fise e popuj,
E gjithshka t’mbarë perftue kisht’mêndja e nierit:
Si rribë Verit, qi rêt i fshîn prej qiellit
E e lên token me u thá. Edhè tue pamun
Se anmiku i rrebtë i gjytetnís nierzore
Po nisë per s’afermi Shqypnís t’kercnohej
E se prej nierit s’kisht’pse ndimë me pritun,
Çon sŷt kah qiella, e zêmra gjak tu’ i shkue,
«O Zot ! - gerthet, — o Zot i Madhi i Ushtrivet!
E po a njimend se mâ s’do t’két Shqypnija
Nji vend kû me t’u lutë?.. e se grát t’ona
Djepat n’Azí mbas sodit do t’perkundin?..
E se Shqyptari token do të punoje
Veç per me kndellun n’mish gocat qerkeze;
Qi nji Tirani t’i sherbejn mâ kandshim?
Oh! pse i a mrrim ksajë ditë, e s’ká shperthye
Toka q’me kohë, me na perpî per s’gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, ti prej qiellet
Zêmer e forcë m’dergo, qi ktij Tartari
Barbar un t’i a diftoj, se Shqyptarija
S’merret pá gjak, e se per Fé e Atdhé
Din t’desë Shqyptari». Permbi flatra
Të bardha t’Fés kjo lutë u çue kahë qiella
E i shkoi n’vesh Perendís e e preku n’zêmer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
Zjerrë nji pelhurë të njŷme «kuq e zî»,
Qi Êngjujt vetë n’Parríz êndun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e vên në báll,
Nji Kerubini t’lét i urdhnon tu’ i thânun,
« Na, e ket Flamur Skanderbegut çoja
Atje poshtë n’Krue, e thuej’prej ane s’ême,
Se dér sa t’rrije tok fisi i Shqyptarit
Nen hije t’ktij emblemi t’êm t’bekuem,
Zot m’vedi e i lír gjithmonë aj ká me kênun ».
Kshtû tha i Amshuemi ; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun m’parsme Flamrin e Shqypnís,
Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’Krue.
Kû Skanderbegut n’dorë dhantîn e Zotit –
Flamurin e Shqypnís — i a nep e kshillin
E t’Lumit i a difton: se si Shqyptari
Zot m’vedi e i lír gjithmonë do t’mund qindroje.
Si aj nieri, qi trishtue njaj andrre s’keqe,
Kúr giûmi i del, me vedi zên e gzohet,
Se n’hije e jo i njimendtë i u tfaq rreziku:
Kshtû Skanderbegu nise me u gzue me vedi,
Si Lajmi i qiellvet n’dorë i a dha Flamurin
E i tha se per nen hije t’tij Shqypnija
E lír e zojë m’vetvedi p’rherë do t’jitte.
Edhe armatiset. Burri i dheut krejt m’hekur.
Njeshë pallen n’ijet — pallen t’rrebtë, mizore,
E m’patershanë, me pafta arenzit t’mathne,
Njet Flamrin kuq e zí, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhè mbi shpinë të kalit,
Qi, frŷ turîjt, njuhatte erë të giakut,
Hidhet porsi duhí e rrebtë. Prej millit
E zjerrë pallen mizore, e drejtë kahë qiella
Heshten e ngrefë. Nji fllad i lét, i amel –
Flladi i Dashtnís — po e zhdrivillon Flamùrin.
— Flamùrin e Atdheut t’êm - qi tue gufue
Madhnueshim neper ajr të lír t’Shqypnís,
Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njaj skundilli i petkut t’Perendís,
Qi, mirë qendisë me hâna, hyj e diella,
Prej krahvet t’amëshuem e t’gjithpushtetshem
I mvaret poshtë neper hapsí t’Empirit,
Kahë, pshtetë m’stuhí e m’flatra t’rribës s’Murranit
Sheston boshtin e moknes s’rrukullís.
E ashtû n’at dukë të rrebtë e t’perfrigueshme
Me 'i zâ, si tue ulrue, prej kepit t’Kruejes
Po u thrret Shqyptarvet t’vet e u thote «Ktû burra,
Ktû eni, o t’bijt e Malevet ! Shqypnija
Gjindet n’rrezik!» N’at bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqypnís kreshnike,
Edhe nji çetë e vogel homeridash,
— Burrash si motit veç qi i bâte nâna –
Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flàmurit
Nji bé të madhe e bâjn e lidhin besën,
Se 'i pllâmë toket t’Atoheut s’i a lshon Tartarit,
Po s’e lán para me gjak t’tij t’perdhosun.
T’forcuem me at bé, t’forcuem me shêjtní tagresh
E shpresë m’Zotin tue mbajtë e m’krah të vetin,
Me Flamur kuq e zí zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’malevet t’thepisuna
Si rreshme boret prej ndo 'i kulmit t’rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhe t’Turqvet;
Të cillt, prej s’largut tue u a pamun hovin,
Thonë se kulshedra me drangoj po u turret.
Edhe mnershim nisë lufta titanike.
Kahë t’idhtat shpata, kahë gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’trishtueshme,
E bumbullojn henikë edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemët per dhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e 'i vigmë e kobshme
Cohet per ajr të terratuemun plûhnit,
Qi rreth e rrotull t’tânë dridhet Balkani.
Shkon gjaku rrkajë. Të tânë fusha e gjânë e Dibrës
Me kurma t’zeshkët barbarësh â mblue. Hidhet,
Hingllon, trûmhaset kali i Skanderbegut
Kahë thundra e mbathne kthelltë i hûmbë në dhé
Të rîjtun m’gjak t’barbarit. M’dhâmbë brén buzen,
Atëherë zot — madhi i Turqvet e pendohet
Qi i rá kurr n’mend t’mësŷjë Shqypnín mizore.
E shef, po, vetë gjakbâsi, se rob s’bâhet
Aj dhé, kû Flamri kuq e zi valvitet.