Lamtumirë! - vendet e mija,
Qe, po zhduken dalë — kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Kahë njaj diell, qi a tue flakue
Andej fill un tash do t’veta…
Lamtumirë! O dhé i bekue!
Lumtumirë! per sá t’jét jeta!
Neser nade kúr mbi né
Rrezja e diellit ká me rá,
Kush e din sá ujë e dhé
Mue prej teje ká me m’dá!
E por n’pvetsha rêt mizore,
E por n’pvetsha zojt e detit;
Se per tý, moj tokë arbnore,
S’ká me m’folë mâ kush mue t’shkretit …
Tjera fushë e tjera zalle
Kam me pá, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjûhë n’tjera gjytete;
Vendin t’êm, por, s’kam me e pá,
Kû kam lé e jam burrnue;
Sŷt e mí edhè kan me kjá,
Pá u gjetë kush, qi me i ngushllue.
Pá kend t’êmin, posë nji Zotit,
Tue shtektue per dhé të huej,
Kan me m’shkue mue ditt e motit
Shá e perbuzun prej gjithkuej.
Kam me pasë shkretín per voter,
E per shtrojë të ndezten rânë;
Kam me pasë ulkojen moter,
Kam me pasë, ehu! tigren nânë…
Nâna e mbetne per së gjallit
Ká me m’kjá, kushdi, ndo 'i ditë,
Dér sá motra, dekun mallit,
Kot ndo’i herë mue ká me m’pritë.
Ká me i njehë, po, krushqt, e mjera,
Me i prû nânes n’shpí nji ré:
Por i vllai, kushdi, m’at hera
Ká me u kalbun per nen dhé!
E, njai dhé — ehu! kob prej qiellet! –
S’ká me kênë, jo, dheu i t’Parvet,
Kû mâ bukur qiella kthiellet,
Kũ mâ âmel n’gjûhë t’Shqyptarvet
Para Hyut naltohet luta,
E kû besa âsht e shêjtnueshme
E kû zêmrat s’dijn shka â tuta,
E kû bjeshkët jânë të madhnueshme.
Oh! ju bjeshkët e Shqyptarís,
Kû mâ mirë shndritë dielli e hâna,
E kû logu â i bujarís
E kû rriten djelm si Zâna!
Un jú kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jét gjykue me u êndë:
Dér sá t’muj me ligjirue,
Jú gjithmonë kam me u permêndë!
E ato hale e qepariza
Kam me i pasë nder mend gjithmonë,
E ato stâne e njato mriza,
E ato berre e ato kumbonë…
Por, oh váj! malet e mija,
Qe, po zhduken dalë - kadalë;
Glimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Lamtumirë, prá, bjeshkë e male !
E ju krepa edhè ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale,
E ju prroje edhè ju gurra!
Lamtumirë, ju mrize e stâna!
Lamtumirë, kumbona e berr’e!
Lamtumirë, ju fusha t’gjâna,
Ju livadhe, enè ju dierre.
Lamtumirë! ti shpija e t’Parvet,
Kû mâ s’parit m’agoi drita
E kû strehë u dhaçë shtektarvet
Miqt e babës edhe kû i prita.
Lamtumirë, carâni m’voter!
Lamtumirë, ju armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nânë e motër!
Lamtumirë, per sá t’jét jeta! …
O shtegtár, m’nji nji vorr të rí.
N’hassh ndo’i herë ti, tue ndjekë shtekun,
T’silun n’rânë nper ndo i shkreti,
Aty vetë kam me kênë dekun.
Nji kryq drûnit, t’kjosha true,
Ziere e vênma permbi krye,
E, nemose, ti per mue
Lutju Hyut per shka t’kém’ fye.